Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/01/06

Shërbëtori i grekosllavizmit, si gjithmonë, në krye të detyrës



Prof.Dr.sci.Eshref Ymeri



Në një artikull me titull: “Reagim ndaj shkrimit të Prof.dr. Mehdi Hyseni mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, Paul Tedeskini shkruan (Citimet po i bëj me pikë e me presje, me të gjitha mëkatet gjuhësore, të cilat janë pasojë e formimit të tij gjysmak):


Prof. Dr. Mehdi HYSENI

“Lexova me vemendje shkrimin e Prof. Dr. Mehdi HYSENI me titull “Ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Mosiu apelon Kosovën dhe Shqipërinë për bashkim!” te publikuem me daten 23 shtator 2013 ne TSH. Prof. Dr. Mehdi HYSENI, t’paska fute n’thes ishkomunisti i thekun Abdi Baleta, perfaqesuesi i dèje i diktatorit te urryem Enver Hoxha ne Organizaten e Kombeve te Bashkueme !!!!! Tashti e kuptoj se pse ne shkrimet e jueja ke ndrrue drejtim dhe e keni lane rrugen e maparshme objektive dhe tamam patriotike (Citohet sipas faqes së internetit “Kosova tek AlbEmigrant”. 24 shtator 2013).
Më poshtë do të vazhdoj të riprodhoj ca citate të tjera nga ky artikull i Tedeskinit të lartpërmendur:
“Dy gjana me vend ka ba Europa gjate shekullit te XX: Coptimin e trojeve filoosmane shqiptare dhe coptimin e Gjermanise naziste” (po aty).



Abdi BALETA 

“Shkak per coptimin trojeve shqiptare qe te mos riformohej ne Ballkan/Europe nji Turqi e Rè Osmane ishin veglat antishqiptare, antipatriotike arnauto-turke Haxhi Qamiliste-Esat Toptaniste, te cilet bertitshin Duem Baben Sulltan”.
“Ashtu si Europa me te drejte nuk e bashkoi Gjermanine pa pase sigurine e moskrijimit te nji Gjermanie neonaziste, po ashtu Europa me te drejte nuk do te lejoje ribashkimin e trojeve shqiptare pa pase sigurine e moskrijimit ne zemer te Europes te nji Shqipnie neoosmane baze e terrorizmit islamik”.
“Sot xhamijat e trojeve shqiptare Kosove-Shqipni kan mobilizue mbi 700 djelmoça te rij shqiptar per te shkue ne Siri jo per te derdhe gjakun e vet si shqiptar, por si musliman sunnit kundra muslimanve shiit sirian”.
Së pari, artikulli i profesorit të nderuar Mehdi Hyseni, i ka shkelur keq në kallo grekosllavizmit, i cili vuri menjëherë në lëvizje lakeun e vet Tedeskini për ta sulmuar në mënyrën më të pabesë, ashtu siç i shkon për shtat një horri brashnjar, pa kurrfarë identitet kombëtar. Me këtë rast, lakeu i grekosllavizmit gjeti rastin për të sulmuar edhe zotin Abdi Baleta, i cili shqiptarëve ua ka thënë dhe vazhdon t’ua përsëritë për vite me radhë formulën e çmuar deri në shenjtëri:
“Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin shqiptar”.



Paul Tedeskini

Kjo formulë i tmerron deri në palcë grekosllavët, të cilët i tremben si djalli vetëtimës krijimit të një shteti të bashkuar shqiptar, brenda katër ish-vilajeteve, me një stemë dhe me një flamur. Prandaj, sa herë që del në skenë çështja e ribashkimit të trojeve etnike shqiptare, duke filluar me ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë Londineze, grekosllavizmi merr mashën në dorë dhe fillon të vërë në lëvizje krimbat e plehut, si puna e Tedeskinit, që i ka selitur në stallat e veta me kohë e me vakt.
Së dyti, dëshiroj të theksoj se trojet etnike shqiptare, në kuadrin e katër vilajeteve, nuk kanë qenë asnjëherë troje filoosmane. Përkundrazi, ato kanë qenë troje të pastra shqiptare, të populluara në shumicë dërrmuese me popullsi të etnisë shqiptare dhe të vendosura për ta hequr qafe zgjedhën otomane.




Këtë e vërtetojnë kryengritjet e vazhdueshme antiotomane, sidomos në kohën e Reformave të Tanzimatit, në gjysmën e dytë të shek. XIX që kulmuan me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe sidomos në periudhën mes viteve 1908-1912. Prandaj Tedeskini, me etiketimin që u bën trojeve shqiptare si filoosmane, shpif në mënyrën më të ulët, duke shkelur mbi gjakun e sa e sa martirëve që sakrifikuan jetën për një atdhe të lirë e të pavarur nga perandoria otomane. Madje shpif, ashtu siç i shkon për shtat një paçavureje të vërtetë të grekosllavizmit.


Së treti, duke shprehur tërë entuziazmin e vet për faktin që Evropa bëri mirë që i copëtoi trojet etnike shqiptare, Tedeskini bën një paralelizëm me copëtimin që ajo i bëri edhe Gjermanisë naziste pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me këtë deklaratë, Tedeskini, nga njëra anë, e prezanton veten si armik të betuar të kombit shqiptar, kurse, nga ana tjetër, zbulon faktin që vetë është i lajthitur nga trutë dhe i thotë këmbës dorë me xhevahiret që nxjerr nga pena e tij.



Dhe ja sepse: Trojet etnike shqiptare, Evropa i copëtoi përfundimisht, duke ua aneksuar shovinistëve sllavogrekë, pra, duke i shndërruar ato juridikisht në pjesë të territoreve të tyre. Kurse Gjermania naziste u nda në katër zona pushtimi: amerikane, angleze, franceze dhe sovjetike. Tri të parat u bashkuan dhe formuan Gjermaninë Perëndimore. Ndërsa zona e pushtimit sovjetik u krijua si shtet më vete dhe në vitin 1949 u shpall Republika Demokratike Gjermane, në kuadrin e kampit socialist. Pra, asnjë metër katrore e Gjermanisë tërësore nuk iu aneksua juridikisht as Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as Anglisë, as Francës dhe as Bashkimit Sovjetik.


Së katërti, Tedeskini identifikon në mënyrën më të paturpshme mbarë kombin shqiptar me plehurina të tilla, si Haxhi Qamili dhe Esat Toptani, të cilët, me otomanizmin e tyre, Evropës i paskan shërbyer gjoja si vjegë për coptëtimin e trojeve tona etnike.



Kësisoj Tedeskini radhitet përkrah kasapëve të Evropës dhe madje ngazëllohet për këtë vepër kriminale që ata kryen kundër trojeve tona etnike, duke tundur kësisoj flamurin e një fashisti të kulluar në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Arsyeja e vërtetë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare prej ujqve evropianë, ishte jo otomanizmi i dy plehurinave të larpërmendura, por xhelozia dhe urrejtja e Evropës ndaj etnisë shqiptare, si më e lashta në kontinentin evropian, dhe dashuria e saj përvëlimtare ndaj sllavogrekëve.



Me ngazëllimin e vet për copëtimin e trojeve etnike shqiptare prej diplomacisë kriminale evropiane, Tedeskini ngrihet kundër legjendës së kombit shqiptar, Gjergj Fishtës, i cili në Lahutën e Malcicë i çjerr

maskën kurvës Evropë:
Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i re mohit, besës së Zotit!
Po, á ky asht sheji i qytetnisë?
Me da token e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?



Për qëndrimin e tij të vendosur më mbrojtje të kombit shqiptar dhe për demaskimin që i ka bërë shovinizmit evropian dhe sidomos shovinizmit serbomadh, Gjergj Fishta duhej nderuar me kohë me një shtatore gjigante jo vetëm në Shkodër, por edhe në Tiranë.


Me nuhatjen e tij prej atdhetari, prej nacionalisti të shquar, Fishta i Madh ka goditur pa mëshirë të gjithë ata mercenarë të urryer, servilë të të huajve, dallkaukë dhe sallahanë që janë turpi i dheut për kombin shqiptarë, si puna e këtij Tedeskinit që s’është gjë tjetër, veçse, siç e demaskon ai, “një coftinë e kalbur mbi dhe”:
Ju rrugaça sallahana,
vagabonda shakllabana,
rricna t'ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë me ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?


Së pesti, Tedeskini kërkon t’i ngrejë aksionet Evropës, e cila gjoja paskej vendosur që ta bashkonte Gjermaninë, pasi u bind, demek, se nuk kishte më rrezik për lindjen e neonazizmit. Me këtë deklaratë, Tedeskini zbulon servilizmin e tij të shpëlarë karshi Evropës dhe formimin e tij gjysmak në lëmin e informacionit. Evropa s’pati gisht absolutisht në çështjen e ribashkimit të Gjermanisë. Ribashkimi i Gjermanisë ishte rezultat i vetëshkallmimit të themeleve të sistemit socialist në Evropën Lindore, i vetërrënimit të ngrehinës sovjetike me emrin “Bashkim Sovjetik”, i bisedimeve mes Bushit (i madhi) dhe Gorbaçovit në Reikjavik dhe në Maltë dhe i marrëveshjes mes kancelarit Kol dhe Gorbaçovit, në përfundim të së cilës Gjermania Perëndimore e shpërbleu Moskën me 9 miliardë dollarë për ndërtime pallatesh banimi për ushtarakët e armatës sovjetike prej 380 mijë trupash që duhej të zhvendoseshin nga Republika Demokratike Gjermane për në atdheun e tyre.



Së gjashti, sipas trulajthiturit Tedeskin, “Europa me te drejte nuk do te lejoje ribashkimin e trojeve shqiptare pa pase sigurine e moskrijimit ne zemer te Europes te nji Shqipnie neoosmane baze e terrorizmit islamik”.
Evropa, në të vërtetë, as ka menduar dhe as që ka për të menduar ndonjëherë për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare. Dhe në këtë mes nuk ka të bëjë fare bindja e saj për “moskrijimin e një Shqipërie neoosmane, si bazë e terrorizmit islamik”, siç fantazon mendjeçarturi Tedeskin. Ribashkimi i trojeve etnike shqiptare varet vetëm nga dëshira e shqiptarëve dhe e klasës së tyre politike, e cila, po të jetë me të vërtetë atdhetare, duhet t’i tundë themelet Brukselit, me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për thirrjen e Konferencës së Londrës 2. Sepse Evropa, edhe sikur shqiptarët, në mbarë trojet e veta etnike, me lëvizjen e shkopit magjik, të kthehen në çast 100% në të krishterë, mendjen e ka te sllavogrekët. Shqiptarët të krishterë ishin në kohën e Skëndërbeut, por Evropa atij nuk i dha asnjë ndihmë në përballjen e tij me perandorinë më të fuqishme të mesjetës. Madje pabesia e Evropës asokohe është mishëruar më së miri në qëndrimin prej prostitute që Venetiku mbante ndaj Skënderbeut.
Tedeskini trulajthitur sheh ëndrra me sy hapur për rrezikun e ekstremizmit islamik në trojet shqiptare. Po këtij trushkari si nuk i rënka në sy ekstremizmi nazifashist në Greqi, i përfaqësuar nga partia “Agimi i Artë”, e cila ka deputetë në parlamentin grekë dhe një elektorat prej 1 milion votues? Dhe Evropa, për turpin e saj, i dha kryesimin e Presidencës në Bashkimin Evropian, në vend që t’i vinte si kusht paraprak nxjerrjen jashtë ligjit të kësaj partie. Kjo parti ka bërë thirrje për luftë kundër Shqipërisë për të marrë Epirin e Veriut, por Tedeskinit s’i kanë bërë përshtypje këto thirrje nazifashiste se vetë është sejmen i shovinizmit grekokaragjoz.
Me deklaratën e vet për rrezikun e ekstremizmit islamik në trojet shqiptare, Tedeskini radhitet përkrah kukuvajkave të Kremlinit, duke u shfaqur si një lake i vërtetë, i zhveshur nga çdolloj dinjiteti personal.
Ngjarjet e Kosovës, sidomos para dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, vërtetuan se institucioni i shpifjes kundër popullit shqiptar të Kosovës në veçanti dhe kundër kombit shqiptar në tërësi, erdhi e mori përmasa të përbindshme mes shkencëtarëve dhe politikanëve rusë.
Prof.dr. Vollkovi, drejtor i Institutit të Sllavistikës, në qershor të vitit 1999, në intervista dhe në shkrime të ndryshme, në një mënyrë fare të pacipë, deklaronte poshtë e përpjetë:
“UÇK-ja e ka treguar veten një organizatë terroriste…”, se “në të ka pasur edhe mercenarë, edhe të ashtuquajtur vullnetarë të huaj-moxhahidinë nga vendet arabe” (Cotohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova” (Shënime të një diplomati). Tiranë 2007, f 435).
Ish-ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov, shkruante:
“Po vijnë dëshmi alarmante që tregojnë se pushteti “në hije” në Kosovë, gjithnjë e më shumë po kalon në duart e grupimeve të ndryshme që janë të lidhura ngushtë me organizata kriminale ndërkombëtare, me narkobiznesin, me ekstremizmin islamik” (Citohet sipas: Igor Ivanov. “Vnjeshnjaja politika Rosii i mir. Statji i vëjstuplenjija”. ROSSPEN. Moskva 2000, f.231).
Presidenti rus Vladimir Putin, del para opinionit publik ndërkombëtar me një deklaratë kaq absurde, saqë edhe fëmijëve të kopshteve u duket e pabesueshme që ajo të ketë dalë nga goja e një kryepolitikani të një supershteti:
“Nuk e kuptojmë pse amerikanët kanë filluar fushatën e tyre për të islamizuar Evropën. Pasi shqiptarët të kenë gëlltitur Evropën, ata do të mundohen të shtrihen më tej, në kurriz të Maqedonisë” (Roland D. Asmus. “Një luftë e vogël që tronditi botën”. Palgrave, Macmillan, 2010. Pjesë nga biseda e Vladimir Putinit me Presidentin e Gjeorgjisë M. Saakashvili, f. 105-107. Citohet sipas: “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”. Botim i Universitetit ILIRIA dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Prishtinë-Tiranë 2012, f. 169).
Së shtati, sipas informacioneve që Tedeskinit i shkojnë nga padronët e tij të trekëndëshit Beograd-Moskë-Athinë dhe nga Damasku, përmes kanaleve të Kremlinit, në Siri paskan shkuar 700 mercenarë shqiptarë për të luftuar për përmbysjen e regjimit të Asadit. Këtë problem ai e shtruaka si shqetësim se, demek, iu dhimbskan, shiitët sirianë!!! Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, edhe sikur kjo që thotë të jetë e vërtetë. Sepse dukuria e mercenarizmit është e vjetër sa bota. Njerëzit, në mbarë trojet shqiptare, nuk janë më nën regjimin e egër komunist dhe lëvizja e tyre është e lirë. Nëse kanë shkuar si mercenarë, kokën e vetë hëngshin, bashkë me ata që i kanë organizuar, se në këtë mes nuk ka gisht absolutisht as Tirana zyrtare dhe as Prishtina zyrtare. Po si ka mundësi që këtij Tedeskinit i dhimbsen shiitët e Asadit dhe nuk i dhimbseshin boshnjaket që serbët i masakruan në Srebrenicë, në bashkëpunim të ngushtë me mercenarët grekë?! I dhimsen sepse Asadi gëzon përkrahjen kriminale të Kremlinit në mizoritë që ka kryer dhe vazhdon të kryejë kundër popullit sirian, të cilit i ka rrjepur shtatë palë lëkurë dhe, sipas të dhënave që janë bërë publike në mjetet e informimit masiv dhe konkretisht në revistën amerikane “Forbes”, ai “…ka një pasuri që vlerësohet në 122 miliardë dollarë” (Citohet sipas: “Nëpërmjet islamit u bënë më të pasurit në botë”. Marrë nga faqja e internetit “Explorer Univers”. 17 shtator 2012).
Prandaj lakeut të sllavogrekëve Tedeskini nuk i është bërë kurrë vonë për vrasjen e 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë, masakër kjo e kryer prej serbëve dhe prej mercenarëve grekë, të organizuar fshehurazi prej vetë shtetit grek.
Gazetarja holandeze Ingeborg Beugel, e cila ka qenë disa vjet me shërbim në Greqi, shkruan:
“...Në këtë kohë më telefonon Taki Miha. Ishte një zgjidhje e tipit “deus ex machina”. Ai ishte një nga ata gazetarë të paktë guximtarë grekë, i cili kishte guxuar që të thoshte një tjetër opinion. Kjo gjë e kishte bërë jetën e tij në Athinë shumë të vështirë. Ai më tregoi se kishte bërë një libër, “Aleanca e pashenjtë, Greqia dhe Serbia në vitet ‘90”. Dhe kishte më shumë se kaq. Ai kishte gjetur se mercenarë grekë kishin marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës… Mercenarët që morën pjesë në vrasjet e Srebrenicës njihet se kush janë, por nuk janë çuar para drejtësisë” (Citohet sipas faqes së internetit “Greqia, kjo bishë e Ballkanit”. Marrë nga “Sarajevo-x.com”. Përgatiti për faqen e internetit Albert Hitoaliaj. 05 prill 2012).
Po si ka mundësi që servilit të sllavogrekve Tedeskini nuk i ka pas bërë përshtypje absolutish fakti që mercenarët rusë, me organizimin e vetë shtetit rus, u radhitën përkrah bandave kriminale të Millosheviçit për masakrimin e popullit shqiptar të Kosovës?! Sigurisht që nuk mund t’i bënte përshtypje, sepse ka ngrënë çorbën serborusogreke, prandaj edhe padronët e tij në Moskë, në Beogradë dhe në Athinë, e detyrojnë të vjellë kohë pas kohe nëpër faqet e internetit.
Faktet dëshmojnë se mercenarët rusë që Kremlini i nisi drejt Serbisë për të kryer krime kundër popullit të pafajshëm kosovar, nuk ishin me dhjetra e me qindra, por ishin me dhjetra mijëra. Dhe regjistrimi i tyre, si mercenarë, bëhej jo nëpër skutat Moskës, por para Ministrisë së Mbrojtjes të Federatës Ruse, ditën për diell.
Ish-ambasadori ynë në Moskë, zoti Shaqir Vukaj, kujton në ditarin e vet:
“…70 mijë rusë regjistrohen si vullnetarë për të shkuar në Serbi dhe për t’u bashkuar me forcat kriminale serbe për të masakruar popullin shqiptar të Kosovës. Madje gjenerali rus Çiçikatov, komandant i qarkut ushtarak të Lindjes së Largët, u prononcua publikisht se është gati të shkojë në Jugosllavi, në krye të një njësie ushtarake vullnetarësh. Dhe këtij gjenerali që komandon grupime të tilla ushtarake, në rajone me sipërfaqe disa herë më të madhe se Ballkani, e të pajisura me të gjitha armët më moderne të kohës së sotme, jo vetëm që nuk i thotë askush asnjë fjalë për deklarata të tilla, por, me sa shihet, edhe nxitet e lavdërohet nga politikanë të lartë të Rusisë” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova (Shënime të një diplomati). Tiranë 2007, f. 310).
***
Para më shumë se një muaji, Tedeskini ka botuar një tjetër material me titull:
“A do te na interesonte neser nji aleance politike apo edhe ushtarake ndershtetnore me Serbinë?” Citohet sipas: “Tribuna Shqiptare”. 20 nëntor 2013).
Për të bindur lëxuesit për domosdoshmërinë e një aleance politikoushtarake të vendit tonë me Serbinë, ai përmend disa aleanca të tilla që kanë pas qenë lidhur në Evropë në kohë të ndryshme. Me këtë rast ai deklaron:
“Nji rast tjeter kemi aleancen e komunistit Stalin me nazistin Hitler ne traktatin e famshem Ribbentrop-Molotov te mos sulmimit dhe te ndarjes ne mes tyne te Polonise, coptim ky qe shkaktoi fillimin e LDB”.
Të hedhësh idenë e lidhjes së një aleance politikoushtarake të Shqipërisë me Serbinë, do të thotë t’i biesh hasha luftës njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës kundër shovinizmit serbomadh, do të thotë të tallesh me gjakun e dëshmorëve dhe me nderin e nëpërkëmbur të motrave dhe të nënave kosovare që kanë pas rënë pre e bandave të tërbuara serbosllave, do të thotë t’i harrosh djegiet dhe shkatërimet kolosale të pasurisë së popullit shqiptar të Kosovës prej ushtrisë dhe prej paramilitarëve serbë, do të thotë të heqësh dorë nga kërkesa legjitime e Kosovës për kompesimimin e gjithë atij dëmi kolosal që i shkaktoi makina ushtarake e Millosheviçit.
Unë e kuptoj zellin prej shërbëtori besnik të Tedeskinit që ai mundohet ta manifestojë me forcë para padronëve të tij të Beogradit. Por nuk e kuptoj mënyrën e qëndrimit të padronëve beogradas ndaj tij, me urdhrin që i kanë dhënë për të hedhur në tregun e mjeteve të informimit masiv idenë e një aleance politikoushtarake mes Shqipërisë dhe Serbisë. Se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kjo ide tingëllon skajshmërisht paradoksale. Padronët beogradas duhet të tregohen pak më të mëshirshëm me shërbëtorin e tyre dhe të mos e shtyjnë të shtrojë një ide të tillë kaq qesharake, saqë të gjorin Tedeskin e katandisin deri në rolin e një dordoleci. Jo për gjë, por për t’ia ruajtur sadopak “cipën” se do t’u duhet për kryerjen e shërbimeve të tjera.
Në idenë “e tij”, Tedeskini bën një paralelizëm me aleancën e quajtur “Pakti i mossulmimit Molotov-Ribentrop”. Edhe në këtë rast, ai zbulon formimin e tij prej njeriu gjysmak. Pakti në fjalë, sa për sy e faqe të botës, vërtet u quajt “Pakti i mossulmimit”, se kështu ai i shërbeu Stalinit si karrem, të cilin Hitleri e hëngri menjëherë: pushtoi tërë Evropën, duke i bërë trupat e veta kashtë e koqe, që nga Skandinavia deri në Afrikën e Veriut. Ai pakt, në të vërtetë, ishte “Pakti i Sulmimit”, sepse Stalini, duke e vënë në gjumë Hitlerin për “sigurimin” e krahëve nga Lindja, ishte duke përgatitur sulmin kundër Gjermanisë, për të vazhduar paskëtaj pushtimin e krejt Evropës, deri në Gjibraltar. Prandaj e ndanë Poloninë në mes, në mënyrë që Bashkimi Sovjetik ta kishte Gjermaninë shtet kufitar. Për këtë flasin faktet.
Në mbledhjen e Byrosë Politike të PKP(b), të mbajtur më 19 gusht 1939, katër ditë para nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribentrop, Stalini pati deklaruar: “Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le t’i hanë kokat njëri-tjetrit dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të shtrihet para këmbëve të tij”.
Viktor Suvorov, ish-oficer i kundërzbulimit ushtarak sovjetik, i instaluar me mantelin e diplomatit sovjetik në Gjenevë në vitet ’70, shkruan:
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941…Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik - E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara” (Viktor Suvorov. “Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskë 1993, f. 333).
Për dijeninë e të painformuarit Tedeskini, Pakti Molotov-Ribentrop kishte për qëllim fshehjen e planeve të Stalinit për të sulmuar Gjermaninë dhe për të pushtuar krejt Evropën. Hitleri, kur e kuptoi se cili paskej qenë karremi i Stalinit, thjesht ia mori iniciativën nga dora, por përfundoi ashtu siç e meritonte.
Prandaj Tedeskini bën mirë të mos shtrojë në internet ide absurde dhe të mos bëjë paralelizma prej karagjozi për punë aleancash politikoushtarake me Serbinë. Edhe me profesionin e vet, si shërbëtor besnik ndaj padronëve grekosllavë, duhet të ketë njëfarë karari dhe jo ta demaskojë veten deri në këtë farë feje.

Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
05 janar 2013







.

2014/01/05

Një libër kritik për krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi

Rajmonda MALEÇKA : -“Letërsia si ‘aksion’ komunikimi”-


(Një libër kritik për krijimtarinë e shkrimtarit Flori Bruqi.)


Flori Bruqi është njëri nga shkrimtarët që ka shkruar njërën nga letërsitë më interesante në Kosovë, veçanërisht në prerjen kohore të viteve 90-të e në vazhdim, me çfarë është bërë prezent një nga zhvillimet më të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por të gjithë Ballkanin. Në problematikën historike, etnologjike, diplomatike e emblemuar nga të gjithë analistët historik dhe ato të kohëve të vona si “nyja gordiane e Ballkanit”, letërsia e Flori Bruqit është interesante dhe e elementuar si letërsi bashkëkohore me të gjithë problematikën e saj qoftë ajo brenda letrare dhe ajo jashtë letrare.





Një korpus romanesh, të cilët në librin kritik që pritet të botohet në Tiranë së shpejti, vlerësohen si detaje të realitetit shqiptar, në kushtet e një klime kolonialiste, hedhin dritë të mjaftueshme në prerjet historike të një populli të sakrifikuar dhe të kryqëzuar për një çështje të hershme dhe hyjnore. Të gjithë konfliktet hyjnore kanë në themelin e vet raportet me lirinë. Flori Bruqi ndihmon në “paradigmën” për ta kuptuar “legjendën e mbijetesës”, gjithashtu dhe atë temën biblike të dhimbjes.


Raportet që letërsitë kanë me popujt dhe tokën në të cilën ato kanë gjetur rrënjët e fjalëve dhe të mendimeve, të kujtesës dhe të nevojës për të ditur se kush është atdheu, liria, njerëzit e lashtë dhe njerëzit e lirisë, kanë prodhuar gjithmonë letërsi që ju kanë rezistuar kohërave. Një letërsi është e mirë, është nënprodukt i një realiteti të madh njerëzorë, kryesisht nga ky raport dhe nga jetëgjatësia që ajo i ka programuar vetes.

Pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në Kosovë, veçmas nga gjysmë e dytë e shekullit që sapo lamë pas, është ndërtuar përmes një raporti ekzistencial i elementuar në subjekte, ngjarje, personazhe dhe struktura të shkëlqyera vertikale dhe horizontale me çfarë krijuesit e Kosovës i kanë bërë shërbimin kulturës shpirtërore dhe asaj të kujtesës kolektive, duke qenë e orientuar shpirtërisht.


Ekzistencializmi është një konsekuencë e njohur për të jetuar, i cili është shfaqur dhe e ka pjesëtuar veten në letërsinë artistike më shumë se sa në shumë fusha të tjera të dijes dhe të filozofisë. Tek shqiptarët ky lloj raporti ka qenë shumë më herët se sa Hajdegeri të shpallte doktrinën e ekzistencializmit. Nëpër prerjet e këtij ekzistencializmi, shkrimtari Flori Bruqi ka arritur t’i “shkulë” kohës shumë personazh të tipizuar mrekullisht, shumë ngjarje me të cilat i bëjnë prezent epokën, protagonizmin historik, të cilat janë elementë të dukshëm të procesit letrarë.


Studimi kritik për krijimtarinë artistike të Flori Bruqit e karakterizon autorin si një krijues unik në kushtet e një letërsie të re dhe specifike, e cila u shkrua në Kosovë në rrethanat e një kompleksi totalitaro-kolonial, e cila ishte e kushtëzuar të ishte me një simbolikë të qëndrueshme, por të realizonte një komunikim real. Në kohët totalitare dhe ato që inspirohen prej tij, apo janë nënprodukt i tij, komunikimi ka një rëndësi të madhe, i cili lidhet me strategjinë e mbijetesës. Kosova, të paktën për një shekull është kushtëzuar për mbijetesën e saj, pasi mbi të njëri nga kundërshtarët e saj të vjetër praktikoi mbi të gjenocidin, etnocidin dhe shfarosjen e zhdukjes në masë.






a. Letërsitë si prerje të kohërave


Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit si shkrimtarë merr në konsideratë romanet e tij të cilët nyjëtojnë kohët më emblematike të Kosovës. Bruqi ka arritur të sjellë personazhe, realitete njerëzore, situata, ambiente dhe klimë shpirtërore autoktone, të cilat bëhen të kapshme nga të gjithë kategoritë e lexuesit. Letërsia ka një qëllim të njohur, ajo synon të realizojë një komunikim sa më të gjerësishëm dhe sa më selektiv. Marrëdhënia që letërsia krijon me lexuesin është më e shtrirë dhe më e gjerësishme se sa njoftimi që përcjellin llojet e tjera të komunikimit, dhe të letërsisë dokumentare apo dhe asaj historike.


Bruqi arrin të krijojë një raport kompleks të të gjithë llojeve të komunikimit me kohën, njerëzit, relacionet e nevojshme të shoqërisë në saj të tipave, karaktereve, ngjarjeve dhe të lëndës letrare, aq më tepër të gjinisë së romanit, duke e shndërruar të në “aksion”. “Aksioni” i komunikimit, kryesisht përmes një letërsie të ngjarjeve të hapura dhe të përjetuara, ka përmbushur njërin nga kushtet më sendërtare të letërsisë artistike, duke qenë njëra nga pasqyra më besnike ku njerëzit kanë parë fytyrën e vet dhe historia ka shtuar faqet e librit të saj të madh të etnisë, kombit dhe të autoktonitetit të tij.


Romanet dhe krijimtaria artistike e Flori Bruqit, sjell prerjet kohore të zhvillimeve të fund-shekullit të kaluar kryesisht, në një realitet të kushtëzuar njerëzore, ku duken hapur marrëdhëniet koloniale të kolonizatorit si sundues i egër dhe i papërmbajtshëm në egërsinë e vet dhe të një realiteti njerëzorë, i cili i referohet thelbit të tij që nga lashtësia deri në ditët tona. Drama dhe personazhet, aksioni i ngjarjeve dhe definicionet psikologjike, të cilët tipizojnë zhvillimet sociale dhe historike të asaj ku merren dhe autori e gjen lëndën letrare, janë si dukuria e formimit të ortekëve që zmadhohet dhe marrin fuqi në rrugëtimin e vet. Bruqi kujdeset t’i ruajë konvencionet e kohës së tij dhe të personazheve të tij.




b. Letërsitë si vazhdimësi historike


Çështjet kombëtare kanë rrënjë të thella në problematikën e tyre për t’u bërë letërsi për arsyen e njohur të tyre. Letërsia artistike i ruan ngjarjet historike ndryshe arkivave, ndryshe dokumenteve historike, ndryshe historisë, ndryshe kronikave dhe ndryshe gjithë llojeve të tjera të kujtesës. Letërsia artistike i mbush me gjak dhe shpirt ngjarjet historike, i mban ashtu dhe i ruan po ashtu. Letërsia artistike i ka kodet komunikatave më të gjerësishme dhe më shpirtërore se sa të gjithë zejet e tjera të kujtesës dhe të revokimit njerëzor. Letërsia artistike nuk i konservon as ngjarjet historike, as ato njerëzore, as dhe personazhet e tyre, përkundrazi ajo arrin t’i bëjë pjesë të konvergjencave të zhvillimeve.


Personazhet e njohur dhe real të Shekspirit të madh, historia i ka fosilizuar, i ka konservuar deri në gjendje bazike, ndërsa shkrimtari i madh përmes letërsisë i ka sjellë ato në marrëdhënie me të gjithë kohët, pavarësisht sa të zhvilluara dhe të avancuara ata kanë qenë krahasimisht me kohën e personazheve real, prej të cilëve Shekspiri e mori “tharmin” e tyre.


Thuajse 10 romanet e Flori Bruqit dhe libri më i mirë i tij, “Guxim shqiptar”, i cili është ndërtuar si një organizëm unik, me marrëdhënie dhe kumte vertikale, horizontale dhe diagonale, dhe që është një libër për të gjithë, përbëjnë një realitet të veçantë letrarë, qoftë për tematikën po ashtu dhe për profilin letrarë që autori ka paraqitur. Dhe kjo është kaq e vërtetë, sa të zë shumë pak kohë fizike ta absorbosh në leximin e parë këtë lloj krijimtarie, por është ndryshe kur atë kërkon ta zotërosh.

Shkrimtari Flori Bruqi përmbush parimin themelorë të letërsisë si krijim, pasi ajo (letërsia artistike) nuk e përkufizon kohën që zë brenda vetes, por e pasqyron atë përmes zgjedhjes dhe seleksionimit të ngjarjeve, personazheve tipik dhe e bën të komunikueshme me të gjithë kohët. Kjo sjellje elitare dhe e zgjedhur i bashkëngjitet dhe përvetësohet




c. Metafora ekzistenciale e jetës


Duket se Flori Bruqi është një shkrimtar, i cili arrin ta gjejë letërsinë dhe gjendjen e tij krijuese, qoftë në një realitet në të cilin flitet për vdekjen, pritet vdekja, dhe, ku të gjithë lajmet që shkojnë e vijnë kanë të bëjnë po me vdekjen. Baladat e vjetra dhe ato të reja qoftë dhe për ta mundur vdekjen, kanë qenë dhe do të jenë më tragjiket në historinë e njerëzimin. Epi i Gilgameshit duket se i ka thënë të gjitha që nga koha kur ai u krijua dhe deri sot.


Ka kërkuar dhe ka gjetur personazhe, të cilët kanë plotësuar kapacitetin real dhe atë përtej vetës, që shkrimtari i ka bërë pjesë të një pune, frytet e të cilës jetojnë gjatë. Jetojnë më shumë se një shtëpi, më shumë se një mundim, më shumë se të gjithë gjërat e tjera më të sofistikuara, që njerëzimi është përpjekur dhe ka luftuar ta “mbajë” kohën, ta sundojë atë.

Koha nuk mund të sundohet kurrë, ajo zotërohet dhe të gjithë këtë e kanë bërë shkrimtari me letërsinë, që nga kohët antike deri sot. Letërsia e mirë e “mban” kohën, ajo e merr atë mbi shpinë, siç mund të marrësh mbi shpinën e devesë dhe një shtëpi, e përcjell nga koha në kohë. Asnjë teknologji tjetër sado e sofistikuar të ketë qenë ajo nuk ka arritur ta bëjë këtë, përveçse letërsia dhe shkrimtari.


Shkrimtari Flori Bruqi ka kërkuar ngjarje dhe ato i ka gjetur në jetën e njerëzve të tij, në jetën e armiqve të historisë dhe të popullit të tij. Ka qenë një ngjarje që ka shëtitur nëpër të gjithë rrugët e vendit të tij, nëpër rrugët e fisit të tij, prag më prag shtëpie. Ai, shkrimtari është nxënë me atë ngjarje, është rritur dhe pjekur me të. Një pjesë të saj e ka marrë në shpinë si ajo deveja nëpër shkretëtirë, një pjesë tjetër e ka “bërë” burrëri për ta përballuar jetën.


E gjithë krijimtaria e Flori Bruqit është një mega-metaforë e ndërtuar “metonimikisht” në raportet e njeriut me njerëzit dhe e qëndresës me ekzistencën. Studimi kritik mbi krijimtarinë e Flori Bruqit arrin ta elementojë të gjithë strukturën artistike të cilës i “perimetrohet” dukshëm ç’e ka motivuar atë dhe pse ka qenë e tillë. Krijimtaritë universale vijnë përmes thjeshtësisë së vet, por e mbajnë të tillë temat universale, për të cilat njerëzimi ka pasur, ka dhe sot do të ketë përjetësisht nevojë. Studimi kritik për krijimtarinë e Flori Bruqit prek dhe çështjet e tjera të letërsisë që është shkruar dhe po shkruhet në Kosovë.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...