Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
Njerëzit minimalë
Në një debat të para disa ditëve në njërën nga mediet Kosovare për herë të parë e dëgjova termin ‘Islam minimal’ dhe u stepa nga imagjinata dhe funksionalizimi marramendës i kundërshtarëve të lirisë dhe këmbëngulësve të indoktrinuar nga kompleksi i inferioritetit. Në këtë vazhdë, gazetarë të tjerë, bile edhe pjesëtarë të së ashtuquajturës klasë intelektuale nuk kanë reshtur ditëve të fundit ta quajnë Xhaminë e cila u kërkua me protesta kohëve të fundit, si Xhamia e Fuadit, duke aluduar me metoda të ulëta në Fuad Ramiqin! Bile nuk u kursyen edhe duke përdorur insinuata, thashetheme, fjalë çajtoresh e kafeve të rakisë sa nuk i përthekon dot imagjinata e një njeriu të shëndoshë. ‘U kënaqëm’ turfulluan ndër hundë të tillët në stilin e personazhit të dramës “14 vjeç dhëndër’ që kënaqet kur ka thashetheme, konflikte dhe grindje të sajuara midis njerëzve. Duke iu kthyer debatit të përmendur në fillim, sipas teorisë së ‘Islamit minimal’ Kosova nuk paskësh nevojë për shqiptarë praktikues të Islamit por ka nevoje për shqiptarë myslimanë të cilët vetëm shprehimisht janë të tillë. Më në fund, u tha troç ajo që është ujdisur, zbukuruar e kurdisur me vite të tëra kundër shqiptarëve myslimanë. Ata duan shqiptarë të cilët e festojnë dy herë në vit Bajramin, të cilët nuk mërziten nëse iu cenohet e drejta për të besuar lirshëm, të cilët nuk bëzajnë nëse nën trysninë e një kërkese të paqenë që gjoja na vjen prej Perëndimit duhet të konvertohen kulturalisht në ‘fenë e të parëve’, të cilët pranojnë në unison gjithçka që u serviret, pa çka nëse kjo gjithçka e dhunon atë me të cilën jetojnë, kanë jetuar prindërit e tyre dhe kanë krijuar histori stërgjyshërit e tyre. Perëndimi kurrë nuk e kishte parë pengesë qenien Islame të shqiptarëve. Bile, që të dy presidentët e kaluar, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush e kanë potencuar në mënyrë eksplicite faktin e ekzistencës së shumicës myslimane tek shqiptarët dhe e kanë vlerësuar këtë.
Për fat të keq kërkesa për ndërtimin e një Xhamie në pjesën e re të Prishtinës ku nuk ka asnjë xhami është keqpërdorur në mënyrën më të vrazhdë nga një pjesë e intelektualëve dhe medies. Duke qenë që në esencë kjo kërkesë nuk mund të rrëzohet me asnjë argumentim të shëndoshë valid, ka pasur tendenca që duke e personalizuar kërkesën për xhami me një person të vetëm, në këtë rast me Fuad Ramiqin, të sigurohet linçimi më i lehtë i saj. Argumentimi i vetëm i disa medieve në mbështetje të këtyre thashethemeve ishte autori nga SHBA-ja, Shtefan Shvarc, i cili në një artikull të tij të para disa muajsh e ka cilësuar Fuad Ramiqin si të ndërlidhur me Hamasin dhe Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit. Autorë të tjerë si Bajrush Morina, Halil Matoshi, Flaka Surroi e të tjerë vetëm e kanë kopjuar në mënyrë të keqe tezën e tij pompoze. Fillimisht, duhet theksuar se Shtefan Shvarcin askush nuk e merr seriozisht në SHBA dhe të gjithë e dinë për militant të qarqeve më ekstreme izraelite kundër të drejtave të palestinezëve. Madje nga ai janë të distancuar edhe numri më i madh i hebrenjve liberalë. Në sytë e Shvarcin të gjithë myslimanët përveç sufinjëve janë ekstremistë, fundamentalistë dhe çfarëdo aktiviteti i tyre politik, kulturor dhe aktiv në jetën publike është fanatizëm. Është jashtë çdo dyshimi se përdorimi i shkrimeve të tij në konotacionin kosovar dhe shqiptar është mënyra më e keqe për të dokumentuar diçka. Shvarci nuk ka njohuri themelore për shqiptarët e aq më pak për relacionet fetare tek ta. Ai ka bërë në vazhdimësi në shkrimet e tij gafa marramendëse të cilat ia heqin të drejtën e autoritetit në fushën e Islamit Kosovar. Për shembull në vitin 1999 në një shkrim të tij pas një turi të tij nëpër Ballkan të financuar nga një organizatë katolike ai pohonte se në Kosovë jetojnë mbi 15 % katolikë shqiptarë, në kohën që të gjithë e dinë se kjo përqindje nuk e kalon 3 përqindëshin bashkë me të gjithë laramanët dhe të konvertuarit e viteve të fundit. Fatkeqësisht shkrimet e Shvarcit janë përdorur këto ditë si libër i shenjtë kundër një personi të vetëm nga kërkuesit e xhamisë në Prishtinë për të vërtetuar se kjo lëvizje na qenkësh e lidhur me Hamasin dhe ekstremiste. Pikë së pari, kërkesa për xhami nuk është e Fuad Ramiqit, ai është vetëm njëri nga kërkuesit dhe çfarëdo tentimi për të kanalizuar kërkesën legjitime me individë është e padobishme, e ulët dhe joreale. Kjo është kërkesë e të rinjve shqiptarë myslimanë, e besimtarëve në rritje midis intelektualëve në Prishtinë të cilët me vite të tëra janë përballur me mungesën e hapësirës së përshtatshme. Ndërtimi i xhamisë nuk është as punë inati, as kundër katedrales dhe as për hir të një personi të vetëm. Në vend që mediet të vërtetonin se njëmend shqiptarët e Prishtinës kanë nevojë për një xhami në pjesën e re të qytetit ku nuk ka asnjë xhami, disa prej tyre janë marrë në mënyrën më të egër me satanizimin e kërkesës. Xhamia nuk është vetëm e Fuadit, por është edhe e imja, është e mijëra besimtarëve të Prishtinës të cilët e kanë kërkuar këtë në vazhdimësi qe gati 12 vite.
Ku është Kisha Katolike?
Me keqardhje duhet thënë se Kisha Katolike e Kosovës nuk e ka kryer rolin e saj në gjithë këtë mesele, kushedi për çfarë arsyesh, apo ndoshta asaj i konvenon një Islam minimal në Kosovë në mënyrë që ta ketë më të lehtë fushatën e konvertimit kulturor, siç e quante me një rast një përfaqësues i saj.
Këto ditë Kisha Katolike e Kosovës e ka lëshuar një deklaratë e cila në shikim të parë nuk ka asgjë përmbajtjesore, sepse nuk flet direkt për kurrgjë, por kur lexohet midis rreshtash nis e sheh shumë të pavërteta, josinqeritet dhe mosakordim me gjendjen reale në Kosovë, me aspiratat e Kosovës dhe me mirëqenien e njerëzve të Kosovës drejt të së ardhmes. Në mjediset e letrave shqipe duket sikur ekziston një frikë e kultivuar për të kritikuar Kishën Katolike të Kosovës (po e quajmë kështu meqë kështu e quajnë veten, sepse nuk ka Kishë Katolike të Kosovës por ka vetëm Ipeshkvi Prizren-Shkup, meqenëse Vatikani nuk na njeh si shtet). Në këtë deklaratë të Kishës Katolike thuhet se kohëve të fundit ekzistojnë grupe të cilat dëshirojnë që shprehin tendenca për të përkeqësuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Vatikanin. Është e qartë se me këto grupe është aluduar në kërkesat e fundit të besimtarëve të Prishtinës për të ndërtuar një xhami dhe kjo jo vetëm që është e pasaktë por është patetike. Askush nga ata që kanë kërkuar ndërtimin e një xhamie qe dymbëdhjetë vite nuk kanë të bëjnë asgjë me Vatikanin dhe as që kanë ndonjë tendencë për të prishur diçka. Fundja nuk ka këtu çka të prishet. Vatikani ka marrëdhënie më të shkëlqyera me Serbinë se sa me Kosovën dhe kjo është bërë e ditur në një mori rastesh muajve e viteve të fundit. Në vend që Kisha Katolike e Kosovës të ndikojë tek Vatikani për ta njohur shtetin e Kosovës, ajo luan rolin e viktimës dhe e arsyeton mosnjohjen me arsye qesharake, bie fjala duke e paraqitur emërimin e delegatit apostolik për Kosovën nga ana e Vatikanit si një sukses të madh. Askujt në media nuk iu kujtua të komentojë se emërimi i një delegati apostolik nga Vatikani nuk do thotë asgjë, fare asgjë. Delegat apostolik për Kosovën është nunci i emëruar në Slloveni dhe Vatikani është ngutur të deklarojë menjëherë pas emërimit të tij në të njëjtën kohë si delegat apostolik për Kosovën (pra jo nunc/ambasador, por delegat) se kjo nuk ka kurrfarë implikimesh territoriale për Kosovën dhe se Vatikani do ta njohë Kosovën kur kjo e fundit të merret vesh me Serbinë për këtë. E dhimbshme, aq të shkëlqyeshme na qenkan marrëdhëniet me Vatikanin sa që ky do të na njohë vetëm kur këtë ta bëjë Serbia. Roli i delegatit apostolik në hierarkinë e Kishës Katolike është vetëm ai i një ndërlidhësi e mbikëqyrësi të jetës fetare të besimtarëve katolikë në një rajon në relacion me Vatikanin. Bile delegatët apostolikë emërohen edhe për qytete të caktuara dhe kjo nuk ka kurrfarë implikimi në jetën publike, sociale apo politike, përveç asaj puro fetare. Fundja delegatë, apo zyrtarë ka në Kosovë edhe Rusia edhe Kina, dy vendet mbështetëse të politikave të Serbisë në Këshillin e Sigurimit.
Kisha Katolike e Kosovës duket sikur ka jetuar e kënaqur me klimën e disfavorizimit të Islamit shqiptar duke shpresuar për një tufë të konvertuarish kulturorë. Në mënyrë urgjente Kisha Katolike e Kosovës duhet të ndërrojë mënyrën e veprimit karshi shumicës fetare të bashkëkombësve të saj. Duhet të pranojë se rrëfenjëzat se shqiptarët nuk kanë asgjë Islame dhe se vetëm me dhunë e kanë mbajtur fenë e turkut, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin, duhet të pranojë se gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe njerëzit e shkolluar e respektojnë dhe e potencojnë identitetin e tyre fetar mysliman dhe kombëtar shqiptar pa e rrezikuar ekzistencën e identitetit kristian te një pjesë e kombit të tyre.
Njerëzit maksimalë
Toleranca shumë e trumbetuar fetare nga gjithkush në Kosovë nuk ka kurrfarë rëndësie dhe zbatimi praktik nëse nuk respektohet e drejta e secilit për të besuar çka të dojë, për të shprehur atë që e beson dhe për të gëzuar të drejta të njëjta me gjithsecilin. Kjo përfshinë edhe të drejtën e shqiptarëve praktikues myslimanë që të kenë të drejtë për të shprehur identitetin e tyre fetar e kombëtar në mënyrë të njëjtë si në të gjitha shoqëritë demokratike në botë. Ndërtimi i xhamisë, është kërkesa më elementare e cila as që duhej të bëhej pjesë e debatit por duhej të zgjidhej kaherë. Edhe laikët por edhe qarqe të caktuara brenda Kishës Katolike në Kosovë duhet të kuptojnë se merita kryesore për tolerancë fetare u takon pikë së pari shqiptarëve myslimanë si shumicë që janë. Laikët dhe të tjerët një herë e përgjithmonë duhet të besojnë njëmend në tolerancën fetare midis njerëzve që besojnë ndryshe dhe duhet ta flakin tutje idenë se toleranca fetare është e tillë nëse kemi vetëm ‘myslimanë minimalë’ që nuk e praktikojnë fenë e tyre. Si shqiptar dhe si mysliman praktikues tashmë kam më shumë respekt, tolerancë dhe konsideratë për bashkëkombësit e mi kristianë, se sa kur kam qenë ‘mysliman minimal’!
Të nderuar politikanë, gazetarë dhe të ashtuquajtur intelektualë, ata që kërkojnë Xhaminë nuk janë njerëz minimalë siç nuk do jenë më tash e tutje shqiptarët sepse kanë filluar të vetëdijesohen. Nëse ju keni zgjedhur të jeni politikanë minimalë, burra minimalë, baballarë minimalë, nëna minimale, filozofë minimalë është e drejtë e juaja, por na lejoni ne të tjerëve që të jemi komplet, sepse si të tillë kemi dëshmuar se edhe në luftë, edhe në paqe, dimë të japim kontribut maksimal në kohën që dikush tjetër krejt çka di të bëjë është të prodhojë rrena maksimale.
(Autori është pedagog në Universitetin e Prishtinës)