Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/10/19

Baton Haxhiu:A do të ndodhë dhe në Kosovë skenari Ukrahinas?












A jemi në krizë? Po. Kush është në krizë më të madhe: Pozita apo Opozita? Natyrisht, Opozita. Atëherë, ç’duhet bërë? Së pari, duhet të zhbëhet gabimi kolosal i procesit postzgjedhor nga viti i kaluar, duke krijuar marrëveshje brenda natës në kafene. Zotërinjtë që kanë marrë këso vendimesh të rënda është dashur ta kenë parasysh edhe daljen nga to. Ata nuk e kishin kuptuar se veprimet e tyre do të jenë me pasoja të pariparueshme duke lënë peng një qëndrim të pakuptimtë dhe pa adresë. Duke i lënë në ankth dy milion qytetarë. E dimë se politikanët me dinjitet të tepruar e kanë vështirë për ta kuptuar se me akte të tilla mund ta humbin edhe fytyrën. Në fund të fundit, ata bëjnë politikë për të fituar – e jo për të tentuar të bëjnë gjëra të pamundura. Prandaj, dinjiteti i tepruar nuk është privilegj. Është mashtrim prej dinjiteti. Burrështetasit kurajozë dhe të mençur duhet t’iu paraqesin palëve një kompromis të studiuar mirë, që do t’ia lejonte secilit të thirrej në fitore. Duke mos e gjetur këtë kurajë, ata gjetën tradhtarin, sic ndodh zakonisht në Ballkan. E gjetën Isa Mustafën, si njeri që tradhtoi marrëveshjen e VLAN-it, por nuk patën kurajën që t’i shihnin edhe gabimet e veta, duke mos gjetur kësisoj mundësi për kompromise tjera. A ka kjo Qeveri paaftësi dhe a bën gabime? Shumë. Ka ministra që as idenë s’e kanë se çfarë është kjo punë. Ministrat kanë poste të dhuruara nga liderët, jo të merituara. Shikojeni Zyrën e Kryeministrit dhe përbërjen e saj. As për Komunën e Shtimjes nuk është, e lëre më që ajo zyrë ta përfaqësojë ndonjë strukturë shtetërore vendimmarrëse. Por, kjo është edhe natyrë – është mentalitet. Shteti që punëson dhe merr këshilltarë që vendin e parë të punës e kanë “këshilltar” – i ka punët keq. Shumë keq. Më habit fakti se si kjo Opozitë nuk bën gjënë e duhur për ne, qytetarët, por krijon kauzë jo për vete, por për ta forcuar Pozitën. Krijon kauzë për Asociacionin dhe Demarkacionin. Dy gjëra që u krijojnë shumë armiq dhe nuk fitojnë asgjë. Përveç rrëmujës ku humbet gjithçka, përfshirë edhe gjasat për zgjedhjet që vijnë.   Atëherë, ku jemi?   Para dy viteve, Vitali Kliçko bashkë me ithtarët e tij bllokoi disa herë punën e Parlamentit në Ukrainë. Njëjtë pikë për pikë si këtyre ditëve në Prishtinë. Madje, 244 deputetët e shumicës bashkë me Qeverinë e prorusit Janukoviq ndërruan ndërtesën për të vazhduar punën. Dihet çfarë ndodhi mandej. Ukraina sot nuk është më ajo para “Revolucionit të Portokalltë”. Rusia ka marrë rajonet më të rëndësishme të saja dhe Vitali Kliçko është shpërndarë duke folur, sërish, nëpër shumë studio të mediave gjermane. Analog me ngjarjet në Ukrainë, dy javë pas zgjedhjeve nacionale, opozita bullgare me protesta bllokoi hyrjen në Parlament për 41 ditë, me kërkesën për shpartallimin e Qeverisë së porsazgjedhur socialiste, duke synuar të imponojë zgjedhje të reja. Në natën e 42-të ndërhyri policia dhe shpartalloi opozitarët. Gjatë përleshjeve u lënduan rëndë 20 policë dhe demonstrues. Ndërhyri BE-ja dhe organizatat tjera ndërkombëtare, duke kërkuar dialog. E njëjta Qeveri bullgare vazhdon punën edhe sot – në dialog me opozitën. Nga cilët këta shembuj të para dy viteve mund të mësojmë për ta përshkruar më së miri situatën në Kosovë? Dinamika, intensiteti, gjuha politike, aksionet dhe praktikat – siç është në natyrën e proceseve të këtilla – janë identike. As synimi nuk dallon – në shënjestër gjithmonë është pushteti! Në njëfarë mënyrë, zhvillimet në Ukrainë janë më të përshtatshme për të bërë krahasime me Kosovën ngase si atje rusët, edhe në Kosovë serbët, mezi presin që krizat e brendshme dhe “revolucionet” t’i shpërdorin për ta riaktualizuar çështjen e territoreve – më troç marrjen e tyre. Domosdo dhe fatmirësisht, Serbia për veriun as minimalisht nuk mund të bëjë si Rusia, mirëpo – me kartën e sigurisë – mund ta shkoqë për vete një autonomi maksimale, apo një zonë “neutrale dhe krejtësisht të pavarur”. Rreziku ekziston. Opozita nuk e përfill këtë duke menduar se KFOR-i është ai që ruan sigurinë dhe territorin e Kosovës. Por, nuk është kështu. Përkundrazi, opozita i jep një dimension krejt hiperbolizues Asociacionit të Komunave, duke e trajtuar si Supershtet. Ajo e do pushtetin dhe për këtë ka zgjedhur mjetet adekuate: bllokimin e Parlamentit (si në Ukrainë), demonstrata rrugëve nëpërmjet tubimit të nënshkrimeve, me protesta (si në Bullgari), dhe ashtu siç kanë paralajmëruar; finalizimi i gjithë këtyre do të kurorëzohet me “tërmete politike” (Kurti), çka përkthyeshëm do të thotë: trazira masive. Por, deri në çka? Shumica prej nesh jemi të bindur se masat nuk do t’iu përgjigjen thirrjeve të Opozitës. Megjithatë, gjithçka është e mundur dhe çdokujt i lejohet të profetizojë dhe parafytyrojë për vete skenarët se çka mund të ndodhë. Do ta pësojë Kosova si Ukraina, apo do të ndodhë si në Bullgari? Do të shndërrohet Kosova në një vend të përgjysmuar, në anarki, si zonë eksperimentesh parapolitike, apo do të ngjajë si në Bullgari, ku opozita dhe pozita u detyruan të dialogojnë?   Aktualisht, Opozita duket të jetë e gatshme të djegë shumëçka për të mos i pranuar marrëveshjet e nënshkruara me serbët rreth Asociacionit, si dhe me malazezët për demarkacionin. Thirrjen e Kryeqeveritarit për dialog treshja opozitare e kualifikoi si dobësi dhe komunikoi edhe më me këmbëngulje se do të vazhdojë barrikadimin. Parlamenti mbetet arena ku opozita e bashkuar do ta animojë popullin deri sa të jenë pjekur kushtet për trazirat në përgatitje e sipër. Në stilin e atyre arabe? S’ka gjasa. Në gjithë këtë situatë ndodh edhe një afekt që ka të bëjë me rikonfigurimin e forcave politike në vend: tkurret opozita, respektivisht ndodhë fuzionimi, përbashkimi, shkrirja e forcave opozitare në favor të alternativës njëdimensionale politike të VV-së. Çka ndodh vërtet me opozitën e përbërë nga tri parti të vogla, që të gjitha me një histori relacionesh jo aq të këndshme ndërmjet vete? Bashkimi në veprim i tyre nuk del si përbashkim i tri koncepteve politike, siç ilustroi më së miri “seanca e vezëve”, por më shumë del si absorbim i opozitës – AAK-së së dobësuar dhe Nismës së pashpresë – nga ana e VV-së. AAK dhe Nisma dorëzuan profilin e tyre politik dhe përbashkuan stilin në favor të praktikave dhe aksioneve të trazirave të VV-së, që partia e Albin Kurtit e ka patent të saj që nga fillimet e deri sot. Vetëvendosja ia imponoi suksesshëm agjendën, metodën dhe kulturën politike pjesës tjetër të opozitës. Me vetëdije dhe strategji të VV-së, apo për shkak të naivitetit të të tjerëve, mbetet çështje analizash për më vonë. Sot Kosova nuk disponon më me një opozitë plurale partish, por më tepër gjendet nën tensionin e një komandimi që bashkë me qeverinë rrezikon ta djeg edhe shtetin.   Në ashpërsimin e krizës patjetër se ndihmon edhe sjellja e Pozitës. Në vend të ndonjë komunikimi intensiv për të bërë sa më transparente luftën e saj në dialogun me Serbinë, ajo mezi gjen kohë për të komunikuar me opinionin e brendshëm, e sidomos me Kuvendin. Opozita manipulueshëm ka arritur t’i interpretojë marrëveshjet me Serbinë si dëshira personale të “duos tradhtare” Mustafa–Thaçi, edhe pse realiteti është totalisht i kundërt: konsensusi në fund u imponua nga BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, duke i lënë të pakënaqura të dyja palët e motivuara nga interesat e tyre etnonacionaliste. Marrëveshjet janë ndërkombëtare. Parlamenti ndoshta nuk do të ishte shndërruar në arenë të tillë nëse kryesia e Kuvendit do t’i përmbahej rregullores së punës dhe ligjeve që garantojnë ecurinë e punës së Kuvendit. Kryekuvendari, përherë duke u zbavitur me bllokuesit, duhet ta kuptojë se nuk është si Presidentja, nga e cila kërkohet ta ketë mirë me të gjithë, por roja ligjore që e ka obligim të sigurojë rend në Parlament.   Për shumicën absolute të përfaqësuesve të shoqërisë civile, si mediat, analistët, OJQ-të, institutet e varura e të pavarura, akti permanent i bllokimit të parlamentit konsiderohet suspendim flagrant i demokracisë pluraliste. Mos të flasim për reagimet e dy partive më të mëdha për nga votat. Ky qëndrim nga të gjithë argumentohet me shpërfilljen, mohimin, e së drejtës së qytetarëve për t’u përfaqësuar me të dërguarit e tyre në parlament. Pothuaj nuk ka mbetur shtet dhe instancë ndërkombëtare e lidhur me Republikën e Kosovës që nuk e ka dënuar publikisht bllokadën dhe sjelljen aktuale. Për cilat interesa vepron atëherë Opozita? Për cilin “Popull”? Për shumicën e qytetarëve sigurisht jo.Kjo është absolutisht e pamundur. Mbetet vetëm një gjë si shpjegim: Opozita nën komandën e VV-së nuk beson se ndonjëherë do ta marrë pushtetin nëpërmjet votës dhe besimit të shumicës dhe ka vendosur që këtë ta bëjë me rrugë tjera. “Në emër të popullit, kundër shumicës, drejt suspendimit të demokracisë pluraliste, qoftë edhe me trazira dramatike” – kjo duket të jetë deviza praktike e bllokuesve të Parlamentit. Me çfarë çmimi? Kjo pyetje nuk i intereson opozitës. Gjithçka që ajo do është pushteti. Mbase më shumë si në Ukrainë, sesa si në Bullgari. A do t’ia dalë? Asnjëherë! Për një fat të Kosovës, sigurinë e saj ende e garantojnë ata që ia bashkëmundësuan lirinë. * Autori eshte drejtor i Klan Kosova. Titulli origjinal:Bllokada: Ku jemi, çfarë duan, si do të përfundojë?

Enver Robeli: Qeverisja e Shqiperise nuk behet nga galerite e Gjermanise

 Ditëve të fundit në München kanë arritur rreth 64 mijë refugjatë – dhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë erdhi për të hapur një ekspozitë me disa vizatime, shkarravina e shkraba, siç i quajti gazeta “Süddeutsche Zeitung”. Punimet, siç tregohej më tutje në artikull, ishin krijuar derisa politikani Rama po e kalonte kohën në zyrë – duke menduar për qeverisje dhe për ngjyrosje të Tiranës, duke pritur palë, duke u zemëruar dhe entuziazmuar. Nga Müncheni, Rama – natyrisht – postoi në “Facebook” një grumbull fotografish ku shihen artistë dhe kam-qejf-me-qenë-artistë, dashamirë të artit dhe adhurues të snobizmit, si dhe aktivistë kulturorë gjermanë. Muaj më parë Rama me të njëjtën ekspozitë u paraqit edhe në Berlin. “Lulëzime nga kalendari” u quajtën vizatimet e tij, sepse janë krijuar mbi fletë kalendari, notes e fletoreje.
Me këso ngjarjesh të vogla kulturore, pothuaj të papërfillshme për opinionin e madh gjerman, Rama me gjasë po përpiqet të përmirësojë imazhin e vendit të tij. Është një nismë mbase qëllimmirë, por, për fat të keq, pa ndonjë efekt të matshëm, sepse piktori që edhe si kryeministër dëshiron të jetë (vetëm) piktor, ka një detyrë tjetër të madhe: ai duhet të qeverisë. Dhe duket se qeverisja pas dy vjetësh në post e ka lodhur Edi Ramën. Slogani i dikurshëm i aleancës së majtë “Rilindje” dalëngadalë është zbehur dhe gjithnjë e më shumë po lexohet në stilin dadaist si “Lirindje”.
Në mediat prestigjioze gjermane janë shtuar kritikat e ashpra kundër qeverisjes së keqe në Tiranë. Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) së fundi shkruante: “Krimi i organizuar lulëzon më së miri në sferën e hirtë të nepotizmit. Ithtari i një klani që hyn në politikë mund të llogarisë në votat e fshatit ose qytetit të tij, pavarësisht nga përkatësia politike që ka. Si kundërvlerë, ai e shpërblen klientelën e tij. Krimi i organizuar e kërkon afërsinë me pushtetin, për të janë të huaja paragjykimet politike apo ideologjike. Deri në zgjedhjet parlamentare të 2013-s në pushtet ishin konservatorët, Partia Demokratike dhe partnerët e saj; tani janë socialistët dhe ‘Aleanca’ e tyre për ‘Shqipërinë evropiane’. Sikurse kryeministri i mëparshëm dhe kryepartiaku demokrat Sali Berisha, edhe kryeministri socialist dhe kryepartiaku Edi Rama premton se do t’i luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë”. Gazeta përshkruante se si dhjetëra deputetë të Partisë Socialiste janë të lidhur me struktura të fuqishme të krimit të organizuar, dhe Rama është treguar i shurdhër përballë kërkesave të diplomatëve në Tiranë që t’i ndëshkojë keqbërësit në partinë e tij. Presioni me gjasë ishte aq i madh muajve të fundit, saqë Rama nën peshën e fakteve qe i shtyrë të ndahej nga disa deputetë dhe të lejonte drejtësinë e korruptuar të ndërhynte. Prapëseprapë gjendja mbetet e rëndë: “Në qershor, me autorizimin e Qeverisë, u publikua një raport i hartuar nga specialistët shqiptarë dhe ndërkombëtarë si një dokument pune për reformën në drejtësi. Raporti përshkruan se si krimi ia del të amnistohet me ryshfet. Duke filluar nga nëpunësit e policisë, të cilët për relativisht pak para i zhdukin provat. Prokurorët për 1000 deri 2000 euro janë të gatshëm të heqin dorë nga akuza. Për ta nxitur një gjykatës për një gjykim më të lehtë, duhen 60 mijë deri 80 mijë euro. Në proceset civile, thuhet në raport, gjykatësit marrin para nga të dyja palët. Ata vetë paguajnë 100 mijë deri 300 mijë euro për t’u ngjitur më lart në karrierë, siç është ngritja në qarkun gjyqësor të qytetit ose thirrja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, shkruante FAZ.
Në një tekst tjetër botuar në fillim të gushtit “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregonte se vetëm gjatë korrikut në Gjermani kanë kërkuar azil 7000 shqiptarë – dhjetë herë më shumë se në korrik të vitit 2014. Burime nga qyteti i Kukësit, për shembull, bëjnë me dije se vetëm në 12 muajt e fundit qytetin me rrethinë e kanë braktisur 7000 veta – shumica në drejtim të Gjermanisë. Një tekst mjaft kritik mbi mjerimin shqiptar, sidomos në zonat rurale, së fundi e ka publikuar edhe revista me ndikim “Der Spiegel”.
Cila është strategjia e Edi Ramës për t’i zgjidhur problemet? Duket se nuk ka kurrfarë strategjie. Në intervista për mediumet e hapësirës gjermane ai paraqitet si i hidhëruar, ironik, sarkastik, akuzues ndaj Evropës, që gjoja po i injoron shqiptarët. Asnjë fjalë për domosdoshmërinë e luftimit radikal të krimit. Asnjë fjalë për domosdoshmërinë e një reforme radikale për reformimin e administratës. Asnjë fjalë për spastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e lidhur me krimin. Asnjë fjalë për nevojën urgjente për të çliruar Shqipërinë nga oligarkët që kontrollojnë ekonominë përmes monopoleve të tyre dhe kështu pengojnë çdo konkurrencë serioze dhe zhvillim të ekonomisë së tregut. Në vend të kësaj, Qeveria e Tiranës organizon aksione teatrale për shkuljen e bimëve të kanabisit. Por para se të shkuleshin bimët e pafajshme do të duhej të shkuleshin nga postet komandantët e policisë që bashkëpunojnë me tregtarë droge, do të duhej të shkuleshin nga postet politikanë të nivelit të lartë, që përfaqësojnë vetëm interesat e baronëve të krimit.
Ja çfarë thotë Rama me cinizëm në një intervistë me gazetën “Süddeutsche Zeitung”: “Ne nuk jemi si Zvicra. Por ne as që duam të jemi si Zvicra, sepse kjo do të ishte monotone. (…) Është e tmerrshme të shohësh se si disa vende të mëdha dhe të pasura po dështojnë t’i pranojnë refugjatët. BE-ja sot duket si një federatë përplot me egoistë që mendojnë vetëm për kombet e tyre. Jo si familje me vlera të njëjta, e cila bashkëpunon. (…) Derisa të jetoj unë ne nuk do të arrijmë që gjermanët të vijnë në Shqipëri, sepse shpresojmë në një jetë më të mirë. Udhëtimi do të shkojë përherë në drejtimin tjetër. Nuk mund ta mendojmë më të ardhmen vetëm brenda kufijve të vendit tonë. (…) Do të isha i lumtur nëse shqiptarët do të kishin mundësi të punonin në Gjermani. (…) Nuk jam magjistar”.
Me të njëjtin ton, ai vazhdon të flasë edhe për gazetën zvicerane “Ostschweiz am Sonntag”: “25 vjet nuk mjaftojnë për ta bërë Shqipërinë prej një vendi dikur komunist dhe plotësisht të pazhvilluar në një shtet model si Zvicra. Kjo ndoshta nuk do të ishte qasja e duhur për neve, sepse ndoshta do të ishte monotone. Mirë, momentalisht mbretëron pak kaos – si në Itali -, por kjo disi është edhe joshëse. (…) Por unë nuk kam shkop magjik për t’i zgjidhur brenda dy vjetëve problemet që ekzistojnë në Shqipëri dhe për të bërë atë që presin dhe e meritojnë njerëzit”.
Pjesa tjetër e intervistës është një përzierje rrëfimesh familjare dhe llafe për rëndësinë e artit, artistëve, pikturës. Vërtet kultura është shumë e rëndësishme për një vend. Por më e rëndësishme për një vend është kultura e shtetndërtimit. Nëse kjo nuk arrihet për 25 vjet, atëherë diçka nuk është në rregull me establishmentin politik, pjesë e të cilit është edhe Edi Rama që nga fundi i viteve ‘90, kur u bë ministër i Kulturës, pastaj kryetar i Tiranës, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryeministër. “Dhuna dhe korrupsioni, privatizimet mashtruese, pengmarrja dhe krimet e ndryshme e kanë shoqëruar kalimin nga regjimi totalitar në demokraci”, shkruan sociologia amerikane e kriminalitetit Jana Arsovska mbi lidhjet e krimit të organizuar me partitë shqiptare, në një studim të botuar së fundmi («Decoding Albanian Organized Crime», University of California Press, 2015).
Për këto plagë duhet të flasë Edi Rama dhe të punojë pandërprerë për të përmirësuar gjendjen. Të vizatosh dhe të ofendosh ministrat, të cilët, fundja, i ka zgjedhur vetë, përfundimisht nuk mjafton për ta rilindur Shqipërinë. Rama mund ta akuzojë për të gjitha dështimet paraardhësin e tij në post, por shqiptarët i dhanë atij një mandat mbresëlënës, me të cilin ai duhet të qeverisë dhe jo të tallet e ironizojë.
*Titulli i redaksise. Titulli origjinal: Qeverisja e Shqiperise nuk behet nga galerite e Gjermanise  

Hajvani i rëndomtë Ismail Morina













Më ka rastisur, pa dashjen as kënaqësinë time, por me përgjegjësinë time intelektuale, të shkruaj aqherë për heronjtë tanë kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë (pothuajse të gjithë janë të tillë). Përshkrimet, interpretimet, analizat, porositë edhe mund të jenë të njëjtat, por rastet e reja prore kërkojnë dhe meritojnë qoftë edhe vetëm një përsëritje.
 
Së fundmi, olimpit të ndyrë të atyre heronjve kombëtarë kriminelë, banditë a hajvanë të rëndomtë iu është shtuar edhe Ismail Morina, i njohur me shumë me nofkën Ballisti. Ky budallai i rëndomtë, u bë hero kombëtar për shumicën e shqiptarëve anekënd me një gjest prej nacionalisti të çmendur, krejtësisht jo sportiv në një ndeshje futbolli. Për pasojë, ndeshja u ndërpre dhe për më tepër rrezikoi edhe jetët e vetë futbollistëve në fushë.
 
E megjithatë, nuk mbeti pothuajse kush pa u ndier i kënaqur nga veprimi i tij. U ekzaltuan edhe vetë ata që u rrezikuan. Kështu e ka marrëzia nacionaliste, natyrisht.
 
Korit të glorifikuesve pra nuk i shpëtuan as mediet, as intelektualët.
 
Ndërkohë, dikujt i ra ndërmend të bënte edhe dokumentar për të. Por, më mirë s'ka ku të vejë, ngase cilido që të ketë qenë qëllimi i fundmë i autorit, që nën dritën e diellit duket të jetë glorifikimi, për ata që duan të kuptojnë përtej tij, shumë gjëra flasin qartë.
 
Ja një e dhënë me rëndësi: ai, të paktën në kohën e realizimit të dokumentarit, na paska pas qenë i varfër. Një emigrant i pafat, i zvarritur rrugëve të botës. Jo një i varfër që ka zgjedhur vetë të jetë i tillë, por një i varfër që paska pas përfunduar i tillë në pamundësi pune. Nga dokumentari doli se tipi paska një ëndërr të blinte një vinç (jo më për të bërë ndonjë skandal prej debilli) për të punuar dhe të krijonte familje.
 
Gjë më të fisme se një ëndërr e tillë zor të ketë.
 
Kjo, në të vërtetë, përveç shpalosje e një ëndrre, ishte një kërkesë për ndihmë. Tash jo aq e fisme, të kuptohemi. një kërkesë për ndihmë jo nga njëri në pamundësi, por thjesht nga njëri në dembeli.
 
E megjithatë, një i varfër, sidomos kështu kur nuk e shohim më thellë problemin, zgjon te ne përherë ndjenjën e dhembshurisë, ani pse edhe vetë ne mund të jemi të varfër, të varfër të lodhur dhe të rraskapitur nga puna, fizike a çfarëdo, që nuk paguhet aq sa të kemi një jetë dinjitoze. Bashkëndjenja është e natyrshme. Bashkëndjejnë edhe kafshët, e lëre më njerëzit.
 
Ia blenë vinçin?
 
Nisi të punojë me vinçin apo diçka tjetër?
 
Jo.
 
Jo, nuk ia blenë viçin.
 
Jo, nuk nisi të punojë (nuk i ofroi askush punë në një bar si kamerier?).
 
Porse, diçka ai tipi bleu. Ai tipi bleu diçka të shtrenjtë. Bile, ai bleu një gjë, të cilën, kur ne varfanjakët e shkretë, me një punë që s'na nxjerr nga muaji në muaj, e shohim rrugëve, e shohim si simbol të pasurisë, luksit. Në të vërtetë, kur e shohim rrugëve një makinë të tillë, në vendet tona, pothuajse në të gjitha rastet ne e identifikojmë saktësisht pronarin e saj: një kriminel, një bandit, një gangster. Sepse ajo është:
 
Range Rover! Një makinë që ç'ke me të!
 
Epo, të mos punosh, ja e bukura e fatit. Të mos punosh dhe të kesh një makinë të shtrenjtë sa të të rrëqethen qimet e kresë.
 
E nga arrestimi i tij i fundit, del se në makinë i janë gjetur një armë pa leje (siç shkruaja edhe herave të tjera: se armë me leje na qenka në rregull!) dhe disa bileta të falsifikuara. Heroi kombëtar, hajvani i rëndomtë, me armë dhe bileta të falsifikuara.
 
Varfanjaku i shkretë, emigranti i përvuajtur, heroi kombëtar!
 
Hajvani i rëndomtë.
 
Por, këtë hajvanin e rëndomtë, për shkak se është hero kombëtar, marrim vesh, na e paska pritur dhe nderuar edhe familja Jashari (edhe ata ndakan medalje, o Zeus!). Sa lehtë budallai i rëndomtë, hero kombëtar, gjen strehë të budallenjtë e tjerë të rëndomtë. Kudo.
 
Nuk ka, këtë mund ta them në kupë të qiellit, gjë më të shëmtuar dhe absurde se afria, bashkëndjenja nacionaliste, përkrahja dhe bashkëndarja e qëndrimeve dhe veprimeve të këtij hajvani të rëndomtë. Duke e mbështetur këtë hero kombëtar, hajvan të rëndomtë, mbështesim qëndrimet më jonjerëzore, më barbare të mundshme. 

Me apo pa Ilir Metën

Kryeministri Edi Rama po vazhdon të shmangë një qëndrim publik ndaj kërkesës së aleatit të tij të LSI për ndryshime në qeveri dhe po përpiqet të fitojë kohë duke u takuar me Ilir Metën në dy ditë, aq sa nuk është takuar në dy vjet. Ndërsa deri dje topi gjendej në fushën e Ilir Metës, tashmë ky i fundit, duke e bërë publik qëndrimin e tij kritik për qeverinë dhe nevojën e saj për “impulse të reja” ia ka lënë radhën Edi Ramës të vendosë për të ardhmen politike mes tyre. Dhe kur është fjala për të vendosur, kryeministri shpesh ka treguar se ka talent të veçantë për të humbur kohë, duke mos u dhënë drejtim gjërave që varen prej tij, por duke u tërhequr ai zvarrë prej tyre.
Nga shenjat e para duket sikur edhe në raportin me Ilir Metën, kryeministri po përsërit hezitimin e tij të njohur. Rama gjendet përballë një kërkese konkrete, të cilës deri më tani i është përgjigjur me vajtje- ardhje në zyrën e kryeparlamentarit. Pas takimit të tyre të parë kokë më kokë të shtunën e kaluar, ku thuhet se Meta këmbënguli për heqjen e disa ministrave si shenjë pajtimi dhe garancie nga Edi Rama, ky i fundit siguroi grupin e tij parlamentar se qeveria nuk do të prekej. Por Ilir Meta vendosi të dalë për të shpallur publikisht atë që Ramës ia kishte kërkuar privatisht: ndryshimet në qeveri. Me këtë lëvizje, Ilir Meta i dha fund lojës së tij, (që herë nga paranoja e herë nga fakte konkrete, u ngrit mbi një komplot të madh të organizuar me bekimin e kryeministrit), një lojë që në 48 orët e fundit e shtoi presionin duke përfshirë direkt dhe indirekt aktorë si Sali Berisha, partia çame, media të caktuara e deri tek letra e krisur e Spartak Brahos dhe publikimi i pamjeve intime të Dritan Priftit. Një artileri e plotë e Metës që e detyroi Edi Ramën të përsërisë formulën bajate të “koalicionit që funksionon më së miri” me shpresën për ta qetësuar aleatin që ka në dorë numrat e qeverisjes dhe për të fituar kohë për ndonjë skemë alternative në rast ndarje me LSI.
Ilir Meta, një ujk i vjetër i prapaskenave politike, vendosi të mos i japë kohë kryeministrit. Pasi i luajti të gjitha, ai e hodhi topin në fushën e Ramës duke e vënë atë përballë zgjedhjes. Nëse Edi Rama do të pranojë ndryshimet në qeveri, Ilir Meta konsolidon pozitën e tij si njeriu kyç i mazhorancës që mund ta kushtëzojë në çdo kohë kryeministrin e vendit. Ky kushtëzim do të përkthehej jo vetëm nga lësëistët, por edhe nga socialistët se kryetari i Kuvendit është ai që vendos për fatin e tyre politik. Dhe kështu, kryeministri dhe kryetari i PS do të tërhiqej zvarrë deri në fund të mandatit me ankthin e madh se nga do të shkonte Ilir Meta në zgjedhjet e ardhshme.
Rruga tjetër që i mbetet Ramës është t’i qëndrojë deklaratës së tij që nuk do të ketë ndryshime në qeveri, jo sepse disa ministra nuk e meritojnë të shkarkohen e të dalin përpara drejtësisë, por si demonstrim force përballë kushtëzimit të LSI. Nëse kryeministri nuk humbet kohë, por del tani për të qartësuar pozicionin e tij, atëherë i mbetet Ilir Metës të vazhdojë ose jo të mbështesë një qeveri që sipas tij ka nevojë të ndryshojë. Sigurisht që Edi Rama nuk e ka të lehtë të sfidojë Ilir Metën. Frika e një krize qeveritare, ideja e zgjedhjeve të parakohshme dhe pasiguria se LSI mund t’i rikthehet dashurisë së kaluar, PD, e bëjnë të hezitojë dhe të kërkojë kohë. Takimet me Metën, më shumë se negociata, janë përpjekje të Ramës për të blerë se çfarë ka në kokë personazhi i tij i “Kurbanit” dhe koha i duhet që në rast ndarje me të, të përgatisë terrenin që ky akt t’i vendoset në gjoks si medalje për zgjedhjet e reja dhe jo si thikë pas shpine ndaj aleatit më të vogël. Deklarata e Bashës se nuk do të bëjë kurrë koalicion me Ilir Metën, sondazhet e opinionit publik pas shpërthimit të aferës së CEZ, presioni ndërkombëtar dhe ideja e një kompromisi me opozitën për një ligj të ri zgjedhor me prim, mund ta trimërojnë Edi Ramën që ta sfidojë Ilir Metën, qoftë edhe me koston e zgjedhjeve të parakohshme. Por ai është mësuar që si politikan të mos marrë asnjë vendim pa qenë plotësisht i siguruar. Rama nuk ka qenë dhe nuk është lideri i akteve të mëdha, por politikani i hapave të kalkuluar dhe të sigurt. Prandaj këtë herë, ndërsa ndodhet në udhëkryq pas vitit të dytë të qeverisjes, vjen vërdallë nga Kryeministria tek Kuvendi, duke përsëritur me vete “me apo pa Ilir Metën, kjo është çështja”. Dhe duke mos e pasur sigurinë e plotë, nën presionin edhe të atyre që janë të gatshëm të pranojnë kushtëzimin e Metës por jo rrezikimin e pushtetit, Rama po heziton të marrë një qëndrim të qartë publik. Ai do të kishte dashur ta kalonte edhe këtë krizë me variantin “nuk e dua Ilir Metën, por koalicioni i programeve funksionon”, por për të gjithë është e qartë se në një rast të tillë do të funksiononte etja për pushtet dhe jo vullneti për shtet. Në këtë dilemë që e ka mbërthyer, kryeministri Rama ka rrezik që në vend të fitojë kohë, ta humbasë atë, dhe atëherë, çdo vendim që do të merrte nuk do të kishte vlerën që mund të ketë sot. 

Edi Rama, ky mburravec provincial

Vetëm dy shqiptarë po bëjnë sikur fituan nga humbja e Shqipërisë ndaj Serbisë.
 
I pari është Ballist Morina.
 
Ai humbi mundësinë për të parë ndeshjen, por konsolidoi famën e dikujt që po na ndihmon të shkojmë në Francë.Nga ndeshja e mbrëmshme u kuptua se tre pikët që morëm në Beograd dhe që po na mbajnë ende në lojë,janë fryt i fluturimit të dronit të tij të çmendur.
 
Ai na i lehtësoi tre pikët që koha provoi se ishin shumë të vështira për ti fituar në fushë.
 
Megjithatë Ballist Morina nuk e ka zgjedhur pozicionin që ka.
 
Jam i bindur se nuk do donte ta kishte parë ndeshjen në qeli,por fati e desh që emri i tij të fluturonte mbi stadium megjithëse këtë herë nuk e pati dot fuqinë magjike të herës së parë. Dje ai ishte një dron i rrëzuar përdhe.Edhe serbët në Beograd nuk e rrëzuan në mënyrë aq profesionale siç bëmë ne.
 
Por Ballist Morina nuk po kërkon asgjë në shkëmbim dhe nëse kjo  nuk e bën modest, të paktën e bën njërëzor.
 
I dyti shqiptar që po përpiqet të na bindë se edhe ai ka fituar është Edi Rama.
 
Këtë të dytin nuk e detyron askush të japë shpjegime për kenaqësinë që ka marrë nga humbja. Megjithatë ai po e bën.Me patos, me këmbëngulje, me protokoll, me stil, i qeshur, i ngjeshur dhe i veshur. Enkas.
 
Ky kërkon patjetër të na thotë se ai nuk është pjesë e humbjes,se humbja ishte faj i atyre që ishin në fushë, ndërsa sa i takon pjesës tjetër ,dekorit, korit, rendit, vendit, policimit, mobilizimit, organizimit, ushqimit, parkimit, largimit, qetesisë dhe kënaqësisë së selfisë,këto të gjitha pra, ishin meritë e tij. 
 
Edi Rama ka disa ditë që na thotë se kundër serbëve kemi bërë dy ndeshje.Një në fushë dhe një jashtë fushe.Ne kemi humbur të parën,ai ka fituar të dytën.
 
Kjo ua bën humbjen edhe më të dukshme atyre që ishin në fushë.
 
Mburrja e padurueshme e Edi Ramës për të gjetur lavdi edhe në disfatë është edhe më e papranueshme. Është acaruese. Është tregues i një provincializmi të cilin nuk e kemi hak. Aspak. Edi Rama i tha shqiptarëve, se në Elbasan askush nuk u rrah,nuk u hodh asnjë gur,asnjë shqiptar nuk guxoi të ngrinte zërin për të sharë një serb.
 
Kjo është një madheshti e ngritur mbi një hidhërim që atij i shkon, por ne na lëndon.Pyetja është pse dyshonte Edi Rama se të gjitha këto do të ndodhnin?
 
Pse i dukej sikur të gjithë ne që ishim në stadium kishim një thikë në brez,një gur në xhep apo një sharje në gjuhë? A thua vallë na njeh kaq pak? Cilin komb mendon ky se po përfaqëson?
 
A ka ngatërruar kombin, apo ka ngatërruar punën? Unë besoj se ai ka ngatërruar punën, që i ka caktuar kombi.
 
Me fjalimin e papërshtatshëm  që mbajti, tregoi se beson se shqiptarët e kanë zgjedhur si një njëri të cilin historia i ka caktuar një mision:të përmbajë instiktet e kombit të vet të marrë. Dhe meqë dje e bëri,doli ta shpallë botërisht.
 
Natyrisht ky sukses që politika e quan policin etik dhe shkenca mund ta konsiderojë një mutacion estetik,nuk mund të lihej në heshtje. Dhe Edi Rama nuk heshti.
 
Ai mori përsipër suksesin mbi harbimin nacional dhe na la ne të tjerëve tentacionin nacional të gabimit.  Ai tha se, nëse nuk do ishte për meritën e tij ne do kishim dalë nga kafazi dhe do i kishim shqyer serbët duke ua hedhur kockat në Shkumbin.
 
Ja pra që e ka bërë detyrën.Dhe ja pse duhet të jetë në dëtyrë:për të na qetësuar,për të na ndryshuar,për të na mbrojtur nga tërbimi që kemi në gjak.
 
I ka rënë fatkeqësia të drejtojë një vend të marrësh të cilët po mbahen në zap me vështirësi të mëdha që bota duhët tia njohë si meritë.Ndërsa ne si punë.
 
Edi Rama dje foli si gjykatës i etikës sonë kombëtare.Ai nuk u mburr për ne.Ai u mburr për vete. Ai u soll si një zbutës kombesh.Nëse bota nuk ka njohur një të tillë ja ku është.I veshur,i qeshur dhe  i ngjeshur siç mund të ishte çdo zbutës pasi del nga cirku ku i duhet të punojë. Por mëgjithatë unë nuk bësoj se e ka bërë me qëllim.Nëse kjo që po them mund të duket  ngushëlluese në fakt nuk është.
 
Edi Rama nuk na ka ulur ne. Ai ka dashur të ngrejë veten.Nuk është pra një mision, është një zakon.
 
Por gjeti ditën më të keqe për të na kujtuar diçka që e dimë.Dhe meqë gjeti ditën më të keqe, ditën e humbjes,bëri punën më të rëndomtë që dikush mund të bëjë në një stadium.
 
U mburr me humbjen.

Të gjithë po tallen me Ballistin



Ismail Morina nuk ka qenë kurrë heroi që kërkuan të na shisnin patriotët e shtirë të Tiranës.
Ai nuk është as një simbol, as një pararendës i Shqipërisë natyrale, dhe as njeriu që i dha tre pikët ekipit tonë në Beograd.


Ai është thjeshtë një aventurier pozitiv, në kërkim të famës së shpejtë. Një djalë që mëton të hakmeret ndaj fatit të tij prej emigranti të zakonshëm. Një tifoz në ndjekje të bujës (edhe kur kacavirej mbi telat e stadiumit slloven edhe kur ngriti dronin mbi Beograd edhe kur i tregoi Nev York Times, alltitë e tij pa leje). 
Në të gjitha rastet kur ky personazh romanesk është vënë nën dritën e projektorëve, ai ka ka luajtur një lojë që e kapercente peshën që mund të mbanin shpatullat e tij. Në të gjitha rastet kur është shfaqur në publik, ai ka kapërcyer sfidën që mund të përballonte inteligjenca e një njeriu që kish braktisur vinçin në Itali, për të jetuar si tifoz profesionist në Shqipëri. 
 
Dhe tani, përmasa e famës që kërkoi, po i kthehet mbrapsht. Ai e ngriti veten si një dron, përjetoi dehjen dhe ekstazën e lartësisë, por papritmas vuri re që i kishin marrë telekomandën. Ai nuk është më zot i fatit të tij. 
 
Në fakt ky fluturim pa kontroll nisi që në Beograd. Çmenduria serbe, symbylltësia nacionaliste, vrapoi ta konsiderojë aventurën e tij gjysëm mitomane dhe gjysëm çamarroke si një "provokacia" ndërkombëtare. Ai u bë pjesë e një konspiracioni me vëllain e kryeministrit shqiptar për të prishur marëdhëniet mes dy vendeve. Për të u shkëmbyen nota proteste, deklarata të nivelit lartë dhe u shtynë takime dypalëshe me pritshmëri historike.
 
Këtë famë butaforike të fryrë nga idoitësia e nacionalistëve serbë e përqafuan në sens të kundërt patriotët fallco në Tiranë. Me moton armiku i armikut tim është heroi im, dhe ata pompuan tollumbacen e tyre. "Ballisti" u shndërrua në simbol, bëmat e tij u kthyen në legjenda, orët që kish ndejtur i fshehur në akademinë ushtarake të Beogradit u treguan me detaje, videoselfiet e tij me përgatitjen e "gjëmës" u shpërndanë në celularë. Shkurt ai u shpall një mbajtës i denjë i "flamurit më të bukur në botë" dhe për të shpërblyer patriotizmin e tij u hapën llogari bankare.
 
Ndaj kur erdhi çasti që serbët të na kthenin vizitën në Shqipëri, fabula e Ismailit aventurier ishte zëvendësuar me atë të Ballistit hero. Aq i madh qe ky kapërcim, aq shumë bujë kish bërë kjo trajektore e denjë për këtë rajon që prodhon më tepër histori sesa është në gjendje të konsumojë, sa për të vendosi ta rëfejë edhe Nev York Times. 
 
Besnik ndaj instiktit që e shtynte drejt famës me çdo çmim, Ismail Morina pranoi të tregojë për të përditshmen e referencës në SHBA. Madje të bëjë edhe shumë më tepër sesa kaq: të pranojë se përpara ndeshjes flakëndezëse të Ballkanit, ai shëtiste i lirë me armë pa leje. Ky qe gabimi i tij fatal. Akti i fundit i një protagonizmi të verbër. Kjo qe dhe pika kur telekomanda e ballistit-dron ra në duar të pamëshirshme. Me të filluan të tallen të gjithë.
 
E para qeveria shqiptare. Ismail Morinës iu vunë prangat, jo për dy armët që mbante pa leje (atë autoritetet që e kishin në vëzhgim e dinin prej kohësh), por se guxoi ta tregonte këtë fakt botërisht. Ai nuk u burgos se qe shoqërisht i rrezikshëm, ai e pësoi sepse të tjerët mund ta përdornin si të tillë. Ai pati fatin e keq të mendjelehtit që hyn në një bankë me revole plastike dhe që dënohet për të friksuar hajdutët e vërtetë. Ai u përdor si kavie, për të shmangur një eksperiment më të rrezikshëm.
 
Por loja nuk mbaron këtu. Duke shfrytëzuar zemërimin e patriotëve naivë që protestonin për arrestimin, LSI-a i doli në krah Ballistit, thjeshtë për ti futur një kunjë më tepër Ramës. 
 
Keq e përdori fatin e tij të mjerë edhe ish -kryeministri Berisha. Ai e çoi sarkazmën në skaj duke deklaruar se ndaj Ismail Morinës kish ndodhur një komplot ndërkombëtar dhe se arrestimi i tij i ish kërkuar Edi Ramës nga vetë Aleksandër Vuçiçi.
 
Jashtë loje nuk mund të mbetej as Lulzim Basha. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm.
 
Në talljen me fatin e këtij aventurieri të mjerë, që u rokullis nga qiejt e Beogradit në basifondet e qelive shqiptare, nuk nguroi të merrte pjesë as presidenti Nishani. Ai u justifikua se amnistitë i bënte parlamenti dhe se tani për tani Ballisti nuk mund të lirohej dot me firmën e kreut të shtetit.
 
E ndërkohë që "heroi" është në burg të gjithë vazhdojnë të luajnë, për qëllimet e tyre. 
 
Grupet e tifozëve që duan të fitojnë më shumë peshë, tani që do ndahen edhe biletat për në Francë, kanë filluar të mbledhin firma për lirimin e tij. Opozita, Presidenca dhe aleati i madh i koalicionit qeveritar duan të fitojnë pikë dhe bëjnë sikur përgjërohen për të. Socialistët që i kanë dhe deputetët me armë pa leje, bëjnë rolin e atij që nuk ka kompromis me ligjin. Të gjithë tallen për interesat e tyre, jo me Ismailin e mjerë që gjendet i burgosur, por me aureolën që Ballisti i Beogradit ka lënë midis nesh. 
 
Të gjithë vazhdojnë të luajnë. Ashtu si ekstremistët serb që guxuan ta shpallin terrorrist të rrezikshëm, një aventurier naiv. Ashtu si pseudopatriotët shqipëtarë që gjetën një baner për tu identifikuar. Ashtu si politikanët e të gjitha krahëve sot.
 

Sepse të gjithë atyre, Ismail Morina, ua la kokën e tij në tepsi gë argjendtë, duke tentuar një histori më të madhe sesa ajo që mund të prodhonte. Një fabul më të gjere se përmasat e tij. Për shkak të hakmarrjes ndaj të shkuarës së vet, sensit ekstrem të lojës, protagonizmit të tij xhenuin, ai u la në dorë telekomandën e Ballistit. Ndaj tani të gjithë e valëvisin si dron.

Elsa Demo:Lehtësia e zhbërjes së kinemasë shqiptare

Ideja e realitetit në kinema shpesh ngatërrohet me ilustrimin dhe imitimin e fizionomisë së vendeve dhe njerëzve. Ngatërresën e kthjellon prova se reale është ajo që është e vërtetë dhe e besueshme. Realitetet që shfaqin dy filma të rinj shqiptarë, “Amsterdam Express” i Fatmir Koçit dhe “Amaneti” i Namik Ajazit, premiera të marsit, është e lehtë t’i identifikosh me Shqipërinë dhe histori shqiptare. Është minimumi për të pritur nga një krijim artistik. Nga Fatmir Koçi, i cili ka shfaqur në kinemanë e re shqiptare të pasnëntëdhjetës një ndjeshmëri të gjallë dhe shije instinktive, pritej jo më pak se ai standard i “Tirana viti zero” (2001). Por sot, në krijimtarinë e Koçit, ky film po duket si rastësi, si më e mira gjë që ka ditur të japë. Përshtypja përforcohet kur shikon ecevrapin e tij të fundit në “Amsterdam Express”.

Rasti i dytë, i Namik Ajazit është debutim te filmi artistik i një autori në moshë të mesme jo në rrethanat e zbulimit të vonuar të një talenti, por të rrethanave që krijon pushteti politik tek ne.

Brutoja e shpëlarë

“Amsterdam Express” është ngritur mbi alibinë për të bërë film me ngjarje të thjeshtë e pa pretendim intelektual. E dukshme dhe tjetër herë kjo prirje e Koçit. Me këtë film, si për ta treguar me fjalë, si për ta kuptuar duke e parë, e ke vështirë njëlloj. Skenari është problemi kryesor. Mungesa e përmbajtjes dhe rrokja e një kuptimi krijon një gropë që as puna e shkëlqyer e Enzo Brandner-it, po ai kameraman që i ka dhënë fytyrë të çiltër fëmije “Tirana, viti zero”, nuk ka çfarë t’i plotësojë jetës shterpë që çoroditet nga lagjet e Bathores, në vitrinat e Red Light District të Amsterdamit. Vende që mendohet të jenë zgjedhur sepse kanë diçka të fortë për t’ua nënvizuar, fizionomisë së vendeve vetë dhe fateve të njerëzve aty.

Dy të rinj Bekimi (Blerim Destani) dhe Marta (Flonja Kodheli) kanë zbritur familjarisht nga malësitë në periferitë informale të kryeqytetit. Nuk kanë as shtëpi as para për ta filluar jetën bashkë. Djali vendos të emigrojë në Holandë, në Amsterdam. Edhe pse thotë se aty ka “ardh për me punu”, ai është endacaku pa ndonjë qëllim që zbulon pasivisht çfarë i del para: Të fortin e drogës (James Biberi), prostitucionin dhe trafikun e vajzave që vijnë nga Evropa Lindore (si Ana - në rol Natasha Goulden), martesën “për letra” me nusen holandeze (Carolien Spoor). Këto episode tematike që ndërpresin njëri-tjetrin, krijojnë një subjekt gati aventuroz por me përmbajtje psikologjike tepër të thjeshtuar. Një regjisor i zbulon personazhet e tij nëpërmjet fytyrave të aktorëve ku mund të lexosh individualitetin dhe grupin shoqëror që i përkasin.

Bekimi merr vendim të emigrojë. Është nga episodet e para të filmit. Një tablo familjare ku këmbehen dialogët babë e bir “Unë du me hik”, “Pse don me hik? Ti e ke shpinë”, “Unë du shpinë teme”... Dy të rinj kërcejnë e bërtasin sipas ritmit të një reklame televizive. Një zog i çuditshëm sillet rrotull kokave të familjarëve. Kamera e ulur poshtë do të sugjerojë një perspektivë shpirtërore për të pasur tek spektatori një efekt të pjesëmarrjes me nervozizëm dhe tension. E shohim në vazhdim që është raport i stisur ky që vendos Koçi midis imazhit dhe skenarit në tërësi, dhe midis syrit të kamerës dhe gjuhës së personazheve në veçanti.

Qëllimi për ta çuar gjuhën në nivelin e një ligjërimi tipik për një grupim shoqëror malësorësh e të papunësh (që megjithatë kalërojnë në makina luksoze) është pothuajse naivitet amator. Sepse edhe në gjuhën më të zhveshur, edhe në dialogët më të zakonshëm ekziston një farë racionale e gjuhës së pastër dhe me kuptim të thjeshtë.

E mbetur vetëm në mjedisin fanatik e pa shumë mundësi për një vajzë të re, Marta i shkruan letra me penë Bekimit. Nga ai portret i latuar i Flonja Kodhelit nuk vijëzohet fije emocioni apo gjurmë që lë në portret distanca nga njeriu më i dashur, gjurma malli, dëshire, xhelozie, shqetësimi, dyshimi e të tjera variacione ndjesore. Syri i kamerës përshkon letrën intime të Martës, prek sytë dhe lëkurën e saj për t’i bërë shqisa të gjalla, por qasja është veç së jashtmi dhe ndjeshmëria te kjo vajzë lëviz sa te një kukull. Kjo nuk vjen ngaqë Koçi ka prirjen të sheshojë sentimentalizmin dhe të potencojë të rezervuarën, vetëpërmbajtjen, të ashprën, bruton që edhe këto janë po aq shpalosje e humanes. Kjo vjen thjesht dhe qartë sepse personazhet e tij janë të zbrazët, të varfër, dhe veçanërisht protagonistët, pa ndonjë shenjë pasioni për të hyrë në lojë. Episodi i letrave të çiftit vijon në Amsterdam. Bekimi i shkruan Martës:

“Këtu është ftohtë akull. E urrej kohën. Duhet të bëj sa më shumë pare. Ti e di pse”. Ajo që thonë dhe shprehin, ajo që mendojnë dhe mërmërisin në ndonjë gjoja monolog, është fare pak dhe e sforcuar sa nuk ndihmon për të kuptuar gjendjen dhe situatën ku janë. Ata nuk i formulojnë qëllimet e tyre, sepse janë lindur nga Koçi si personazhe pa qëllime. Një personazh pa qëllim është një krijesë pa vetëdije. Në dialogun midis Martës dhe babait Elez, i zemëruar që vajza i ka mbetur në shtëpi, biseda është e tillë, irracionale:

Elezi: Ku ishe?

Marta: Jashtë.

Elezi: Ku jashtë?

Marta: Po shëtisja.

Elezi: Me kë ishe?

Marta: Vetëm.

Elezi: Vetëm? Pse vetëm?

Marta: Po mendoja.

Elezi: Çfarë po mendoje? Pse gënjeeen…

Dialogu është i rëndomtë dhe i sipërfaqshëm, po aq edhe i errët e i pasaktë, për ta deshifruar nëpër rreshta të drejtën e Elezit për t’u tërbuar. Koçi i shkruan vetë skenaret duke besuar më shumë se ç’duhet se asaj jetës bruto në ekran mund t’i bëhet daltë stili dhe dinamika e jashtme. Një provë është “Koha e kometës”, adaptim i romanit më të frakturuar të Kadaresë “Viti i mbrapshtë” që Koçi e ka sjellë në një skenar të fragmentuar. “Letrarja” në skenar është një përmasë që kineastët tanë e kanë lënë djerrë. Për ta nuk ka rëndësi as sa flet një personazh, dhe sidomos nuk ka rëndësi çfarë flet, sa bëhet e folura tregues i psikologjisë së personazheve dhe sa provokon ajo dramën.

Me zbritjen ilegalisht në Amsterdam, Bekimi hyn në rrethanat për mbijetesë. Veprimi filmik hyn në skematizëm, gjë që pjesërisht përligjet me vet zhanrin e dramës aksion. Fillimisht njohja me Van Doom-in (James Biberi), një tip që nakatoset në një linjë dramatike po aq skematike dhe pa qëllim të qartë: Shpëtimi i Anës, një prostitutë nga Evropa Lindore që do t’i ikë rrugës ku është futur dhe nuk mundet. Kjo tërheq në një hakmarrje të kotë tutorin e saj Van Doom dhe Bekimin që kërkon ta shpëtojë thjesht sepse ajo iu duk vajza që i bëri shenjë për ndihmë që nga vitrinat në Red Light District. Humanizmi i Bekimit i kalon caqet e aftësisë që ka personazhi për të hyrë në marrëdhënie të motivuar me botën. Ndershmëria e tij e kulluar është më shumë një mish i huaj në këtë dramë të rrëmujshme, sikur ky malësor Shqipërie ta ketë bartur me vete bashkë me ardhjen e tij në jetë, pra artificiale dhe jo diçka e kalitur si rezistencë shpirtërore në përvojat jetësore. Bekimi i Destanit është një guaskë, një profil a la James Dean, pa fizionominë, pa plastikën që do ta donte origjina e personazhit, rrethanat dhe përvoja e tij që kalon përmes realitetesh krejtësisht të ndryshme.

Red Light District përbën këtu forcën e joshjes që ka stampa, siç përbëjnë për të huajt temat shqiptare të gjakmarrjes dhe virgjëreshave të betuara. Kështu Amsterdami bëhet në filmin e Koçit një subjekt turistik. Kamera e Enzo Brandner-it dhe montazhi i Max Vonk-ut e mbajnë ngjarjen e “Amsterdam express”-in në lëvizje të jashtme. Edhe titulli është kallzues pa dashje i kësaj guaske vizive kalimtare dhe e paqëndrueshme që zhvendoset pa gjallesën brenda.

Kjo të jep ndjesinë që rrjedha reale e kohës nuk ekziston. Sikur ngjarjet i ndan një ditë-natë dhe jo muajt e ndoshta vitet. Pesha e kohës, ajo që zhvillon dhe transformon gjallesën është e pallogaritshme. Nuk të bind përplasja e familjeve të Bekimit dhe Martës, sepse Koçi fut në konflikt elemente që i trajton si artifica. Nëse në jetën reale kanuni dhe rregullat zakonore kanë qenë shkas për konflikte me pasoja tragjike, në realitetin kinematografik të Fatmir Koçit, shikohen me një sy të zakonshëm. Kështu Koçi i fut personazhet në qorrsokak qesharak. Elezi (Vasjan Lami) i shkon familjes së Bekimit në shtëpi. Ja skena përballë babait Selim (Bujar Lako):

Elezi: Djali yt ka shku me vajzën teme. Kanë hy në rrugë pa kthim.

Selimi: Elez, tani jetojmë n’qytet.

Elezi: Po ne jemi malsor. Kanuni e do që vajza ime të jetë e paprekme. Kjo është fjala ime dhe ky është zakoni.

Elezi i lë në tavolinë një unazë dhe një plumb, të cilat Bekimi më në fund në shtëpi, ia kthen mbrapsht Elezit: “Merri kto. S’janë për mu. Me kanun s’jetoj”. Elezi me armë në dorë kërkon të hakmerret, siç do të hakmerret me botën për nder të vajzës Birçe Hasko te “Tirana viti zero”.

Ka një mori peronazhesh në “Amsterdam express” që funksionojnë si zgjatime apo derformime të ansamblit të karaktereve te “Tirana viti zero”. Bekimi është Niku që nuk pranon të ikë nga Shqipëria, “kjo është shtëpia ime”, thotë ai. Marta është një tip Klare (por pa dinjitetin e natyrshëm të lojës së Ermela Telit).

Në intervistat pas premierës regjisori ka përmendur se “Amsterdam express” është një histori dashurie (gjithnjë sipas tij) që tregon dramën e femrës shqiptare dhe në drejtim të estetikës ka synuar stil dhe dinamikë. Po femra shqiptare e Koçit vetëm tangent vjen në “Amsterdam express”. Nëse mund të përligjej diku përfytyrimi i tij për raporte erotike brenda të njëjtës gjini (tentativa për pak lesbizëm makut të Olta Gixharit me Flonja Kodhelin) kjo ndodhte po të ishte Koçi i vetëdijshëm për njohjet e kufizuar që ka për krijesat e veta filmike. Në fund. Në jo pak raste regjisorët shqiptarë e kanë bërë zakon të deklarojnë në proces pune se filmi ka synim Berlinale e Festival Kane (festivale të kategorisë A). Kështu është thënë për “Amsterdam express” kështu dhe për “Amanetin”. Vetëm fakti që premierat e tyre bëhen në Shqipëri tregon se rruga për në festivalet prestigjioze është e mbyllur.

Moda e ditës

“Amaneti” i Namik Ajazit tërheq vëmendjen si film i krijuar nën modën e politikës së ditës. Thirrja “të hapen dosjet” e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit e ka shtyrë Ajazin që filmin e tij të parë artistik t’ia kushtojë dramës së bashkëpunëtorëve të Sigurimit, por atij tipi bashkëpunëtori që e gjeti nga të vetët. Po të lëmë mënjanë albumin fotografik që ofron kamera e Sebastiano Celeste-s dhe, pjesërisht, ambientimin e kampeve të punës së detyruar që krijon skenografi i ri Shpëtim Baça, “Amaneti” i Namik Ajazit është një mundim i zverdhur për të treguar një histori të besueshme. Skenari i Ruzhdi Pulahës është një etikë e përmbysur e skemave përdorur në skenarët e tij të djeshëm të realizmit socialist. Ky film e ka origjinën 5 vjet të shkuara si projekt për skenar me temë gjakmarrjen. Gjithçka ndërroi rrugës dhe askush nuk foli për këtë devijim që në fakt kishte hyrë si devijim qysh në krye të herës. Qendra Kombëtare e Kinematografisë miratoi një projekt të rremë nga një autor që është marrë vetëm me dokumentarë televizivë. Lehtësia për ta zhbërë kinemanë për qëllime që s’kanë lidhje me krijimin, është bërë mënyrë jetese. Prandaj merr rëndësi ai selektim i rreptë dhe i pakompromis i projektit filmik që ngrihet mbi fondet publike.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...