Në kërkim të Gogolit


Nga: Sokol  BALLA
Dikur të vegjël na ushqenin edhe me frikën e Gogolit. Ndonjëherë babai futej në dhomën tjetër dhe bënte “UUUU”, që ne të hanim ushqimin. Jo gjithmonë funksiononte, bile merrte dhe për keq, se krijonte edhe trauma që mezi iknin nga memorja e një fëmije: a ka apo jo gogol? Në fund nuk kishte shumë rëndësi, se Gogoli ekzistonte, sa kohë ishte në kokat tona.Sot, në fund të sezonit politik, viti duket të ketë qenë shumë i gjatë, edhe për shkak të pranisë virtuale të Gogolit. 
Koncesionet, lejet e ndërtimit, Oketa, Paulini, Tan Prifti, Edi, e shoqja e re, Gjel Tavo, Kaçi i zi, Meta dhe e vërteta, 21 janari, Hekurani, Aleksi, Ziveri, Faruku, i biri, Luli, e bija, Elvisi, Griselda, femija (që nuk ishte), Lala që mundi Hushin, Rosinanti që s’trembi Gjushin, Peleshi dhe rivali i tij i leshit, “manita” dhe Sash-Enka, Beni, qeni dhe legeni, Klosi, Lazja dhe “qerosi”. Kudo është hija e tij. E Gogolit.Viti ka qenë plot ngjarje dhe ngjyra, plot personazhe tragjike dhe komike. Po në fund fitoi sërish fantazma e gogolit. Sërish në jetët tona ndërhyri vrullshëm “Disidenti” dhe rekrutët e tij. Sërish të gjithë thirrëm: “Ah, këtë s’e mund do mër vlla!”. As me vota.Dhe këtu është thelbi. Sali Berisha është kthyer në një obsesion kombëtar. Vetë i pari, kur merem me të dhe ja përmend emrin, nickname-in (këtë të riun dhe atë të vjetrin). Pastaj gjithë kolegët e mi, ata që e shajnë dhe ata që e lëpijnë. Po ndonjëherë edhe e mëshirojnë. Edhe vetë ndonjëherë kur nuk jam dakort kur i sulmojnë fëmijët, se mendoj: “Ja edhe unë, po të më ngacmojnë fëmijët, kështu do bëhesha”. Dhe këtu lind, (jo tek unë, por te të tjerë që logjikojnë pak më ndryshe dhe shkurt), vota e solidaritetit. Votë që mbajti katër vjet në pushtet Berluskonin, megjithë pallimet e tij masive me kurvat e të gjithë flamujve. Se ishte vota e italianit mesatar, që harxhon një të tretën e të ardhurave vjetore, në prostituta e transvestitë. E njëjta gjë ndodh edhe tek ne. Saliu vrasës? Po pse, sa herë bëhemi ne gati të vrasim dikë, vetëm se na zënë rrugën në parking, apo kur na pikon banjo e komshiut? Saliu korruptues? Por kur është hera e fundit që NUK ke dhënë para, për të marrë një provim, një licensë, një patentë të kapur nga policia, dhe i je gëzuar marrjes para kohe të dokumentit, paçka se kontribuove në korrupsionin kolektiv të shoqërisë? Saliu hajdut? Por kur është hera e fundit që ke gjetur diçka të vyer që i ka humbur dikujt dhe e ke kthyer në polici? Sashenka shiti ndeshjen? Por kur ke fituar një gjyq pa dhënë një million lekë? Kur? E pra këtu është përgjigja, se megjithë uljen e pensioneve, rritjen e dritave, vrasjet e opozitarëve, grabitjen e votave, bekimin e vjedhjes në gjykata e kolegj, sot Saliu është Gogoli ynë më i votuar. Ai ja ka arritur të na bëjë të gjithë si vetja. Vërtet “Fajin e ka Saliu”, por për sa kohë Saliu “is one of us”, ai do të fitojë. Ndaj sot nuk e kanë për gjë të rreshtohen përkrah tij, një ylber i gjerë personazhesh, sepse “gogoli” që kemi krijuar vetë, është si përbindëshi i Frankenshtajnit: dikujt i ka marrë syrin, dikujt këmbën, e dikujt dorën. Nga Kaçi i zi (me dy kobure, vret hardhuca nëpër mure) e deri tek Sashenka. E cila sigurisht nuk ja ka harruar Saliut akuzat për Kuqon. Deri sa erdhi dita që ai trokiti në derën e saj, për Kuqon e tij të qeshur. Me siguri zonja e rëndë ka menduar me qesëndi: “Erdhe ë, e shikon që jemi njësoj?”. Dhe ja liroi edhe atij, kuqon e tij. Unë mendoj falas. E ku ka kënaqësi më të madhe se kjo?Me këtë, nuk dua të them se të gjithë ne jemi gogolë. Por të gjithë ne kemi gogolin tonë që na tremb në kokat tona. Por para se ta luftojmë përbindëshin që krijuam vetë, duhet ta luftojmë atë Brenda nesh. Si betejë duket e vështirë dhe e gjatë. Vetëm kur ta kuptojmë se “fajin e kemi të gjithë ne”, atëherë do të nisë katarsisi i vërtetë. Ndërkohë Saliu duhet lënë në përrallën që po jeton vetë i lumtur dhe i eksituar. Por në fund të fundit ai nuk është Gogol. Eshtë thjesht një plak i lodhur me fantazi të shfrenuar, e ardhmja e të cilit dihet.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)