Kuvendi i Kosovës duhet ta ftojë për raportim kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, tha deputeti i PDK-së, Artan Behrami.
Ai nga foltorja e Kuvendit, në seancën e sotme theksoi nevojën për një gjë të tillë, siç tha pas shkeljeve dhe shqetësimeve të ekspertëve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Dua të përshëndes qëndrimin dinjitoz të zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, që e bëri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kërkoi që kjo gjykatë të raportojë në Kuvendin që e ka themeluar. Kur ministri i jashtëm i Kosovës e ngre këtë çështje në format më të larta ndërkombëtare, atëherë është detyrë e këtij Kuvendi që mos të heshtë.
Andaj Kuvendi duhet të kërkojë llogaridhënie nga BE-ja, shtetet financuese, sqarime institucionale nga EULEX-i dhe urgjentisht duhet të ndalojë raportimin në EULEX dhe UNMIK përmes rezolutës 1244. Kjo gjendje hibride ku Kosova mban emrin dhe të tjerët mbajnë kontrollin nuk mund të vazhdojë. Ne si Kuvend duhet të ftojmë urgjentisht në raportim presidenten e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ombudspersonin e kësaj gjykate dhe pse jo edhe shefin e EULEX-it. Besoj se Komisioni për të Drejtat e Njeriut bashkë me Komisionin për Legjislacion mund të udhëheqin këtë proces”, tha ai.
No comments:
Post a Comment