2011-07-25

PSE KOSOVA U BE SHTET ?





Shkruan:Ramush TAHIRI



Pse Kosova u bë shtet në nismë të shekullit njizet e nji ? Asht kjo pyetja që shtrohet edhe si habi edhe si nji lloj mosbesimi se si në kohën e integrimeve europiane ishte e nevojshme që Kosova të shkëputej nga Jugosllavia, përkatësisht nga Serbia?Çështja e Kosovës nuk mund të kuptohet nëse nuk shihet fillimi, nëse nuk shihet koha dhe rrethanat në të cilën doli si nji çashtje e pazgjidhun ose thanë ma mirë, si nji çashtje e zgjidhun në mënyrë të padrejtë.

Në nismë të shekullit njizet, populli shqiptar u ngrit në kryengritje të përgjithëshme kundër Turqisë. Në kohën kur kryengritësit hynë në Shkup, si qendër e Vilajetit të Kosovës, vendet Ballkanike sulmuan Turqinë, jo për t’i ndihmu kryengritësit, por për të pamundsue themelimin e shtetit etnik shqiptar dhe për t’i nda tokat e tyne ndërmjet veti. Përfaqsuesit e të gjitha krahinave shqiptare u mblodhën në Vlonë dhe e shpallën pamvarësinë më 28 Naduer 1912, por Konferenca e Ambasadorve në Londër, e vjetit 1913, nuk e njohu Shqipninë si shtet në kufijt etnik, por përjashta saj la ma shumë se gjysmën e territorit dhe të popullsisë. Kryengritja shqiptare që plasi në Malësinë e Gjakovës, në Lumë e në Dibër, u shue me gjak e represalje pa mund me e ndryshue as për nji metër kufinin. Përpjekjet për liri e bashkim vazhduen edhe më 1920, edhe më 1924, në Neutralin e Junikut edhe me Lëvizjen e Kaçakëve, por pa sukses në qëllimin themelor. Edhe organizimi legal politik nëpërmjet “Xhemijetit” nuk solli ndonji rezultat…



Njiher Serbia e ma vonë edhe Jugosllavia ndërmorën gjithë arsenalin e masave për shkombëtarizim të shqiptarëve, për shpërngulje të shqiptarëve prej trojeve etnike, tue i çue në Turqi, e tue i kombinue këto masa me sjelljen e kolonëve serbë në Kosovë dhe me krijimin e vendbanimeve dhe të qytezave të reja me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike dhe të serbizim të Kosovës. Si rezultat i kësaj edhe sot pjesa dërmuese e serbëve të Kosovës kanë prejardhje kolone.



Lufta e Dytë Botnore solli bashkimin e pjesës ma të madhe të territoreve shqiptare me Shqipninë, i cili bashkim u cilësue si krijim fashist mbas përfundimit të luftës. Jugosllavia socialiste mbas vitit 1945 u zgjanue në drejtim të Italis, tue i përzanë edhe tetëqind mijë italianë, por e mbajti Kosovën tue e vazhdue zbatimin e planit të Kralit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Mbas Plenumit të Brioneve të vjetit 1966, shqiptarët e forcuen dhe u ngritën në nivel të kombësisë tue pasë një autonomi të gjanë në Kosovë, dhe tue u ba element konstitutiv i Federatës Jugosllave, e cila autonomi u hoq nga Serbia me dhunë në vjetin 1989. Kosova mbas kësaj i krijoi institucionet e veta, njiher tue i dorëzue deri në nji librezat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, mandej tue i krijue partitë e veta edhe ate ma masoviken Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe tue zgjedh Qeverinë, ministritë, Kuvendin dhe tue e krijue dhe zbatue politikën paqësore aktive, e cila i largoi përfundimisht shqiptarët dhe Kosovën prej Jugosllavisë dhe prej Serbisë.

Lufta e armatosun e popullit të Kosovës, e udhëhequn prej UÇK, solli intervenimin e NATO-s dhe vendosjen e Kosovës nën administrim ndërkombëtar me Rezolutën 1244 të 10 Qershorit të vitit 1999. Nën këtë administrim u mbajtën tri palë zgjedhje lokale dhe në nivel vendi, që dëshmuen kulturë të naltë qytetare, ndërsa edhe tetë standardet e vendosuna nga ndërkombëtarët për Kosovën u kaluen me sukses.

Bisedimet e nisuna ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përcaktimin e statusit të Kosovës nuk sollën rezultat, por Kosova pranoi Pakon e Ahtisaarit, ndërmjetësuesit ndërkombëtar për bisedimet, dhe ky ishte argument i fortë që Kosova të njihet si shtet nga shtet kryesore si SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania…menjiherë mbas shpalljes së pamvarësimit me 17 Fror 2008.
Kosova kështu u ba shteti i 193 i botës, tue u përmbyllë kështu nji çashtje e hapun ma së paku tash e nji shekull.

Mbas zaptimit të Kosovës nga Serbia, udhëheqësi i kryengritësve Isa Boletini i kishte thanë përfaqsuesit të qeverisë së Serbisë Jovanovic-Pizon se, “Serbia po ban gabim të madh. Ajo gjithmonë ka me pasë probleme me nji milion shqiptarë të mbetun brenda kufijve të saj dhe nuk ka me mujt asnjihere me i nënshtrue..”
Kur ministri i jashtëm i Italisë fashiste grofi Çano i kishte propozue monarkut të Jugosllavisë ndamjen e Shqipnisë, knezi Pavle i ishte përgjigjë: “Kam qaq shumnë shqiptarë përmbrenda territorit të mbretënisë teme dhe po mo sjellin aq shumë probleme, sa nuk kam asnji dëshirë për me e rritë numrin e tyne…”



Një diplomat anglez në agimin e shpalljes së pamvarsimit të Kosovës tha:”Askush nuk mërzitet për përmbushjen e andrrës shekullore të shqiptarëve të Kosovës për liri e pamvarësi, por unë nuk shohë asnji alternativë tjetër se si të zgjidhet kjo çashtje dhe të stabilizohet Ballkani. Gadi njiqind vjet ma përpara kryeministri anglez Grey pat deklarue se “popullit shqiptar iu ba nji e padrejtë e madhe, por ky ishte nji flijim për ruejtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan…”



Për dallim prej kombësive të tjera në ish Jugosllavi, italianëve, gjermanëve, hungarezëve… vetëm shqiptarët e realizuen me sukses projektin e vet politik dhe e krijuen shtetin e Kosovës që u pranue ndërkombëtarisht.



Me gjithë ruajtjen e idesë themelore, projekti edhe në këtë rast pësoi ndryshime thelbore. Kosova po krijohet si shtet qytetar, identiteti po krijohet si identitet shtetëror, kontrata themelore e shtetit dhe e qytetarëve asht Paketa e Ahtisaarit, dhe Kosova si rajon së bashku me vendet e tjera në të njejtën kohë me Serbinë, nëse atje shkojnë drejtë proceset demokratike, do të anëtarsohet në Bashkimin Europian.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...