Nga:Shkëlqim SELMANI
Pas shumë e shumë përpjekjesh, lumenjsh gjaku të derdhur, Kosova martire e fitoi pavarësinë. Gjithçka që mund të thuhet për këtë dite të lume, është e thënë, në mijëra e mijëra rreshta, në mijëra e mijëra vargje, në miliona oh-e gëzimi anë e mbanë botës. Ajo që është thënë më pak, por që i jep me shumë lavdi kësaj fitoreje të madhe, kësaj dite të madhërishme në kalendarin shqiptar e ditë të veçantë në kalendarin botëror;Eshtë se kosovaret kishin qindra vjet që luftonin për ta arritur këtë ditë.
Ata duhet ta kishin fituar të paktën që prej 1878–s, por Fuqia Madhore dhe ato tokësore nuk ishin me ta. Në 1913, aktorët politikë të asaj kohe i përdorën trojet shqiptare si plaçkë tregu dhe Kosovën e aneksuan nën Serbi. LPB nuk solli ndonjë të mirë për Kosovën; ndërsa pas LDB, ajo u tradhtua dhe i mbeti Jugosllavisë së Titos. Demonstratat e vitit 1981 shpërthyen vullkanin patriotikë të shqiptarëve të Kosovës dhe prej asaj dite nuk reshtën përpjekjet e dukshme e të padukshme për republikë e pavarësi. Dalja në skenë e Sllobodan Milosheviçit, këtij donkishoti tragjik i kohëve moderne, këtij nacional-komunisti gjakatar, ishte një “dhuratë nga qielli” për kombet e ish-Jugosllavisë dhe për Kosoven veçanërisht. Ai mori në dorë pushtetin dhe vendosi ta shkatërrojë Jugosllavinë. Mund ta bënte këtë paqësisht dhe të ngelej hero i rajonit ballkanik, por çmendia dhe deliri nacionalist e shtynë në të kundërtën.
Brirët, së pari, i nxori në 1989, në fjalimin e tij barbar nacionalist në Fushë–Kosovë, aty ku ishte zhvilluar beteja historike e vitit 1389, ku serbët dhe aleatët e tyre, në një betejë të përgjakshme me ushtrinë e perandorisë osmane, për fat të keq, kishin humbur. Vini re: kishin humbur dhe çuditërisht, serbët, këtë ditë e festojnë edhe sot si festë kombëtare?! Është njësoj sikur Shqipëria të ketë feste kombëtare 7 prillin. Në atë fjalim, Milosheviçi sanksionoi edhe heqjen e atyre pak të drejtave që gëzonin shqiptarët e Kosovës nga regjimi i Titos. Në atë fjalim, Milosheviçi përhapi edhe delirin e çmendurisë ndër serbët e thjeshtë, duke u garantuar atyre mbrojtje e duke i quajtur racë e fortë dhe e zgjedhur. Ai i parapërgatiti serbët për luftë. Luftën kërkoi dhe në fund luftën e gjeti. Me Millosheviçin filloi dhe shpërbërja e Jugosllavisë.
Nëse ka ndonjë meritë, ai këtë e ka. Viktimat e kësaj lufte të marrë arritën rreth 200.000 të vdekur, qindra-mijëra të plagosur, mijëra të dhunuar në mënyra të përbindshme. E përse? Sepse serbi Millosheviç nuk mund të firmoste shpërbërje paqësisht të ish-Jugosllavisë komuniste, se serbi Milosheviç kërkonte me luftë Serbinë e Madhe, në kundërshtim me të drejtën e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, kosovarëve etj., se serbi Millosheviç nuk donte të ngelej në histori si nobelist i paqes, por si gjakatar e barbar. Dhe ku arriti? Të gjithë e dimë: Në Hagë si kriminel lufte. E ç’të mirë u solli serbëve dhe Serbisë? Intervenimin e NATO–s, luftën brenda në Serbi, kapitullimin e shkatërrimin material e moral të një kombi, jo pa vlera dhe jo të parëndësishme. Por për fat të keq të Ballkanit, Evropës e botës, një pjesë e serbëve, janë të engramuar në tru dhe nuk po e kuptojnë këtë, ata janë të verbuar nga disa pak udhëheqës nacionalistë ekstremë dhe nuk po e shikojnë si duhet këtë. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe udhëheqësit pas-millosheviçianë, e kanë humbur ekuilibrin.
Nuk po dinë se ç’bëjnë. Ata lëkunden midis Rusisë të rikthyer në konceptet megallomane mesjetare dhe Evropës demokratike, midis nacionalizmit primitive (e drejta me të fortit) dhe kuptimit prej tyre të së drejtës elementare të popujve, për të mos qenë më të kolonizuar nga ata, midis egos sllave të sëmurë dhe integrimit evropian. Në këtë lëkundje ata nuk po e gjejnë dot drejtpeshimin. Duke mos e gjetur drejtpeshimin, Koshtunica, Nikolic, prifti Artemije e të tjerë po kthehen në faktorë destabilizimi në rajon. Ata po luajnë rrezikshëm. Protestat e zhvilluara në Beograd, Mitrovicë e në vende të tjera po e tregojnë qartë këtë. Protestat po degjenerojnë në veprime të dhunshme të kryera më së shumti nga huliganë. Por Serbia ka ende kohë ta kuptojë se ajo nuk mund dhe nuk duhet të zhvillojë përsëri luftëra me kombe të tjerë.
Ç’kishte për të bërë e bëri turpësisht me Millosheviçin. I ka ngelë të kërkojë falje për atë që ka bërë. Kjo do ta çlirojë nga engramat dhe verbimi nacionalist. E vetmja luftë që i ka ngelë ende pa bërë Serbisë, është lufta me vetveten. Kjo është edhe lufta më e vështirë. Po e fitoi këtë luftë Serbia, do t’i bëjë shërbimin më të çmuar, në radhë të parë popullit të saj, e rrjedhimisht Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Po nuk e fitoi dot këtë luftë të vështirë, më të vështirën, atë me vetveten, Serbisë do t’i duhet përsëri të luftojë, në fushën e saj, në portën e saj, përsëri me veten e saj, por këtë herë duke vrarë veten. A ka mendje në Serbi që e kuptojnë këtë? Sigurisht që ka, por presin të pushojë tufani nacionalist.