LISI I KOMBIT ARBËROR



 Vullnet Mato
 
View V.M foto ...jpg in slide show
 

LISI I KOMBIT ARBËROR 

Arëbërësit e parë të kombit Arbëror,
truallin e kishin si krahët e një shkabe,
mbi pendët brezare, një lis madhështor,
bënte hije me degët e kurorës vigane.

Lisi mbulonte dyzet male e dyzet kodra,
dyzet fusha e dyzet livadhe të blerta.
Në degët e tij, dyzet shkaba me dy koka 
ruanin arëbërësit e armatosur me heshta.

Lisi kishte rrënjë të trasha dyzet metra,
që thithnin ujë në dyzet degë të lumenjve
dhe zbrazeshin me rrëmbim në dy detra,
ku retë i kthenin te burimet e shkëmbenjve.

Nën degët e tij nënat u nanurisnin djepeve,
djem e vajza shkrepnin strallin e dashurive,
nuset ndiznin dasmat me daullet e qejfeve,
bilbilat përzienin këngët me telat e sharkive.

Luftërat, nga heshtat, te shpatat e dyfeqet,
zaptuan me gardh disa nga degët anësore.
Por lisi me rrënjët e thella të nëndheshme, 
përcolli tek të gjitha limfën e vet arbërore.

Tani, kur lisi arbëror shtriu degët në botë,
dhe thith ujëra në dhjetëra dete e oqeane,
rrënjët trashen të mbajnë thellë nën tokë,
përmasat kontinentale të kurorës gjigante.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)