Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
Niveli i ndryshëm i zhvillimit ekonomik të pjesëve të ndryshme të botës është përcjellë me ndikim të ndryshëm të aspekteve demografike dhe zhvillimin e shoqërive. Zhvillimi ekonomik dhe demografik në mes veti janë të kushtëzuar, edhe pse zhvillimi pozitiv i njërës komponentë nuk implikon gjithherë stimulim të zhvillimit edhe të komponentës tjetër.
Në kuadër të zhvillimit të popullsisë një ndër strukturat më të rëndësishme është struktura e popullsisë sipas moshës, nga e cila në masë të madhe varet zhvillimi i përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik i një popullate të caktuar.
Ekzistojnë disa klasifikime të popullsisë sipas moshës, por ndarja më e shpeshtë është ndarja në: popullsia e re (0-14 vjet), popullsia e pjekur (15-64 vjet) dhe popullsia e vjetër (mbi 65 vjet). Duke u bazuar në këtë ndarje në varshmëri nga pjesëmarrja e popullsisë së vjetër në popullsinë e përgjithshme dallojmë katër lloje (tipa) të popullsisë: popullatat e reja (pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është nën 4 për qind), popullatat e pjekura ( ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është në mes 4- 6 për qind), popullatat e vjetra (ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është mbi 7-10 për qind) dhe popullatat shumë të vjetra (ku pjesëmarrja e popullsisë mbi 65 vjet është mbi 10 për qind të popullsisë se përgjithshme) - klasifikimi sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara.
Në radhë të parë, rëndësi e strukturës së moshës qëndron në faktin se popullsia e botës po shkon me ritme të përshpejtuara drejt plakjes (moshënimit demografik), duke e shndërruar mos-shënimin në fenomen, i cili ka përfshirë gati të gjitha vendet e botës (mund të flitet për moshnimin si proces botëror), i cili më pas do të përcillet me perkusione demografike, social dhe ekonomike. Kështu moshënimi demografik është shndërruar në temën më të rëndësishme të botës moderne, sidomos në vendet e zhvilluara, në radhë të parë të kontinentit të Evropës.
Për mos-shënimin demografik si proces ekzistojnë definicione të ndryshme, por më i përhapuri në literaturën demografike është definicioni i cili nënkupton rritjen e numrit të popullsisë së grupmoshave mbi 65 vjet në popullsinë e përgjithshme - koeficienti i vjetërsisë. Për dallim nga definicioni i parë, mos-shënimi demografik shprehet edhe me nivelin e ngarkesës së kontingjentit të punës (15-64 vjet) me popullsi të vjetër - koeficienti i ngarkesës së popullsisë së punës me të moshuar, ose numrin e popullsisë se vjetër në raport me popullsinë e re (0-14 vjet) - indeksi i moshnimit.
Treguesit kryesor të moshnimit te popullsisë
Procesi i moshnimit demografik në aspekt global, në vendet e zhvilluara dhe të pazhvilluara do të trajtohet nëpërmjet këtyre treguesve:
- Rritja e numrit të përgjithshëm të popullsisë sipas grupmoshave
- Koeficienti i vjetërsisë dhe
- Indeksi i moshnimit.
1. Faktet kryesore të cilat e vërtetojnë konstatimin se popullsia e botës gjithnjë e më tepër po plaket janë trendët e rritjes së numrit të përgjithshëm dhe popullsisë sipas grupmoshave. Në periudhën 55-vjeçare (1950-2005), popullsia e përgjithshme e botës është shtuar për 2,6 herë. Në të njëjtën kohë popullsia e grupmoshës 0-14 vjet ka treguar rritje për 2,1 herë, grupmosha 15-64 vjet për 2,7 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet për 3,7 herë. Pra, shikuar në përmasa globale, ritmi i shtimit të popullsi së grupmoshave 0-14 vjet ka qen më i ulët se ritmet e shtimit të popullsisë së përgjithshme, grupmoshat 15-64 vjet kanë pasur ritëm të njëjtë të shtimit, kurse grupmoshat e vjetra mbi 65 vjet kanë pasur ritëm shumë më të shpejtë të rritjes së të gjitha grupmoshave dhe numri i përgjithshëm i popullsisë.
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara në periudhën e njëjtë, popullsia e përgjithshme ka treguar rritje për 3,1 herë, grupmosha 0-14 vjet ka treguar rritje për 2,5 herë, grupmosha 15-64 për 3,3 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet ka treguar rritje për 4,4 herë.
Pra, popullsia e moshuar është rritur për 2 herë më shpejt se popullsia e re dhe 1,1 herë më shpejt se popullsia e përgjithshme, që tregon se nga ky proces janë përfshirë edhe vendet në zhvillim dhe ato të pazhvilluara.
Në vendet e zhvilluara si pasojë e moshnimit në periudhën e njëjtë, popullsia e përgjithshme është rritur për 1,5 herë, grupmosha 0-14 vjet ka treguar zvogëlim për 9,7%, grupmosha 15-64 vjet për 1,5 herë, kurse grupmosha mbi 65 vjet është rritur për 2,9 herë.
Në 25 vjetët e ardhshme, trendi i moshnimit pritet të përshpejtohet. Kështu, me përmasa globale popullsia e re pritet të rritet për vetëm 3,6%, popullsia e pjekur pritet të rritet për 29,5%, popullsia e grupmoshave të vjetra do të dyfishohet (rritet për 104,9%).
Koeficienti i vjetërsisë
Edhe në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara trendet e rritjes priten të jenë shumë më të favorshme për grupmoshat e vjetra. Popullsia e re pritet të rritet për vetëm 4,9%, popullsia e pjekur (moshës së punës) për 37,8%, kurse popullsia e vjetër do të rritet për gati 2,5 herë, ose për 137,9%.
2. Pjesëmarrja e grupmoshave të vjetra në kuadër të numrit të përgjithshme të popullsisë - koeficienti i vjetërsisë, tregon se popullsia e botës po shkon drejt plakjes me trend të përshpejtuar, i cili do të përshpejtohet edhe më tepër në 25 vjetët e ardhshme.
Përqindja e grupmoshave të reja me përmasa globale ka pësuar zvogëlim nga 34,2% (1950) në 28,3% (2005) dhe pritet të zvogëlohet në 23% (2030), grupmosha 15-64 ka pasur dhe pritet të ketë ngritje të lehtë nga 60,7% (1950) në 65,3% (2030), kurse pjesëmarrja e grupmoshave të vjetra (mbi 65 vjet) e ka rritur pjesëmarrjen nga 5,2% (1950) në 7,3% (2005), ndërsa në 25 vjetët e ardhshme trendët e rritjes së kësaj grupmoshe do të jenë edhe më të shpejta, për të arritur në 12% të popullsisë së përgjithshme (2030).
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, grupmosha 0-14 vjet ka treguar ulje të pjesëmarrjes nga 37,4% (1950) në 30,9% (2005), për t'u përshpejtuar dhe arritur në 24,4% (2030), kurse grupmosha mbi 65 vjet ka treguar rritje të pjesëmarrjes nga 3,9% (1950) n, 5,5% (2005) për të arritur në 9,8% (2030).
Vendet e zhvilluara karakterizohen me pjesëmarrje të ulët të grupmoshave të reja dhe pjesëmarrje të lartë të grupmoshave të vjetra. Kështu, grupmosha 0-14 vjet e ka ulur pjesëmarrjen nga 27,4% (1950) në 17,0% (2005) për të vazhduar në 15,2% (2030), kurse grupmosha mbi 65 vjet e ka rritur pjesëmarrjen nga 7,9% (1950) në 15,3% (2005) për të vazhduar në 22,4% (2030).
Përderisa vendet e zhvilluara (në përgjithësi) në fazën e moshnimit janë futur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara janë në fund të etapës së pjekurisë dhe pritet që në vitin 2017 të futen edhe këto në fazën e parë të moshnimit.
3. Indeksi i moshnimit, i cili paraqet pjesëmarrjen e popullsisë së vjetër në popullsinë e re, gjithashtu tregon se popullsia e botës po plaket, kurse trendi do të përshpejtohet në 25 vjetët e ardhshme. Vlera kritike e indeksit të moshnimit është 40%. ose 0,40 (llogaritet kur moshnimi i kalon këto vlera, popullsia e atij vendi ose regjioni është në proces të moshnimit).
Në aspekt global, indeksi i moshnimit në vitin 1950 ishte 15,1%, për të arritur në 25,9% (2005) dhe pritet të vazhdojë me intensitet të përshpejtuar, për të arritur në 51,1% (2030).
Në vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, gjendja sa i përket indeksit të moshnimit kishte këto tende: 10,4% (1950), për të arritur në 17,8% (2005) dhe në 40,5% (2030).
Indeksi i moshnimit shënon rritje
Vendet e zhvilluara qysh në vitin 1950 ishin afër futjes në procesin e moshnimit me indeks të moshnimit, 28,8%. Në vitin 2005, popullsia e moshuar dhe popullsia e re në vendet e zhvilluar ishin afër nivelizimit (89,7%), kurse në vitin 2030 popullsia e moshuar do të jetë dukshëm në numër më të madh (indeksi i moshnimit 147,5%), ose popullsia e moshuar do të jetë për 47,6% më e madhe se sa popullsia e re.
Në këtë aspekt, popullsia e Evropës, veç në fillim të këtij shekulli kishte numër më të madh të popullsisë mbi 65 vjet, se sa popullsi të re, 0-14 vjet.
Siç shihet nga të dhënat e prezantuara, mund të konstatohet se moshnimi i popullsisë është proces konstant, i cili do të përshpejtohet në 25 vjetët e ardhshme, kurse kulminacionin pritet ta arrij rreth viteve të '30-ta të këtij shekulli.
Shumë vende të zhvilluara me procesin e moshnimit janë ballafaquar që nga shekulli XVIII (vendet e Evropës Perëndimore), ndërsa sot ato janë futur në moshnim të thellë, ku grupmosha mbi 65 vjet përbën me tepër se 15 e 20% të popullsisë së përgjithshme, kurse në vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim procesi i moshnimit paraqitet në fillim të shekullit XXI. Pra, me fillimin e shekullit të ri, procesi i moshnimit ka përfshirë edhe vendet në zhvillim dhe të pazhvilluara, të cilat përbëjnë mbi 80% të popullsisë së përgjithshme dhe të cilat paraqesin potencialin kryesor demografik botëror.
Shikuar në aspektin regjional, në pozitë më të pavolitshme sa u përket trendëve të moshnimit të popullsisë, ndodhet popullsia e kontinenti të Evropës si kontinenti me i zhvilluar. Popullsia e Evropës qysh në vitin 1950, me 8,2% të popullsisë së moshuar ishte futur në procesin e moshnimit. Nga numri i përgjithshëm i shteteve të Evropës (2008), 56% karakterizohen me moshnim të thellë, ku grupmosha mbi 65 vjet përbën 15-20% të popullsisë së përgjithshme, në 31,7% të shteteve niveli i koeficientit të vjetërsi ishte mes 12-15%, kurse në 12,2% të shteteve, kjo shifër lëvizte në mes 9-12%. Në vitin 2030, në Evropë pritet që çdo i 5 banor i Evropës të jetë i moshës mbi 65 vjet.
Edhe Kosova po "plaket"
Shikuar nga ky aspekt, as popullsia e Kosovës nuk mund të jetë përjashtim. Edhe pse mungojnë të dhënat për popullsinë sipas moshës (të dhënat e regjistrimit 2011 ende të papërpunuara) për një periudhë të gjatë kohore sa i përket strukturës së popullsisë sipas moshës, zvogëlomi i numrit të lindshmërisë për afro 40% në vitin 2006, në krahasim me vitin 1988, tregon se popullsia e Kosovës ka filluar të plaket nga baza (zvogëlimi i grupmoshave të popullsisë së re si pasojë e uljes së nivelit të lindshmëri).
Moshnimi demografik ka implikime negative dhe afatgjata në zhvillimin e mëtejmë demografik, shoqëror dhe ekonomik.
Sa u përket perkusioneve demografike të moshnimit të popullsisë, ato në radhë të parë ndikojnë në: shkallen e rritjes së popullsisë, në nivelin e natalitetit (me zvogëlimin e kontingjentit fertil), në nivelin e mortalitetit, në lëvizjet migruese, në ndryshimet e strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë etj.
Në aspektin ekonomik, perkusionet negative të moshnimit të popullsisë shprehen nëpërmjet zvogëlimit të numrit të popullsisë së moshës së punës, në nivelin e aktivitetit ekonomik, plakjen e fuqisë punëtore (zvogëlimi i produktivitetit), rritjen e presionit në fondet personale, shëndetësore etj.
Si pasojë e ritmeve të shpejta të moshnimit të popullsisë botërore, Instituti Ndërkombëtar i Analizave Sistematike me seli në Vjenë ka konstatuar se rritja e popullsisë botërore gjatë këtij shekulli do të jetë dukshëm më e ngadalshme se në shekullin e kaluar dhe nuk do të përputhet me parashikimet demografike të mëhershme, të cilat parashikonin që popullsia e botës do të arrijë në 10-12 miliardë banorë në fund të shekullit XXI (Divizioni i Popullsisë i OKB-së, 2000). Rritje të vazhdueshme të popullsisë botërore, sipas këtij instituti, do të ketë deri në vitin 2075, kur popullsia botërore pritet të arrijë në 9 miliardë banorë, kurse në fund të shekullit pritet që ky numër të zvogëlohet në 8,5 miliardë banorë. Pra, zvogëlimi i numrit të popullsisë pritet të ndodhë brenda këtij shekulli.
Shekulli XXI do të jetë shekull i të moshuarve me tendenca intensive të moshnimit, i cili si proces deri më sot nuk është shënuar në historinë e njerëzimit. Ndryshime e tilla të strukturës moshore të popullsisë do të paraqiten si faktor (më) i rëndësishëm, si për vendet e zhvilluara, e po ashtu edhe për ato në zhvillim, i cili kërkon përgjigje sa më të shpejtë, si në nivelin global, po ashtu edhe në atë lokal, siç është angazhimi në lidhje me ndryshimet klimatike - moshënimi demografik = ngrohja globale.
Kombet e Bashkuara në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, me qëllim të përmirësimi të kushteve jetësore dhe zhvillimit të qëndrueshëm demografik në nivel global, por edhe në atë lokal, shpallen Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit me orientim në drejtim të plotësimit, që do të ndikonte në përmirësimin dhe ngritjen e standardit të popullsisë, mirëpo vetëm kjo qasje nuk mjafton. Këtë më së miri e ilustron rasti i vendeve të zhvilluara, të cilat, edhe pse i kanë plotësuar të gjitha Objektivat e Mileniumit, nuk kanë arritur të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm demografik.
Autori është magjistër i shkencave të Gjeografisë-Demografisë.
e-mail: sami_behrami@yahoo.com