2011-07-24

Liria fetare në Kosovë!

Mr. sc. Flamur Hyseni


Kufijtë e ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përcaktohen me aktet ndërkombëtare, Kushtetutën dhe ligjin për lirinë fetare. Si në aspektin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, sa i përket ushtrimit të lirisë fetare ekzistojnë një mori problemesh, jo që kjo çështje nuk është e rregulluar me aktet përkatëse, por që shpesh herë ata të cilët i ushtrojnë këto të drejta dhe liri themelore i tejkalojnë kufijtë e ushtrimit të tyre dhe bien ndesh me këto akte (lidhur me këtë shih shembullin e keqpërdorimit të lirisë së të shprehurit lidhur me lirinë fetare në Danimarkë, rastin e keqpërdorimit të figurës së profetit Muhamed, i cili ishte sulm fyes ndaj figurës së profetit. Kjo e drejtë e lirisë së të shprehurit garantohet edhe në të drejtën islame, ku Islami ua jep të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes të gjithë qytetarëve, me kusht që ajo të përdoret për përhapjen e nderit dhe të vërtetës, e jo për shtimin e të ligës dhe amoralitetit).


Liria fetare, rasti i Kosovës

Historikisht populli shqiptar në Ballkan ka qenë shembull i tolerancës ndërfetare dhe respektues i ushtrimit të lirisë fetare ndaj atyre që kanë respektuar rregullat fetare, pavarësisht se cilës fe i kanë takuar. Me të përfunduar lufta edhe shoqërinë tonë e ka përfshirë modeli i lirisë së pakufizuar (tejkalimi i kufijve të lirisë në përgjithësi dhe rrënimi i sistemit të vlerave dhe kritereve për vlera, ashtu siç është duke u keqpërdorur edhe koncepti i demokracisë si trajtë e regjimit politik, ku shoqëria jonë po funksionon sipas modelit të tejkalimit të kufijve të veprimit që i parasheh korniza ligjore) dhe në këtë drejtim po ndodhë edhe me shfrytëzimin e të drejtave dhe lirive themelore, siç është rasti i disa besimtarëve të fesë myslimane, të cilët me kërkesa euforike po tentojnë të realizojnë kërkesën e tyre për kushte më të mira për t’i kryer ritet e tyre fetare.
Në fillet e shtetndërtimit, shoqërisë kosovare fare nuk i duhet hapja e një debati i cili ka të bëjë me çështje fetare, ku ekzistojnë disa probleme, por ato fare nuk ka nevojë të rriten, sepse përpara këtyre “problemeve”, shoqëria kosovare ka një mori problemesh tjera të cilat janë më urgjente për t’u zgjidhur, sesa këto të cilat janë hapur nga një grup i caktuar i besimtarëve të fesë myslimane.


Realizimi i kërkesës në harmoni me rregullat ligjore
E drejta për të protestuar nuk është gjithmonë mjet kryesor për realizimin e qëllimeve të caktuara të ndonjë grupi, por janë mjetet tjera më paqësore dhe më demokratike për ta realizuar kërkesën për ndonjë qëllim të caktuar, ndërsa protesta (tubimi publik) është mjet i fundit që duhet përdorur për të arritur ndonjë qëllim të caktuar. Rasti i ditëve të fundit i një grupi të besimtarëve të fesë islame nuk është shembull i mirë, se si duhet filluar procesin për ta realizuar një të drejtë të tyre të caktuar, sepse protesta jo gjithmonë mund të fillojë dhe të përfundojë në mënyrë paqësore! Atëherë shtrohet pyetja, a është aq urgjente të ndërmerren hapa kaq euforik nga ky grup i besimtarëve të fesë islame, që përmes protestës t’i shprehin disa mllefe dhe nervozizma të tyre, se kinse atyre nuk po u krijohen kushte të mira nga ana e shtetit për t’i kryer ritet fetare? dhe këta e paskan zgjedhur që faljen e drekës/xhumasë ta kryejnë në rrugë dhe për një orë përmes ushtrimit të lirisë së tyre fetare ta kufizojnë lirinë e lëvizjes të tjerëve dhe të provokojnë forcat e rendit, të cilët kanë autorizime ligjore për ta ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Këtë fare nuk ua garanton Kurani (shih, Liria fetare në botën e qytetëruar konsiderohet dhe është e drejta më fondamentale e humane e çdo bashkësie a populli. Rol vendimtar për vlerësimin e lirisë së besimit në fenë islame luan ekzegjeza e normës kuranore “Në fe nuk ka detyrim (dhunë)” (El-Bekaretu: 256), Deklarata Universale për të drejtat e njeriut, Konventa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për lirinë fetare, nr. 02/L-31.

Liria fetare e garantuar me akte ndërkombëtare dhe kombëtare
Në aspektin ndërkombëtar liria fetare është e garantuar dhe e mbrojtur, por liria fetare është e rregulluar edhe me librat e shenjtë si Kurani dhe Bibla. Konventa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e miratuar në Romë, më 1950, garanton lirinë fetare dhe në dispozitat e saj përcakton: Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si edhe lirinë për të shfaqur fenë e tij ose bindjet e tij individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht, nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve, ndërsa në paragrafin e dytë thotë: Liria e shfaqjes së fesë së tij ose e bindjeve të tij nuk mund të bëhet objekt i kufizimeve të tjera nga ato që, të parashikuara me ligj, përbëjnë masat e nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shëndetit ose të moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të të tjerëve (shih Konventën për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nenin 9, paragrafi 1 dhe 2, liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë).
Ndërsa në aspektin kombëtar, shtetet demokratike lirinë fetare e kanë klasifikuar si kategori kushtetuese dhe e kanë të rregulluar me ligjin për lirinë fetare, ndërsa shprehimisht e proklamojnë se shteti është i ndarë nga feja sa i përket deklarimit zyrtar të ndonjë feje. Kushtetuta e Republikës së Kosovës këtë e përcakton: Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare (shih nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008).
Republika e Kosovës në Kushtetutën e saj e ka garantuar lirinë fetare, ku në dispozitat e saj përcakton, se: Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë, është e garantuar. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtar i një bashkësie ose grupi fetar. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj. Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë (shih nenin 38, paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës).
Po ashtu shteti është i ndarë nga feja dhe nuk përzihet në çështje fetare, edhe këtë çështje e ka rregulluar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ku shprehimisht e përcakton, se: Republika e Kosovës siguron dhe mbron autonominë fetare dhe monumentet fetare brenda territorit të saj. Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare. Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligj (shih nenin 39, paragrafët 1, 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës).


Përfundim

Prandaj, ushtrimi i lirisë fetare dhe e drejta për realizimin e kërkesës duhet të bëhet me anë të mjeteve paqësore duke respektuar ligjet në fuqi, normat etike të tubimeve publike dhe normat e tolerancës ndërfetare.
Shoqërisë kosovare fare nuk i duhet të futet në raportet e organizatave ndërkombëtare si vend i cili ka probleme fetare dhe është me probleme të lirisë fetare, por duhet të vazhdojë rrugën të cilën e ka pasur deri tani, si një vend ku nuk ka shprehje të ekstremizmave fetarë, sepse në të kundërtën rrezikojmë të futemi si shoqëri dhe si shtet i cili ka grupe ekstreme fetare të cilët kanë probleme me shtetin dhe janë faktor të destabilitetit politik. Në këtë drejtim nëse vazhdohet me shprehje mllefi dhe me veprime të pakulturuara dhe jo demokratike të cilat mund të jenë në kundërshtim me ligjin, shumë shpejt mund të radhitemi në rangun e shteteve të cilat kanë probleme të brendshme fetare (shih raportin e Komisionit të Qeverisë Amerikane për liritë fetare, i cili rekomandon që Egjipti të futet në listën e shteteve që kanë probleme fetare. Disa nga vendet ku ekzistojnë probleme të lirive fetare janë, Kina, Uzbekistani, Turkmenistani, Irani, Iraku dhe Pakistani).
Me provokim të situatës, është e pashmangshme të mos ketë ndërhyrje nga forcat e rendit publik, e kur kjo bëhet, atëherë në shoqëritë me demokraci të brishtë hapet debati shumë shpejt dhe shumë dimensional dhe mekanizmi për zgjidhjen e problemit është shumë i vështirë për t’u gjendur, ndërsa në aspektin ndërkombëtar reflekton si problem shtetëror.
A na duhen problemet fetare dhe debatet fetare në këtë kohë...?

(Autori është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...