Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/16

Dashnim Hebibi “Intervista në tranzicion 2”, shtëpia botuese “Rugova Art”,Prishtinë,2012

 


Libri i poetit Dashnim Hebibit ngërthen në vete një numër intervistash, zhvilluar këto vitet e fundit nga profesioni i tij si gazetari që për lexuesin në këtë libër ai ësaj ardhe ka sjellur një sër intervistash me perosnalitet të kulturës dhe poltikës shqiptare dhe bot¨rore.  Veçohen këtu intervistat me Wesli Clark, Sali Berishën, Eliot Engel, Micheline Calmy-Rey dhe me shumë personalitete të politikës, kulturës, ekonomisë, biznesit dhe artit shqiptar, gjithandej gjeografisë mbarë shqiptare brenda e jashtë Trojeve Etnike, gjithandej ku veprojnë e punojnë shqiptarët, që nga Kosova Lindore, Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia, Evropa e deri në Amerikë.




Doli libri i Dashnim Hebibit “Intervista në tranzicion”-2

Dashnim Hebibi “Intervista në tranzicion 2”, shtëpia botuese “Rugova Art”,Prishtinë,2012

Nga Naim Kelmendi

Libri i Dashnim Hebibit “Intervista në tranzicion -2” përmban në vete një sërë intervistash, të cilat gazetari ynë i mirënjohur i ka realizuar kohë më parë me një sërë personalitetesh të politikës, artit, muzikës, sportit, e të veprimtarive kombëtare etj e shumë e shumë të tjerë personalitete të shquara nga të gjitha sferat e jetës, por që këtu përbëjnë si të thuash edhe atë gjeografinë etnike shqiptare, ngase Hebibi ka intervistuar njëlloj nga të gjitha trevat e gjeografisë sonë kombëtare, personalitete nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, nga Presheva, por edhe nga diaspora shqiptare në Evropë e Amerikën e largët, pra veprimtarë e personalitete të shquara e të dalluara. Kjo është më një fjalë ajo përbërja e librit të Dashnim Hebibit “Intervista në tranzicion-2”.
Ajo që e shquan këtë libër intervistash është vizioni i gazetarit Hebibi për të përmbledhur kështu në libër gjithë këtë gamë intervistash, por duke i përafruar në dy tre libra,
Ashtu siç shprehet recensenti i librit, z. Llukman Halili:” Dashnim Hebibi si askush deri tash me penën e tij brilante dëshmoi për historinë që askush tjetër s’guxonte ta rrëfejë. Duke e ndjekur parimin e teorisë së gazetarisë moderne se:”E vërteta është dhunë, realiteti luftë dhe lajmet janë konflikti”. Dashnim Hebibi kultivon me mjeshtri të madhe në të gjitha mediat, si në TV, në gazetë dhe në “online” gazetari, disciplinën më të vështirë të gazetarisë-intervistën, duke punuar gjatë tërë karrierës së tij, në përsosjen e saj dhe duke arritur deri tek ajo, që mund ta definojmë si mjeshtër i madh i Intervistës, i cili kurrë dhe asnjëherë nuk ia akceptoi me të drejtë përgjigjen “JO’, të intervistuarit. Dashnim Hebibi ka zhvilluar një teknikë intervistimi, që do ia kishin zili edhe shkollat më të njohura të gazetarisë duke kultivuar në këtë drejtim, posaqërisht të ashtuquajturën “Intervistën Prominente”, por edhe “Intervistën investigative“ –(hulumtuese).I njohur si njëri ndër njohësit, dhe të themi kushtimisht ekspert i gazetarisë së diasporës shqiptare, karrierën e nisi që gjatë studimeve të gazetarisë në Tiranë (ku diplomoi Fakultetin e Gazetarisë), duke bashkëpunuar në kohërat e vështira me gazetat e ndryshme të Shqipërisë, por edhe me Rilindjen që dilte në Tiranë. Do theksuar se të gjitha intervistat e këtij libri, më parë janë realizuar për gazetat dhe agjensitë në të cilat ka shkruar Hebibi, dhe në këtë libër si tërësi, mbase zgjojnë interes të veçantë për secilin lexues shqiptar, jo vetëm si lloj shkrimi, por ngase secila nga intervistat shpërfaq mjaft tematika që shtrohen për çështjen shqiptare, çështje të sukseseve të arritura të akëcilit personalitet fushash të ndryshme, por dhe mjaft çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare si në Kosovë, të shqiptarëve etnikë në Maqedoni, pastaj në Kosovën Lindore, atë në diasporën shqiptare etj. Kjo, zaten edhe është ajo rëndësia e këtyre intervistave kur lexohen e shijohen brenda kopertinave të një libri. Ajo që e dallon Dashnim Hebibin është intenca e tij si gazetar për të shtjelluar tematika të ndryshme përmes pyetjeve me të intervistuarin, duke mos e dështuar qëllimin deri në fund për të nxjerrë esencialen e asaj që do Dashnimi,për t’ua transmetuar këtë më pastaj lexuesit të tij, dhe këtë ia arrin në secilën intervistë e me akëcilin të intervistuar. Dhe, kështu për lexuesin shqiptar intervistat në këtë libër shpalojnë një gamë të tërë çështjesh qoftë të natyrës kombëtare, kulturore,sportive, të secilit prej të intervistuarve, pra shumë aspekte edhe të atyre më të cilat lexuesi as që i ka njohur më parë.Do ta përmbyllja këtë shkrim sërish me konstatimin e recensentit të librit Llukman Halilit:Autori, përmes intervistës, zhytet thellë në qenien e të intervistuarve, ai bëhet fati i tyre. Autori, i vetëdijshëm që lexuesi edhe në këtë kohë të revolucionit dixhital, informatën dhe rrëfimin e kërkon dhe e lexon nga ata të cilëve më së shumti u beson d.m.th. gazetarëve, misionin e vet e ngritë në piedestalin më të lartë të besueshmërisë. Zhvillimi teknologjik, ndoshta, mundëson që shumëkush të provohet në "Mission of a Journalist", çka profesionin prej gazetari e bën shumë më transparent, por kjo është vetëm provë dhe më pastaj bindje që gazetari posaçërisht i specializuar në intervistë është i vetmi që mund t`ia dalë në misionin e tij, dhe Dashnim Hebibi edhe me këtë libër ia del, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe duke i dhënë një kontribut të madh gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në diasporë dhe hapësirat shqiptare në përgjithësi.


Në botim të Shtëpisë Botuese "Rugova Art" në Prishtinë, doli libri i publicistit të mirënjohur, Dashnim Hebibi: "Intervista në tranzicion ( I )”.


Libri publicistik i poetit, gazetarit dhe publicistit tonë të mirënjohur Dashnim Hebibit ngërthen në vete një numër intervistash, zhvilluar këto vitet e fundit nga gazetari i dalluar, e që për lexuesin në këtë libër, të përmbledhura përmban një vlerë të lartë për publicistikën tonë shqiptare, sidomos në shtjellimin tematik të shumë çështjeve, e që do të mbetet një lëndë e pasur në këtë fushë, sidomos për atë të intervistës.
Veçohen këtu intervistat me Wesli Clark, Sali Berishën, Eliot Engel, Micheline Calmy-Rey dhe me shumë personalitete të politikës, kulturës, ekonomisë, biznesit dhe artit shqiptar, gjithandej gjeografisë mbarë shqiptare brenda e jashtë Trojeve Etnike, gjithandej ku veprojnë e punojnë shqiptarët, që nga Kosova Lindore, Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia, Evropa e deri në Amerikë.

"Intervista në tranzicion ( I )", ka 600 faqe dhe do të promovohet në Kosovë, Kosovë Lindore, Maqedoni, Shqipëri dhe Diasporë. 

Libri ka për redaktor Naim Kelmendin dhe recensent është Llukman Halili.

Pjesa e dytë e librit pritet ta sheh dritën në shtator të këtij viti, ku do të ketë mbi 700 faqe dhe plot intervista interesante.




Publikohet fotoja e parë e autorit të filmit anti-Islam


“The Mail on Sunday” ka publikuar ekskluzivisht këtë foto, ku Nakoula Basseley Nakoula – i njohur ndryshe edhe si Sam Bacile shfaqet përkrah aktores Anna Gurji, e cila thotë se është mashtruar nga drejtori 55-vjeçar.


Nakoula është një i krishterë kopt egjiptian që tanimë jeton në Kaliforni. Më parë, ai është dënuar për tregtim droge dhe mashtrime të shumta, teksa në qershor të vitit të kaluar u lirua nga burgu.

Filmi i tij ka shkaktuar trazira të mëdha anti-amerikane nga Maroku në Malaizi. Shtatë persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

21-vjeçarja Gurji, e cila luan rol në filmin “Pafajësia e Myslimanëve” thotë se drejtori i ka mashtruar ata dhe se personazhi të cilit i ka vëne emrin Muhamed pas regjistrimeve autori, gjatë regjistrimeve të filmit ishte thënë se ishte Xhorxhi.

Ajo tashmë ndjehet e frikësuar. “Jam katolike dhe njerëzit do mendojnë se kam diçka kundër myslimanëve. Kam qarë me ditë të tëra dhe marr ilace për të fjetur. Ndjehem e tradhtuar, mendja me ka mbetur vetëm tek filmi. Ata shohin atë film të tmerrshëm dhe mes aktorëve jam edhe unë”.

Gurji thotë se aktorët besonin se po luanin në filmin “Luftëtarët e Shkretëtirës”, por gjithçka e ka ndryshuar Nakoula Basseley Nakoula më pas, i cili nuk kishte folur asgjë në lidhje me fenë.

Aktorja e re thotë se është paguar shumë pak, 75 dollarë në ditë, dhe se skenat i ka luajtur para një skene të gjelbër, gjithçka është manipuluar më pas nga Nakoula Basseley Nakoula.

Ditën e djeshme, media ndërkombëtare publikoi një foto të Nakoulas tek dërgohej për t’u marrë në pyetje, por fytyrën e kishte të mbuluar.

2012/09/15

Replikë e detyruar me mikun tim Agron Tufa, rreth shkrimit të tij me titull “Koha kur kërcënonte Kreshniku

REXHEP SHAHU

A NGJAN KRESHNIK SPAHIU ME NJË BERBER PRIZRENI

(Replikë e detyruar me mikun tim Agron Tufa, rreth shkrimit të tij me titull “Koha kur kërcënonte Kreshniku”)

“Tradhëtarët porsi miu
I dënon Kreshnik Spahiu…”.

Dikush më thotë se Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuqezi ngjan me një berber të zakonshëm në Prizren. Por jo, unë them jo. Cilido berber në Prizren ka dinjitet. Ato dinë ta mbajnë briskun. Më ka marrë malli me u rrue në Prizren, me e pastrue këtë mjekrën e ashpër, me i pre flokët për lezet, plot kujdesje e temenara. Për Kreshnikun s’e di. S’e di a ka dinjitet, s’e di a di ta mbajë briskun e rrojes. Por brisk rroje që ngjan si kosë ai e ka marrë në dorë dhe po pret kaçurrelet e reve në qiell, stërkalat e pabindura të dallgëve në det.
Pastaj është shumë larg të krahasohet Kreshniku me berberin e Ali Pashait që i vinin shpesh mendime të liga sikur… sikur me ia pre kryet pashait…
Berberi veç një brisk ka në dorë. Kreshniku ka në dorë gjithçka. Ai është vetë shpata e Demokleut. Ama gjithçka ka në dorë po të them Agron Tufa. Ai vendos fatet e kombit tonë, të rajonit tonë, të kontinentit dhe të botës. Të zogjve, të kafshëve, të njerzve që janë mbi tokë dhe të atyre që janë nën tokë. Për të mos thënë se ai vendos edhe për marsianët. Ai i urdhëron. Ai vran e kthjell. Ngroh e ftoh. Gjëmon e veton. Zbardh, nxin. Bën ditën, bën natën. Mbron e shet dete, blen dete, oqeane, lumej, përrej. Mbron qiellin, shet qiellin po deshi. Ti nuk e di, por me iu mbushë mendja ua ndalon fluturimin zogjve. Ai shemb kushtetuta, ndërton nga e para kushtetuta, çelë dosje, mbyllë dosje. Ai dënon me burgime të përjetshme, me varje. Me varje edhe për gjuhe po deshe ti.
Kujdes edhe ti Agron Tufa se je tamam me të çelë dosje Niku edhe ty. Se nuk je pak i rëndësishëm në strukturat e këtij shteti. Je i njohur në vend. Drejton edhe TVSH – në dhe disa organizma të tjera. Edhe mua mund të më çelë dosje, por nuk i fut mendtë me mua ai. Por edhe nëse më çel dosje, unë i di mëkatet e mia, e meritoj për shkak të këtij shkrimi dhe të kapitullit Folkpatriotizëm, në librin Apologji për Udhën e Kombit. Ose mbase edhe se kam punuar zëdhënës shtypi i Ministrisë së Bujqësisë. Por nuk e kam peshën tënde, ndaj mos u çudit nëse të çel dosje Niku.
Kreshniku është në rol i dashur Agron, në rolin e tij sikur po mban flamurin, sikur ka në dorë shkopin… Sikur po përgatitet e po ushtrohet me hy në shkollë të lartë të arteve për aktor, sikur…
Flokët e zes. Kujdes, krejt të zes. Krejt brilantinë. Shndritshëm e si pakujdesshëm. Krehur orë të tëra. Me flamur i pëlqen me dalë kudo. I mrroltë. I vrantë, shumë i vrantë, vrantë. Me ato gishtat kryqëzuar sikur thotë dyfish hypni këtu e shihni Stambollin. I rrethuar nga fotomodele që kushtojnë shtrenjtë. Aktron bukur. Plot drithërimë, nerv, ankth për kufomat, për të dëshpëruarit, për të vdekurit e partive të tjera.. Ngre të vdekurit nga varri. Kush zotëron të vdekurit, dihet, zotëron jetën e gjallë, apo jo Agron. Ai blen të vdekurit. I gradon kalorës, bën taborre me to për me trembë të gjallët.
Ai ka ushtri pas vetes. I ka në xhep. Kur të duash ti ai i ka një milionë vota që sot. Vetëm brenda vendit. Pa llogaritë sa ka në diasporë. Mund ti bëhen 5 milionë vota. Ai do ta marrë pushtetin vetëm, nuk do të bashkohet me këto të vjetrat parti si PD e PS, por as me Frymën e re. Jo jo jo, nuk ka asnjë lidhje me frymën e re apo gromësimën e re të Topit, jo. Më vonë do bashkohet që ta bëjnë të plotë shqiponjën. Ai do ti fitojë zgjedhjet dhe në parlament do të ketë jo dy të tretat, por katër të tretat. Nëse parlamentit i duhen 140 deputetë, Kreshniku do të fitojë 240 deputetë. Është e prerë kjo, ta siguroj unë Agron këtë gjë. Ai i ka një milionë vota që sot, kur të dyja forcat e mëdha politike nuk i bëjnë që sot një milionë vota.
S’e desh harrova. Do t’i këndohet kënga. Ajo e qëmotshmja : “Tradhëtarët porsi miu / I dënon Bedri Spahiu…”, do të këndohet nga sivjet e mbrapa: “Tradhëtarët porsi miu / I dënon Kreshnik Spahiu…”. Shpëtuam thuaj. Shpëtuam prej tradhëtave. Kemi Nikun tani.
Ti thua se po dënon shumë Niku. Po le të dënojë o Agron djali edhe ai ndonjë se nuk bëhet nami. 20 vjet në majë të piramidës së drejtësisë, edhe pse i përkulur gjithmonë, sa kapo e shef plot salltanete, gjëmëmadh, mirëbërës, mëshirëbërës, shefcakonjës, kryetarcaktonjës, gjyqtarcaktonjës për gjithë drejtësinë shqiptare sipas meritës që është përkulje majtas ose djathtas nga pesha e çantës që ofron tek shefcaktonjësi, edhe ai pra duhet të dënonte ndonjë. Ja nuk i dënoi atëherë se ishte koha e përkuljes deri në tokë, nuk pati kohë, deshirë e mundësi të dënojë asnjë, të marrë asnjë nismë, nuk pati mundësi të dënonte krimet e komunizmit (sa shumë pretendon edhe ti Agron…), nuk deshi të dënontë sigurimsat dhe i mbeti ora të bashkëpunëtorët e sigurimit (duke harruar me dashje sigurimsat që punësonin bashkëpunëtorë vartës…) le ti dënojë ca tani or vëlla. Edhe ai duhet të dënojë ca se në fund të fundit ka qenë në krye të gjyqësorit dhe iku pa dënuar asnjë por vetëm duke falur gjithmonë i shkoi 20 vjetshi…
Pak është që do ta dënojë Berishën me burgim të përjetshëm. Si detshitës. Si udhëkombbërës. Sa mirë që kemi Kreshnikun që na mbron detin, na mbron shtetin…
Kreshniku nuk duhet të impresionohet fare nga ti Agron Tufa. E ka lehtë fare : një të urdhëruar për me i hapë dosje Agron Tufës, tak fap. Apo nuk e meriton ai Agron Tufa se si shpesh hedh fjalë të helmëta që plagosin e dhembin më shumë se thika e bajoneta.
Sa ishim te Berisha, në fakt ai e meriton të dënohet. Por vetëm për shkakun që e pati bërë numrin dy të qeverisë gjyqësore në vend Kreshnik Spahiun dhe e pati ulë… në sexhade... E pati bërë nënkryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për këtë Berisha e meriton një dënim.
Po për Nikun edhe Berisha është i vogël. Nikut nuk i ka shkue ende mendja se ai dënon Jezuin, Muhametin, Anshajnin pse shpiku atë dreq bombe, Shekspirin, Danten, Sokratin, Senekën, Hygonë, Dostojevskin, Hurshovin, Obamën, Bushin. I fut një të dënuar me burgim të përjetshëm apo me varje Ditës, Natës, Diellit, Erës, Shiut që përmbyti Shkodrën, Zjarrit që na dogji pyjet, Rrufeve që na bëjnë zhurmë kur kërcasin, Vetëtimave që na verbojnë sytë kur shndrisin, Dimrit, Verës, Vjeshtës, Pranverës…
E ke hak ti Agron një çelje dosje dhe një dënim deri në 8 vjet. Por çke ti, mos u tut, se marrim Nikun avokat dhe të liron ai në vend. I di mirë kombinacionet, është i paparë. I themi atëherë, avokat Niku, a po na mbron nga ai Kreshniku i tmerrshëm…
Ti Agron miku do ta përjashtosh edhe nga folklori politik? Pse or vëlla. Berisha e përjashtoi, edhe ti don ta përjashtosh. Po ty s’po ta cënon folklorin siç ia cënoi Berishës shtetin. Ulur në karrigen e shtetit bëri biznes politik, parti politike, futi vota vartësish në pe (hyp këtu e shif Stambollin…).
Ai do ti marrë me radhë, nuk bën pazare ai, nuk fal ai. Do ta dënojë Ramën, Bashën, Nanon, Ruçin, Metën, Ngjelën, Gjinushin, gjithë gjykatësit dhe prokurorët që s’i ka emëruar ai do ti dënojë. Gjithë koncensionet do t’i dënojë, do t’i anulojë. Koncensiondhënësit do t’i varë për gjuhe, të tërë do t’i dënojë se ai nuk fal jo, është strikt, i prerë, i drejtë, thellësisht i ndershëm. Për interesa të atdheut ai nuk fal askënd.
Thua ti janë mbyllë disa dosje ligjërisht!? Do ti hapë ai sërish se ai është ligji vetë, është mbiligji. Është kushtetuta vetë. Ai do të krijojë gjykatën për gjykim të vendimeve të gjykatave të krimeve të ëndërruara. Mos u çudit jo, mbaje mend ç’po të them.
A ke degjuar ti atë “Nga njëri det, në tjetrin det, zot ishim vetë…”. E reciton Mirush Kabashi. Atë do mbërrijë Kreshniku. Tërë detet do t’i marrim se janë tonat, ishim zotër vetë nga njëri det në tjetrin det…
Athinën the?! Do ta marrë shpejt e shpejt Kreshniku Athinën se është shqiptare ajo. Ai e di lagjen “Plakë” atje, e di se është e jona. Gjithë emigrantët votojnë për të. Por edhe grekët e serbët e pakënaqur në vendet e tyre do të votojnë Nikun.
E di ti Agron pse nuk e pranuan në UNESCO Ciklin tonë të Kreshikëve? Ja ta them unë. Ministria jonë e Kulturës dërgoi dosjen e Ciklit të Kreshnikëve për ta pranuar në UNESKO bashkarisht me Kosovën.
Përgjigje mospranuese u përligj me statusin e Kosovës që ende nuk është anëtare e OKB. Po kush e ha këtë? Burime të sigurta bëjnë me dije se kjo ka lidhje me vetë emrin e Ciklit të Kreshnikëve. Ai nuk duhet të quhet Cikli i Kreshnikëve, por Cikli i Kreshnikut.
Po po, ka vetëm një Kreshnik, thanë ata të huajt, por ju shqiptarët nuk doni t’ia dini vlerën… Duhen bërë negociata të reja me UNESKON. Fundja s’është ndonjë gjë e madhe dhe e rëndë. Si Cikli i Kreshnikëve si Cikli i Kreshnikut, s’është ndonjë ndryshim i madh. Ti Agron s’leshon pe këtu, por dëgjo se dogmatizmi është i dëmshëm.
A e dëgjove një ditë vere sivjet teksa shpallte tradhëtinë e Berishës në Shëngjin të Lezhës, para plazhistëve nga Kosova. Tradhëtia është se ai Berisha ka ndërtuar Udhën e Kombit për hatër dhe interes të serbëve. Dhe për Kreshnik Spahiun Udha e Kombit është Udha e Serbëve. Po po, kështu tha Niku para kosovarëve në Shëngjin. Dhe të jesh i sigurtë ti Agron Tufa se një ditë vetëm serbët do të udhëtojnë nëpër Udhën e Kombit tonë se shqiptarët do të ecin nëpër mal me hy e me dalë në Kosovë, do të vijnë te deti nëpër mal të gjithë kosovarët. Ose le të udhëtojnë nëpër udhën e vjetër meqë e reja është udhë serbësh e vjedhjesh. E kanë thënë edhe nja dy a tre ambasadorë të huaj, e di edhe Enver Robelli që ata ambasadorët e huaj kanë thënë këtë gjë. Xhon Uidhers Gerdeci the?! Jo, jo, ai nuk ka thënë se Udha e Kombit është udha e vjedhjes. Janë ambasadorë të tjerë që e kanë thënë këtë. E di saktë Enver Robelli pra se cilët ambasadorë e kanë thënë.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, duhet ta shpërblejë Kreshnik Spahiun sepse gjithë njerzit që erdhën në plazhe sivjet në Shqipëri, nuk erdhën për plazh por erdhën vetëm se donin të shihnin Nikun, donin ta takonin Nikun, ta dëgjonin tek u fliste Niku nga afër, live, që të mrekulloheshin duke e parë atë në rolin e tij të aktrimit. Atdhetarët erdhën në Shqipëri vetëm për hatër të Nikut dhe ai ua la amanet gjithë kosovarëve, mos udhëtoni nëpër udhën e serbëve që ua ka bërë Berisha, por hajdi nëpër udhën e vjetër. Ministri Bumçi duhet ta shpërblejë Nikun. Mor po vetë Berisha duhet ta shpërblejë Nikun që solli aq shumë pushues sivjet. Nuk ia dinë kimentin fare Nikut.
Ti miku im Agron e ke marrë seriozisht. Na shkrive gazit. A mos të ka hedhë zihiret, dhe, edhe ty shakujt e venës po të ngjajnë si gjigande. Është Niku ej Sançoja i radhës. Don me mbush barkun ai. Ti dhe unë i dukemi Donkishotë, vjershëtorë, idealistë koti. Don lekë Sançoja – Niku ynë në fund të fundit se, çfarë kujton ti, hyp pa pare hoxha në minare?… Spektaklet kombëtariste nuk bëhen me dushke misri, por me lekë, me lekë o njeri. Është stina e mashtrimit e aktrimit për vota se pa vota nuk hyhet në parlament e pa qenë atje kurgjë kurrkujt, më rrove të rrova, brisku i berberit të Prizrenit...
Po të duket Kreshniku dhe AK më shumë zi se sa kuq ty Agron Tufa?! Mua më duket më shumë kuq se sa zi.
Ç’është kjo luftë ndaj të zezës Agron. E kemi shqiponjën të zezë. Por më duket të është prishur numri i syzeve, shiko rregullo numrin e syzeve. Një pikë të zezë do ta kemi, por ama një pikë e jo krejt zi apo më shumë zi…
Përmend diku nazistët. Jo. Niku i ka xhan hebrenjtë, (jo si mysliman jo…), amerikanët, norvegjezët, kinezët, turqit, po po turqit… Ai do ta marrë edhe Skënderbeun me gjithë kalë dhe do t’ia çojë atje në Stamboll Erdoganit e do ti thotë hiqe mor këtë Ataturkun dhe mba këtë Skënderbeun. Nuk e pati shpallë kot Papa kalorës të Europës, të krishtërimit, shpalleni ju turqit edhe kalorës të Azisë… Në vend të Skënderbeut do të rrijë vetë Niku që ta vazhdojë pajtimin me turqit që e ka pulë e pite…
Agron, shiko, Mishelja e Obamës tha se Barak Obama është ëndrra amerikane. Ndërsa unë po të them se Kreshnik Spahiu është ëndrra shqiptare. Dëgjove? Dëgjova thuaj. Kaq.

NËNA IME ËSHTË "DE LUXE"


Senad Guraziu

(humoreske)

Më kujtohet kur si fëmijë, spontanisht, u futëm në një garë për t’i lavdëruar nënat tona. Nuk di tash me siguri nëse vërtet qe “spontane”, por dhe nuk di cili nga ne e shpiku, kush qe shkaktari, apo çfarë na shtyri në atë lojë të çuditshme. Di se ishim kthyer në kacagjela të papërmbajtshëm, bënim zhurmë e s’linim radhë për njëri-tjetrin, secili “kaçuretën” përpjetë. Shtyheshim se kush do ta gjente ndonjë fjalë më interesante ose shprehjen më të rrallë, për t’i ngritur nënat në qiell.
Nuk është se Fjalori ynë ishte i “varfër” por dhe aq e lehtë s’ishte. Kriteret ndryshonin çdo moment; ktheheshin në më të rrepta. Mjaftonte një shkëndijë pakënaqësie dhe ne vlonim me propozimet e panumërta. Një ditë prej ditësh, në një aso momenti “plogështie të rastit”, kur ishim hutuar pakëz me numrimin dhe me klasifikimin e gogëlxhamave, Lavdërim “qurravecit” papritmas i shkrepi diç shumë interesante: “Nëna ime është de luxe…” tha me një lloj pasigurie, së cilës saora ia vuri ndërskamcën. Çështje sekondash në fakt, vetëtimthi u bind se thënia e tij mund të quhej “bingo”! Mënga e tij “rrëshqiti” një herë si shigjetë poshtë hundës së skuqur dhe sytë e tij filluan të shkëlqejnë.

Ne shikuam njëri-tjetrin, të stepur e të mekur. S’kishte mbetur gjë për ne. Filluam të zbrisnim si “gjelat e Konicës nga gardhi”, që të gjithë kokëulur, njëri pas tjetrit. Ishim mërrolur e prishur në fytyrat. Çdo gjë që kishim përmendur deri atëherë ra në ujë, filloi të “ndryshkej”, s’kishte më vlerë. Habia dhe zilia na kishte turbulluar, sepse e dinim mirë: Lavdërim kaçurreli ishte fitimtari, ai dhe askush tjetër. Nuk ia vlente më, ishte e kotë. Ai thjesht ia kishte qëlluar në pikë. Në pikë të pikës. I kishte çarë shigjetat tona në dysh, si Robin Hudi. Fitorja është ëmbëlsirë, humbja është e hidhur – kot shtireshim, kot përvidheshim. E dinim mirë, vendimi ishte i vështirë por duhej të dorëzoheshim. Në sytë ia shihnim krenarinë të cilën ai as që mundohej ta fshihte. E pse ta fshihte! Pirolla i qoftë, e kishte gjetur që ç’ke me të.
Kapitullimi ishte i pashmangshëm! Më në fund - dikujt më herët e dikujt më vonë - na qe mbushur mendja se sado që të mundoheshim, diç më interesante se ai s’do të gjenim.

***
Dhe të gjithë ne, madje shumë muaj më parë, veç e kishim lexuar etiketën “de luxe” në traktorin e Xha Maliqit. Të gjithëve na pati pëlqyer shkëlqimi metalik, na xigëlonte, na pati mahnitur, seç kishte diç të kulluar në të… paçka se kuptimin etiketës nuk ia dinim. Ç’do të thoshte saktësisht ajo “de luxe”, as që e kishim idenë. Asnjëri nga ne. Ndoshta s’ishte as nevoja ta dinim, qyshkur ndodhej në traktorin më të ri që kishte parë fshati ndonjëherë. Fakti se ashtu shkruante (madje me shkronja të arta, shumë shkëlqyese), neutralizonte nevojën për ta kuptuar në thelb domethënien e asaj etikete. Për këtë fliste mjaftueshëm vetë traktori. Ne, disi nëpërmjet karakteristikave të traktorit, e dinim se ajo etiketë vezulluese e kishte vendin aty.

Ç’është e vërteta, sikur ashtu flisnin dhe vetë mustaqet e Xha Maliqit, tek nisej për në pazarin e Malishevës. Ai shkonte çdo ditë tregu atje, rregullisht shkonte. Edhe kur s’blinte gjë, edhe kur s’kishte punë. Ulej në çajtoren më prestigjioze të qytezës,“Blini” (ku shtirej se nuk shikonte vjedhurazi filmat karate), pinte çaja dhe hante qofte të shijshme deri në pasditen e vonë. Thjesht kënaqej me miqtë, po ashtu traktoristë. Qeshte e gajasej, kuvendonte me të njohur e të panjohur. E kush s’do të kënaqej, kush s’do të shkonte si ai pazareve? Askush s’do të hezitonte me një aso traktori fringo. Plisi i bardhë dëborë dhe traktori “Ferguson” do t’i jepnin hijeshi dhe vetë tregut të Prishtinës, pa lëre atij të Malishevës.

Apo, madje dhe s’duhej të shkonte gjëkundi. As në Malishevë e as në Rahovec. Thjesht dhe kur dilte rrugës së Rrafshinës, mjaftonte. Ai ishte Kryeplaku, prandaj dhe e quanin shkurt, “kryeplaku”. Vetëm kaq dhe dihej.
Mbante një këmishë të hekurosur xham (aso “të kamerierëve…” – sipas Jupës, hokatarit të katundit), tirq të blerë në Shtime tek Gafurr Gajtanxhiu, i njohur dhe “me namë deri në Durrës”, (në shokën traka-traka flitej se mbante një revole të markës Bereta, por kjo s’dihej aq sigurt), pastaj një sako allafranga ngjyrë hiri dhe opinga që shkëlqenin-pasqyrë (në xhepin e jashtëm të sakos shihej palosur buletini i LKJ-së, “Komunisti”).
Kohët e fundit bukur shpesh e shihje dhe me aso “patika të Kinës”. Mokasinkat e bardha kineze ishin në modë, ato shiteshin tashmë dhe në dyqanin e Zenun Digitrunit. Se ishin në modë ai e kishte hetuar; gjithë djelmuria që loznin pasditeve në oborrin e shkollës i mbanin të njëjta. Dhe për më tepër ishin shumë të qëndrueshme. “S’shqyhen dot” – e kishte siguruar Zenun dyqanxhiu – "ec kah të ta dojë loçka, shko n’zabel ndaç shko n’fushë o ndaç n’Vardar”. Pastaj nuk ishin dhe aq të shtrenjta, besa ishin dhe pendël të lehta. Këmbët nuk i djersiteshin më, siç ndodhte me opingat e gomës. Kishte zbuluar pra se “patikat kineze” ishin fort praktike!

Më kujtohet kur ai, i rruar akull dhe i freskët, me mustaqet si musketir, i hipte traktorit në oborrin e tij dhe nisej rrugës përmes arave të Rrafshinës, ngadalë-ngadalë. Përshëndeste gjithsecilin katundar, bënte me dorë, uronte argatët ose burrat e vetmuar nëpër arat skaj rrugës, kthente kokën nga pas dhe shikonte nga “hidraulikat” në mos i kishte rënë ndonjë hekur, dhe pastaj kur qetësohej se çdo gjë ishte në rregull, tërhiqte llozin shkëlqyes të gasit, thua se dikur në rini kishte qenë “kalorës i Ali Pashës” dhe se tash i kishte mbetur zakon “ta thumbonte atin”. Traktori merrte hov përpara si kalë i devotshëm, e nën gumzhimën ritmike të motorit, kryeplakut mbase i koklaviteshin mendimet si lëmsh, nën plisin e leshtë.
Mirëpo, për të menduar mirëfilli, nuk besoj se mund të ketë menduar gjë. Në aso çaste, padyshim, secili fill do t’i këputej nën sulmet e krenarisë, të kënaqësisë e të vetëbesimit. Tekefundit kishte sa të duash kohë për meditime të thella, serioze. Pse i duhej të mendonte bash tani, kur kishte dalë të kënaqej ashtu siç i kishte hije.
Ishte fakt që katundi prej treqind shtëpish, katund me lagje të shpërndara, që shtrihej “hapët, gati sa Rahoveci”, ia kishte besuar detyrën më nderuese - duke e zgjedhur udhëheqës, prijatar, bajraktar. Kjo s‘ishte pak. Sikur i bindur se ishte bërë trefish më burrë nga ç’kishte qenë, kryeplakut i shkëlqenin fort dy dhëmbët e artë, shpëlarë “me çaj rusi e me pak raki të Rahovecit”, nën rrezet e diellit të pasditës.
Ndonjë gur ose gropë rrugës, si dhe kur duhej përshëndetur kalimtarët, e bënte të shtynte dorezën e kromizuar me aq hijeshi dhe traktori zvogëlonte shpejtësinë sipas qejfit. Shpesh skajohej që t’i bënte rrugë ndonjë veture, kur dhe kërrusej që të shihte në mos ishte ndonjë mik ose ndokush i njohur. Shumicën e veturave i njihte por ai përshëndeste edhe ata që rastësisht qëllonin të panjohur, anipse rrallë. Ndalej me buzën në gaz, i jepte sirenës shkurtazi tyyyyyt, bënte me dorë - një lloj gjesti gati të ngjashëm me nazi-përshëndetjet.
Pamja e tij gjithkujt i linte të kuptonte se ai ishte një burrë “shtatë derhem”. Dhe ata ia kthenin me dozat e tyre të respektit, luhatnin kokën lehtas dhe vënin dorën në zemër në shenjë falënderimi. Pastaj kryeplaku vazhdonte tutje.

Mirëpo për vegjëlinë, për argatshtinë, burra, gra e fëmijë që takonte, rrallë ndalej. Atyre vetëm iu thërriste “…lodhe hiç, o Asllan Kamishi?”. Pak më tej… “uji ndalet e ti kurrë, ooo Ramushooo”, më tutje: “puna’maaar o Selman trimi”, ndokujt ia kthente: “jo bre bac jo, po ti, a lodhe ti?”… ose të tjerëve vetëm ua bënte me dorë, hijerëndë.

Njerëzia kujtonin se kishte ndonjë punë me rëndësi në qendër, atje tek shkolla ku mbaheshin mbledhjet e katundit. Ose mendonin se shkonte për të blerë “çajin në dyqanin e Zenun Digitrunit” (dyqanin e preferuar të tij, tek sheshi Lama e Kuqe), apo se ia kishte mësyer tek “sekretari i Partisë, Qazim Trapi” për konsulltime të ndryshme mbi punët dhe problemet e fshatit.
Pasditja dhe buzëmbrëmja ishin kohët kur atë rregullisht e shihje rrugës së Rrafshinës me traktorin e kuq. Duke shkuar ose duke ardhur.

***
Tash pas njëzet e kusur vjetësh Xha Maliqi është kthyer në një plak-xhufurrak. Punët kanë ndryshuar, prandaj dhe botëkuptimet e tij janë “adaptuar” me kohën. Ai s’është krenar për shkopin por akoma ia thotë mendja se ka shije të kulluar për të bukurën, për gjërat e bukura. Në zemrën e tij shumë gjëra janë shuar, mbase kjo mund të jetë e vërtetë, por jo dhe nostalgjitë. Diç më të bukur se kuqaloshi “Ferguson” prapë nuk ka – beson akoma ai – përveç nëse në këtë kategori të fusim dhe makinën “Ferrari”. Po, sidomos një aso kuq-e-zeze që kishte parë rastësisht, diku afër Lidhjes së Shkrimtarëve, në kryeqytet. “Të mbetesh pa fjalë e pa një kokërr mend” – pati klithur. Natyrisht që kishte të drejtë. “Ferrari” është makinë ëndrrash, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë. Tamam siç është magjepsës, përherë, flamuri kuq e zi.

Kuptohet, Xha Maliqi nuk e dinte sekretin tonë të garës. Po ashtu, njëjtë, as ai nuk e kishte ditur kurrë mirëfilli kuptimin e “de luxe”.
Sidoqoftë, doli që “de luxe” do t’ngelej lavdata më interesante për nënat. Askush nuk ia pati kaluar Lavdërimit kaçurrel. Askush nuk pati gjetur ndonjë lavdatë tjetër më origjinale, më domethënëse.
Lavdërimi mbeti kampion sot e asaj dite, falë traktorit kuqalosh të Maliq Kapllanit.

S. Guraziu - Medium dhe Flutura (Cikël poetik)



Për kontakt dhe reagime: letrat1@yahoo.com

 
 
FENIKS I FJETUR I ZEMRËS
 
Buzëqesh sonte, rri me mua
pak xixash mjaftojnë për prushëzimin,
sepse e di, ata trumcakët e mallit
do të cicërojnë rishtas me zjarrin -
tani diç në dukje sikur e fjetur
ndoshta e djegur, e shuar, e tretur
në furrat e Diellit, cikël termik i ndalur,
mbyllur në bodrumet e vetë kohës,
në heshtje me shekuj, frymë e ikur
prapa akrepave të orës gjigante,
Big Ben i shurdhër në Heliopolis,
i mëndafshtë, i zënë në mugëtirë,
me fije merimangash mbështjellur
gjithë ata mekanizma të ndryshkur,
bllokuar nga pluhnajë e përhirtë...
por sonte dhe vetëm një buzëqeshje
mund ta rinisë tik-takun e kohës -
ngjallu ti feniks gjumash i zemrës,
ku është ajo magjia jote tani,
si qulloset hiri i yjeve, si brumoset
hidraulika e krahëve të tu, e sheh
që asnjë lot i saj nuk është tretur,
gjurmëbardha lotësh gjithandej
kanë mbetur, ja shih si janë oksiduar
grilat e retinës, mund dhe ta ndiesh
atë vrullin e dikurshëm të vërshimit,
zig-zagun e atomeve, ngjeshjen,
tendosjen në hidrosferen e lotit,
rrokullisjen e valë në të jashtmen
e dhimbjes - ku sonte mungon prapë
puthja ime, vula e mallit përvëlues.

 
KURORË GJEMBASH
 
Padyshim duhet të jetë çmenduri
ta ndjekësh vetë hijen, mbyllur në xhama
të provosh ta puthësh Mona Lizën,
t'i quash sytë e saj burim rrezesh, spektroskopi
infra-e kuqe, prej drite shufra blinduese,
masë sigurie për "trezorin" hyjnor artistik,
roje për buzëqeshjen enigmatike,
prandaj gjykimin ta peshosh
në mustakun e Duchamp, dhe ngutshëm
ta sjellësh konkludimin: s'ka kush,
s'ka hajn të botës që mund ta vjedh
zemrën e saj... në Louvre.

Pa brus ndjenjash ta kaptosh estetiken
e secilit trëndafil, të secilës petale,
çdo mimozë regjionale, secilën lule
të botës si herbalist romantik pa e këputur
ta kornizosh, me puthje ta varësh
në breg të Venerës, pa shtytës, pa fibra
emocionale, pa dridhje, pa timbra...
ta quash "xigëlushe", epiqendër të ndjenjës,
rënkimet t'i përthithësh - artistikisht
ta zbukurosh, t'i falesh orgazma
vetë idesë së ekstazes, të "bukuren"
e korbave në sy mjellmash ta bësh
aq tërheqëse, si sekreti i buzëve të ML,
natyrale si pafajsia, si virgjëria - e vetë
të klithësh, të rënkosh, të përjetosh
shkrirje në të kuqen deri në përgjakje,
si luleshtrydhet ballit të kullosh,
gjemba germatik, kurorë e marrëzisë,
padyshim profet... vetëflijim, pseudo-kritik
arti në vertikalen e "fajit" të Kalvarit.
 
 
 
YJET BUZËQESHIN NË VETMI
(ndonjëherë duhet që të shohim lart në qiell, yjet janë zemra të vetmuara që buzëqeshin)
 
Shembuni ju zgafella të zemrës tani,
këputuni ju stalaktite të bardha, pse duhet
të pikojë pandalë ai loti juaj i ftohtë,
gjoja për t'u rritur nga qielli, pingul,
sikur as kokë as bisht nuk është
rritja juaj... kokëposhtë - më mirë ma thuani
si fosilizohet një imazh në kristale, si ruhet
me shekuj një buzëqeshje e gjetur,
mos duhet konservuar ato në të ftohten
e lotëve, të zhyten në kanaqet me tretësirën
e purpurt... sepse të padukshme do doja
të mbesin për pjesën e ngrohtë të syve
të botës - dua të ik pastaj qiellit të vetmisë,
të kërkoj strehë në bujtinat e yjeve,
në sarajet e tyre, shih sa të vetmuar janë
dhe nuk qajnë, askush më i vetmuar
se yjet, tërë jetën buzëqeshin pandalë
vetëm që t'na e thonë se aty janë akoma
të gjallë, me sinjalet e dritës sikur
na e përkujtojnë se aq shumë frikë kanë 
nga harrimi - ëndrrat e vakumosura
të zemrës do mbarsen, kujtimet janë ligjet
e rrotullimit të unazave, ai tundimi
kinetik i grimcave rreth Saturnit, ku i dihet,
një ditë mbase mund të rilindet, zemra
mund të jetë rishtas bërthamë e një supernove
prej bebesh, e zjarrtë, e çiltër, lozonjare.
 
 
PUTHADORI FISNIK
 
Fjalët e saj janë si trëndafilat në kopsht,
kanë të njëjtën aromë, më dehin
me të gjitha shqisat, ajo më flet si zemra
me fjalë të kuqe, aq të ngrohta janë...
o zot më ngrohin si një farfanjak
dimër e verë, kur më flet e kuqja përndizet
gjithandej, e edhe në faqet e saj - i ngrati unë,
ku ta dija se është ashtu faqekuqe
si burbuqe, në ëndërr madje tentoja
ta puth jofisnikërisht.

Faqet e kuqe fisnike meritojnë
vetëm puthjesh fisnike, fisnik jam unë
padyshim, dhe fisnikë të tjerë ka
plot, vetëm kam pakëz frikë, ndoshta
nuk di ta fal një puthje aq fisnikërisht,
pa e cenuar të kuqen, ëmbëlsinë,
dëlirësinë e ngjyrave.

Mbase është njëjtë si me erëmarrjen, 
molekulat aromatike në ajri na ngopin,
mund ta bëjmë symbullur, petalet pa i prekur
një lule s'duhet këputur patjetër,
aq e thjeshtë duhet të jetë - pra, s'është
e koklavitur shkenca e luleve, por
tani për tani jam vetëm ai puthadori fisnik,
dje në mëngjes si "gentleman" i vërtetë
kam puthur dorën e trëndafilit.
 
 
SFINGA ËSHTË KORRUPTUAR...
 
Pandora nuk ishte femra e parë prej argjile,
por le të jetë sepse për Zotat është - si dikur
prapë Pegasi hingëllin lëndinave mbi retë,
paganizmi antik është djep i kontinenteve,
vetë brumi dhe tharmi artistik, prapë Europa
në qafë të Zeusit derdh një det lotësh të valë,
Poseidoni lahet paturpshëm në sytë e saj,
tutje Sfinga kërcen nëpër kolanat paganistik,
shpirtshitur, në heshtje... prandaj dhe
Apolloni fare s'ia var, i dehur vallëzon
me nëntë statuja të mermerta, i quan Muza -
buzëbardha Safo e puth, Kanova zgjohet
si zombi, kërkon daltat me maja diamanti,
gojën e një mijëvjeçari e përthekon
furishëm me buzët në një "Puthje" të gurtë,
i përjetshëm ai afsh kristalesh por puthja
më e ftohtë që njeh njeriu - Hirst mburret
me paganizmin modern, as me diamante
mbjellur "kafka" ime nuk ka vlerë sa "koka"* e
dashurisë, tridhjetë cm gjatësi për hir të Zotit,
sepse Mikolango i pati hyr në hak Davidit,
i turpëruar Davidi i pëshpërit Venerës:
ndjehem si bebe "artistike" e konvertuar,
dhe ia krisë siç bebet pagane dinë, si Zeusi
i pafajshëm kur i menderoste pelenat e kohës,
ndoshta "pampers... made in Olimpia" -
ndërsa vetë "Poeti", herë i bronztë herë i gurtë,
ulur mendon për babain e habitur Rodin,
s'arrin ta kuptojë dot absurdin që Roi-Soleil
pa e njohur fare "Puthjen", pa e lëvizur
vetë as një gisht "artistik"... si mbret bënte
pesë herë dashuri në ditë, dhe i pati sallonet
më artistike që kishte parë bota ndonjëherë.
 
* Dashuria është dashuri për Bukurinë dhe për të Riprodhuar, për të falur Lindjen në Bukuri - vepër artistike "skandaloze" e Damien Hirst
 
 
 
BUZËT TONA PËR DIELLIN
 
Më shtrëngo, mos më lësho, më duaj, më mbaj,
me gjithë zemrën tënde dhe ngrohtësinë e saj,
më puth si engjëll, madje dhe me sytë përvëlues,
jo vetëm në buzët, nëse ndjen dhe në sytë
sa herë të të rrah zemra... me ato buzë të "maskuara"
që nga mëngjesi yt - tani kur u takuam, përqafuar
mos mendo akoma për vijat perfekte të lapsit,
për kontura buzësh, e kuqja le të shprishet
nga afshi, trembe trend-in e ditës tani,
flaki shtojcat artifiça, mos mendo në shkëlqimin
magjik të Channel, në "artistikat" e ndonjë fabrikanti,
në gjepurat e asnjë predikanti, gjoja...
për modën e "buzëve moderne" - beso në diellin
lakuriq të ditës sonë, siç i lanë ato praruar
pa rite e tualete, çiltër dhe pastër me rrezet
më sublime, tek i ngrohë buzëqeshjet e bebëzat,
beso në frymën, në aromën e lulishtes
së zemrës, beso në zjarrin e buzëvalës tënde.
 
Ashtu me buzë të zhveshura preke zemrën time,
zhyte kureshtjen thellë si në ujvarë të lahet,
të freskohet, dëgjo një grimë aty sirenat e mallit
si cicërojnë, fol me buzën time të çarë,
me natyrshmërinë e saj, në fakt me të dy buzët shkrum,
ashtu të thara njomi me ndjenjat, me zjarrin tënd
falju freski dhe jetë, dhe do ta ndjesh, do besosh
ke puthur buzët e jetës, njëjtë si të puthësh
diellin e mëngjesit - ke puthur vetë zemrën.
 
 
 
MONOLIT I NDËRGJEGJIES
(për Hans-Joachim Lanksch)
 
Ma besoni Zotëri, e humbet peshën
fizike pena ime, ajo "realja"
e imagjinatës për Braunshvajgun zhduket,
asgjësohet tendenca, neutralizohet
vetë pesha e fjalës si kuptimësi,
çfarë i duhet farkëtarit çekani i tij
kur hovi dhe vrulli shtangosen në ajri -
kur pezullon transcendenca e frymimit,
të gjitha kudhrat e fjalës zbuten,
si masë e kulluar shkapërderdhen
sepse, si për ironi, s'mund të ketë
ngurtësi, ndoshta as dhe vetëm ngjizje,
për një trup tek buzëqeshë ëmbël,
i pastër si monolit, kolos i florinjtë
në sheshin "Skënderbej" të zemrës,
aty ku në një "tëk" të vetëm
kthehet çdo drithërimë, çdo feksim i
mendjes, ku nyjëzohen të gjitha
rrugët e dritës, ku fosilizohen ëndrrat
thellë damarëve të shkëmbit Dajt,
kurth i dialektikës ideore të artistit,
si jehonë e çdo troku metafizik,
mbase... në kokën e skulptorit Paskal, 
goditje thundrash të kalit të bronztë,
si buzëqeshjet dhe klithmat e Heroit,
që nga qumështbuza e tij deri sot,
si brus nderi i çdo dueli... Zotëri,
u bëtë damar i vetë trupit historik
të kombit tim, ju lidhi fjala dhe Zoti,
e Ju mbetët flakë pertej ecejakeve
të mikut të fjalës - grahmave të poetit
ia ruani dritën, prore bëheni dritë
në zemrën e tij të amshimit, në të
gjitha zemrat - me zemrën e bardhë
të një populli të tërë... në pëllëmbë.
 
 
 
MOS HARRO BUZËQESHJEN
(në jetën time kam parë aq shumë fytyra të ndryshme, por asnjë buzëqeshje të shëmtuar - pasqyra, nëse ajo të fliste...)
 
Tani ke qetësinë, shkrepsen e kujtimeve,
vetminë e një jete të tërë dhe dy shenja,
plaga e njomë e fundkurrizit, vazhga
e gjoksit të majtë u stampuan në buzët,
do ruhen thellë brenda teje,
përthithur lëkurës së bardhë me puthjet
do i kesh si "kopje", si print në faqen
më të pastër të ditarit të zemrës.
 
***
Tani ke dhe kohën e gjithë botës, lexo
në qetësi, shfleto librin e vetmisë
derisa fletët të zverdhen, derisa
të fshihen të gjitha germat e ëndrrës,
trëndafila të vyshkur s'do ketë,
ndonjë lule të tharë, herbarium
të rrallë, asgjë... por kaq ishte
çfarë e pikturove si ëndërr - ndoshta
një plagë e vetme i merr të gjitha
brenda vetes, hape rishtas, butësisht
ashtu me buzët fshihe në palcën
e saj kurrizore ëndrrën tënde të jetës,
vetë ëndrrën, gjithçka çfarë deshe
të ketë aty i gjete në të pafajshmen
e syve - ti e di, aroma e kurmit
mes faqesh do ngelet, dhe ai herpesi
në skajin e buzëve, buzëvala
e njomur, "epiqendra e buzëqeshjes"
për të cilën ti do vdisje - pse jo, vdis
pra tani i qetë, brenda buzëqeshjes
së saj struku për një jetë, buzëqesh...
sepse më i bukur do jesh dhe mbylli
sytë, përgjithmonë.
 
 
 
KEQKUPTIM I PAEVITUESHËM
 
Sipas teje kërkohet "organizim perfekt"
i yjeve të Universit, ata duhet të kthehen
në eshalone, sipas gradës, rangut
në bataljone si ushtarë të dritës,
me komandant... ndoshta vetë Zotin,
kush tjetër mund t'i komandojë yjet.
 
Macja jote loz me lëmshin e logjikës,
pa e gërvishtur, art dhe delikatesë
si Ronaldo në Marakana,
topthi im logjik po, por poezia
nuk është lëmsh - thua,
ajo është brigadë e përkryer germash,
është ajo çfarë ty të kanë mësuar,
çfarë ti do dhe çfarë ti sheh në letër...
 
Si lexues i përkryer i drejtohesh
"poetit kaotik" - hej ti, Mister Poe,
kokrrat e rrushit tënd "kalavesh"
duhet të renditen në pakon time të praruar
çokolatash "Merci" - trakat e zebrave
duhet të jenë perfekte si "zebrat" në asfalt.

 
 
PRAPA VETË ËNDRRËS
 
Tani do jem përherë aty
ku ti nuk je, aty ku nuk është
as koha, as hapësira,
do sorollatem tërë jetën
prapa perdes së rëndë
të teatrit të ëndrrës,
vetëm disa sekonda të gjatë,
edhe oniristët insistojnë
ëndrrat qenkan si "flash",
të gjitha zgjatkan aq pak,
qenkan një lloj ikje në fakt,
prapa hijes së realitetit -
do bëj dhe unë ashtu,
njëjtë si vetë ëndrra ime,
do ik për të ikur
nga vetja, për t'u fshehur
nga prania e vetvetes,
athua pas shpirtit ka një hije,
nëse po, do fshihem
dhe nga hija ime, do rri
prapa saj, vallë mund të sheh
prapa vetes çfarë ndodhë,
mbase nuk shikon nga pas
asnjë hije, asnjë ëndërr,
nuk dhemb asnjë dhimbje
prapa hijes së vetvetes,
athua prapa Diellit
po ashtu fshihet hija e tij.
 
 
 
CIKLI SOLARIS I BUZËQESHJES
(buzëqeshja jote është vetë dita... një ditë e kaluar pa buzëqeshje është një ditë e humbur - thënie)
 
Nga buzëqeshja jote - fluturojnë flutura
me krahët e dritës, venë e vijnë në dukje
kuturu, sikur e humbin rrugën, domethënien
e misionit, çdo trajektore imagjinare
të fluturimit, por assesi jo, kurrë mos u lajthit,
ato përcjellin sekretin e Diellit, me secilën
drithërimë zemrash, me çdo dridhje
molekulash, me çdo lëvizje të gjethit,
valë shtytëse janë rrahje krahëfluturash,
pandalë nje velo të padukshëm e shtriqin,
ndoshta aty luhaten djepa të panumërt
kupidonësh, foshnje të lidhura flenë,
me miliona engjëj të bardhë, secilin çast
mund të zgjohen, klithmat e tyre
nuk janë peng por thjesht në pritje,
afërsinë tënde presin, zgjohen atëherë
kur aura e ndriçon siluetën e qenies,
si tufë xixëllonjash në bebëzat e nimfave,
fanari i syrit tënd është sinjali i turnit, është
dhe fundi i konvertimit të sekretit solaris
në uzinën e paskajshme "Flora" - mos ik
pra asnjë çast, rri me fluturat, mos shko,
kurrë mos i braktis ata engjuj ndjenjash,
për vetë zemrën çdo ditë thur një kurorë
lulesh, mos harro ëmbëlsinë e erëmarrjes,
secilën herë që ti u merr erë petaleve,
akti yt është paga, falënderimi për fluturat,
që të gjitha, nga më laroshet e bukuroshet,
madje dhe vetë fluturzezat... dhe ato
çapkënëzat e pafajshme të dritës, ëndrrat
tona i stisin pastaj - nga buzëqeshjet tua.

 
 
PUTHJA E FITORES
 
Qëllimi i saj nuk ishte ta pushtonte
Everestin, ajo madje do t'më linte
"vetem" atje, po t'më mbushej mendja
të kërceja nga akulli më i lartë,
me justifikimin e thjeshtë të engjëllusheve;
nuk dinte të fluturonte, s'kishte përvojë
me balonat, parashutat, paraglidat...
 
***
As maja e Erës bukuroshe, 2461 m
sot nuk është maja e suksesit të saj,
nuk hyn as afër rekordeve alpiniste,
ndonëse ajo e ka idenë e lartësive,
shumë mirë i njeh majat e majave,
nuk ka dëshirë të fluturojë ulët,
në fakt vetë inspirimi i shqiponjave
lexohet në sytë e saj (të gjelbërt) -
ndërsa qëllimi im, po aq ambicioz,
ishte ta pushtoja lartësinë e zemrës,
të zbrisja pastaj nga rrafshnalta
marramendëse, reliefit të buzëqeshjes,
nuk ia dola fare, sepse u mor vesh
i vetmi shteg të jetë i zënë nga tekat
e natyrës - sidoqoftë nga diku lart atje,
nga maja e Erës fitova puthjen
e saj të fitores, madje dhe më shumë,
mësova se e gjithë ngjitja sot
më dedikohej mua - kjo më ngushëllon,
ma zvogëlon dhimbjen e dështimit tim,
s'është aq pak ndoshta kur ta thonë
se dhe për ty ka vend në një zemër.

 
 
AQ AFËR ME TY
 
Jam unë,
po aq sa ti vetë afër shpirtit,
ndjenja jote që sheh para
bebzës, akoma pa u zgjuar
mendja, si xixëllonjë e vockël
atomike, e pashterrshme,
me sytë e mi do njohësh
universin, ëndrrat do trasohen
për ty, përherë do fluturoj
po deshe ca hapa para teje,
dhe anash mund të rri,
në cilindo krah të duash ti,
si shpresa e zogjve të arsyes,
cicërimat, klithmat, universalja
e çerdhes, ndërgjegjia
që ushqen dritën - do jemë
për ty secila dritë që njeh ti,
çdo rreze dielli, çdo feksim,
ajo më e imëta xixë jete,
"elektrikat" në fund të detit,
në humnerat më të errëta,
njësia kuantike e shpirtit,
llamba për hartat e kapitenit,
shtigjet e paskajshme yjore
në humbëtirat e zemrës, flatrat
e vetë dritës, timoni, kompasi,
navigacioni i çdo fotoni,
besomë, më ndiq pa frikë,
nëse ndalem do ndalesh dhe ti,
por mos u largo, mos ik
kurrë nga drita,
jam unë.
 
 
 
NË SYTË E TU, NË SYTË E MI
 
Në ballin e muzeut, aty mu në qendër, në gurëzit
e mozaikut sikur është stampuar pigmenti ynë,
anomalia gjenetike e ngjyrave moderne,
nga ajo përspektivë dhe vetë largpamësia
sikur flet për faktin e shkurtpamësisë artistike,
ngjyrat vetëm energji e burgosur janë, në thelb
një fenomen çuditërisht i ftohtë - i vetëdijshëm
sot për "leksionin artistik", mozaiku e përcjell
mesazhin historik, pandalë na flet, nuk pushon,
sigurisht nuk do ndalet kurrë, dhe brenda
nëse e fusin, ta ngujojnë në ndonjë bodrum,
gjithmonë do na drejtohet si një kritik - Ty:
qielli yt është lumturisht i kaltër dhe fare qiellor,
ndërsa Mua: - yti i kuq, spektër mendor-holistik
i përmbysur, konflikt poetencial brushash,
"qualia state" e qenies - Sipas tij, që nga ngjizja
e mozaikut të frymimit tonë, Unë dhe Ti
u rritëm tmerrësisht njësoj, analogji cullake,
por realisht në dhoma të ndryshme gjumi,
e jotja me gjithçka e kuqe, mbushur lodrash
"rozë", ngrohtësi puthjesh, frymëmarrja
jote më e pastra, ai "aircondition" virtual
atëherë shumë natyral (për ty më efikas
se gjithë kondicionerët së bashku sot,
nëpër façadat laramane të Tiranës), ishte
kondicioner fryme i pagandës njëngjyrëshe
për të vërtetën e ngjyrave të ylberit -
ndërsa imja... mos pyet, kaltërsisht e ftohtë,
sikur ndonjë dhomë çunash, me mure
të kaltra, lodrash kaltroshe, dhe njësoj
reprezentativisht e pastër, si dhomë kristalesh
zhytur në blunë e Jonit - mirëpo kot, ngjyrat
po ashtu vetëm iluzion janë, mozaiku e di,
sytë e Tu, sytë e Mi, gjithë sytë e botës
dritën e përthithin njësoj, si për inat njësoj,
në pikë të ditës ia vjedhin verbërinë Diellit,
prandaj ky spektër i përmbysur "celare",
kryeneçësi aspak artistike në trurin tonë,
funksionalizmi versus ylberit të gjallimit,
hipokrizia kundër ngjyrës së vërtetë të qiellit. 

 
 
NUK ËSHTË "RELIGJION"
 
Të gjitha zemrat në errësirë rrahin
burgosur përjetshëm, në vetmi
por në vetvete fanarë dritësie janë,
si xixëllonjat e qiellit - dhe
Dielli jep shumë dritë, përmasat
pakëz "problematike",
por megjithatë ligj i natyrës,
diversitet frutash, larushi rruazash
dimensionesh, s'është rastësi,
disa zemra janë të vogla... si gogla,
fare "mini", ndoshta sa një lajthi.
 
Nuk besoj kësaj radhe
në kriteret, në ndihmën e shkencës -
me rreze Rentgen t'i masim,
apo me pompë t'i fryjmë, si maskota,
tullumbace Diznilendi, dikush
tjetër mbase beson në zemra "vakum"
si poç i Edisonit - nuk di,
ndoshta thjesht t'iu flasim, absolutisht,
çdo rrahje ta miratojmë, çdo
impuls ta ndiejmë, t'iu besojmë
sikur zemra të ishte vetë Zoti - u bu bu
gjithë ato zemra të botës, konfuze,
por nëse secila zemër xixëllon
për të tjerët, pandalshëm si Diell
ndoshta dhe është një portë
jona e dritës, një shpresë.
 
Ndonëse nuk është "religjion", siduket
prapë s'na mbetet aq shumë:
vetëm lutja - luteni pra o njerëz
të botës, çdo ditë zemrën
tuaj të rritet - ku i dihet, ashtu së paku
mund të jemi një ditë si Dielli
më afër Zotit.
 
 
 
DA VINÇI NË OLIMPIADË
 
Miku im i "mbathi" nallanet e veta,
në fakt u hipi lundërzave të drunjëta,
si pandofla të çuditshme... shpikur
nga ai vetë - punoi gjatë, pa pushim
 shkriu mend, panumër skicash e faqesh
në Codex Atlanticus - dhe vrapon
si i marrë mbi syprinën e detit,
 fillimisht e humbi orientimin, u nis gabim
andej kah Bosfori, por u këndell,
shpejtë e ndërroi kursin... tani ndodhet
diku afër ngushticës së Gjibraltarit -
ka vendosur të jetë garues zyrtar
në Olimpiadën e Londrës.

Sot e humbëm kontaktin, iPhone
i vet mund t'i ketë rënë në ujë, por
në emailin e fundit më shkruante:
pse ti s'merr pjesë në festivale kurrë,
as në gara, as olimpiada... nisu pra,
mbath ca aso të drunjëta holandeze,
bjeri i qetë La Manshit, dil andej
dhe më prit, mos ki frikë, në një kanal
aq të ngushtë nuk mbytesh dot,
as si delfin, as zbathur, as me not...
pa le që "klompet" janë të njohura
në gjithë botën, ndoshta ia del,
triumfon, bëhesh "i parë", kampion
i ecjes mbi ujë, por dhe pas meje
nëse ngelesh, një medaljon i fildishtë,
o çfarëdo qoftë, padyshim të takon.
 
 
 
PEZULLIM I FJETUR I FRYMËMARRJES
(përse vallë zemrat nuk flenë kurrë!?)
 
Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është "wireless", prandaj mund të flas
me ty, kudo që të jesh - të shoh tani... si Oreadë e zhveshur
dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante
rrezikon të shkrihet, e nxehur tej mase e çoroditë pasditen tënde,
aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjeje
në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere,
ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, në një trumcak
të kristaltë kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies,
për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, sikur lehtas ngjiten
shkallëve të ajrit - por jo, ato shtylla anësh rrugës si këmbët
e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe
të zemrës përcjellur, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar,
përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta
akoma pushojnë zogj të fjetur, vargëzuar pandalë brumosen
shpresa që tek duhet të lindin, shih pra... ndër gjithë ato zemrash
të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra
që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave
forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë,
syhapur, vigjilente, prore balansohen në horizontalen e telave,
mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen
në buzëqeshjen, në dashurinë e saj... ngjyrat e jetës kalibrohen -
i përsosur vërtet, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë.
 
 
 
NJËBRIRËSH TRASHALUÇ
(Poetët kanë një ilaç të fshehtë, një anestezi sekrete, për dhimbjet!)

Nëse më thërret ditë-gjykimi im një ditë,
atëherë kur të jem si Zeus
në qiell, padyshim do t’shtirem kureshtar
si kollitet një mëngjes në Perandorinë e vetë Dritës,
sa rrathë i ka në agullimë Dielli, si djersitet?
I verdhë, i kuq, ndoshta i bardhë – qumësht
i homogjenizuar, helium-vitaminash,
si bukëvalë, për mua përherë të uriturin,
i pangopur – njëbrirësh galaktikash?

Për mëkatet... palosur si fluturat
lulishteve të fajit, mund të lutem pa zë,
fjalët sa një bisht kometash t’i zgjas,
si Dalai Lama të flas, si Xhingis Khan
të bërtas: assesi, njohja me shpirtin tim
s'ishte "dating", as këshillë e Nënë Terezes –
anipse yjet do t’shkriheshin së qeshuri
dhe vetja do t’më dukej si gjilpërë eskimezësh,
apo si një hiç buzë humnerës – vrimë
rrumbullake në akullsinë e vrimëzezës.

Ndoshta, si hokatar i pafalshëm që jam,
mund ta akuzoj Diellin që s’ia doli kurrë
të jetë më i dielltë se vetvetja,
mund ta tradhtoj; të shpif se më provokonte,
më nxiste - duaje me zjarrin, më thoshte
nëse je i zjarrtë, cili mundet më zjarrtë?
Më dhimbsej; s'ishte duel por shtyhej me mua,
si gjithmonë, kotej hemisferave në Kardasia,
e unë, me flatrat e xixëllonjave të qiellit,
ëndrrat ia freskoja nga atje, në Antarktida.

Por nuk duroj dot asfarë shtrembërimesh,
maskash të ulëta, kamuflazhe harrestarësh,
patjetër do të klith: dëgjoni, e vërtetë është,
dy poezi janë këtu në zemër, dhuratë
si medaljonë të praruar shpirtëror...
(prandaj dukem pakëz trashaluç),
dhe natyrisht s’jam harrestar, si Dielli krenar
jam që nuk shuhen dritëvarat diellore, kurrë!

 
 
D-DAY PËR ZEMRËN
 
Nëntëdhjetë e nëntë gjeneralë
putharaçësh e ulën kokën,
plani nuk ishte aspak strategjik,
ata nuk e dinin as nga ku vjen
kësaj radhe buzëqeshja e saj,
nga Kepi i Rodonit, nga Gruijer,
"Zotat e Gjallë" të Katmandu,
ndoshta thjesht nga pranë Lanës,
ashtu si vizore përmes Tiranës,
ose nga Lugu i Butë, me një qengj
në krah - kjo hundë e akulltë
disa herë më delikate duket sot,
kristalet e bëjnë dhe më të bukur,
por përse vallë më gudulisë tani
maja e saj në faqe, përse
kjo puthje, më magjepsë kjo guacë
perlash të bardha plot tinguj,
ndersa ankthi më tmerron qysh tani
për të madhen ditë, D-Day -
e ëmbël të valojnë flamuj të fitores,
kënaqësi kur kullat rrënohen,
kur gjithë bedenat pushtohen,
dhe kur shumçka të jetë falur,
të tjerat kur dorëzohen, por zemra
nuk bie në gjunj, nuk kapitullon kurrë
me këso putharaçë të molisur -
sikur t’mos ishte aq e zjarrtë
kjo peshë në krahërorin tim të valë,
thjesht do thosha ka një copë akulli
aty në zemrën e saj, fortesë.

 
 
KTHEHU NË MUA
 
Eja, kthehu në mua, nuk jam
Statujë e Lirisë me dritën
dhe urtësinë në duart, me një univers
boshësie që nuk e njohim
as unë dhe as ti - Liberty e pafajshme,
çdo gjë e mozaikut përjashta
na përket neve, ka diç që pulson
brenda nesh... shtytja, inercioni
i gjakut, dhe ti e di, vetë jemi krijuesit
e së jashtmes, vetë i kemi shpikur
statujat, simbolet, reliktet,
kishim për qëllim t'ia kujtojmë
vetvetes së paku të jashtmen e Lirisë,
por vallë kush e "krijon" besimin,
si ta dimë vallë që vetë jemi gjallë,
kush e plotëson brendësinë e botëve,
me çfarë ta mbushim një boshllëk
të Piramidës, vallë me rërë germash
dhe kurthe, roje për pavdeksinë
e Diellit - eja, kthehu në mua tani,
njësohu me grahmat e flakës,
kurrë s'do kesh frikë pastaj
nga treqind kalorësit e ndërgjegjes,
t'i godasin portat, bedenat tek goditen,
rrënohen me vetë gurët e vet,
katapultet e ngjeshur me të njëjtit gurë,
s'do kesh frikë as nga kapuçonët
netëve me stuhi, të mistershëm
si vdekja, si nata me pelerinën e zezë
që mbështjell boshësinë, të padukshmen
e trishtë... tek trokasin në portat
e kalbura të pallatit tënd të ëndrrave.

 
 
MEDIUM DHE FLUTURA
 
Sot do dalësh të lodrosh pas fluturave
t'i burgosësh qysh në ajri
me rrjetin tënd - dhe ndjehesh bukur
ndoshta një ndjenjë, një flutur -
si një sorkadhe do rendësh
lëndinës, lulishtes tërë ditën,
derisa të gjitha t'i trembësh,
të mos ketë as dhe një ndër lulet,
as mbi kokë, as në qiell.
 
Pastaj do ulesh t'i burgosësh prapë,
me germat në "letër" do thurësh,
një pëlhurë të butë do endësh
me veglat "stilistike",
do vizatosh ca lule germatike
në njërin kënd do vësh një zemër,
pak më tej një Kupidon
krahëpalosur, me shigjetat përtokë
se si qan - por do ta lësh të qetë,
nuk do i thuash "hesht".
 
Në fund, e kënaqur do klikosh "Send",
ta ngacmosh xhanin tënd për inat -
siduket... ti megjithatë e di,
poezia është "kontakti i parë"
me fluturat, me ndjenjat,
nuk është gërvishtje e penës sate,
letër e rrahur nga makina e shkrimit,
nuk është "zanat", ndonjë mjeshtëri
e vjershërimit, as hieroglife
digjitale në "screen".

 
 
PËRTEJ PRAGUT TË DHIMBJES
(gjithkush ka kohën e vet të gurtë a të akulltë)

Unë ha me një lugë të gurtë
dhe pushoj në një shtrat të gurtë
pse jo, qysh tash madje
dhe arkivolin e dua të gurtë
si princeps senatus
nuk kushton më shumë se jeta
por kjo nuk më thotë asgjë
edhe - njeriu më i fortë se guri
edhe - guri më i fortë se njeriu
më lënë të ftohtë.

Zemër anemike, spazmosur
mos më tradhto dhe ti
së paku jo ti tash, nuk është koha
më mbaj në këtë gëzhojë të gurtë
tempull - pontifex maximus
ngrohur me buzëqeshjen
ma fal ngapak kuptim e mirësi
tinëz botës së çoroditur
të mbijetoj i fortë, denjësisht
siç ia bëjnë gurët.

Hm... sa bukur tingëlluaka,
paleolitika e qenies,
neolitika e hershme e zemrës,
"epoka e gurit" të gurëve,
herëdokur, nëse koha ime të jetë
të ik përtej pragut të dhimbjes
i gjithi prej guri, mbyllur në gur
si një gur që buzëqeshë.
 
 
 
ROMANCË KALEIDOSKOPIKE
 
E bukura është diç e pangjyrë në syrin
tënd, ndoshta si pangjyrësia e ujit,
heshturake fshihet prapa cipës
shkëlqimtare, mund të jetë e syrit
por jo medoemos, ndoshta lulet aty
vetëm refleksion janë, pastaj gjethnaja,
vetë gjelbërsia - ti i mbyll sytë -
njëjtë dhe me lulet, thua,
ato mund të jenë të pranverës por
jo patjetër pranverore, në syrin tim
mund të jenë gjethe palmash tropike,
peizazhe idilike, thjesht imazhe,
copëza ëndrrash romantike, vizatime
optike me brushat mikroskopike,
romancë e ngrohtë kaleidoskopike,
vallëzim ngjyrash, fatamorganë organike,
joshje, kurth për dritën... enkas për ty
lojë artistike - bukuria e luleve kaplon
vëmendjen por mbase aroma e tyre
pushton zemrën - hm, unë qenkam
i kurthuar në një zemër-lulishte,
sipas kësaj teorie njëjtë dhe ty pra
të mashtroi zemra ime aromatike,
le të jetë, kështu nuk të humbas kurrë,
sa të ketë një botë me lule, madje tash
më magjepsë dhe vetë teoria jote,
metafora e dy lulishteve prej zemrash.

 
ULTRASONOGRAFI E QENIES

Si pikënisje, thellë nga brendia jote
përjashta nisu, dil nga trupi
dhe kthehu si torpedo fotonike,
si grusht i fortë drite, godit muret, pushto
vetveten, un-in tënd - brenda krizalidës
shkapurit strofullën dhe prushin e valë,
puth larvën tënde të frymimit,
digju, shkrumohu i gjithi flakëve të arsyes,
prek natyrën dualiste të universit
dhe vetë dualizmin e qenies,
lufto për frymën në anën e drites,
fluksohu, i gjithi në dritë ktheu,
me dashuri përvëlohu, prore hidh shkarpa,
pandalë, fryji zjarrit guximshëm -
kur të tretesh i molisur, kur i fikur
të ndjehesh, ngrohu dhe një grimë
energji "rezervë" me kujtimin për puthjet,
shfleto guidën, doracakun e mbijetimit,
me llambën kriptonike të bebzës,
me shqisen e gjashtë tendosur
si kapiten-komando në xhungël, nën shiun
"monsun" të dhimbjes injekto zemrën
prapë me gjilpera drite - nëse i mekur, pa zë
si balenat nën akullin e oqeanit,
errësirës së ftohtë, në qetësinë absolute,
si një grahmë me "sonar" dridh lëngun
e jetës valë-valë, si pëshpëritje e lutjes
së fundit... dhe vdis në paqe
me vetveten, me një buzëqeshje
sublime - nëse di si vdiset,
nëse di si shuhet drita.

KTHEHU NË PAFAJSINË TËNDE
S'është vetëm një engjëll i bardhë strukur në shtratin e ndjenjave, aty është gjithë universi i saj, e gjithë jeta dhe e jashtmja vrastare!

Engjëllushe krahëplagosur të vranë
gjithë jetën kodikët e absurdit,
lidhur në shtyllat e heshtura të turpit,
njëmijë e një gurë të keqkuptimit
të qëlluan, e njollosën velon e bardhë
të pafajsisë, engjëll i thyer të shkelën,
të shtypën me thundrat e zeza kalorësit
e ligësisë së natës, ende pa e ditur
ç'është jeta, pa e kuptuar si kaliten
ndjenjat, ta vodhën gjithë freskinë,
pafajsinë e ëndrrave - tani kujton
drita s'është për ty, as Enigma
nuk ndihmon, "return to innocence",
shpresa e nëntë muzave, as buzëqeshja,
mendon njëmijë e një ëndrra të jetës
u konsumuan, por beso gjithmonë,
njëmijë e një lotët e pastër si shpirti
janë kristale në sytë e Shehrezades -
e buzëqeshur më shih në sy, harro
lulet e së keqes, trëndafilat e dhimbjes,
pse prapë ata sy të butë u njomën,
vallë kur avullohen pikat e fundit thellë
në kanjonet, ku as zemra nuk ngrohet,
asnjë Diell s'ka qasje me rrezet... lart
si një tokë e shkrumuar, asnjë lule,
asnjë klithmë, asnjë frymë jete
në djerrinën e përvëluar të zemrës,
asnjë besim, vetëm lotësh të thellësisë,
ma thuaj cili është shkaku i vërtetë
i syve të pafajsisë - vallë sytë e
engjëjve të vrarë nuk shterrojnë kurrë!
 
 
 
SHQIPËRI, NJË PËRQAFIM
 
Zemrat si bova të bardha luhaten
hapësirës së lëngshme të Jonit,
nga dritarja një zemër do të ik,
e unë vetë i ngujuar brenda zemrës,
në një kafaz prej zogu metalik -
si ta ndal, o ju brigje të diellosura,
si t'ia sqaroj tash atë pamundësinë
e rendjes... si fëmijë në përqafim
të nënës, po vetë rendjen, atë
domethënien e fluturimit pa krahë,
kur zemra veç graviton rreth Diellit,
tash kur mbetet vetëm llogaritja
e çasteve, ato matematikat e orbitës,
sa mund t'i rezistojë zjarrit ajo sigla
e fërkimit, kur përflaket qenia,
vetë përkrenarja e krenarisë - pse,
si shpjegohet, çfarë mund të jetë
fluturimi i zemrave me "taxi", pos
zhvendosje në hapësirat e mallit -
atje poshtë syprina e mëndafshtë
shkëlqen, ajo përkëdhelje rrezesh,
o mrekulli, o dritë e vetë zemres,
ju gjyshet ilirike me furkat tuaja,
çfarë huazuat nga retë e bardha,
cilin sekret të qiellit, kur kaq bukur
e lëmuat atë push madhështie,
kush duhet tash ta fshijë pluhurin
mbi artistiken e perlave - ngutu pra
mëmëdhe, bëhu ngutulushe, nxito
si një Hederë aromatike, buzëqesh
vallëzo, fluturo, ngrohu me Diellin,
shpalose për botën gjithë bukurinë,
sa portat e Jonit atje në Mesdhe
hape zemrën, më prit dhe mua tash
si një Narcis pa zemër - me zemrën
në ajri, pa flatra jashtë krahërorit,
zemër akrobatike, me lotët e valë
dhe njëkohësisht të freskët në sytë,
si vetë deti në syrin tënd kaltërosh -
Narcis dhe Hedera në një përqafim.

 
 
VULLKAN I PAFAJSHËM
(nuk akuzohet një vullkan, është absurde -
pupla erotike të jastëkut tënd harrestar me një zemër të kuqe në mes...)
 
Mund të zvarritem tatpjetës,
puthitur shtyllës kurrizore,
si pikë uji të shkas
"vërtebrores" marramendëse,
si një mace, cilado mace
dhe maçok nga familja në Serengeti,
ecje kokëposhtë "pemës së jetës",
t'i thithë molekulat e lëkurës
tendosur aty mbi asht,
si ndonjë fshesë moderne,
aso vakumore "Dyson"
pa kabllo, zhurmë as ngulfatje -
dhe derisa ti pret në horizont
të shfaqem, pas kodrave
me Diellin në sfond, siluetë
hutaçe qiellit të bronztë,
tek qelizat vdesin syprinës
së epidermes, ndërsa fibrat
retikulare t'i burgosin vibracionet
si bari i pafund puhizat
e savanës, atëherë kur shqisat
luhaten, kur nisin të kalamenden,
si vullkan mund të shpërthej
në anën fare të kundërt,
t'i bëjë lëmsh koordinatat,
andej në qendër të qendrës,
mu në mes të kërthizës,
si vetë gjeneza jote,
si prush nga zemra e Tokës
ta pushtoj relievin e pafajsisë,
çdo shteg dhe pore të qenies,
ta dridhë vetë epiqendrën,
e ti të përpëlitesh rrëshqitjes...
e skuqur, e nxehur, të avullosh
si llavë e pafajshme, e përhumbur,
derisa në oqean të shuhesh -
ndonëse, pak çaste më vonë
prapë do t'më akuzosh për
"thyerje të rruges, papritmas".
 
(nuk akuzohet një poet, është absurde -
eh, sikur ajo zemër të ishte e gjallë, të kishte jetë e drithërima... aq sa ka histori)
 

 
ARTEMIS DHE ENGJËLLI BEZDISËS
 
Të shtrenjtat muza, si duket dikur paskam vrarë
një engjëll (ja atë atje, atë të mërrolurin, atë kaçurrelin),
jo se desha ta vrisja por sepse nuk ndjeva, nuk e desha,
nuk e përfilla fare, tash më vret mua çdo ditë, më ndjek
hap pas hapi, s'më le të qetë as në gjueti, çdo gjë
e tremb me shigjetat e tij, vallë ka të drejtë, paçka se ai
s'kërkonte dhe shumë, thjesht vetëm që ta doja - unë
e dija kështu: natyrisht, ndjenjë e bukur është, por
nëse nuk ndiejmë prapë asgjë, po aq legjitime
duhet të jetë, aq e natyrshme të gjykojë vetë zemra,
t'mos e duash një engjëll, kujtoja fare njëjtë e natyrshme
sikur dhe e kundërta, mendoja se ndjenjat jokushtimisht
zgjohen, s'mund të imponohet dashuria, ju vetë
insistoni: madje as poezia, duhet tash ta duam patjetër
një engjëll vetëm sepse na qenka engjëll - unë apo ai
kemi të drejtë këtu, sipas tij, doli që s'paskam ditur gjë.
 
 
 
VUAJTJE NARCISOIDE
 
Ti qëndro përballë meje, unë
thjesht përballë teje – sepse
na duhet simpati për pasqyrën
brenda nesh, joshje e vetvetes,
pëlqim i kontrolluar, admirim,
ngadalë simpatinë narcisoide
ta kthejmë në dashuri të denjë
ngjashëm si Dior për "j'Adore",
t'i fryjmë vetes me ngrohtësi,
buzët me afsh t'i vizatojmë
në qelq t'i puthitim vrullshëm
të njëjtat buzë që nuk i kemi,
puthje të frymës ta quajmë
po deshe dhe "puthje franceze",
madje sa më përket mua tash
dhe vetveten ta tradhtojmë
nuk është thyerje e rregullave,
sepse ne i besojmë pasqyrës
dhe imazhit... që vetë ne jemi.

 
 
LUFTË E FTOHTË (POLITIKE)

Pas "gjumit dimëror", në buzë ngelet dehja,
dembelia e zgjimit, arushbardhat përgjumur
në horizontin e qepallave ëndërrojnë
ëmbëlsira me "ingredientet" mjaltosur,
ndërsa pinguinët e ngratë akoma në "trans"
symbyllur, për t'u zgjuar me zgjuarsi nisin
këmishat t'i ndërrojnë pa hequr sakon,
t'i lidhin kravatat fosforike, sipërfaqësisht
duket e pamundur, sikur dhe dehja nga mjalti,
fare njëjtë çmenduri është t'i mbash vezët
të ngrohta mes këmbësh mbi kalldërmin
prej akulli, pa zënka dhe as ndërskamca,
ta "inkubosh" zanafillën, gjithë të verdhën
filozofike, apo dhe pemën filogjenetike,
absurditet - të gjorët, nuk e ëndërrojnë
stilin dolce & gabbana, nuk krekosen kurrë
se e kanë zemrën të fiskulturuar, të ëmbëlsuar,
ndonëse as këta nuk shtiren se janë perfektë
kthehen dhe e hanë mjaltin e vet, pa pështirosje
aty në qendër të sheshit, si glasë laramane,
të nxehtë - arushbardhat ia krisin vrapit
për t'i paditur për korrupsion, për abuzim
për grykësi - ndërsa mediatikët të ekzaltuar,
në "akullvizor" flasin për ngrohjen e planetit,
për rrezikun e shkrirjes të çdo "icesphere",
të çdo akullnaje, të vetë kristaleve të zemrës.
 
 
 
BUZËQESHJE E PRANGOSUR
| - - - - - vazhdim - - - - - - -
Endrra të flashkëta ngjalluni,
frymoni, me pilulat e pashpikura
të rinimit më rinoni, mbamëni
të virgjër këtë natë, mua
dhe çdo yll të yllësive lart,
një tabllo sa gjysma e qiellit
ma falni, si aurorë-faculetë yjore
të Afërditës, pëlhurë të gatshme
plazmatike, t'i vizatoj vetëm buzët,
një puthje germash vezulluese
të zjarrtë si puthje yjesh, ta ndiej
afshin, ngrohtësinë, përvëlimin...
me këto buzë germatike -
qoftë dhe vetëm njërën buzëvalë,
cilëndo nga buzët e saj, së paku
njërën anë të buzëqeshjes - dhe
ta kornizoj, ta mbyll në xhamat
e trashë të muzeut të qenies,
hermetikisht... me çdo të metë
artistike, si rojtar në Louvre
të endem qiellit, të fluturoj skajeve
të tabllosë me shpejtësinë e dritës
ta shpoj mezosferën e yjeve
të bie, të digjem, të shuhem,
nga thundrat e Pegasit të shtypem,
prush të skuqem nga qortimi
i Kasiopesë, Perseun ta gënjej
për gjithçka, nëse e nevojshme
dhe për strofullën e Meduzës,
si një kometë-dhelpër kozmike,
me bishtin dinak ta mashtroj,
shtigjeve t'i fsheh gjurmët
pafundësisht t'i çorodis pluhnajat,
kohën "nyje" ta lidhë, dhe ndodhitë
kaotike larg t'i hedh si toptha,
si lëmshat e gjysheve të kotura
përflakur "horizontit të ndodhive",
me çdo kusht mos ta lë të vdesë,
ta mbaj gjallë deri në mëngjes,
ndoshta si vetë Andromedën -
buzëqeshje gjysmake... vertetë,
por pikturë e imja, fare autentike,
brusha më e çiltër, pastërti e dritës,
vula e shpirtit - kërthizë galaktike
dhe e qiellit "Zonjë e prangosur"
në Pasqyrën e Uranisë... për Ty.

 
 
KOLIBRI  I  PËRHUMBUR
 
Kush ta ndalon, nëse ia del pse jo,
çmendu me cicërimat, deri në marrëzi
fluturo dhe një pyll të tërë çmende,
por si do ta arrish këtë, si dikur
pterosauros pandeh, sa qesharak -
aq qëllimisht me aq shumë pafajsi,
rrahje të lehta flatrash, të padukshme
në askundësi, dridhje të pakapshme...
(pothuaj mentalitet fluturash) -
ndërsa çfarë na qenka kjo mrekulli
sipas teje, ç'është "çmenduria" për ty?
 
Oh jo, të dashurohesh marrëzisht,
t'ia falësh zemrën një dordoleci fushe,
(çudi, si të shkrepi tash një ide
aq e çmendur!) - jo pra, nuk është!
Të besosh se ai ka zemër,
qëllimisht në supin e tij të pushosh,
rrëzë veshit t'i pëshpërisësh butësisht
me ariet magjike ta ëmbëlsosh,
me notat më të ëmbëlsuara kolibri-ke,
paçka se ndryshe nga ato të laraskave,
eh jooo, megjithatë nuk është!
 
Thirri mendjes ti fluturosh, kthjelltësohu
më mirë vërtitu në ajri, çmendu ndryshe
çdo ditë ngapak, vri veten mes bukurisë
së luleve pa mëshirë në vetmi,
mos humb kohën me zemra prej akulli
të bardhoshëve shkëlqimtar të lagjes...
as aso prej leckash dhe kashte - në fakt
sa i marrë që je, sa shumë besim ke,
ata janë aty për të të trembur dhe ty!

 
 
KALI I NILIT DHE ZOGJTË
 
Hippopotamus, të gjithë e dinë
pse ke turp ti "qos" natyre, s'ke gëzof,
far' leshi burrash as qime, gjithmonë
i "parruar" a la natura, në turbullirë
fshihesh, si shtyllak ngulesh
nga turpi në vend, gjoja mediton...
s'mund të përdridhesh si Anakondat...
e prapë si një gjarpër i trashë
tmerron, vetëm verbërinë dhe sytë
mbi ujë mbanë, mos mendo keq
Horus dhe Sethi nuk të shajnë, jo
kurrë s'të përqeshin - ata të duan!
 
Hippopotamus, si nuk e sheh ti mizor
deltash... moçalesh e kënetash
si nuk e ndjen këtë pafajsi natyre,
gjithë ata zogj naivë tek cicërojnë
çiltër mbi ty, ngrohtësisht si rrezet,
butësisht dhe freskët si puhia e bjeshkëve...
si kthjelltësia e qiellit, prapë të besojnë,
tek ty fluturojnë, ndër dhëmbët e tu
monstruoz... ndalojnë, dhe t'i pastrojnë
aq natyrshëm - ata të duan!
 
Hippopotamus, ti i vret madje
dhe këlyshët e tu mizorisht, nuk "ndjen"
as më të egrin, më të frikshmin
anima-instikt, sa shumë egërsisht
egërsohesh për zonën tënde të influencës,
për "ekosistemin" e grykësisë,
mos ti shpirt demoni, më parë dëgjo
klithmat, thirravajet, mos i vrit
fëmijët e tu, të natyrës - ata të duan!
 
Hippopotamus, turp të kesh nga
paturpësia jote e natyrshme - mos harro
njëjtë si zogjtë, si fëmijët e tu... dhe natyra
të fal natyrshëm, falë pavetëdijes tënde
për egërsinë - natyra të do, Hippopotamus!
 
 
 
TË BESOSH SI NJË FËMIJË
 
Të jesh poet, vetëm të pretendosh...
duhet aq shumë çmenduri sa të besosh
se mund të ecësh zbathur, sylidhur
tehurinës, majave të shpatave
kuantike - sot, madje dhe më shumë
të përbirohesh si rreze mirësie
të jesh akrobat, ta ruash drejtpeshimin
në fotosferën e Diellit, të luhatesh
si vetë një demon cirkusi,
"undercover" i Apollonit të zhdukesh,
krahëpërkrah me nëntë muzat
ndër dhëmbë të të gjithë demonëve
të vallëzosh, të dehesh, të urinosh
në orbitë elektronesh, dhe kur i lodhur
të jesh, prehje të kërkosh, natën ta kalosh,
shpëtim të gjesh në grahmat e Zotit
në mëngjes kur ikën tinëzisht
t'ia "vjedhësh" një të rrahur zemre
si bubullimë e butë metagalaktike
dhe ai të të fal symbyllur, të të besojë
me një buzëqeshje, i mallëngjyer
nga marrëzia jote, nga bindja si "infant"
se mund të jesh vetë vullneti hyjnor -
nga çiltërsia jote e besimit në njeriun.
 
Të jesh poet, vetëm të pretendosh...
duhet të besosh marrëzisht
se klithmat tua janë arie amadeusësh
aq të pafajshme, pafundësisht
si klithmat e para të secilës foshnje
të justifikuara sa vetë lindja,
me vulën hyjnore, të nevojshme
si supernovat për balansin e Universit
sa ti të vdesësh, si vetë frymëmarrja jote
si vetë qenësia, si libri i jetës,
kromozomet e gjithë profetëve
si gjallimi i qelizave të qenies, çdo gjë
që ndodh në galaktikën "zemër",
dhe secili event, në secilën ëndërr.
 
 
 
 
 
 

Më poshtë... disa poezi nga "Terraforma Poetica - I", 2010 - Ars Poetica

LUMINIZIM I ORBITËS TËNDE
 
Më thua “hesht” - nuk do të flas...
por përse të hesht vallë
a nuk është vetë heshtja zhurmë
thua të vazhdoj pandalshëm me purifikimin tënd
mendon se ndryshk është, apatik
vërtet mendon ti “instalim” është...
kjo lojë pashmangshëm
mund të jetë çlirim nga ndonjë asfiksi
apo është vetëm përndritësim
luminizim i orbitës tënde saturnale
të gjitha ato grimca, pluhur... duken unaza
më shumë rëndojnë inercionin e rrotullimit
ndoshta sepse në asnje “frymëmarrje”
s'ka domosdoshmëri brenda saj
vetëm domosdoshmëria… ne thelb
mund të jetë e tillë
siç është për arushat në Antares, bardhësia
 
Besoj… këtë ndiej dhe nga këtu
vetë unë lëviz në vend – vendlëvizje
vendnumërim aksiomatik
ndoshta rrotullim “puthje merimange”
kurth strategjik...
si kur je i vetëm para një ushtrie cajgonësh
ti quan orbitë atë që nuk është, lajthitesh
harron se lulet s'kanë orbitë për asnjë bletërosh
dhe ti heton vetëm freskinë në ajri
nga dridhja e flatrave transparente
s'jam satelit se kam thyer ligjet tashmë
të gjitha ligjet e gravitetit tënd marramendës
prandaj mund të jem kudo
dy hapa pranë, dy hapa pas… secilin moment
secilin tik-tak të zemrës ta dëgjosh
mund të ateroj, të zbres butësisht
pranë kërthizës tënde;
në honin e saj hijebutë
të bie në gjumë përjetësisht.

 
 
APOTEOZË E FJETUR
Bota e njeriut është e madhe dhe nuk mund të lidhet si bohçe, me gishtin mbi nyje!
 
Në paskajësi, me gisht të këmbës, vizatim
mbi rërën prej galaktikash, buzë detit të Zi
Një frymor i shkretë, kërmill i vogël si hiç
zvarritet jargosur urës së madhe
gjer në dhimbje, mbi Goldën Gejt
Disku i diellit matanë edhe në kët'anë
Në perëndim, një trilion herë u përskuq
Në lindje, një trilion herë u bë limon
 
*
Rrugëtimi i takon prapë njëmendësisë
e hapat kanë sërish një melodi të virgjër
në timpanin e veshit të qenësisë
të tjerat... kambanat, piramidat
ëndrrat mëkatare, marrëzitë e së tashmes
në tehun e hipotenuzës - mprehtësuar
disleksi e përkohshme, gala-gënjeshtër
në sythet, bisqet e filizat e së ardhmes.
 
*
Ti o Diell, panteoni i marrëzisë sime
qeshu me mua, nuk kam hapat e tu
në mundim, gjakosje, përcëllim
si duket skaji yt i urës ende nuk di
s'më ndihmon as teorema e Pitagorës, Euklidit
të llogaris trilemat e mia të panumërta
kur të takohemi, mbase në Big Bang-un tjetër
do të njohësh zjarrin tënd në shpirtin tim.

 
 
AERO-POEZI PËR TITULLIN MISS
 
Ngjesha ca balona të lazdruar
nga ditëlindja e djalit
lloj-lloj ngjyrash, lara-lara
i mbusha me fjalë e vargje
i lidha penjtë me një shirit
i lash të pezullojnë - pezull në ajri
projeksion plazmatik-hermetik
drithërime të padukshme
instruksione pro-komunikative
kod me tendenca dinamike
pezullim pendël - pendëlsisht
lehtësi e butë artifiça-plastica
ngrohur sa mrekulli...
le të çmenden "kritikët"
pse jo edhe fansat
ata me shije të sofistikuara
për timen aero-poezi
 
S'vonoi shumë mendja më tha
mirë-mirë por jo dhe aq mirë
nuk të pëlqejnë balonat
prej llastiku të lirë
s'janë edhe aq të besueshëm
provo njëherë me prezervativë
 
Kisha të drejtë – s'isha kujtuar
me kohë t'i fryja ca të tillë
100% të sigurtë...
të markës më të mirë
të papërshkueshëm, “energy shield”
prezervativët s'janë balona ordinerë
por... materiale speciale
testuar njëmijë herë, “high-pressure”
prapëseprapë transparentë
masë brenda masës së fryrë
ajër thuaj brenda vetë ajrit
mund të shihen “accessoires”
të vargjeve... o la la, fluiditet
telat e kuq a të kaltër
si telefonat klasikë prej qelqi
dhe njëkohësisht të flesh i qetë

 
 
HIDRO-POEZI PËR TITULLIN MISS
(jo)natyrshmëri estetike
 
E dashura ime s'ka dhëmbë të vërtetë
dhëmbët e saj janë mobil (s'janë stabil)
artificialitet janë, art i dentistit specialist,
manufakturë artizanale e përkryer, si lodër
ashti në punëtorinë e Mickey Mouse -
çdo natë dalin nga goja... mëngjeseve
kthehen prapë, në trajektoren e zakonshme
nga gota plot ujë çezme mbi komodinë
në gojën e saj plot "aromë peperminti"...
aty në gotë bëjnë gjumin sterilizues, relaksim
nate - rrugëtim rutinor i përkohshëm
për në hidro-laboratorin e mirëmbajtjes
një lloj gjumi vullnetar jashtë elementit, ose
gjumë i lëngshëm - kjo shpikje moderne
hidro-ambient i qëllimshëm për gjumësinë,
patjetër dhe prehje analitike për bardhësinë,
pastrim kimik deri në atomikën e fjetur, proces
i konsoliduar tashmë për bukurinë natyrale,
funksional deri në vrasjen mikro-organike,
në esencë i padukshëm (veç fluskave),
askush nuk sheh çfarë ndodhë më tej
brenda kimisë, s'është as nevoja të kërkohet
brenda thelbit të natyrshmërisë - dihet
çdo gjë do të ndodhë pashmangshëm, cikël
në emër të perfeksionizmit denta-material
deri në imtësitë e pakapshme strukturale
kërkohet thjesht pamje perfekte dentale,
bardhësi natyrale, sa më shumë shkëlqim
për një dite të re - kur të jetë kthyer prapë
ky mekanizëm kyç... aty në vendin e vet!

Diversiteti kulturor në Kosovë

Projekti për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë ka qenë një nga hapat me të rëndësishëm që kemi ndërmarrë së bashku, e që, në fakt, nuk ka pasur vetëm si qëllim promovimin e gjithë trashëgimisë kulturore të vendit, por ka shërbyer si një mision vetëdijesimi për rëndësinë që ka trashëgimia kulturore dhe ruajtja e saj.



 Kështu tha sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në hapjen e ekspozitës pikërisht për këtë projekt. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tim Cartwright, Ambasadori i Greqisë dhe njëherësh lehtësues i BE-së për Trashëgiminë Kulturore, Dimitris Moschopoulos, shefi i operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock, dhe zyrtarë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë. Ministri tha se rezultatet e fazës së parë janë vërtetë të prekshme dhe shprehi besimin se faza e dytë do të sjellë edhe më shumë të arritura. Ai falënderoi Këshillin dhe Komisionin Evropian për kontributin që kanë dhënë në këtë drejtim.Tim Cartwright tha se Këshilli i Evropës ka prioritet ruajtjen e trashëgimisë në Kosovë dhe promovimin e diversitetit kulturor. Cartwright shtoi se njerëzit vërtetë duhet të shohin diversitetin kulturor si një pikë ku mund të bashkëpunojnë. Ai shtoi se ky këshill do të vazhdojë me një përkushtim edhe me të lartë të punojë në fazën e dytë të projektit dhe falënderoi MKRS-në për bashkëpunimin e ngushtë të ofruar.E ndërkaq Christof Stock tha se për Komisionin Evropian kjo përben një segment të rëndësishëm të kontributit që e jep për Kosovën dhe vlerësoi punën që është bërë deri tash. 

Projekti për Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë financohet nga Komisioni Evropian dhe implemntohet nga Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me MKRS-në dhe institucionet tjera që merren me trashëgiminë kulturore.

Ekspozita e hapur në sheshin mes Kuvendit të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës do të jetë e hapur deri më 18 shtator, thuhet në njoftimin e MKRS-së. 

Zjarri në BKUK nuk preku librat

Të enjten BKUK-ja ka qenë e mbyllur. E rrethuar me shirit të verdhë, gjatë gjithë ditës aty kanë kryer hetime ekspertë të forenzikës dhe energjetikës. Megjithatë, as në fund të ditës nuk është dhënë përgjigje definitive për shkakun e zjarrit, që në orët e para të së enjtes përfshiu hapësirën 120 metrash katrorë në bodrumin e këtij institucioni. 
 
Përderisa eksperti i energjetikës, Ruzhdi Sefa, thotë se dëmi i shkaktuar si pasojë e zjarrit kap shumën prej rreth 40 mijë eurosh, drejtori i BKUK-së thotë se nuk ka dëm më shumë se 3 mijë euro. Ai garanton se nuk është djegur asnjë libër, megjithëse gazetarëve nuk u është lejuar hyrja brenda objektit. 

“Janë djegur pjesërisht dy frigoriferë dhe një kabllo e madhe e rrymës. Si duket ka qenë rryma e fortë dhe instalimi nuk e ka përballuar”, ka thënë Sali Bashota, drejtor i BKUK-së.  

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...