Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/16

Martin Camaj më 1957: Letra dhe studimi i panjohur mbi Kosovën


Martin Camaj (Telumë, 13 korrik 1927 - Mynih, 12 mars 1992) ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.


Martini leu në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. I biri i Kolë Camës, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ama ishte nga Prekali, lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Datëlindja 1925 duket të jetë një gabim shtypi. Vendlindja e tij është "… në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”, sipas vetë Martinit.

Në vendlindje do të kalojë dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t'i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen - pse jo - për meshtari.

Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit "Xaverianum", ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet.

Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegjë. Studimet detyrohet t'i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 - mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetue në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh.

Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik - 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-'50) mësues në Tuz në shkollën "Mahmut Lekiq"

Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2[0] korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç.

Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç - kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë. Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof.

Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate "Gjuha e Gjon Buzukut". Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.

Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të '56s) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë. I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe profesorëve të vjetër të kolegjit jezuit P.

Luigi Rosa dhe P. Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, si dhe Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera ne Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të atij universiteti.

Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave si dhe gjuhë e let. shqipe, ndërkohë pati rastin të ndjekë leksione nga Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij. Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku.

Contributi linguistici allo studio della genesi. Gjatë periudhës së studimeve Camaj iu perkushtua veçanërisht kërkimeve shkencore në terren ne fshatrat e ngulimeve arbereshe. Qysh më 1959 Koliqi i mundësoi të punojë si lektor pranë Universitetit në Romë, gjë që zgjati deri nga fundi i 1960.

Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhen shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë jugore. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë baltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Në dhjetorin e 1960s vendoset në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD (= Shërbimi Gjerman për Shkëmbimin Akademik) për të cilën hyn dorëzanë me rekomandimin e vet etnologu dhe folkloristi Alois Schmaus, që drejtonte atëkohë Seminarin e Sllavistikës pranë Univ. Ludwig-Maximilian. Camaj përzgjedh si vend studimi Seminarin e Gjuhësisë me synimin që të përvetësojë metodat e studimit gjuhësor historiko-krahasues.

Për përfundimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje Camaj mbështetet për disa vjet me radhë nga fondacioni i DFG-së (Shoqata e Kërkimit Shkencor Gjerman), i cili i akordon një bursë kërkimore për të mbrojtur gradën e habilitacionit. Këtë gradë e fiton më dt.

21 janar 1965 me venia legendi në albanologji duke fituar në të njëjtën kohë edhe të drejtën me qenë Privatdozent - përvojë që e kishte ushtruar si lektor vullnetar për realizimin e programit universitar duke dhënë kurse hyrëse të gjuhës shqipes qysh prej semestrit të dimrit në vitin akademik 1961/'62.

E shoqja, Nina, e cila jepte gjuhë ruse në "Bocconi" të Milanos si asistente në v.akademik 1961/'62 shkon pranë Martinit më 1962 ku ajo do të punojë për pak vite pranë "München American Elementary School" si mësuese dhe bibliotekare. Në vitin 1964 Nina hyn në Urdhnin e Tretë Françeskan duke marrë emrin Motër Elizabeta. Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.

Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emerituar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.

Vepra
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.

Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.

Vëllimi i tij i parë me varg klasik "Nji fyell ndër male", Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe "Kânga e vërrinit", Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t'u kthyer.

Këto u ndoqën nga "Djella", Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive "Legjenda", Romë 1964 dhe "Lirika mes dy moteve", Munich 1967, kishte disa poezi nga "Kânga e vërrinit", që u ribotuan në "Poezi" 1953-1967, Munich 1981.

Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet "Selected Poetry", New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe "Palimpsest", Munich & New York 1991.(Agjencioni Floripress:Flori Bruqi)



martin camaj ilus


Një studim për Kosovën në regjimin e Titos, menjëherë pas viteve që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kur ajo mbeti nën jugosllavi. Martin Camaj, 32 vjeçar, e shkroi këtë shënim mbi Kosovën sipas kërkesës së Mustafa Krujës. Studimin ia ka dërguar të shoqëruar me një letër, ku ai zbulon shumë ndjesi personale dhe informacione të vyera biografike mbi këtë periudhë të jetës së tij. Camaj, ndodhej në Romë, me gruan Ninën, e cila ishte e sëmurë, ndërsa ai në një moment mjaft dëshpërues mbi të ardhmen e karrierës së tij. Ajo çka kishte lënë pas krahëve Shqipëria, në regjimin komunist dukej se ishte një kapitull i mbyllur për të, por edhe periudha e studimeve filologjike me prof. Bariqin, është ndërprerë. Ëndrra e tij është të vijojë në rrugën e studimeve, dhe e deklaron hapur dhe në këtë letër se nuk ka asnjë dëshirë të përzihet në çështje politike. Studimi i tij mbi Kosovën, po ashtu ofron informacione e analiza të vyera mbi tablonë e jetës shoqërore, kulturore dhe mbi të gjitha politike në Kosovën e mbetur nën regjimin e Titos. Çka ofronte tabloja e Revolucionit Komunist në Kosovë, çfarë politikash po gatuante udhëheqja e ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, si depërtuan malazezët në tokat e bejlerëve të pasur kosovare dhe si u manipulua populli i varfër kosovar, duke i ofruar një pjesë të tokave të konfiskuara. Duke mos e zhvilluar industrinë në Kosovë, por duke shfrytëzuar deri në ekstrem pasuritë natyrore të saj që cilat dërgoheshin në serbi, Kosova mbeti e varfër, e kjo situatë, sipas Camajt bëri që vendasit të shpërnguleshin e të kërkonin punë gjetkë në vendet e ish-Jugosllavisë. Ja çfarë shkruan Camaj në mendimet e tij mbi Kosovën: “Mosindustrializimi i këtij vendi ka shkaktuar “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shpërndarjen e shqiptarëve nëpër tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 punëtorë krahi shqiptarë tue përfshi edhe spataxhit”… Mjaft ngacmuese është analiza që Camaj bën për jetën shoqërore dhe kulturore në Kosovë, duke i bërë këto “shënime” mjaft grishëse për t’i lexuar prej kujtdo. “RILINDASI” i sjell më poshtë për lexuesit këto shënime dhe letrën e Camaj, të plota, zbardhur me besnikëri nga origjinali. Letra është gjendur në arkivin e Mustafa Krujës.

Letra

Romë, 15 / 3 / 57

Fort i nderti dhe i dashuni Mustafa,

Po i përgjegjem dëshirës suej shum vonë. Ju lutem me më falë. Arsyenat janë të shumta që s’mujta t’iau pregadis me kohë nji mendim temin mbi gjendjen kosovare. Kam pasë gruen shum të smuet dhe vetë isha shum i tronditun mbasi ende nuk po shof ngjasë të mirë për nji sistemim të përkohshëm deri sa të vijë dita e emigrimit. Prof. Koliqi më ka ndihmue sa ka mujtë, por unë jam shum larg dëshirës dhe qëllimit tem në jetë: që të vijoj studimet filologjike shqipe të fillueme me prof. Bariqin.
Këtu po iu mbylli dhe ato pak mendime mbi Kosovë. I shkrova pa ndonji përpunim stili ase gjuhe, ashtu si më erdhën, si t’isha qenë tue bisedue me ju kambkryq, shqiptarçe. Nëse mund të më shkrueni, shfaqni ju lutem mendimin tuej mbi këto faqe tue më pyetë mbi ndonji send që nuk mund ta keni të kjartë. E kam pasë shum vështirë me iau përmbledhë në pak fjalë mendimin tem mbi Kosovë, pse kam jetue shum në Jugosllavi, sigurisht kam shum me thanë mbi ket vend, pse për me analizue çashtjen tonë atje, duhet me njoftë mirë dhe Jugosllavin e soçme. Çashtja kosovare duhet studjue dhe shikue në shum pikpamje, aq ma tepër ata që shkruejnë mbi të në Prendim sod haptas ndër publikacjone të ndryshme. Pozitën teme në Jugosllavi iau kanë zbulue jugosllavëve shqiptarët në Prendim, tue më lëvdue në shtyp dhe letra, të cilat iau dërgojshin njerëzve në Jugosllavi. Atyne që bajnë këso gabimesh iau kam thanë aqik.
Kjo lloj politike ase problematike don shkencatarë sikurse jeni ju, që njifni mirë të kaluemen dhe studjoni shkencatarisht të tashmen. Me këtë nuk due të iu thërras që të shkrueni mbi këso gjanash ju, por kënaqem që interesoheni për çashtjet tona kombtare pse kemi nevojë, ase ma mirë, kanë nevojë njerzit që merren me kso problemesh me u këshillue në shum pikpamje nga të vjetrit, nga shkencatarët e historjanët, gja që vetë komunistat e rij e bajnë. Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n’idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.Më shkrou dhe Genci për ju dhe u kënaqa për fjalët që tha mbi ju se jeni plot energji e se punoni për shkencën shqiptare. Ju uroj jetë, shëndet e punë të mbara me gjithë zemër.
Unë e kam vendosë nji herë e mirë mos me u përzi ndër dallavere politike, mbasi nuk ndjej kurfarë vokacjonit për ket drejtim. Dëshira ma e madhe e emja asht me vijue profesjonin tem.
Ju përshëndes përzemërsisht
Martini
Të fala shum Nina
P.s. A i muert librat që iau dërgova për Zefin? Abonimi i Gencit në Tempo?

Studimi
ÇASHTJA KOSOVARE
Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh. emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: ” luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!” bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t’i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë “bashkimi dhe vllaznimi”, gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partis, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izolueme e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t’iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç’prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet.

Revolucjoni komunist në Kosovë

Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qyshë atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë ky revolucjon ka realizue këto masa:
I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski – V. Dedjer).
II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t’iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t’u bajnë ball shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye:
A) Fryma konservatore “po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba”.
B) Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsin e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare).C)Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok.
Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në Krahinat e tjera jugosllave.. Nga ana tjetër ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por trasportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto – leninist. Mos të harrohet dhe se Kosmeti asht zyrtarisht Krahinë autonome prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i ketij vendi ka shkaktue “pecallben” tek shqiptarët d.m.th. shperndamjen e shqiptarëve neper tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahi shqiptarë tue perfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazhë pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme ZANI I RINIS. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.)
Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: a thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partis komuniste jugosllave parashef se do t’a humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në te, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun per zhvillim industrijal, dhe se në në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë sepse ata në të vërtetë krejt industrin e randë, sidomos industrin ushtarake, e kanë perqendrue në krahinat malore të Bosnes, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi. Por asgjamangut kjo nuk e justifikon moskujdesin për Kosmet, pse në të njajtin pozicjon strategjik gjindet edhe Maqedonija e cila ka përfitue ma tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Sod rrallë mundesh me gjetë maqedonas nëpër vende ase republika tjera tue kërkue punë, si para lufte. Partija komuniste jugosllave e ka shpëtue ket popull, i cili u gjinte në kapërcyell mes dy kombsive që dojshin me e pervetsue: serbët e bullgarët luftojnë tash dheta vjet rreth këtij vendi të vorfën për t’a asimilue tue shtypë çdo individualitet të tij me mënyrna shovene. Maqedonasit sod e ndiejnë vehten të lirë kombtarisht: kanë gjuhën e vet, kulturën e vet (letërsin, universitetin dhe folklorën e vet me kangët e bukura). E pra ky popull dhe qeveri maqedone sjellet me shqiptarë ma keq se çdo grup tjetër etnik nën shtetin jugosllav. Psikologjikisht asht fare e kuptueshme nji gja e tillë: ata tue qenë hala të ligësht dronë edhe hijen e vet. Mbasi ra fjala dhe mbi antagonizmin dhe shovenizmin mes këtyne kombësive ballkanike, due të shprehi nji ide dhe deshirë qi i rrin në zemër çdo intelektualit të ri ballkanas: zhdukja e anmiqsinave dhe idenave mes kombsivet tona. E vetmja mënyrë dhe rrugdalje asht nji konfederacjon ballkanik, që nji ditë, natyrisht në kushte tjera shoqnore dhe ekonomike, do të vijë. Do të vijë atëherë kur Ballkani të industrijalizohet ase ma mirë atëherë kur bujqt tue punue tokën me mjete moderne kanë me prodhue për vehte mjaft bereqet dhe kanë me e ndie nevojën e hapsis për të shpërnda prodhimet e veta. Por sod Ballkani asht nji vend mizerje, ku njerzit ase kombet, tue pasë barkun thatë, kujtojnë se ia ka fajin ai i vogli që asht gjallë, prandej bahet bishë karshi të ligshtit.Masa e re ka fillue t’interesohet shum për mjeshtrina të ndryshme vetëm tash në kohët e fundit. Nësa kora e vjetër vazhdon të qindrojë n’at lëvozhgën e vet që asht fanatizmi fetar dhe nacjonal, rinija shkon tue humbë fare dhe ndjenjat fetare, kështu që sod shumica e intelektualve të rij o asht injorante dhe indiferente ndaj fés ose ateiste. Puntorija e minierave (puntorija hamalle) e sidomos ajo e Trepçes 80 % asht shqiptare. Tash së fundit në Trepçë kanë shkue dhe tre inxhinjera shqiptarë, shokë të mij nga Universiteti. Përsa i përket lanjes mbas dore të Kosmetit në lamën e industrijalizimit elaborues nuk dij çka me thanë. Nga nji qëndrim i tillë i jugosllavëve, mund të na dalin vetvetiu dy pyetje: a thue këta do t’a parashofin se nji ditë kanë me humbë ket krahinë, prandej nuk derdhin kapital në te dhe vetëm mendojnë t’a shfrytzojnë? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillimin industrijal dhe në rasën e ndonji lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit kishte me qenë ma e arsyeshme po mos të bante kontrast pozicjoni i Maqedonis që, megjithse në rasë lufte kishte me ra e para, ka përparuema tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Megjithkte maqedonasit janë diskriminatort ma të mdhaj karshi shqiptarëve të cilët hjekun të zit e ullinit nën ta. Mun maqedonasit me ne janë tregue shum brutalë dhe të parët kanë fillue me i tëbue shqiptarët për Turki. Në lidhje me qindrimin ekonomik që mbajnë jugosllavët me shqiptarët ase me Kosovë unë kam ket mendim: nuk donë që Kosmeti të përparojë fort, kështu që të mbesë gjithmonë i mvarun prej tyne. Nga ana tjetër as nji Kosmet “xhungla” nuk u intereson per shumë arsyena që kuptohen kollaj.GJENDJA SHOQNORE E
SHQIPTARËVE NË KOSMET
Asht shum e natyrshme që nji shoqni, e cila mbrenda 15 vjet ka kalue nëpër nji luftë dhe nëpër nji revolucjon të hatashëm, të ketë pësue ndryshime shum të mëdha. Thanja e ndonji definicjonit në ket mes nga unë nuk kishte me qenë me vend, mbasi, tue qenë me mish e me shpirt për gjeneracjonin e ri, sigurisht do të jepsha diçka shum subjektive. Shqiptarët e rij e të vjetër në Jugosllavi i bashkon, përgjithësisht, nji mendim i përbashkët: lirija kombtare. Të parët janë militanta, të dytët nuk donë kompromise dhe e evitojnë “shkan” në çdo mënyrë. Te të dy palët asht nji tendencë e aqikët: donë me qenë ata vetëm zota të Kosovës, prandej jam i bindun se nuk kishin me ra dakord as me shqiptarët e Shqipnis së nesërme. Për sa i perket dallimit të mbrendshëm po paraqes nji mendim superficial të serbëve të Kosovës. Këta intimisht mes tyne shqiptarët i ndajnë në tri kategori : “arnauti” shqiptarët katundarë të tipit të vjetër, me plis të bardhë në krye, gadi me e perpijë serbin në të parën rasë; “šiptari” janë shqiptarët me pantallona e xhaketa, mësuesa, nënpunsa etj.; “albanci” shqiptarët e ardhun prej Shqipnis e të ngulun në Kosovë. Ky asht nji dallim populluer e shum superficial, por shum interesant kur merret para syshë se prej kuj asht bâ.GJENDJA KULTURORE
Suksesi ma i madh asht në lamën e arsimit dhe të kulturës. Poqese shkon njeriu në vend, shef gjith këto shkolla, sidomos t’ulta, mbetet i habitun. Gjaja që të ban ma tepër përshtypje asht zelli i arsimtarëve që me nji rrogë shum të vogël punojnë natë e ditë me nji vetmohim të çuditshëm. Prandej nuk duhet të na habisin qëndrimi i sllavëve që nuk na donë as na kanë dashtë kurr të mirën e që përpiqen me çdo mënyrë me i paksue. Mjerisht ata janë kujtue se shkolla në shqiptarë asht ba dhe nji symbol ase, ma mirë me thanë, nji mjet për me shprehë ndjesitë kombtare. Kisha me thanë (dhe nuk jam i vetëm në ket gjykim) se Beogradi gjindet para nji problemi shum të madh se si me e ndalë ket zhvillim që ata e quejnë “anormal”. Ai proçesi i shtërngimit, që filloi me shpalljen e turqve në Kosmet dhe mandej me emigrimin e tyne, me gjyqet e trillueme “irredentistash” dhe “kominformbyroistash”, nuk ka mbarue ende. Njerzija shqiptare tash së fundit ka fillue me u lodhë, pse ju e dini se jeta me pushkë në faqe gjithnji mund t’i merzitet çdo idealistit. Ket gjendje shpirtnore e kam provue dhe unë, sidomos kur më mbyllën derën e çdo bashkpunimit me revista shqipe ase mundsin e botimeve në vehte. Organet (UDB, komitetet e partive etj.) që merren me demaskimin e elementave “të rrezikshëm” dijnë me i lujtë kaq mjeshtrisht spilcat dhe intrigat sa që nuk e din se kah të erdh e keqja. Me shum mjeshtri ia dalin dhe me shtij grindje, mosbesim mes intelektualve shqiptarë, të cilët tash në kohët e fundit kanë fillue me zanë mend pak, sidomos me mbylljen e Institutit albanologjik në Prishtinë dhe me gjyqet e trillueme. Tue lanë në njanën anë shkollat pse aktiviteti i tyne asht tashma shum i njoftun, Kosova ka përparue shum në pikpamje kulturore shqiptare nëpërmjet të theatrave dhe grupeve folkloristike. Kemi theatrin shqiptar profesjonal të Prishtinës, i quejtun “theatri i krahinës autonome Kosmet” i cili jep shfaqje në gjuhën shqipe nëpër tanë Kosmetin dhe Maqedonin. Tri herë bile kanë qenë dhe në Beograd theatrat profesjonalë të Shkupit, Mitrovicës e Pejës. Në Prizrend dhe në të tana qytetet e tjera ku gjindet shkolla e mesme në gjuhën shqipe funkcjonojnë grupet artistike, ku jepen shfaqje theatrale e folkloritike (kërcime popullore shqiptare, kangë me melodinat e bukura kosovare). Deri në vitin 1954 Kosova ka pasë dhe grupin artistik ase folkloristik, që mandej u shkri në ate të Serbis. Kërcimet e bukura të Kosovës shqiptare (kërcimi i Rrugovës rreth nuses me shpata, Shota – kërcimi i djalit dhe i vajzës me ritmin e gjallë e lirik) kanë ba për vehte të tanë publikun jugosllav dhe kanë fitue rekordin si në Jugosllavi ashtu dhe në Europë dhe Azi. Më ka pasë ba përshtypje të hatashme në sallën “Kolar?ev” të Beogradit kur duelën në skenë shqiptarët me veshjen e bukur të malsorëve të Rrugovës dhe me shpata të hjekun filluen dyluftimin për nusen. Në kërcim i ndiqte vetëm tupani, kështu që kur lëshoshin kambën për tokë u dridhte krejt salla. Ishte e para herë që u jepte nji shfaqje e tillë në Beograd me 1949 (tetuer), prandej publiku u entuziazmue për së tepërmi. Koreografët deri tash vonë nuk kanë ba asnji ndryshim, por i kanë lanë ashtu si kanë qenë origjinale. Folklora deri tash ishte nji mjet që qeverija e perdorte për njofjen dhe afrimin e popujve “jugosllav” mes tyne. Mirëpo nji gja e tillë ne na ka vleftë shum pse gjeneracjoni i ri jugosllav asht në evolucjon e sipër dhe vjen kadalë kadalë tue ndrrue mendimin e etënve mbi shqiptarë. Unë kam pasë shum shokë e miq mocatarë të mij e që sot janë doktora, inzhinjera etj. që simpatizojnë dhe flasin e pohojnë se populli shqiptar asht elementi ma i shtypun në Ballkan. Por asgjamangut unë jam plotësisht i bindun se çdo qeveri që të vijë në Beograd ka me luftue deri në pikën e fundit për Kosovë. Tash së fundit janë gjetë dhe disa minjera të reja me metale shum të kushtueshme dhe krejt fusha e Kosovës asht e vendosun mbi qymyr gurit; po e lamë Trepçën dhe pyjet e Kosovës që shfrytzohen gazep. Unë jam i mendimit se popujt e Ballkanit janë shum afër pse kanë dhe nji influencë kulture e histori të përbashkët, por mjerisht sod për sod jemi të shtrënguem dhe na me qenë shovena. Në këto kushte zhvillimi njerzit nuk munden me mendue ndryshej.Fitorja ma e madhja në pikpamje të kulturës ka qenë Instituti albanologjik i Prishtinës. Qe hapë në vjetin 1953 me ndihmën e Millovan Gjilasit. Ky burrë i ka pasë dashtë fort shqiptarët, shum kush thotë bile se dhe ai asht vetë me origjinë shqiptare. Mbasi kishte ra prej pozite, jam njoftë me te në bibliotekën kryesore të Beligradit po bahen 15 muej. Në bisedë e sipër më pyeti si shkon Instituti i Prishtinës. Fill mbas kësaj pyetje nuk mujta me ndejë pa ia shprehë simpatin e shqiptarëve për te. Shtova se ndër ne flitet se ai asht origjinë shqiptare e se në Malsi kemi plot njerz me emnin Gila. “Unë jam Vasojeviq” m’u pergjegj e “sigurisht kam gjak shqiptari në vehte së pakut nepermjet grave që ia kemi grabitë njani tjetrit.” Dhe filloi me qeshë. Më foli dhe mbi historin e Vasojeviqve e malësorve, pse ai asht njeri me kulturë të madhe. Si fëmijë kishte ruejtë baktit me çobajt e Kelmendit dhe në fund më foli kundra politikanëve që ndajnë popujt. Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh. Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. “Sa të fillojmë botimin e anualit” më pat thanë “do të ta grishim të marri pjesë.” Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë se asht hapë me ndihmën e Gjilasit. Tash qendrat ma të nalta mbi studimet shqiptare janë grupi albanologjik i Beogradit me tre profesora: V. Dancetoviq, Idriz Ajeti, Anton Çeta; me tre vetë në specializim mbas laurës, Dragan Micoviç, Enver Gjergjeku e Abdullah Zajmi; me afër 70 nxanës gadi të githë shqiptarë. Ky asht grupi ase kathedra ma e fortë albanologjike jashta vendit. Bariqi, si u kam shkrue, asht kryetar i Institutit Balkanologjik në Sarajevë dhe 80 % të studimeve që dalin në anualin që asht në shtyp janë mbi shqiptarë.
Romë 15 /III/ 1957

Deklarata më skandaloze e Bleonës: Nëse De Biazi e çon kombëtaren në Francë 2016, unë 24 orë rresht me De Biazin



15-10-2015 21-46-24
Bleona Qerreti rreth një vit më parë kishte lëshuar një deklaratë të fortë për emisionin amerikan “Albanian American Vision” se nëse kombëtarja shqiptare do të kualifikohej në kampionatin europian “Francë 2016”, ajo do t’i ofronte 24 orë seks trajnerit të kombëtares Gianni De Biasi.

Këtë deklaratë Bleona e ka bërë në 25 qershor të vitin 2014 siç duket edhe në shkrimin e botuar në gazetën shqiptarja.com.

De Biasi e mbajti premtin dhe kualifikoi Shqipërinë në kampionatin europian, po Bleona çdo të bëjë tani ?

http://cdn3.syri.net/wp-content/uploads/2015/10/Screenshot_124.png

Shumë zhurmë në Beograd – Së shpejti negociatat me BE, kusht njohja e Kosovës

“Serbia shpreson se do të shpërblehet për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve me refugjatët dhe ankohet për kushtet për fillimin e negociatave për ansëtarësim në BE”, shkruan gazeta “Die Welt”, në artikullim me titull: “Ne ndjehemi të mashtruar nga BE”. “Aleksandar Vuçiq është lavdëruar shumë kohët e fundit për shkak të politikës së tij ndaj refugjatëve, ndryshe nga Hungaria dhe Kroacia, të cilat janë anëtare të BE. ‘Ne kemi bërë ç’ka qenë e mundur’, pohon Vuçiq, i cili shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për pranim në BE… Tani erdhi lajmi nga Brukseli se të gjitha marrëveshjet që duhen arritur nënkuptojnë edhe njohjen e Kosovës. Në këtë dokument thuhet shumë qartë se cilat kushte duhet të plotësojnë Prishtina dhe Beogradi. A thua në Beograd nuk janë kuptuar kërkesat që duhen plotësuar në procesin e negociatave? Presidenti Nikoliq thotë se Serbia është mashtruar nga BE-ja. Kjo listë e re kërkesash është një ofensivë kundër krenarisë së popullit serb. Poshtërimi, krenaria dhe nderi janë fjalët kryesore që përdoren në politikën serbe për të kuptuar përshkallëzimin e fundit në raportet mes Serbisë dhe BE. Dhe megjithatë 57% e serbëve janë për anëtarësimin e vendit në BE, ndonëse kushtet nuk u pëlqejnë. ‘Nuk e kuptoj pse partnerët tanë po na poshtërojnë'”, citohet Vuçiq në gazetën “Die Welt”.
shumzh
Ndërsa në shkrimin “Shumë zhurmë në Beograd”, gazeta “Süddeutsche Zeitung” konstaton se “Serbia së shpejti do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Por kushti kryesor është njohja e Kosovës si shtet.”

“Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq e ka mbrojtur së fundi epitetin që i jepet si një politikan buldozer. Nëse Serbia e njeh Kosovës, ‘do të shpërthejë lufta civile”, thotë ai duke shtuar se kjo është esenca e kërkesës ‘brutale dhe të pashpirt’ të BE-së. Serbia ndodhet në prag të hapjes së kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në BE. Por edhe kryeministri Vuçiq ankohet për diplomatët në Bruksel, duke i cilësuar kërkesat e BE si ‘poshtëruese dhe të dhimbshme’. Qysh në fillim ka qenë e qartë që BE do të kërkojë rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por tani ka ardhur koha kur Serbia duhet të ndërmarrë hapa konkret për normalizimin e raporteve me Kosovën… Serbia nuk është e kënaqur veçanërisht me kërkesat për dobësimin e strukturave të saj në Kosovë, ku bëjnë pjesë rreth 5000 nëpunës. Serbia në të ardhmen duhet ta informojë Kosovën për punën e tyre. ‘Kjo është sikur ne të ishim provincë e Kosovës”, ankohet Vuçiq… Por gjendja po zien edhe në Kosovë. Serbët ankohen dhe kërkojnë më shumë të drejta. Por ata më shumë janë të shqetësuar për papunësinë se sa për humbjen e territorit”, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.

Ndërsa “Die Tageszeitung” shkruan për vendimet e Bundestagut për azilin. “Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi vendosen në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Në këtë mënyrë ato u bashkangjiten Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, të cilat deri tani kanë qenë në këtë listë. Kjo nënkupton që azilërkuesit nga këto vende do të mbeten në vendstrehimet e pranit fillestar deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre për azil”, shkruan gazeta.

Kosova geto në zemër të Europës

BE quan Europë vetëm BE – Opozita nuk është rrezik për Kosovën – Status quo-ja e imponuar nga BE po!



Elida Buçpapaj


Nga Elida Buçpapaj





Në janar të këtij viti kam shkruar një opinion me titullin eksplicit „Kosova geto në zemër të Europës“. Nuk e ka krijuar Kosova këtë situatë, që të vetëgetoizohet, por ndërkombëtarët, ose shkurt thënë BE-ja. Kosova në fund të shekullit XX viktimë e një regjimi kriminal, vijon në shekullin XXI të mbetet viktimë e mentalitetit anakronik të BE-së.
Kosova vendi i vetëm në Ballkan që nuk përfiton nga sistemi Shengen, dhe tani populli i Kosovës po kërcënohet nga faktorë kryesorë të BE-së se, nëse mbështet opozitën, do të mbetet jashtë Shengenit përsëri!
Opozita e Kosovës nuk është armikja e Kosovës. Opozita e Kosovës nuk është as fashiste dhe as terroriste. Opozita e Kosovës është pro Amerikane, pro BE dhe pro Kosovës, por që nuk mund të ngopet me lugën bosh, sepse as barku i popullit të Kosovës nuk ngopet me lugën bosh.
Tash opinioni kosovar e ka kuptuar qartë se BE-ja ka përdorur mënyra jodemokratike për të mbajtur Thaçin në qeverisje, duke synuar edhe riciklimin e tij si President. Hashim Thaçi një lloj hibridi i Putinit në Ballkan, i krijuar si lider kukull me vizën e BE-së! Krejt absurde dhe në kundërshtim me vlerat demokratike të Perëndimit.
Kur opozita krijoi pas zgjedhjeve të qershorit 2014 aleancën e VLAN-it, BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës në Kosovë, që do t’ja hiqte Thaçit shansin të qeveriste vendin për mandat të tretë. Kur opozita përdorte pushtetin e votës, BE-ja nuk e pranoi këtë pushtet, duke i imponuar Kosovës një aleancë kukull – midis Thaçit dhe Isa Mustafës. Them aleancë kukull, sepse Isa Mustafa, kur hyri në aleancë me Thaçin, ai e tradhtoi elektoratin e tij. Në fushatën zgjedhore Mustafa e kërkoi votën për LDK-në me premtimin dhe qëllimin politik se do ta linte Hashim Thaçin në opozitë.
BE-ja nuk e pranoi fuqinë e votës së opozitës së Kosovës kur kjo ishte me formacionin politik si VLAN, duke krijuar kështu përshtypjen në mbarë opinionin shqiptar se ishte vetë BE-ja pas martesës perverse midis Thaçit dhe Isa Mustafës, kur as njëri dhe as tjetri nuk gëzojnë simpatinë minimale, sepse janë vetë institucionet ndërkombëtare Perëndimore që qeverisjet e tyre i vlerësojnë të korruptuara dhe autokratike.
Veprimet e opozitës aktualisht në Parlamentin e Kosovës janë legjitime.
Opozita duhet të jetë shumë e kujdeshme, sepse SHIK-u synon ta inkriminojë. Për të mbrojtur integritetin e saj, opozita duhet të mos shkaktojë asnjë lloj dëmi që ia cënon asaj imazhin e veprimit politik, për të tjerat, brenda normave demokratike, është e lirë të veprojë. Të evitohet edhe rasti si i deputetes Flora Brovina. Asnjë dëm dhe dëmtim të mos shkaktohet nga veprimet opozitare.
Ndërsa pretendimet se veprimet e opozitës janë fashiste dhe rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin janë manipulim i pastër. Fotoja e zëvendësit të Hashim Thaçit, Petrit Selimi, me të birin bashkë me Daçiçin, ndërkohë që Daçiçi deklaron se Kosova është ISIS, janë shprehja më vulgare se shefi i Petrit Selimit është në pozita thellësisht vasale me Serbinë. Daçiç quan Kosovë vetëm Thaçin dhe Petrit Selimin, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, është ISIS. Por Kosova nuk mund të barazohet as me dy vetë apo me tre vetë, me Hashim Thaçin, Petrit Selimin e Isa Mustafën. Kosova barazohet me popullin e saj, të papunë dhe lënë në mjerim nga kjo qeverisje.
Shqiptarët e Kosovës nuk janë indianët e Amerikës të kohës së Kristofor Kolombit. Populli i Kosovës nuk mund të qeveriset nga një regjim, cilësuar nga më të korruptuarat e Europës, vetëm për të kënaqur orekset e Beogradit, që në të gjitha daljet zyrtare e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë, kur 25 vende të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kjo e detyron BE-në që në raportin Kosovë-Serbi, të operojë në përputhje me verdiktin e shumicës së popujve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës si shtet sovran.
BE-ja duhet të dale nga statusi i burokratit që dëmton së pari interesat e vetë Europës. Një BE burokratike, indiferente, cinike ndaj fatit të pjesës të saj, siç është Kosova, është e papranushme. Kur ekzistonte Muri i Berlinit ishte e justifikuar, tani jo!
Pasojat e strategjisë izolacioniste të BE-së, ku për të, Europë domethënë vetëm BE, është shkatërrimtare për Europën. Kriza sot me refugjatët sirianë që po dynden me miliona në BE duke rrezikuar vërtetë stabilitetin e BE-së, është produkt i verbërisë së saj. Zyrtarët e BE-së dhe padronët e tyre u treguan syleshë, sepse të mësuar me limuzina e avionë me bileta të klasit të parë, të rrethuar nga sekretaret dhe mantenutat, nuk e kanë imagjinuar se sirianët apo popullsia nga vendet e Afrikës mund të arrinin në zemër të BE-së duke përshkruar në këmbë me mijra e mijra kilometra.
Po më në fund, a i ka dalë gjumi BE-së ?
Sepse produkt i syleshësisë të BE-së është edhe e status quo-ja në Kosovë, që ka imponuar një regjim mizerabël dhe të dështuar, ku papunësia, informaliteti dhe korrupsioni ua ka djegur të gjitha shpresat popullit të Kosovës. Pas sirianëve, kosovarët janë të dytët që ikin nga sytë këmbët nga vendi i tyre. Prej deportimit të kohës të Milosheviçit, ky është dëbimi i dytë që i bëhet popullit të Kosovës nga qeverisja. Pavarësisht se Zoti e ka krijuar Kosovën në zemër të Europës, ajo është një geto dhe Tokë e Djegur për popullin e saj.
Pretendimet e BE-së se Thaçi vendos stabilitet është iluzion dhe spekulim. Kosova do të jetë e destabilizuar deri sa aty nuk do të ketë kushte minimale të jetës. Njerëzit mund t’i vrasësh në dy mënyra: përmes bombave të Asadit, përmes barbarive të ISIS ose duke ua hequr qytetarëve perspektivën e së ardhmes që të fitojnë bukën e gojës për fëmijët e tyre me punë të ndershme.
Prandaj veprimet e opozitës të Kosovës nuk janë kundër Kosovës, por pro Kosovës.
Organizimet e opozitës të Kosovës kanë „degjeneruar“ dhe prodhuar dhunë vetëm kur segmente të SHIK-ut, njerëz të Thaçit dhe Kadri Veselit kanë interferuar kriminelë midis protestuesve.
Prandaj opozita tani operon brënda Parlamentit të Kosovës me vezë dhe gazlotësjellës.
Zgjidhja është se Kosova nuk mund të qeveriset nga regjime kukulla, të cilat brenda vetes janë të kalbura nga krimi dhe korrupsioni. Kosova është Europë ndaj kërkon nga BE-ja një qasje të përgjegjëshme sipas parimeve demokratike të Perëndimit.
Kosova e ndërton vetë demokracinë, në bashkëpunim me aleatin e saj jetik SHBA dhe BE, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, por jo si deri më tani, si një koloni në Afrikën e kohës koloniale. Kosova është Europë. Europë nuk do të thotë vetëm BE.
Për 15 vjet rresht pas ndërhyrjes të NATO-s, qytetarët e Kosovës, duke iu bindur verbërisht verbërisë të BE-së nuk e kanë gëzuar të drejtën e lëvizjes përmes sistemit Shengen, dhe tani BE-ja kërkon t’ju imponohet duke i kërcënuar se do t’i lejë prapë pa Shengen !
Mënyrat e imponimit të BE-së permes ndëshkimeve që BE-ja iu bën jo politikanëve të korruptuar, por popullit të Kosovës janë dështimi më i madh i BE-së.
Dhe bilbilat e gazi lotsjellës në Parlamentin e Kosovës është këmbanë për ndërgjegjen e BE-së.
Që të zgjohet sa më parë deri sa nuk është vonë!

Histori Suksesi- DR. EVA GAVANI NE ANTOLOGJINE “GOLDEN PEN” NE SHBA

1 dr. Eva Gavani-1
Dr. Eva Gavani, një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë ” Golden Pen” në SHBA/

Intervistë e Liliana Pere me Dr Eva Gavani/

Dr. Eva Gavani është një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë “ Golden Pen” në SHBA.

Është shkrimtare, poete, e njohur në fushën e letrave dhe të medias. Por jo vetëm kaq, Gavani është krenare për profesionin e saj , aty ku ka edhe gradën Doktor i Shkencave në Kimi. Dhe për më shumë është modeli i gruas që çdo gjë në jetë e ka arritur vetë me forcë e dinjitet duke ja dalë edhe pse jeta ka qënë e ashpër me të shpesh herë. Ka lindur në qytetin e Vlorës, nuk harron ta përmënd vendlindjen e saj, megjithëse ka kohë të gjatë që jeton në Tiranë. Është diplomuar në Kimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Tiranë në vitin 1988, është nënë e dy fëmijëve dhe sot punon në Agjensinë Kombëtare dhe Pajisjeve Mjekësore në Tiranë. Autore e disa librave me poezi tregime e roman, autore e një sërë artikujsh shkencorë botuar brenda dhe jashtë vendit, vlerësuar si aktive në shumë organizime të grave, Gavani vazhdon të mbetet po aq kërkuese dhe kembëngulëse në gjërat që ajo i quan thelbësore. Një grua sa e fortë po aq edhe e brishtë ajo është një grua e emancipuar, emancipim, i cili duket edhe në këtë intervistë.

Intervista/

Së pari e nderuara Znj.Liliana më lejoni të shpreh mirënjohjen time për punën tuaj e për ju në veçanti. Kjo që ju bëni nuk është thjesht njohje me gra e vajza të suksesshme, por është një lëvizje emancipuese për gjithë shoqërinë shqiptare e cila ka aq shumë nevojë të promovojë vlera të vërteta, një nga ato jeni edhe ju vetë.
Pyetje: E dashur Eva kthehemi ne kohe dhe kujtojme pak , çfarë emocionesh do te provonit po të kujtonit qytetin e lindjes, dhe shume ngjarje që janë të lidhura me femijërine tuaj ?
Dr. Eva Gavani-Fëmijëria ime lidhet me qytetin tim të lindjes, Vlorën. Kam pasur fatin të hedh hapat e para në një qytet bujar e të harmonizuar me natyrën. Kjo ka lënë mbresa të forta në karakterin tim dhe në pasionin tim në fushën e letrave. Vlora është qyteti që më ka ngjizur frymëzimin e për këtë i përulem me dashuri. Aty kam fantazitë e mia, ëndërrat e dëshirat e mija femijërore në moshën parashkollore. Mbaj mënd që për këtë jam dalluar që në kopësht. Por krijimi im i pare, në mund ta quaj kështu, ka qënë një poezi e thurur me dashuri për mësuesen time. Ishte një detyrë klase e thurur në ato banka të drunjta të zeza ku fillimisht na dilnin vetëm kokat përsipër. Mësuesja jo vetëm e vlerësoi por më evidentoi dhe unë me krenarinë e një fëmije të stimuluar vazhdova të lexoja shumë, të mësoja shumë e kështu hap pas hapi krijova një bagazh të mirë, madje shumë të mirë për një fëmijë.
Pyetje- Cilat janë arritjet tuaja në këtë kohë?
Dr. Eva Gavani-Po, shumë shpejt emri im u bë i njohur në shkollë, e dalëngadalë me Shtëpitë e Pionerit që funksiononin shumë në atë kohë në qytet e më pas një çmim i parë i marrë në rang kombëtar në Radio Tirana më bëri të njohur në vitet e fëmijërisë sime. Unë kisha një bllok të kuq me fletë të bardha, pa vijëzime dhuratë nga vëllai im i ndjerë Iliri, që më thosh ti mblidhja të gjitha aty edhe ato vjersha që mund ti konsideroja jo të mira. Familja ime ka qënë redaksia ime e parë, e gjithë kjo më rriti fletë pas flete. Jo vetëm kaq po në atë kohë ne zhvillonim shumë konkurse midis shkollave brenda e jashtë qytetit e natyrisht bashkë me shokët e mi kishim krijuar një skuadër të mirë të shkollës “4 Heronjtë”, jo vetëm fitonim në letërsi por edhe në shkenca të tjera.
Më pas kujtoj vitet e bukura të gjimnazit “Ali Demi”. Kemi pasur një mësuese poete, Maro Pasho e cila stimuloi shumë rritjen time poetike. E kujtoj me respekt faktin që ka qënë një grua ajo që vazhdoi, veç familjes, stimulin dhe evidentimin tim. Në vit të dytë të gjimnazit përsëri marr një vend të parë e më dedikohet një program në RTSH. Këto arritje më rritën dëshirën dhe ushqyen pasionin tim. Në moshën 17 vjeçare unë nisa punën si korespondente vullnetare në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”. U dallova dhe u vlerësova, me fleta lavdërimi, si quheshin atëhere, për reportazhe dhe portrete të njerëzve të thjeshtë punëtorë. Këtë periudhë e kujtoj vërtet si sukses, pavarësisht lodhjes pasi duhej të shkoja në vëndet e tyre të punës e kjo krahas mësimeve të cilat duhej ti bëja mirë për të përmbushur pretendimet e mia. Më vleu pra kjo periudhë, unë po merresha me diçka që më lidhi me më shumë njerëz të moshave e profesionve të ndryshme, si natyrë sociale kjo më jepte gëzim të veçantë pasi kisha edhe një të ardhur timen, “honorar”, me të cilën mund ti bëja ndonjë dhuratë familjarëve. Në maturë kam qënë e vetmja pjesmarrëse vajzë shkolle në një kongres të grave dhe vajzave krijuese në rang kombëtar të zhvilluar në Tiranë me iniciativën, mbaj mënd të Vito Kapos. E përmënd se kjo më vleu më pas në luftën time për të marrë një të drejtë studimi, natyrisht sepse dëshira ime për shkollë ishte e madhe.
Pyetje-Cili është Diplomimi juaj?
Dr. Eva Gavani-Eh… , është një kapërcim mbase nga pasioni për letërsinë në atë të shkencave ekzakte. Unë jam diplomuar për Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Nuk ishte e lehtë për mua të zgjidhja degën që doja. Kjo edhe për faktin se në familjen time ishin të gjithë me shkollë të lartë e natyrisht politika e atëhershme nuk e lejonte këtë , duhej shpërndarë e drejta e studimit në çdo familje. Pra e kish më thjeshtë dikush që kish një mesatare e kritere më pak të plotësuara arsimore në krahasim me mua vetëm të ishte i pari fëmijë i familjes. Po unë u mësova të këmbëngulja, atë që doja e doja me gjithë mundimet që mund të pasonin. Nuk pranova shkollime alternative, duhej të vazhdoja shkollën ashtu si vëllai im ekonomist e motra ime pianiste. Për herë të parë po deklaroj se më është dashur të rend dyerve të ministrisë në Tiranë, madje kam trokitur edhe në derën e shtëpisë së ministres së atëhershme të arsimit e cila po nisej për pushime dhe dha një rekomandim në qytetin tim që te shihesha me preçedencë. Kështu me luftë me shumë drithërima e ankthe nisi beteja ime për shkollën. Kimi ishte zgjedhja e listave në bazë të mesatares time të lartë e unë nisa studimin në Fakultetin e akullt të Shkencave të Natyrës pa e ditur që vite më vonë kimia do të ishte pasioni im i dytë dhe profesioni që do të më krijonte të ardhurat bazë për të mbajtur familjen. Gjatë viteve të shkollës së lartë letërsia ishte brenda meje, brenda bllokut të kuq që e mbaja me vete në pritje të shtonte faqet.Vjershat e atëhershme ishin si formula e kjo ndërthurje po krijonte një dimension tjetër tek unë, ndjeja që vargu po rritej e po bëhej më konçiz, kimia nuk më lejonte më të shkruaja gjatë.
Pyetje- Cila eshte familja juaj ?
Dr. Eva Gavani-Unë tani jam kryefamiljare dhe ndjej peshën e përgjegjësinë absolute të familjes për formimin e mirëedukimin e brezave. Them e brezave se pyetja juaj më çoi direkt në gjirin e familjes ku jam rritur, e meqënëse ne e dimë që nëna është kyçi i rritjes së fëmijëve, më erdhi menjëherë në mend gjyshja ime e natyrisht nëna ime e mirë. U detyrohem shumë mirësisë e përkushtimit të tyre. Gjyshja ka transmetuar te nëna ime vlera e ajo i ka përçuar tek unë në formë më të përsosur. Nëna ime në veçanti ka qënë një grua shumë elegante në pamje e sjellje. E mirë dhe e dashur ashtu si të gjitha nënat ka induktuar tek ne dashurinë për librin dhe njerëzit. Unë kam patur fatin të kem prindër intelektualë të rritur në dy familje me qytetari në dy treva të ndryshme, siç janë jugu e Shqipëria e mesme. Nëna ime diti ti ndërthurë kaq mirë tek ne të dy kulturat, sa unë vazhdoj të them që kam qënë me fat. Edhe pse nuk është në këtë jetë më ajo vazhdon të jetë udhërrëfyesja ime, madje mund të them që ka qënë forca e saj që unë them sot që besoj në forcën e grave.
Pyetje-Ju edhe vetë jeni një grua intelektuale e fortë dhe e emancipuar, madje keni vlera të evidentuara familjare. A mund të na thoni sa do pak, si ka qënë kjo rrugë për ju?
Dr. Eva Gavani-Sa për familjen time mund të them që është krenaria më e madhe e jetës time. Familja ime, ajo që unë kam krijuar ka një pasqyrë të kristaltë, fëmijët e mi, Ejona dhe Ardit Gavani janë motive i madh i ditënetëve të mia. Ata janë siç e kam thënë edhe herë të tjera kryevepra e veprave të mia. Falenderoj Zotin në çdo moment për këtë dhuratë.
Nuk ka qënë e lehtë kjo për mua natyrisht. Kam qënë timonierja e familjes sime në moshë të konsideruar ende të re. E kjo pjesë e jetës përbën emancipimin tim të vërtetë, një betejë për të mbajtur familjen në parametra të mirë ekonomikë, një menaxhim i mirë i kohës për të qënë dy herë prind i fëmijëve të mi. Kam punuar në profesionin tim edhe pasdite, kam botuar libra, kam hartuar tekste, reklama etj që fëmijëve mos tu mongonte asgjë nga mirërritja jo vetëm në ushqim, por edhe në pregatitjen e tyre për jetën, vrapoj apas tyre në kurse gjuhësh të huaja, kurse sportive, argëtime, pushime, lojra etj. Sot ndihem e qetë që u kam dhënë një fëmijëri të pasur me gjithë mungesën që të krijon njëri prind. Ndihem krenare që ata sot janë plot dinjitet, të shkolluar mirë, të zotët e vetes, të qytetëruar e edukuar mirë, me një karakter e personalitet të spikatur e për më tepër të vetëdijshëm që çdo gjë e mirë në jetë nuk të vjen gati, apo të bjerë nga qielli, por fitohet me punë. Them se u kam dhënë modelin më të mirë të nënës dinjitoze. Por kam pasur edhe një betejë tjetër për tu përballur , mbase më të vështirën për një femër. Betejën me mantalitetin shoqëror. Kjo përbën suksesin tim të vërtetë, sfidën e mbijetesës. Të bësh emër të mirë në një shoqëri paragjykuese është një proces i gjatë, i përditshëm dhe i hasur kudo qoftë edhe në profesion. Kam mbajtur gjithmonë një qëndrim atë që të dikton qytetaria, geni fisnik e kurajoja për të luftuar me dinjitet, edhe duke u lënduar herë pas here fort, por nuk kam rënë asnjëherë pre e presioneve për të më bërë të dorëzohem… Gruaja është sa e brishtë aq edhe kurajoze, unë besoj në forcën e gruas.
Pyetje-Kush është eshte qyteti juaj, qyteti ku ju jeni rritur dhe ku vazhdoni të jetoni. Në këtë intervistë cili do të ishte komenti juaj për qytetin tuaj, këtë herë nga kënvështrimi dhe i një inteletualeje të mirfilltë, sikundër jeni ju ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen kjo pyetje: qyteti juaj. Unë kam dy qytete. Vlora është qyteti ku hodha bazat e karrierës letrare , Vlora për mua është “ një dallgë që shkon e vjen” sikundër them në një vargun tim, është qyteti i mallit dhe identitetit tim, kurse Tirana është qyteti i jetës time. Është qyteti im në shkollim, në karrierën akademike dhe profesionale por edhe letrare, qyteti i jetës time në tërësi, vendlindja e fëmijëve të mi. E dua Tiranën, nuk jetoj dot shumë kohë larg saj, Tirana është rritur hap pas hapi dhe unë kam ndjerë dhe ndjekur po kështu lëvizjen e saj në kohëra të ndryshme të qetësisë dhe trazimit.
Pyetje-Dhe sot si ndiheni në profesionin tuaj, a e do dhe investon Eva intelektualisht për profesionin e vet, cilat kanë qënë disa nga vlersimet që keni ndjerë në karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Unë duhet të theksoj shumë sinqerisht se të jesh e vlerësuar jashtë strukturave partiake , pra të jesh e vlerësuar profesionalisht për meritokraci tek ne, është një “mision i pamundur”, është e vështirë. Meritat e profesionit ndihen në atë, që ky profesion të siguron një vënd pune ku mund të nxjerrësh bukën me dinjitet. Për kaq ndihem vërtet e vlerësuar dhe këtë ja kam për nder vetëm Evës. Unë e dua profesionin tim, kam një emër të mirë në profesion dhe di të them që punën time e bëj me ndershmëri dhe përkushtim. Vlerësimin më të madh e kam marrë nga studentët e mi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ata janë miq të mirë , ata nuk japin dekorata por falenderime zemre e kjo vazhdon të ndodhë e kjo më ripërtërin. Fakulteti që dikur e quajta të akullt u bë frymëzim për pasionin tim të dytë ,kiminë. Po këtu unë ndoqa kualifikimin tim të mëtejshëm për Master Shkencor dhe më pas titullin Doktor Shkencash. Kam pasur fatin e madh gjatë viteve të diplomimit të kem një kastë të shkëlqyer mësimdhënësish e më pas të kem në krah pedagoge shumë të mira. Unë besoj në forcën e grave e në këto kualifikime kam pasur pedagoge gra që kanë ndjekur studimin e temës që mbrojtëm. Ishte një studim që kryhej për herë të parë tek ne dhe u desh shumë vëmëndje, por ambicja për ta çuar deri në fund në kohë madje, më bëri të mos kem gjumë. Tani them se ja vlejti, pavarësisht se këtu tek ne vlerësimi shtetëror për punën tani për tani s’është në nivelin e duhur.
Pyetje- A jeni larguar ndonjehere nga Shqiperia ? Aresyet tuaja, dhe si vazhdon komunikimi mekomunitetin e grave ne pune dhe ne angazhimet e tjera sociale?
Dr. Eva Gavani-Jam larguar për periudha të shkurtra nga Shqipëria. Unë vazhdoj të kontribuoj me punën time modeste në Shqipëri me dëshirën që secili nga ne që ka diçka për të dhënë, të vazhdoj ta bëjë me besimin se të gjithë së bashku diçka do bëjmë për më mirë.
Pyetje-Ju jeni nje kimise e aftë profesionalisht , me ambicie te forta per te ecur perpara, krahas profesionit ju jeni dhe nje krijuese e mirë , a ndiheni e plotesuar ëe rrafshin professional ?Jeni e kenaqur me karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Mund të them që se kam pasur të lehtë. Kam luftuar e punuar fort për të qënë sot kjo që jam në profesion. Na duhet ta pranojmë se për gratë është e vështirë të ngjisin karrierën pa ndjerë xhelozinë qoftë edhe brenda llojit. Inferioriteti dhe paaftësia më janë kundërvënë në rrugën time profesionale e kjo më ka marrë, për hir të së vërtetës, shumë energji, Është si një magnet që të tërheq në një fushë boshe e të thith energji positive. Unë e thashë që po të mos jesh e partirizuar apo mike e atij/asaj nuk mund të marrësh poste e vënde që “de facto” ti caktojnë kolegët me konsultën e vazhdueshme që kërkojnë nga ty. E nisur nga kjo them se ndihem mirë.
Në planin e botimeve vlerësimi vjen së pari nga lexuesit, nga mënyra se si e komentojnë prurjen tënde, vargje që mbahen mënd e recitohen japin për krijuesin një sodifaksion të bukur. Nga libri im i parë “Kam mall” e deri tek romani “Tundimet e një nate me hënë” kam ndjerë rritje brenda vetes, por edhe rritjen e audicionit, edhe rritjen e zhanrit edhe përsosjen e vargut. Jam ndjerë e vlerësuar mes krijuesish në mënyrë të veçantë për lirikat poetike ku me kanë vlerësuar me një çmim të parë në një ditë Shën Valentini. Promovimet e librave të mi të organizuara më së shumti nga Shtëpia ime Botuese, (drejtore e së cilës është përsëri një grua ), apo nga dashamirës arti kanë qënë vlerësimi më i madh për mua. Nje sukses dhe vleresim i madh per mua ka qene se jam botuar ne Antalogjine” Golden pen” në Amerike me autore të huaj.
Pyetje- Cili është libri më i dashur dhe i preferuar për ju dhe sa libra numëroni në poezi , tregime, cilët janë tituj e librave që keni botuar?
Dr. Eva Gavani-Unë kam një numër të numërueshëm titujsh , kam botuar 8 libra me poezi, tregime të shkurtra dhe një roman. Veçantia ëshstë se kam pasur një jetë intensive dhe koha nuk ka mjaftuar të rris numrin e tyre. Por kam edhe një mendim timin lidhur me numrin e titujve, nuk më pëlqejnë titujt e rritur artificialisht, kjo do të thotë që unë nuk shkruaj dot e pa frymëzuar. Ajo që mua më frymëzon është vetë jeta me truket e saj. Shumë ngjarje që për sytë e gjithkujt janë të thjeshta unë i bie në letërsi në formë të një realiteti ndryshe, kjo mendoj përbën individualitetin tim. Libri më i dashur për mua? Më duket se i dua të gjithë njëlloj, “Kam mall” mban brenda kujtimin e vëllait tim, “Jam Eva” ka lirika shumë të bukura , “Të lëmë një emër” ka poezi të ndjera , “Një orë nën qiri” një libër i pari me tregime të shkurtëra që të befason për nga mënyra se si zgjidhen situatat, “ (f)Shihemi në ëndërr” ndër librat më të shitur me poezi ka brenda edhe poezinë më të dashur për mua kushtuar nënës time, Lumturisë, kam bërë një paralelizëm me emrin e saj në këtë poezi. “Brenda Brengës” është libri që ka furtunën brenda, “Amina” është një libër shumë i bukur me tregime të shkurtëra mbi filozofinë e jetës dhe së fundi romani “Tundimet e një nate me hënë” që është një demaskim i korrupsionit në drejtësi shëndetësi e deformimit social, tema këto që mbeten aktuale.
Pyetje-Cilesitë si modestia , humanizmi dhe disa nga vetitë tuaja, sa të çmuara janë për ju ?
Dr. Eva Gavani-Të flasësh për veten e vlerat e tua është ca e vështirë duke ditur që modestia është vlerë qytetarie. Por ajo që vlerësoj e më bën krenare është motivi që unë kam në jetë : çdo gjë dua ta arrij me punë të ndershme e dinjitet, me forcat e mia, të marr mësimet e duhura nga e djeshmja, të sistemoj çdo gjë në kohën e duhur në mënyrë që e sotmja ti përkasë të nesërmes. Kjo ka bukurinë e saj pavarësisht se mund të mos jetë më e mira e mundshme. Vlerësoj shumë shpirtin human e natyrën sociale, tani kam arritur në përfundimin se jeta ka një cikël të rikthyeshëm të vlerësimit shoqëror.
Pyetje-Sa e organizuar eshte Eva ….në jetë? Dhe çfarë përçmon më shumë ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen të jetoj me ritëm ritmi e ka të përfshirë organizimin. Jeta është e bukur kur e shikon bukur. Kjo do të thotë që në se di të zgjedhësh në larminë që ajo të ofron, njerëzit e duhur, situatat e gjithçka të mirë që të përshtatet jeta bëhet më e thjeshtë. Situatat , por edhe njerëzit jo gjithmonë varen nga ne , unë e kam fjalën për drejtimin apo për timonin e jetës që duhet të jetë i palëkundur. Në rastet kur na dalin përpara fenomene si mosmrënjohja, zilia, cmira, harbutëria etj etj nuk ke si të mos reagosh me përçmim. Mua më është dashur të ndeshem në këtë përballje pa u dorëzuar me argumentin se po t’ua lëmë shoqërinë njerëzve të tillë, do humbasim shumë.
Pyetje-Cili është raporti që ju keni me veten , profesionin dhe komunitetin e gruas qe te rrethon?
Dr. Eva Gavani-Shpesh herë them se “duhet bërë më mirë” e ky nuk është ndër raportet më të mira që mund të kesh me veten, pra veten e gjykoj sa shpesh më duket se i hyj në hak. Por në planin e përgjithshëm e respektoj shumë veten e për këtë ndihem mirë. Miqtë e mi të ngushtë e dinë që unë që në rini kam pasur shprehjen standart “e dua shumë Evën”. Unë vlerësoj shumë punën e shoqatave në ndihmë të grave, punën individuale të grave në ndihmë të familjes por edhe në ndihmë të njëra tjetrës. Ky është raporti më i mirë njerëzor secili të japë më të mirën nga vetja në ndihmë të edukimit qytetar e njerëzor.
Besoj nga kjo fillon edhe emancipimi i femrës, të duash e vlerësosh veten do të thotë të kërkosh edhe raporte të drejta në shoqëri. Të luftosh për arritjet e tua e të gjesh rrugët e drejta të arritjes së saj është në një farë mënyre edukim i shoqërisë në tërësi që ti japi femrës atë që i takon. Thuhet shpesh se një shoqëri është aq e emancipuar sa të emancipuar ka femrat. Unë besoj se shoqërisë shqiptare i mungon ende respekti për femrat të cilat në vetvete kanë ecur shumë e janë një hap para ( për të mos thënë më shumë) se vetë politika që ndiqet për to. Besoj që ka ardhur koha e rivlerësimit të figurës së femrës dinjitoze e unë personalisht ju falenderoj ju për këtë punë të palodhur, duket sikur do të jeni ju oguri i këtij rivlerësimi. Shoqëria jonë ka nevojë ta ridimensionojë femrën dhee figurën e vërtetë të saj , ka nevojë të njohë atë që qëndron përtej servilizmave konjukturalë për të fituar një pozicion karrikeje të lëkundshme për nga pandershmëria.
Dr. Eva Gavani-Unë ju falenderoj sërish që më dhatë mundësinë të shprehem për figurën më të dashur në botë ,për nënat, gratë e vajzat tona !
– Faleminderit ju e dashur Eva ,gruaja e suksesshme, kimistjae aftë brilante, krijuesja e talentuar dhe nje aktiviste e shkëlqyer e gruas shqiptare. Suksese nga zemra

Kosova ka mbështetjen e plotë të BE e SHBA

Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, deklaron se Republika e Kosovës ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. “Ne po punojmë përditë për ta bërë shtetin tonë funksional dhe partnerë të denjë me miqtë tanë”, thekson ai.

1 Isa Mustafa2

Mustafa bën të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të shumtë evropianë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Evropiane (EPP), të cilët udhëheqin shumicën e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të cilët më kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën. Po ashtu, vijon ai, patëm një darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me delegacionin e Serbisë.
“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e Liberalizimit të Vizave. Që nesër, barrikada në urën mbi lumin Ibër, do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”, shprehet Mustafa.
Kosovës, vijon ai, i duhet konsensus nacional për këto procese të rëndësishme dhe parasegjithash, Kosovës i duhet të dëshmojë racionalitet dhe stabilitet.
“Nga aktet e dhunës në institucione, ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi kah debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”, thekson kryeministri Mustafa.
Ai shton se, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet.
“Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, përfundon Mustafa në ‘facebook’.

Pushtetarët milionerë të pasluftës, "figura" vrastare të lirisë dhe pavarësisë së popullit


Pushtetarët milionerë të pasluftës, "figura" vrastare të lirisë dhe pavarësisë së popullit

Shkruan: Florim Zeqa

Popullata e pashpresë

16 vjet pas lufte do të bëhen bashkë ata që rropën e çrropën bashkatdhetarët në emër të ndihmës së luftës çlirimtare - dy fondet famoze të luftës: Qeveria e Bukoshit dhe Fondi ‘Vendlindja Thërret’

Pushtetarët milionerë, "çlirimtarët" dhe "institucionalistët" e djeshëm qëndrojnë përballë një popullate të pashpresë për ardhmëri, të lodhur nga varfëria dhe denigrimi social i vlerave shoqërore në vendin tonë. Pasurimi i paligjshëm i një kaste politike filloi përmes "patriotizmit" folklorik, që nga rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari, me familjen e tij në fillim marsin e '98-s. Milionerët e pasluftës, të maskuar nën petkun e "çlirimtarit" dhe atë të "institucioneve", janë shndërruar në "figura" vrastare të lirisë dhe pavarësisë së popullit të tyre

Tek njerëzit e mëdhenj vdekja nuk është fjala e tyre e fundit, madje nga ai çast fillon epoka e përjetësisë së tyre, nga ai çast vjen në shprehje shfaqja e vlerave të vërteta të tyre. Njerëzve të mëdhenj me kalimin e kohës u ngrihet vlera, ndërsa diktatorëve e shpirtligjve koha ua qet pluhurin e harresës.



Disa nga ata që sot thirren në emër të presidentit historik, për së gjalli jo vetëm që nuk e kanë dashur e respektuar, madje gjithmonë e kanë mbajtur në shënjestër të denigrimit moral dhe likuidimit fizik.

Tani, kur ai nuk është më në mesin tonë, sa herë që e ndiejnë vetën ngushtë apo të rrezikuar nga diçka, si shpëtim e gjejnë po atë emër (Ibrahim Rugova ), si mburojë, si forcë mbrojtëse nga kërcënimet dhe sulmet ndërkombëtare.

Na ka rënë t'i shohim shpesh para fushatave zgjedhore oponentët politikë të dikurshëm të presidentit, të shkojnë të varri i tij me përulje duke u shndërruar në lëpirësit më të mëdhenj të mermerit mbi varrin e tij.

Mbase tanimë kjo nuk është risi në Kosovën post-rugoviane, por risia më e RE është e këtyre ditëve e oponentes së dikurshme të tij, të cilët nga frika e Gjykatës Speciale, nga lëkundja e pushtetit, u janë kthyer prapë presidentit historik, Ibrahim Rugova, jo për ta sharë si dikur, siç i thoshin "pacifist", "tradhtar", e terma tjerë të ulët në stilin e tyre tradicional, por tani ju kanë kthyer stilit rugovian të politikëbërjes, duke u betuar në partneritetin me miqtë ndërkombëtarë!

Admirimi i pushtetarëve për ndërkombëtarët nuk është nga dashuria e respekti për ta, por nga frika e ndëshkimi

Kjo është qartë e kuptueshme se gjithë ky admirim i tyre për ndërkombëtarët nuk është nga dashuria e respekti për ta, por nga frika e ndëshkimit nga ana e tyre për të bëmat gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Historia është e pamëshirshme, ajo nuk e lejon askënd të bëjë manipulime sipas tekëve dhe aspiratave personale, për arsye se ngjarjet e ndodhura në këtë vend nuk kanë qenë të shkruara në akull, porse janë të shkruara mirë në kujtesën e popullit përmes vuajtjeve e sakrificave të shumta, përmes mundit e djersës, përmes flijimit e gjakut të derdhur ndër vite e dekada për këtë LIRI që e gëzojmë sot.

Pushtetarët milionerë, "çlirimtarët" dhe "institucionalistët" e djeshëm, qëndrojnë përballë një popullate të pashpresë për ardhmëri, të lodhur nga varfëria dhe denigrimi social i vlerave shoqërore në vendin tonë.

Pasurimi i paligjshëm i një kaste politike filloi përmes "patriotizmit" folklorik, që nga rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari, me familjen e tij në fillim marsin e '98-së.

Milionerët e pasluftës, të maskuar nën petkun e "çlirimtarit" dhe atë të "institucioneve", janë shndërruar në "figura" vrastare të lirisë dhe pavarësisë së popullit të tyre.

Kush e ka besuar se 16 vjet pas lufte do të bëhen bashkë kundërshtarët e Rugovës dhe Adem Jasharit, kush e ka menduar se 16 vjet pas lufte do të bëhen bashkë përçarësit më të mëdhenj të popullatës në Kosovë, kush e ka menduar që 16 vjet pas lufte do të bëhen bashkë ata që rropën e çrropën bashkatdhetarët në emër të ndihmës së luftës çlirimtare - dy fondet famoze të luftës: Qeveria e Bukoshit dhe Fondi ‘Vendlindja Thërret’.

Këngët patriotike, motivi për zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve

Nga gatishmëria e bashkatdhetarëve që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për lirinë e Kosovës përfituan disa nga "patriotët" e mbështjellë nën petkun e "çlirimtarëve" dhe ata nën petkun e "institucioneve"...të cilët kurrë nuk dhanë asgjë nga vetja e tyre për lirinë e vendit, përfituan nga tragjedia e popullit duke u pasuruar me djersën e mërgimtarëve dhe gjakun e dëshmorëve.

Lufta ishte shkaku, ndërsa këngët patriotike motivi për zbrazjen e xhepave të mërgimtarëve, që rezultoi më mbushjen e xhepave të komandantëve, emisarëve politikë dhe institucionalë të luftës.

Më shumë se kaq, askush nuk e ka menduar se 16 vjet pas lufte bartësit e këtyre fondeve për hatër të Serbisë do të bëhen bashkë kundër interesave të shtetit!

Situata e krijuar tani pas votimit të Gjykatës Speciale në Kuvend shtron domosdonë e veprimeve urgjente për mbrojtjen e asaj çka ka mbetur në Republikën e Kosovës.

Pasi agresioni politik i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalet me themelimin e Gjykatës Speciale, e cila amniston për të dytën herë kriminelët serbë të luftës nga ana e "çlirimtarëve" tanë, të cilët e treguan edhe një herë fytyrën dhe shpirtligësinë ndaj bashkëluftëtarëve dhe popullit të tyre.

Amnistimi i kriminelëve serbë që vranë e prenë shqiptarë, që dogjën e pjekën për së gjalli mijëra shqiptarë, që therën me thika foshnjat në barkun e nënave, që dhunuan nënat dhe motrat tona,...paraqet një vrasje të dytë për viktimat dhe lëndim të rëndë shpirtëror për familjarët e tyre.

Në mbrojtje të sovranitetit të shtetit pa dallime partiake

Shpirtligët e nxitur nga epshet karrieriste, nga egoja për pushtet e pasurim të paligjshëm, u treguan edhe një herë të gatshëm për të rrënuar çdo gjë para vetës, çdo vlerë e pasuri kombëtare për mbajtjen e pushtetit,... të cilët nuk e votuan as Rezolutën mbi Gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës!

Formimi i menjëhershëm i një qeverie të unitetit kombëtar në mbrojtje të shtetit të Kosovës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike është nevojë imediate, në të kundërtën e ardhmja e shtetit të Kosovës është e rrezikuar seriozisht.

Që kjo të mos ndodhë, duhet të ngrihemi të gjithë në mbrojtje të sovranitetit të shtetit pa dallime partiake apo fetare, me të gjitha mjetet demokratike duke filluar nga protestat, demonstratat, grevat e përgjithshme deri në një rezistencë aktive e paqësore mbarëkombëtare.

Kjo është një e drejtë natyrore të cilën nuk mund ta mohojë as komuniteti ndërkombëtar, përderisa serbëve në veri ju lejon barrikadimin në një territor të huaj, tani e 16 vite më parë, pse të mos kemi të drejtë ne të mbrojmë sovranitetin e shtetit të njohur ndërkombëtarisht!"

Shteti i Kosovës duhet të mbetët kështu si është pranuar, si Republikë e Kosovës pa fusnota ***, pa "Asociacione etnike", pa gjykata të huaja,... me një fjalë pavarësia e institucioneve të shtetit duhet të jetë e plotë e jo parciale,...ndryshe nuk mund të quhet ashtu, ngase nuk ka shtet me gjysmë-pavarësi dhe gjysmë-liri.

Në këtë kontekst pashmangshëm shtrohet pyetja hipotetike; sikur të ishte gjallë presidenti historik, Ibrahim Rugova, a do të ndodhte kjo që po ndodhë sot në Kosovë?!

Thellësisht jam i bindur se jo. Fuqia politike dhe autoriteti i lidershipit rugovian do të ishin mburojë e pakapërcyeshme e institucioneve shtetërore dhe mbrojtje e fuqishme e vlerave të lirisë sonë.

Kush më mirë se Ibrahim Rugova në Tribunalin e Hagës e mbrojti luftën çlirimtare dhe vetë luftëtarët e lirisë, i cili haptas dhe pa frikë para gjykatës ndërkombëtare deklaroi: "Serbia ka kryer krime në Kosovë,...UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste, ajo lindi nga njerëzit, nga populli, nga patriotët që luftuan për lirinë e Kosovës,...të cilët kanë mbrojtur pragun e shtëpisë..."Këto ishin fjalë të mëdha të një burrështetasi të përgjegjshëm, që në çdo situatë i doli në mbrojtje vendit dhe popullit të vet.

‘Velania’, vendi ku prehet në paqe trupi i tij, është vend i shenjtë për të gjithë qytetarët, në radhë të parë për çlirimtarët e vërtetë të këtij vendi.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...