2018-10-01

Letërsia shqipe në Bibliotekën Universitare në Paris

Shkrimtarja shqiptaro-zvicerane Besa Myftiu dhe shkrimtari shqiptar Ylljet Aliçka do të jenë pjesë e takimeve letrare që Biblioteka Universitare e Gjuhëve dhe Civilizimeve “Boulac”, në Paris do të organizojë këtë fillim tetori, dedikuar posaçërisht letërsisë shqipe.


Shkrimtarja shqiptaro-zvicerane Besa Myftiu dhe shkrimtari shqiptar Ylljet Aliçka


i parë do të organizohet më 6 tetor 2018, me temë qendrore “Letërsia shqipe nga një gjuhë në tjetrën”, dhe gjatë tij do të trajtohen çështje të tilla, si: Cila është natyra e shkëmbimeve mes autorit dhe përkthyesit? Cilat janë vështirësitë dhe pengesat e përhapjes dhe eksportimit të letërsisë jashtë kufijve të Shqipërisë?

Takimi i dytë do të organizohet më 9 tetor 2018, me temë “Brenda dhe jashtë”, dhe gjatë tij do të trajtohen çështje, si: Shkrimtarë nga Shqipëria dhe diaspora; Hijet e komunizmit në letërsinë shqipe etj.

Letërsia shqipe në Maqedoni në vigjilje të demonstratave të 1968-ës

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Vitet e ’60-ta ishin vite të ndarjes së botës në dy blloqe antagoniste, vite të luftës së ftohtë e të frikës nga katastrofat bërthamore, vite të zhgënjimit të akumuluar që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vite kur u ngrit muri i Berlinit, si sinonim i hendekut të sterthellë midis Lindjes e Perëndimit, që ushqenin synime krejtësisht të kundërta nga njëri-tjetri. Synimet ekspansioniste dhe pushtuese, ndrydhja e lirive dhe të drejtave individuale e kolektive dhe pakënaqësia në rritje e njerëzve, ishte e njëjtë në të dy taboret. Ndryshonte vetëm mënyra e manifestimit të revoltës së akumuluar përgjatë dy dekadave të pasluftës, ndryshonin vetëm heronjtë dhe viktimat e sistemeve satrape. Kështu, gjersa në taborin lindor ndodhte sfida unikate e Jan Pallahut (për shkak të pushtimit rus të Çekosllovakisë) dhe tmerret e gulagëve e goli-otokëve, në perëndim, përmes një likuidimi fizik, tentohej edhe vrasja e ëndrrës së madhe të Martin Luter Kingut për ta parë botën pa shtypje e diskriminime racore.

Ishte e qartë: njerëzimi kishte kapërcyer moshën miturake dhe kërkonte shkëputje të përgjithmonshme nga kthetrat e kapitalizmit të egër e sfrutues dhe nga diktatura totalitare komuniste.

*

Kjo kohë e furtunshme i gjeti shqiptarët e Maqedonisë në një pozitë shumë të palakmueshme, me një prapambetje që kërkonte kohë për t’u kapërcyer… Intelektualët e paktë krijues të kësaj ane i qenë nënshtruar syrit vigjilent rankoviqian, pa mundësi reale veprimi, sepse republika jugosllave e Maqedonisë pranoi ta luajë rolin e sejmenit të devotshëm dhe të perdorshëm serb, duke i persekutuar shqiptarët dhe duke vënë në sprovë durimin e tyre. Megjithatë, falë rezatimit të fuqishme që nisi të vijë nga ish krahina autonome e Kosovës, falë figurave largpamëse të tipit të Esad Mekulit, që me altruizmin e pashoq mëkoi, frymëzoi e nxiti krijuesit e paktë të kësaj ane, edhe këtu nisi të kultivohet gazetaria dhe publicistika në gjuhën e bukur shqipe, u rrit e doli në skenë një brez i ri krijuesish letrarë me afinitete për të kapur me kohë vibrimet dhe tërmetet rrënuese të një shoqërie të kalbur që vetëm së jashtmi dukej liberale.

*

Temat për të cilat mund të shkruhej ishin të pakta dhe të kontrolluara me shumë kujdes nga zhdanovët vigjilentë të sistemit të hurit e të litarit. Përtej këtyre shtërngesave arrinin të kapërcejnë vetëm krijuesit më të guximshëm, që i merrnin parasyshë edhe persekutimet që mund të binin mbi kurrizin e tyre.

Shfletimi i revistës kulturore JEHONA, të vetmes në gjuhën shqipe asokohe, na njeh me emrat e krijuesve të paktë shqiptarë të viteve të ’60-ta, si:. Murat Isaku, Abdylazis Islami, Murteza Peza, Ali Aliu, Luan Starova, Ali Vishko, Xhevat Gega, Remzi Nesimi, Nuhi Vinca, Adem Gajtani, Ibrahim Veliu e ndonjë tjetër. Natyrisht, nëpër faqet e revistës në fjalë frekuentonin edhe disa emra krijuesish shqiptarë nga Kosova, kurse të tjerët ishin kryesisht autorë të përkthyer maqedonas, serbë, rusë… dhe studiues/ krijues shqiptarë të marksizëm-leninizmit.

Po sjellim në vijim tipet e shkrimeve që botonin disa nga krijuesit e posapërmendur në periodikun letrar të asaj kohe në Maqedoni, brenda periudhës kohore prej 5 vitesh (1965-1969).

Murat Isaku (njëri prej autorëve të njohur të letërsisë shqipe, që, më 1965 kishte arritur të botojë romanin e tij “Dielli e din rrugën e vet” dhe disa përmbledhje poetike…) angazhohej për njësimin e gjuhës shqipe dhe shkruante mbi Lasgush Poradecin atëherë kur në shtetin Amë nuk e konsideronte kush për të gjallë…; Xhevat Gega botonte studime mbi veprën madhore të Fan Nolit; Në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, Ali Aliu shkruante artikuj të guximshëm për të drejtat në mungesë të shqiptarëve (veçmas atyre të Tetovës…); Luan Starova merrej me autorët e shquar perëndimorë – Zhak Preverin, Viktor Ygoin, Lui Aragonin…, në një kohë nuk ishin fort të preferuar; Remzi Nesimi shkruante për veprën monumentale albanologjike të Eqrem Çabejt dhe veprat e Rilindjes Kombëtare; Ali Vishko dhe Skënder Rizaj botonin studime historike mbi Skenderbeun; Nuhi Vinca botonte krijimtarinë tonë të pasur e të veçantë folklorike etj.

Në revistën JEHONA botoheshin dhe poezi të zgjedhura, në mesin e të cilave kishte dhe të tilla që shquheshin për vrullin dhe tabanin e fortë kombëtar. E tillë ishte poezia e Ali Podrimjes me titull shumë xigëlues e domethënës: “Kush preku fundin e detit s’asht ma mes nesh”, që nis me vargjet emblematike:

Bukuria s’asht bukuri,

nëse s’e ka shëmtimin e vet –

kush preku fundin e detit s’asht ma mes nesh…

Të guximshme për kohën ishin dhe poezitë e Beqir Musliut kushtuar Skënderbeut, ose poezia me titullin “Dasma” e poetit të njohur tetovar – Abdylazis Islamit, ku, mes tjerash, i këndohet Flamurit dhe trimërisë kombëtare:

Flamurin e gjakut vashat e stolisin

Me lulet e kujdesit shpirtëror

Djelmoshat lisa shtrembërojnë plisin

Si shenjë të fisit arbëror…

*

Siç mund të shihet, krijuesit tanë të paktë në numër, bënë atë që mundën dhe u përpoqën shumë për të kultivuar shpirtin dhe vetëdijen kombëtare, në rrethana kur edhe zyrat e punës i ndanin me hafije të paskrupullt, që në të njëjtën revistë botonin reçensione dhe studime të shtrembëruara mbi të shkuarën tonë, të shkruara nga Akademia ruse e shkencave; artikuj mbi rolin edukativ të veprave e të filmave mbi Leninin; ode për madhështinë e kongreseve të PKJ-së dhe prijësit komunistë jugosllavë; penegjerikë për Marksin e pavdekshëm dhe sistemin e tij të pagabueshëm; vjersha për Metohinë…

Në pamundësi të shpalimit publik të pozitës së vërtetë të shqiptarëve në këto hapësira, krijuesit letrarë shfrytëzuan mjetin e vetëm të tyre – gjuhën ezopike, gjuhën e alegorive të kapshme, shpesh duke i projeketuar temat dhe motivet në kohëra të tjera, ku vuajtjet dhe egzodet/shpërnguljet masive të shqiptarëve përndjeheshin përmes marrjes së haraçeve gjatë sundimeve të mëhershme, përmes karvaneve të pafund të nizamëve, përmes kalvareve të kurbetqarëve…, që në fakt ishin aludime për ngjarjet e kohërave aktuale.

Pra, mund të thuhet se letërsia dhe kultura shqiptare e viteve të ’60-ta, e viteve të demonstratave dhe lëvizjeve të mëdha liridashëse, posaçërisht letërsia që kultivohej në hapësirat tona, ishte e paktë në prurje cilësore e sasiore. Mëgjithatë e mjaftueshme për rrethanat e kohës, sa për të hedhur farën e një të ardhmeje ndryshe. Krijuesit e asaj kohe kultivuan aq sa mundën letërsinë shqipe, shpaluan shpirtin dhe filozofinë e njeriut tone, kultivuan ndjenjën për kombin dhe për atdheun… Disa prej tyre dhanë kontribut të paçmueshëm edhe për unifikimin e gjuhës shqipe dhe vunë bazat e një letërsie dhe kulture frytet e sëcilës shpresojmë të ndihen akoma më mirë në vitet që vijnë.(http://portalb.mk)

Dashuria nuk shikon me…



“Dashuria nuk shikon me sy, por me mendje”


Thënie nga Uilliam Shekspir.

E vërteta në një kohë mashtrimi…



“Të thuash të vërtetën në një kohë mashtrimi është veprim revolucionar”.


Thënie nga George Orwell.

Nëse e ke mendjen vetëm të të pëlqejnë, atëherë…



“Nëse e ke mendjen vetëm të të pëlqejnë, atëherë do të jesh e përgatitur të bësh kompromis me gjithçka dhe në çdo kohë, dhe nuk do të arrish asgjë”


Thënie nga Margaret Thatcher, e para kryeministre femër e Britanisë, në një intervistë për Press Association.

Një njeri mund edhe t’i imagjinojë…

“Një njeri mund edhe t’i imagjinoj gjërat e pavërteta, por gjërat e vërteta ai mundet vetëm t’i kuptojë”

Isaac Newton

Zhurma dhe heshtja...

“Më e rëndë se zhurma shurdhuese e njerëzve të dhunshëm është heshtja e frikshme e njerëzve të ndershëm”

Martin Luther King, Jr. (15 janar 1929 – 4 prill 1968) ishte një amerikan klerik, aktivist dhe lider i shquar i Lëvizjes së të Drejtave Civile afrikano-amerikane.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...