HULUMTUESI DHE PËRGJITHËSUESI I VLERAVE MË TË SPIKATURA TË KOMBIT SHQIPTAR




Nga FAIK XHANI 

( Një vështrim mbi librin “ Rrënjët “ të autorit Namik Selmani)

Jo një herë, por një jetë të tërë Namik Selmani, si laurant i fjalës artistike na ka befasuar, suprizuar, frymëzuar dhe na ka prirë si flakadan i rrallë në gjurmët e historisë së popullit e kombit tonë. Me formimin e tij gjuhësor, me sharmin e tij krijues, me hulumtimin e tij të gjatë e rigoroz, me aftësitë e tij deduktuese, me vellon e qëndisur me zambakët e figuracionit që gjuha shqipe i ka të pashtershëm si dhe me mesazhet sintezë që zhbiron në çdo qelizë të zemrës e mendjes njerëzore, ai ka ditur të mbjellë e të përhapë polenin e rrënjës e të përtëritjes, duke depërtuar nga thellësitë e shekujve e deri në ditët tona. Një poet e prozator që di të kaltërojë bukur me poezinë e tij brilante e të depërtojë thellë me fjalën e peshuar mirë, në detaje të holla jete, në psikologji, në drithërima zemre, në rrënqethje trupi, në sy të tharë nga lotët, në sinjale pushke të thatë, në genocide masive të çamëve e kosovarëve, në veprimtari, gëzime, vaje, besëlidhje, në përkushtime e kontributin për mbijetesën e rrënjëzimit e të rilindjes të vlerave të shumta e të spikatura të Shqipërisë e shqiptarëve. Dhe tani së fundi, pasi ka ngjitur shkallaren e 22-të të botimeve të tij, vjen para lexuesit si arkitekt i “godinës”së Rrënjëve me botimin prozaik “Rrënjët“.
 

Në kërkim të identitetit. E nis atë me një Ese të rrallë, shumë të thellë, me shumë hije e dritë, e kuptimtë, dimensionale, mbresëlënëse, udhërrëfyese dhe frymëzuese, nga brezi në brez, në kalvarin e historisë së shkuar dhe të së ardhmes më të ndritur. Në këtë “kështjellë” hulumtimi, njohjeje, përkujtimi, trashëgimie e pasurimi të mëtejshëm ka mundur të bëjë seleksionimin më të mirë, gjetjen më të rrallë nga çdo skaj i trojeve tona etnike, nga njerëz të thjeshtë, të moshuar apo të rinj, të reja apo nuse, drejtues, gjeneralë, vezirë, kryeministra, pushtetarë, politikanë, valltarë, këngëtarë, enciklopedistë, shkrimtarë, poetë, biznesmenë e shkencëtarë. Ka mundur të lartësojë majat e majave nga mozaiku i vlerave të popullit tonë dhe rrënjët themelore të këtij populli të lashtë e aq të vyer. ... “ Askurrë nuk mund të ecet përpara pa një traditë të bukur e të fortë të një kulture kombëtare, të një kulture fisnore. Nuk ka majë pa rrëzë. Nuk mund të ecësh përpara pa themele të forta të asaj që ke nisur të bësh për të mirën tënde, të fëmijëve të tu, të vëllezërve dhe motrave të tua “, -vë në dukje autori (f. 8). Duke u fokusuar në kontributin e madh të Rilindasve, evokon vlerat e Sami Frashërit për botimin e një enciklopedie në gjuhën turke, të Hasan Tahsinit për hapjen e universitetit në Turqi, Hasan Alisë për botimin e gazetës “Rrënjët“ në Itali...dhe diku me titullin “Libri që uron librin“ autori Selmani shkruan midis të tjerash: “Na qenka një guximtar i mençur e aspak i krisur. I matur në secilën qelizë të fjalës shqiptarshe. Pa asnjë mëllef e me shumë drejtësi, Nuri Dragoi, i cili pas disa botimesh me vlera, na solli edhe librin “ Shqiptarët e grekët-realitete historike“. Një botim që ka të paktën 764 burime bibliografike. Të duket se të gjitha arkivat e fjalëve, të botimeve të shumta kanë ardhur në këtë libër, e kanë gjetur folenë e së vërtetës të asaj të vërtete që jo gjithmonë duan ta shohin ashtu të pastër e pa mjegull...” Autori përqëndrohet në vlerat e gurrës së pashtershme të këngëve popullore të kurbetit, aktin e Ajkunës që u bë vajtore për atë filiz që mbeti në bjeshkë, Rozafa që u gurëza për besnikëri, drejtësi e përtëritje, në vërshimin e shqiptarizmës tek vëllezerit arbëreshë të Italisë, të arvanitasve të Greqisë, të shqiptarëve që jetojnë larg në Ukrainë, Anadoll, SHBA, Australi etj. Nga faqja 14-33 ndjekim rrëfimin e Bujar Nallbanit, flamurtarit të fjalës së lirë, të cilin autori i këtij botimi e portretizon më së miri që shkoi në Europë e në Australi të kërkonte e të zhbironte atë kod të njohur e të panjohur të mençurisë së botës për ta patur më të lehtë që t’i shërbente vendit të tij me një tjetër vizion nga ai që iu kishte mësuar komunizmi famëkeq atij, babait, xhaxhait dhe gjithë të afërmëve të tij. Na jep idealizmin e spikatur të familjes Nallbani nga stërgjyshi, gjyshi, nipi, xhaxhai për flamurin e lirisë e të shqiptarizmës, për ta ngritur flamurin kuq e zi në mes të Nju Jorkut nga gjyshi tij, e për t’i hedhur një dorë dhe luftëtarit të lirisë, partizanit, shqiptarit që mundi të kalonte barrierat e klonit me gjemba të izolimit shqiptar, të atij shqiptari që me intuitën, mençurinë e djersën e ballit bëri vend edhe në Sidnejin e largët, duke ngelur deri në minutën e fundit të jetës së tij Zihni Nallbani, modeli më i bukur i shqiptarizmës. Nga rreshti në rresht, nga fjala në fjalë dhe nga faqja në faqe Namik Selmani me penelatën e tij shumëngjyrëshe, si artist i portretit, na sjell në memorien e lexuesit djalin duarartë të Beratit, trimin e pashoq që u ndesh me ish-kuçedrën prej mermeri të monumentit të Stalinit duke i dhënë Tiranës dhe gjithë shqiptarëve zgjimin e ëndërrave për lirinë e fjalës, të lëvizjes, të tregut e të agimit të Demokracisë. Djaloshi guximtar nuk u kap, mundi të fshihet mirë nën hundën e sigurimsave që do ia kishin vënë litarin, po aty ku shpërthejë 12 kallëpët e dinamitit. Ai mundi të përtërijë rrënjët e rrënjëve për liri e demokraci. “Veprimi i Bujarit, thotë autori-Ishte një nga dallëndyshet e para të pluralizmit. (f.23). Për t’u shndërruar më vonë në një ortek të madh grevash, lëvizjesh, protestash, qëndrese që thyen prangat e izolimit e hodhën themelet e pluralizmit shqiptar. Vazhdon Bujari rrugëtimin e tij robinsonian ashtu si mijëra e mijëra bij të Shqipes në Europë e Australinë e largët, për t’u kthyer më pas tek rrënja, tek mëmëdheu, Shqipëria. U kthye si përvetësues i disa gjuhëve, si njeri i gjezdisur në disa kontinente, si investues i 100.000 dollarëve, si maratonomak i demokracisë, si lider mençurie, si mik i librit, si pjesa më vitale e mendimit intelektual të kryeqytetit, si meteorologu i politikës sonë. Ai tashmë ka një llogore të re ku punon, lokalin e bukur, të futur në mes të gjelbërimit, të ngritur me traditën ndërtimore mozaikore beratase të emërtuar “Xhorxh Bush“. Më tej autori shkruan: “Ai së bashku me publicistin dhe studiuesin matjan Faik Xhanin, hodhën themelet e një miqësie të vjetër, por me vizione të reja, miqësisë Shqipëri-Amerikë. Faiku ka hedhur në faqet e librit të tij të kujtimeve vizitën historike që bëri në Shqipëri, në Tiranë e në Fushë-Krujë ish-presidenti i SHBA Xhorxh Bushi. Një libër që vazhdon edhe sot të përcillet me jehonë të madhe në rrethet e miqve, në rrethet e atyre që vazhdojnë ta kenë Amerikën një model të bukur të qytetërimit, të zhvillimit e të së ardhmes..Bujar Nallbani e Faik Xhani kanë lidhur një miqësi të përjetëshme që, në një formë të veçantë, por me një motiv të njëjtë kanë vendosur që të ngrejnë vlerat e Amerikës...Kur e pyesim se cfarë mund të bënte për flamurin amerikan ai na thotë se kudo në glob ku mund të rrezikohej ky flamur ai do të ngrinte gjithmonë një flamur tjetër amerikan dhe, nëse, dikush mund ta qëllonte, do ta kishte nder që të kishte një vdekje të tillë... Dhe së fundi dedukton: “Bujari është nga ata njerëz mentarë që ke dëshirë që t’i takosh, që do t’i dëgjosh. Pse jo dhe t’i vlerësosh. T’i ngjitësh në shkallët asaj mirënjohjeje që atij i takon. Bujari është një lloj poezie sa e ëmbël, sa klasike aq edhe moderne, sa i thjeshtë, fjalëçiltër po aq sa edhe intrigues në atë mesazhet që përcjell në punën e tij... Sa herë që takoj Bujarin më duket se kam përpara një Flamurtar ...Një maratonomak modern që kërkon të sjellë në të gjithë vatrat shqiptare Fjalën e Lirë... Është, por padyshim edhe do të mbetet përjetësisht FLAMURTARI i FJALËS SË LIRË “. (f.32). Me një përshkrim artistik, me një depërtim sondisti nga thellësitë shekujve e deri në ditët tona, nëpër labirintet tragjike të Çamërisë e çamëve, të shpërngulur me zjarr e hekur, me masakrat më çnjerëzore, të përjetimeve më rrënqethse, të shkuljes me rrënjë e degë, na jep atë qëndresë prej kreshniku, atë det përkushtimi të komunitetit çam në gjithë Shqipërinë e veçanërisht në Xhafzotaj, ku ka 5000 çamë nga 28000 banorë që ka komuna. Ata kanë formuar një identitet shumë të spikatur kulturor, ekonomik, por edhe social duke rrezatuar forcën e karakterit çam, mençurinë, aftësitë praktike e menaxheriale, por edhe të një organizimi shoqëror, formacionin e tyre përfaqësues, Shoqatën “Çamëria“. Me të drejtë krijimtaria e Namik Selmani mund të quhet skulptura prej ari e memorialit të çamëve dhe Çamërisë. Në zemrën e tij kanë mbirë rrënjët e Çamërisë dhe rrënjëzat e fitilave të rinj që mëndja e ndritur e tij u jep dritë, forcë e pavdekshmëri nga pjalmi i krijimtarisë së tij në prozë e poezi, në ese, skica, tregime, studime, reportazhe etj, që me mesazhin-diell ngjall mallin e shpresën, besimin e krenarinë, rrit dashurinë për trojet e mbetura larg, forcon besimin, mendimin se duhet bërë më shumë se deri tani dhe së fundi klithmon: “Çamëria është një zë që nuk mbytet lehtë as nga sirenat më të fuqishme dashakeqëse të botës. As sot as nesër.” ( f. 58). Namik Selmani është prozatori që di të lidhë nyjet e kohëve, të ndrisë me gjetjen e fjalën artistike pika kulmore të historisë të popullit tonë, të përtërijë rrënjëzat e reja mbi rrënjët trungje të traditave e të vlerave të të parëve, të sjell në memorien e lexuesve heronjtë e vjetër, por edhe të sotëm që në një formë apo një tjetër punojnë e kontribuojnë që themelet dhe identiteti ynë të mos shuhet kurrë. Është ai krijues që ka në themel të prozës së tij rrënjëzat e mirësisë me anën e të cilave bashkon vlera të kombit, rajonale, pse jo edhe botërore. Kjo gjithëpërfshirje e bën atë më të pranueshëm, më fisnik, më të këndshëm, më të nderuar e më të vlerësuar në sytë e lexuesve dhe të opinionit shqiptar. Ai e ka kryefjalë përgjithësimin e së bukurës, të traditës, të krijimtarisë, të kontributit të individëve, qofshin ata njerëz të thjeshtë apo të veshur me detyrë e pushtet, intelektualë, krijues, politikanë, personalitete vendase e rajonale nga të gjithë trojet etnike e kudo që jetojnë e punojnë shqiptarët. Është pikërisht ai hulumtim rigoroz disavjeçar, ai mision atdhetar prej artisti të fjalës, formimi i tij shkencor, prekja e çdo pëllëmbe të tokës amtare në Kosovë, Mal të Zi, Çamëri, Maqedoni, Europë e Amerikë që i kanë dhënë mundësinë të pasqyrojë në krijimtarinë e tij vlerat më të vyera kombëtare, traditat më të ndritura, të realizojë perla peisazhi, heroizmi, atdhetarizmi, qëndrese e devocioni që rrënjët tona të mos shuhen, që identiteti ynë të marrë diellin e merituar, atë diell që ka ushqyer edhe qytetërimin e perendorive të mëdha, bile që në fillesat e qytetërimit evropian. Me pendën e tij të hollë e shkëlqimin e duhur na sjell në memorie traditën e re të bashkimit në Roshnikun e Ri. Ai veçon kontributin e kryevezirit Mehmet Qypriliu, kryeofiqarit, zyrtarit të zyrës së Gjendjes Civile të Stambollit Beqir Qypriliut, të zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtëme të Turqisë Fuad Qypriliu, i cili në vitet 50 të shekullit të kaluar ndihmoi për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB. Me shumë vizion e nota optimiste pasqyron përpjekjet dhe kontributin e Luto, Feta, Beqir, Ferdi, Kastriot, Xhavit, Myrteza, Feçorr, Kujtim e Agim Mimanit, të cilët së bashku me shoqatat: “ Mehmet Qypriliu“ dhe “Qyprilinjtë e Roshnikut“ janë bërë e po bëhen modeli më i bukur e më i saktë i fisit e zonës së Nahijës së Tomorrit, por edhe të gjithë brezit të ri shqiptar për të përtërirë rrënjët dhe vlerat më të spikatura të popullit shqiptar. Duke vlerësuar nismën dhe traditën e bashkimit të Mimanëve konkludon: “Takime të këtij lloji mund të bëhen edhe në gjithë Shqipërinë, që të mbillet edhe më shumë mirësia përballë ndasisë që jo rrallë na vjen në këmbët tona të lodhura si një ferrë e madhe, që duhet hequr patjetër “. ( f.94). Namik Selmani ështëprozatori i gjithëpërfshirjes, i harmonisë e i përgjithsimit të vlerave më të mira krijuese. Është krijuesi që hedh urat më të mira të bashkëpunimit midis krijuesve, artistëve të këngës e të valles, të fermerëve e biznesmenëve brenda trojeve etnike. Vetëm një krijues me mendje të mprehtë e shpirt madh si Namiku, di të dhurojë mirësi, të vlerësojë kontribute e të përgjithësojë vlera. Ja sepse penda e tij ngrë në majat më të larta krijimtarinë e shkrimtarit Bilal Xhaferri, 87-vjeçarit Axhem Çapoi, Adil Kaloshit, Festivalin e Këngës e Valles Çame, Marshimin e Qafë Botes, Sofrën e shtruar në Roshnikun e Ri, kontributin e Sabit Bytyçit e Agron Gjedisë për organizimin e “Sofrës së Bytyçit “, Isuf Smokthinën pajtuesin e gjaqeve, Arian Kadiun me vellon e bukur të kujtesës me librin “Dibra e Madhe dhe një vështrim mbi Dibrën e Vogël” , gardianin e fjalës Shqipe në Maqedoni, poetin Mustafa Spahiu, Tomor Çaushin, Nuri Bundon, Aqif Ymerin, Rakip Laskun e Artan Kurtin, fjalën e Ramiz Bashës nga Suedia, krijimtarinë shumëvlerëshe e dimensionale të Nuri Dragoit etj. Krijuesi Namik Selmani edhe në botimin “Rrënjët...” ashtu si në gjithë krijimtarinë e tij krijuese ka pasqyruar e ngritur në majat më të larta kontributin për përhapjen e gjuhës dhe shkollës shqipe. Për këtë dritë të munguar në trojet tona etnike, në Kosovë, Maqedoni etj. Gjen rastin dhe fokuson me një rrëfim sa rrënqethës, emocional aq edhe frymëzues për brezat e ardhshëm betejën e ndritur të diturisë, duke sjellur në memorien e lexuesit modelet më të mira të sakrificës, sponsorizimit e kontributit për përhapjen, mbrojtjen, përvetësimin e pasurimin e gjuhës e shkollës shqipe jo vetëm në Shqipëri, por kudo që punojnë e jetojnë shqiptarë. Me një përshkrim sintetik, me një ndriçim brilant e me një mesazh shumë kuptimplotë na jep kontributin e Drita Sehitit, gruas që dhuroi gjithë bizhuteritë e saja në vlerën 10000 eurove për hapjen e Universitetit të Tetovës, punën titanike të Ethem Xheladinit Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve të Kumanovës e Likovës apo të Vait Sehitit, Kryetarit të Komunës së Likovës, i cili dhuroi 15 rroga mujore për hapjen e këtij Universiteti. Botimi “Rrënjët “, ashtu si e gjithë krijimtaria prej 22 botimesh, pa folur këtu për “aisbergun“ e artikujve publicistikë, jo vetëm e kanë bërë Namiku Selmanin një nga krijuesit më të lexuar e të vlerësuar, por meritojnë përkujdesje e vlerësim të veçantë edhe nga Ministria e Kulturës, vetë Kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Ai me të drejtë meriton të radhitet në plejadën e korifejve të letërsisë shqipe, sepse ka zbuluar, pasqyruar, ndriçuar e përgjithësuar në pikiadën më të lartë vlerat kombëtare për të ecur të sigurtë në autostradën e qytetërimit perëndimor europian.





*Faik Ahmet Xhani ka lindur në fshatin Lis të Matit 01.06.1948. Aktualisht banon në Tiranë. Ka mbaruar Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër për histori-gjeografi. Ka punuar mësues, instruktor rinie dhe inspektor i organeve të pushtetit lokal për rrethin e Matit. Ka një veprimtari të gjërë botuese në medien e shkruar. Ka botuar librin"Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W. Bush".Është anëtar i kolegjumit të gazetës "Zëri i Arbërit" dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka kryer disa detyra shoqërore, ku ka spikatur ajo e drejtorit të marrëdhënieve ndërkombëtare me vendet Aziatike tek "Sofra Shqiptare".
Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W Bush.JPG
"Mikpritja Shqiptare, mrekulloi George W. Bush" libër me Autor Faik Xhani.

Redaktuar e përgatitur për botim nga Dr. Zihni Haskaj- historian dhe Bektash Zite - publicist. Konsulent Dr. Enver Qoku dhe Ahmet Keça - studjues. 

Korrektor letrar Ramazan Ilnica. Përkthyese Luiza Dasho.

Fotografitë riprodhuar nga Studio "Mondo" Tiranë dhe "Pëllumbi", Fushëkrujë. Art & Design Persiana Treni. Botim i Shoqatës Atdhetare - Kulturore - Shkencore Mbarëkombëtare "Ali Pashë Tepelena", Tiranë 2009. 

Faqet e librit 374. Vizita e George W. Bush më 10 Qershor 2007 në Shqipëri është një eveniment i rëndësishëm për vendin e popullin tonë, pritjes së ngrohtë që i bënë të zotët e shtëpisë, qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht, komuniteti fushkrujas i kushtohet libri i intelektualit Faik Xhani.


Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)