Debati për “vehabitë”, lloji më i ri i nacionalfolklorizmit

 
Shkruan: Dr. Petrit Mulaku

Pas protestave të komunitetit mysliman në lidhje me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, nuk ka dyshim se është krijuar një realitet pak ndryshe në lidhje me realitetin e mëhershëm sa i përket trajtimit të temave fetare në Kosovë. Nuk janë të rralla emisionet televizive e as shkrimet në gazeta që kanë të bëjnë me këtë temë e kryesisht me gjendjen e komunitetit mysliman në Kosovë.
Ajo që më shumë vret është fakti se, fatkeqësisht, aq pak i jepet rëndësi peshës së argumentit dhe aq pak i jepet rëndësi të drejtave themelore për të cilat trumbetohet vazhdimisht në media. Një emërues i përbashkët që do të mund të nxirrej nga e gjithë kjo është se ekziston një gjendje e mjerueshme e sferës akademike, një gjendje e mjerueshme e të menduarit dhe të argumentuarit të mirëfilltë, një gjendje e mjerueshme e një pjese të madhe të klasës intelektuale në Kosovë, sidomos sa i përket trajtimit të komunitetit mysliman.
Një skandal i llojit të vet ishte edhe shkrimi "Ringjallja e vehabizmit" me autor Prof. Dr. Skender Riza, një historian me nam në Kosovë, i cili me një guxim të pakuptueshëm, me një liri të paarsyeshme të ofrimit të tezave dhe konkluzioneve, e sjell para lexuesit një shkrim me karakter fetar.
Pikë së pari nuk e kam të qartë se me çfarë guximi një historian, studiues shumëvjeçar i shkencave historike hyn në interpretimin e çështjeve fetare, kur edhe vetë ai sikur edhe çdo kush tjetër do të duhej ta kuptonte se nuk është i thirrur dhe kompetent për një gjë të tillë. Dhe nga kjo aventurë e rrezikshme rrjedh edhe shkrimi i lartpërmendur.
Është bërë një traditë e përditshme se nëse dikush dëshiron të tërheqë vëmendjen nga vetvetja mjafton të shkruajë një shkrim në lidhje me vehabizmin, terrorizmin, fundamentalizmin islam, etj., në mënyrë që të zgjojë kërshërinë e lexuesve dhe të marrë një cope vëmendje në realitetin e brishtë dhe akademikisht të prapambetur kosovar. Nuk ka rëndësi nëse keni argumente apo jo, nuk ka rëndësi nëse keni mbështetje për atë që thoni apo jo, mjafton të ofendoni dike, ta akuzoni se ka lidhje me Serbinë dhe Rusinë pansllaviste, se ka lidhje me terrorizmin ndërkombëtar, të glorifikoni prejardhjen "hyjnore" të popullit shqiptar dhe ju jeni një hero i bisedave në kafene dhe bisedave të përditshme në ambientet nga më të ndryshmet në Kosovë.

Argumentet nga "Kur'ani"...
Së pari, prof. Riza nuk argumenton çështjet fetare me argumente historike, por me argumente nga libri hyjnor, "Kur'ani", dhe me porosi dhe fjalë të të dërguarit të All-llahut, Muhamedit a.s. Nuk mund të thoni se dikush është në rrugë të drejtë të fesë vetëm pse ka humbur një luftë apo ka fituar një luftë tjetër. Fati i luftës nuk është gjithmonë në anën e të drejtëve. Nganjëherë edhe të drejtët pësojnë humbje, dhe kjo është dëshmuar disa herë gjatë historisë.
Gjatë shkrimit të tij, prof. Riza i fajëson sektin e shpikur dhe joekzistent "vehabi" për shumë vepra të ndyra dhe krime, por asnjëherë nuk sjellë argumente nga Kur'ani dhe sunneti i Pejgamberit se ku në të vërtetë i kanë gabimet ky sekt "fantom". A i kanë gabimet e tyre në interpretimin e gabuar të principeve të besimit islam (akide), në fushën e të drejtës islame ( fikhut), në fushën e metodologjisë islame (menhexh), apo në ndonjë fushë tjetër. A janë vehabitë nga ata të cilët e teprojnë në tejkalimin e dispozitave të All-llahut apo janë nga ata të cilët i neglizhojnë këto dispozita? Këto janë pyetje në të cilat duhet të përgjigjet çdokush që dëshiron të emërtojë dhe të klasifikojë një sekt si të tillë. Sektet nuk janë diçka e re për pasuesit e fesë islame, ekzistojnë rreth 72 sosh, por sekti "vehabi"nuk ekziston assesi, dhe është asgjë më tepër se sa një emërtim ofendues, (njëjtë si emërtimi përçmues serb për shqiptarët "shiptari") një emër përçmues për këdo që I jep rëndësi praktimit të fesë islame më me seriozitet. Dhe kjo në fakt nuk është diçka e re. Të gjithë ata që deri më tani kanë shkruar në lidhje me "vehabizmin" as edhe një herë nuk kanë sjellë argumente të qarta se ku në të vërtetë ka devijuar ky "sekt" dhe ç'është e vërteta nuk do të munden të argumentojnë kurrë, sepse në mesin e shumë sekteve të cilat sot ekzistojnë me emër dhe janë të emërtuar si të tilla me argumente nga Kur'ani dhe sunneti i Pejgamberit nga dijetarë eminentë islamë, askund nuk është evidentuar sekti "vehabi" si një sekt i veçantë me karakteristika dhe dispozita të veta. Ky sekt fantom që nga shpikja e tij vetëm si emër dhe jo si sekt në të vërtetë, ka shërbyer si emërtim i përbashkët për çdokënd që ka mjekër të madhe dhe pantallona të shkurtër, apo që i kryen më me seriozitet obligimet fetare, pavarësisht faktit se dy njerëz mund të kenë mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtër dhe mund t'i takojnë dy grupeve të ndryshme. P.sh, një njeri me mjekër të gjatë mund t'i takojë sektit havarixh, që është sekti i parë i evidentuar në historinë islame dhe pjesëtarët e tij janë nga njerëzit më të rrezikshëm mbi tokë që kanë vrarë edhe shokët e të dërguarit a.s, vrarë dijetarë të njohur në të gjitha etapat e ekzistimit të Islamit, dhe edhe sot e kësaj dite vrasin pa mëshirë pa të drejtë njerëz të pafajshëm. Por, një njeri me mjekër të gjatë mund të jetë thjesht një pasues i sunnetit origjinal dhe të pastër i të të dërguarit a.s. që e kupton fenë islame, ekskluzivisht sipas interpretimeve të Pejgamberit a.s dhe shokëve të tij dhe është njeriu më i mirë me të cilin do të mund të takoheshe dhe të shoqëroheshe në jetën tënde. Njëjtë mund të ndodhë edhe me dy njerëz të ndryshëm që nuk kanë as mjekër e as pantallona të shkurtër, por mund t'u takojnë grupacioneve të ndryshme.

Veprat janë ato që e
përcaktojnë karakterin
Pra, pasja ose mospasja mjekër, veshja ose mosveshja e pantallonave të shkurtër nuk mund të vendosë apo të zhvendosë ndokënd në një sekt të caktuar. Ju profesor i nderuar, e shani Muhamed ibn Abdulvehabin pse hyri në Mekke dhe i rrezoi tyrbet, e kinse paska mbytur haxhilerë, por të njëjtën gjë e bëri edhe i dërguari a.s, i cili hyri në Mekke dhe i rrëzoi afër 360 idhuj ( ekuivalentë të tyrbeve të sotme) dhe e çliroi Mekën dhe tërë gadishullin arabik dhe idhujtaria, dhe në kohën e Abdulvehabit Mekka ishte shndërruar në një vend adhurimi të varrezave dhe shenjtorëve të vdekur në vend të adhurimit të një All-llahu të vetëm. Pse i mbroni tyrbet kur e dini se ato janë një nga mashtrimet më të mëdha dhe më të turpshme në historinë e njerëzimit dhe në historinë e Islamit. Pse i mbroni tyrbet kur e dini se aty ka varreza të njerëzve të vdekur për të cilat një pjesë naive e njerëzve besojnë se kanë fuqi të ndryshojnë jetën e njerëzve, se mund t'u falin fëmijë atyre që nuk kanë, se mund të pasurojnë të varfrit, se mund të t'u gjejnë nuse atyre që nuk mund të martohen, (e në fakt vetëm Krijuesi Suprem e ka këtë fuqi), dhe bazuar në këtë besim të mbrapshtë njerëzit shkojnë dhe lënë para e gjësende të ndryshme në tyrbe në shpresë të kompensimit nga "shenjtorët" e vdekur.

Cila në të vërtetë është logjika e "vehabizimit"?
Si mund ta konsideroni veten një mysliman dhe të argumentoni thëniet e juaja me ajete kur'anore, kur e dini ( apo duhet ta dini) shumë mirë se mëkati më i madh dhe që nuk falet kurrë është t'i bësh shok All-llahut në adhurim, të besosh se ndonjë krijesë apo objekt posedon fuqi, të cilën në fakt e posedon vetëm All-llahu xh.sh, dhe në të vërtetë i tërë mesazhi i Kur'anit si libër i shenjtë dhe i tërë Islamit si fe e vetme monoteiste është se vetëm All-llahu xh.sh meriton adhurim dhe Muhamedi a.s është i dërguar i tij dhe me të besuarit se të vdekurit mund të zgjedhin probleme të jetës së përditshme atyre iu bëhet adhurim në vend të All-llahut xh.sh. Si mund të t'i mbroni tyrbet dhe besimin që i përcjell ato kur e dini se aty shkelet e drejta hyjnore e Krijuesit Suprem dhe të përkrahni njerëzit që ende e kanë këtë bindje të mbrapshtë.
Juve i akuzoni "vehabitë" fantomë edhe për dy atentate të dështuara në kryeministrin turk Erdogan dhe thoni se All-llahu e shpëtoi Erdoganin( për të cilin thuhet se i takon rendit Nakshibendi, All-llahu e di më së miri) sepse ai është në rrugë të drejtë dhe është mysliman i mirë. Çfarë logjikë është kjo? Pa me thoni ju lutem çfarë do të thoshit nëse dikush, pavarësisht kush dhe për çfarë arsye, megjithatë do të arrijë të bëjë atentat në kryeministrin Erdogan në të ardhmen ( një situate hipotetike pra)? Çfarë do të thoni pastaj? Se Erdogani nuk qenka më mysliman i mirë dhe All-llahu xh.sh nuk e mbrojti më, apo do të jepni ndonjë shpjegim tjetër, sipas tekave dhe dëshirave tuaja. Apo si mund të më shpjegoni faktin se tre nga katër halifët (udhëheqësit dhe sunduesit e myslimanëve) e drejtë, Omeri, Uthmani, dhe Aliu, që janë tre nga katër njerëzit më të rëndësishëm në Islam, pas të Dërguarit dhe Ebu Bekrit, u vranë që të tre në atentate dhe pusi nga njerëz qyqarë. A thua se ata nuk paskan qenë mysliman të mirë dhe të vërtetë dhe All-llahu xh.sh nuk i paska mbrojtur ata dhe ata paskan merituar të vdesin dhe të vriten?

Pyetjet që ngelen pa përgjigje
Si mund t'i quani me atë emërtim fyes "vehabi" ata që dolën në protesta dhe kërkuan ndërtimin e një xhamie për adhurim të All-llahut dhe ende i thoni vetës mysliman dhe mundoheni të argumentoni thëniet e juaja me ajete kur'anore dhe porosi profetike për të vërtetuar tezat që kushedi se çfarë qëllimi kanë? Apo ndoshta xhamia dhe namazi për ju janë aq gjëra të pavlerë sa që nuk ia vlen as të bisedohet për to. Ju thoni, po ashtu, se nuk ka rëndësi a e falni namazin apo jo, me rëndësi është të jeni njeri i mirë, të angazhoheni për të mire, etj. Dhe i paskeni thënë një të deklaruari si ateist që nuk falë namaz dhe nuk i intereson për obligimet fetare, por kinse paska thënë se nuk ia dëshiroj të keqen askujt, iu ndihmoj nevojtarëve etj., se ai qenka mysliman i vërtetë, edhe pse i deklaruar si ateist. Pa më thoni profesor i nderuar a e njihi ju ndokënd që u kanë thënë se ai është njeri i keq, ia do të keqen njerëzve, nuk ka dëshirë t'u ndihmojë nevojtarëve etj? A dini për ndonjë fe në botë e cila thotë se duhet bërë keq, duhet vjedhur, duhet gënjyer etj? Normalisht se jo. Për këtë edhe ekzistojnë hipokritët të cilat thonë diçka tjetër e bëjnë diçka tjetër, e që sot janë një lloj që fatkeqësisht e përbejnë pjesën më të madhe të popullsisë.
Si mund të thoni se monoteist i vërtetë nuk është ai që falet e agjëron dhe i numëroni një varg ofendimesh për besimtarët dhe besimtaret, por është ai që beson në Zotin, e frenon egon e vet, pavarësisht a është budist apo hebre apo tjetër? Si mund të konsideroni monoteist një budist, ku dihet se bazë e besimit budist është besimi politeist (pagan)? Konsideroj se keni një përzierje të pakuptimtë dhe themelore të koncepteve!
Si mund të merrni në "mbrojtje" Islamin dhe principet bazë të tij, kur në anën tjetër i sulmoni dhe përpiqeni të shkatërroni bazat e Islamit, siç janë adhurimi i një Zoti të vetëm dhe mosshoqërimit të asgjëje në adhurim, namazin,agjërimin, xhaminë e cila për një mysliman është si shtëpi e dytë dhe fyeni paturpshëm besimtaret (motrat myslimane) të cilat vishen sipas porosive të Kur'anit dhe sunnetit të Pejgamberit a.s dhe gjatë të gjitha këtyre ofendimeve përdorni emërtimin e turpshëm "vehabi" për të fyer dhe sulmuar të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ju dhe që janë me serioze në praktimin e obligimeve fetare.
Ju po ashtu shtroni disa pyetje sa për të plotësuar hipokrizinë tuaj nacional folklorike se ku ishin "vehabinjtë" kur Kosova pastrohej etnikisht nga serbë pansllavistë, ku ishin "vehabinjtë" që nuk morën aspak pjesë në çlirimin e Kosovës, etj. A thua vallë ne patjetër duhet të na çlirojë ndokush nga zgjedhat e huaja dhe jo vetë ne? A thua vallë patjetër dikush tjetër duhet të bëjë luftë për çlirimin e tokave tona se ne jemi ta pazotët për të çliruar vetveten?
Po ku ishim ne zotëri profesor, ku ishit dhe ku jeni ju kur Kosova po vidhet nga ata që e vodhën luftën dhe lavdinë e luftës dhe sot vodhën edhe fatin e popullit të thjeshtë të Kosovës? Ku jeni ju intelektualë e akademikë që jeni fshehur dhe keni dale në hije dhe nuk bashkoheni e të dilni e të thoni të bashkuar:" o burra mjaft më se nuk bën kështu me e vjedhë shtëpinë tuaj". Por në vend të kësaj merreni me pastrimin e ndërgjegjes suaj dhe mundoheni të shiteni si atdhetar e fetar, e në fakt nuk jeni asnjërën dhe mundoheni të bindni dikë se ne qenkemi popull hyjnor dhe të gjithë profetët kishin prejardhje pellazge, se edhe arabët dhe vetë Pejgamberi Muhamed si arab kishte prejardhje pellazge! Mjaft më ju lutem! Zbritni në tokë!
Kam edhe shumë për të thënë, por vërtet mendoj se kam thënë mjaft sa për këtë rast. E di profesor i nderuar se ndoshta kur të lexoni këtë shkrim do të më quani "vehabi" apo me çfarëdo emërtimi nga imagjinata juaj, por e vërteta është se unë jam as më shumë as më pak se një mjek i thjeshtë, një (gati) specialist i emergjencave mjekësore, që ditë e natë punoj në shërbimet e emergjencave të ndryshme dhe brenda mundësive të mia mundohem që sadopak të kujdesem për ata që janë lënë në pas dore nga ata që gojën e kanë plot patriotizëm e nga xhepat u rrjedh djersa e popullit të thjeshtë, e që në të vërtetë u edukuan dhe u shkolluan nga po ata intelektualë që sot shiten si atdhetarë e fetarë dhe në të njëjtën kohë, brenda mundësive të mia mundohem të kryej obligimet e mia fetare pa e penguar askënd dhe pa i bërë të keqen askujt.
Ju zotëri profesor mund të shkruani dhe të thoni çfarë të doni, por ju lutem ndaloni së fyeri dhe sulmuari besimtarët dhe besimtaret e thjeshtë/a që kërkojnë xhami dhe mundohen të kryejnë obligimet e tyre fetare të cilat Krijuesi i tyre Suprem i kërkon nga ta, merruni më atë punë që e dini më së miri, të paktën na i vërtetoni disa teza të çuditshme tuajat, si p.sh tezën se kinse serbët paskan prejardhje nga turqit etj., dhe ua lëni punën e sekteve dhe grupacioneve në Islam atyre që janë të thirrur për këtë punë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)