Imami i shumëpërfolur kohëve të fundit nëpër medie, Shefqet Krasniqi, në një intervistë për “Express”, ka thënë se kush nuk është mysliman, sipas islamit, e ka vendin në xhehenem. Më tej ai thotë se beson që në Kosovë nuk ka radikalizëm islamik, por ka radikalizëm laik dhe katolik.
Imami Krasniqi, duke folur për kërkesën për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, ka thënë se shpreh keqardhje për zvarritjen e kërkesës së kamotshme për ndërtimin e kësaj xhamie dhe qendre islame deri në ditët e sotme, e që sipas tij, bë shkak rrëmuje e polemikash të panevojshme.
Ai shton se premtimi për ndërtimin e kësaj xhamie është dhënë nga vetë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, në vitin 2008.
Duke iu referuar çështjes së bartjes së shamisë nëpër institucione publike, dhe protestës së anuluar për këtë çështje, Imami Krasniqi thotë shamia duhet të sanksionohet në Ligjin e arsimit në Kosovë dhe duhet të lejohet pasi ajo është një e drejtë bazike e lirisë fetare dhe të mendimit në vendin tonë.
“Ne myslimanët e Kosovës e duam Kosovën të jetë e lirë sikur Amerika. Tamam si në Amerikë, ku njerëzit nuk diskriminohen për shaminë që mbajnë, për ngjyrën e lëkurës që kanë e për besimin e bindjet e tyre, edhe ne, Kosovën e duam si Amerikën. Të lirë dhe demokratike dhe të mos ketë ligje diktatoriale dhe shtypëse të lirisë fetare, siç është ligji i shamisë, i cili i varros për së gjalli femrat me shami të vendit tonë, duke i dëbuar nga sistemi me dhunë”, ka thënë Krasniqi.
Këtë që po ndodh në Kosovë, ai e quan aparteid fetar dhe shprehet i besimit se “futja e shamisë në Kosovë, është hapi i parë drejt emancipimit të Kosovës dhe dhënies fund të diskriminimit fetar në vendin tonë”.
Ndërkaq, akuzat e bëra ndaj tij për shkak të fjalëve që i ka thënë kundër Nënës Terezë, Krasniqi i quan qesharake.
“Për padinë që është bërë kundër meje për fjalët e mia kundër Terezes mendoj se këto akuza janë qesharake dhe cenojnë lirinë fetare në vend. Unë kam thënë çfarë kam thënë për Terezen dhe sipas besimit tonë islam, kush nuk është mysliman, pra nuk e beson Allahun në mënyrën e duhur, e ka vendin në xhehenem. Këtu janë parime kuranore, kështu thotë Kurani, unë nuk mund ta ndryshoj atë, ja lexojeni, e keni para”, ka theksuar Krasniqi.