Si mendoni, nuk bëmë gjynah të madh ne bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e Josif Bagerit, të besimit fetar ortodoks, por edhe shumë bashkëvendës e bashkëkombës myslimanë, që shndërruam gjatë gjashtë dekadave të fundit gjuhën tonë amtare shqipe në gjuhë serbishte, maqedonishte dhe turqishte?! Dhe meqë ky tjetërsim etnik ka përmasa të mëdha, a nuk mund të vlerësohet si një humbje edhe e Josif Bagerit, i cili pati hapur shkollën e parë laike në gjuhën shqipe në vitin 1908 në Nistrovë të Rekës se Epërme, për të cilën vetëm pak veta dinë?
Ju, studiues të nderuar të këtij simpoziumi, kushtuar Jetës dhe Veprës se Josif Bagerit, mbase mund të shfaqni habinë përse pikërisht unë jam i detyruar të paraqes me shkrim kumtesëm në gjuhën maqedonase, edhe pse jam bashkëvendës i Josif Bagerit dhe i përkas të njëjtit komunitet etnik. Ndodh kjo sepse unë di të flas në gjuhën shqipe, dialektin që ma kanë mësuar prindërit e mi shqiptarë, Nëna Zafirkë dhe Babai Manojl, por, fatkeqësisht, nuk di të shkruaj e as të lexoj në gjuhën shqipe. Ndaj, me këtë rast dëshiroj të them disa gjëra më përmbajtjësore, që mund t’i them vetëm duke i shkruar dhe paraqitur në gjuhën maqedonase apo angleze. Ju lutem, me mirëkuptoni që kumtesën time në gjuhën shqipe do ta lexoj dikush tjetër.
Tani mbase është vendi të shtrojmë pyetjen, në dukje paksa vulgare: Mos ndoshta Josif Bageri ishte humbës në angazhimin e tij për arsimimin dhe çlirimin e popullit tonë!?
Në makroplan, nëse mund të shprehem kështu, mendoj se Josifi doli goxha i fituar, pasi ai tani po i rikthehet Shkupit si Përmendore, aty ku në vitin 1908 pati mbajtur fjalim para rreth 3.500 shqiptarëve, duke ua kushtuar edhe një poezi. Kurse fitoret e popullit të tij, për të cilin u angazhua me tërë qenien mendore dhe fizike, gjithashtu janë të mëdha, nga se edhe Kosova u çlirua nga pushtimi serb, kurse populli shqiptar në Maqedoni po përparon drejtë barazisë nacionale me popullin maqedonas.
Ju studiues të nderuar sigurisht do të jepni përgjigje të shumta në këtë pyetje, por nuk ma merr mendja se do të jepni përgjigjen që dëshiroj të jap unë, e cila mund të keqkuptohet si përgjigje subjektive. Që tani më duhet të shfaq mendimin, se në mikroplan, fatkeqësisht, Josifi doli i humbur, sepse kësaj hapësire i janë tjetërsuar pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit të tij më të ngushtë – shqiptarët e besimit ortodoks. Ata tashmë, pothuajse tërësisht, po prezantohen si maqedonas, por nuk e di nëse po prezantohen si maqedonas sllavë, apo maqedonas me prejardhje nga maqedonasit antikë ilirë, meqë edhe ky ridefinim etnik tashmë është një proces tepër i debatueshëm dhe me përplasje brenda popullit maqedonas.
Josif Bageri ishte një shqiptar i devotshëm, i lindur në vitin 1870 në Fshatin Nistrovë të Rekës se Epërme. Në atë kohë Reka e Epërme banohej pothuajse tërësisht me shqiptarë, që u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse dhe myslimane. Nuk i di statistikat e kohës, por e kam me të dëgjuar nga pleqtë tanë se në Rekë të Epërme jetonin më shumë shqiptarë me besim fetar ortodoks se sa me besim mysliman. Shqiptarë ortodoks nuk kishte vetëm në Rekën e Epërme, por pothuajse në gjithë hapësirën e tanishëm të Republikës së Maqedonisë…
Atëherë Krahina jonë ishte e pushtuar nga Perandoria turke. Varfëria e rëndë e detyroi Josifin të emigrojë në moshën 17-vjeçare, siç e ka detyruar edhe stërgjyshin tim, Manojl Tanashin dhe shumë bashkëvendës të tjerë. Ai emigroi si analfabet, sepse në atë kohë, jo që nuk kishim shkollë shqipe, por nuk kishim as edhe alfabet.
Nuk e di mendimin e studiuesve, por mua me ka habitur fakti se përse shumë popuj nën Perandorinë Otomane kishin autonomi fetare, kulturore e arsimore, pos popullit shqiptar?
Në Sofje Josifi bie në kontakt me emigrantë të tjerë shqiptarë, nga të cilët mësoi shkrim e lexim në gjuhën shqipe. Qysh atëherë ai u angazhua me përkushtim për arsim e çlirim të popullit tonë.
Më mirë se sa unë, biografinë e tij duhet ta dini ju studiues të nderuar, kurse unë këtu po paraqes këto pak të dhëna, sepse do t’më duhen për të argumentuar mendimin tim, përse Josif Bageri rezulton humbës në mikroplan.
Pasi popujt e Gadishullit të Ballkanit, ku të bashkë-organizuar, ku veç e veç, përfundimisht u çliruan nga pushtimi shumëshekullor turk, hapësirat tona në vitin 1913 menjëherë u pushtuan nga Mbretëria Serbe. Josifi u kthye nga emigracioni dhe vendosi të japë kontributin e tij, me mendim se nuk do të përndiqej si përpara. Ai shpalli kandidimin për parlamentar në Krahinë të Dibrës. Por pushtuesit serb që ishin më brutal se sa pushtuesit turq, e përndoqën. Që atëherë Josifi u arratis në Shqipëri, për t’u angazhuar në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe nuk ka të dhëna të jetë kthyer më në vendlindje.
Në qershor të vitit 1915, pas konsultimeve që pati me Fan Nolin, Faik Konicën e personalitete të tjerë, se çfarë qëndrimi duhet të mbanin ndaj Princ Vidit, Josifi udhëtoi nga Durrësi në Prishtinë për të akorduar qëndrimet edhe me Hasan Prishtinën. Në rrethana ende të panjohura, në moshën 45-vjeçare, ai vdes në Prishtinë dhe, fatkeqësisht, as varrin ende nuk ia dimë, për ta rivarrosur pranë prindërve të tij, në Nistrovë, siç na e ka lënë amanet…
Për të shpjeguar se çfarë ndodhi në Krahinën tonë pas vitit 1913, më lejoni të jap ca informata telegrafike për paraardhësit e mi, që janë përafërsisht të ngjashme me secilën familje ortodokse shqiptare të Krahinës sonë, pra edhe me pasardhësit e Josif Bagerit.
Katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 – 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishte i emigruar edhe vëllai i Josifit, Mihali dhe shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan “Arnaut an”, një emërtim që tregon për karakterin e tyre patriotik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri që jetoi gjatë viteve 1865-1932, e kishte mbiemrin Tanashi. Pas pushtimit serb, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, – Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, – që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë Babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983.
Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besim fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullit maqedon. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe.
Pas formimit të Republikës se Maqedonisë në vitin 1944 Familjes sonë iu ndryshua mbiemri nga Tanasheviq në Manojlovski, kurse Familjes Bageri nga Jovanoviq në Jovanovski…
Në vitin 1941 në Fshatin Kiçinicë të Rekës se Epërme kam lindur unë. Babai e kishte emrin Manojl, kurse Nëna Zafirkë. Në familjen tonë dhe në familjet e të gjithë kushërinjve, fqinjëve dhe në gjithë Rekën e Epërme flitej vetëm gjuha shqipe.
E kam të freskët një kujtesë të hidhur nga viti 1948, kur isha 7-vjeçar. Me dhimbje e mbaj mend, sepse ishte fillesa e goditjes se rëndë të identitetin tim shqiptar. Në atë vit motra ime, Jelica, që ishte më e madhe se unë 5 vite, me shoqëroi për në shkollën fillore në Fshatin Belqicë, meqë Babain e kisha të emigruar në Stamboll. Kur hymë në klasë asnjëri nga fëmijët e fshatit tim dhe të fshatrave fqinjë nuk dinim pothuajse asnjë fjalë në gjuhën serbishte ose maqedonishte. Mësuesi me rrahu me vizore vetëm për faktin se nuk dita si i thonë kushëririt në gjuhë maqedonishte…
Njerëz të mirë, shpresoj të më mirëkuptoni, nuk dëshiroj të rrëfej se sa rëndë e kam përjetuar atë të rrahur nga mësuesi im i parë vetëm për “fajin” se nuk dija si i thonë kushëririt në gjuhën maqedonishte.
Siç e thash, në vitet e para të Republikës të sapoformuar të Maqedonisë, e tërë popullsia shqiptare e Rekës se Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi e ka pasur vetëm gjuhën shqipe. Nëna ime nuk dinte asnjë llaf në gjuhën maqedonishte ose në ndonjë gjuhë tjetër. Por ama tani, me fëmijët dhe nipërit e mi në Amerikë komunikoj kryesisht në gjuhë angleze, me nipat e mbesat e mia këtu, të lindur pas viteve të 60-ta, më duhet të flas pothuajse vetëm në gjuhën maqedonishte. Dhe këta tani po shfaqin habinë e tyre, se përse unë nuk e kam harruar shqipen e prindërve të mi?
Për të sqaruar dukurinë e asimilimit tonë, meqë jam goxha i moshuar, po sjell tre emra konkret të personaliteteve tanë. Fillimisht do të përmend emrin e një personaliteti, prindërit e të cilit kanë qenë shqiptarë. Ai është djali i Hallës sime, Velikës, Video Smilevski – Bato, i shpallur Heroi i Popullit në Republikën e Maqedonisë. Videon edhe mund ta quajnë maqedonas, meqë sa ishte gjallë nuk është deklaruar ndonjëherë publikisht se prindërit e tij ishin shqiptarë. Por ama Hallës sime, Velikës dhe Burrit të saj Uroshit, prindër të Videos, me ç’të drejtë mund t’u tjetërsohet identiteti i tyre shqiptar!? Sa herë që Video Smilevski vinte te dajallarët në Kiçinicë, e vinte shpesh, flisnim vetëm shqip, në gjuhën tonë amtare. Ndonjë bisedë të asaj kohe e kam mbajt mend edhe unë, por nuk është vendi këtu që t’i rikujtoj…
Personaliteti tjetër është ish Kryetari i Akademisë se Shkencave të Maqedonisë, Mateja Matevski. Babai i tij ka qenë mik me Babain tim në Stamboll. Kur ai u kthye nga Stambolli gjuhë amtare e kishte shqipen. Akademiku i shquari Matevski vazhdon të heshtë se prindërit e tij ishin shqiptarë. Do të bënte gjynah nëse do të thoshte se ata ishin tjetër soj…
Kisha një shok timin të ngushtë në shkollën 8-vjeçare në Gostivar. Me te flija në të njëjtën dhomë në konvikt. Emrin e ka Gligor Jovanovski, i cili tani është anëtar i Akademisë se Shkencave të RM-së. I njihja prindërit e tij – që të dy shqiptarë. Dhe vetëm para 6 vitesh mësova se ky shoku im është stërnip i Josif Bagerit, pra, djali i Isaisë ishte djal i Manojlit, e ai ishte vëllai i Josifit. Nuk e dija përpara dhe nuk ia fal pse nuk më ka treguar, nga se unë kisha dëgjuar shumë për Josifin nga Babai im, i cili me pat mësuar ca vjersha të tij…
Di edhe shumë emra të tjerë, – e si mos t’i di emrat e vëllait tim dhe kushërinjve të parë, që janë personalitete në Shkup, por nuk po i përmend, sepse do u marr kohë.
Me ketë rast u kërkoj falje që përmenda emrat e këtyre personaliteteve, sepse këta kanë bërë karrierë të shquar këtu dhe mbase nuk dëshirojnë të bëhet publike se prindërit i kishin shqiptarë. Por ama, nuk kam mirëkuptim për asnjërin, sepse edhe në këto rrethana të reja lirie përmbahen për të shfaqur përkatësinë ose prejardhjen e tyre shqiptare. Nuk e di nëse njeriu ka të drejtë të ndërrojë identitetin e vet etnik, por kurrsesi nuk ka të drejtë t’ua falsifikojë prindërve, sidomos kur ata janë në Botën tjetër të amshimit dhe nuk mund të kundërshtojnë më në këtë botë…
Unë për veten time qe disa vite po i bëjë shërbim kullës se paraardhësve, të ndërtuar para 105 vitesh, për të cilën jam krenar se është kulla ndër më të mëdhatë në rajon. Kulla jonë dhe kullat e kushërinjve në Kiçinicë janë të traditës arkitektonike shqiptare. Organet përkatëse shtetërore i kanë shpallur si objekte monumentale, por nuk po përkujdesën t’i mirëmbajnë. Arsyet konkrete mund t’i dinë ata, ama unë kam dyshimin se janë penduar që i kanë shpallur monumente kulturore, sepse kam thënë se ato i përkasin traditës shqiptare dhe kushdo që do të provojë ta falsifikojë “identitetin” e kullës sime, do ta padis…
Si mendoni, nuk bëmë gjynah të madh ne bashkëvendësit dhe bashkëkombësit e Josif Bagerit, të besimit fetar ortodoks, por edhe shumë bashkëvendës e bashkëkombës myslimanë, që shndërruam gjatë gjashtë dekadave të fundit gjuhën tonë amtare shqipe në gjuhë serbishte, maqedonishte dhe turqishte?! Dhe meqë ky tjetërsim etnik ka përmasa të mëdha, a nuk mund të vlerësohet si një humbje edhe e Josif Bagerit, i cili pati hapur shkollën e parë laike në gjuhën shqipe në vitin 1908 në Nistrovë të Rekës se Epërme, për të cilën vetëm pak veta dinë? Dhe bashkë me gjuhën ne ndërruam edhe identitetin etnik, nga shqiptarë në serbë, maqedonas dhe turq. Ky asimilim, i përballuar gjatë 520 viteve të sundimit otoman e turk, ndodhi vetëm nga viti 1913 e ketej, kur na pushtoi e sundoi Serbia dhe vazhdoi gjatë sundimit komunist nga viti 1945 e këtej…
E meqë përmenda atë shkollë të parë shqipe në Maqedoni, më habit fakti se përse tani organet shtetërore nuk pranojnë që shkollën fillore në Nistrovë ta emërtojnë me emrin e Josif Bagerit, siç po kërkojnë banorët e Fshatit dhe mësuesit e kësaj shkolle?!
Pasi mbarova studimet në Zagreb, në vitin 1967, emigrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk do t’ua them arsyet për këtë emigrim, sepse nuk dua t’u marr kohën e çmuar për të paraqitur Ju kumtesat Tuaja.
Që kur kam dalur në pension, nuk mund të përmbahem pa ardhur vit për viti në vendlindjen time, në kullën tonë në Kiçinicë, ku po qëndroj rreth 5 deri në 7 muaj në vit. Shpesh po më duket vetja si UFO, kur kushërinjve të mi po ju them se jam shqiptar! Po më duket vetja UFO edhe kur ndonjë bashkëkombësi shqiptar, me besim mysliman, po u prezantohem me emrin Branko dhe po flas me ta shqip. Ata po shfaqin habi se si është e mundur në Maqedoni të kesh emrin Branko, të thuash se je ortodoks, të flasish shqip dhe njëkohësisht të thuash se je shqiptar. Fatkeqësisht kjo po më ngjan sot e këtu, edhe pse pretendojmë të jetojmë në shoqëri të lirë, demokratike dhe multietnike…
Rrëfeva disa fragmente jetësore të Familjes sime për të shpjeguar jetën e të gjitha familjeve të shqiptarëve ortodoksë në këto hapësira, sepse ngjashmëria është tepër identike, sa i përket tjetërsimit etnik. Uroj Zoti të na i falë gjynahet, sidomos kur themi se prindërit i kishim serbë, maqedonas, turqë. Mbase është koha, në kuadër të debateve të mëdha për ridefinimin etnik të maqedonasve, të rilindin edhe shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë. Këtë ua kemi për borxh shpirtrave të prindërve tanë, ia kemi për borxh shpirtit të Josif Bagerit, i cili sakrifikoi aq shumë për të ardhmen tonë…
Uroj që Shoqata Josif Bageri të realizoj planet e saj për të ndërtuar Shtëpinë “Josif Bageri” dhe Campingun “Krist Josif Bageri” në Nistrovë. Unë nga ana ime do të ndihmoj financiarisht dhe do të angazhohem të bind miq, që të ndihmojnë për t’u realizuar këto dhe të tjera plane të Shoqatës, sepse jam i bindur se kështu do të afirmojnë personalitetet e shquara, Josif Bagerin dhe Djalin e tij, Kristin, do të përafrojnë njerëzit e etnive dhe feve të ndryshme në këtë hapësirë tonën të përbashkët.
(Fjalë përshëndetëse në simpoziumin kushtuar Josif Bagerit, me 25-26 qershor 2011 në Tetovë)