Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/10/17

HOTELET E TITOS. Kryevepra te arkitektures, apo “monstra betoni”

Hotelet e mëdhenj që ndërtoi Tito për të demonstruar suksesin e modelit jugosllav, janë shembuj unikë arkitekture moderniste
Jerko Bakotin
hotel
Hotelet e mëdhenj jugosllavë në brigjet e Adriatikut janë “monstra betoni” ose kryevepra të arkitekturës moderniste të viteve gjashtëdhjetë? Të menduar për të thithur turistët perëndimorë dhe për të shërbyer si vitrinë ndërkombëtare për socializmin e Titos, këto ndërtesa të mëdha që të sjellin ndërmend piramidat apo tempujt e inkasve, janë shpesh herë të braktisur apo të përcmuar prej banorëve. “Ejani e shihni të vërtetën”. Me këtë slogan, në vitet pesëdhjetë Jugosllavia ftonte turistët europianë dhe amerikanë që të shihnin me sytë e tyre suksesin e socializmit të Titos, e si pasojë, të përgënjeshtronin gënjeshtrat e stalinizmit. Turistët po vërshonin, kështu që nevojiteshin vende ku të akomodoheshin. Kështu, bregu i Adriatikut u shndërrua në një kantier gjigand. Qindra hotele u ngritën përgjatë bregdetit. Përvec promovimit të socializmit, turizmi ishte një instrument i domosdoshëm për forcimin e vetëdijes kombëtare, për ndërtimin e “njeriut të ri socialist” dhe modernizimin e shoqërisë.
Monstrat e Adriatikut
Sot në Kroaci, trashëgimia e socializmit është sprapsur në bllok. Hotelet e ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë përgjatë bregdetit adriatik janë quajtur monstra betoni. Austriaku Mihael Zinganel, teoricien i arkitekturës, ka krejt tjetër mendim: sipas mendimit të tij, këta komplekse kanë një rëndësi shumë të madhe për historinë ndërkombëtare të arkitekturës. Zinganel ishte kuratori i ekspozitës “Pushimet pas rënies: transformimet e arkitekturës socialiste përgjatë bregdetit kroat”, që u zhvillua në galerinë berlineze Neue Gesellschaft fuer bildente Kunst.
“Ndoshta këta hitele nuk janë interesantë për sytë e banorëve. Por ne na pëlqejnë që cke me të. Disa prej tyre janë monumente të vërtetë arkitektonikë të nivelit ndërkombëtar, sidomos nëse merr parasysh kushtet në të cilët janë ndërtuar”, thotë. Për shembull Hotel Maestral i Brelës, projektuar nga Ante Rozic, Matia Salaj dhe Bernardo Bernardini, që sipas Zinganel është një kryevepër e modernizmit. Por edhe Kroacija dhe Cavtat, të Slobodan Milicevic është “tmerrësisht shumë origjinal”. Apo kompleksi i Krvavicas, që dikur mblidhte bijtë e ushtarakëve. I projektuar nga Rikardo Marasovic, sipas Zinganelit ai është “sensacional”. Lista mund të vazhdojë.
Arkitektura moderniste ka zënë vend shumë kohë më parë në Kroaci. Tradita buron që nga vitet tridhjetë. Merita është e arkitektit Ernest Veissman që ka projektuar një numër të madh ndërtesash në gjithë Jugosllavinë. Në bregdet, hotelet janë ndërtuar në tre faza. E para, në vitet pesëdhjetë, kish prodhuar struktura modeste, me dhoma që kishin komfort minimal – një politikë arkitektonike në linjë me konceptin fordist të “kohës së lirë”, që nënkuptonte pushime të paguara për klasën punëtore. Nga fundi i viteve pesëdhjetë nisi ndërtimi i ndërtesave të mëdha, të llojit Hilton, si Marjan i Splitit apo Ambasador i Opatijas. Për Zinganelin, kjo arkitekturë përfaqëson një refleks të rendjes drejt “botës së lirë” dhe këto ndërtesa janë “instrumenta kulturorë të opozicionit ndaj komunizmit”.
Hiltonët jugosllavë ngriheshin sipas modelit amerikan: në sallat e tyre të mëdha mund të admiroheshin vepra të artistëve të famshëm si Edo Murtic apo Dushan Dzhamonja. Por ishin të papërballueshëm për një turist rastësor apo një të huaj të klasës së mesme. Në fund, nga vitet gjashtëdhjetë, nisën të ngrihen hotelet më interesantë.
“Shfaqin tipare të strukturalizmit dhe të brutalizmit, dhe një përdorim të tepruar të betonit. Hidhuni një sy piramidave kroate dhe tarracave të tyre: po të gjykosh nga eksperimentimet me hapësirën dhe futjen në shkëmbinjtë dalmatë, pothuajse mund të mendosh që arkitektët kanë bërë kërkime në tempujt e inkasve në Peru”.
Modernizmi jugosllav është edhe më mbresëlënës nëse krahasohet me stilin e përdorur në vendet e realizmit socialist, si Bullgaria. Ndryshe nga Jugosllavia, ku projektet miratoheshin prej instituteve të pavarur, në Bullgari të gjithë miratimet bëheshin nga një zyrë e vetme. “Pas luftës, neoklasicizmi stalinist dominon dhe bllokon evolucionin e modernizmit. Ngrihen ndërtesa të mëdha, qytete të tërë. Në të kundërt, Jugosllavia kërkonte shkëputjen nga Moska. Turizmi ka luajtur një rol kyc në konceptimin e politikës së Titos”, shpjegon Zinganeli.
Parabolë në rënie
Për t’u imponuar në mënyrë automatike në skenën ndërkombëtare, Jugosllavia e marshallit Tito kish nevojë për shprehje mahnitëse në planin artistik. Tito ishte i vendosur të demonstronte suksesin e politikës së tij të mos reshtimit, dhe hotelet ishin njëkohësisht vitrinë e muzeve të artit bashkëkohor. I vënë përballë, kapitalizmi kroat ka qenë një ndërtues modest.
Që nga 1991, sipas Zinganelit, janë ndërtuar 12 hotele të rinj, të cilëve u shtohen të gjithë ata që sot rrezikojnë të shndërrohen në rrënoja. Shumë prej këtyre hoteleve janë restauruar keq. Karakteristikat socialiste janë fshehur keq duke ndjekur shijen e re për madhështinë, dhe në disa raste rezultati është një provë e dështimit të privatizimeve.
Në kohën e socializmit jugosllav, shton Mihael Zinganel, hotelet nuk konceptoheshin si kopshte të Edenit të izoluar e të mbyllur, në përdorim ekskluzivisht të turistëve. Fusha sportive, diskoteka, pishina, salla konferencash, salla vallëzimi ishin të hapura për të gjithë, për turistët e huaj ashtu sikurse për banorët vendas. Mendoheshin si të mira publike, hapësira ku organizoheshin manifestime lokalë.
“Natyrisht futja në plazhe nuk ishte e ndaluar. Sot dominon modeli elitist, që nuk i kthen asgjë komunitetit”, thotë Zinganeli. “Di që Hypo Bank ka investuar në këta lloje kompleksesh si në Kroaci, ashtu edhe në Bullgari. Hyrja në BE do ta bëjë të vështirë rezistencën ndaj kësaj tendence. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ndërhyri personalisht në projektin e Parkut të Golfit të Dubrovnikut dhe mund të pritet realizimi i shumë projekteve të tjerë të këtij lloji. BE e konsideron Kroacinë vetëm një zonë periferike ku banorët e saj mund të kalojnë kohën e lirë duke iu kushtuar argëtimit. Në të njëjtën kohë, kërkohet të anulohet tradita turistike e klasave më pak të pasura, që është rruga ideale për të krijuar një lloj segregacioni në brendësi të shoqërisë”.
Duke filluar që nga viti 1991, hoteleve të mëdhenj kroatë u takoi i njëjti fat që patën të gjithë sektorët e tjerë: u morën dhe menaxhuan nga Fondi kroat për privatizimet. Gjatë luftës, pjesa më e madhe e këtyre komplekseve u përdor për të pritur refugjatët dhe shumë prej tyre u shkatërruan, sidomos ata në pronësi të sipërmarrjeve nga republikat e tjera apo të forcave të armatosura jugosllave. Pas fundit të operacioneve ushtarakë, u nis shitja e këtyre hoteleve tek investitorë dhe sipërmarrës nga diaspora, figura shpesh herë të diskutueshme në planin ligjor dhe moral.

Fundi i shtetit-komb


Kryebashkiakët, dhe jo presidentët apo mbretërit, do të jenë udhëheqësit e rinj globalëglobalization
Parag Khanna
Cdo pesë vite, Këshilli i Shërbimeve të Fshehtë i SHBA, që këshillon drejtorin e CIA-s, boton një raport në të cilin parashikon pasojat afatgjata të tendencave globale. Në fillim të këtij viti, Këshilli botoi raportin më të fundit, “Botë Alternative”, i cili përfshin skenarë se si do të jetë bota pas një breznie.
Njëri skenar, i quajtur “Botë pa shtete”, imagjinonte një planet në të cilin urbanizimi, teknologjia dhe akumulimi i kapitalit sjellin një panoramë ku qeveritë heqin dorë prej reformave reale dhe shumë prej përgjegjësive të tyre ua nënkontraktojnë palëve të huaja, të cilat më pas krijojnë enklava që veprojnë më vete.
Periudha e imagjinuar për këtë skenar është viti 2030, por të paktën për “Botën pa shtete”, fare mirë mund të jetë edhe viti 2010: ndonëse shumica prej nesh mund të mos e kuptojnë, “bota pa shtete” përshkruan shumë mirë se si operon tashmë shoqëria globale. Kjo nuk do të thotë që shtetet janë zhdukur, apo do të zhduken. Por ata po kthehen në thjeshtë një formë qeverisjeje, mes shumë të tjerave.
Një skanim i shpejtë përreth botës zbulon se atje ku rritja ekonomike dhe inovacioni kanë qenë më të suksesshëm, në themel të mrekullisë qëndron një model hibrid publik-privat, i brendshëm-i jashtëm. Këta nuk janë shtete. Ata janë “para-shtete”, ose sic thuhet në gjuhën e përditshme, “zona të vecanta ekonomike”.
Nëpër Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, me qindra zona të tilla janë ngritur gjatë dekadave të fundit. Në vitin 1980, Shenzhen u bë e para në Kinë; sot i gjen kudo nëpër Kinë, një shtet që është shndërruar në ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Bota arabe ka më shumë se 300 të tilla, ndonëse më shumë se gjysma janë të përqëndruara në vetëm një qytet: Dubai. Duke filluar me Zonën e Lirë “Jebel Ali”, që është sot një prej porteve më të mëdhenj dhe eficientë të botës, e që tani përfshin edhe financën, mediat, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe logjistikën, Dubai është njëkohësisht, edhe një bashkësi e ngjeshur nyjash ndërkombëtare tregtare, por edhe emirati me popullsi më të dendur i një federate arabe sovrane.
Ky shtresëzim kompleks i autoriteteve territorial, ligjor dhe tregtar shkon paralel me tendencën e dytë të madhe politike të kohës që jetojmë: Transferimi i kompetencave.
Në dritën e këtij urbanizimi të shpejtë, cdo qytet, shtet apo provincë dëshiron që të marrë vetë vendimet. Dhe munden, pasi kombet varen më shumë prej qyteteve të tyre të mëdhenj, se sa e anasjellta. Kryetarit të bashkisë së Nju JOrkut, Majkëll Blumberg, i pëlqen të thotë: “Unë nuk e dëgjoj shumë Uashingtonin”. POr është e qartë që Uashingtoni e dëgjon atë. E njëjta gjë është e vërtetë për kryebashkiakë të tjerë nëpër botë. Kjo është edhe arsyeja përse të paktën tetë ish kryebashkiakë, janë sot kryetarë shtetesh.
Skocia dhe Uellsi në Mbretërinë e Bashkuar, Rajoni Bask dhe Katalonja në Spanjë, Kolumbia Britanike në Kanada, Australia Perëndimore dhe pothuajse cdo shtet indian – të gjithë janë vende që kërkojnë autonomi maksimale fiskale dhe politikëbërjeje nga kryeqytetet e shteteve të tyre. Transferimi i kompetencave po ndodh edhe në Kinë madje. Qyteteve u është dhënë shumë liri për të zhvilluar modele ekonomikë të rinj, dhe Pekini është i varur nga rritja ekonomike e tyre. Një prej shprehjeve më të përdorura nga vëzhguesit e Kinës sot është: “Kodrat janë të larta dhe Perandori është shumë larg”. Hartat tona na tregojnë një botë me afro 200 shtete, por numri i autoriteteve efektivë është disa qindra më shumë.
Pasoja më e gjerë e këtij fenomeni është se ne duhet të mendojmë përtej shteteve të përcaktuar qartë me kufij si edhe “shtetndërtimit”, e të kalojmë tek integrimi i drejtpërdrejtë në tregjet rajonalë dhe ndërkombëtarë të një bote në urbanizim të shpejtë. Eshtë rruga më e sigurtë për të siguruar aksesin në mallrat dhe shërbimet bazë, për reduktimin e varfërisë, stimulimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e cilësisë së jetës në përgjithësi.
Shoqëritë e lidhura mes tyre kanë më shumë avantazhe se sa ato të izoluara. Teksa bie numri i konflikteve ndërkombëtarë, gjithnjë e më shumë shtete po ndërtojnë rrugë, hekurudha, naftësjellës dhe gazsjellës, ura dhe kabllo interneti ndërmjet kufijve, duke krijuar kështu rrjete qendrash urbane që varen nga njëra tjetra për tregtinë, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.
Burundi, Kenia, Ruanda, Tanzania dhe Uganda kanë krijuar Komunitetin Afrikano Lindor për të bashkërenduar gjithcka, që nga doganat, tek nxitja e investimeve dhe paqebërja. Nëse do të arrijnë të shfrytëzojnë infrastrukturën e financuar nga kinezët për të kapërcyer kufijtë arbitrarë politikë (vijat e drejta, të kudogjendura e të dyshimta në hartë), atëherë mund të shndërrohen në një Bashkim Europian për Afrikën.
Një “rishikim” i shtetit nuk është askund më i nevojshëm se sa në Lindjen e Mesme. Ka një kotësi të analizave të ditës mbi Sirinë dhe Irakun, që nuk arrijnë të rrokin idenë që asnjë shtet nuk ka të drejtën hyjnore të ekzistojë. Një shekull pasi diplomatët francezë dhe anglezë ndanë territoret lindorë të Perandorisë Osmane në mandate të pafuqishëm (dhe jetëshkurtër), shtetet që rezultuan prej asaj ndarjeje po shemben, pa asnjë shans për t’u ringritur.
Bota arabe nuk do të ringjallet në lavdinë e dikurshme deri kur harta të ribëhet, për t’i ngjarë më shumë një koleksioni oazesh autonomë që lidhen mes tyre prej Rrugëve të Mëndafshta të tregtisë. Komunitetet etnikë, gjuhësorë dhe sektarë mund të vazhdojnë të shtyjnë për pavarësi, dhe nuk ka dyshim që palestinezët dhe kurdët e meritojnë. E megjithatë, fragmentimi dhe ndarja e mëtejshme, madje edhe shtetet e rinj sovranë, janë një hap shumë i rëndësishëm në një proces më të gjatë drejt ndërtimit të stabilitetit transnacional mes fqinjëve.
Edhe pse ka një numër në rritje mikro-shtetesh dhe para-shtetesh, një formë e lashtë shteti ka mbetur më e palëkundur se asnjëherë: perandoria. Njëzetë vjet më parë, politologu Samuel Hantington botoi esenë e famshme “Përplasja e Qytetërimeve”. Fjala “perandori” shfaqej vetëm dy herë. Megjithatë, perandori thellësisht të shumëllojshme, dhe jo qytetërime të qartë kulturalisht, kanë qenë gjithmonë forca shtytëse e gjeopolitikës.
Sot, perandori me përmasa kontinentale si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Brazili kombinojnë popullsi të mëdha me burimet financiarë si dhe ambicien për të ndryshuar strukturat e huaja, me qëllim që t’u shkojnë për shtat objektivave të tyre ekonomike dhe strategjike. Ato janë në vetvete para-shtete publik-privat, strategjitë e mëdha të të cilëve kanë të bëjnë më shumë me kontrollin e zinxhirëve të furnizimit me energji dhe në teknologji, se sa pushtimin e territoreve të rinj. Ata mendojnë në terma të prurjes, fërkimit dhe aftësisë manovruese. Prandaj shtete më të dobët duhet të bashkohen në grupime rajonalë, ose do të rrezikojnë të fundosen prej parimit po kaq të lashtë të “përca-dhe-sundo”. Hegeli pohonte dy shekuj më parë se shteti ishte një vepër arti; nuk kishte dy të ngjashëm. Vëzhgimi i tij është sot më i vërtetë se asnjëherë. Megjithatë, pavarësisht formës së tyre, gjeografisë apo regjimit, shtetet janë gjithashtu më të ndërlidhur se kurrë – dhe me shumë gjasa, të tillë do të mbeten.
PARAG KHANNA është autor i ‘‘The Second World: How Emerging Powers Are Redefining Global Competition in the 21st Century’’

Shqipëria, duaje ose lëre!

Nga Gideon Levy
Tiranë, Shqipëri
gideonNjë kopshtar krasit gëmushat dekoruese në oborrin e madh të një ndërtese në rrugën Ismail Qemali. Shtëpia me hapësira të bollshme të kujton vilat në Tel Avivin e viteve 1960, me grila të drunjta,  ballkone të gjera, tri-katëshe, pothuajse e stilit Bauhaus.
Shqipëria nuk di ç’të bëjë me këtë ndërtesë. Shumicën e vitit është e mbyllur për publikun dhe muret kanë zënë myk, por kopshtari vazhdon të punoj, ne oborrin e lënë pas dore.
Kjo ka qenë shtëpia e Enver Hoxhës, i cili udhëhoqi me dorë të hekurt për 40 vjet me rradhë. Kryeministri i sotëm, Edi Rama, thotë që do të donte ta kthente këtë ndërtesë,  në qendër arti, gjë që Hoxha e urrente më shumë se gjithçka. Kjo do të ishte një hakmarrje  e ëmbël për Ramën, një artist që u detyrua të largohet nga vendi i tij, për t’u kthyer si Ministër Kulture, mandej kryetar bashkie i Tiranës, dhe nga  Shtatori i vitit 2013, kryeministri karizmatik e premtues i vendit.
Zyra e Ramës mund të ketë më shumë larmi ngjyrash se çdo zyrë kryeministri në botë. Muret janë zbukuruar me afresket e tij të veçanta. Nuk ndalon kurrë së vizatuari skica, edhe gjatë takimeve  të punës. Skrivania  e tij është e mbushur me lapsa shumëngjyrësh.
Këtë pasdite, ky burrë mbreslënës – mbresëlënës edhe fizikisht, pasi është i gjatë dhe ka luajtur basketboll në rini – duket i rraskapitur. Mbase nuk ka shumë kryeministra që perballen me sfida kaq të ndërlikuara, e njëkohësisht me aq pak mundësi zgjidhjeje.
Rama udhëheq qeverinë socialiste të një prej vendeve më të varfra (Shqipëria zë vendin e 121-të në botë) dhe me më shumë korrupsion (zë vendin e 116-të në botë për vitin 2013, sipas  Transparency International). Shqipëria, e cila ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Roma, vuan një imazh,  qe ndoshta nuk e meriton.  Përmendet vetëm për trafiqe, prostitucion, mafie dhe varferi. Rama e di mirë këtë.
Në hyrjen e banesës së dikurshme të Enver Hoxhës, një shitës ambulant ofron misër të pjekur për pak qindarka. Përballë vilës ndodhet “Kazino Imperial”. Dikur, kjo lagje e quajtur “Blloku”, ishte zonë e ndaluar për publikun e zakonshëm, për dhjetëvjeçarë të tërë tiranie dhe izolimi të pashoq.
Tani, si për të sfiduar ish-udhëheqësin e vdekur, Blloku është kthyer në qendër të zhurmshme argëtimi me dhjetëra bare, restorante e kafene. Por varfëria dhe dëshpërimi vazhdojnë të ndihen pezull në ajër. Ky vend i varfër ka ende shumë për të bërë që t’i shërojë plagët e të shkuarës. Vendi i quajtur dikur “Koreja e Veriut në Europë” ende s’e ka marrë veten nga trauma. Nderkohë vejusha e moshuar e Hoxhës jeton në varfëri, në një ish-pulari.
Vendi që udhëhiqej nga një njeri që ndërtoi 700.000 bunkerë kundër armiqve imagjinarë, ende sot jeton ne perpjekje për të dalë nga  bunkeri mendor. Rama thotë se pengesa kryesore që has vendi është pabarazia midis arsimit dhe arsimimit, dhe mosbesimi që kanë njerëzit ndaj shtetit.  “Edhe një gjerman që në vendin e tij do ta vinte gjithnjë rripin e sigurimit për të ngarë makinën, në Shqipëri do të udhetonte  pa të”, shpjegon Rama
Si kryetar bashkie i Tiranës, Rama ra në sy për shkatërrimin e qindra ndërtesave të paligjshme dhe për lyerjen e pallateve kryesore të qytetit me “ngjyrat e Ramës”, duke i nxjerre nga  shëmtia arkitekturore komuniste. Por Tirana vazhdon sërish të jetë nje qytet i ngathët dhe pa shkëlqim.  Ndryshe nga vende të tjera në Shqipëri,  zonat malore dhe ato bregdetare ofrojnë bukuri spektakolare, ende të pazbuluar nga turizmi botëror. Ndërsa globalizimi e ka anashkaluar Shqipërinë: këtu nuk ka McDonalds, Ikea apo Starbucks.
Shqipëria është një vend me fe të ndryshme e me shumicë myslimane, por në thelb është laik.Feja nuk shënohet në dokumentet e identifikimit, dhe për shumicën e njerëzve nuk përbën asnjë problem nëse fëmijët e tyre martohen me dikë të fesë tjetër. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria mund të shërbejë si shembull.
Në fakt, heroi kombëtar i Shqipërisë, një figurë e shekullit të 15-të, i ka ndërruar fetë katër herë gjate  gjithë jetës së tij. Poema e parë që mësohet në shkollat e vendit është shkruar nga një poet i shekullit të 19-të, Pashko Vasa, e thotë: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit eshte shqiptaria”. Varrezat janë laike në përbërje, dhe të njëjtat lule plastike zbukurojnë varret e të gjitha feve.
Shumica e shqiptarëve e përshkruajnë veten si te mos i përkasin asnjë feje, edhe pse shumica janë myslimanë Suni ose Bektashinj. Të krishterët janë katolikë ose ortodoksë, me pak protestantë. Vetë kryeministri është pagëzuar si katolik, por e quan veten si njeri që nuk i përket asnjë feje.
Çështjet e Lindjes së Mesme ngjallin pak interes këtu, dhe qëndrimi ndaj Izraelit nis që nga më miqësori e deri tek moskokëçarësi. Një kërkues i ri që punonte për një program televiziv më pyeti nëse palestinezët janë hebrenj. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof.Tonin Gjuraj, tha që e vinte në dyshim faktin që Bregu Perëndimor ishte “territor i pushtuar”.  Ai ka qene ambasador në Izrael.
Disa njerëz gjejn ngjashmëri midis dy vendeve tona;  të dy jemi kombe të vogla e të rrethuara nga armiq – në rastin e tyre, siç mendojn shumë shqiptarë, janë Serbia dhe Greqia. Asnjë hebre nuk u vra gjatë holokaustit në këtë vend, një fakt për të cilin shqiptarët ndihen krenarë edhe sot. Marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shqipërisë janë të mira, edhe pse Izraeli s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, për zhgënjimin e madh të Tiranës.
Industria ushtarake izraelite nuk ka ndonjë treg këtu. Shqipëria e ka shpërbërë një pjesë të mirë te ushtrisë me kërkesë të NATO-s, në të cilën janë bërë pjesë. Vitin që vjen, Shqipëria do të ketë  8500 ushtarë gjithsej, ndërkohë që në pikun e saj ka pasur 80.000. Forcat ajrore janë shpërbërë pothuajse plotësisht, dhe mbrojtjen ajrore të Shqipërisë e kanë në dorë vendet fqinje.
Baza e madhe detare në Pashaliman, në brigjet jugore të Adriatikut, është pothuajse e braktisur. Mbetjet e nëndetëses 105  jane si monument i së shkuares. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shqipëria ishte dalja e vetme e Bashkimit Sovjetik në Mesdhe.  Shqipëria u tërhoq nga Pakti i Varshavës në fund të viteve 1960, duke u shndërruar në vendin më të izoluar në botë.
Në këtë bazë hymë falë Dritan Hilës, Zëvendës Ministër i mbrojtjes. Hila na tregon me entuziazëm, vendin e tij, bashkë me të shoqen, Rudina Xhunga, e cila drejton një program televiziv prestigjioz në Top Channel ( ku dhashe intervistën që ishte edhe  shkaku i kësaj vizite).
Xhunga e ka vizituar dy herë Izraelin, për të intervistuar shkrimtarët e njohur Amos Oz dhe David Grossman; burri i saj është një mbështetës i hapur i Izraelit dhe i mirëinformuar  për ngjarjet më të fundit atje.
Në fakt, çifti ka të gjithë veprën e  Ozit në apartamentin e tyre të bukur në katin e epërm të një ndërtese në zemer të Tiranës, ku nuk mungojn edhe dy shandanë hebrenj “Hanuka menora”. Ozi duket se eshte  autor mjaft i pelqyer ne Shqiperi.
Në kohën e lirë, zëvendës Ministri i Mbrojtjes bën raki e verë të shkëlqyer që ua dhuron miqve. Të dyjave u ka vënë emrin e vajzës së vogël të çiftit, Alanës.
Rroga e Hilës është rreth 800 euro në muaj. Monedha vendase quhet “Lek” dhe çmimet në rruge janë shumë të lira për një të huaj. Gatimet e detit dhe mishi i pjekur i qengjit janë të shkëlqyera.
Tregu i zi vazhdon të zërë gjysmën e veprimtarisë ekonomike të Shqipërisë, sipas studimeve. Reputacioni i keq ka bërë që të mos ketë shumë investime të huaja, të cilat Shqipëria i kërkon me dëshpërim, edhe pse ofron krah të lirë pune, vetëm një orë fluturimi larg Romës.
Tirana sikur zbehet me rënien e muzgut. Fshatrat në rrethinat e saj zhyten në errësirë të plotë. “Mont Blanc”, një ëmbëlsirë që shërbehet në tarracën e një hoteli në qytetin e Beratit, është tmerrësisht  e ëmbël dhe kushton vetëm një euro.
Shumica e banorëve zgjedhin si formë argëtimi të shëtisin lart e poshtë nëper rrugën kryesore  të këtij qyteti gjithë dritë dhe dritare. Duke udhëtuar sërish për Tiranë,  zëri i këngëtarit izraelit “Asaf Avidan” dëgjohet nga radioja e makinës së zëvendës ministrit, teksa këndon “Love it or leave it”
Regjimi komunist ishte vërtet mizor dhe e shkatërroi shoqërinë shqiptare. Kryeministri Rama thotë: “Për të bërë një revolucion duhen disa orë, por që ta ndryshosh shoqërinë do të duhen dhjetëvjeçarë. Regjimi i mëparshëm premtonte parajsën, por solli ferrin”.
Vete Rama e beson parajsën qe premton. Nuk di sa gjasa ka, ky udhëheqës jo i zakonshëm, ta mbajë fjalen qe i ka dhene kësaj toke të lënduar nga 500 vjet pushtim otoman e 5 dhjetëvjeçarë regjimi komunist.
Për momentin, ai po me shkruan nje dedikim interesant, për albumin e madh të pikturave, titulluar thjesht,  “Edi Rama”.

Fundi plot mistere i njerëzve të mëdhenj

Janë të shumtë në histori personazhet që kanë gjetur vdekjen në rrethana jo të qarta. Gjashtë rastet më të famshëm dhe mospërputhjet e versioneve zyrtarë
Alexander
Frank McLynn
Zakonisht historianët nuk e mbështesin shumë idenë për të investiguar rrethanat misterioze që kanë të bëjnë me fundin e shumë personazheve të famshëm, nga frika se mos largohet vëmendja prej aspekteve më thelbësorë social-ekonomikë të kërkimeve të tyre prej fakteve më pak të rëndësishëm që lidhen me jetën private të të mëdhenjve të historisë. Përkundrazi, kush shkruan është absolutisht i bindur në detyrën që ka për të investiguar çdo aspekt, edhe atë më personalin, sidomos nëse rrethanat e vdekjes nuk janë të qarta dhe të dokumentuara. Pra, duhet të sillemi sikur të ishim Sherlock Holmes të historisë. Në këtë artikull do të ekzaminohen disa vdekje të njerëzve të famshëm, të lashtë dhe modernë, që lënë edhe sot e kësaj dite shumë pikëpyetje të hapura. Këtyre rasteve mund t’u shtohen shumë të tjerë – si për shembull vdekja e Hunit Atila apo ajo e mbretit John i Anglisë – por problemi është gjithmonë i njëjti: prapa vdekjes së njerëzve më të pasur dhe të pushtetshëm ka shpesh fakte dhe rrethana më të diskutueshme nga sa mund të imagjinohet.
Aleksandri i Madh
Malarje apo helmim?
Data e vdekjes: 13 qershor 323 para Krishtit
Mosha: 32 vjeç (vdiq pak ditë para ditëlindjes)
Vendi i vdekjes: Babilonia, Mesopotami
Në Babiloni, në vitin 323 para Krishtit, pasi mori pjesë në një festë të madhe, Aleksandri i Madh u ndie keq. Sapo ishte kthyer nga fushata triumfuese në zonën e Pakistanit të sotëm (ku megjithatë trupat e tij kishin refuzuar të shkonin më tutje në lindje). Në atë moment Aleksandri udhëhiqte një perandori shumë të madhe, që përfshinte Greqinë, Maqedoninë, Turqinë, Iranian dhe të gjithë Lindjen e Mesme.
Simptomat e para që u shfaqën ishin një gjendje konfuzioni të madh, të dridhura, ngurtësim i fytyrës dhe dhimbje shumë të mëdha në stomak. Pak më pas u shfaqën një etje e madhe, të ethe, delir, dhe gjatë natës konvulsione dhe haluçinacione që ndërpriteshin prej momenteve shumë të shkurtër të qetësisë. Në fund nuk arriti më të marrë frymë dhe hyri në gjendje kome, për të gjetur vdekjen pas dhjetë ditë vuajtjesh. Malaria, tifo, një lloj virusi i Nilit perëndimor ishin disa prej hipotezave që u hodhën për shkaqet e mundshme të vdekjes. Megjithatë, problemi është që asnjëra prej këtyre sëmundjeve nuk lidhet me simptomat që shfaqi sovrani. Mushkonja që shkakton malarien nuk jeton në zonat qendrore të Irakut e megjithatë inkubacioni do të kish qenë shumë i gjatë. Tifoja do të kishte shkaktuar një epidemi dhe nuk do të kish prekur një person të vetëm, ndërkohë që sëmundja nuk paraqiste simptomat tipike të komës etilike. Virusi i Nilit duket se as nuk ekzistonte 2000 vjet më parë. Trupi i Aleksandrit, edhe pas gjashtë ditësh nga vdekja nuk paraqiste shenja dekompozimi. Kjo gjë mund të sugjerojë praninë e substancave toksike në organizmin e tij, gjë që nxjerr në sipërfaqe tezën e helmimit. Por kush kishte motivin, aftësinë dhe rastin për të kryer vrasje?
Fatkeqësisht, fajtorët e mundshëm ishin një dyzinë, shumë prej të cilëve u bënë më vonë pasardhës të mbretit në qeverisjen e perandorisë. Antipatri, mëkëmbës i Aleksandrit në Maqedoni duket se është i dyshuari numër një, dhe që në lashtësi dyshohej se mund të kishte qenë Iolla, biri i tij, që kishte hedhur helmin me ndihmën e komandantëve të Aleksandrit. Në kohët e fundit, gishti është drejtuar nga Ptolemeu, paraardhës i Kleopatrës, i cili u bë sovran i Egjiptit duke krijuar dinastinë Ptolemaike. Ai ishte komandant i gardës së rojeve të mbretit, kështu që ishte ndër të paktët që mundej të kishte akses të kollajtë në dhomat e mbretit.
Jul Cezari (100-44 para Krishtit)
A e organizoi ai vetë vrasjen e tij?
Data e vdekjes: 15 mars 44 para Krishtit
Mosha: 55 vjeç
Vendi i vdekjes: Romë
Askush nuk vë në diskutim faktin që Cezari u vra nga një numër prej pesë deri dhjetë komplotuesish në Senatin e Romës. U godit me 23 thika, nga të cilat megjithatë vetëm njëra rezultoi vdekjeprurëse, supozohet ajo e Brutit. Po përse një njeri si Cezari, inteligjent dhe mendjemprehtë, do të shkonte në Senat i paarmatosur dhe pa truproja, pavarësisht se ishin të shumtë ata që e këshilluan dhe e paralajmëruan se vrasësit po e prisnin?
Kur, gjatë autopsisë së parë në histori, mjeku Antisti ekzaminoi trupin, ai gjeti në duart e Cezarit një letër kërcënuese. Historiani romak Svetoni shkruan: “Cezari u largua duke lënë dyshimin se ai vetë kishte zgjedhur të vdiste dhe për këtë arsye nuk i kishte marrë ato masa që do ta kishin shpëtuar”. Një teori moderne, e parashtruar nga profesor Harold Bursztajn i Harvardit dhe nga Gjenerali Luciano Garofano thotë që Cezari shkoi drejt vdekjes me vullnetin e tij. Epilepsia e lobit ballor (që e kishte çuar drejt humbjes së aftësive fizike dhe mendore) e shtyu të zgjedhë vdekjen në mënyrë të tillë që të ruante trashëgiminë e tij në histori. Ai vetë zgjodhi se kur dhe ku do të ndodhte vdekja e tij: kishte detyruar Brutin, Kasion dhe të tjerët që të shpejtonin komplotin duke shpallur një udhëtim në Persi. Duke vrarë Cezarin, komplotuesit i siguruan atij pavdekshmërinë dhe vazhdimësinë e linjës së pasardhësve: ai kishte shpallur tashmë Oktavianin si pasardhës në një testament që kishte shkruar gjashtë muaj para vdekjes.
Napoleon Bonaparti (1769-1821)
I helmuar ngadalë prej një agjenti francez?
Data e vdekjes: 5 maj 1821
Mosha: 51 vjeç
Vendi i vdekjes: Ishulli Shën Helenë, Atlantiku jugor
Napoleoni, i degdisur në Shën Helenë, u sëmur rëndë dhe në mënyrë të përsëritur gjatë pothuajse 6 viteve që jetoi në ishull. Pas vdekjes, zyrtari që merrej me të shpalli kancerin si arsye të vdekjes. Dukej një hipotezë e besueshme, duke ditur që babai i Napoleonit kishte vdekur nga e njëjta sëmundje. Në të vërtetë, duke analizuar më thellë rrethanat, ka arsye të ndryshme që të bëjnë të dyshosh: kanceri nuk mund të shpjegojë zgjatjen e dhimbjeve të barkut për një kohë kaq të gjatë; veç kësaj, shumë prej simptomave nuk duken të lidhura me tumorin; së fundi, Napoleoni ndërroi jetë obez dhe jo i dobësuar siç ndodh zakonisht me ata që vdesin prej kësaj sëmundjeje. Francesco Antommarchi, një prej mjekëve të Napoleonit dhe ekspert i autonomisë, që kreu autopsinë, refuzoi të firmosë relacionin që fliste për kancer. Disa studiues modernë janë bindur që perandori ishte helmuar dalëngadalë nga një agjent francez që e ndëshkonte për krimet. Nëse motivi ka qenë vërtetë hakmarrja, atëherë vrasjen mund ta ketë kryer Konti Charles de Montholon, një aventurier misterioz, që u bë një njeri i besuar i Napoleonit në Shën Helenë. Mendohet që misioni i tij për të helmuar Napoleonin duke i hedhur doza të vogla helmi është kryer me një dozë vdekjeprurëse kloruri mërkuri. Kjo teori justifikohet nga prania e arsenikut të gjetur në flokët e Napoleonit. Dikush ka sugjeruar që Napoleoni ka vdekur pasi ka thithur arsenik prej letrës së mureve. Po të ketë ndodhur kështu, do të shpjegoheshin gjurmët e arsenikut, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dhimbjet e forta që pati për pothuajse gjashtë vite.
Abraham Lincoln (1809-1865)
A u vra nga shërbimet e fshehtë jugorë?
Data e vdekjes: 15 prill 1865
Mosha: 56 vjeç
Vendi i vdekjes: Uashington
Në ditët e fundit të luftës civile në Amerikë, të premten e shenjtë të 1865, një shkrimtar me emrin John Wilkes Booth mbërriti në zonën presidenciale të Teatrit Ford në Uashington, ku Abraham Lincoln ishte duke parë komedinë muzikore Our American Cousin, dhe me një goditje pistolete e la të vdekur në vend. Booth kishte bashkëpunëtorë që u rrethuan menjëherë. Ndërsa ai, që ishte larguar, u zbulua tek përpiqej të fshihej në një hangar dhe u vra. Ajo që u quajt “teoria e komplotit të thjeshtë” vërtitet përreth tezës që Booth dhe të tijtë ishin përpjekur më parë të rrëmbenin Lincolnin dhe në një moment të dytë vendosën për vrasjen. Thuhet se Booth ndihej pasardhësi i Brutit, duke e imagjinuar vetveten si heroin që do të çlironte botën nga një tiran modern. Por shumë mendojnë që në të vërtetë ai ishte vetëm ushtari, ekzekutuesi i një plani shumë më të madh.
Ata që flasin për një “komplot të madh” mbështesin hipotezat më të përhapura, mes të cilave ajo sipas të cilës Lincolni ka vdekur me urdhër të Papa Piut IX. Nga këto hipoteza vetëm disa janë të qëndrueshme. E para thotë që Lincoln ka qenë viktimë e një komploti të urdhëruar nga shërbimet e fshehtë të jugorëve; hipoteza e dytë thotë që presidenti është vrarë në vijim të disa mosmarrëveshjeve brenda vetë partisë së tij, të ushqyera nga ministri i Luftës, Eduard Stanton, i cili kundërshtonte Lincolnin në lidhje me vendimin për të mos marrë vendim për ndëshkime ndaj jugut. Teoria për një fajësi të mundshme të Stanton gjen konfirmim në rrethana të tilla si paaftësia e truprojës presidenciale, John Parker, si dhe parlajmërimin për gjeneralin Grant që të mos shkonte në Teatrin Ford mbrëmjen e vrasjes. Ideja e një komploti të jugorëve konsiderohet nga historianët si shpjegimi më i besueshëm.
Josif Stalin (1878-1953)
Helmuar për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore?
Data e vdekjes: 5 mars 1953
Mosha: 74 vjeç
Vendi i vdekjes: Moskë
Zyrtarisht Stalini vdiq nga një hemorragji cerebrale, edhe pse të paktë janë ata që besojnë këtë version. Mbrëmjen e 28 shkurtit 1953, udhëheqësi sovjetik mblodhi ata më besnikët e tij, Beria, Malenkov, Bulganin dhe Hrushov. Më parë panë një film në Kremlin, pastaj shkuan në banesën e Stalinit në fshat dhe nisën të pijnë përgjatë gjithë natës. Kur mysafirët u larguan, Stalini lajmëroi truprojat e tij se të nesërmen do të flinte deri vonë. Për të mos e shqetësuar, askush nuk hyri në dhomën e tij të gjumit deri në orën 22.00 të mbrëmjes së ditës tjetër, kur u gjet pothuajse i pajetë. Kur mbërriti mjeku, Stalini kishte vdekur tashmë. Një tryezë e rrumbullakët e përbërë nga historianë dhe “dëshmitarë”, që u mblodh në Kongresin amerikan në vitin 2003 konkludoi se tirani kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Vetëm djali i Hrushovit, Sergei, kundërshtoi dhe u duk se mbërriti deri në pikën ku akuzoi të atin për vrasjen. Edhe Klaus Larres, moderatori i tryezës së rrumbullakët, si dhe Raymond Garthoff i CIA u shfaqën skeptikë për “vdekjen natyrore”. Shumë shkrimtarë deklaruan se ishin dakord me teorinë e vrasjes, duke thënë se kreu i truprojave të Stalinit e kishte helmuar atë me një injeksion, me urdhër të Berias. Kjo tezë bazohet në lajmin, e dhënë nga vetë Stalini, për qëllimin e një mjeku hebre për të kryer atentat ndaj jetës së tij si dhe vendimin e mëpasshëm për të prishur çdo lloj marrëdhënieje me Izraelin. Besnikët e tij druheshin se mos diktatori kishte për qëllim që të persekutonte hebrejtë, një fakt që do të shkaktonte më pas një luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qendra e lëvizjes sioniste. Pra mendohet që kanë qenë njerëzit më të afërt të Stalinit që e kanë helmuar, për të shmangur një luftë të tretë botërore por edhe për të shpëtuar lëkurën: thuhet që Stalini kishte ndërmend të spastronte të gjithë Byronë Politike.
John F. Kennedy (1917-1963)
A u vra nga mafia?
Data e vdekjes: 22 nëntor 1963
Mosha: 46 vjeç
Vendi i vdekjes: Dallas, Teksas
E kemi ende para syve atë pamje të tmerrshme: John F. Kennedy që u vra hipur mbi një makinë e cila po përshkonte rrugët e Dallasit. Lee Harvey Oswald u arrestua për vrasjen, por më pas u vra edhe ai vetë, përpara s etë merrej në pyetje, nga dora e Jack Ruby. Komisioni Warren, që kreu investigimin në vitin 1964 konkludoi se Oswald kishte vepruar i vetëm dhe që ishin tre të shtëna, ku plumbi i parë nuk e kish goditur shënjestrën, ndërsa i dyti kishte goditur presidentin në kokë. Duket se plumbi i tretë i kishte hyrë në shpinë, kish kaluar në qafë dhe kish dalë nga fyti, përpara se të përfundonte në shpinën e Guvernatorit të Teksasit, e përpara se të gjendej në një barrelë në spital. Eshtë i ashtuquajturi “plumbi magjik” që ka bërë aq shumë të debatojnë ata që nuk besojnë në teorinë e vrasësit të vetmuar. Në vitin 1979 një komision i krijuar posaçërisht për të hetuar për rastin konkludoi se mund të thuhet që Kennedy ka qenë ndoshta viktimë e një komploti. Mafia ishte mes të dyshuarve kryesorë, duke qenë se mendohet që Kennedy e kish përdorur për të fituar zgjedhjet presidenciale në 1960, për t’i kthyer pastaj shpinën sapo kish arritur objektivin. U përmend edhe një emër: kryemafiozi i njohur Johnny Roselli mendohej se ishte truri i atentatit. Ky version ka gjetur konsensus edhe mes më skeptikëve.
Në fakt, dëshira për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë cështje shtyu një numër gjithnjë e më të madh historianësh që të mbështesin teorinë e komplotit mafioz. Skeptikët më të mëdhenj janë vetëm ata që thonë se duan të bazohen vetëm në prova të sigurta, por e dimë që është shumë e vështirë që një mafioz të lërë rrëfime me shkrim.
Pavarësisht dyshimeve të shumtë, ata që besojnë në këtë teori komploti bazohen në katër pika kyçe: prova e filmimit të xhiruar nga Abraham Zapruder, ku shihet koka e Kennedy që shkon pas, sikur goditja të jetë ballore; pamundësia e teorisë së “plumbit magjik”; vrasja e një personazhi tashmë telashendjellës si Oswald nga dora e një pjesëtari të malavitës i lidhur me mafian si dhe rrethanat e çuditshme të vdekjes së 21 dëshmitarëve të vrasjes në tre vitet pas atentatit.

Psikologjia e turmave, si e përdorën tiranët

CrowdGustav Le Bon, i lindur në Francë në vitin 1841, ishte psikologu i parë që studioi shkencërisht sjelljen e turmave, duke u përpjekur të identifikojë tiparet dhe duke propozuar teknika të përshtatshme për t’i udhëhequr dhe kontrolluar. Për këtë arsye, veprat e tij u lexuan dhe studiuan me vëmendje nga diktatorët totalitarë të nëntëqindës, të cilët e bazuan pushtetin e tyre në aftësinë për të kontrolluar dhe manipuluar masat.
Si Lenini, ashtu edhe Hitleri e kanë lexuar veprën e Le Bon dhe përdorimi i teknikave të caktuara të bindjes në diktaturën nacional-socialiste duket se ka qenë frymëzuar prej këshillave të tij, por Musolini ka qenë admiruesi më i zjarrtë i veprës së psikologut francez. “Kam lexuar të gjithë veprën e Le Bon – thoshte Musolini – dhe nuk e di se sa herë e kam rilexuar “Psikologjinë e turmave”. Eshtë një vepër kapitale, tek e cila edhe sot kthehem shpesh”. Në fakt, shkrimet e Le Bon dhe në mënyrë të vecantë “Psikologjia e turmave” e botuar në vitin 1895 ishin një minierë e vërtetë ari për kë dëshironte që të kuptonte sjelljen e masave, ishte “tema e re” që hidhej në skenën politike të dekadave të fundit të tetëqindës dhe që do ta dominonte këtë skenë gjatë nëntëqindës. Lindja e masës, e kuptuar si “një sasi e madhe e paqartë personash që veprojnë në mënyrë uniforme” ishte në fakt rezultati i një procesi historik, me të cilin përkuan një shumësi kauzash dhe që nisi të marrë formë në fundin e shekullit XIX. Në krijimin e një shoqërie të masës, një rol të rëndësishëm luajti progresi teknologjik, i kuptuar si një proces i standartizimit të punës, por edhe si model i prodhimit të objekteve, të quajtur pikërisht “të masës”.
Revolucioni i dytë industrial u karakterizua në fakt nga një racionalizim i fortë dhe një mekanizim i proceseve prodhues, të cilët kishin prirjen të miratonin dhe serializonin punën e punëtorëve dhe të punësuarve. Ndërkohë që në revolucionin e parë industrial punëtori ishte i angazhuar në vende pune që nuk ndryshonin shumë prej punës artizanale, duke filluar që nga viti 1870, puna e tij u bë gjithnjë e më e ngjashme me atë të makinave, e privuar nga cdo lloj kontributi personal në krijimin e objektit.

Prodhimi në masë

Sipas modelit klasik të zinxhirit të montimit, punëtori duhej që thjeshtë të përsëriste pafundësisht një seri identike veprimesh, që nuk kërkonin asnjë aftësi praktike apo teknike dhe që përfundonte duke anuluar cdo kontribut personal në realizimin e punës. Një sistem i tillë, që sillte eleminimin e dallimeve mes punëtorëve të thjeshtë dhe të specializuar, si dhe mes punëtorëve të aftë dhe zbatuesve të thjeshtë të urdhërave, favorizoi krijimin e një mase homogjene punëtorësh, të cilët nuk dallonin as për nga lloji i punës, as për nga aftësia, as për nga paga dhe që si pasojë kishin prirjen të krijonin një grup kompakt në brendësi të shoqërisë. Homologjizimi i proceseve prodhues solli nga ana e tij homologjizimin e objekteve të krijuar dhe shitur, që nga ana e vet solli një standartizim të konsumit dhe shijeve. Objekti i masës, gjithnjë identik me vetveten, kish prirjen të krijonte konsumatorë identikë dhe të modifikonte në drejtim të një barazie anonime sjelljet kolektive. Sado i rëndësishëm, transformimi industrial dhe prodhues nuk ishte i vetmi përgjegjës për krijimin e të ashtuquajturës “masë”. Pati edhe ngjarje të një natyre më politike. Paradoksalisht, ekzistenca e masës u zbulua dhe studiua për herë të parë duke u nisur nga një seri faktesh politikë, në të cilët u demonstrua forca e saj e pabesueshme. Në Francë, për shembull, masa u shndërrua në objekt vëmendjeje që të nesërmen e trazirave revolucionare të vitit 1789, për t’u rikthyer më pas si temë e pranishme në tratativat politike dhe sociologjike, pas episodeve të Komunës së Parisit në vitin 1781. Egërsia e sjelljeve kolektive në periudhën e terrorit revolucionar dhe të kryengritjes në kryeqytet shtyu shumë intelektualë francezë që të ngrejnë pikëpyetje, dhe, mbi të gjitha, të shqetësohen për sjelljet e turmave, e cila shihej tashmë si e aftë edhe për lajthitje nga më të tmerrshmet.

Vepra e Le Bon

Në këtë sfond social dhe intelektual, i mbushur me kuriozitet dhe akoma më shumë frikë kundrejt masës që “po lindte” u maturua vepra e Gustav Le Bon, të cilit jo rastësisht i ishte dashur të arratisej nga Parisi në 1871, pasi kishte rrezikuar disa herë jetën dhe që, si pasoj, ndante shqetësimin me ata që shihnin tek turma një rrezik për shoqëritë moderne kapitaliste.
Megjithatë, sado i frymëzuar nga një eksperiencë personale dhe sado që pasqyronte edhe mendimet e autorëve të tjerë, “Psikologjia e turmave” përbënte një risi të madhe për epokën dhe si e tillë u mirëprit nga bashkëkohësit, por edhe më shumë nga lexuesit në vitet e parë të nëntëqindës. Po cila ishte vecantia e veprës së Le Bon dhe përse meritoi kaq shumë famë, pavarësisht akuzave për diletantizëm që bota akademike lëshoi kundër psikologut francez?
Mbi të gjitha, Le Bon diti të caktojë kufijtë e një fushe të re studimesh, që deri atëherë ishte ndarë mes psikologjisë, e cila merrej vetëm me sjelljet individuale dhe sociologjisë, që merrej me transformimet e shoqërisë. Le Bon ishte i pari që shfrytëzoi instrumentat dhe gjuhën e psikologjisë për të përshkruar faktet socialë, me bindjen se mund të asimilohej sjellja e masës në atë të një subjekti të vetëm, sadoqë kjo ishte e përbërë nga një shumësi personash. Kjo intuitë e fortë e Le Bon – që edhe sot e kësaj dite e ruan vlefshmërinë e saj – ishte në vetvete frut i një vizioni specifik për masën që kishte psikologu francez. Për autorin e “Psikologjia e turmave” ekzistenca e një mase anonime përfaqësonte një shenjë regresi në shoqërinë moderne, që humbiste atë diversitet individual, i cili përbënte pasurinë dhe trashëgiminë e vërtetë të shoqërisë njerëzore.

Ndalje e evolucionit

Për Le Bon, turmat e mëdha ishin një ndalje e procesit evolutiv, i cili në teori duhej të vazhdonte nga e paforma, tek forma, nga e padallueshmja, tek diferencimi progresiv dhe nga sjelljet kolektive, tek veprimet e individëve të nxitur prej vetëdijeve të tyre. Dështimi i procesit evolutiv, që kish prirjen ta conte shoqërinë drejt stadeve më të lashtë të evolucionit të saj, e si pasojë, të shihte imponimin e masave – të paktën sa kohë që këto mbeteshin pa kontroll dhe pa udhëheqje – ishte shenjë e një rikthimi të barbarisë, që i jepte fund një kulture të formuar përgjatë një historie dymijë vjecare.
Për një ndërlikim të tillë Le Bon e gjente konfirmimin edhe duke analizuar vetë sjelljen e masës, që udhëhiqej prej instiktit dhe prej emocioneve, më shumë se sa prej logjikës dhe arsyes. Në sytë e tij, turma vepronte në bazë të ndjenjave më primitive, ato që nga këndvështrimi i evolucionit përbëjnë hapat e parë të zhvillimit të njerëzimit, ndërkohë që në këta grupime, ajo që humbiste ishte arritja më e madhe e njeriut modern, pra racionaliteti dhe përdorimi i aftësive të larta intelektuale. Ashtu si shumë bashkëkohës të tij, Le Bon ishte i bindur për brishtësinë ekstreme të arsyes, që konsiderohej një arritje e kohëve të fundit dhe si e tillë edhe e dobët, ndryshe nga instikti, që konsiderohej një karakteristikë e përhershme dhe e qëndrueshme e qenieve njerëzore.
Por humbja e arsyes në grumbullimet e masës, për psikologun francez, ishte tregues i një humbjeje shumë më të madhe: shkrirja e një identiteti individual në një identitet kolektiv. Pa një arsye autonome, sugjeronte Le Bon, njeriu kthehet pas në gjendjen e kafshës dhe në natyrë, qeniet e të njëjtës specie i ngjajnë gjithmonë e më shumë njëra-tjetrës: kështu, në turmë, njeriu bëhet “kafshë” dhe instiktet e tij primitive e bëjnë praktikisht identik me ata që ndajnë të njëjtën eksperiencë grupi.

Turma

Nëse njeriu në turmë është i njëjtë me të gjithë të tjerët – mendonte Le Bon – ishte atëherë e mundur të konsiderohej turma një subjekt i vetëm dhe ishte e drejtë të zbatohej për të ajo analizë psikologjike që zakonisht rezervohej për individët. Turma, sado e prirur të kishte një sjellje kolektive, ishte, nga këndvështrimi mjeko-shkencor, një “pacient” që psikologu duhej ta analizonte, dhe në ishte e mundur, ta kuronte. Megjithatë, kjo analizë e turmave e Le Bon nuk vinte pa një seri supozimesh ideologjikë dhe paragjykimesh, të cilët do të shpërthenin dukshëm gjatë përdorimit që diktatorët totalitarë u bënë teorive të tij. Mbi të gjitha, nëse masat janë rezultat i një “ngecjeje” të vetëdijes dhe të arsyes, atëherë padyshim që ato duhet të kontrollohen dhe futen në rrugën e duhur nga një elitë apo nga një udhëheqës që ka ruajtur një individualitet të fortë.
Dhe pikërisht kjo ishte qasja e Musolinit, i cili shprehej në këtë mënyrë për masën dhe për rolin e tij në udhëheqjen e masave: “Masa për mua nuk është asgjë tjetër përvecse një tufë dhensh, deri kur organizohet. Nuk jam aspak kundër saj. Vetëm mendoj që ajo nuk mund të vetëorganizohet”. Ai i Musolinit ishte një mendim që përkonte në mënyrë të përsosur me atë të Le Bon, i cili konsideronte të domosdoshme vendosjen e një udhëheqësi në krye të masave: “Dalja e një udhëheqësi të masave përbën alternativën e vetme ndaj dorëzimit para mbretërimit të masave”
Shqetësimi i Le Bon për lirinë e masave është tregues i ideologjisë konservatore që ai mbartte, dhe që e shtynte të kundërshtonte si “hapjet” demokratike të epokës së tij, ashtu edhe supozimet e mendimit iluminist.

Le Bon, si Makiaveli

Autori i “Psikologjia e turmave” e përcmonte hipotezën e një shoqërie tërësisht demokratike, në gjendje të vetëqeverisej dhe që rregullohej prej parimeve të arsyes. Për Le Bon, shoqëritë demokratike jo vetëm ishin të destinuara të dështonin, por ato përbënin edhe një rrezik për vetë jetën e shoqërisë, sepse i shtynin njerëzit drejt mediokritetit. Le Bon e quante të pamundur edukimin e të gjithë masës me parimet e arsyes dhe dominimit tërësor prej saj, dhe në të njëjtën kohë mendonte që pushteti duhej të mbahej nga njerëz që shkëlqejnë: kështu që, ai mendonte se e vetmja formë e mundshme e qeverisjes ishte ajo e elitës. Megjithatë, Le Bon ishte i vetëdijshëm që në kohën e tij asnjë udhëheqës nuk do të mund të qeveriste pa mbështetjen e masave: me fundin e epokës së monarkive të bazuara në forcën ekonomike, ushtarake apo autoritetin dinastik, udhëheqësi i vërtetë politik do të mund të qeveriste vetëm nëse do të kishte mbështetjen e masave.
Dhe, si një Makiavel modern, Le Bon do të merrte përsipër detyrën që t’i mësonte princit të ardhshëm se si të fitonte mendjen dhe zemrat e turmës.
Rregulli i parë që udhëheqësi duhet të ndjekë për të fituar mbështetjen e turmave është që të komandojë duke i bërë apel ndjenjave dhe jo arsyes; dhe pikërisht këtë këshillë të Le Bon e përdorën gjerësisht diktatorët totalitarë të nëntëqindës, të cilët ishin mishërimi i një pushteti i cili e fiton mbështetjen e turmave pa u dhënë atyre të drejtë përfaqësimi dhe aspak liri.
Le Bon ishte kundër projektit iluminist të shkatërrimit të sigurive tradicionale, që duke dobësuar besimin tek Zoti dhe tek Shteti kishin dobësuar në fakt aftësinë e besimit të masave. Le Bon thoshte: “Filozofët e shekullit të fundit kanë marrë me zell detyrën për të shkatërruar iluzionet fetarë, politikë dhe socialë me të cilët kishin jetuar prej qindra vitesh baballarët tanë. Duke i shkatërruar, ata kanë “tharë” burimet e shpresës”.
Për t’u qeverisur pa u vendosur një regjim anarkie të rrezikshme, masat duhet të kthehen të besojnë dhe detyra e udhëheqësit të ardhshëm të turmave është që të rivendosë besimin tek komuniteti, edhe pse ky nuk do të ketë më natyrë të jashtëzakonshme, por tokësore. Për Le Bon, turmat nuk mund të udhëhiqeshin nga arsyeja, për arsye se fryma e turmës karakterizohet nga të ndjerit dhe jo nga të menduarit. Diskutimi logjik dhe racional mund të shërbejë për të bindur një njeri të vetëm, por jo për të udhëhequr një masë. Sipas autorit të “Psikologjisë…” njeriu i futur në masë ka nevojë për iluzione, pasione, ai shtyhet nga vullneti për të besuar dhe ky vullnet rritej, në momentin kur iluzionet e vjetër ishin futur në krizë prej iluminizmit. Ndërkohë që arsyeja është fakt tranzitor, ndjenja dhe nevoja për të besuar janë forca arkaike dhe të përhershme të njeriut dhe udhëheqësi duhet të ngopë me shpresa dhe iluzione të reja këtë etje për shpresë. Nëse shikojmë revolucionet e mëdhenj, thoshte Le Bon, vërejmë se si të gjithë ishin të prodhuar prej shpresës dhe besimeve dhe jo prej një arsyetimi të saktë: krishtërimi dhe islamizmi, suksesi i revolucionit francez dhe i Napoleonit janë frut i shpresës dhe jo i “arsyes së pastër”.

Totalitarizmat

Totalitarizmat e shekullit XX thithën plotësisht leksionin e Le Bon, u ofruan individëve iluzione të rinj tek të cilët mund të besonin, u angazhuan për krijimin e miteve dhe legjendave të reja, edhe pse shpesh këta ishin në kontradiktë me njëra-tjetrën. Musolini vecanërisht shfrytëzoi disa herë mungesën e programit në fashizmin e hershëm, gjë që solli si transformizmin e tij politik, ashtu edhe ndryshimet në programin e partisë. Me këtë qasje Musolini tregonte se kishte metabolizuar mësimet e Le Bon në lidhje me karakterin e pangatërrueshëm të iluzioneve, si dhe mbante mend mjaft mirë sugjerimin e tij për të nxitur dëshirën për besim të turmave, kjo edhe në kurriz të koherencës së arsyetimeve të tij. Në fakt ishte vetë Musolini që pohonte se “vetëm besimi lëviz malet, dhe jo arsyeja. Kjo është një instrument, por nuk mund të jetë forca lëvizëse e masave. Sot madje, edhe më pak se dikur. Njerëzit sot kanë më pak kohë për të menduar. Eshtë i pabesueshëm dispozicioni i njeriut modern për të besuar”.
Por përvecse kishte përthithur mirë mësimin e domosdoshmërisë së iluzioneve, Musolini tregonte se kish përvetësuar mirë një sugjerim tjetër edhe më të rëndësishëm të Le Bon: krijimin e besimit të pakushtëzuar tek udhëheqësi.
Ndërkohë që cdo iluzion mund të zëvendësohet nga një tjetër, cdo besim i zë vendin paraardhësit edhe kur janë në kontrast të hapur, besimi tek udhëheqësi duhet të mbetet gjithmonë i pandryshuar nëse do të ruash kontrollin mbi turmat. Udhëheqësi duhet të transformohet në një hyjni të vërtetë tokësore, i zhveshur qoftë edhe nga dyshimi i gabimit, duke vënë në shfrytëzim të gjithë strategjitë e propagandës. Në këtë kuptim, shembulli i fashizmit italian, por edhe më tepër ai gjerman dhe sovjetik janë demonstrime të pagabueshëm të kësaj nevoje të paralajmëruar shumë kohë më parë nga Le Bon. Në Bashkimin Sovjetik, kulti i personalitetit i Stalinit ishte një prej parimeve mbi të cilin u ngrit i gjithë aparati totalitar dhe në Gjermani askush nuk kish dyshime në pagabueshmërinë e Hitlerit, edhe atëherë kur sinjalet e humbjes në Luftën e Dytë Botërore nisën të bëhen të dukshëm.
Për një sistem totalitar, udhëheqësi është në fakt boshti i të gjithë sistemit, sepse ndryshe nga sa ndodh në diktaturat e thjeshta, gjithcka që ndodh në vend është nën përgjegjësinë e tij. Në Bashkimin Sovjetik dhe në Gjermani, si Stalini ashtu edhe Hitleri merrnin përgjegjësinë e cdo veprimi që kryhej nga një funksionar i tyre, një demonstrim i faktit që vetëm ata ishin emanimi i pushtetit dhe që burokratët dhe vartësit ishin thjeshtë zbatues të vullnetit të tyre. Në po të njëjtën mënyrë, kthesa autoritare e fashizmit italian – e në disa drejtime edhe totalitare – erdhi në janar të vitit 1925, kur Musolini vendosi të marrë përsipër përgjegjësi të plotë për vrasjen e Matteottit, që ish kryer nga dy vrasës, për llogari të një porositësi të paidentifikuar. Një marrje e tillë e përgjegjësisë nga udhëheqësi unik është pjesë e procesit dialektik që në regjimet totalitarë vendoset mes atyre që komandojnë dhe atyre që binden dhe që nëse nuk ekziston, vë në krizë të gjithë strukturën: kjo shpjegon përse sapo hipnin në pushtet, këta diktatorë arrinin ta ruanin pa iu dashur të luftonin kundër fraksioneve të brendshëm, sepse bindja e të gjithëve ishte që, nëse rrëzohej udhëheqësi, do të shembej i gjithë sistemi. Në një sistem totalitar, ndryshe nga sa mund të mendohet zakonisht, pushteti nuk mbahet vetëm me dhunë, por është frut i një “kontraktimi” reciprok mes udhëheqësit dhe masave të dominuara.
Plotfuqishmëria e udhëheqësit shërben si sfond për dëshirën e masës që të heqë dorë nga përgjegjësia për lirinë e vet, dhe dorëzimi i lirisë dhe vullnetit të saj të lirë në duart e udhëheqësit është cmimi që masa është e gatshme të paguajë me qëllim që t’ia “hedhë” mbi shpinë dikujt tjetër fajet dhe gabimet e saj.

Sekreti i pushtetit

Me një mendjemprehtësi të madhe, Le Bon pikasi në marrëdhënien e vecantë mes udhëheqësit dhe turmës sekretin për marrjen e pushtetit në shoqëritë moderne industriale. Psikologu francez nuhati nevojën e identitetit, e pranishme në formë të fshehur në të gjithë turmat njerëzore: braktisja e vecantisë dhe individualitetit që realizohet tek turma duhet të korrespondojë me krijimin e një identiteti të qartë kolektiv. Individi është i gatshëm të heqë dorë nga një “Unë” në favor të një “Ne”, me kushtin që ky subjekt i ri të ketë një personalitet specifik. Ky personalitet mund të formohet vetëm përmes ndërhyrjes së “pushtuesit” të masave. Masa është një frymë kolektive e paformë, që zotëruesi duhet ta manipulojë si argjil në duart e tij. Ai duhet t’i japë formë përmes shfrytëzimit me zotësi të emocioneve më primitivë, që janë edhe më arkaikë, e si pasojë edhe më të fortë. Në një tjetër vepër të tijën, “Aforizma të kohëve të sotme”, Le Bon e sqaroi këtë ide të tijën: “Turma është një qenie amorfe, e paaftë të dëshirojë apo të veprojë pa udhëheqësin e saj. Shpirti i saj duket i lidhur me atë të këtij udhëheqësi”.
Si një magjistar, si një hyj, udhëheqësi politik thirret për t’i dhënë jetë turmës, dhe ta shtyjë të veprojë. Në këtë detyrë të tijën, ai gjen aleatin më të cmuar, pikërisht tek nevoja për të besuar dhe tek nevoja për identitet e individëve që janë bërë pjesë e masës. Individi në turmë është në fakt një subjekt i dobët, që ka humbur aftësinë e tij për vetëqeverisje dhe që është në kërkim të një “Uni” të fortë, tek i cili mund të mbështetet.
Udhëheqësi modern politik, shpjegon Le Bon, është një dirigjent i shpirtërave, që zëvendëson personalitetin e tij dhe atë të individit, duke iu propozuar turmës si një model me të cilin të identifikohet dhe si një guidë për t’u ndjekur. Marrëdhënia mes udhëheqësit dhe turmës, mes këtij “Uni” hegjemon dhe identiteteve të brishtë dhe të shpërndarë që formojnë turmën është tejet delikate dhe komplekse, dhe nga menaxhimi i saktë i saj varet suksesi apo dështimi në luftën për pushtet. Ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën me tiranitë e lashta, aspiranti modern për diktator nuk mund ta marrë dhe ruajë pushtetin vetëm përmes parimit të autoritetit apo vetëm përmes forcës. Ai nuk mund të imponojë modelje sjelljeje që i korrespondojnë ekskluzivisht dëshirave të tij, pa rrezikuar që të humbasë mbështetjen e turmës që propozohet të komandojë. Diktatori modern, thotë Le Bon, duhet të dijë të rrokë dëshirat dhe aspiratat e fshehta të turmës dhe të propozohet si mishërim i këtyre dëshirave  dhe si personi që është në gjendje të realizojë këto aspirata. Edhe në këtë rast, iluzioni rezulton më i rëndësishëm se sa realiteti, pasi ajo që ka rëndësi nuk është përmbushja e këtyre ëndrrave por thjeshtë të bësh turmat të besojnë se je në gjendje t’i realizosh: “Në histori, shkruante Le Bon tek “Psikologjia e turmave”, pamja ka patur gjithmonë një rol më të rëndësishëm se sa realiteti”.

Miti

Tirani modern duhet që megjithatë t’i kushtojë vëmendje maksimale shmangies së përballjes me realitetin, sepse në këndvështrimin e Le Bon, masa, që të kontrollohet, duhet të mbahet në këtë skenë ëndrrash, pa konture të qartë. Kështu që, për të vazhduar në këtë drejtim, nuk mjafton të paraqitesh si realizuesi i dëshirave të caktuara, por duhet edhe t’i kushtosh vëmendje maksimale formës në të cilën paraqiten këto aspirata dhe projekte. Sipas autorit të “Psikologjisë së turmave”, udhëheqësi duhet të shfrytëzojë mbi të gjitha mitin, që për shkak të natyrës së vet të vecantë është në gjendje të mbërthejë emocionet e turmave dhe t’i zhveshë nga racionaliteti.
Miti është vecanërisht i përshtatshëm për të rrëmbyer vëmendjen e turmës sepse është gjuhë arkaike, u përket fazave fillestare të njerëzimit, pikërisht ashtu sikurse turma përfaqëson një regres drejt stadeve më primitivë të organizimit njerëzor dhe ka një forcë bindëse shumë të fortë, sepse bazohet pikësëpari tek e pandërgjegjshmja. Ndryshe nga cfarëdolloj projekti racional, miti nuk parashikon asnjë kontroll pas vlefshmërisë së tij, për arsye se përmbajtja e tij është gjithmonë e papërcaktuar e si pasojë nuk mund të verifikohet. Në këtë kuptim, ai ofron një seri të pandërprerë alibish për dirigjentët e turmave, të cilët mund t’i transformojnë vazhdimisht përmbajtjen dhe ta modifikojnë duke arritur të shmangin përballjen me realitetin. Miti, shpjegon Le Bon, nuk ka nevojë për asnjë koherencë logjike, sepse ai bazohet ekskluzivisht në fantazitë dhe nevojat e njerëzve dhe funksionon më mirë atëherë kur arrin të përfaqësojë nevojat për shpagim dhe aspiratat e turmave.
Sërish, diskutimi i Le Bon gjeti zbatim sa të saktë aq edhe të pamëshirshëm në totalitarizmat e nëntëqindës, që pikërisht tek mitet – për shembull raca ariane – ngritën një pjesë të mirë të themeleve të tyre. Të gjithë diktatorët totalitarë shfaqën një përcmim ekstrem për faktet, duke ndërtuar një propagandë të privuar nga cfarëdolloj fakti të demonstrueshëm. Kjo e shtyu Hrushovin ta përshkruante Stalinin si një njeri që manifestonte një “hezitim ekstrem për të marrë në konsideratë gjërat e jetës… indiferent ndaj gjendjes reale të gjërave”.
Realiteti vihej praktikisht në provë të fortë prej regjimeve totalitarë, që përpiqeshin të impononin gjithëpushtetshmërinë e vullnetit dhe dëshirës mbi faktet dhe objektivitetin e botës. Në një regjim totalitar tërësisht të realizuar si ai sovjetik në vitet tridhjetë, rezultonte shpesh herë e vështirë të dalloje të vërtetën nga falsja dhe fantazinë nga iluzioni, sepse tashmë asgjë nuk matej më me këtë kut gjykimi. Duke qenë se i vetmi element i rëndësishëm ishte funksionimi i tij për partinë dhe revolucionin, nuk kish më rëndësi që një fakt i caktuar ishte i vërtetë apo nëse dicka ishte thënë: e vetmja pyetje për të cilën botës i kërkohej përgjigje ishte besnikëria apo mosbesnikëria ndaj direktivave të regjimit. Sado e marrë mund të duket – dhe praktikisht bëhej fjalë për episode të një marrëzie kolektive – në Bashkimin Sovjetik kryheshin gjyqe ndaj mijëra njerëzve mbi bazën e komploteve që ishin thjeshtë të supozuar apo të imagjinuar nga Stalini, që gjithmonë përmbylleshin me dënimin me vdekje ose internimin e të akuzuarve. Në një regjim të tillë totalitar, që kishte eleminuar dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës edhe falë bashkëpunimit aktiv të masës e cila hidhej vetë në krahët e fantazisë dhe vullnetit të të gjithëpushtetshmit, qarkullonin hipoteza nga më të pamundurat mbi komplote të vazhdueshëm kundër revolucionit dhe këto shndërroheshin shpesh herë në akt-akuza ndaj personave totalisht të pafajshëm. Policia e fshehtë sovjetike arrinte madje të bindte shumë të akuzuar të pafajshëm për fajësinë e tyre, shpesh herë madje pa patur nevojë për të përdorur torturën fizike, sepse i formulonte akuzat pa iu referuar asnjëherë asnjë fakti konkret. Qëllimi arrihej shpesh duke izoluar individin nga realiteti rrethues dhe duke bindur ata që ishin përreth tij të konfirmonin akuzat, duke bërë që në fund i akuzuari të dorëzohej para koherencës së historisë që propozonte policia, duke mbërritur më në fund në rrëfimin e krimeve që nuk i kish kryer asnjëherë.
Por nëse udhëheqësi duhet të rrokë dëshirat e turmave dhe të shfaqet si figura mesianike në gjendje t’i realizojë ato, ka edhe një tjetër aspekt qendror në marrëdhënien me masat që Le Bon diti ta përshkruajë shumë mirë në librin e tij “Psikologjia e turmave”. Përvecse një realizues i dëshirave të masave, Uni i udhëheqësit duhet të shndërrohet, sipas Le Bon, në një objekt identifikimi për turmat. Në diktaturat moderne nuk është aspak e këshillueshme të kënaqesh me bindjen pasive – e cila mund të zhduket nga një moment në tjetrin – por duhet të nxitësh pjesëmarrjen entuziaste dhe të vullnetshme në pushtet. Kështu masa ftohet vazhdimisht jo vetëm që të bindet por edhe të imitojë udhëheqësin, të sillet sikur ajo vetë është udhëheqësi, një sjellje që do të gjejë shprehjen e vet tek interpretimi nacional-socialist i moralit kantian: “Vepro në mënyrë të tillë që, sikur Fyhreri të të shihte, ai do të miratonte sjelljen tënde”.

Regjimet

Regjimet totalitarë vunë në praktikë këta mësime të Le Bon, duke organizuar vazhdimisht ceremoni që kishin për qëllim të lehtësonin këtë identifikim mes udhëheqësit dhe turmës, si përshembull tubimet e mëdhenj të Nyrenbergut, paradat në Sheshin e Kuq në Moskë dhe fjalimet e Musolinit nga Sheshi “Venecia”.  Qëllimi i festimeve të tillë ishte që të bënte masat të ndiheshin pjesëmarrëse në pushtet dhe në projektet e udhëheqësit, t’u krijohej atyre përshtypja se mund të përthithnin në mënyrë magjike forcën, që të shihnin t’u njihej atyre një rol në ndërtimin e shtetit totalitar. Në festimet e mëdhenj individi i futur në masë, i privuar tashmë nga identiteti i tij, përfshihej në një ritual bashkimi të shenjtë dhe mistik me udhëheqësin e vet dhe përjetonte dehjen e ngjitjes pothuajse në nivelin e udhëheqësit. Por, në të njëjtën kohë, ky ekzaltim që buronte nga bashkimi mistik me udhëheqësin kontribuonte në nënshtrimin gjithnjë e më të madh të masës ndaj udhëheqësit, për arsye se cdo eksponent i turmës eksperimentonte parëndësinë e ekzistencës së tij në raport me atë të dirigjentit. Sa më shumë që udhëheqësi quhej një person i jashtëzakonshëm, aq më shumë “Ne”-ja, e përbërë nga shumë persona me një Un të dobët, mund të sakrifikohej për kauzën e tij.  Jeta e një anonimi që i përkiste masës jo vetëm ishte e sakrifikueshme për të realizuar projektin e udhëheqësit, por edhe vdekja e vullnetshme për kauzën konsiderohej virtuti më i lartë: jo më kot fashizmi imponoi një model virtutesh ku lëvdoheshin mbi të gjitha disiplina, bindja, ndjenja e detyrës dhe nevojës për të arritur një qëllim, heroizmi, vetëflijimi.
Le Bon ka meritën që demonstroi se si për të qeverisur në mënyrë diktatoriale një shoqëri të masës, një udhëheqës duhet që pikësëpari të shfaqet si një “Un” i fortë përballë shumësisë së “Un”-eve të dobët të prodhuar nga një shoqëri e masës. Psikologu francez demonstroi gjithashtu tek “Psikologjia e turmave” se sa e rëndësishme është për një udhëheqës që t’u propozojë një mision të jetës atyre që udhëheq, një qëllim edhe të parealizueshëm, por që ka aftësinë të riaktivizojë energjitë e fjetura dhe nevojën e tyre për të besuar.  Gjithmonë Le Bon ka njohur i pari nevojën e masave për t’u futur në një botë simbolesh dhe shpresash, në një komunitet – edhe të marrë si ai nacionalsocialist – por ku janë të forta lidhjet me njerëzit e tjerë, të cilat ruhen prej një ideologjie të përbashkët dhe shumë të fortë. Në fund – dhe ky është zbulimi më i rëndësishëm dhe më i abuzuar prej regjimeve totalitarë – Le Bon kishte paralajmëruar nevojën e turmave për të gjetur një përfaqësues të tyre që di t’u japë jetë shpresave të tyre dhe të realizojë nevojën e tyre për mizori dhe hakmarrje. Le Bon i shkon merita për gjithë këta zbulime, ndërsa diktatorëve totalitarë u shkon faji që i kanë përdorur me brutalitet dhe mizori këta sugjerime teorikë. Dhe i vetmi krahasim që mund të bëhet me histori të tjera është ai i shpikësve të bombës atomike, studiues që nuk e kanë lëshuar atë, por që e kanë krijuar. Le Bon hodhi themelet teorike për të realizuar totalitarizmin, por ua la të tjerëve detyrën për t’i zbatuar.

Kodi i fshehtë i përkrenares së Skënderbeut

Okultizmi si vizion alternativ shpjegon gjuhën simbolike të pëkrenares
Kastriotët, midis lindjes dhe perëndimit, mbanin stemën e shqipes me dy kokë por e veçanta është se Skënderbeu mbajti veç saj, si personale, përkrenaren e famshme të tij. Çfarë do të thotë ai me ato dy brirët e cjapit? Kujt i drejtohej ai me ato simbole surrealiste dhe përse fisnikë të tjerë shqiptarë pas tij ose njëkohësisht me të nuk e mbanin atë simbol? Mos ndoshta duheshin merita të caktuara për të mbajtur një përkrenare me të tilla simbole? Përse kjo përkrenare u transportua brez pas brezi dhe u ruajt në muzeun e Vienës?
Përkrenarja e Skënderbeut është bërë tani pjesë e pandashme e heroit, aq organike sa nuk ka figurë historike që mund të krahasohet. Ajo merrr vlera studimore edhe për shkak të varfërisë së relikeve që e shoqërojnë figurën e Gjergj Kastriotit. Sot ne kemi mundësi të reflektijmë ndryshe për të gjithë kulturën zyrtare shqipëtare ku historizimi i vlerave esenciale të personaliteteve dhe të gjuhës sonë është shpesh një arritje antikombëtare e bërë nga mjerimi ideollogjik i profesorëve rrogtarë. Rakitizmi kultural i historianëve zyrtarë sot në të gjithë botën është pengesë për zgjidhjen e shumë enigmave të së kaluarës. Antikja dhe e vjetra po bëhen më enigmatike se kurrë nga kultura alternative që po trondit dogmat e katedrave universitare me materiale të mbajtur sekret më parë.
Të mos mjaftohemi kurrë me aq sa dimë për të shkuarën e për më tepër për figurat mitike si Skënderbeu. Madhështia e tyre, përfshin plane të dukshme e të padukshme, nganjëherë misterioze sepse pemët madhështore i largojnë rrënjët dhe i fshehin aq larg sa mendësia e një lulelakre nuk mund t’i imagjinojë. Nuk është meritë e jona asnjë zbulim i ri mbi Skënderbeun, por e dritës që ai ka rrezatuar e vazhdon të rrezatojë për të plotësuar madhështinë e tij të pa kuptuar plotësisht edhe shpesh të përfolur nga plebejt e historisë. Historianët që kanë kontribuar deri tani në njohjen dhe modelimin e figurës së Skënderbeut vijnë nga fusha të ndryshme por me bazë të njëjtë, që është rikrijimi nëpërmjet fakteve i një realiteti sa më konkret informativ mbi të. Pra, ata mund ta rikrijojnë realitetin mbi Skënderbeut për aq sa kuptojnë për reale, për aq sa ne dimë për këtë botë ku jetojmë. Historiani profesionist kërkon të hetojë të shkuarën me mendjen e tij të përshpejtuar moderne, pa kuptuar se historinë e kanë krijuar njerëz mbi nivelin mendor të tij. Historinë nuk e kanë bërë studiuesit e historisë, por ato që zotëronin mistere dhe të vërteta që nuk mund ti përballojë dot historiani. Këtu do të përmendim faktin që pikërisht për historinë ato nuk preokupoheshin fare duke e konsideruar si fushë ku nuk mund të transmetohen mesazhe të dobishme. Misteri ishte dija e tyre e përcjellur në kode pikërisht që kureshtarë si profesorët e sotëm të mos e profanizonin e ta deformonin. Sekreti ishte mënyra e tyre për komunikim sepse për të kuptuar të vërtetën  kozmike duhet një përgatitje gati mbi njerëzore. Mjafton të mendojmë se sot në erën e informacionit, opinioni publik di shumë pak për mekanizmat e vërtetë që lëvizin botën e sotme për mos thënë që ka mekanizma të krijuar me qëllim që ta devijojnë e ta gënjejnë atë. Sa zhgënjyese është ideja se ajo që manifestohet, është e vërtetë aq më tepër kur flitet për të vërteta historike. Historisë i mbetet vetëm pluhuri i ngjarjeve, hiri i asaj që ishte dhe t’i besosh ose të mjaftohesh me historinë zyrtare, pozitiviste, do të thotë ta marrësh hirin për dru të padjegur. Sa e mjeruar duket arroganca e historianit materialist shqiptar që transformon misterin e jetës në fakt historik të përshtatshëm për teoritë e tij ideologjike.
Sot ekziston një okultizëm teknologjik, okultizëm bankar dhe monopolizëm shkencor, ky është misteri i kohës sonë moderne. Në Mesjetë dhe në Rilindjen Europiane ekzistonte një mister tjetër, ai i mistikëve, tempullarëve, alkimistëve dhe i ndërtuesve të katedraleve. Kjo botë u rrezikua nga dyndjet osmane dhe Gjergj Kastrioti, si fisnik i asaj kohe, rrjedhimisht i ndërgjegjshëm për vlerat e saj, e mbrojti me vetëdije këtë kulturë. Po të përdorim një llogjikë tjetër ultra historike ai ishte nga të fundit tempullarë, ishte pjesë e atij organizimi gjigand evropian i mjeshtrave që nuk njohin kohën, i dijes mistike të alkimistëve ku edhe fisnikët shqiptarë të mesjetës mund të kenë pasur përvojat e tyre jo më pak inferiore se ato evropiane. Familjet e princave të mesjetës njiheshin si të tillë për nivelin e kuptimit dhe ruajtjes së dijeve arkane. Princat shqiptarë të atyre kohërave bënin pjesë në zinxhirin e madh evropian. Ruajtja e sekreteve ishte një nga cilësitë e tyre prandaj gjenden pak materiale lehtësisht të kuptueshme për të gjithë.
Kjo fushë është një pjesë e historisë së Evropës mjaft e fshehtë me një llogjikë të veçantë kërkimi me vlera shumë specifike por edhe e denigruar shumë nga pozitivizmi dhe materializmi i shekujve të fundit, viktimë e të cilës janë edhe një pjesë e historianëve. Në këtë fushë mund të hyet nëpërmjet simboleve dhe gjuhës së tyre, aq e dashur për mendimtarët e asaj kohe. Ata flisnin me gjuhën e analogjisë së kodeve, stemave, që i vendosnin në veshjet e tyre, në përkrenaret e tyre, që tregonin gradën e caktuar të evoluimit në dijen, artin e madh të asaj shkence mistike mbarëevropiane, që ishte edhe faktori i vërtetë i bashkimit të asaj Evrope. Kudo që shkonte një kalorës, mbret, në rastin tonë Skënderbeu, paraqiste simbolet e tij të fisnikërisë që kishin një gjuhë universale, gjuhë e njohur nga fisnikët por jo nga masat e popullsisë. Përkrenarja ishte një objekt me funksion të tillë se praktikisht nuk mund të mbahet në kokë.
Njohësit, gnostikët ishin mjeshtra të dijes së asaj kohe, të dijes arkane (dije sekrete të antikitetit) të shkallëzuar sipas nivelit të njohjes në fusha si ajo e astronomisë, astrollogjisë, matematikës, alkimisë. Për kulturën e shumë studiuesve tanë pro fesionistë, alkimia është karikatura e kimisë. Por le ta gëzojnë ata injorancën e tyre, alkimia e asaj kohe ishte shkenca e evoluimit total të njeriut nëpërmjet një disipline të caktuar, sekrete, privilegj i kastave fisnike. Metalet që ata kthenin në ar dhe guri filozofik i tyre ishte realizimi i vetëdijes totale, rezatuese dhe hyjnore. Njohja e këtyre sekreteve atje është shumë e vështirë edhe për faktin se kjo dije përdor me qëllim një gjuhë të kodifikuar për të devijuar kuriozët e sipërfaqshëm. Atje ku mundi por edhe dëshira e ndryshimit të vetvehtes, transformimit të unit, është premisë e parë që ato sekrete të dorëzohen shkallëshkallë.
Kastriotët, midis lindjes dhe perëndimit, mbanin stemën e shqipes me dy kokë por e veçanta është se Skënderbeu mbajti veç saj, si personale, përkrenaren e famshme të tij. Çfarë do të thotë ai me ato dy brirët e cjapit? Kujt i drejtohej ai me ato simbole surrealiste dhe përse fisnikë të tjerë shqiptarë pas tij ose njëkohësisht me të nuk e mbanin atë simbol? Mos ndoshta duheshin merita të caktuara për të mbajtur një përkrenare me të tilla simbole? Përse kjo përkrenare u transportua brez pas brezi dhe u ruajt në muzeun e Vjenës? Në një moment të historisë sonë të diturit mund të kenë munguar në këto troje, por nëpër Europë kanë ditur të fshihen dhe të mbijetojnë.
Po t’i hedhim një sy Mesjetës me respekt për dijet dhe kulturat e saj, pa arrogancën e të diturit modern dhe po ta pranojmë si të mirëqenë filozofinë e asaj kohe do të zbulohen koiçidenca interesante. Duke përdorur edhe ne analogjinë si metode studimi (ndërkohë që antikët e përdornin si metodë njohëse) do të vëmë re se nga astrologët e asaj kohe shenjat astrologjike kishin të bënin me një domethënie të caktuar që lidhej me nivelin e dijes dhe llojit të planetit që e dominon atë. Për ta, pra për mjeshtra në nivele të larta të alkimisë dhe astrologjisë, dihej se ai që dominonte shenjën e vështirë të Saturnit ishte kalorës i dijes në nivel shumë të lartë dhe për rrjedhojë mbante simbole në funksion të gradës, në rastin tonë bricjapin. Dijetarë dhe alkimistë të asaj kohe e dinin midis tyre se kapuçi i tejzgjatur dhe i përkulur që ata mbanin, simbolizonte bricjapin dhe i lejohej ta mbanin vetëm ata që në rrugën e njohjes Arkane dhe Ermetiste të kohës e njihnin misterin e rimishërimit. Kjo dije shpesh e luftuar nga Kisha zyrtare, por edhe nga islamizmi zyrtar që kanë deformuar vlerat e Mesjetës dhe për qëllime dogme kanë errësuar vlerat e atyre që dija i grinte mbi lindjen dhe perëndimin, njohësit e të vërtetave kozmike.
Rëndësia e veçantë dhe njëkohësisht sekrete e kësaj shenje zodiakale, pra e bricjapit vjen nga lidhja e saj me Saturnin. Nga ky planet sipas Ermetistëve evropianë edhe lindorë shpirti fillon rrugën e tij drejt rilindjes, rimishërimit dhe duke kaluar sferat planetare arrin Hënën ku ndalon për të parë kozmosin në pritje të momentit dhe horoskopit të përshtatshëm, nëse mund të shprehemi kështu, për të rilindur në botën e mishit e të kockës. Simboli i bricjapit ka qenë i përdorur me këtë kuptim edhe në Orient, por në Perëndim është reduktuar në figurën e cjapit. Në Mesjetë zakonisht ishte edhe një kombinim cjap-peshk (Saturni- Hëna). Në kristianizmin e hershëm Krishti u prezantonte në imazhe fetare simbolikisht si peshk. Ai superoi e sfidoi vdekjen. Në imazhet më antike babiloneze prezantohet një cjap me bishtin e një peshku. Ky kombinim i dyfishtë kishte një domethënie të thellë Arkane. Bricjapi mbretëron në të vërtetë si mbi njeriun e brendshëm ashtu edhe mbi atë të jashtëm, pra simbas mentalitetit të asaj kohe njeriu Bricjap simbolizon bashkimin e strukturës së brendshme me të jashtmen. Arritja e këtij uniteti ishte qëllimi i shkollave antike dhe mesjetare. Bricjapi udhëhiqet nga Saturni, zoti i kohës, prandaj në Antikitet kjo lidhet edhe me shpatën, që mbron jetën e dominon vdekjen. Një gravurë veneciane e paraqet Gjergjin me shpatë në dorë dhe me përkrenaren të mbështetur në tokë. Ekziston një lidhje midis ndërtuesve të katedraleve dhe Bricjapit, strukturave të mëdha arkitektonike e të numerologjisë indiane, misteret Arkane të Bricjapit ato i quanin “makara”.
Kjo ishte zgjuarsia Arkane e Tempullarëve, mbrojtësve të Kristianizmit të vërtetë që nuk ka qenë as lindor as perëndimor ne  esencën e tij. Mund të kujtojmë se Evropa e hershme dhe e sotme e njeh Gjergj Kastriotin si mbrojtës të Kristianizmit, i vetëdijshëm edhe për vlerat mistike-ezoterike të tij.
Në sistemet Kabalistike, në simbolet e letrave të tarokut, gjejmë përsëri cjapin dhe e gjithë kjo do të mbetej një lojë koiçidencash absurde po të mos përdorim teknologjinë e të menduarit të asaj kohe, analogjinë që na fton t’i shikojmë me shumë kuriozitet e vëmendje simbolet e përkrenares së Skënderbeut. Ne nuk na intereson se dikush i beson ose jo këto teori mesjetare, por jemi të sigurt se me këto mendësi lindnin edhe vdisnin njerëzit e asaj kohe.
Për përkrenaren e Skënderbeut ka shume fabula e histori përsa i takon dhisë së zgjedhur nga ai si simbol. Për na duken jo fort bindëse po të kemi parasysh përgjegjësinë e simboleve në atë kohë dhe kotësinë e tregimit të këtyre përrallëzave popullore në oborret fisnikërore të Evropës. Siç e dimë ishte një Evropë kristiane me themele të dijes mistike ku respekti dhe njohja që Skënderbeu gjente në ato oborre vinte nga këto vlera të dijes që ai pa tjetër duhet t’i zotëronte. Ai mbante simbolin e cjapit për ato motive të vlefshme okulte që përmendëm, në shenjë grade dhe respekti, ai përfaqësonte shkollën shqiptare okulte, njohëse dhe trasmetuese e traditës së mistereve po aq antike sa vetë shqiptarët. Pas tij kjo shkollë ezoterike shkrihet.
Që atëherë në nuk e gjejmë më të përdorur simbolin e cjapit ose dhisë dhe që atëhere u çorodit dhe humbi vula antike e shqiptarëve e kërkuar, dhe dëshiruar më vonë nga të gjithë patriotët. / Prof. Mihallaq Zhavo

GJYQI I NYRENBERGUT, Agonia e vrasësve

nuremberg-trialDeshmite e dy te pranishmeve, nje psikolog dhe nje gazetar, ne paraden e vdekjes. Rrefim per momentet e fundit te te denuarve me vdekje ne Nyrenberg
Në nëntor 1945, 41 vetë qëndronin në bangën e të akuzuarve në një gjykatë në Nyrenberg. Në “tavë” ishte jeta e tyre. Grupi përfshinte “ajkën” e lidershipit nazist, duke përfshirë Herman Gëringun, njeriu më i afërt dhe trashëgimtari i paramenduar i Hitlerit, deri kur ky i fundit e largoi në ditët e fundit të luftës, dhe Rudolf Hesi, zëvendësi i Hitlerit, i cili kish qenë kapur rob që kur ish hedhur me parashutë në Angli në vitin 1941. (I akuzuari i 22-të, Martin Borman, i kishte shpëtuar kapjes dhe gjykohej në mungesë).
Secili prej tyre akuzohej për një ose më shumë akuza: planifikim për kryerjen e krimeve; krime kundër paqes; krime lufte; krime kundër njerëzimit. Akuzat specifike përfshinin vrasjen e mbi 6 milionë hebrenjve, zhvillimin e një lufte agresive, brutalitetin e kampeve të përqëndrimit si dhe përdorimin e punës skllavëruese. Gjykatësit përfaqësonin fituesit e mëdhenj të luftës në Evropë – Britania, Franca, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Të gjithë të akuzuarit pretenduan pafajësinë, shumë prej tyre deklaruan se kishin zbatuar vetëm urdhërat, ndërsa të tjerë vinin papushim në dyshim autoritetin e gjykatës.
Verdikti u shpall në 1 tetor 1946. Tetëmbëdhjetë prej të akuzuarve u shpallën fajtorë ndërsa tre prej tyre u liruan. Njëmbëdhjetë prej atyre që u shpallën fajtorë u dënuan me vdekje me varje, ndërsa pjesa tjetër u dënuan me burgim, nga dhjetë vite, në burgim të përjetshëm.
Reagimi
Dr. G. M. Gilbert ishte një psikolog burgu të cilit iu ngarkua detyra e monitorimit të sjelljes së të akuzuarve, ndërkohë që zhvillohej gjyqi. Ai u bë gradualisht shumë i afërt me të gjithë të akuzuarit dhe ishte i pranishëm kur secili prej tyre u shoqërua nga salla e gjyqit drejt qelisë, pasi dëgjuan verdiktin. Përshkrimi i tij për reagimin e secilit individ ofron një pamje depërtuese në mendjen e hierarkisë naziste. Ja disa prej vëzhgimeve të tij:
“Gëringu erdhi i pari dhe eci me hapa të mëdhenj drejt qelisë, me fytyrën të verdhë e të ngrirë, dhe sytë të fryrë. “Vdekje!”, tha teksa u shemb në shtratin portativ dhe zgjati dorën të merrte një libër. Duart i dridheshin, pavarësisht se përpiqej të tregohej mospërfillës. Sytë i ishin përlotur dhe gulçonte, duke u përpjekur fort të ndalte një shpërthim emocional. Më kërkoi me zërin që i dridhej, që ta lija vetëm për pak caste.
Kur Gëringu e mblodhi veten mjaftueshëm për të qenë në gjendje të fliste, tha se e kish pritur dënimin me vdekje, dhe ishte i kënaqur që nuk kish marrë një dënim me burgim të përjetshëm, pasi ata që dënohen me burgim të përjetshëm nuk bëhen kurrë martirë. Por në zërin e tij tashmë mungonte kapadaillëku i dikurshëm. Me sa duket, Gëringu kuptoi se nuk ka asgjë argëtuese tek vdekja, kur je ti njeriu që do të vdesësh.
Hesi erdhi i kapardisur, duke qeshur plot nervozizëm dhe tha se as nuk kish dëgjuar, kështu që nuk e dinte se cili kish qenë dënimi dhe, për më tepër, as nuk i interesonte. Teksa roja i hiqte prangat, ai pyeti përse atë e kishin prangosur, ndërsa Gëringun jo. I thashë se ndoshta kish qenë një mungesë vëmendje me të burgosurin e parë.
Hesi qeshi sërish, dhe me një ton misterioz tha se e dinte arsyen. (Një rojë më tha se Hesin e kishin dënuar me burgim të përjetshëm).
Ribentropi hyri i shkujdesur, i shtangur dhe nisi të vijë vërdallë qelisë duke pëshpëritur: “Vdekje! Vdekje! Tani nuk do të jem në gjendje të shkruaj kujtimet e mia të bukura. Sa shumë urrejtje!” Më pas u ul, një njeri krejt i dërrmuar, dhe nguli sytë kush e di se ku…
Keiteli ndodhej tashmë në qelinë e tij, me shpinën nga dera, kur hyra brenda. Ai u kthye menjëherë, me grushtat shtrënguar dhe me tmerr në sy. “Vdekje – me varje!”, deklaroi me zërin e ngjirur dhe shumë i turpëruar. “Këtë, të paktën mendoja se do të ma kursenin. Nuk të vë faj që qëndron në distancë nga një njeri i dënuar me vdekje, me varje. E kuptoj shumë mirë. Por unë jam ende i njëjti, si më parë. Do të të lutesha të më vizitoje ndonjëherë në ditët e fundit”. I thashë se do të vija.
Doenitzi nuk e dinte se si ta merrte atë që sapo kish ndodhur. “Dhjetë vite”! përsëriste.
Jodli eci me hap ushtarak drejt qelisë, duke shmangur veshtrimin tim. Pasi i kishin hequr prangat dhe u ndodh përballë meje në qeli, ai hezitoi për disa sekonda, a thua nuk po mundej të nxirrte fjalët nga goja. Fytyra i ishte bërë e kuqe nga tensioni. “Vdekje – me varje! Këtë nuk e meritoja. Dënim me vdekje – dakord, dikush duhet të marrë përgjegjësinë. Por këtë – zëri iu drodh për herë të parë. Këtë nuk e meritoja”.
Speeri qeshte me nervozizëm. “Njëzetë vite. Epo, jo keq. Nuk mund të më kishin dhënë një dënim më të lehtë, duke patur parasysh faktet, dhe nuk ankohem. E thashë se dënimet duhet të jenë të rëndë, dhe unë pranova pjesën time të fajit, kështu që do të ishte qesharake po të ankohesha për ndëshkimin”.
Ekzekutimet
Ekzekutimet me varje u kryen në orët e para të mëngjesit të datës 16 tetor 1946, në një palestër të vogël të ngritur në oborrin e burgut. Tri trekëmbësha u vendosën për këtë qëllim – dy për t’u përdorur njëri pas tjetrit dhe një i tretë si rezervë. Ekzekutimet u kryen me shpejtësi – e gjithë procedura zgjati jo më shumë se tri orë e gjysmë. Herman Gëringu e mashtroi ekzekutuesin duke gëlltitur një pilulë cianuri e duke vdekur kështu në qelinë e tij, pak çaste përpara se të vinin ta merrnin. Kingsbury Smith ishte një gazetar i International News Service dhe ai u përzgjodh si i vetmi përfaqësues i shtypit amerikan në ekzekutimet. Ja disa prej vëzhgimeve të tij:
“Von Ribentropi hyri në sallën e ekzekutimit në orën 1:11 të mëngjesit. Ai u ndal menjëherë që te dera nga dy reshterë të ushtrisë, të cilët i mbanin krahët, ndërkohë që një i tretë që e kish shoqëruar brenda i hoqi prangat nga duart dhe ia zëvendësoi me një rrip lëkure. Fillimisht plani kish qenë që të dënuarit të lejoheshin të ecnin nga qelia në sallën e ekzekutimit me duart e palidhura, por të gjithë u prangosën menjëherë pas vetëvrasjes së Gëringut. Von Ribentropi ishte në gjendje të ruante deri në fund stoicizmin. Ai eci pa u lëkundur drejt podiumit i shoqëruar nga dy rojet, por nuk u përgjigj fillimisht kur një oficer që qëndronte pranë trekëmbëshit nisi formalitetet e rastit, duke e pyetur për emrin. Kur pyetja u përsërit, ai pothuajse ulëriti: “Joakim von Ribentrop”, dhe më pas ngjiti shkallët pa kurfarrë hezitimi. Kur e rrotulluan në platformë për të parë në sy dëshmitarët, u duk sikur shtrëngoi dhëmbët dhe ngriti kokën lart, me atë arrogancën e dikurshme. Kur e pyetën nëse kish ndonjë mesazh të fundit, ai tha: “Zoti e ruajtë Gjermaninë”, në gjermanisht dhe më pas shtoi: “Mund të them diçka tjetër?”
Përkthyesi bëri me kokë dhe ish magjstari diplomatik i nazistëve tha fjalët e fundit me zë të lartë: “Dëshira ime e fundit është që Gjermania të kuptojë qenien e saj dhe që ky kuptim i ekzistencës të arrihet mes Lindjes dhe Perëndimit. Uroj paqe për botën”. Teksa kapuçi i zi iu vendos në kokë, Ribentropi nguli sytë përpara. Më pas, ekzekutuesi përshtati litarin, tërhoqi levën dhe Ribentropi rrëshkiti drejt fatit të tij.
Keiteli hyri në dhomë dy minuta pasi laku kish rënë nën Ribentropin, ndërkohë që ky i fundit ishte ende në fund të litarit. Por trupi i Ribentropit u fsheh brenda trekëmbëshit të parë; gjithë sa mund të shihej ishte një litar i tendosur.
Keiteli nuk ishte aq i tensionuar sa Ribentropi. Ai e mbante kokën lart, ndërkohë që i lidhnin duart dhe nisi të ecë me trupin e drejtuar per nga trekëmbëshi. Kur e pyetën për emrin, ai u përgjigj me zë të lartë dhe hipi në podium, ashtu si do të kish hipur në një podium tjetër, për të marrë një përshëndetje nga ushtria gjermane.
Sigurisht që nuk kish nevojë për ndihmën e rojeve, që i qëndronin në të dy anët. Kur u kthye, hodhi sytë nga të pranishmit me pamjen arrogante e nofullat e hekurta të një oficeri prusian. Fjalët e tij të fundit ishin: “I bëj thirrje Zotit të gjithëpushtetshëm që të ketë mëshirë për popullin gjerman. Përpara meje, më shumë se 2 milionë ushtarë gjermanë vdiqën për tokën mëmë. Unë tani ndjek bijtë e mi – gjithçka për Gjermaninë”.
Në paradën e vdekjes, radhën e kishte Hans Franku. Ai ishte i vetmi prej të dënuarve që hyri në sallë me një buzëqeshje në fytyrë. Ndonëse ishte nervoz dhe gëlltitej shpesh, ky njeri, që ish konvertuar në katolik pas arestimit, të jepte përshtypjen e dikujt që ndihej i çliruar nga fakti që do të lante mëkatet.
U përgjigj me zë të ulët kur e pyetën për emrin dhe kur i thanë nëse kish ndonjë deklaratë të fundit për të bërë, ai u përgjigj me zë të ulët, pothuajse si një pëshpërimë: “Jam mirënjohës për trajtimin e mirë që më është bërë gjatë kohës në burg dhe lus Perëndinë të më pranojë duke patur mëshirë”.
I nënti në procesionin e vdekjes ishte Alfred Jodli. Ai hyri në sallën e ekzekutimit me shenja të dukshme nervozizmi. Lagte vazhdimisht buzët dhe në fytyrë dukej i dërmrmuar teksa ecte, jo aq rregullt sa Keiteli, nëpër shkallët e podiumit. Megjithatë, zëri i tij ishte i qetë dhe ai pëshpëriti gjashtë fjalët e tij te fundit mbi tokë: “Unë të përshëndes ty, Gjermania ime!”
Në orën 2:34 të mëngjesit, Jodli u zhyt në vrimën e zezë të trekëmbëshit.
I fundmi i të dënuarve u ekzekutua në orën 2:38 të mëngjesit. Ndonëse Herman Gëringu i kish shpëtuar lakut, vdekja e tij duhej të shpallej zyrtarisht: Dyert e palestrës u hapën sërish dhe brenda hynë rojet që mbanin si barelë trupin e Gëringut.
Ai ia kish dalë mbanë duke prishur planet e Këshillit të Kontrollit të Aleancës, që dëshironin që ai të udhëhiqte paradën e nazistëve të dënuar që shkonin drejt vdekjes. Por përfaqësuesit e këshillit ishin të vendosur që Gëringu duhej të paktën të zinte vendin e tij si një i vdekur nën hijen e trekëmbëshit.
Rojet që e mbanin e ulën mes trekëmbëshit të parë dhe atij të dytë. Këmbët e zbathura të Gëringut dilnin jashtë një batanije ngjyrë kaki të ushtrisë amerikane. Njëri krah i mavijosur, tashmë varej nga njëra anë.
Koloneli i ngarkuar me procedurën urdhëroi që të hiqej batanija, me qëllim që dëshmitarët dhe korrespondentët e aleatëve të shihnin vetë se Gëringu kishte vdekur. Ushtria nuk dëshironte që të nxirrte krye ndonjë legjendë se Gëringu kish arritur të arratisej.
Kur hoqën batanijen, u shfaq Gëringu me pizhama mëndafshi të zi, me një bluzë ngjyrë blu mbi to, dhe kjo ishte e lagur, me sa duket si rezultat i përpjekjeve të doktorëve për ta risjellë në jetë.
Fytyra e këtij krimineli të shekullit të njëzetë ishte ende e shofrmuar nga dhimbja e momenteve të fundit në agoni. E mbuluan me shpejtësi dhe ky komandant nazist lufte humbi prapa një perdeje të errët, në faqet më të zeza të historisë.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...