2011-07-24

Më t’korruptuar se burokratët e UNMIK-istanit - janë vetëm këta kosovarët “tanë”!

 
Shkruan: Bardhyl Metaj

Zyra e Auditorit Gjeneral të Kosovës (ZGJK), gjatë auditimit të pasqyrave financiare të Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave (MEF) gjatë vitit 2010 ka evidencuar parregullsi bizare dhe të turpshme për një vend me buxhet aq të vogël, e një vend me krizë të jashtëzakonshme financiare, si dhe shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë.
Në fotot që përshkruajnë lajmin kishin dalë të dy ministrat e Ministrisë së Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, nën mandatin e të cilit kishin ngjarë keqpërdorimet bizare e të turpshme, si dhe ky aktual, Bedri Hamza! Aferim redaktorit të fotografisë, ngase një foto flet më shumë se një mijë fjalë. Fotoja fliste se një e njëjta shkollë administrimi e menaxhimi vazhdon të jetë edhe sot...

Çanta "Prada" e "Gucci" për lap-topët e burokratëve shpenzues!

Në raportin e Auditorit lexova absurde nga më t'përdalat: Dy çanta për llap-topë ishin blerë në një vlerë marramendëse prej 700 eurove! Dy nga tri ofertat e pranuara për këto çanta magjike lap-topësh e kanë vulën e të njëjtit ofertues. A thua të jenë çanta të markave "Gucci", "Prada", apo "Versace"! Në këtë vlerë, në tregun kosovar blihen lap-topë, e jo çanta!?
Edhe në tenderin për furnizim me vetura, Auditori kish gjetur - e si t'mos gjejë, kur sillen si n'bahçe t'babës, apo edhe ma zi - favorizim të kompanisë së caktuar nga Ministria në fjalë. Gjatë rishikimit të tenderit "Blerja e veturave", Auditori ka vërejtur se specifikacioni teknik i tenderit është përgatitur në mënyrë preferenciale, duke e përshkruar tipin e veturave, ku vlera financiare e dy veturave ishte, as më pak e as më shumë, se 98 400 euro.
Me gjasë, n'këtë Ministri, sikur edhe në Qeveritë Thaçi, përgjithësisht, është etabluar mendësia e boss-ave dhe magnatëve botërorë, andaj - veprojnë në stilin, kur ke lap-top të 3000 eurove, të duhet edhe çanta për të e 300-400 eurove. Paj, nuk bënë bre pa të hiç! Paramendojeni situatën, me pas Sekretarja amerikane e Shtetit, çantën ma të mirë e ma të shtrenjtë të lap-topit, se sa aparatçiku ynë n'Ministrinë që ndan para të krejt Kosovës! S'e rrok, hiç...! Por, këtu s'mbaron:
Dorën në zemër, kur ke veturë të 50 000 eurove, lap-top të 3 000 eurove, çantë lap-topi "Prada" prej 400 eurove - atëherë duhet të kesh edhe iPhone të 1 200 eurove - dhe natyrisht, kur i ke të gjitha këto, s'mund të shtegtosh në udhëtime zyrtare ulur afër, me turli qytetari n'aeroplan:
Në këtë ministri, Auditori ka gjetur kur në tri raste të atestuara, d.m.th gjithherë (tri janë testuar, e në të tria rastet është vepruar njëjtë) - Ministria e Ekonomisë dhe Financave i ka paguar biletat e udhëtimit për klasën e biznesit, e jo ato "economy": vlera e një bilete të paguar për person, në secilin rast, ishte 3 091 euro, 3 087 euro, dhe 3 042 euro!!! Kah kanë udhëtuar, Zoti e di! Me aq t`holla, shkohet edhe n'Honollullu n'pushim dy javësh, inkluziv hotelin, ushqimin dhe udhëtimin!!!
Auditori Gjeneral ka gjetur keqpërdorime e përvetësime makabre edhe në pagesën lidhur me botimin e broshurave, ku është hasur mospërputhje midis sasisë së kërkuar të broshurave, shumës së faturuar dhe asaj të pranuar. "Pagesës së datës 22.11.2010, në vlerë totale prej 15 537 €, i janë bashkangjitur dy fatura, njëra në vlerë prej 8 444€ dhe tjetra 7 093€. Faturat e bashkëngjitura tregojnë obligimin ndaj Operatorit Ekonomik për publikimin e 5 500 broshurave. Ndërkaq, auditori ka marrë dëshminë për pranimin e vetëm 800 broshurave nga Ministria!!! Si rrjedhojë, Auditori ka hasur diferencën mes broshurave të kërkuara - porositura, dhe atyre të pranuara e të faturuara dhe të paguara. Diferenca është 4 700 copë, në vlerë prej 8 787", thuhet në raport: që shqip i bie - Ministrisë i janë dashur 800 broshura, sa edhe ka pranuar, kurse në "financa" janë paraqitur fatura të fryra, nja 10-fish! Mazën dhe dallimin, pasi janë tundë "letrat", e ka hangër "terri" e nata ballkanike, e cila në këto troje di të zgjasë edhe 500 vjet!
Njëjtë ka ngjarë edhe në tenderin "Relacionet me publikun dhe botimet për nevojat e MEF-it". Është konstatuar se dy nga këta tre ofertues nuk i kishin plotësuar kriteret e përzgjedhjes...
Auditori Gjeneral i Kosovës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, natyrisht, ka gjetur dosje të pakompletuar të personelit! Më shkurt, prej kafes, restorantit a ceremonisë së çajit, te ndonjë dajë a teze, janë futur njerëz në punë: "Auditori - "Ne kemi vërejtur disa raste kur dosjeve të personelit u mungojnë dokumente dhe të dhëna personale bazë, siç janë: aplikacionet për punësim, dëshmi për shkollimin e mbaruar, dokumente dhe vendime të komisionit të pranimit, vlerësimi vjetor dhe përshkrimi i vendit të punës".
Pse i solla këto hollësi keqpërdorimesh?
Thjesht, ngase flasin më shumë se "dosjet" e tenderëve të mëdhenj! Te këto "cikërrime", z. Ahmet Shala thjesht shpalon kulturën e tij të punës, ndërgjegjen e tij, etikën e moralin ndaj parasë publike e asaj të taksapaguesve kosovarë! Natyrisht se te tenderët e mëdhenj, "letrat" janë më të sofistikuara, të retushuara më me kujdes, të paketuara më mirë...! Por, kam uzdajë se s'ka me mbet megjithatë askush pa u përballë me drejtësinë dhe përgjegjësinë!
Këto hollësi keqpërdorimesh i solla edhe nga fakti i thjeshtë se në gjithë botën për këso keqpërdorimesh: e para shkarkohen shefat e departamenteve përkatëse, ata që nënshkruajnë lejen për shpenzime e investime t'kota, t'pa asnjë kandar e krejtësisht makabre dhe t'ankthshme, sikur që shkarkohen me automatizëm edhe ata që udhëheqin me prokurimin - kurse e dyta, pas pushimit të tyre nga puna, vetë Ministria apo kompania i paraqet rastet në Prokurori dhe nis procedurë penale...
Pse s'ngjan e njëjta n'Kosovë? Me gjasë, ngase kanë t'gjithë, fillue nga ministri e teposhtë, të njëjtën pakulturë, apo t'njëjtën "kulturë uzurpimi"! Ku karshi keqpërdorimeve t'shefit të madh, e mbyllin gojën, sytë e hundën, shefit prej të cilit ndërvaren - kurse ata më poshtë, ndërkaq, mbyllin sytë gojën dhe prapanicën karshi të bërave e të pabërave të të gjitha llojeve të shefave!
***
Pse ngjan kështu në Kosovë? Çfarë populli qenkemi? Si s'ekziston aspak ndjesi për paranë publike, paranë e kontributet e taksapaguesve? A bëhet më mirë sikur të vijnë ministra të tjerë? Po sikur të vijnë parti të tjera në pushtet, a ka shenja se do të gjuhen në mbeturina, e të dërgohen me pranga keqpërdoruesit e tillë? A ka gjasa që të tjerët që vijnë t'mos jenë kaq uzurpatorë, kaq të pamëshirshëm? Kush mund ta ndalë, e si mund të ndalet kjo theqafje nacionale? Çfarë po bën prokuroria dhe gjyqësia? A ka gjasa që ajo të ngjallet, të këndellet, apo të dyja, prokuroria dhe gjyqësia janë në ndërvarshmëri personale, materiale e meskine me politikën dhe bosët e tregtisë, dhe po flirton me të gjithë bashkë?
Ka aq shumë pyetje pa përgjigje në këtë vazhdë, por që si të tilla, janë bërë temë bisedash, e spirale, e cila po e çon në depresion kolektiv këtë vend!
***
A i blen vetes një biznesmen relativisht i kamur kosovar, i cili ka edhe vila në Brezovicë e gjetiu - çantë lap-topi prej 300 eurosh, a udhëton në Business-Class dhe paguan për një fluturim në Evropë 3 091 euro?
Natyrisht, se jo! Natyrisht se jo, ngase s'bëjnë as biznesmenë dhe as shefa koncernesh botërore! Mos po flas muhalife, e po nënqesh ministri Shala, duke thënë 'eh more Bardhyl, s'e di ti si shkojnë këto punë'?
Nëse po, atëherë e ka shumë keq! Në kohën kur ministri Shala ka mbajtur kurse të lodhta t'anglishtes, kam qenë për vite drejtor ekzekutiv i shtëpisë më të madhe medieve në botë, në Bertelsmann - për Zvicër! Isha aty si drejtor, bashkë me 357 drejtorë të tjerë kompanish te Bertelsmannit, të shtrirë në gjithë globin e botës! Dhe kishim rregulla strikte se çfarë makinash na blinte kompania (asnjëherë mbi 30 000 euro), dhe të gjitha makinat bliheshin nga i njëjti prodhues, ku kompania e kishte siguruar zbritjen prej 30%! Alamet drejtorësh botërorë të kompanisë më të madhe të medieve botërore edhe lap-topët i kishim të gjithë të njëjtë, gjithashtu të siguruar me zbritje marramendëse! Të gjithë ne, qoftë unë, si drejtor i Zvicrës së vogël (me qarkullim vjetor 112 milionë, 300 punëtorë), çoftë drejtori i "Random House", që e kishte një qarkullim vjetor prej 2,5 miliardësh, apo ai i RTL-it Group (TV), që kishte qarkullim vjetor prej 5,6 miliardësh, kur udhëtonim në Gütersloh për raportim 6-mujorë te pronari dhe Bordi, e kishim të njëjtin hotel, të njëjtat bileta aeroplani, e të njëjtën kulturë kursimi...! Me 104 419 punëtorë, diku afërsisht 357 drejtorë gjeneralë, dhe afërsisht 5 400 të tjerë, drejtorë kreativë e financiarë, të gjithë ne kishim rregulla të njëjta prokurimi, status të njëjtë e privilegje krejtësisht identike! Natyrisht, dallonin të ardhurat dhe bonuset, në varësi të suksesit menaxherial!
Se si ngjau që te ne të udhëheqë një kastë që punën e parë në CV t'i kenë postet si kryeministër e ministra, dhe si ngjau ky mallkim që zanatin e burokratit keqpërdorues, ta mësojnë nga aparatçikë të OKB-së, të cilët pa pikë rahmeti e trajtojnë paranë e kësaj organizate - këtë nuk e di! Si mund të riparohet ky defekt nacional, as këtë s'e di! Se po presin n'rend me i kërcye kësaj makinerie, e me keqpërdor më profesionalisht se paraardhësi, këtë e di unë dhe e gjithë Kosova! E di gjithashtu, sikur edhe ju të dashur lexues, se më t'korruptuar se burokratët e UNMIK-istanit - në gjithë rruzullin, janë vetëm këta kosovarët tanë qeverisës!


Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...