2011-07-26

Bravo Hashim Thaqi!


QEVERIA E KOSOVËS KA PËRKRAHJEN E POPULLIT !!!

 http://www.botasot.info/img/Hashim_Thaci_,3203..223.jpg


Mëngjesi i së martës e ka zbardhur kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në veri të Kosovës, ku autoritetet e rendit kanë marrë nën kontroll pikën 31 dhe 1. Diku pak para orës 08:00 të mëngjesit, kryeministri Thaçi ka pirë kafen e mëngjesit në Leposaviq, një qytezë e vogël veriore e Kosovës që është nën administrimin e strukturave paralele serbe të dirigjuara nga Serbia. Së bashku me kryeministrin Thaçi ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi. Mbrëmë vonë forca të shumta të Njësisë Speciale të Kosovës janë nisur me urgjencë për në veri të Kosovës, me urdhër të kryeministrit Thaçi. Aksioni i kryeministrit Thaçi ka për qëllim respektimin e reciprocitetit me Serbinë, vendim i marrë para pak ditësh.


 http://www.botasot.info/img/Bajram-Rexhepi443.jpg


Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi konfirmoi se situata është e qetë falë punës profesionale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë pasur për qëllim realizimin e aksionit dhe shtrirjen e sovranitetit pa lënduar asnjë qytetarë.
Ai tha se ky është një hap tejet i rëndësishëm për shtrirjen e sovranitetit, ndërsa bëri të ditur se do të vazhdojnë edhe veprimet tjera për vendosjen e ligjshmërisë. Se cili është bilanci i këtij aksioni, ministri Rexhepi bëri të ditur se në këtë aksion është lënduar një polic me një mjet shpërthyes si dhe ka pasur disa dëmtime të xhamave të veturave. Ai tha se nuk pritet të ketë probleme dhe do të lëshohet rruga për qarkullim.
 


















Pesë policë të plagosur, jo rëndë 

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë të ditur se pesë pjestarë të njësive speciale të policisë së Kosovës, Rosu, janë plagosur gjatë natës, në aksionin për marrjen e pikave kufitare në veri. 

Rexhepi tha se një pjesëtar i policisë u plagos në këmbë, kur makina në Zubin Potok hodhi një mjet shpërthyes, ndërsa katër të tjerë janë lënduar në një fshat në komunën e Zveçanit, Rudare, kur serbët të cilët bllokuan rrugën me gurë goditën veturën e policisë. 

Ai shtoi se oficerët e policisë jashtë rrezikut të jetës. 

Ministri i Kosovës tha se ekziston mundësia e eskalimit të situatës, por policia ka kujdes maksimal dhe se qytetarët serbë në veri të Kosovës duhet të kuptojnë se veprimi nuk është i drejtuar kundër tyre.


Serbët kanë sulmuar me armë zjarri pjesëtarët e njësitit special, derisa ishte duke u rikthyer në veri. Ndërkohë një polic është plagosur rëndë, pasi është qëlluar nga largësia me snajper, kanë bërë të ditur për Express burime nga policia. 

Sulmi ka ndodhur në rrugën Kushtovë - Zubin Potok. 

Polici është sjellë me një plumb në kokë në Qendrën Emergjente në Mitrovicë, i ka konfirmuar gazetës një mjek nga kjo qendër. 

Ai është nisur me urgjencë drejt Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. 

Por në QKUK, deri në orën 15:20 nuk është sjellë asnjë i plagosur.  

 Stefanoviq: Policia gjuajti në protestuesit serbë 
Edhe mediat serbe kanë raportuar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë marrë me forcë pikën kufitare në Bërnjak. 

Sipas agjencisë Beta, policët e Kosovës kanë përdorur armë zjarri për t’iu shmangur serbëve, të cilët po përpiqeshin ta bllokonin rrugën. 

Por nuk dihet nëse ka të plagosur. 

Ndërmjetësi serb në bisedimet me Kosovës, Borko Stafanoviq, ka thënë se ka informata se policia shqiptare ka gjuajtur drejt serbëve të cilët po protestonin dhe se KFOR-i ka dërguar një njësit për të parandaluar eskalimin e situatës. 

“Ka pasur të shtëna. Kemi dëgjuar se Policia e Kosovës ka gjuajtur në njerëzit tanë. Është e rëndësishme që të mbetemi të qetë dhe të kemi informatat e duhura”, ka thënë Stefanoviq. 


http://www.botasot.info/img/policia_,,,,,,,.,.,.jpg

Serbët të cilët e kanë bllokuar rrugën në Rudare, e cila shpien në pikën kufitare 1, kanë shtënë me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës, ku është dëmtuar një automjet i policisë, ndërsa nuk ka informacione për të lënduar. Forca të mëdha të Policisë së Kosovës, janë nisur nga Vushtrria në drejtim të pikës kufitare Jarinje, për të qetësuar situatën dhe për të mbrojtur pikat kufitare nga serbët e rebeluar. Ndryshe, aksioni policor për marrjen nën kontroll të pikave kufitare në veri të vendit, ka filluar mbrëmë rreth orës 22.00, ndërsa pak kohë para këtij aksioni, kryeministri Thaçi ka shkarkuar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës Reshat Maliqi. Policia e Kosovës mbrëmë ishte vendos në pikën 31, por serbët kishin bllokuar rrugët që qonin në pikën 1, duke e penguar gjatë tërë natës policinë që të vendosët edhe në këtë pikë, e cila është vendosur në këtë pikë kufitare sot në ora 08.00. Aksioni i njësisë speciale së Policisë së Kosovës vjen pas marrjes së masave të reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë djegur nga serbët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këto dy pika llogariten si dy vendet ku zhvillohet kontrabanda më e madhe. Ky është aksioni i parë serioz i autoriteteve të Kosovës për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e Kosovës. 
http://www.botasot.info/img/Buhler-kfor_620.jpg

Para akcionit për të marrë nën kontrollë edhe pikën kufitare 1 në veri të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një takim me komandantin e KFOR-it. Pas këtij takimi me dy helikopter të KFOR-it forcat e policisë dhe zyrtarët doganorë të Kosovës, janë dërguar në pikën 1 të kufirit, duke kompeletuar kështu operacionin e Qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontrollë të pikave doganore pikat 1 dhe 31. Bilanci i këtij operacioni ka qenë 4 policë të lënduar, 1 me armë zjarri të tjerët me gurë dhe gjësende të tjera të forta 
http://www.botasot.info/img/26Gentilini.jpg 

                   Fernando Gentilini 


"Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm. Ai nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-ja nuk e ka miratuar atë", ka thënë Fernando Gentilini, Përfaqësuesit Special i BE-së për Kosovën në lidhje me situatën në veri. "Është thelbësore që situata të qetësohet tani dhe të kthehemi ku kemi qenë. EULEX-i është i gatshëm t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në këtë", ka thënë Gentilini për të shtuar se "dialogu është e vetmja mënyrë që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendosë tregti të lirë në të dy drejtimet". "Veprimet unilaterale nga njëra palë apo tjetra nuk mund ta zgjidhin problemin", ka thënë Gentilini. Reagimi i EULEX-it Me anë të një komunikate për media, EULEX-i ka reaguar për veprimet e Policisë së Kosovës. “Është e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe paqësore. EULEX, po bashkëpunon ngushtë me KFOR-in për ta bërë këtë dhe për ta ruajtur sigurinë. EULEX nuk ka qenë në asnjë formë i përfshirë në aksionin e ndërmarrë nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës”, thuhet në mes tjerash në komunikatën e EULEX-it. “EULEX-i dhe Bashkimi Evropian në Bruksel e kanë bërë të qartë se çështja e vulave doganore duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut Prishtinë-Beograd. "Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk ndihmojnë aspak. Problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore”, thuhet në fund të komunikatës së EULEX-it.

http://www.botasot.info/img/koc_2006111631_1.jpg 
                                
        Maja Kocijançiq


Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit.
“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim”, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.
“Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut”, ka thënë Kocijançiq, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

http://www.botasot.info/img/policia_,,,,,,,.,.,.jpg

Pohimet për kompromis me Serbinë, janë hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka potencuar vendimin se policia e Njësisë Speciale e Kosovës do të vazhdojë të qëndroj në pikat kufitare 1 dhe 31.
Ndërkaq ministri i Brendshëm i Qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, i konfirmoi RTK-së se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë në pikën 1 të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Bernjak, kurse në pikën 31, në Jarinje,
Ai tha se situata është më e paqartë. Konfirmimi i ministrit Rexhepi pasoi pohimet për tërheqjen e njësisë speciale nga dy pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Më heret, burime të RTK-së brenda KFOR-it, thanë se me ndërmjetësimin e komandantit Erhard Byhler ishte arritur kompromisi sipas të cilit njësitet speciale do të tërhiqen, kurse në në pikat doganore do të vendosen njësitet e rregullta të piolicisë dhe punonjësit doganor.

Branko Niniq, kryetari paralel i Leposaviqit, përkundër apelit që u ka bërë qytetarëve serbë për të dal në protestë dhe për bllokuar rrugët, nuk ka pasur sukses, sepse vetëm 20 persona kanë dal në rrugë dhe situate për gjatë kufirit në Jarinje është e qetë, derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po e mbikëqyrin situatën. 
Ndërsa në Bërnjak situate është e tensionuar, ende po vazhdojnë të shtënat mes grupeve të serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it. 
Kurse në Qendrën Mjekësore Familjare në Mitrovicë është dërguar një polic i plagosur, jeta e të cilit është në rrezik, ka konfirmuar drejtori i kësaj qendre, Agim Peci.


 http://www.botasot.info/img/Policia-e-Kosoves-27.jpg

Forcat e policisë speciale të Kosovës janë tërhequr nga pika kufitare Jarinje, përkatësisht porta 1, citohen të kenë thënë zyrtarë të Prishtinës.
Ndërsa sipas zyrtarëve serbë forcat speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga pika kufitare Bërnjak apo porta 31.
Jo zyrtarisht thuhet se kjo është arritur pas një marrëveshjeje në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe negociatorit serb në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq, me ndërmjetësimin e komandantit të KFOR-it, Erhard Byler.
Por mes Thaçit dhe Stefanoviqit nuk ka pasur takim. Sipas medieve në bazë të kësaj marrëveshjeje në pikat kufitare do të kthehen policia e rregullt e Kosovës, shumica e të cilëve të nacionalitetit serb.
Ndërkohë pritet që rruga të zhbllokohet nga protestuesit serbë. Edhe mediet serbe njoftojnë se forcat speciale të policisë së Kosovës janë tërhequr diçka para orës 13:00.
Më pas zyrtarë serbë do të shkojnë në pikën kufitare për t'u bindur që përbërja nacionale e policisë është e njëjtë sikur para marrjes nën kontroll të këtyre pikave kufitare. Mediet serbe nuk zënë në gojë doganierët.



 
 
Shefi i delegacionit serb në bisedime, Borko Stefanoviq dhe ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviq, kanë qëndruar gjatë paradites në pikat kufitare,që tashmë janë nën kontroll të Policisë së Kosovës. 

Në këto pamje të Tanjugut, dy zyrtarët qeveritarë serbë shihen dukshëm të nervozuar teksa ecin përkrah veturave të shumta të policisë dhe atyre të KFOR-it. 

Po ashtu ata janë takuar edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, në përpjekje për ta tejkaluar situatën. 


http://www.botasot.info/img/dogana-kosove.jpg

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që u vendosën gjatë natës në pikat kufitare në veri, në kufi me Serbinë, do të tërhiqen si pjesë e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga NATO, citon agjencia Associated Press, një zëdhënës të NATO-s.
Aksionet e kryera gjatë natës janë kritikuar nga Bashkimi Evropian, i cili po ndërmjetëson aktualisht bisedimet për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
Njësitët speciale të armatosura lehtë kanë depëruar një natë më parë në zonën e kontrolluar nga serbët dhe kanë marrë kontrollin e një pike kufitare, para se të bllokoheshin nga serbët lokalë, ndërsa ishin rrugës drejt pikës tjetër kufitare, njofton AP.
Qeveria ka thënë se aksioni ka për qëllim rivendosjen e rendit në veri.
Zëdhënësi i NATO-s, Hans Uihter tha se policia e rregullt do të marrë kontrollin në pikat kufitare dhe se numër më i madh i pjesëtarëve shqiptarë të policisë do të vendosen atje krahas pjesëtarëvë serbë të policisë.
Aksioni pason vendimin e autoriteteve të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, duke mos lejuar kështu hyrjen e mallrave serbe, ndalesë kjo që Serbia ka nisur ta zbatojë që nga viti 2008.


 http://www.botasot.info/img/kryesia-kuvendit_..k98.jpg

Kryeparlamentari  Prof. Dr.Jakup Krasniqi dhe shefat e grupeve parlamentare e kanë përshëndet vendimin e Qeverisë për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare të Kosovës në veri, duke thënë se ky ka qenë një obligim kushtetues dhe ligjorë i Qeverisë së Kosovës, për shtrirjen e autoritete të Qeverisë në tërë territorin e Kosovës.
Shefat e grupeve opozitare, kanë thënë se nëse do të merreshin vendime të tilla më herët, pozicioni i Kosovës në bisedime me Serbinë do të ishte më i fortë, mirëpo kjo nuk e zbeh vendimin e djeshëm për marrjen nën kontroll të dy pikave doganore. 
Kryesia në mbledhjes e sotme ka caktuar për rend të ditës dy seanca, për të enjten dhe të premten, ndërkaq është pajtuar që ta fusë në mënyrë urgjente si çështje Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së.




http://www.botasot.info/img/LDK%20Kosova.jpg
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se përkrah çdo veprim të institucioneve të Republikës së Kosovës, që ka mbështetje në Kushtetutën e vendit dhe që është në funksion të sundimit të ligjit.
"Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për Policinë e Kosovës dhe bën thirrje për asistencë edhe të institucioneve gjegjëse ndërkombëtare me qëllim të kthimit të rendit dhe të ligjit në Veri të Kosovës", thuhet në një deklaratë të partisë opozitare, LDK-së.
"Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vetëm sundimi i rendit dhe i ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës krijon kushte për jetë të qetë dhe prosperuese për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të tyre", thuhet ndër të tjera në deklaratën e LDK-së.



http://www.botasot.info/img/xxselia-vetvendosja,,,.jpg
Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të arsyeshëm dhe të kuptueshëm vendimin për vendosjen nën kontroll të pikave doganore në veri të Kosovës. Në komunikatë mes tjerash thuhet se “ky vendim e pason vendimin paraprak të javës që shkoi për moslejimin e hyrjes së mallrave prej Serbisë dhe qarkullimin e tyre në Kosovë”. “Vendimi për moslejimin e mallrave prej Serbisë në Kosovë, në kuadër të reciprocitetit karshi Serbisë, është praktikisht i pamundur të zbatohet pa i marrë nën kontroll këto dy pika doganore. Prandaj, vendimi i fundit i Qeverisë është i kuptueshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë”, thuhet në komunikatë. Po ashtu, ky grup parlamentar opozitar shfaq shpresën se qeveria “nuk ka menduar vetëm hapin e parë”. “Shpresojmë që qeveria ka nisur me zbatimin e një plani, të një strategjie më të gjerë për ta bërë Kosovën sovrane e me integritet territorial. Hapi i këtillë është pozitiv dhe i drejtë, por hapi mbetet veçse një hap. Hapi nuk e bën ecjen. Ecjen e përbëjnë hapat, shumë hapa të bashkërenduar”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

 
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës inkurajon Qeverinë e Kosovës që me vendosmëri të përfundojë operacionin policor në veri të Kosovës. AAK është e bindur se situata e krijuar për vite me radhë në veri të Kosovës është problem i mungesës së sundimit të ligjit dhe meriton trajtim të tillë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po përcjellë me kujdes zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Duke pasur parasysh nevojën jetike për rivendosjen e kontrollit shtetëror legjitim në atë pjesë të Kosovës dhe posaçërisht në pikat kufitare-doganore 1 dhe 31, vlerësojmë se operacioni i Policisë së Kosovës duhet të rezultojë me krijimin e mundësisë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në veri të vendit”, thuhet në komunikatë. AAK inkurajon Qeverinë e Kosovës që me vendosmëri të përfundojë operacionin policor në veri të Kosovës, në mënyrë që atje të vendoset siguria publike dhe qytetarëve të asaj pjese t’u sigurohet të drejtat e njeriut. “Kujdesi i shtuar dhe profesionalizmi në realizimin e operacionit është tejet i rëndësishëm për ruajtjen e jetës së qytetarëve të Kosovës në atë pjesë dhe oficerëve policorë. Ne çmojmë vullnetin e oficerëve të Njësive Speciale të Policisë për detyrën ndaj vendit, duke qenë të bindur në përgatitjet e larta fizike dhe profesionale të tyre”, theksohet në komunikatë. Në të njëjtën kohë, AAK fton Qeverinë e Kosovës që të koordinojë plotësisht aktivitetet e veta me KFOR-in, si garantues i sigurisë së përgjithshme të vendit. AAK thotë se ka insistuar që nga pjesa e parë e vitit 2008 që autoriteti i shtetit të përdoret për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës, si e drejtë e pakontestueshme sovrane e Republikës së Kosovës. “Dëmet e deritashme që i janë shkaktuar shtetit dhe popullit të Kosovës kërkojnë adresim shtetëror, prandaj angazhimi i trupave speciale të Policisë së Kosovës ka qenë i pashmangshëm”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

http://www.botasot.info/img/kpj_23.jpg

Klubi për Politikë të Jashtme shpreh përkrahjen për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare në veri të vendit.
KPJ konsideron se ftesa e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Kosovën, Fernando Gentilini, për kthim prapa në thelb është e papranueshme, sepse nënkupton kthim në paligjësi. 
Me një komunikatë për opinion, KPJ i bën thirrje Bashkimit Evropian të jep një mesazh të fort përkrahës për vendosjen e kontrollit ne pikat kufitare 1 dhe 31, si pjesë e përpjekjes për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

 http://www.botasot.info/img/Mitrovice-ura-27.jpg


Në një mbledhje urgjente të Komitetit të sigurisë të komunës së Mitrovicës, të thirrur pas situatës së krijuar në veri, ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe ato të sigurisë, u tha se vënia e kontrollit në pikat kufitare në veri është një hap drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
Situatën e sigurisë policia rajonale e vlerëson në përgjithësi të menaxhueshme në gjithë veriun e vendit. 
U njoftua se protesta e paralajmëruar për të mërkurën nga banorët shqiptarë në Lagjen e Boshnjakëve është anuluar pas situatës së krijuar. 
Protesta ishte paralajmëruar të mbahej kundër ndërtimeve të banesave shumëkatëshe nga strukturat paralele serbe në këtë lagje. Zyrtarët e policisë së stacionit jugor kërkuan nga autoritetet komunale që aktivitetet e parapara kulturore që të mbahen në afërsi të Urës së Ibrit të anulohen ose të mbahen në ndonjë vend tjetër.

  

Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...