SI I ZBULOI SHOKËT DHE KUNDËRSHTARËT E TIJ BRENDA UDB-së, "UDBASHI" NAFI ÇEGRANI ?


Prej armiqve, nuk kemi pritur kurrë se do ta bashkojnë Shqipërinë. Por, muk kemi pritur kurrë as prej “patriotëve” shqiptarë se do ta copëtojnë kësisoji Shqipërinë tonë të dashur dhe popullin fisnik shqiptar. 
Tafil Duraku
Libri i autorit Nafi Çegrani, “Ballë për ballë me vdekjen, 1”, botuar nga Shtëpia Botuese “KOHA”, Tiranë, 2000, ndahet në katër pjesë, dhe, ka dhjetëra kapituj. Është një libër dëshmi për grupet rivale (fraksionet) “shqiptare” brenda Shërbimit Sekret të Shtetit (UDB-së jugosllave) dhe si i tillë përbën brumin e lëndës për hapjen e dosjeve të komunistëve të kuqë jugosllavë “shqiptaro”-titistë. Dhe, në këtë pikëpamje nuk është dhe nuk ofron brum për seleksionim partiak e grupor të individëve të caktuar, por shërben për një bazë më të gjerë, të mbështetur në fakte, dhe nuk jep asnjë shkas për përmendjen e tyre në mënyrë selektive. Vetë kapitulli, në pjesën e dytë të librit: SI U BËRA AGJENT SEKRET I SHSSH-së (UDB-ës) ?, tregon qartë sinqeritetin e autorit dhe qasjen e tij parimore ndaj njerëzve që i kanë shërbyer dhe nuk kanë pushuar së shërbyeri atij shërbimi monstruoz antishqiptar. 

Qasja selektive, në raste të tilla, është një qasje joparimore e çështjes së koklavitur për emrat më të pështirë “shqiptarë” (prej “burrave të mirë” e “patriotësh” të përjetshëm “shqiptarë”) që i kanë shërbyer UDB-së. Por, pyetja që do ta shtrojmë këtu është: Mos gabojmë rëndë nëse bëjmë selektime negative, duke e shpallur dikë udbashë, që vërtetë ka qenë udbashë, dhe kur e fshehim tjetrin që ka qenë edhe më udbashë sesa ai që ia paraqesim opinionit për të tillë. Studiuar hollësisht, në mënyrë parimore dhe shkencore librin e autorit Nafi Çegrani, kemi brumë të mjaftueshëm për kërkimshpalimin e dosjeve të shërbëtorëve të përbetuar “shqiptarë” të Titos, të cilët i kanë duart e zhytura në krime monstruoze kundër shqiptarëve, duke filluar nga krimet politike, fizike, kulturore, juridike, ekonomike, etj., të cilat krime janë më të rënda dhe më të dënueshme sesa ekzekutimet dhe burgosjet e njerëzve, sepse, pikërisht, janë ata e këta që bënë e po bëjnë që populli shqiptar dhe intelegjenca e tij të jenë e të jetojnë ende në burgun kolektiv, të quajtur Kosovë. 
Autori i librit në fjalë, ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme, ose me vetëdije të plotë, ka publikuar një tablo të gjerë fraksionesh dhe fraksionistësh të UDB-së, brenda vetë UDB-së jugosllave, asaj krijese të zezë e monstruoze antishqiptare, e cila ka qenë e përbërë prej vetë “patriotëve” më të mëdhenj “shqiptarë” e prej “burrave të mirë”, të cilët i zë ngoje dhe i paraqet me plotë të drejtë edhe autori i librit ““Ballë për ballë me vdekjen, 1”, por, mendomjë, se libri i autorit Nafi Çegrani duhet vështruar e shikuar shumanshëm, me një qasje racionale e shumëdimensionale dhe të paselektuar individësh që kanë përbërë atë shëmturë antishqiptare siç ishte UDB-a jugosllave dhe argatët e saj “shqiptarë”, “patriotë” – dje e sot. 
Nuk duhet ta harrojmë assesi faktin se autori i librit në fjalë ka zbuluar edhe shokët, bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij brenda UDB-së jugosllave, në një anë, dhe, kundërshtarët e tij po brenda UDB-së “shqiptare” të “shqiptaro”-titistëve të kuqë jugosllavë. Dhe, libri i tij është një dëshmi e pakontestueshme që qet në shesh të dy krahët “shqiptarë” të UDB-së – shokët dhe kundërshtarët e vet, si dhe fraksionet e tjera, me emra e mbiemra të plotë, me nofka dhe shifra, të cilat duhet zbardhur pa humbur kohë vetë autori dhe shqiptarët e tjerë që e ndiejnë veten dhe janë shqiptarë të vërtetë. Dhe, këtu, për ta vërtetuar qëndrimin e z. Nafi Çegrani, duhet ta dimë vetëm një të vërtetë të madhe dhe të pakontestueshme: Asnjë person, kur është fjala për shqiptarët, nuk ka mundur të jetë as ‘polar’ katundi, pa qenë më parë agjent që i është shitur UDB-së falas, apo, edhe me pagë, e lëre më që ka mundur të gëzojë pozita tjera të larta shetëtrore jugosllave, qoftë në ndërmarrje të ndryshme, qoftë në detyra të larta shtetërore e federative, e, sidomos, në krye të mjeteve të informimit publik dhe në institucionet tjera mësimdhënëse. 
Të shkojmë radhazi. Që në dy-tri fjlaët e redaktorit të librit, në fillim të tij, shihet gënjeshtra publike e një udbashi tjetër të rafinuar, me emrin Ali Llunji, kur thotë, citojmë: “në fillim të prillit të vitit 1999 Kosova vazhdonte të diegjej në flakë”, etj., nuk është fare e vërtetë, sepse, Drenishta (Drenica) dhe Dukagjini, që ishin dhe janë gjaku dhe zemra shqiptare e Kosovës, u dogjën edhe në fillimvitin 1997 e 1998, e, edhe dhjetë vjetë para lufte. Kjo, pra, e dëshmon gënjeshtrën e parë të redaktorit të librit, se vetëm kur u dogj Gjakova, u dogj e tërë Kosova, sepse, sipas tij, Drenishta dhe Dukagjini nuk ishin as janë Kosovë dhe as tokë e pushtuar shqiptare(Sic!)... 

– “Nafi Çegrani e bëri të tijën. Ai u paraqit para lexuesve më i hapur se çdoherë tjetër. Kjo është meritë e librit. Nga kjo përfiton më tepër e vërteta”, përfundon recensuesi Abdi Baleta, në fund të parathënies së bërë prej tij. Dhe, ashtu është. Ndërkaq, autori, në prologun e tij, thotë: “Ky libër është fryt i vuajtjeve të gjatë shumëvjeçare, si njeri i pafajshëm nëpër burgjet famëkëqija të Jugosllavisë së shpërbërë. Që atëherë u betova se do ta shkruaj një pjesë të kujtimeve të hidhura... procesin e montuar në Zenicë të Bosnjës...”, pa dashur të ndalemi më gjatë në biografinë e tij të pasur dhe, veçanërisht, të shumëpasuruar me shokët dhe kundërshtarët e tij, udbashë e kryeudbashë “shqiptarë”... 

Autori Nafi Çegrani, në librin e tij, që meriton të jetë kornizë kombëtare, përshkruan në hollësi, duke ua mbajtur anën “patriotëve shqiptarë” brenda radhëve të UDB-së, të cilët bëheshin copë e grimë mesvete, për të gëzuar poste e privilegje nga më “shqiptaret”... Ai flet për Adem Gajtanin, Ali Sutajn, Teki Dervishin, etj. dhe për lidhjet, konfliktet dhe “miqësitë” e tyre me Ali Aliun, Jusuf Buxhovin, Mustafa Xhemailin, Mehmet Krajën... Nafi Çegrani, nuk kishte bërë asgjë tjetër, vetëm se kishte shkuar hapave të paraardhësve të tij udbashë e “burra të mirë shqiptarë”, kur thotë: “Atëbotë u njoha me disa gazetarë nga Prishtina e Shkupi, si me Ali Sutajn, Abdyl Bunjakun, Rexhep Zllatkun, Adem Gajtanin, Rrustem Berishën, Jusuf Ferizin, Nehat Islamin, Maksut Shehun, Sanije Kushevicën, Daut Demakun, Fejzi Bojkun etj” (fq. 50). 

Mandej, në fq. 91 të librit, autori Nafi Çegrani, shkruan: “Është interesant fakti se Nako Spirua në atë kohë qe bashkuar me jugosllavët, në kohën kur Rankoviqi e kishte nën mbikëqyrje tërë situatën dhe politikën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, derisa Mehmet Shehu i shkruante letër Dushan Mugoshës, Koçi Xoxe i raportonte Rankoviqit, kurse Fadil Hoxha dhe ca të tjerë nga Kosova, me direktiva të Beogradit, lansonin dhe plasonin (dez)informata tek Enveri.” “...ata e gëzonin edhe përkrahjen e UDB-s, e cila lansonte dezinformata të ndryshme me qëllim që të fuste huti e të shkaktonte konflikte në mesin e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë...” (fq. 94). 

Këto, pra, janë të dhëna dhe dëshmi (nga njeriu i UDB-së) që të japin të kuptosh shumë nga intrigat e shërbimeve sekrete antishqiptare dhe antiShqipëri, të cilave u (para)prinin “burrat e mirë” dhe “patriotët” e njohur të “kulturës”, të “shkencës” e të ‘gazetarisë’ “kosovare”... Autori ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme të udbashëve “shqiptaro”-titistë dhe zabtonte në jetë këshillat që atij ia jepte Rexhep Zllatku (fq. 107) “...Një punë e këtillë kurrë nuk i pëlqente regjimit komunist, bile as atëherë kur shqiptari shkruante një poezi..., siç vepronin me vite të tëra në Maqedoni, Kosovë e gjetiu Murat Isaku, Alush Kamberi, Abdylazis Islami, Nexhat Pustina, Ibrahim Veliu, Fehim Reçani, Sefer Selimi, Rexhep Zllatku, Nehat Islami, Jusuf Ferizi, Ali Sutaj, Gani Bobi, Daut Demaku, Veli Veliu, Jonuz Fetahaj, Teki Dërvishi, Xhevat Gega, Halil Zendeli, Resul Shabani, Rrustem Berisha, Ali Demë Jasiqi, Vahit Nasufi, Nexhmedin Soba, Jusuf Gërvalla, Nexhat Kita dhe të tjerë...” E, pse të mos gjykojmë edhe ne këtu, drejt, se shumica prej tyre qenë dhe janë shokë e miq të udbashit Nafi Çegrani, si dhe kundërshtarë të tij, i cili sikur don t’i rehabilitojë disa, sidomos, ata që kanë qenë dhe mbetën ndër farketuesit më të mëdhenj të “bashkim-vëllazërimit” me jugosllavët, prandaj, shpikën “shtetin kosovar”, etj., e, që dmth., dolën në taborrin që ishin gjithmonë, në taborrin antishqiptar dhe antiShqipëri të Titës e të Titicës... 
Autori, më tej shkruan: “Në krye të shërbimeve të tilla delikate (të UDB-së, pra, vër. imja, T. D.) vendoseshin njerëz të çoroditur, psikopatë e degjenerikë, të cilët krijonin me veprimtaritë e tyre të errëta drama të tmerrshme të përgjakura, thyenin koka dhe dëshira njerëzish, shuanin vatra e familje. Njerëz të tillë, psikopatë, për shembull, në Shqipërinë moniste ishin Mehmet Shehu, Feçor Shehu, Kadri Hazbiu e të tjerët, të cilët, prej se u pushkatua Koçi Xoxe e deri me vdekjen e Envr Hoxhës, vetëm arrestonin, internonin, pushkatonin, dënonin me vdekje, ua vinin litarin në qafë, ose i mbushnin kampet dhe burgjet me të mjerë fatzinj...” (fq. 115-116). 

Dhe, vazhdon më tej autori: “Aty mësova shumë gjëra për autorin (“autorin”, vër. imja, T. D.) e romanit “Tradhtia” të Kapllan Resulit, i cili me instruksione të UDB-së u transferua... në Maqedoni..., që mandej nga burgu i Idrizovës, sërish me instruksione të UDB-ës, hidhet në Shqipëri...” (fq. 188-119). “...Nga dokumentet e dosjeve sekrete, mësova gjithashtu se në listën e gjatë të bashkëpunëtorëve dhe të agjentëve të UDB-së kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, disa prej të cilëve u bënë edhe viktimë e saj. Mirëpo, viktimë s’janë Muamer Vishko, Halit Tërnavci, Fadil Ramadani i Çajles, Latif Kurti, Muhamet Sherifi etj. ... Shembull: Ismail Kadareja, Ali Aliu, Adem Gajtani, Jusuf Buxhovi, Alush Kamberi, Milaim Latifi, Adem Demaçi, Bahri Brisku, Kapllan Resuli, Nuhi Vinca, Ferit Fejzullahu, Shaip Mehmeti, Rrahim Ganiu, Murat Isaku me grupin e Sadudin Gjurës, Naxhi Ahmeti, Nexhbedin Soba, Nexhat Idrizi dhe shumë të tjerë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.” (fq. 127). 

Nuk janë vetëm këto që përmendëm më lart bazament i fortë për ndriçimin e plotë të dosjeve të UDB-së jugosllave dhe të UDB-ashëve “shqiptaro”-titistë të viseve të pushtuara shqiptare në ish-Jugosllavi. ...”Nga burime të sakta e të sigurta do të zbulojmë po ashtu për herë të parë të vërtetën për vrasjen e Jusuf Gërvallës, të vëllait Bardhoshit dhe të Kadri Zekës, në të cilin kishin gisht, mjerisht, edhe disa intelektualë shqiptarë... Ditën kritike, ndërmjetësues të kontaktit ishin një shqiptar nga Dibra dhe një shofer serbomalazias, kurse Ramazan Alezovski dhe njëfarë Zenku nga Arangjelli i Kërçovës ishin pjesëmarrës të këtij akti mizor, të cilin me automatikë e kryen dy persona nga Kosova, dosjet e të cilëve i mban Beogradi e të cilët pastaj, sipas planit, u zhdukën dhe u strehuan në ambasadën jugosllave në Bon të Gjermanisë, nën ombrellën e Bashkim Hisarit dhe të Jusuf Buxhovit, i cili disa ditë para atentatit, meqë kishte dijeni, sipas instruksioneve të Beogradit shkoi në Prishtinë, që të evitohej dyshimi se ka pasur gisht në këtë akt shtazarak.”... “Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin Mehmet Shoshi, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi e Selim Brosha, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si Maksut Shehu, Fadil Bujari, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Jusuf Buxhovi, ndërsa në Televizionin e Prishtinës Riza Alaj, Fahredin Gunga, Agim Zatriqi, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj. (fq. 128-132) 

... “Me instruksione të veçanta e perfide të SDB-së jugosllave, Sinan Hasani pas viti 1981 shkroi librin konfuz “Kosova – të vërtetat dhe mashtrimet”, të cilën e botoi “Rilindja” e Prishtinës me redaktor Nazmi Rrahmani dhe recensues Rrahman Dedajn dhe ca serbë. Ky libër zatën edhe paraqet qartazi karakterin e tyre antishqiptar dhe të ndyrë.” ... (fq. 136)... “Sipas instruksioneve të SHSH-së, bashkëpunëtori “Pravnik” mbante në lidhje sistematike Vait Eminin, Murat Isakun, Nurije Rushiti-Selimin, Menduh Ajdinin, Abdullah Kalishtin etj.” ... “objektivisht, për Kadarenë ekzistonin tri dosje: një e Shërbimit të Kundërzbulimit në Beograd dhe dy dosje të tjera gati identike, njëra në Shkup e tjetra në Prishtinë...” ... “kur është fjala për personalitete e intelektualë shqiptarë, qofshin ata nga letërsia, diplomacia, gazetaria e publicistika, nga kultura e arsimi, ka edhe të tjerë me nga dy e tri dosje, si p.sh. Ali Aliu, Mehmet Kraja, Kapllan Resuli, Jusuf Buxhovi, Riza Alaj, Fahredin Gunga, Avni Spahiu, Murat Isaku, Luan Starova, Teki Dërvishi, Hasan Kaleshi, Ali Hadri, Idriz Ajeti, Sami Repishti, Ernest Koliqi, Zef Oroshi, Namik Resuli, Ekrem Kryeziu, Shukri Rahimi, Masar Kodra dhe një pyll i tërë intelektualësh shqiptarë...”(fq. 138-143) 

Autori, në këtë libër të qëlluar, edhe pse shumë të vonuar, thotë: “Le të mbetet kjo edhe një dëshmi si ajo e Milan Kunderës apo ajo e Çernishevskit dhe Sollxhenicinit për t’ua hequr maskat spiunëve shqiptarë për të mirën e kombit e të brezave që vijnë...” ... (fq. 144-151)... 

Nga sa po shohim qartë, nga njeriu kompetent, i cili ka pasur qasje në dosjet sekrete të UDB-së, vërejmë qartazi dy krahët e UDB-së “shqiptare” të “burrave të mirë”, të cilët, fatkeqësisht, janë një ushtri e tërë, e cila ende po përpiqet pamëshirshëm ta gjunjëzoi dhe ta përdhosë përfundimisht luftën më të lavdishme shqiptare deri në ditët e sotme, luftën e UÇK-së shqiptare, betimin e luftëtarëve të saj për LIRI e për SHQIPËRI dhe vlerat fundamentale të saj dhe të Kombit e të Shtetit Shqiptar për të qenë NJË. Populli shqiptar dhe UÇK-ja, po satanizohen dhe po e pësojnë kësisoji, pikërisht, prej ushtrive të organizuara të “patriotëve” dhe prej “burrave të mirë” të UDB-së, prej udbashëve të rafinuar shqiptarë, prandaj, libri i autorit Nafi Çegrani, “Ballë për ballë me vdekjen, 1” shërben në shkallë të mjaftueshme për hapjen e dosjeve kundër komunistëve të kuqë jugosllavë “shqiptaro”-titistë, të cilët bënë dhe po bëjnë krime (edhe sot) në kurriz të popullit shqiptar dhe në kurriz të intelegjencës së tij. Prandaj, vetëm me hapjen e plotë të dosjeve, në mënyrë parimore, pa asnjë përjashtim, do t’u shërbejmë shumë brezave tanë të ardhshëm, ardhmërisë së tyre dhe ardhmërisë së ndritur të Kombit e të Atdheut Shqiptar.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)