2011-07-24

Orizarja, një tablo historike për fshatin

(Nehat Jahiu: ‘Orizarja nëpër shekuj’ – monografi, Tetovë, 2010)

Sevdail DEMIRI

Vargut të veprave monografike për vendbanimet shqiptare të Maqedonisë, iu është shtuar edhe ajo për Orizaren e rajonit të Kumanovës, fshat ky që dha shumë për qenësinë shqiptare që nga kohërat më të hershme e deri më sot.
Orizarja është një nga vendbanimet më të vjetra të këtij rajoni, e populluar që nga koha e antikitetit. Autori sjell një pjesë të bibliografisë së autorëve të vjetër, të cilët theksojnë autoktoninë e fiseve ilire në këto treva, konkretisht të dardanëve. Si dëshmi për këtë lashtësi, potencohen dëshmitë e shumta materiale, që deri në ditët e sotme kanë mbetur disa varreza, që sjellin mënyrën origjinale të varrimit të ilirëve të lashtë.
Një pjesë e rëndësishme e këtij libri i kushtohet edhe qëndresës heroike të banorëve të këtij fshati, në luftën për barazi dhe liri kombëtare. Jepet një tablo e mirë për këtë fshat që nga luftërat në kohën e perandorisë Osmane, e deri në atë të fundit.
Orizarja gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore ishte qendër e organizimit  të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, e njohur si NDSH. Mulla Hajdari dhe Sami Shabedini, që të dy nga Orizarja, ishin ndër bartësit kryesor të komitetit të NDSH-së për rajonin  e Likovës e Kumanovës, i cili ishte i lidhur ngushtë me aktivitetin kombëtare të Sulë Hotlës dhe krerëve të tjerë të nacionalizmës shqiptare. Më tej jepet një pasqyrë e detajuar e rrjedhave të Luftës së Dytë Botërore, bashkë me fatin e keq edhe të orizarasve, të cilët dhanë shumë dëshmorë dhe martirë të kombit.
Një nga pikat kulmore të kësaj monografie, është edhe figura madhështore e Ismet Jasharit – Komandant Kumanovës, emri i të cilit bëri që të ndihet larg zëri i orizarasve dhe krejt Kumanovës e Likovës. Përmes shumë rrëfimeve dhe fotografive që për herë të parë botohen për Ismet Jasharin, autori sjell portretin e Heroit të Kosovës, i cili mbetet një nga emblemat e luftës çlirimtare të Kosovës.
Orizarja do të jetë një nga fshatrat e parë në ballë të rezistencës shqiptare të vitit 2001, ku veproi Brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ‘Ismet Jashari-Kumanova’. Autori sjell veprimtarinë luftarake të orizarasve që morën pjesë të drejtpërdrejtë në këtë luftë, si dhe pësimet njerëzore e shkatërrimet materiale që pësoi fshati nga bombardimet e pareshtura të forcave ushatarke-policore maqedonase. Edhe këtu, ngjarjet shpjegohen edhe përmes fotografive, gjë që e bëjnë librin monografik më të kompletuar përmbajtësisht.
Një kaptinë të veçantë, autori Nehat Jahiu ia kushton edhe plagës së vjetër të shqiptarëve – shpërnguljes. Përmes bashkëbiseduesve të vjetër dhe kujtimeve të vetë autorit, përmenden familjet e para që janë vendosur në këtë fshat nga ikja prej zullumit serb nga trevat e Nishit e Leskocit gjatë viteve 1815-1839. Dhe, në anën tjerët, përmend emër për emër shpërnguljet e shqiptarëve të Orizarës për Turqi qoftë nga kushtet ekonomike apo nga presionet e pushtetit të kohës ndaj tyre. Poashtu, autori sjell të dhënat edhe për familjet e para të emigruara nga fshati për në Kumanovë, Shkup e gjetiu, në kërkim të një jete më të mirë.
Gjatë viteve të fundit të shekullit XX, si në shumë vendbanime shqiptare, edhe në Orizare përhapet dukuria e mërgimit drejt shteteve të Evropës Perëndimore. Me këtë rast sillen të dhëna jo vetëm për familjet e mërguara, por edhe për jetën dhe aktivitetet e tyre nëpër Evropë, e kryesisht të grumbulluar rreth shoqatës ‘Bashkësia e Mërgimtarëve të Orizarës’ në Zvicër.
Në vazhdim jepen edhe shumë sekuenca të organizimi të jetës së orizarasve në fushën e kulturës, arsimit, infrastrukturës, traditave, sportit, etj.
Libri në fjalë është e përshkruar edhe me një vistër të rëndësishëm letrar, duke u nisur edhe nga vetë prirja e autorit, i cili pas vetes numëron jo më pak se 12 vepra letrare, kryesisht në poezi.
Botues i monografisë me rreth 400 faqe, është Shtëpia botuese ‘Tringa Design’ nga Tetova, kurse botimi është ndihmuar nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë.

No comments:

Post a Comment

Gazetari Prishtinas Baton Haxhiu

Zotri  Baton Haxhiu ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një debati televiziv, ku ka pohuar se Partia Socialiste (PS) ka kontribuar për...