2011-07-24

Cila është feja e shqiptarit?

Shkruan:Fadil Lepaja

Javët e fundit, përkundër shirave dhe temperaturave të ulëta, ishin të nxehta në kuptimin politik nëpërmjet ngritjes së një lëvizjeje, e cila shpreh pretendimet se në Kosovë dhe veçanërisht në Prishtinë ka një numër të pamjaftueshëm të xhamive dhe, sidomos, ka deklarata se besimtarët islamë me qëllim dhe me politikë të paramenduar janë diskriminuar duke refuzuar kërkesat e vazhdueshme për ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të qytetit. Një xhamie që përpos vend ku do t’i luteshin Zotit, do të ishte edhe simbol dhe legjitimim i pranisë së besimit islam në Kosovë.

Orientimi ynë evropian
Në fakt, në qendër të Prishtinës, vetëm Katedralja katolike u ndërtua pa kundërshtime serioze. Në njëfarë mënyre në heshtje ishte pranuar fakti se ajo e përfaqësonte orientimin tonë evropian. Më problematike u paraqit situata me kishën ortodokse, e cila edhe sot e kësaj dite është jashtë funksionit, nëse nuk llogaritim përdorimin e saj për nevoja fiziologjike, apo nga grupet e ndryshme të të rinjve. E filluar me motive politike, nga ish-pushteti i instaluar serb në Kosovë, dhe me një vendimmarrje krejtësisht të kontestueshme, ajo pas largimit të policisë dhe ushtrisë serbe për të ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje përfundimtare nga pushteti kosovar, apo ai ndërkombëtar. Kërkesa për xhami ndërkaq nuk është krejt e re. Organizata të fuqishme financiare arabo-islamike edhe më herët kishin shprehur kërkesën për një qendër të madhe islamike. Nuk kishte deri tash ndonjë lëvizje autoktone për këtë çështje. Se objektet aktuale nuk i plotësojnë kërkesat, kjo shihet me sy gjatë çdo feste fetare, e mbase edhe në çdo të premte. Falja publike e xhumasë nëpër sheshe dhe rrugë, e cila degjeneroi në konflikt ndërmjet besimtarëve dhe shtetit (policisë) e shtroi këtë çështje për zgjidhje para vendimmarrësve administrativë dhe politikë. Kur një grup i të rinjve, krye në vete e zgjodhi hapësirën se ku do të ishte vendi më i përshtatshëm për Xhaminë e Qendrës, si e quajtën ata, çështja mori karakter të lëvizjes qytetare për xhami. Dorën në zemër, menjëherë u lajmëruan edhe ata që synojnë për të krijuar fronte edhe aty ku nuk ka dhe i akuzuan organizatorët për hiç më pak se lidhje me terrorizmin islamik. Pra, këtu mbyllet rrethi, dhe detyrimisht hapet procesi për zgjidhjen e përfaqësimit dhe rehabilitimit publik të besimeve në këtë vend. Isa Mustafa, si kryetar i zgjedhur i këtij qyteti, ndodhet para një vendimi të madh. A do ta rrënojë një çerdhe, a do ta falë ndonjë truall pak më tutje, në periferi, apo do të japë leje të ndërtohet xhamia ballë për ballë me katedralen e madhe, në mes kishës ortodokse dhe katedrales katolike? Vendimi i administratës së tij do të jetë njëkohësisht edhe shpallje e strategjisë së tij për bashkëjetesën fetare në Kosovë, raportin ndërmjet tyre dhe raportin e tyre me shtetin. Pra, i kemi tri objekte me specifika të veçanta dhe të cilat duhet të rehatohen brenda një strategjie afatgjatë. E kemi një katedrale të madhe katolike, në pjesën më të dukshme të qytetit, e cila, sipas disave, ka gjasë t’i zërë krejt besimtarët katolikë në këtë vend. R kemi një kishë ortodokse në një vend qendror po ashtu, aktualisht jashtë funksionit dhe pa “xhemat”, edhe pse në Kosovë ka malazias, maqedonas, shqiptarë (shumë pak) dhe serbë të besimit ortodoks.

Mungesa e hapësirës
Në anën tjetër, e kemi një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit mysliman, i cili ka problem me hapësirën dhe ende nuk ka një xhami reprezentative në kryeqytet. Tash me këtë lëvizje ka shprehur aspiratat që ajo të ndërtohet pikërisht midis dy kishave. Derisa çështja e kishës ortodokse është tashmë e natyrës politike, çështja e xhamisë do të ishte mirë të mos rrëshqasë në atë terren. Nëse besimtarët myslimanë do të ndihen të viktimizuar dhe të pabarabartë, kështu do të bartet problemi në terren politik dhe do ta krijojë bazën për lëvizjen autoktone të islamit politik në Kosovë, e cila paraqet mënyrën më të sigurt për largim nga rruga evropiane. Por, me një qasje të mençur, të sinqertë dhe civilizuese, krejt kjo mund të përfundojë thjesht si një lëvizje, e cila e ngriti një xhami, në mesin e objekteve të tjera reprezentative fetare dhe të cilët janë pjesë e identitetit të këtij vendi, i cili synon integrimet në Evropën e lirë, e cila njeh, respekton dhe afirmon liritë qytetare dhe të besimeve. Intelektualët dhe vendimmarrësit e këtij vendi gjithsesi do t’i japin drejtim çështjes se cila do të jetë rruga autentike e Kosovës lidhur me këtë çështje. Ata të cilët jetojnë nga fondet e majme antiterror, do të ishte mirë të heshtin dhe ta luftojnë terrorizmin aty ku realisht ekziston, e jo të përpiqen për ta krijuar atë me çdo kusht.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...