Hijet e KGB dhe UDB nuk e mbajnë dot peng të ardhmen


Shkruan: Robert  PAPA
Gorbachev nisi lojën e përmbysjes së socializmit. Tirana e kapi shpejt lojën dhe Alia dërgoi sinjale në Uashington se ishte gati të ndryshonte edhe Shqipërinë. Në krye të lojës gjoja, duke përmbysur komunizmin, ishte Moksa. Chekistët, katundarë vendorë, mbeten si guakë me gojën hapur nga mesi i shtatorit, kur Yevgeny Savostyanov, një gjeofizikant minierash dhe oficer në rezervë si dhe ish-ndihmës i kryetarit të qytetit të Moskës e njëri prej themeluesve të lëvizjes “Rusia Demokratike”,  u emërua shef i KGB-së së Moskës. KGB-ja (kishte marrë drejtorë nga aparati i partisë, por një fizikant minierash, mbi gjeneralët e KGB-së, kjo ishte habia e shekullit). Shefi u deklaroi, se vinte si politikan.

Nga fundi i shtatorit 1991, Vadim Bakatin lajmëroi shkrirjen e direktoriatit të njësisë së kundërzbulimit ideologjik, njësi që prej dekadash kishte dhunuar dhe burgosur disidentët. (Y. Abats. KGB, Shtet Brenda Shtetit, fq324). Nuk po shkriheshin vetëm departamente të KGB-së, vetë Bashkimi Sovjetik po tretej drejt një vegimi sa të mjegullt, enigmatik, por akoma të frikshëm. 24 Tetor 1991, dy muaj para se të shkrihej BS, Gorbachev firmosi një ligj formal për mbylljen e KGB-së, por termi ishte dezintegratsiya, pra copëtimi. Sa shumë ngjasoka me Shqipërinë, kur u copëtua Sigurimi i Shtetit, por u ngrit SHIK-u. KGB-ja u copëtua në një numër agjencish të pavarura. E njëjta lojë edhe në Tiranë?! 
 

Pra KGB-ja nuk u zhduk. Shteti Brenda Shtetit po ikte, apo po fshihej?! Perëndimi mashtrohej se përbindëshi u tret. New York Times dhe Observeri i Lo Londrës, shkruanin: “Closing Doën the KGB” dhe The KGB Is liquadated”, a thua se kjo ishte e vërtetë. (David Wise, Closing Doën the KGB, New York Times magazine, 24 November 1991, p 30).Më 17 dhjetor, 1991, Gorbachev njoftonte se BS do shpërbëhej më 1 janar 1992, por vetë iku nga Kremlini më 26 dhjetor. Befas, dyert e KGB-së u hapën për gazetarë dhe një komision hetimor. Korridoret ishin të lëmuara dhe pa asgjë nëpër mure, për të mos tërhequr shikimin tuaj, që të mos mbaje mend rrugën. Kësisoj, janë edhe korridoret në Uashington. Shkallët anësore, të bukura me rrjeta deri në tavan, që të arrestuarit të mos hidheshin, të çonin te ca dyer të mëdha me dru dhe pa numra.KGB-ja dhe Sigurimi i Shtetit në Shqipëri, ishin pjesë e lojës së Gorbachevit dhe Ramiz Alisë. Këto dy përbindësha nuk do likuidoheshin, por do kontrollonin aksionet e politikës së re. Gorby dhe Jelsini, vazhduan me përgjimet e telefonave, ndërkohë në Shqipëri, kur Berisha ishte president, një nga nën kryetarët e PS-së, ndërsa vinte me Fatos Nanon në TVSH dhe unë nuk i lejova të nisnin një emision me Arjana Qatipin, pa pasur një përfaqësues të shtetit në debat, më ka thënë: Ti flet për ditë në telefon me Berishën (kjo ishte po aq e vërtetë, sa ata, pra Sigurimi, akoma përgjonte ish-numrin e Ramiz Alisë, pra të presidentit të ri, Berisha.) Jelsini ngriti komisionin Stepashin, por KGB nuk u zhduk. Vadim Bakatin, nga zyra e katit të 4-t drejtonte akoma një perandori spiunësh.Nga KGB-ja, u krijua Shërbimi i Sigurimit Ndërrepublikan dhe pastaj Ministria e Sigurimit të Rusisë. (Struktura ishte thuajse e njëjtë si e KGB-së). 


Si shtesë, ishte Komiteti i Mbrojtjes së Kufirit. “Transformimi i Madh” i KGB-së, ishte vetëm kozmetikë. Për shembull, ish shefi i Direktoriatit të 7-të, kërkonte marrëveshje dypalëshe me drejtorët e tjerë. Tani ne shkruajmë letra dhe i dërgojmë te dera ngjitur te kati sipër, ose te ndërtesa ngjitur për të marrë një aprovim me shkrim. Një chekist thotë se tani nuk mjafton një OK me telefon.” (Yevgenia Albats. Shteti Brenda Shtetit, fq 108). Disa nga bosët e KGB-së u zëvendësuan nga ish-zëvendësit e tyre. Gjenerali Kishin hapi një zyrë këmbimi valutor pastaj zuri vendin e bosit të tij, si shef i kundërzbulimit. Ata që kishin moshën për pension, morën një pension të mirë, kurse ata që nuk dukeshin besnikë për KGB-në u detyruan të jepnin dorëheqjen. Nën koloneli Kichikhin, i vetmi që kundërshtoi grushtin e shtetit, u shkarkua ashtu si edhe koloneli Rogozin. Kurse Maybarioda dhe Ilkevich, dy oficerë të kundërzbulimit, u shkarkuan sepse gjatë grushtit të shtetit dhanë dorëheqjen nga partia komuniste. “Në një intervistë, Bakatin, tha: Të gjithë thonë se Bakatin e shkatërroi KGB-në. Për atë zot-shko në Kazakistan dhe asnjë oficeri të KGB-së nuk iu prek një fije floku. Kësisoj, edhe në zyrat e Moskës. Të gjitha strukturat mbetën të njëjta.” (po aty, fq 110). Në dhjetor të 1991, Jelsin i habiti të gjithë me dekretin e formimit të Ministrisë së Sigurimit dhe Problemeve të Brendshme, çka bashkoi KGB-në me Policinë. Kështu kishte vepruar Berisha në vitin 1953, vetëm 24 orë pas vdekjes së Stalinit. Jelsini donte në krye mikun e tij, gjeneralin Viktor Barannikov. Gjykata Kushtetuese e quajti dekretin të paligjshëm, por Jelsin nuk u shqetësua sepse në krye u vu gjenerali i tij besnik.Turpi i KGB-së arri kulmin, kur Bakatin i tregoi ambasadës amerikane hartën e përgjuesve të vënë nga KGB-ja, qysh me ndërtimin e ndërtesës në vitin 1973. KGB-ja e quajti këtë veprim si tradhti. Me ardhjen në fuqi të Viktor Barannikov, bisedimet për shpërndarjen e KGB-së, heshtën. Po policia politike? Komiteti Qendror i Partisë qe zhdukur dhe Kundërzbulimi ideologjik i KGB-së ishte eliminuar. Yevgeni Savostynaov, një ish- akademik u emërua shefi i Chekistëve të Moskës dhe zv/ministër i Ministrisë së Sigurimit. 


Qysh në ditën e parë, kërkoi dosjet e kundërzbulimit ideologjik. Shumë nga liderët e Lëvizjes së Rusisë Demokratike, ishin përgjuar. Për spiunët ai preferonte t`i quante ndihmësit sekretë. Ai kishte frikë të fliste edhe në zyrën e tij, se kishte mikrofona të fshehur (Po aty fq 117). Edhe Shërbimi i 5-të në Moskë, pra përgjimet politike vazhdonin akoma. Paul J. Redmond, ish-shefi i Kundërzbulimit të CIA-s dhe Oleg Danilovich Kalugin, ish-gjeneral major i KGB; në vitin 2003 ishin në të njëjtin holl në Uashington duke treguar për luftën e CIA-s kundër KGB. Tema e fjalës së tyre ishte: “Spiunë kundër spiunëve dhe transhet e spiunimeve të ndyra”. Paul Redmond pranoi se: “Është absolute se spiunët infiltrojnë çdo ditë në qeverinë amerikane. Kundërzbulimi është një metodë që t´i sjellë shëndet një bote të ndyrë që vërtitet me shpejtësi. Ne nuk i pëlqejmë spiunët dhe nuk na pëlqejnë sekretet”.Redmond pranoi se: “Nëse BS nuk do ishte copëzuar vet dhe nëse do kishte ndodhur një luftë ushtarake mes Moskës dhe Uashingtonit, SHBA do të kishte humbur”. Ai tha se pas vitit 1995, 95 raste spiunimi ndaj SHBA-së –janë zbuluar dhe më shumë se 80 vende janë përpjekur të spiunojnë ndaj Uashingtonit, përfshi edhe shtete si Gjermania, Franca, Greqia, Kina, Iraku, Rusia…
 

Oleg Kalugin tha se KGB ishte fokusuar ndaj armikut nr. një, SHBA-së. KGB kishte mbështetjen e qeverisë dhe asnjë pyetje për moralin e aksionit të KGB-së. “Ne drejtuam një luftë klandestine edhe me vrasje po të ishte nevoja. Misioni ynë ishte të bënim gjithçka”. Kalugin kishte infiltruar në SHBA si gazetar duke ndjekur studimet në Columbia University, New York City, pasi fitoi një bursë Fulbright në vitin 1958. Nga viti 1965-1970, ai shërbeu si zv/ shefi i KGB-së në ambasadën sovjetike në Uashington dhe me shpejtësi u bë gjenerali më i ri në moshë, në gjithë historinë e KGB-së. Në vitin 1990 ai dha dorëheqjen, ngaqë e pa që KGB-ja mbronte korrupsionin e zyrtarëve të lartë komuniste, pasi doli në pension u bë një kritik i sistemit komunist. Tash është profesor në Qendrën e Kundërzbulimit.Ai tha se në vitin 1981 KGB kishte sponsorizuar 70 libra, 66 dokumentarë televizive dhe mbi 100 stacione televizive, 4865 artikuj në gazeta dhe revista, 300 konferenca dhe ekspozita dhe 170.000 leksione nëpër Botë. KGB-ja, po ashtu si edhe Sigurimi Shqiptar, në ditët e fundit të diktaturës, kanë zhdukur shumë nga dosjet e agjentëve të tyre. Në Shtator 1990, Kryuchkov, urdhëroi pastrimin e dosjeve. Në shtator 1991, një telegram me kod nga KGB-ja urdhëroi zhdukjen e dosjeve me spiunët në kishat e BS, por disa dosje shpëtuan sepse kishin rëndësi historike. Kësisoj edhe në Tiranë, janë ruajtur disa dosje për “vlera historike”. Unë kam parë disa syresh, por ajo që më ka krijuar një ndjesi habie, është dosja e përgjimeve ndaj gruas së Qazim Mulletit, e cila edhe pse ishte e internuar në Savër, madje edhe me një sklerozë të thelluar, vazhdohej dhe spiunohej me një dëshirë dhe harxhime pa fund për spiunët që nuk i ndaheshin. Në një rast, pas tërmetit të vitit 1978, një oficer i ka thënë se a u trembët dhe Hajrie Mulleti i është përgjigjur se frikë keni ju që jeni në pallate e jo unë në kasolle. Kjo ishte raportuar fjalë për fjalë dhe me një analizë të thellë se si vepron armiku me propagandën e tij.
 


Përsëri një ngjashmëri e Sigurimit tonë dhe KGB-së. Moska edhe pse ka djegur dosje spiunësh, ka mbajtur listat me pseudonimet e “ndihmuesve sekretë”, pra të spiunëve, ashtu si u ruajtën te ne, që nga Çiftelia e deri te Korani apo Llula, Raketa, Dezinjatorja, Shtiza, Skifteri, Cingarja, Plepi, Trëndafili, Qukapiku, Furtuna, Nemërçka… Por si në Bashkimin Sovjetik edhe në Tiranë, spiunët nuk e dinin se ku mbaheshin, të fshehura dosjet e tyre. Në Tiranë, akoma digjen dosje, por mikrofilmat në disa kopje ruajnë punët e pista të spiunëve të ndyrë. Ato fytyra inferiore, mund të jenë edhe ministra, ambasadorë apo deputetë, por operativët e tyre i njohin mirë dhe shpesh tallen dhe zgërdhihen, duke i mbajtur nën trysni të vazhdueshme e duke iu vënë edhe gjoba e duke i shfrytëzuar si qenër besnikë por të pistë që lehin e kuisin si qaramanë.Në vitin 1993, KGB-ja deklaroi se dosjet sekrete nuk do të hapeshin për 50 vjet. Sot në Rusi është shumë e vështire të marrësh informacion për KGB-se a thua e është e njëjta kohë si në regjimin e Brezhnjvit apo Giorbachevit apo edhe Andropovit. Kështu edhe ne Shqipëri. Si Berisha dhe Nano ruajtën arkivat dhe nuk i hapën dosjet. Pse! Spiunët janë kudo, pa votat e tyre nuk fiton as PD e as PS, ndaj armata e madhe e spiunëve u nda dysh, dikush mbajti xhaketën e kuqe e dikush mori një xhaketë blu. Ata janë kudo, nga poshtë e deri lart fare, por çdo ditë, media duhet të nxjerrë pseudonimet e t`i diskreditojë këta krimba që helmuan dhe helmojnë kombin tonë kaq shumë të spiunuar.KGB-ja nuk ka vdekur. Kush i financon fashistët dhe nacionalistët rusë? Janë shumë banka dhe biznese që janë financuar nga KGB-ja. Natyrisht, që janë shumë të tilla edhe në Shqipëri. Pa dyshim, që Sigurimi ka duart edhe në banka edhe në firma ndërtimi, ndërtime rrugësh dhe tendera të ministrive deri në tenderë parlamenti, duke vjedhur miliona apo miliarda dollarë nga pasuria jonë kombëtare. Pas rënies së Murit të Berlinit, ish-vendet komuniste eksperimentuan me tregun e lirë megjithatë mësuan se kapitalizmi ishte, mbase, dështim më i madh se sa socializmi i mëparshëm. Ndaj u votuan ish-partitë komuniste me emrin e ri parti socialiste. Mbi 50% e rusëve preferojnë sistemin komunist, ku puna, ushqimi, mjekësia dhe arsimi janë të garantuara nga qeveria. Tre shtetet Balltike, Estonia, Lituania dhe Letonia, mes zgjedhjeve demokratike, treguan se duan të ktheheshin majtas. Mars 1995, në Estoni në parlamentin me 101 karrige, 41 vende shkuan për dy parti të majta, të formuara nga ish-komunistët. Në qershor të 1993, Letonia mbajti zgjedhjet e para pas pushtimit sovjetik dhe aleanca e komunistëve me emigrantët, formuan një qeveri koalicioni. Në Lituani, zgjedhjet e lira u mbajtën më 1993 dhe komunisti Brazauskas u zgjodh president.Zgjedhjet parlamentare në Hungari në vitin 1994 i dhanë socialistëve, ish-partia komuniste, një shumice prej 15 vendesh, dhe patën një koalicion me Free Democrats. Në dhjetor 1995, Partia Komuniste në Rusi mori mbi 20 % të vendeve në Duma, dhoma e ulët e parlamentit. Që nga vitit 1991, 20 milionë rusë janë pa punë dhe 37 milionë nuk mbulojnë dot, shpenzimet ditore. Në Poloni, në vitin 1996, votuesit zgjodhën komunistin Oleksky. Pastaj do vinte rasti ynë, kur në vitin 1997 ish-komunistët e Partisë Socialiste fituan mbi 80 vende në parlament. Në tetor 1998 i pari komunist që nga viti 1947, u zgjodh kryeministër i një vendi perëndimor. Massimo d’Alema u zgjodh kryeministër i Italisë, madje qeveria e tij kishte edhe dy komunistë të pareformuar. Lufta, edhe pse jo e ftohtë, vazhdon. SHBA ka kryer mbi 225 invadime ushtarake, duke ndërhyrë drejt 20 vendeve të huaja. CIA mbetet gjithmonë pararoja e luftës ndaj rrezikut të kuq, sidomos kur të djathtët e konservatorizmit amerikan drejtojnë politikën edhe pse liberalët demokratë kanë një mbështetje sa të madhe, aq edhe sfiduese me programet sociale.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)