2012-11-26

Mos komentoni veprimet e EULEX-it për rastin “Kleçka”

1



Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar nëpërmjet një deklarate thekson se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it. Megjithatë, ai po ashtu dëshiron të theksojë se politikanët dhe institucionet politike duhet, për çështje parimore, t’u shmangen komentimeve për rastet që vazhdojnë.

Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike, sipas tij, është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Ai ka thënë se gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome, dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre. Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht.

”Ne të gjithë e dimë se në mënyrë që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, sundimi i ligjit duhet të forcohet dhe të respektohet. BE-ja bashkë me të gjitha instrumentet e saj, përfshirë EULEX-in, është këtu për të ndihmuar. Unë e mbështes plotësisht EULEX-in në misionin e tij. EULEX-i dhe stafi i tij po ashtu mbështeten plotësisht edhe nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka thënë Zhogar.



2.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka paralajmëruar kushte të reja për rrugën e vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.

I pyetur nga mediat serbe nëse kushtet që pret kanë të bëjnë me Kosovën, ai është përgjigjur pozitivisht, ndonëse nuk ka dhënë detaje.

“Kur bëhet fjalë për negociatat me Prishtinën, përfitimi ynë do të ishte që Kosova të mbetet tërësisht në përbërje të Serbisë dhe unë të jem president në Prishtinë. Kosova nuk mund t’i merret kurrë Serbisë”, ka thënë Nikolliq.

Sipas tij, Serbia është shtet i rregulluar dhe e gatshme të bëhet pjesë e BE-së.

Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë Serbisë datën e negociatave për anëtarësim, duke i vënë si kusht kryesor normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë mbajtur dy raunde bisedimesh në Bruksel, nën praninë e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.


3.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se “mirëpret vendimin e EULEX-it që, nën dyshimet për krime lufte, të arrestojë Fatmir Limajn”.

“Kërkojmë që të gjithë personat e akuzuar për krime lufte, të sillen para drejtësisë. Kujtojmë se për drejtësi presin mbi 1,000 serbë dhe joshqiptarë të tjerë të vrarë nga viti 1999 e deri më sot”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Të shtunën, gjykata Supreme e Kosovës i ka caktuar deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Masa e paraburgimit për Limajn dhe tre të tjerë të akuzuar, Naser Krasniqi, Nexhimi Krasniqi dhe Naser Shala, ka të bëjë me rastin e njohur si “Kleçka”, që ndërlidhet me akuzat për krime lufte.

Limaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ka qenë EULEX-i më pas që ka kërkuar rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Rihapjen e procesit, EULEX-i e ka mbështetur në dëshmitë nga ditari i të cilësuarit si “Dëshmitarit X”.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...