Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/15

RISHQYRTIMI I HISTORISE SHQIPTARE


Akademikë, historianë e studiues të fushave të ndryshme janë bërë bashkë në Prishtinë në konferencën shkencore për të diskutuar rreth Shqipërisë dhe Kosovës, 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Me organizimin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës dhe Institutit të Historisë në Prishtinë, konferenca shkencore dyditore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas” ka filluar punimet të enjten me fjalën e dy kryetarëve të akademive, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Akademik Hivzi Islami, kryetar i AShAK-ut, i cili ka hapur konferencën, ka thënë se shpreson që kjo ngjarje me çështjet që do t’i trajtojë në kuadër të temës, me komplementaritetin në mes tyre, mbi bazë të argumenteve të reja shkencore, do të jetë produktive në zbardhjen e një mori problemesh dhe zhvillimesh njëshekullore. Sipas tij, ky jubile duhet të shërbejë si një fillim i shqyrtimit të historisë shqiptare. 

“100 - vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe jubileu i 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë edhe një moment për rishqyrtimin e historisë, më ç’rast ngjarjet dhe personalitet historike do të interpretoheshin dhe vlerësoheshin nga këndvështrimi objektiv shkencor”, ka thënë akademik Islami. Sipas kryeakademikut të Kosovës, këto dy jubile janë gjithashtu një rast që gjakftohtë, pa emocione e patetikë, të nxirren mësime nga pikat e dështimeve dhe qeverisjeve në të dy anët e kufirit dhe të reflektojnë për një qeverisje racionale e produktive dhe perspektivë të sigurt euroatlantike. 

“Pavarësia e shtetit duket sikur ndërtimi i shtëpisë, më lehtë bëhet e më vështirë mbahet”, ka thënë kryeakademiku kosovar. Sipas tij, punët dhe përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës filluan pikërisht më 17 shkurt 2008 dhe do të jenë edhe më të mëdha pas përfundimit të procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare që ndodhi para tri ditësh. Për kryetarin e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, problemet dhe sfidat e Kosovës mbesin në radhë të parë te përpjekjet për mbrojtjen nga individualizmi i mundshëm territorial i shtetit, te mbrojtja nga grabitja e pasurisë kombëtare, te sundimi i ligjit, te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe te angazhimi për jetë dinjitoze të qytetarit të Kosovës. 

Por përpos akademik Hivzi Islamit, kërkesën për rishqyrtimin e historisë shqiptare nuk e ka përmendur në fjalën e tij as kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj e as drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Jusuf Bajraktari. 

Por për akademikun Beqiraj kjo konferencë mund të hedhë dritë përmes studimeve në proceset historiko-politike e kulturore që çuan në realizimin e pavarësisë. 

”Me gjithë këto zhvillime dramatike, fitorja e pavarësisë së Shqipërisë dhe fitorja e pavarësisë së Kosovës, gati një shekull më pas, dëshmojnë se nuk mund të ketë forcë në botë që të arrijë ta varrosë ëndrrën e lirisë së një populli”, ka thënë Beqiraj. 

E Jusuf Bajraktari ka fokusuar fjalën e tij më shumë në përfshirjen e Kosovës në procesin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. 

Sipas tij, me gjithë rrethanat dramatike që po zhvilloheshin ato kohë në Kosovë, përfaqësimi i saj dhe roli që luajti Kosova dhe kosovarët në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pasqyrohet jo vetëm me pjesëmarrje të delegatëve, por në veçanti duhet vlerësuar besnikëria e luftëtarëve kosovarë. 

“Megjithatë, krijimi i një Shqipërie të pavarur, pa Kosovën, Çamërinë dhe viset e tjera etnike, e përgjysmoi gëzimin e shumëpritur të popullit shqiptar”, ka thënë Bajraktari. Për një temë më ndryshe sesa vetëm procesi historik deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ka folur akademik Pajazit Nushi. “Mendimi akademik dhe doktrina serbe ndaj shqiptarëve” ka qenë titulli i referimit të akademik Nushit. Sipas tij, mendimi akademik serb ka qenë nxitës i zhvillimeve si vrasjet e dëbimet masive të shqiptarëve në gjithë historinë 100-vjeçare. Ky mendim, sipas tij, ka pasur ndikim autoritar në formimin dhe zhvillimin e qëndrimeve politike të organeve të institucioneve të pushtetit serb. 

“Në këtë pikëpamje rezultat i gjurmimit të raporteve ndërmjet mendimit akademik, qëndrimeve politike dhe sjelljeve të formacioneve të armatosura serbe u tregua raport kauzal i ndërlidhur”, ka thënë Nushi. Sipas tij, nga ky rezultat del gjykimi përfundimtar, sipas të cilit misioni i institucionit më të lartë mendor i Serbisë nuk ka arritur ta lidh të vërtetën për shqiptarët me sjellje humaniste. Ai ka bindjen se qëndrimi akademik ndaj shqiptarëve dhe Kosovës është ngurtësuar, madje edhe fanatizuar fetarisht, por ka ngelur i pandryshueshëm gjatë gjithë shekullit të kaluar. 

“Konsideroj se pikëpamja e tyre për shqiptarët dhe Kosovën ka përmasa të mendimit doktrinar, që meriton shqyrtim studimor të gjithanshëm në mbështetje të rezultateve më të reja arkeologjike, gjuhësore, historike, sociologjike, psikologjike dhe të vlerësimit krahasimtar të tyre”, ka thënë akademik Nushi. Me referim, në ditën e parë të konferencës shkencore “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas”, kanë folur edhe akademikët Beqir Meta, i cili ka folur për afrimin e institucioneve kombëtare në vitet 20 dhe 30 vjetët e shekullit XX. Pas tij, në pjesën e dytë të konferencës kanë lexuar studimet e tyre edhe studiuesit Emine Bakalli, Biglin Çelik, Valentina Duka, Isa Bicaj, Ferit Duka, Frashër Demaj, Ilira Çaushi, Fehmi Rexhepi, Ana Lalaj, akademik Esat Stavileci e shumë të tjerë. Konferenca do të mbyllet sot.

Bekim Haxhiu: Historia e klasës së pestë, përrallë e shkruar keq

Deputeti Bekim Haxhiu është shokuar me historinë e klasës së pestë të shkollës fillore. E kishte marrë për ta lexuar nga kureshtja, kur atë e kishte sjellë në shtëpi vajza e tij, e cila sivjet është në klasën e pestë. Përshtypjet pas leximit të këtij libri shkollor, të enjten ai i ka ndarë  me kolegët deputetë në Kuvendin e Kosovës. U ka thënë se nga ajo që ka lexuar ka ardhur në përfundim se ky libër nuk u mëson histori fëmijëve, por ua ofron një “përrallë të shkruar keq nga Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj”. 
 
Më pas është përpjekur ta arsyetonte perceptimin e tij ndaj librit.  

“Në këtë libër shkollor fëmijëve tanë u mohohet historia e vërtetë...Në të, le që nuk flitet për themelimin dhe historinë e UÇK-së, por fëmijëve u mohohet të mësojnë për komandantin legjendar të UÇK-ës Adem Jashari,  për heronjtë tanë si Zahir Pajaziti , Luan e Shkëlzen Haradinaj, për Fehmi e Xhevë Lladrovcin,  Ilaz Kodrën e shumë heronj të tjerë”, ka thënë Haxhiu. Nuk ka mbaruar me kaq. 

“Fëmijëve tanë, në këtë libër shkollor u mohohet të mësojnë për heronjtë dhe figurat më të ndritura, që dhanë më së shumti që këta fëmijë të rriten të lirë”, ka vazhduar Haxhiu. “Më besoni ose jo, fëmijët tanë në këtë libër mund të lexojnë në faqen 104 vetëm tre rreshta për luftën e fundit të UÇK-së, kurse në faqen 106, si për ironi shkruhen dy rreshta më shumë për administratën e UNMIK-ut dhe më pas shkruhet edhe për zgjedhjet e pasluftës dhe historinë e tyre”, ka shtuar ai. 

Autorët e librit, sipas tij, më shumë u kanë dhënë hapësirë krijimit të partive politike dhe filmave si “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” dhe “Era e Lisi” sesa formimit të UÇK-së dhe komandantit të saj.

“Në këtë libër fëmijët tanë nuk mund të mësojnë për protestat e studentëve të 1 tetorit 1997, as për Adem Demaçin e as për Ukshin Hotin, e as që mund ta gjesh një fjalë të vetme për mijëra të burgosur politikë. As edhe një fjalë, as edhe një numër për mijëra të vrarë në luftën e fundit”, ka konstatuar Haxhiu. 

Frashër Demaj, si njëri nga autorët e librit, i ka vlerësuar këto kritika të paqëndrueshme. Për “Kohën Ditore” ai ka thënë se historia e klasës së pestë qëllimisht nuk është ngarkuar me fakte, data e emra, sepse në të kundërtën do të bëhej e pakapshme për fëmijët e asaj moshe. 

“Qëllimi, ka qenë që nxënësit tanë të mësojnë ngadalë histori e jo të ngarkohen me fakte e më gjëra të tjera që janë vështirë të kapshme për nxënësit e klasës së pestë”, ka thënë Demaj. 

Shqiptarët, sipas tij, kanë një histori mbi 2500-vjeçare dhe secila periudhë e ka rëndësinë e saj. 

“Pastaj është çështje e autorëve të teksteve shkollore se çka ata e çmojnë si më të rëndësishme. Por secili duhet ta kuptojë se autorët e teksteve, në vija të trasha përfshijnë të gjitha periudhat e historisë dhe përfshijnë të gjitha personalitetet e rëndësishme që kanë lënë gjurmë. Kështu kemi vepruar edhe ne”, ka deklaruar Demaj. 

Ai nuk është befasuar nga Haxhiu që ka thënë se UÇK-së i janë kushtuar vetëm tre rreshta, duke thënë se po të varej vetëm prej tij, edhe vetë do t’i kishte bërë shumë gjëra më ndryshe.

“Mirëpo, secili duhet ta dijë se ka rregulla se si duhet shkruar historia për mosha të caktuara”, ka thënë Demaj. “Duhet të jemi të vetëdijshëm si historianë dhe si deputetë, por edhe si qytetarë të thjeshtë se historia nuk fillon as nuk mbaron me neve. Unë nuk jam i gatshëm që të bëj ndryshime për teka të askujt. Do të ishte mirë që secili qytetar i Kosovës të vetëdijesohet dhe ta kryejë punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur ai. 

Në këtë kuptim, ai ka shtuar se edhe deputetët duhet të gjykojnë me një gjuhë pak më intelektuale dhe më të pranueshme kur dëshirojnë të komunikojnë me intelektualët. Tekefundit, ka thënë se: “Kritikat nga joprofesionistët janë joserioze”.

Në fakt, libri i historisë për klasën e pestë është kritikuar edhe nga  disa historianë qysh para dy vjetësh. 

Por jo për UÇK-në! Asokohe është polemizuar rreth “paraardhësve të ilirëve”. Derisa autorët e librit kanë shkruar se: “Dijetarët mendojnë se pellazgët janë paraardhësit e ilirëve”, historiani Jahja Drançolli pati thënë se kjo është vetëm një hipotezë, që nuk është dashur t’u servohet fëmijëve për mësim. 

“Këto teza janë lansuar më shumë nga historianët romantikë të shekullit nëntëmbëdhjetë, mandej janë përsëritur, por janë krejt hipotetike”, pati thënë ai. 

Ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i cili vetë është historian, pati thënë se për tekstet shkollore të historisë, përgjegjësinë e mbajnë autorët. Libri i historisë për klasën e pestë, megjithatë, është lejuar nga MASHT-i.  

“Kujtimet...” Mark Krasniqit

 Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot në orën 14.00 përurohet libri i Mark Krasniqi “Kujtime e përjetime - shënime biografike”. Akademik Mark Krasniqi ka përmbledhur gjithë kujtimet dhe përjetimet e tij gati njëshekullore në një vëllim të veçantë.
 
Në këtë vëllim prej më shumë se 500 faqesh akademik Mark Krasniqi ka hedhur në letër gjithë përjetimet dhe shënimet biografike të jetës së tij, duke rikujtuar fëmijërinë e tij, shkollimin, studimet, veprimtarinë shkencore e akademike, punën pedagogjike me studentë, përballjet me pushtetin e egër komunist e policor, angazhimin e tij në jetën politike të Kosovës së paraluftës e të pasluftës, si dhe takimet me miqtë e tij të hershëm e të rinj deri në ditët e sotme.

Libri ka një rrëfim që kapërcen kufijtë e një rrëfimi personal. Kjo biografi e jetës dhe e veprës së akademik të Mark Krasniqit është një biografi e popullit shqiptar të Kosovës, e përballjes së autorit të veprës dhe e popullit të tij me sfidat më të mëdha të luftës për liri, për demokraci e për pavarësi të vendit. 
Me këtë rast do të flasin: publicisti Vehap Shita, historiani Jusuf Buxhovi dhe studiuesi Anton Berisha.   

SHKATRRUESI I KOOSVES AMBASADOR NE JAPONI

 Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur të premten se mund të kthehet mbrapsht dekretimi i Ahmet Shalës për ambasador në Japoni. Kjo nëse gjykata e bën në ndonjë gjë përgjegjës atë, në rastin e privatizimit të hotelit “Grand”. “Dekretimi është përmbyllur duke respektuar normat kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Atifete Jahjaga. “Në këtë rast, si dhe në çdo rast tjetër në të cilin presidentja e ka kompetencën e emërimit, mund të procedohet ndryshe pas vendimit të plotfuqishëm të organit gjyqësor dhe pas kërkesës që bëhet tek organi propozues”.
 
Shala, i cili ka qenë ministër i Financave në mandatin e shkuar, ishte përmendur si ambasador në Shtetet e Bashkuara, e pastaj në Belgjikë, mirëpo kurrë nuk janë dhënë arsyet pse në fund ishte vendosur të dërgohej në Japoni. 

Ministria e Jashtme nuk ka dhënë një përgjigje, nëse e kanë ditur situatën me “Grandin” kur e kanë propozuar Shalën për ambasador. 

Prokuroria nis hetimet për aferën e “Grandit”

Prokuroria ka nxjerrë një vendim të premten pasdite për nisjen e hetimeve kundër Astrit Haraqisë, Ukë Rugovës, Naser Osmanit dhe Gazmend Abrashit për vepra penale që lidhen me korrupsionin, shkruan Koha Ditore e së shtunës. Burime nga Prokuroria kanë thënë se është diskutuar se çfarë veprash penale mund të jenë kryer. Burimi ka thënë se është nxjerrë përfundim se dyshimi i bazuar ekziston se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit. Vendimi është marrë pas publikimit të dëshmive të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe biznesmenit Remzi Ejupi, të cilët kanë zbuluar ata që i kanë identifikuar si “sekserë të Dino Asanajt”.

Pavarësisht se Remzi Ejupi ka dalë para disa muajsh në media duke akuzuar Dino Asanajn se i ka kërkuar para, Prokuroria nuk është ngutur të kryejë hetime, sikur në një rast tjetër të ngjashëm të para disa ditëve lidhur me Sami Hamitin e dy afaristë të Prishtinës, ndaj të cilëve nisën hetimet dhe u caktuar paraburgimi prej 30 ditëve.

Rasti i “Grandit” tregon për një nivel të lartë të korrupsionit në Qeverinë e Hashim Thaçit. Një zëvendësministër i tij i kërkon 3.6 milionë euro një zëvendëskryeministri të Qeverisë, por Prokuroria nuk ndërmori asnjë aksion për arrestimin e të dyshuarve.

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, ka mohuar se po aplikohen standarde të dyfishta, ndërsa EULEX-i ka thënë se rastet i shikon të ndara nga njëri-tjetri. Cilat janë dëshmitë e paraqitura në polici nga Remzi Ejupi, pse për këtë rast është intervistuar nga policia edhe Baton Haxhiu, drejtues i TV Klan-Kosova?

Shaqiri: Nuk e festova golin - Unë jam shqiptar


Shaqiri: Nuk e festova golin - Unë jam shqiptar
Njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar të të gjitha kohërave, Xherdan Shaqiri, i cili shënoi golin e parë për Zvicrën në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Shqipërisë, e vlerësuar këtë shënim të mirë dhe të keq. “Ishte mirë pasi shënova gol për Zvicrën. Por ishte shumë keq pasi i shënova Zvicrës”, kështu ka deklaruar futbollisti i Byaern Munchiot, i cili është i lindur në Zhegër të Gjilanit, i cili nuk festoi pas këtij shënimi. “Nuk festova pasi e ruajë përjetësisht respektin për Shqipërinë”, ka thënë Shaqiri. Ai gjithashtu ka theksuar se e kishte shumë të vështirë të luante ndaj Shqipërisë. “E kemi ditë që ka me qenë një lojë e vështirë, pasi ka qenë emocionale për neve shqiptarëve që luajmë për Zvicrën. Por u koncentruam maksimalisht në lojë duke mos i kujtuar artikujt e ndryshëm që shkuarin mediet. Na kanë etiketuar si tradhtar por ata nuk e dinë realitetin përndryshe nuk do të na quanin ashtu”, ka përfundoi “Xhuxhi Magjik”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi përgëzon treshen e shqiptarëve të Zvicrës


Ministri Krasniqi përgëzon treshen e shqiptarëve të Zvicrës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social “Twitter” ka përgëzuar futbollistët nga Kosova që janë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës: Xherdan Shaqirin, Valon Behramin dhe Granit Xhaka. “Bravo për profesionalizimin dhe dinjitetin. Mburremi me ju dhe lojtarët tonë gjithandej”, ka shkruar ministri Krasniqi në “twitter”. Treshja kosovare ishte në 11-shen titullare të Zvicrës në fitoren kundër Shqipërisë, të martën në mbrëmje në Lucernë, me rezultat 2:0. Golin e parë e realizoi Xherdan Shaqiri, pas një gabimi të mbrojtjes kuqezi, kurse golin e dytë e shënoi Inler nga penalltia.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...