Problemet shqiptare

Nga: Dorian  KOCI
Termi problemi shqiptar ka kohë që është bërë pjesë e fjalorit politik europian. Gjithsesi, kuptimi i tij nuk ka mbetur statik gjatë gjithë kohës, por ka fituar tre konacione dhe ngjyrime të ndryshme që nga momenti që ai është përdorur për herë të parë. Natyrisht, fillesat e termit gjenden në vetë kompleksitetin dhe vështirësinë e politikave që ndoqën Fuqitë e Mëdha në rajon në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe për këtë gjë nuk mund të fajësohen shqiptarët se politika që u ndoq ndaj tyre do të krijonte një problem të vërtetë për diplomacinë botërore në vitet në vazhdim. Ata thjesht u zgjodhën për t’u sakrifikuar kinse për të shpëtuar paqen në rivalitetet ruso-austriake në Ballkan, paqe e cila nuk ia vlejti, sepse një vit më vonë më 1914, lufta e madhe filloi. Nga ana tjetër shqiptarët me ato pak kapacitete dhe forca që kishin në dispozicion bënë ç’është e mundur që në deklaratën e tyre të pavarësisë të këmbëngulnin se po themelonin shtetin e të gjithë shqiptarëve dhe rrjedhimisht t’u linin brezave një testament politik të dëshirës dhe shtrirjes së vërtetë të atdheut të tyre. Ky testament politik i etërve të kombit sigurisht që nuk ra në vesh të shurdhër dhe për një kohë të gjatë u bë një emërues i përbashkët i ëndrrave romantike, por dhe politike të bashkimit kombëtar. Ky realitet i trishtë i shqiptarëve të ndarë mes shteteve fqinje dhe përpjekjeve të ethshme të këtyre të fundit për ti asimiluar, prodhonte dhe destabilitet në rajon ndaj Fuqitë e Mëdha me dashjen apo mosdashjen e tyre ishin të detyruara ta trajtonin. Kështu që në fillim të viteve të shekullit XX pas vendimeve të Konferencës së Londrës, ku një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u lanë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, me problem shqiptar nënkuptohej çfarëdolloj përpjekje për  bashkim të shqiptarëve dhe shqetësimi që u krijohej nga kjo përpjekje kancelarive të Fuqive të Mëdha. Edhe pse në disfavor të shqiptarëve u ndërmorën vendime që siguronin tërësinë e kufijve të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe Greqisë në konferencën e Paqes në Paris më 1920 dhe në atë të Parisit më 1946, vendime që nuk rishikonin gabimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe kufijve të tyre, ëndrra e bashkimit kombëtar nuk u zbeh, por u transmetua nga brezi në brez si një amanet i paplotësuar.Lufta e Kosovës 1998-1999 tregoi se problemeve të cilat përpiqesh që t’i fshehësh me tisin e historisë ringjallen sërish sa mbeten të pazgjidhura. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës janë premisa të mira që tregojnë se problemit shqiptar të krijuar një shekull më parë mund t’i vijë fundi, pavarësisht faktit që qarqe të ndryshme europiane kanë shumë vite që po investojnë politikisht që problemin shqiptar të mbetet vetëm në kuadrin e dy shteteve dhe jo të njësimit në një. Zhvillimeve që jep liria politike që gëzojnë sot shqiptarët në rajon nuk do të mund të kontrollohen nëse kombi shqiptar do të dëshirojë të bashkohet nën shembullin klasik të bashkimeve kombëtare. Por a është kjo gjë e mundur? A është ky bashkim më tepër një realitet romantik i elitave shqiptare sesa i përgjigjet një realiteti të vërtetë në terren? Demokracia dhe liria politike e të shprehurit ka shumë forma në dispozicion për t’i dhënë përgjigje këtij problemi. Një nga ta është dhe referendumi, zhvillimi i të cilit me të vërtetë do të ishte përgjigjja më e sinqertë e asaj se çka dëshirojnë shqiptarët dhe jo e hamendësimeve dhe teorive integruese që dëgjohen përditë nga të huajt në emër të shqiptarëve!Liria politike është e lidhur ngushtë dhe me lirinë ekonomike, një realitet që kombi shqiptar po e përjetëson potencialisht gjatë këtyre viteve. Mungesa e lirisë ekonomike dhe kolapsi i ekonomisë së centralizuar bëri të mundur për fat të keq që  në fillim të viteve ‘90, emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve të shoqërohej me emigracionin e jashtëligjshëm dhe gjithë fenomenet që e shoqërojnë atë si krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi i lëndëve narkotike dhe qenieve të gjalla. Ishte e natyrshme që kjo valë emigracioni e pakontrolluar të krijonte shqetësime në Europë ndaj dhe Bashkimi Europian nëpërmjet strategjive të tij u mundua që t’i minimizonte maksimalisht efektet negative të këtij emigrimi. Masat e marra ndaj këtyre fenomeneve dhe parashtrimi i agjendës së integrimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian përcaktoi dhe piketat e një politike të re në rajon duke bërë të mundur që termi problemi shqiptar, të marrë një ngjyrim të dytë në fjalorin diplomatik të kancelarive europiane duke nënkuptuar integrimin e vështirë dhe të zgjatur të një vendi drejt strukturave Euro-Atlantike.Për fat të mirë, falë remitancave të emigrantëve, grandeve të Bashkimit Europian dhe SHBA dhe një sërë reformash të ndërmarrë në vend, Shqipëria në prill të 2009 u pranua anëtare e plotë e NATO-s duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm për t’u integruar dhe në Bashkimin Europian, pasi pranimi në NATO është konsideruar për të gjitha demokracitë e ish-Lindjes komuniste si paradhoma të integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Duke u bazuar në realitet e mësipërme prej vitit 2009, Shqipëria gjithashtu ka dorëzuar kërkesën për të qenë vend kandidat i Bashkimit Europian, kërkesë që u shqyrtua me seriozitetin më të madh nga ky institucion duke i përcjellë pyetësorin përkatës për ta plotësuar. Shqipëria, në një kohë rekord e plotësoi këtë pyetësor të madh duke iu përgjigjur sinqerisht pyetjeve të bëra aty, por për shkak të problematikës politike që shoqëroi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe klimës së thatë të dialogut politik midis dy partive më të mëdha në vend, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive për fillimin e negociatave.Çfarë po ndodh me rastin shqiptar, ku Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë se rruga drejt tij kalon nëpërmjet një plani prej 12 pikash ku dialogu politik mban peshën kryesore, ka filluar të konsiderohet sërish si problemi shqiptar, por sigurisht kësaj radhe me një ngjyrim dhe konacion të ri. Ky term nënkupton në kancelaritë e Europës shembullin tipik të një demokracie jofunksionale dhe të një klase politike të paaftë që të ndërtojë një dialog konstruktiv mes vedi. Është për të ardhur keq, që pas një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian, dera e treguar për t’u trokitur dhe për t’u hapur në të njëjtën kohë me dashamirësi, nuk po gjendet dot, sepse klasa politike e tyre e ka mendjen t’i vë stërkëmbësha njëri-tjetrit duke mos arritur asnjëri aty. Nëse problematika e dy problemeve të para shqiptare në shumë raste nuk vareshin vetëm nga vullneti i shqiptarëve, ky i fundit varet tërësisht nga ta. Është përgjegjësia e tyre dhe dëshmi e pjekurisë së tyre politike se ku dëshirojnë ta shikojnë veten e tyre. Por a do të mundin dot shqiptarët dhe klasa e tyre politike ta kapërcejnë veten dhe të fillojnë të plotësojnë 12 pikat e BE-së për të siguruar kandidaturën e vendit kandidat? E thënë me fjalët e komisionerit Fule, dera është aty e hapur. Por si? E thënë dhe e stërthënë kaq herë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, analistë dhe dashamirës të Shqipërisë, le të fillojmë dialogun politik. Mjaft më! Koha nuk pret! Shqipëria duhet bërë europiane!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit