Shkruan: Mr.sci.Flori Bruqi,cand.PHD
Tularemia ka shënuar rritje në Kosovë.Rrezik përmanent për këtë sëmurje ngjitëse janë personeli në institucionet parashkollore,shkollore,universitare(fëmjtë,nxënësit,studentet,personeli eduaktivo-pedagogjikë)pjesëtaret e Policisë së Kosovës,Forcat e sigurisë së Kosovës si dhe popullata në tërësi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike(IKSHK) është duke bërë mbikëqyrje permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes së sëmundjes së Tularemisë qysh në shpërthimin e parë nga viti 1999/2000, kur edhe është zbuluar epidemia e parë e kësaj sëmundje me 247 raste të sëmurëve.
Pas kësaj, IKSHP thotë se në vitin 2001-2002, paraqitet epidemia e dytë me 327 raste të të sëmurëve.
Në total nga viti 1999 e deri më 10 shkurt 2015 janë raportuar 1469 raste të sëmundjes të cilat kryesisht kanë qenë sporadike.
“Përndryshe, që nga viti 1999-2001, rastet e Tularemisë janë regjistruar në tërë territorin e Kosovës, dhe nga kjo periudhë, Kosova është zonë endemike me këtë sëmundje”, thuhet në raportin e IKSHP-së.
Gjendja aktuale
Nga 1 janari 2014 deri më 10 shkurt 2015, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 206 raste të Tularemisë (11.35 në 100.000 banorë). Ky numër, krahasuar me vitin 2013 (22 raste ose 1.2 në 100.000 banorë), tregon rritje të lartë të numrit të rasteve.
Ky trend i rritjes, sipas IKSHP-së, po vërehet edhe në janar të vitit 2015.
“Deri sot nuk është raportuar asnjë rast vdekjeprurës në tulatemi”, thuhet më tej në këtë raport.
Gjatë analizës së të dhënave, IKSHP ka vërejtur një shtim i numrit të rasteve me Tularemi gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, dhe vazhdon në muajin janar 2015.
Sa i përket konfirmimit laboratorik të rasteve, në periudhën tetor 2014 - janar 2015 në Departamentin e Mikrobiologjisë, janë testuar gjithsej 400 mostra dhe kanë rezultuar pozitive gjithsej 137 mostra ose 34.2 %.
“Rastet e rezultuara pozitive me numër më të lartë janë kryesisht të pjesës qendrore dhe lindore të Kosovës (rrafshi i Kosovës), ndërsa, në pjesët tjera regjistrohet numër më i ulët i rasteve”, thekson raporti.
Rastet e Tularemisë janë regjistruar në 19 komuna, me 88 vatra.
Komunat me sëmundshmëri më të lartë janë: Vushtrria, Obiliqi dhe Skenderaj ndërsa me incidencë më të ulët janë komuna e Prizrenit dhe Suhareka.
“Nga të dhënat e marra gjatë hulumtimit aktiv në terren, në familjet e të sëmurëve, raportohet për numër enorm të shtuar të brejtësve në këto rajone. Rruga e përhapjes së sëmundjes është uji i puseve dhe ushqimi i ruajtur në mënyrë jo adekuate, si dhe kontakti me gjësende të kontaminuara andaj qytetarët luten të kenë kujdes nga këto rrugë të përhapjes së infeksionit”, thotë IKSHP.
Masat e ndërmarra
Ekipet e Institutit Kombëtar me të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike kanë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese në terren sipas protokollit të sëmundjes.
“Duke pasur parasysh situatën aktuale epidemiologjike, Komiteti për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë sot ka shpallur epidemi në shkallë Kosove duke aktivizuar të gjitha ekipet e terrenit në parandalimin e rasteve të reja të sëmundjes”, thekson IKSHP në këtë raport.
Megjithatë, IKSHP thotë se situata epidemiologjike është nën kontroll të vazhdueshëm nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja.
Info: Tularemia është infeksion i zakonshëm në mesin e brejtësve të egër që kalon tek njerëzit përmes kontaktit me indet e kafshëve të infektuara apo edhe nga kafshimi apo pickimi i mizave apo mushkonjave.
Konform nenit 28 të Ligjit mbi Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmurjet Ngjitëse si dhe Udhëzimit Administrativ në mënyrë të obliguar duhet të aplikohet Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi i obliguar në këto insitucione(neni 1,2,3) gjegjësisht Dezinfektimi (nenet 4,5,67,8);
Dezinsektimi(neni 9,10,11,12,13,14);Deratizimi (neni 15,16,17,18,19,20,21).
Në shumë institucione aplikimi i masave të obliguara të D.D.D- së(në shumë institucione) tash e disa vjet nuk është zbatuar fumigimi( neni 22,23,24,25,26,27) si dhe masat e përgjithshme dhe të veçanta të mbrojtjës së popullatës nga sëmurjet ngjitëse(neni 28 pika 1,2;neni 29,30;31;32) si dhe asnjë Institucion shtetëror e asë privat nuk informon(Raporton) Kryeinspektoratin Sanitar të Republikës së Kosovës dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Republikës së Kosovës mbi evidentimin dhe Raportimin mbi aplikimin e masave të obliguara të DDD-së(konform nenit 33,34,35;36;37 etj).
Kryeinspektorati Sanitar i Kosovës është i obliguar sipas Ligjit(nenit 22,23 dhe 24) të Udhëzimit Administrativ të bëjë Mbikqyrjen Inspektuese si dhe profesionale mbi aplikimin e masave të obliguara.
Mbikqyrjen inspektuese mbi aplikimin e masave kundërepidemike të DDD-së duhet ta kryej inspekcioni sanitar,ndërsa mbikqyrjen profesionale e kryen IKSHP-ja dhe për këtë raporton me shkrimin Ministrinë e Shëndetësisë konform nenit 38;39,40,41,42,43,44,45,46,47,48,49,50,51.
*****
Shqipëria është e frikësuar nga rastet me sëmundjen tularemi të konstatuara në Kosovë.
Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri raporton se sot ka nisur një grup specialistësh për në veri, kryesisht në zonat e Kukësit dhe Hasit, për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë me epidemiologët dhe drejtuesit përkatës për sa i përket planit të masave dhe bashkërendimit të punës për përforcimin e mbikëqyrjes epidemiologjike lidhur me raportimet për shtim të numrit të rasteve të tularemisë në Kosovë, e cila njihet si zonë endemike për këtë sëmundje.
Gjithashtu, specialistët e ISHP-së kanë vendosur, dhe janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me epidemiologët e autoritetet përkatëse të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, për të siguruar informacion të hollësishëm rreth situatës epidemiologjike të tularemisë në Kosovë.
Megjithatë ISHP thekson se situata e përhapjes së kësaj sëmundjeje nuk paraqet asnjë rrezikshmëri në Shqipëri, dhe se në 10 vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rast të vetëm të raportuar me këtë patologji.
Tularemia është sëmundje kryesisht e kafshëve, posaçërisht e brejtësve. Burim i infeksionit të kësaj sëmundjeje janë kafshët e infektuara, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm.
Specialistë të ISHP-së thonë se është e rëndësishme të theksojmë se kjo sëmundje nuk përhapet nga njeriu tek njeriu.
Prishtinë,1/3/2015. Flori Bruqi
***************
Dëmtimet që shkakton tularemia
Tularemia është një sëmundje akute infektive, e shkaktuar nga një baktere e cila tek njerëzit bartet nëpërmjet brejtësve, kryesisht nëpërmjet ushqimit dhe ujit. Ajo manifestohet në mënyra të ndryshme klinike (dridhje, ethe, kokëdhembje, shtangim të nyjave, dhembje e muskujve, djersitje, etj.), por rastet më të shpeshta kanë të bëjnë me rritjen e gjëndrave limfatike. Njerëzit nxiten të ushtrojnë maturi: ta mbajnë ushqimin në vende të sigurta dha ta vlojnë ujin para se ta përdorin, nëse atë e marrin nga bunarët.
Përktheu: Prof.dr.sci. Lul Raka
Francisella tularensis rritet pak ose nuk rritet fare në shumicën e terreneve kultivuese dhe kërkon agar gjak special me glukozë dhe cisteinë. Gjatë përpunimit të mostrave për kultivim duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm, sepse kjo baktere është infektive edhe në doza shumë të vogla.
Epidemiologjia dhe simptomat
Francisella tularensis shkakton sëmundjen e tularemisë. Rezervarë parësorë të saj janë mijtë, brejtësit, lepujt, rriqrat etj. Njeriu më së shpeshti preket nga tularemia përmes thumbimit të insekteve (kryesisht rriqrave, por edhe insekteve të tjera) ose pas kontaktit me indet e kafshëve të sëmura. Sëmundja karakterizohet me ulqerë fokale në vendin e depërtimit të baktereve dhe rritjen e nyjave limfatike regjionale.
Mjaftojnë vetëm 10-50 mikrobe për të shkaktuar sëmundje te njeriu nëse inhalohen apo futen nëpër lëkurë, kurse për rrugën orale të infeksionit kërkohet një numër shumë i madh i tyre (108). Inkubacioni zgjat 3-10 ditë. Zakonisht, në vendin e hyrjes zhvillohet një papulë lëkurore e vogël. Ulcerimi shfaqet bashkë me ethe, rrëqethje, rraskapitje, lodhje dhe zakonisht limfadenopati. Pason bakteremia, me ç’rast mikroroganizmi rritet brenda qelizave në sistemin retikuloendotelial. Përhapja përmes qarkullimit të gjakut i mundëson francisellave të shpërndahen nëpër organe të ndryshme duke dhënë lezione fokale. Pacienti mund të zhvillojë disa sindrome klinike. Më së shpeshti vërehet forma ulceroglandulare (70-85%), në të cilën në vendin e infeksionit zhvillohet një papulë ulceroze me dhembje që ka qendër nekrotike dhe periferi të ngritur. Format tjera janë glandulare (limfadenopati pa ulcerë), tifoide, pneumonike, okuloglandulare dhe rrallë orofaringeale (tonzillofaringjit me limfadenopati).
Patogjeneza
Prania e kapsulës i mundëson kësaj baktere rezistencën ndaj fagocitozës. Gjatë qëndrimit brendaqelizor, mikrobi i reziston shkatërrimit nga fagocitet dhe shumëzohet në qelizë. Shumica e simptomave janë për shkak të mbindjeshmërisë së ndërmjetësuar qelizore.
Diagnoza
F. tularensis është vështirë të vizualizohet në përgatesat e ngjyrosura direkte. Mikroorganizmi mund të izolohet nga mostrat e sputumit dhe aspirateve të nyjave limfatike të inolukuara në agar çokollatë. Hemokulturat shpesh janë negative. Kjo baktere rritet shumë ngadalë, andaj duhet të inkubohet në termostat për disa ditë me radhë. Identiteti i kësaj baktere dëshmohet me antiserume specifike.
Parandalimi dhe kontrolli
Streptomicina është medikament i përzgjedhur për të gjitha format e tularemisë. Rastet e pamjekuara kanë shkallë të vdekshmërisë prej 5-15%. Ekziston një vaksinë nga mikrobet e gjalla të dobësuara, por përdoret vetëm te personat që janë të rrezikuar. Imuniteti ndaj sëmundjes duket se është qelizor. Në masat parandaluese bëjnë pjese shmangia e përpunimit të indeve të kafshëve të infektuara, kujdesi për rriqrat dhe shfrytëzimi i burimeve të pastra të ujit.
lul.raka@uni-pr.edu |
Profesor asistent |
Mikrobiologji,Mjekësisë sociale -Fakulteti i Mjekësisë |
+377(0)44 368 289 |
Profesor asistent në Katedren e Mikrobiologjisë, Mjekësisë sociale me statistikë mjekësore dhe informatikë, Mjekësisë familjare dhe Mjekësisë së punës, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës Specialist i Mikrobiologjisë |
********
(Pjesë nga Doktoratura)
Karakteristikat klinike, laboratorike, diagnostike dhe trajtimi i tularemisë në Kosovë në periudhën 2006-2011.
1.1 HISTORIKU I SËMUNDJES
Në vitin 1911, një shpërthim i një sëmundje si murtaja e brejtseve në provincën Tulare, Kaliforni - SHBA, ka dhënë izolimin e parë të një bakterje të vogël gram-negative, i cili u emërua si bakterje tularensis (3, 4). Emrin tularemia e ka marrë nga provinca Tulare /Kalifornia/SHBA/. Në vitin 1911-1912 Mc Coy-it, i cili e përshkroi si një sëmundje e ngjashme me murtajen e minjve – gjini Cilellius (4, 7, 8). Tularemia për herë të parë është paraqitur në shtetet skandinave, Norvegji më 1653, pastaj në Rusi dhe në Japoni.
Lepuri, me sëmundje të lidhura me tulareminë, ka qenë i njohur në Japoni që nga viti 1818, dhe ndoshta përshkrimi më i hershëm i një pacienti me tularemi padyshim është dhënë nga Homma-Soken në vitin 1837 (1, 32).
Në vitin 1912 Mc Coy dhe Choplin e zbuluan shkaktarin e sëmundjes dhe e emërtuan bacterium tularemia. Rasti i parë te njeriu që është konfirmuar, bakteriologjikisht e përshkroi Wherry Lamb në një infeksion të syrit të raportuar në vitin 1914 (1, 33).
Kurse në vitin 1916 dr. Eduard Fransis, sipas të cilit shkaktar i sëmundjes e ka marrë emrin Francisella. Ka dhënë kontribut të madh në njohjen e hershme të kësaj sëmundjeje, duke përfshirë edhe njohjen e rolit të këpushave dhe mizave si vektor dhe rëndësinë e lepujve si kafshë bartëse. Këtë sëmundje ai e ka zbuluar te 7 njerëz dhe 17 lepuj. Në vitin 1950 ka filluar imunizimi kundër tularemisë. Që atëherë paraqitet kohë pas kohe në raste sporadike apo si epidemi e vogël. Prej vitit 1953 - 1973 ka pasur mbi 200 raste me tularemi në ish-Jugosllavi, sidomos në Kroaci, por edhe në regjione të tjera. Sllovenia ka pasur tularemi nga lepujt e importuar nga Vojvodina. Tularemia mund të paraqitet kudo, por ato raste janë sporadike. Më së shpeshti paraqiten në këto shtete: Shtetet skandinave, Amerikë Veriore, Kanada, Itali, Kosovë, Turqi, ndërsa në Afrikë si raste sporadike, etj. (1, 2, 3, 4, 5, 7, 8, 11).
Nga tetori i vitit 1999 në Kosovë ka pasur një epidemi masive të tularemisë, e cila u karakterizua me një sërë rastesh humane, me manifestim klinik në formë adenopatish cervikale, aksilare etj. Në vitin 2010 ka pasur një numër prej rreth 324 raste me tularemi prej të cilëve 52 janë trajtuar në klinikën infektive (19, 20, 21, 22, 34, 37). Kjo sëmundje kryesisht kishte përhapje në fshatra, e cila në fillim përfshinte vetëm disa komuna, kurse deri në vitin 2010 sëmundja është përhapur në të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të tri komunave në pjesën veriore për të cilën nuk kemi informata (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan) (5, 19, 20, 21, 22, 37, 43). Sëmundja fillimisht u konsiderua si anginë ose tuberkulozë e gjëndrave pasi që sëmundja kishte dekurs më të zgjatur (59). Në këtë periudhë ka pasur ngordhje masive të minjve, shumë prej të cilëve u gjetën në puset me ujë të pijshëm. Në atë kohë ka pasur dyndje të popullatës nga shtëpitë e tyre nëpër male si pasojë e luftës. Këto kushte kanë ndikuar në kontaminimin e ushqimit. Kushtet socialo-ekonomike – higjienike, kanë qenë shumë të vështira (8, 9, 19, 20, 21, 22). Nga viti 2001 deri në vitin 2010 në Kosovë ka pasur 1221 ratse me tualremi(5, 19, 20, 21, 22, 28, 31, 34 ,35 ,37).
1.2 TULAREMIA SI ARMË BIOLOGJIKE
Francisella tularensis ka qenë një organizëm me interes si agjent kërcënues biologjik qyshse shtetet e mëdha kanë financuar programet e armëve biologjike, në vitet 1950, kur Shtetet e
Bashkuara të Amerikës kanë vlerësuar për herë të parë organizmat si një armë biologjike, dhe kjo ishte inkorporuar në armë bërthamore (3, 4).
Lufta biologjike përveç kundër njerëzve mund të jetë e drejtuar edhe kundër tërë botës së gjallë d.m.th. kundër botës shtazore dhe bimore. Lufta biologjike e shkatërron forcën ekonomike të kundërshtarit dhe krijon panik tek populli. Në vitin 1975 është nënshkruar Konventa Botërore që e ndalon përdorimin e armëve biologjike. Shkaktari i tularemisë mund të përdoret në disa mënyra si armë biologjike, por përdorimi në formë të aerosolit është më i rrezikshmi pasi që do të shkaktonte pasoja të mëdha në popullatën e gjerë, duke rrezikuar shëndetin publik në përgjithësi (8, 9).
Rreziku që vjen nga tularemia mund të menaxhohet si duhet, me kusht që sistemi publik shëndetësor është i përgatitur mirë. Në mënyrë që ta shmangim infeksionin laboratorik, masat e sigurisë janë të nevojshme dhe rrjedhimisht laboratorët klinikë në përgjithësi nuk pranojnë mostra për kulturë. Megjithatë, pasi që menaxhimi klinik i rasteve varet nga njohja e hershme, ekziston një nevojë urgjente për shërbimet diagnostike. Përveç shfaqjes së saj natyrore, F. tularensis shkakton shqetësim të madh si një agjent i mundshëm bioterrorit(2, 6). Paraqitjet e natyrshme të tularemisë janë të rralla, shpërthimet e saj të dokumentuara gjatë kushteve të luftës, në vitin 1942, gjatë betejës së Stalingradit dhe raportimi i qindra rasteve në Kosovë tregojnë që rreziku i rritur është i lidhur me ambientet e ndjeshme si p.sh. ato zona në të cilat agrokultura, uji dhe sanitaria e përgjithshme janë çrregulluar rëndë. F. tularensis është konsideruar si armë biologjike potenciale. Shkenctari rus Ken Alibeck, studiues i armëve biologjike ka sugjeruar se shpërthimi i epidemisë së tularemisë gjatë Luftës së Dytë Botërore që kishte për pasojë sëmurjen e mijëra ushtarëve rusë dhe gjermanë në Evropën Lindore si pasojë e përdorimit të qëllimshëm të francisella tularensis, si armë biologjike.
Francisella tularensis në fund të viteve të 60-ta ka qenë një nga shumë armët biologjike, e prodhuar nga ushtria e SHBA-ve. Sipas Alibeck - ut në fillim të viteve 90-ta një tentim paralel është bërë edhe nga Bashkimi Sovjetik. Ky studim rezultoi me prodhimin e shtamit të f. tularensis rezistent ndaj antibiotikëve dhe vaksinës. F. tularensis mund të përdoret si armë biologjike në disa mënyra, por forma aerosol do të shkaktonte dëme më të mëdha (2, 8, 9).
Në vitin 1969 një këshill ekspertësh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka llogaritur që me shpërndarjen e një sasie të aerosolit prej 50 kg të f. tularensis virulente mbi një zonë metropolitane me një popullsi prej 5 milionëve do të rezultonte me 250.000 individë të infektuar dhe 19.000 të vdekur. Lirimi i shkaktarit në rajone me popullsi të dendur do të pritej që të rezultonte në një numër të madh të rasteve me sëmundje akute febrile jo specifike, duke filluar 3 deri në 5 ditë pas ekspozimit, e në ditët dhe javët vijuese e shoqëruar me pleuropneumoni në shumë raste (2, 8, 37, 38, 39, 40, 41).
Do të pritej që sëmundja të rrezistonte për disa javë dhe po ashtu që ajo të rishfaqej në javët ose muajt vijues. Është menduar që individët e vaksinuar do të jenë vetëm pjesërisht të mbrojtur me rastin e ekspozimit të tyre ndaj aerosolit. Duke marrë parasysh këtë së fundmi Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka ekzaminuar ndikimin ekonomik të sulmeve bioterroriste dhe ka llogaritur që kostoja totale për shoqërinë nga sulmi me aerosol të f. tularensis do të jetë 5.4 miliardë dollarë për çdo 100.000 persona të ekspozuar (8, 42, 43, 44).
Sëmundjet tjera që mund të përdoren si armë biologjike janë:
Sëmundjet e traktit respirator si: murtaja (pestis), influenca (gripa), antraksi, sakagija, ethet Q, ornitoza të cilat manifestohen me këto simptome pengesa në frymëmarrje dhe infiltrim pulmonar.
Sëmundjet me karakter lokal si: pestis, tularemia, antrax, sakagija me manifestime në lëkurë dhe indin nënlëkuror. Simptoma me të cilin manifestohen këto sëmundje është edemi e gjëndrave lymphatike.
Sëmundjet tjera si: variola, malaria, kolera tifoja abdomoinale, dysenteria, denga, febris flava munden po ashtu të përdoren si armë biologjike (5, 6, 7, 8, 9, 10, 12, 29).
Për këtë arsye sot përdoren udhëzimet aktuale mbi tulareminë:
(1) të sigurojë informata mbi sëmundjen,
(2) të përshkruhen praktikat aktuale më të mira për diagnostikimin dhe trajtimin e saj në njerëz,
(3) sugjerimi i masave që ndërmerren në rast të epidemive dhe
(4) të jepen udhëzime se si të trajtohet f. tularensis në laborator.
Grupet e synuara për këto udhëzime përfshihen klinicistët, personelin laboratorik, punonjës të shëndetit publik, veterinerët dhe çdo person tjetër me një interes për zoonoza.
Udhëzimet janë rezultat i një bashkëpunimi ndërkombëtar, të iniciuar në një takim, i cili u mbajt në Bath, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në vitin 2003, vazhdoi në Umeå, Suedi, në vitin 2004 dhe përfundoi në Gjenevë, Zvicër, në vitin 2005 (2).
1.3 ETIOLOGJIA
Shkaktari francisela tularensis është kokobacil, gram negativ aerob, i palëvizshëm, intracelular fakultativ, nuk formon spore, ka kapsulën lipopolisaharidike shumë të ndjeshme(7). Ajo i përket një grupi të baktereve brendaqelizore, e cila përfshin mikrobakterjet listeria, legionella, brucella, coxiella dhe rickettsia (2). Francisella tularensis është njëri prej dy llojeve të gjinisë francisella, e cila është gjini e vetme e familjes francisellaceae, një anëtar i nënklasës gama të proteobacteria (21, 46). Familja dallohet nga një grup unik me karakteristika fenotipike, duke përfshirë një morfologji coccoidale, gram-negative,(46) me madhësi 0,15-1,5 milimikron është me forma të shumta (pleoform). Është shumë i qëndrueshëm në temperaturat e ulëta. Në temperatura të larta dhe solucione dezinfektuese ngordh shumë shpejt. Në temperaturë 56C ngordh për 10 min., e në solucione dezinfekutuse për 30 min.. Në temperaturë të dhomës, në hije e në vende të errëta ky mikroorganizëm mund të jetojë deri në 25 ditë (7, 8, 9). Kështu bie fjala në lëkurën e brejtësve të eksponuar në diell të fortë, mikroorganizmi ngordh për 3 orë, por mundet edhe më shpejt (7, 8, 9). Në kufomat e shtazëve të ngordhura nga tularemia kjo bakterie mund të jetojë deri në 40 ditë ndërsa në ujë deri 3 muaj (8). Në glicerol mund të qëndrojë e gjallë deri në dy vite, ndërsa tretja e formalinës 0,15% e mbyt për 24 orë. Është rezistent në temperatura të ulëta deri në – 70 gradë të Celsiusit (7, 8, 9).
Shkaktari i tularemisë në mjedise të caktuara nuk rritet mirë, por mund të rritet në kafshë laboratorike si minj, lepuj, derra etj., ose në mjedise ku ka glukozë, cistein dhe serum (8). Francisella rritet shumë ngadalë, për 7-14 ditë, në ushqimore cistein-glucose-agar e cila është ushqimore speciale për kultivimin e saj(8). Në gjakun e këtyre të sëmurëve 7-10 ditë pas fillimit të sëmundjes fillojnë të paraqiten aglutininet specifike të cilat shërbejnë për vënien e diagnozës së tularemisë (7, 8, 9).
Me ricaktim të fundit të francisella novicida si një specia e f. tularensis, aktualisht ka katër lloje të propozuara, secila prej të cilave paraqet karakteristika të dallueshme biokimike, epidemiologjike, dhe virulenca. (2, 46, 47). Të dy llojet F. tularensis dhe F. philomiragia kanë treguar ngjashmëri në rendin 16s të rRNA pre≥ 98,3% (2, 21).
Në gjininë e Francisela tularensis janë të njohura dy specie:
1) Francisela tularensis - tularensis tipi A dhe,
2) Francisela tularensis - holartica - tipi B.
Dallimi ndërmjet këtyre dy tipave behët në bazë të shpërndarjes gjeografike, reaksioneve të fermentimit dhe virulencës (1, 2, 8).
Fancisela tularensis nëntipi Tularensis (tipi A) është shumë më virulent dhe gjendet në Amerikë (2) dhe 90% të rasteve janë shkaktarë të sëmundjes në njerëz. Për njeriun është virulent për miun letal, fermenton glicerolin.
Tipi B (subsp. holarctica dhe subsp. mediaasiatica) dominonë në Amerikë Veriore, në Siberi dhe në disa vende të Evropës Qendrore. Këto shkaktojnë 5 -10% të rasteve të sëmundjes ndër njerëzit me një pasqyrë klinike të lehtë. Nuk është letal për miun, nuk fermenton glicerolin (40).
Deri më sot janë të njohura së paku 4 sub - tipe të fracisellës (32, 49, 50).
Shtamet e nënllojeve mediasiatica kanë qenë të izoluara vetëm në Kazakistan dhe Turkmenistan. Ka pak njohuri në lidhje me këto shtame, por studimet eksperimentale në lepuj kanë treguar një virulencës të moderuar të krahasueshme me atë të subspecies holarctica (2).
Subspecies novicida tregon një virulencë të ulët në modelet eksperimentale dhe shkakton sëmundje në individë të imunokupromituar, (51) por ajo nuk ka qenë e izoluar nga çdo kafshë. Megjithatë, izolatet e nënllojeve novicida kanë qenë të lidhura me transmetimin përmes ujit në Australi, Spanjë dhe SHBA (51, 52). Te izoluar nga Australia, është e vetmja lloji F. tularensis me origjinë nga hemisfera jugore deri më sot (2). Si një subtip i veçantë francisella tularensis sub.sp.novicida e cila është përshkruar si shkaktar në vetëm disa raste të sëmundjeve të ngjashme me tulareminë humane (51).
F. philomiragia është lidhur me ujin e kripur (Atlantikë dhe Mesdhe) dhe është me virulencë të ulët, edhe pse ai mund të shkaktojë sëmundje në individë, imunitet të kompromituar.
Francisela tularensis përmban antigjenin polisaharik, një antigjen proteinik që ndërvepron me brucellen, si edhe me yersinia pestis pasi që liron endotoksine (lipopolisaharadike) me veprime biologjike të ngjashme me bakteret e lartshënuara. Endotoksinat janë neutrotrope, dhe janë nekrotizuese për enët e gjakut. Këto janë proteinat dhe lipoproteinet lirohen nga francisella e ngordhur dhe janë helmuese për organizmin e njeriut dhe shtazëve. Francisella nuk prodhon egzotoksina(8, 53, 54, 55, 57, 58, 59).Edhe pse F. tularensis është shumë infektuese dhe patogjenike deri më sot, nuk është dokumentuar transmetimi i sëmundjes nga njeriu te njeriu.
1.4 EPIDEMIOLOGJIA
Tularemia shtrihet në tërë botën, në formë të epidemive të vogla, të mëdha ose në formë të rasteve sporadike. Tularemia nuk është një sëmundje e cila duhet të regjistrohet në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (WHO), dhe për këtë arsye incidenca e sëmundjes nuk është e njohur në gjithë botën (3).
Në Suedi, numri vjetor i rasteve të raportuara të sëmundjes në njerëz në periudhën 1973-1985 shkonte nga më pak se 5 raste deri në mbi 500 raste (10). Në Japoni 1.355 raste të tularemisë janë raportuar gjatë periudhës 1924-1987 (60). Në Turqi, 205 raste janë raportuar gjatë periudhës 1988-1998 (61), ndërsa në Sllovaki 126 raste të sëmundjes janë raportuar gjatë periudhës 1985-1994 (62). F. tularensis është menduar të mbahet në mjedis kryesisht nga gjitarët të ndryshëm tokësorë dhe ujor, të tilla si ketrat, lepujt, drerët, minjtë e fushës, minjtë e ujit dhe brejtësve të tjerë (10, 23, 24, 27 ).
Tularemia është zoonozë tipike, sëmundje primare e kafshëve të egra, sidomos brejtësve, lepujve, kitrave, minjve, etj. (42). Gati tërësisht është sëmundje e vendeve rurale, por në raste të rralla paraqitet edhe në vendet urbane dhe ato suburbane (10, 60).Sëmundja në mes shtazëve përhapet në mënyrë direkte ose indirekte përmes ushqimit, ujit, insekteve (morrat, pleshtat, rriqrat etj. (8). Te shtazët brejtëse paraqitet epidemia e kësaj sëmundje që njihet me termin epizootia (8).
Transmetimi i nënllojit F. tularensis është i lidhur me lepujt, rriqra dhe dele, ndërsa F. tularensis nënlloji holarctica është e izoluar shpesh në liqene, pellgje dhe lumenj (2, 46).
Tek njeriu tularemia lajmërohet zakonisht gjatë kontaktit me kafshët e infektuara ose me anë të vektorëve siç janë: rriqrat, morrat, pleshtat, ndonëse infeksioni mund të ndodhë në mënyrë aksidentale te personeli i laboratorit duke manipuluar me material infektues ose me thithjen e aerosolëve (23, 24, 25, 26). Të dy gjinitë dhe të gjitha moshat janë të rrezikuar njësoj nga sëmundja. Por për shkak të disa aktiviteteve - profesioneve të veçanta siç janë: gjuetia, profesioni i kasapit, bujkut, i bën që meshkujt të jenë të ekspozuar më tepër ndaj shkaktarit (4, 65, 66).Tularemia paraqitet zakonisht në veri të hemisferës dhe më shpesh në Skandinavinë, Amerikë Veriore, Japoni dhe Rusi (23, 24, 25, 26, 27).Megjithatë, tularemia kohët e fundit është raportuar në Turqi, Jugosllavi, Spanjë, Kosovë dhe Zvicër (28, 29, 30, 31), duke treguar se tularemia ka shpërndarje më të gjerë se sa ishte menduar më parë (Fig. 1).
Në Euroazi sëmundja konsiderohet si endemike, edhe pse numri më i madh i rasteve të shfaqjes së sëmundjes tek njerëzit është raportuar në pjesën veriore dhe qendrore të Evropës veçanërisht në shtetet skandinave dhe ato të ish - Bashkimit Sovjetik (27, 67).
Tularemia mund të paraqitet gjatë vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore të mëdha për arsye se numri i madh i minjve të ujit me këtë rast bën ndotjen e ujit dhe kështu vjen deri tek tularemia tek peshkatarët.
Në shumicën e vendeve ku tularemia është endemike, sëmundja është sezonale, incidenca e saj duket të jetë më e lartë gjatë fund të pranverës, muajve të verës dhe fillim të vjeshtës (68, 69, 70).
Tularemia është zakonisht sëmundje sezonale dhe paraqitet:
Gjatë pranverës dhe verës, ku është e lidhur me paraqitjen e insekteve (rriqrat, mizat, mushkonjat).
Gjatë verës së vonshme dhe në vjeshtë, në këtë periudhë paraqitet për shkak se kryhen shumë punë fushe dhe transmetimi i shkaktarit është më i shprehur me pluhur.
Në vjeshtën e vonshme dhe në dimër, është e lidhur me sezonin e gjuetisë (lepujt dhe shtazët tjera të egra)
Tularemia si sëmundje asnjëherë më parë nuk është evidentuar në Kosovë, qoftë me tablo klinike të qartë apo në formë atipike deri në vitin 2000 (9).
Në periudhën e pasluftës në Kosovë janë diagnostikuar rastet e para të sëmundjes në pjesën jugperëndimore të Kosovës, në rajonin e Gjakovës, në prill të vitit 2000 (5, 8, 19, 20, 22, 30). Sëmundja kishte shtrirje të gjerë, kështu 22 raste ishin të fshatit Brovinë, të cilët konsumonin ujin e pishëm nga ujësjellësi lokal i fshatit, si dhe nga 1 rast prej Skivjanit, Batushës dhe Korenicës, të cilët kanë pas lidhshmëri të drejtpërdrejtë me burimin e infeksionit në Brovinë (5, 8, 9, 19, 20, 22, 30). Sëmundja ka vazhduar paraqitjen e saj në formë sporadike dhe që nga viti 2000 deri në vitin 2010 në Kosovë janë evidentuar 1221 raste me tularemi dhe sëmundja ka përfshirë të gjitha komunat e Kosovës (5, 8, 9, 19, 20, 22, 30 ).
1.6 RRUGËT E PËRHAPJES
F. tularensis transmetohet tek njerëzit
1. Nga kafshimet e arthropodeve,
2. Nga kontakti i drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, indet infektive të kafshëve apo lëngjet,
3. Nga gëlltitja me ujë të kontaminuar apo ushqim, ose
4. Nga inhalimi i aerosolës infektive.
Në rajonet ku tularemia është endemike, antitrupat në f. tularensis janë zbuluar shpesh në serumin e kafshëve të egra të ngujuara (2, 3).
Rrugët e përhapjes nëpërmes të cilave mund të vij deri tek infektimi i njeriut me shkaktarin e tularemisë janë të shumta:
1. Kontakti i drejtpërdrejtë me indet e kafshëve të infektuara gjatë rjepjes së lëkurës ose nëpërmjet pickimit nga këpushat (chrysops discalis) apo të mushkonjave (aedes cinereus). Mënyra më e shpeshtë e infeksionit me francisella tularensis zakonisht është gjatë inokulimit të shkaktarit nga kafshët e sëmura në lëkurën ose mukozën e njeriut (1, 2, 8, 9).
2. Rrugët alimentare - kur infeksioni ndodh me përdorimin e ushqimit të ndotur me fekalijet apo urinën e kafshëve të infektuara si p.sh. minjtë, në rastet e konsumimit të mishit të kafshëve të infektuara kur mishi i tyre nuk është përpunuar mirë, ose kur përdoret uji i kontaminuar (7, 8).
Simoni dhe Karpovi kanë pasur sukses në izolimin e bacilit të tularemisë në ujë dhe kanë vërtetuar që ekziston mundësia e epidemisë hidrike (30).
Është vërtetuar eksperimentalisht se nevojitet sasi e madhe e mikroorganizmave që të zhvillohet infeksioni.
3. Me rrugë aerogjene - shkaktari ka mundësi të hyjë në organizëm përmes rrugëve të frymëmarrjes me rastin e aspirinit të pluhurit që përmban shkaktarin e sëmundjes p.sh. duke hequr mullarin ose duajt e kashtës që kanë qëndruar një kohë të gjatë në fushë të cilët shërbejnë si fole e minjve, në këtë mënyrë njeriu vjen në kontakt me pluhurin që ngritet në ajër nga kashta e ndotur me jashtëqitje të minjve, me këtë rast ai aspiron edhe mikrobet e tularemisë. Në këtë mënyrë mund të infektohet fyti dhe konjuktiva (8, 9).
Rrallë mund të paraqitet sëmundja tek njeriu pas kafshimit të shtazëve (qenit, maces etj.), i cili ka ngrënë mishin e kontaminuar (që është infektuar nga lepujt) ose nga shtazët tjera që e kanë shkaktarin në gojë. Shtazët shtëpiake nuk sëmuren nga tularemia (8, 30 , 42).
1.7 PATOGJENEZA
F. tularensis nënlloji tularensis (lloji A) është një nga sëmundjet më infektuese të njohura në mjekësinë njerëzore (71). Doza infektive tek njerëzit është shumë e ulët, disa deri në 10 bakterie, kur injektohet nën lëkurë dhe 25 kur merret si një aerosol (71, 72, 73). Për shembull, në Vineyard Martha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy adoleshentët janë sëmurë nga tularema, forma respiratore pas kositjes së barit në një zonë (74). Besohet se një aerosol i nënllojit F. tularensis u gjenerua pas trupave të pajetë të një lepuri, i cili kishte ngordhur nga tularemia dhe ishte copëtuar aksidentalisht (2).
Bacili i tularemisë hyn në organizëm nëpërmjet të lezioneve apo gërvishtjeve në lëkurë, mukozave (konjuktivale, respiratore, digjestive).
Pas disa ditëve në vendin e hyrjes zhvillohet infiltracioni lokal i cili çon në formimin e një ulcere. Inflamacioni përhapet në nyjet limfatike regjionale në të cilat zhvillohet një proces inflamator lokal. Më së shpeshti atakohen gjëndrat limfatike në qafë, aksillë ose ato kubitale, traheobronkiale, më rrallë ato mezenteriale. Depërtimi i mëtejmë i shkaktarit në qarkullim të gjakut shkakton bakteremi akute kalimtare gjatë fazës akute të sëmundjes dhe rezulton me shpërndarjen nëpër organet parenkimatose, sidomos në mushkëri, mëlçi, shpretkë dhe në palcën kockore. Lezionet karakteristike që shkaktohen në sistemin retikuloendotelial janë granulomat që mund të kalcifikojnë dhe të formojnë abscese të vogla të cilat edhe mund të supurojnë. Të njëjtat ndryshime mund të gjenden edhe në organe tjera të brendshme. Në këto granuloma formohet nekrozë me infiltrim të qelizave të tipit limfocitar dhe prani të qelizave që shpesh herë ngjajnë me ndryshime tuberkulare (1, 4, 8, 41, 44).
Vetëm më pak se 10 bacile të tularemisë duke u futur nëpërmjet lëkurës ose me rrugët e frymëmarrjes janë të mjaftueshme për të shkaktuar infeksionin, ndërsa duhet një sasi shumë më e madhe e baktereve të gëlltiten për të shkaktuar sëmundjen (71, 72, 73, 74).
Nga aspekti patogjenetik, në vartësi nga porta hyrëse e shkaktarit dhe lokalizimi i infeksionit dallohen këto forma klinike (patogjenetike) të sëmundjes:
Forma ulcero-bubone - atëherë kur shkaktari hyn nëpër lëkurë
Forma bubono-okulare - kur shkaktari futet nëpërmjet konjuktivës së syrit.
Forma angino-bubonike - kur shkaktari hyn nëpërmjet gojës dhe lokalizohet në barrierën e parë që janë bajamet.
Forma pulmonale- kur shkaktari futet më rrugët aerogjene në mushkëri.
Forma abdominale - intestinale - kur shkaktari hyn nëpërmjet gojës dhe pasi kalon të gjitha barrierat arrin të vendoset në aparatin limfatik të zorrëve të holla, kryesisht në gjëndrat mezeneteriale.
Forma septike primare e infeksionit - që mund të vijë nga çdo rrugë e infeksionit dhe shfaqet tek personat me rezistencë të ulur (7, 8, 42).
Lexoni:
http://live.kallxo.com/sq/MTL/Per-Nje-Vit-206-Kosovare-te-Prekur-nga-Tularemia-4816
----------------------
PROTOKOLI I MENAXHIMIT TË TULAREMISË
Tularemia është sëmundje kryesisht e kafshëve, posaçërisht e brejtësve, në kushte natyrore sëmundja shfaqet te më shumë se njëzet lloje kafshësh të egra dhe shtëpiake. Sëmundja bartet në njerëz përmes ujit/ushqimit të kontaminuar, ajrit të ndotur dhe me rriqëra. Sëmundja në njerëz zakonisht paraqitet në formë sporadike e rrallëherë në formë epidemike qoftë masive apo lokale.
Burimet natyrore të infeksionit gjenden në hemisferën veriore, në Amerikë dhe shumicën e vendeve evropiane, ish Bashkimin Sovjetik, Turqi, Izrael, Iran, Kinë, Japoni dhe Tunizi.
Shkaktar i tularemisë është Francisella tularensis (Pasteurella, Bacterium tularense). Është bacil gram negativ, josporogjen, i palëvizshëm, kokobacil i kapsuluar me madhësi 0.15 – 1.5 mikrona. Ekzistojnë dy tipe antigjenike: A (F. tularensis ssp. tularensis) e cila dominon në Amerikën Veriore dhe është në 90% të rasteve shkaktar i sëmundjes në njerëz. Është virulent për njeriun dhe letal për miun – fermenton glicerolin. Tipi B (ssp. holarctica) dominon në Evropën Veriore, Siberi dhe në disa pjesë të Evropës Qendrore. Shkakton 5 – 10 % të rasteve të sëmundjes ndër njerëz. Tek njeriu shkakton forma të lehta klinike dhe është joletal për minjtë. Biotip special i këtij subspecie (biovar Japonica) është gjetur në Japoni. Është gjetur edhe subspeciesi mediasiatica në Azinë Qendrore në Rusi.
Sëmundja është e përhapur në zona të ndryshme gjeografike. Në Kroaci regjistrohet në vitin 1953. Por, sëmundja është e pranishme edhe në Itali, Austri, Turqi dhe prej vitit 1999 edhe në Kosovë. Sot sëmundja regjistrohet qoftë në formë sporadike apo të epidemive të vogla në disa shtete të Evropës, Azi, Amerikë Veriore dhe shtetet e Afrikës.
Periudha e inkubacionit zakonisht sillet prej 1 deri në 21 ditë mesatarisht 3 deri në 5 ditë.
Klinikisht sëmundja fillon me ethe, temperaturë, kokëdhembje, plogështi, anoreksi, vjellje. Temperatura lajmërohet për disa ditë me rradhë, pastaj bie për një kohë të shkurtër për t’u lajmëruar prapë së bashku me simptomet tjera të sëmundjes: kollitje, dhembje të muskujve, adenopati, dhembje fyti, dhembje barku, diarrhea dhe shqetësime në krahëror. Pasqyra klinike varet nga porta hyrëse e shkaktarit të sëmundjes me çrast dallojmë disa forma të sëmundjes:
1. Ulceroglandulare: paraqitet në 21–87% të rasteve. Karakterizohet me limfadenopati e cila mund të paraprihet nga lezionet lëkurore. Por, lezionet lëkurore mund të paraqiten edhe në të njejtën kohë me limfadenopatinë apo disa ditë pas saj. Ndryshimet në lëkurë fillojnë me një papullë të kuqe të dhembshme nën nyjet limfatike të prekura. Papulla mund të progredojë deri në nekrozë e cila lë ulceracione me kufi të mbledhur. Lokalizimi i ulcerës dhe limfadenopatisë në tërësi përputhet me historinë e ekspozimit. Adenopatitë cervikale dhe oksipitale janë të shpeshta ndër fëmijë, kurse ajo inguinale tek të rriturit.
2. Glandulare: paraqitet në 5-10% të rasteve. Karakterizohet me limfadenopati regjionale të butë, por pa lezione lëkurore evidente. Është proces i njëjtë me formën ulcero-glandulare vetëm se lezionet lëkurore mungojnë ose janë atipike. Nyjet limfatike të rritura mund të mbesin për një kohë të gjatë ashtuqë pacienti shpesh harron kohën e ekspozimit dhe a ishte në gjendje febrile. Sikur në formën ulceroglandulare nyjet limfatike mund të supurojnë.
3. Oculoglandulare: paraqitet në 0-5% të rasteve. Në 12% të pacientëve është e dyanshme. Ankesat e hershme janë fotofobia dhe lotim i tepruar. Gjatë ekzaminimit vërejmë konjuktivit ulceroz e shoqëruar me edem të kapakëve të syrit apo papula tek disa pacientë. Mund të shoqërohet me limfadenopati preaurikulare, submandibulare dhe të Rajonit të qafës.
4. Faringjeale: është variant i formës ulcero-glandulare. Lajmërohet në 0-12% të rasteve. Nga kjo formë më tepër preken disa anëtarë të familjes (në rast të epidemive familjare). Simptomë dominante është dhembja e fortë e fytit, tonsilit apo faringjiti exudativ. Ka raste kur mund të vërehen edhe një apo disa ulcera. Mund të preken edhe nyjet cervikale, preparotide dhe faringjeale, ku herë pas here mund të formohet abscesi.
5. Tifoide: nuk është e shoqëruar me limfadenopati. Kjo formë është prezente në 5-30% të rasteve. Simptomet kryesore janë: ethe, temperaturë, kokëdhembje, dhembje të muskujve, dhembje fyti, anoreksi, nauze, vjellje, dhembje barku dhe kollitje. Statusi objektiv karakterizohet me dehidrim, hipotension, adenopati cervikale, meningismus dhe tërheqje të barkut (barku është nën nivelin e krahërorit).
6. Pneumonike: lajmërohet në 7-20% të rasteve. Simptomet më të shpeshta janë: temperatura, kollitja, sekretim minimal i pështymës, dhembje pleurike të krahërorit. Statusi objektiv është jospecifik.
Forma tifoide dhe pneumonike janë tejet të rënda. Nëse nuk ndërmerren masat adekuate terapeutike dhe kundërepidemike shpesh mund të përfundojnë me vdekje.
Rezervoar dhe burimi i infeksionit: rezervoarë të sëmundjes janë: brejtësit, lepujt, minjtë, dhentë, qentë, dhelprat, sqarthet, kastori (Castor Canadensis), mini i ujit (Ondrata zibethicus), keterit etj. Kurse, vektorët të cilët mundësojnë bartjen e shkaktarit të sëmundjes në organizma tjerë të shëndoshë janë: rriqërat (Ixodes Dermacentor), mushkonjat, mizat e kuajve, mizat e shtëpisë, morrat e flokëve.
Burim i infeksionit janë kafshët e ndryshme qofshin ato të egra apo shtëpiake. Më së tepërmi sëmuren lepujt, kitrat, dhelprat, sqarthet, minjtë e fushës, qentë, macat, delet, derrat egër dhe gjitarët tjerë. Sipas Ragozin-it në Rusi më së shpeshti sëmuren minjtë e ujit, minjtë e shtëpisë, minjtë e fushës dhe ata të pyllit.
Rrugët e përhapjes: së sëmundjes janë të shumta: pickimi i insekteve, konsumimi i ujit dhe ushqimit të kontaminuar, inhalimi i shkaktarit, gërvishtjet ose prerjet e shkaktuara nga thonjtë ose thikat e kontaminuara dhe rrugë tjera të ngjajshme.
Sëmundja nuk përcillet prej njeriut në njeri. Në botën shtazore sëmundja përhapet përmes rriqërave, morrave dhe pleshtave të cilët jetojnë në kafshë të cilët janë edhe rezervoar të sëmundjes së tularemisë.
.
Porta hyrëse: sëmundja e tularemisë shërbehet me disa porta hyrëse: lëkura, mukoza e traktit digjestiv, respirator dhe mukoza e syrit. Futja e shkaktarit në organizëm të njeriut mund të bëhet përmes mukozës së kapakut të syrit me duar të kontaminuara ose me stërpikje aksidentale me material të kontaminuar në sy.
Trakti digjestiv mund të shërbejë si portë hyrëse në rast të konsumimit të ujit i cili mund të kontaminohet nga urina e minjëve të sëmurë ose kufomat e tyre. Edhe konsumimi ushqimi të kontaminuar e sidomos mishi i pazier mirë mund të shërbejë si rrugë e bartjes së sëmundjes, ku portë hyrëse shërben trakti digjestiv. Këto janë forma shumë të rënda të sëmundjes.
Sa i përket infeksioneve inhalatore mendohet se mund të ndodhin jo vetëm në laboratoriume, por edhe në natyrë, sidomos në raste të epizootisë në minjtë e fushës të cilët me ekskretet e tyre kontaminojnë drithërat në hambare ose në fusha.
Pluhuri në këto raste shkaktojnë infeksionin inhalator i cili për jetën e pacientit është tejet i rrezikshëm.
Shumë të rralla janë rastet e sëmundjes pas kafshimit të kafshës së sëmurë (qeni, maca etj.), të cilët e kanë shkaktarin e sëmundjes në gojë.
Ndjeshmëria: sëmundja sulmon dhe prekë të gjithë pa dallim moshe, gjinie, race, përkatësie fetare. Mirëpo, paraqitja e shenjave të sëmundjes varet nga: kohëzgjatja e ekspozimit, virulencës së shkaktarit, sasisë së tij si dhe forcave mbrojtëse të organizmit të njeriut.
Pas kalimit të sëmundjes mbetet imunitet i përjetshëm. Sëmundjet e sërishme mund të paraqiten si pasojë e infeksionit në laboratoriume. Rezistenca e fituar pas kalimit sëmundjes mbron prej epizodeve të reja të sëmundjes me reaksione të përgjithshme. Por, në rast të reinfeksioneve mund të vjen deri tek ndërrimet lokale.
Rastet e tularemisë paraqiten gjatë tërë vitit. Mirëpo, vërehet një paraqitje diç më e shpeshtë në stinën e pranverës së vonshme dhe verë.
Masat kundërepidemike të sëmundjes së tularemisë: Gjasat e pengimit të paraqitjes së sëmundjes së tularemisë në njerëz ekzistojnë, nëse në natyrë asgjësohen kafshët e sëmura ose ndërpritet mundësia e kontaktit të njeriut me kafshën e sëmurë ose produkteve të tyre.
Masat themelore të kontrollit janë:
- Ruajtja e ushqimit dhe pengimi i kontaktit me brejtësit,
- Zierja e kujdesshme e mishit të kafshëve e sidomos atyre të egra para se të konsumohet,
- Moskonsumimi i ujit të patrajtuar në viset e dyshimta,
- Kontrollimi i vektorëve,
- Përdorimi i mjeteve për shmangien e pickimit të rriqërave dhe artropodeve,
- Përdorimi i dorëzave gjatë rrjepjes së kafshëve të egra,
- Edukimi shëndetësor i popullatës,
- Imunizimi i popullatës së rrezikuar me vaksinën e gjallë të dobësuar,
- Mbajtja e maskave, manteleve mbrojtëse dhe dorëzave të papërshkueshme gjatë punës laboratorike
- Hulumtimi i kontakteve dhe burimeve të infeksionit,
- Bashkëpunim i ngushtë me institucionet veterinere