2013-08-06

Vëllezërit ortodoksë dhe marksistët myslimanë

image
Zeqirija IBRAHIMI
Le të ma falë Zoti nëse gaboj, por të krishterin e mirë e çmoj më shumë se myslimanin e keq. Nuk mundem të mbroj diçka vetëm pse është myslimane (e jo islame), po as ta injoroj një të mirë vetëm pse është e huaj (Alija Izetbegoviq).
Ndonëse sa herë që vendosi të shkruaj, më flet dilema se për kë duhet shkruar dhe cili është efekti i kësaj fjale. Përsëri vendosa të shkruaj, sipas meje, për ta pastruar një mjegullnajë që po na krijohet qëllimisht e tinëzisht dhe, sipas të tjerëve, që të krijojë edhe disa armiq nga ata që deri dje mbase më kanë marrë për mik.
Në Maqedoni, në regjionin e Rekës së Epërme të Gostivarit, ka jetuar dikur dhe vazhdon të jetojë edhe sot (megjithëse shumë pak për nga numri) komuniteti i vetëm i shqiptarëve të Maqedonisë që nuk janë myslimanë. Ashtu siç dihet, në Maqedoni shqiptarët në mbi 99 për qind janë të konfesionit islam: shqiptarë katolikë kanë mbetur vetëm disa familje, ndërsa fati i ortodoksëve shqiptarë ishte më i hidhur - ata janë tretur në maqedonas dhe gjatë gjysmëshekulli kanë pasur drojë ta shfaqin përkatësinë e tyre etnike.
Në mungesë të një përkrahjeje shtetërore nga Shqipëria (e cila nuk çanë kokë as sot për kiblën e shqiptarisë - Muzeun e Alfabetit në Manastir), si dhe pa përkrahje politike nga shqiptarët e tjerë të Maqedonisë, të cilët sa nga paragjykimet religjioze, po aq edhe nga mungesa e fuqisë për vete, i harruan vëllezërit e tyre të krishterë. Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë tashmë janë tjetërsuar dhe shumë pak prej tyre sot e kanë ruajtur gjuhën shqipe. Shumë pak prej tyre flasin shqip nëpër shtëpitë e tyre dhe shumë pak prej tyre janë të gatshëm t’i kthehen origjinës së tyre.
Kundruar kështu, fakti që sot po bëhen përpjekje që këtyre shqiptarëve t’u hapen dyert e rikthimit, qoftë përmes afirmimit të figurave të historisë së tyre, qoftë përmes angazhimeve të tjera, përbën një lajm të mirë. Madje, që ky rikthim i tyre në vatrën tonë të përbashkët të ishte i plotë, kujtoj se ka nevojë që atyre t’u mundësohet një kishë ortodokse me meshë shqipe, që nuk do të jetë as e Janullatosit, as e Stefanit, por që do të jetë si ajo e At Nikollës nga Elbasani, në mënyrë që ata dhe fëmijët e tyre të fillojnë të mbështillen rreth strumbullarit etnik, nga i cili janë shkëputur. Bile, nëse Nevzat Bejta e mban premtimin për këtë kishë, nuk do të hezitoja aspak që vet i pari të marr pjesë në përurimin e në meshën e parë shqipe të saj.
Ndërkaq, për neve qytetarëve të thjeshtë, që nuk kemi më shumë fuqi, mbetet detyrim që shqiptarët ortodoksë t’i pranojmë si vëllezër të një gjaku, si bashkëkombës me të cilët duhet bashkëpunuar dhe bashkëjetuar si me të gjithë shqiptarët e tjerë. Ata janë vëllezërit tanë ortodoksë shqiptarë.
Pasi që kemi sqaruar se kush janë vëllezërit tanë ortodoksë, të sqarojmë tash se kush janë marksistët tanë myslimanë. Ata janë disa shqiptarë deklarativisht myslimanë, madje edhe me emra profetësh të historisë islame, ndërsa veprimet i kanë krejt në kundërshtim me përkatësinë e tyre fetare zyrtare. Ata janë ata shqiptarë që rikthimin e shqiptarëve ortodoksë dëshirojnë ta shndërrojnë, së pari, në përfitim të tyre politik dhe, së dyti, në tjetërsim të identitetit religjioz të shqiptarëve të Maqedonisë.
Kur flasim për pikën e parë, do të duhet të themi se ata, duke i përdorë disa ortodoksë shqiptarë, përpiqen të na bindin se sa shumë kujdesen për shqiptarët, se atyre u dhimbset edhe fati i hidhur i shqiptarëve ortodoksë, që detyrimisht duhet të përkthehet se derti i tyre për mbrojtjen e shqiptarëve të Maqedonisë i ngjan jo më pak se dertit që kishte Ismail Qemali a Hasan Prishtina për shqiptarët. Nëse do të duhej t’u besonim përrallave të tyre, kjo do të thoshte se nëse ata i mbrojnë me aq përkushtim më pak se 1 për qind ortodoksët shqiptarë, i bie se janë të stërkujdesshëm për shqiptarët e tjerë myslimanë. E, se kjo nuk është kështu, për këtë kemi dhjetëra shembuj, ndërsa mjafton të kujtohet Burmalia, Ibni Pajko, xhamia e Manastirit, e të mos flasim për ofendimin e fyerjen publike pa asnjë pardon të myslimanëve shqiptarë të Maqedonisë nga disa hardhuca të afërt me partinë shqiptare në pushtet e shumë e shumë shembuj të tjerë, që flasin se ata i shohin shqiptarët ortodoksë jo si vëllezër në aspekt kombëtar, siç dua t’i shoh unë, por si mjet që u shërben për zgjatjen e pushtetit të tyre.
Në këtë mënyrë, ata e nxisin dekorimin e një shkrimtari, që thuhet se është ortodoks shqiptar, si akademik Mateja Matevski, i cili për hir të së vërtetës kurrë nuk ka pohuar se është shqiptar dhe kurrë nuk ka shkruar asnjë fjalë shqip, e lëre më ta ketë vuajtur përkatësinë e tij etnike, ndërkohë që i nëpërkëmbin e i lënë në harresë dhjetëra shkrimtarë, artistë e studiues shqiptarë në Maqedoni, që nga albanologët akademik Ali Aliu, e prof. Remzi Nesimi, shkrimtarët Murat Isaku, Abdylaziz Islami, Rexhep Zllatku, Xhabir Ahmeti, Shkëlzen Halimi, Kim Mehmeti, Nehas Sopaj, Halil Zendeli, Resul Shabani, po edhe më të rinjtë si Salajdin Salihi e Lindita Ahmeti, pastaj artistët Bajrush Mjaku e Refet Abazi... që gjithë që jetën i kanë shërbyer kulturës shqiptare në Maqedoni, madje duke e paguar edhe me çmim shumë të lartë këtë përkushtim për karrierën e tyre dhe të familjeve të tyre. Nga kjo del ashiqare se halli i marksistëve myslimanë, që perëndi e kanë Enver Hoxhën, nuk është te vëllezërit ortodoksë, por thjesht te mënyra e mbledhjes së kokrrës, që në gjuhën e marksizëm-leninizmit quhet agjitacion dhe propagandë.
Ndërkaq, në lidhje me pikën e dytë - tjetërsimin e identitetit religjioz të shqiptarëve të Maqedonisë - duhet theksuar atë që ndodhë me figurën e Josif Bagerit. Për hir të së vërtetës, Bageri ka qenë një rilindës që detyrimisht duhet afirmuar e respektuar si pjesëtar i ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë, por afirmimi i tij do të kishte kuptim vetëm pasi që të afirmoheshin dhjetëra rilindës e patriotë të tjerë shqiptarë, që e kanë paguar me jetë angazhimin e tyre politik e patriotik. Botimet e shumta për Bagerin, e sidomos vendosja e planifikuar e bustit të tij në sheshin e Shkupit, do të kishin kuptim dhe vlerë vetëm nëse ai do të ishte njëri nga të tjerët, si: vëllezërit Frashëri, Vehbi Dibra, Said Najdeni, Dervish Cara, Rexhep Voka, Ferhat Draga, Azem Morana, Gjon Serreçi, Sadedin Gjura, Hasan Bilalli, Mahmud Dumani, Halim Orana, Sulë Hotla, Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Mehmet Gega etj.
Në mungesë të tyre e në prani të një prifti katolik, që po ashtu nuk e përfaqëson identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe në prani të një ish-komunisti, që hiç më pak ka qenë pjesëmarrës, së paku pasiv, në zhdukjen e Azem Moranës me shokë, e të Agës Sulë, pra Nexhat Agollit, jepet mesazhi se identiteti i shqiptarëve të Maqedonisë paska qenë katolik - kjo përmes figurës së Pjetër Bogdanit - pastaj ortodoks përmes Josif Bagerit, dhe, në fund, komunist përmes figurës së Nexhat Agollit.
E, kur kjo përkthehet me gjuhë politike, i bie se Bogdani është përfaqësues i lidershipit të PDSH-së, Bageri është përfaqësues i lidershipit të BDI-së, ndërsa Nexhat Agolli simbolizon marksist-leninistët e sotëm të Maqedonisë, që sot shtiren si demokratë dhe, ndonëse e shajnë Zotin dhe i bëjnë sexhde Marksit, shtiren se i duan ortodoksët shqiptarë. Është ky një trinitet në të cilin është përjashtuar qëllimisht përfaqësimi i vërtetë i shqiptarit tipik të Maqedonisë. Është ky një trinitet që synon ta rrumbullakojë identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe përfundimisht ta thyejë identitetin e theksuar mysliman të këtyre shqiptarëve, i cili u është bërë halë në sy marksistëve të devotshëm myslimanë, duke e dëmtuar kështu jo vetëm trungun shqiptar të Maqedonisë, por duke nxitur edhe urrejtje ndërfetare me vëllezërit tanë ortodoksë. Një psikologji tipike staliniste: ose je si unë e me mua ose je kundër meje dhe prandaj kam të drejtë të konsideroj se hiç nuk je!

Kush është producenti i “vërtetë” i Stupcave?

image












Kallëzimi penal për shkeljen e të drejtave autoriale, i bërë nga aktorët komikë të njohur si Stupcat, çoi në paraburgim njëjavor Emrush Thaçin, pronarin e kompanisë Emra Com. Stupcat bashkëpunuan me këtë kompani prej vitit 2003 deri në vitin 2012. Thaçi thotë se gjatë kësaj kohe ishte menaxher i artistëve të humorit, një gjë që e mohon menaxheri i tashëm i Stupcave Agron Sokoli. Problemi lindi kur Emra Com nëpërmjet kanalit Arkiva shqip në YouTube filloi të postojë skeçe të këtyre komikëve, ndërsa ata e kanë tashmë kanalin Stupcat TV në këtë rrjet të shpërndarjes së videove. Artistët shqiptarë kanë filluar të fitojnë para nga klikimet që u bëhen prodhimeve të tyre në YouTube. Prokuroria thotë se Stupcat janë dëmtuar nga Emra Com për 100 mijë euro.
Emrush Thaçi dyshohet se ka përfituar 100 mijë euro duke shkelur të drejtat autoriale të tre aktorëve komikë, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami dhe Osman Azemi, që në publik njihen si “Stupcat”. 
Thaçi, është arrestuar më 10 korrik nën dyshimin se ka kryer veprën penale të cenimit të të drejtave autoriale dhe mashtrimit, pas kallëzimit penal të ushtruar nga Stupcat në qershor të këtij viti. 
Ai është liruar një javë më pas, më 17 korrik me kusht që të paraqitet çdo të hënë dhe të enjte në polici. 
Nëse vërtetohen dyshimet, Thaçi mund të dënohet me gjobë dhe burg deri në pesë vjet, për cenimin e të drejtave autoriale dhe deri në dhjetë vjet për mashtrim.
Emrush Thaçi ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të mos paraburgoset, në mënyrë që të përgatitet për t’u ballafaquar me akuza.
Në vitin 2003 Stupcat kishin filluar të punonin me kompaninë Emra Com, që është produksion distributiv muzikor në pronësi të të dyshuarit Emrush Thaçi dhe merret kryesisht me përpunimin dhe shitjen e DVD-ve. 
Sipas Stupcave, bashkëpunimi me Emra Com-in nënkuptonte përgatitjen dhe shitjen e DVD-ve me videot humoristike të tyre, por kompania nuk kishte të drejtë të postonte materialin e tyre online, në Youtube ose në rrjete të tjera sociale.
Mosmarrëveshja në mes të Stupcave dhe Emra Com ka filluar kur në Youtube janë paraqitur dy kanale për publikimin e skeçeve humoristike. 
Youtube, kur kishte parë që ekzistonin dy kanale që publikonin të njëjtin material, kishte dërguar dy vërejtje tek Stupcat Group, me ç’rast kërkonte që të caktohej se kush kishte të drejtat autoriale në Kosovë për materialet e tyre, thotë producenti Agron Sokoli.
Grupi Stupcat ka autorizuar producentin Agron Sokoli që të flasë për gazetën në emrin e tyre.
Kanali i Stupcave në YouTube është StupcaTv dhe menaxhohet nga kompania On Air.
Kanali tjetër në Youtube, i quajtur “Arkiva Shqip”, që është në pronësi të Acromax, sipas shkresave të gjykatës, kishte marrë të drejtat autoriale për publikimin e videove të Stupacve nga Emra Com.
“Pronari i Emra Com ka lidhur kontratë me kompaninë Acromax i cili ka postuar në YouTube minimum 25 produkte pa bazë ligjore”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Emra Com nuk i posedonte këto të drejta, thotë producenti Sokoli.
“Ai këtë e ka bërë pa autorizimin e Stupcave. Ne s’kemi dhënë asnjë nënshkrim,  sepse ne kemi përfaqësuesin tonë zyrtar për Internet”, thotë Sokoli.
Thaçi nuk ka shpjeguar para gjykatës nëse kishte autorizuar Acromax-in për të publikuar videot e Stupcave.
Ai është kontaktuar nga gazeta për më shumë se dy javë por nuk ka dhënë përgjigje lidhur me rastin.
Sipas shkresave që posedon gazeta, dyshimet për keqpërdorime rëndojnë vetëm mbi kompaninë Emra Com dhe jo për kompaninë Acromax, pronar i së cilës është Aldor Nini.
Nini, i kontaktuar nga gazeta thotë se ka pasur autorizim nga Emrush Thaçi për materialin e kontestuar. 
Pronari i Acromax, kompani kjo e themeluar në Gjermani, ka treguar se ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura ligjore për t’u siguruar që autorizimet e Thaçit ishin në rregull.
“Zoti Emrush Thaçi na ka vendosur në dispozicion xhirimet dhe materialet se si janë hedhur në treg ato që nga viti 2003. Merren xhirimet dhe shikohen shenjat që janë përmendur në fillim, ku shënohet se kush është producenti, aktorët, publikuesi… si dhe kush e ka bërë editimin e DVD-së. Neve konstatuam se producent në gjithë ato fillime është Emrush Thaçi dhe se aktorët nuk kanë të drejta autoriale” tha Nini.
“Stupcat janë dëmtuar rreth 100 mijë euro”
Prokuroria pretendon përmes provave që Acromax ka publikuar në Youtube minimum 25 produkte të kompanisë Stupcat Group [nga shikueshmëria e të cilave ka fituar të holla] duke dëmtuar këta të fundit për rreth 100 mijë euro. 
Rasti është inicuar dhe është duke u ndjekur nga prokurorja Shemsije Asllani, në prokurorinë themelore të Prishtinës.
Aktualisht, në kanalin Arkiva Shqip të Acromax-it në Youtube figurojë si të fshira videot me emrin Stupcat Thuprat.
Për këto 25 video, të cilat ishin të postuara edhe në kanalin e stupcave, ku ata kishin përfituar 14 milionë shikime në kanalin e tyre StupcaTv. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata kanë fshehur këto video gjë që ka ndikuar në humbjen e klikimeve.
“I kemi bërë të padukshme ato skeçe derisa të merret vendimi i gjykatës për të drejtat e autorit” thotë Sokoli.
Filmi Egjeli I dhe II dhe disa video të tyre të bëra për Vit të Ri, Tetë Mars dhe të tjera, nuk janë më publike, shtoi ai.
Numri i klikimeve është me rëndësi kur është në pyetje bashkëpunimi ndërkomëbëtar. 
“Kur bëj një projekt me një organizatë ndërkombëtare unë duhet të thirrem në klikimet në YouTube. Unë i kam 34 milionë, pas një jave më sulmon ai [Emrush Thaci v.j.]sajtin dhe unë i kam 20 milionë. Dal joserioz. Sepse janë shifra që shihen,” thotë producenti i Stupcave.
YouTube ofron mundësinë që për video të postuara përmes llogarive që mund të hapen në këtë platformë, të përfitojnë financiarisht autorët e tyre.
Ofruesit e përmbajtjes në Youtube duhen fillimisht të bëhen partnerë, pasi t’i plotësojnë disa kushte. Pastaj, YouTube vendos reklama në videot (materialet) e postuara dhe për çdo shikim të asaj reklame brenda videos, YouTube fiton të holla të cilat i ndan me autorin, varësisht nga marrëveshja.
Sokoli thotë se Emra Com ka përfituar materialisht në emër të Stupcave.
“Ai [Emrush Thaçi] nuk është lajmëruar tek Stupcat, me tregu që ka marrë para në emrin tonë”. 
Emrush Thaçi është kontaktuar nga gazeta për më shumë se dy javë por nuk ka kthyer përgjigje. 
Thaçi nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetës nëse ka fituar të holla në emër të Stupcave përmes YouTube. 
Stupcat kanë tentuar që të gjejnë marrëveshje me Emra Com-in për të mos u përballur me gjykatës, sipas Sokolit. “Tani ne mbesim prapa çdo vendimi të gjykatës”. 
Kush është producenti i “vërtetë” i Stupcave?
Konteksti, ndër të tjera, ka të bëjë me atë se kush ka të drejtë të jetë producent i Stupcave dhe t’i përfaqësojë ata.
“Sipas mendimit tonë, ai ka pasur të drejtën e distribuimit vetëm në DVD”, thotë Agron Sokoli, producenti ekzekutiv i Stupcave.
Marrëveshja nuk ka qenë e shkruar asnjëherë, por është bazuar në marrëveshje verbale në mes të palëve, sipas producentit të Stupcave.
Emrush Thaçi është prezantuar si producent i yni edhe pse ai ka qenë producent vetëm për këngë, thotë Sokoli.
“Ne e kemi bërë materialin dhe i kemi thënë kaq kushton materiali. Producenti [ekzekutiv] duhet me e ditë vendxhirimin, duhet me e zgjedhë ekipin, ai [Emrush Thaçi] se njeh askënd të ekipit, edhe thotë unë jam producent, unë jam menaxher”, shtoi Sokoli.
Ndërkohë, Emrush Thaçi pretendon se ka qenë producent i Stupcave për nëntë vjet.
“Nga 2003 deri më 2011 jam producent i Stupcave”, ka deklaruar Thaqi në gjykatë më 12 korrik.
Paraburgimi i Thaçit është kërkuar nga prokurorja Asllani, meqë ajo dyshonte se i dyshuari mund ta fshehë identitetin e tij, të ikë, të asgjësojë, ndryshojë apo fshehë provat e veprës penale si dhe mund t’i përsërisë veprat penale.
Për avokatin mbrojtës të Thaçit, Arianit Koci, “ky është një keqkuptim”.
Koci thotë për gazetën Jeta në Kosovë se palët [Thaçi dhe Stupcat] kanë pasur bashkëpunim të mirë deri vonë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem në mes tyre. 
“Ai kishte deklaruar se është befasur se pse për këtë çështje nuk kanë ardhur Stupcat për të biseduar më të, por e kanë bërë direkt kallëzimin penal” kishte deklaruar Koci në gjykatë.
Sipas avokatit të tij, Thaçi është njeri i respektuar në komunitetin artistik dhe se asnjëherë nuk kishte rënë ndesh me ligjin.
Ndërkaq, Emrush Thaçi ka deklaruar në gjykatë se “kontrata ishte vetëm një deklaratë me anë të së cilës unë jam producent i tyre dhe kam kërkuar vetëm të drejtat e producentit”.

Veterani i CIA-s Z.Robert Ber: Millosheviqin, Izetbegoviqin dhe Tuxhmanin i paguante CIA

Robert Ber në publik është i njohur si ish-agjent i CIA-së. Ai është autor i shumë veprave në të cilat ka zbuluar shumë sekrete të CIA-së dhe administratës së Bill Clinton dhe George Bush. Për këtë shkak, disa herë ka qenë i arrestuar dhe i mbajtur në paraburgim, ndërsa shoku i tij Mit Vaspur, i cili i ka dhënë informacione për CIA, është gjetur i vrarë në një dhomë hoteli.
Ai në Kanadë ka dhënë një intervistë në të cilën ka deklaruar se Stipe Mesiq, Slobodan Milosheviq, Franjo Tuxhman dhe Alija Izetbegoviq, kanë qenë agjentë të CIA-s. Tema e intervistës ka qenë prapaskena e luftës në Ish-Jugosllavinë në vitet e nëntëdhjeta, ndërsa siç ka deklaruar ai, në Sarajevë atëherë ka qenë i angazhuar për t'i mbatur në sy terroristët serb.

image
Një periudhë ka qenë i paguar edhe Radovan Karaxhiq, por pasi që ka kuptuar se do të jetë i sakrifikuar dhe i akuzuar për krime lufte, nuk ka marrë më para. Ber ka shpjeguar se disa agjentë të CIA-së kanë qenë të angazhuar që t'i shkruajnë deklaratat ku spikerët i kanë lexuar në lajme.
Sigurisht, spikerët nuk kanë ditur asgjë, ata e kanë marrë këtë nga shefi i tyre, i cili ka qenë njeriu i jonë. Ka ekzistuar detyrë për gjithçka, e ajo ishte që të përhapet urrejtje, nacionalizëm dhe të theksohen dallimet mes njerëzve, ka deklaruar ish-agjenti i CIA-së.

Për vehabistët di vetëm AKI-ja

image















Myftiu Naim Tërrnava ka arritur të sfidojë institucionet me deklaratat e tij, për vehabizmin në Kosovë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Kuvend thonë se rreth pranisë së radikalëve islamikë në vend, di vetëm AKI.
Deputeti Rexhep Selimi, nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri e pranon se Kosova ka probleme me fundamentalizmin islamik.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), e di më së miri se a ka vehabistë apo fundamentalistë islamikë në Kosovë. Kështu deklarojnë zyrtarët e ekzekutivit por edhe përfaqësues të legjislativit kosovar.
Derisa asnjëra palë nuk mohon se Kosova ka probleme me vehabistë. Por, një gjë të tillë e ka mohuar Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërrnava.
Ai ditë më parë, në një paraqitje televizive tha se nuk është në dijeni se në Kosovë ka vehabistë. “Unë këtë nuk e di nëse organet e sigurisë kanë informacione për këtë le të merren me ta”, ishte deklarata e Myftiut Tërrnava.
Në këtë mënyrë, Tërrnava ka sfiduar të institucionet të cilat shprehen të rezervuara rreth kësaj teme.
“Express” ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kuptuar nëse kjo e fundit ka të dhëna lidhur me ekzistencën dhe aktivitetet e vehabistëve në Kosovë.
Krejt çka i është dhënë gazetës nga dikasteri që ka mbi supe rendin dhe sigurinë e shtetit ishte një orientim tek organet tjera shtetërore.
“Ne nuk kemi asgjë, për këtë duhet t’i drejtoheni AKI-së”, ishte përgjigja e Zëdhënëse së MPB-së, Rroksana Qarri për Express.
Të dhënat e AKI-së siç dihet janë konfidenciale për opinion. Express ndërkohë ka kontaktuar me zyrtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri.
Nënkryetari i këtij Komisionit, Deputeti Rexhep Selimi ishte më i prerë kur u pyet nëse Kosova ka probleme me vehabistë.
“Unë po them se problemi me vehabistët nuk është vetëm problem i Kosovës...”, tha Selimi.
Mirëpo ai ka pohuar se AKI-ja, në krye me Bashkim Smakajn, e di më së miri këtë punë.
Çka thonë raportet ndërkombëtare për vehabizmin në Kosovë?
Vehabizmi njihet si lëvizje fetare, ose degë e Islamit, e cila u zhvillua në shekullin e 18-të në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhammad ibn Abd al-Wahhab
Veçori e kësaj lëvizje është se njihet si formë më e rreptë e Islamit që insiston në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.
Për shumë kritikë botëror ngurtësia e vehabistëve ka çuar në keqinterpretimin dhe shtrembërimin e Islamit, duke marrë për shembull ekstremistët si Osama Bin Laden dhe talebanët.
Në një raport të Departamentit të shtetit amerikan për liritë fetare në botë, të vitit 2011, kur flitet për Kosovën thuhet se në shtetin me më shumë se 90 për qind të popullatës me besim islam, feja nuk është faktor kryesor në jetën publike.
Mirëpo, aty theks të veçantë i jepet një veshje karakteristike, kryesisht me pantallona te shkurtër dhe mjekër të gjatë, të cilën hasen edhe nëpër Kosovë.
“Retorika fetare mungon në masë të madhe në diskursin publik të komuniteteve myslimane, ndërsa pjesëmarrja në xhami është e vogël. Por, veshja islamike, edhe pse jo shumë e shpeshtë, ka shënuar rritje”, thuhej në raport.
Ndërkohë që disa kosovarë me shtetësi të huaj, si në SHBA dhe Gjermani, janë akuzuar për sulme terroriste, të motivuara nga Islami radikal.
Ndër to vlen të përmendet rasti i Asllan Bajramit nga Mitrovica, njëri nga njerëzit më të kërkuar nga FBI , nën dyshimin për mbështetje të veprave terroriste e i cili jetonte i lirë në Mitrovicë, në mungesë të një marrëveshje ekstradimi mes Kosovës dhe SHBA-së.
Ai akuzohej se ka lidhje me njerëz nga Karolina e Veriut, të arrestuar kohë më parë për një komplot të dyshuar për të sulmuar bazën e marinës amerikane në Kuantiko të Virxhinias dhe plane të dyshuara për të lënduar njerëz në Kosovë, Jordani dhe në Rripin e Gazës.

Shpifjet e radios ruse për rekrutime të terroristëve islamikë shqiptarë në Ballkan

image












Medit maqedonace citojn nje lam të dhënë në radion shtetërore Ruse në të cilën thuhet se në Maqedoni stërviten terroristë islamikë për sulme vetëvrasëse me bombë, “Bosnja, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia përfshi Jugun e Serbisë dhe Malit të Zi në të ardhmen do të duhet të bëhen shtete të bashkuaraislame.
 Kjo është faza e parë e okupimit të Evropës në kuptimin e planit islamik “Evropa 3000”. Stërvitjet terroriste bëhen në zona të caktuara shqiptare gjegjësisht në Shqipëri, Kosovë dhe një pjesë të Maqedonisë. Ata operojnë nën ombrellën mbuluese të quajtur Armata Kombëtare Shqiptare, pasardhëse e UÇK-së,” bënë të ditur radio shtetërore Ruse,duke u thirrur në informacionet e shërbimit sekret rusë.
Lajmi i tillë godet kryesisht shqiptarët duke i ndërlidhur ata gjoja me veprime terroriste, sepse gjoja ata operojnë nën ombrellën e Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH).
Sipas burimeve në të cilën thirret radio stacioni Rusë, rekrutohen dhe stërviten Boshnjak dhe Shqiptar me pamje sllovene për të kryer akte terroriste. Këta luftëtar atëherë mund të udhëtojnë në të gjithë botën pa mos ngjallur dyshim tek autoritet policore dhe shërbimet për kundër zbulim.
Këta terroristë thirren “djalli i bardhë” dhe marrin stërvitjet më të mira dhe pajisje dhe janë të përgatitura për xhihad në gjithë Evropën e Rusinë

Një lojë shekullore e medias: nga janë ministrat e rinj?

image
Mustafa NANO
Kronika politike e dy dekadave të fundit ka regjistruar, mes të tjerash, një fakt interesant. Të nesërmen e ditës që është shpallur një qeveri e re, media shqiptare, gjithnjë, është tërhequr, më së pari nga ideja për të hetuar e zbuluar prejardhjen e origjinën “etnike” të ministrave. Të njëjtën gjë kishin bërë dhe dje e pardje, dhe një pjesë sosh kishin arritur me gëzim në përfundimin se, për sa u takon balancave lokale, kjo qeveri i ka kredencialet në rregull, pasi ka anëtarë të vetët edhe nga Shkodra (Beqja, Bushati), edhe nga Korça (bie në sy zv.kryeministri), edhe nga Jugu (Ahmetaj, Naço, Çuçi, Harito), edhe nga Veriu (Cani, Gjosha, Nikolli), edhe me origjinë të përzierë (Mimi Kodheli, vetë Edi Rama, etj).
Në të kundërt, ndonjë zë i opozitës (së pas shtatorit) në rrjetet sociale, ndoshta dhe nëpër gazeta, kish zhbiriluar me synimin për të gjetur e denoncuar zhbalancime të mundshme, dhe kish bërë interpretime të çuditshme të origjinës së njërit apo tjetrit për të dalë në përfundimin se kjo është qeveri e dominuar nga jugorët. Por afërmendsh, nuk është kështu. Kjo qeveri mund të ketë një, dy a tre probleme kongjenitale, por këto probleme nuk kanë të bëjnë me përfaqësimin e identiteteve lokale.
Kthehemi tek jehona mediatike e këtij argumenti, sidoqoftë. Me sa duket, loja me identitetin e origjinën lokale të atyre që marrin në dorë drejtimin e vendit është një ngasje që nuk ka të sosur në median tonë. Dhe kjo vjen, ngaqë ekziston bindja (të paktën, mes gazetarëve), se ndjeshmëritë ndaj ekuilibrave gjeografikë brenda një institucioni shtetëror janë ende të pranishme në publik, e për rrjedhojë, ende duhet të sillen si një kriter i rëndësishëm, i painjorueshëm, në mendjen e atyre që kanë në dorë të ndërtojnë institucione të tilla, siç është në këtë rast ky i Këshillit të Ministrave.
Ekzistojnë vërtet këto ndjeshmëri? Apo janë sendërgji gazetarësh? Kam përshtypjen se ekzistojnë, dhe me këtë kemi një nga dëshmitë e papjekurisë sonë kombëtare. Në shumë vende ky problem është i kapërcyer me kohë e me vakt, ngaqë identiteti kombëtar është ku e ku më i fortë se sa identitetet lokale. Askujt nëpër gazeta nuk do t’i shkonte mendja të fokusohej tek një çështje e tillë; dhe asnjë kryeministri, gjithashtu, ngaqë nuk ka ndjeshmëri publike, apo lokale, të tilla që të marrin formën e presionit mbi të. E prandaj, një kryeministër ka në mendje kritere të tjera rekrutimi e përzgjedhjeje të anëtarëve të kabinetit të tij qeverisës. Ka në mendje kompetencën, dijet, autoritetin, besueshmërinë publike, integritetin moral, etj. Por duhet thënë se, edhe pa e pasur në mendje shqetësimin e objektivin e shpërndarjes së balancuar gjeografike të përgjegjësive qeverisëse, gjetkë kjo gjë ndodh vetvetiu. Edhe në mos ndodhtë, nuk është se do kish ndonjë problem, por ajo ndodh, prapëseprapë. Ndodh rëndom, ngaqë rregullat e lojës janë krijuar qysh në krye të herës me synimin për të inkurajuar krijimin e institucioneve sa më përfaqësuese, edhe ngaqë kompetenca e dijet, ashtu si dhe përfshirja në aktivitetin politik, kanë një shtrirje uniforme në territorin nacional. Kjo e fundit është njësoj e vërtetë edhe për Shqipërinë, por ne vijojmë të përdorim lupën për të pikasur ndonjë anim të lehtë gjeografik të peshores së qeverisë.
Ka disa arsye pse. Së pari, ky merak lidhet më së shumti me nivelin përfaqësues të qeverisë, të ekzekutivit pra. Ndodh kështu, ngaqë në Shqipëri, qeveria shihet si një institucion mbi të tjerët, një institucion që të bën gjëmën, një institucion që merr vendimet e mëdha me rëndësi kombëtare e lokale, një institucion që bën shpërndarjen e parave, fondeve e investimeve, dhe më në fund një institucion – kjo është një përthyerje shumë lokale – anëtarët e të cilit kanë në dorë të krijojnë e shpërndajnë vende pune, të bëjnë ndere, të akordojnë fonde publike për vepra në zonat, prej nga ata vetë vijnë, e kështu me radhë (shembujt ilustrues janë të shumtë në këtë drejtim).
Së dyti, janë verifikuar disa praktika të shëmtuara në periudhën postkomuniste, të cilat, si precedentë, edhe kondicionojnë kryeministrat e radhës, edhe mbajnë gjallë frikën e opinionit publik. Fatos Nano ndërtoi dukshëm një qeveri të dominuar nga njerëz me origjinë nga Jugu (me plot të drejtë e kanë përdorur paralelen historike të Zonës së Parë Operative për ta përkufizuar). Ilir Meta e përdori fillimisht pushtetin me një logjikë të çuditshme, duke krijuar një entourage tribal, që ra në sy të të gjithëve. Tani e ka hapur shikimin dhe ka kapur gjeografinë e plotë, por janë të shumtë ata që janë të bindur se logjikën tribale e ka zëvendësuar me atë klienteliste (kjo ishte ajo që pamë gjatë katër viteve të shkuara). Ndërsa Berisha bëri një përzierje të tribalizmit, klientelizmit dhe nepotizmit (përsëris; më shumë në administratë e në institucione se sa në kabinetin e Këshillit të Ministrave). Këto precedentë pra e bëjnë të kuptueshëm tundimin mediatik për ta kapur këtë çështje.
Së treti, ka dhe një traditë historike që neve na vjen nga kohët e hershme, kur identitetet fetare e lokale jo vetëm ishin bomba që mund të shpërthenin nga një moment në tjetrin, por edhe silleshin si argumente për parandalimin e krijimit të shtetit shqiptar (para vitit 1913) apo si shqetësim se ky shtet, pikërisht për shkak të këtyre dobësive inherente, nuk mund të ish i qëndrueshëm e jetëgjatë (pas vitit 1913). E prandaj politikanët tanë nga njëra anë, e veprimtarët publikë atdhetarë nga ana tjetër, kanë ditur të demonstrojnë në vijimësi skrupuj e kujdes përballë ndjeshmërive që buronin prej këtij realiteti. Këshilli i Lartë (Regjenca) që doli nga Kongresi i Lushnjës u vendos të kish katër anëtarë, nga një për çdo fe (një mysliman synit, një bektashi, një katolik e një ortodoks), dhe më tej, çdo qeveri, para se të krijohej, futej në një sitë të imtë të balancave rajonale e fetare. Enver Hoxha e prishi këtë traditë, jo vetëm se fetë i nxori jashtë loje dhe i la pa asnjë rol në jetën publike, por edhe sepse regjimi i tij totalitar, pikërisht ngaqë ishte totalitar, kish luksin t’mos i lejonte vetes kushtëzime e kokëçarje prej ndjeshmërish e pretendimesh lokale për përfaqësim, duke maskuar kështu krijimin e një nomenklature sunduese të toskëve, por edhe duke krijuar idenë se ish arritur tanimë një unitet kombëtar, dhe se ish harruar e ish hedhur pas krahëve, si e kotë dhe e panevojshme, praktika e balancimit fetar e rajonal të strukturave të vendimmarrjes e të drejtimit të vendit.
Por nuk paska qenë kështu. Regjimi totalitar nuk ka mundur t’i zhbëjë identitetet fetare e rajonale; ai thjesht nuk i ka lënë të shpalosen e të shpërthejnë. Dhe këto janë rishfaqur si njëherë e një kohë; identitetet fetare jo dhe aq, e jo ngaqë kanë ulur kokë, por ngaqë, kështu duket, po bëhen gati të ngrenë kokë; e prapëseprapë, ka mijëra sy që këqyrin balancën fetare të Këshillit të Ministrave, duke parë tek anëtarët e qeverisë, jo besimtarët praktikantë, por origjinën fetare; dhe duket sikur ekziston një rregullator automatik që, edhe pa e synuar, e garanton një balancë kësodore në të gjitha qeveritë (me që ra fjala, në qeverinë “Rama” do të kemi dy katolikë, katër ortodoksë, e të tjerët myslimanë, d.m.th një pasqyrim pothuaj mekanik i rezultateve të censusit të kryer para ca kohësh).
Ne shqiptarët ende nuk kemi mësuar t’u bëjmë derman këtyre imperfeksioneve që e shoqërojnë shtetin/kombin tonë qysh nga lindja. Nuk i kemi lënë të zhvillohen, e të na marrin frymën, sidoqoftë. Dhe është kjo që na mbetet të bëjmë, me sa duket. Por duhet pasur kujdes se këto viruse mund të rikuperojnë forcën virulente të qëmoçme, e mund të vënë seriozisht në provë sistemin imunitar të shoqërisë, që paradoksalisht mund të jetë forcuar, e mund të forcohet, prej bashkëjetesës së gjatë me këto viruse. Ndoshta.

Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë!

image
Fahri XHARRA
“Të besohet në atë që thotë populli: gjaku nuk bëhet ujë. Dritë e tij verbon çmendurinë e gëlltitësve të hapësirës sonë….", Ali Podrimja
Vorbulla e historisë sonë gjithëshqipatre, ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë, do të shpëtonim. Furtunat nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin, dhe të na hidhnin në vrimën e moskthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu ynë mijëravjeçar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe të tjera me qëllim të caktuar që të harrojmë vehtën tonë dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim.
“Mbaj mend, – e si të mos e mbaja mend, – vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi motra ime, Jelica, pesë vite më e moshuar. Asnjëri nga fëmijët e fshatrave tonë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi (jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij) më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik”, rrëfehet Manojlovski, ortodoksi i parë shqiptar i Maqedonisë (IRMJ) që pati guximin të deklarohet dhe përfundimisht t`a pohon origjinën e tij të vërtetë.
Po ku qëndron e vërteta e këtyre shqiptarëve ortodoks në Maqedoni?
Ata, janë hala aty, frymojnë aty, por me një frikë të madhe të shfaqin thelbin e tyre kombëtar. Izolimet e mëdha iu vinin që në kohën e Turqisë. Ata duhej te veçoheshin, për të ruajtur identitetin e tyre fetar. Atyre iu duhej të fshiheshin, sepse si ortodoks e kishin më të lehtë të mbijetonin.
Pas pushtimit serb në vitin 1913, familjeve shqiptare iu imponua mbiemri me prapashtesën –viq. S`kishin mundësi e shans tjetër ose me –ski, ose me –iq apo –viq.
Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama, përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë,”- rrëfehet Branko Manojlovski nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të rrethit të Gostivarit në “Koha “ të Shkupit.
Edhe Jugosllavia e Titos kur e krijoj Maqedoninë si republikë e vazhdoi në të njëjtën mënyrë me shqiptarët ortodoks. Po këta të sotit?
Janë edhe shumë shqiptarë tjerë të Maqedonisë që janë ortodoks e që nuk guxojnë të flasin se çka janë.
Prof. Skënder Karaçica për asimilimin dhe përkatësinë kombëtare të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni, e jep me një të dhënë nga udhëpërshkruesi anglez H. N. Brailsfort, në librin e tij me titull “Maqedonia, racat e saj dhe ardhmëria e tyre” të botuar në Londër (1906), i cili ka vërejtur se: “Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni, vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë. Shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm njëlloj në krahasim me shqiptarët e besimeve të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme sa ishin të pranishëm në Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhd, Pogradec, aq ishin edhe në Strugë, Prespë, Dibër, Gostivar, Krushevë, Manastir këto janë veneriket shkencore të kohës. Në këtë rrugë të asimilimit mbetën të paprekur për një kohë shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme të Dibrës me fshatrat Duf dhe Jellovicë të Gostivarit, pastaj të fshtatraved Labinishtë afër Shën Naumit (Ohër) e ndonjë tjetër dhe pjesa tjetër nëpër qytete”, thekson Karaçica.
Duhet përmendur intelektualin e Rekës së Epërme Josif Bageri,i cili duke qëndruar i fortë në tabanin kombëtar shqiptar, i cili duke i ra grusht propagandës antishqiptare pati thënë më zë të lartë: Gjithë sa jemi shqyptar, Kemi një gjak dhe një farë… Nona që na rriti n’gji, Të gjithë ne na ka fëmi. Për të vazhduar protestën intelektuale shqiptare: O sa keq tash na turpnuet, Se gjuhën e vet mohuet! Dhe serbishten zut të msoni: “Vake take” të na thoni.
Shqiptarët ortodoksë që nuk janë pak, sot ata janë mbi 15% të popullatës së Maqedonisë, atyre nëna iu ka folur shqip,gjyshërit e gjyshet iu flitnin shqip. Por vorbulla historike e kërkonte shlyerjen e tyre herë nga e majta e herë nga e djathta. Ishte furtunë e madhe kur, kurrkush nuk guxonte te fliste, e as të shfaqte përkatësinë kombëtare.
Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm, jo nga mosdija por nga frika se Historia do ta bëj të veten, dhe të thuhet e vërteta dhe se është e vërtetë se Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, e gjetiu kanë folur shqip deri në vitin 1960. Normalisht, gjithkush ndjehet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën. Vetëm nëse iu tregohet e vërteta ata do të shkunden nga errësira që iu është imponuar.
Edhe Kalaja e Shkupit e meshefë të heshturën e shekujve. Edhe aty kishte kishë ortodokse shqiptare. Ajo apo ato u rrënuan. kurse tani sllavishtfolësit e duan ta përvetësojnë historinë tonë e të mbjellin një kishë të tyre. Ortodoksët shqiptarë, ata nuk guxojnë të flasin, ata nuk guxojnë të shfaqen e lëre më të kërkojnë kishën e tyre ortodokse shqiptare.
Historia jonë ende duhet t’i ruhet forcave centripetale që me ngulm e shtyjnë kombin tonë drejt vrimës së zezë të përpirjes.
Ku është Kisha Ortodokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzan. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë ortodoksë shqiptar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frikohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e dënueshme as nga zoti e as nga humanizmi.
Të ishte Fan S. Noli gjallë, ai këtë do ta bënte. Me siguri, do ta bënte.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...