2011-07-25

Partiotet patriote







Nga:Armir SHKURTI



Në një prej fabulave të tij, Lafonteni tregon sesi miza u ngjitet gjashtë kuajve që tërheqin karrocën nëpër vapë, në një udhë mali. Shpo njërin e gudulis tjetrin, miza mendon se e shtyn ajo karrocën përpara. Ky imazhi i mizës ka nja ca muaj që më vërtitet, sa herë shoh mundimin e madh të politikës sonë për zgjidhjen e halleve të Kosovës. Në krizën e Presidentit, verën e vjetshme, gati sa nuk quhej tradhti ideja e zgjedhjeve të parakohshme, që do t‘i prishnin punë Kosovës.
Më vonë, kur gjithë vjeshtën e gjysmën e dimrit i gjithë vendi nuk kishte korrent, askush nuk mori mundimin të lëvizte, se mos i prishte punë Kosovës. Në këto ditët e hipjes së madhe të bukës, korrentit, vajit e perimeve sërish nuk pipëtiu shqiptari i këtuhit për të mos i prishur punë vëllait kosovar, megjithëse karrocën e pavarësisë në çdo çast e tërhiqnin kuaj të tjerë. Se ç‘është gjithë ky pasion patriotik e kupton lehtësisht, nëse mban parasysh që damkosja më shkatërruese për një shqiptar është emërtimi si “agjent serb”.



Duke qenë se për çdo kundërshti, protestë, mor edhe acarim të vogël, menjëherë fajtorit do t‘i vihej në dukje se po i prishte punë Kosovës, dhe duke qenë se po t‘i prishësh punë Kosovës i rregullon punë Serbisë, atëherë del se je agjent serb! E kujt ia mban me këtë argumentim të luaj bishtin? Aq i fortë paska qenë ky kompleks, sa më 17 shkurtin e 2008-ës ekstaza mëmëdhetare u shpreh në format më të çakërrdisura të mundshme. Për shembull: megjithëse atë ditë të binin veshët në tokë nga ngrica, Bashkia e Tiranës shpalli shëtitjen e lirisë, duke vendosur nën shtetrrethim gjithë zonën brenda unazës së kryeqytetit, a thua se zhvillohej maratona e Nju Jorkut e nuk mjaftonte bulevardi ku jetë e mot tiranasit kanë shëtitur, si në liri, ashtu edhe në robëri. Po kaq komik u duk edhe Kuvendi që pa në mënyrë të organizuar në televizor atë që po ndodhte në Prishtinë. Edhe këtu, frika se mos merrej për ters mungesa, bëri që të mungonin vetëm ata që shkuan pa leje në Kosovë.



Madje, patriotizmi dhe përkushtimi për Kosovën mbeten ndër të vetmet pika, ku të gjitha krahët kanë qenë të gatshme të punojnë, bashkëpunojnë, votojnë e deklarojnë se janë kurdoherë të bashkuar e në një mendje. Le të kujtojmë se gjatë luftës së ‘99-ës, kur Maqedonia priti gjithë-gjithë nja njëzetmijë refugjatë, kërkoi menjëherë nga bota dhe aleatët ndihmë ekonomike. Ndërsa ne pritëm e strehuam me forcat tona, gjysmë milioni vëllezër dhe nuk kërkuam asnjë qindarkë, sepse qe turp… Këto javët e fundit, BE iu lut Serbisë ta fusë në gjirin e saj, me kusht që të heqë dorë nga Kosova, ndërsa ne, në asnjë rast e asnjë rrethanë nuk kemi hyrë ndonjëherë në pazar. Kjo, jo vetëm se gjithnjë kemi pasur çelësat e kashtës, por edhe nga patriotizmi. Nëse ky është patriotizëm…



Ndaj, në një farë mënyre, ne nuk iu gëzuam thjesht pavarësisë së Kosovës nga Serbia, por edhe të Shqipërisë nga Kosova e anasjelltas, pasi historia ka treguar që në çastet më të vështira për Kosovën ne kemi rrënuar vetveten, duke i prishur punë njëri-tjetrit. Tani që ky kapitull u mbyll, ku do ta çojmë gjithë këtë vlagë atdhetarie? Mbase tepron ca edhe për ne këtej? Jo për gjë, por kur të majtë e të djathtë bëhen grusht për shqiptarët matanë, a nuk është patriotizëm edhe çështja e shqiptarëve të këtushëm? Ka mjaftuar një gjysmë dite për pakte, deklarata e rezoluta për Kosovën në Kuvendin tonë, ndërkohë që nuk na kanë dalë 18 vite për ca pakte të thjeshta që, në mos i japin fund lëngatës, të paktën na lehtësojnë ca dhimbje e vuajtje. Për shembull, nëse politikanët tanë patriotë bien dakord që të mos e trazojnë administratën sa herë fitojnë zgjedhjet dhe që në zyrat e shtetit të punojnë vetëm të aftë, atëherë jo vetëm që rruga për në Evropë është më e shkurtër, por edhe mëmëdheu, në mos do bëhet bahçe me lule, të paktën s‘do mbetej kaq djerrinë sa sot. Apo, sikur të bëheshin bashkë e të regjistronin saktë shtetasit e këtij vendi, pastaj t‘u jepnin nga një kartë identiteti, siç jepej më parë sa mbushje të gjashtëmbëdhjetat, sot mbase zgjedhjet mund të qenë më të ndershme dhe ne mund të lëviznim më lirshëm në BE.



Pa shumë gjak e sakrifica, patriotët tanë mund të bënin edhe një pakt për mbylljen e tetëmbëdhjetë viteve tranzicion, akt patriotik ky që sjell më pas stabilitet e zhvillim. Më shkoqur: Bollëk e mbrothtësi. Se nuk ka ngelur shqiptar pa shfryrë nëpër kafene ndaj bashkatdhetarëve tanë që kanë ndërruar fe e emër në Greqi. Mirëpo, siç thotë Uilljam O‘Henri, “dashuria, puna, familja, feja, arti, patriotizmi janë llafe në erë për dikë që vdes urie”. Dhe bëhen nja një milion e gjysmë këta që skamja i ka vërvitur nëpër botë në dy dekadat e fundit dhe po aq që, po t‘u jepet rasti të lënë hijen pa një pa dy. Pra për t‘i rënë shkurt, ka një çështje shqiptare edhe këtu në Shqipëri. Patriotizëm është të bashkëpunosh edhe për të, aq më shumë që për të nuk ka më kuaj të botës për ta tërhequr.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...