Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/12/10

E pa epura lirikë e dashurisë


NGA: MEHMETALI REXHEPI




Kopertina e librit Shefqet Bylykbashi “Ditët që nuk më njohin më”; Prishtinë, 2016
Shefqet Bylykbashi në vëllimin e ri poetik “Ditët që nuk më njohin më”, sjell përsiatje dhe gjakime poetike, për mospërmbushjen e përmasës jetësore e kohore të dashurisë, atëbotë kur ajo varfëroi kuptimin e bukurisë së jetës.

Bukuria pa dashuri është si bora. E bardhë, e bukur, por e ftohtë, pohon diskursi lirik i këtij poeti. Epiqendra e kësaj dridhjeje lirike është subjekti i lënduar i poetit , çiltërsia e skajshme deri në marrëzi. Kjo është lënda thelbësore, cila i ngashënjeu e vazhdon t`i josh poetët e të gjitha periudhave, rrymave dhe formacioneve stilistike-letrare për ndërtimin e superstrukturës së poezisë.

Dy përmasa jetësore: koha e papërmbushur ose pengu i dashurisë dhe lajthitja e saj, e mbështjellin hapësirën e shtrirjes poetike të këtij autori, të kësaj poezie.

Autori, Shefqet Bylykbashi nuk dorëzohet në mësymjen e tij... Pse? Sepse mësymja që ndërmerr nuk është vardisje false, as epsh i rastit të dhënë. Është një brumosje tejet e thellë, e një gjerësie dhe ndjeshmërie lirike deri në qenësinë e qenies shpirtërore të njeriut. Andaj, kjo dashuri e përmasës së këtillë nuk e meriton lajthitjen.

Megjithatë, stili i të shprehurit lirik i poetit Shefqet Bylykbashi, ndërtohet përmes antonimive të forta të lajthitjes së dashurisë.

Lajthitja lirike e dashurisë shpërfaqet përmes një tisi mallëngjyes, me doza dyshimi e dëshpërimi, por assesi dorëzimi. Poeti është i lidhur fuqishëm me konceptin jetësor e shkrimor të dashurisë. Ku mungon dashuria e jetës, mëton të futet parësorja e një lirike të çiltër për bërjen dhe (zh)bërjen e dashurisë së tillë. Nga këndvështrimi i ndjeshmërisë së kësaj lirike, kemi një qasje me tipare të veçanta për dashuri “me hijeshinë epike” të saj.

Në qoftë se iku vasha me dashurinë e lajthitur, zbrazëtisë së Asaj hyjnë metaforat e mungesës, si ofshamë e sinqertë, e cila ndjell nëmë poetike:

“Lëkurën të mos e terësh

Nën rrezet e dashurisë sime...”

Përsiatja lirike për mungesën e çiltërisë gjatë shtjellimit të saj, ecejakeve, ngrit-rënieve të tyre, solli shkak-pasojat e shpirjes në sprova temperaturash, gjendjesh shpirtërore të tendosura:

“Është pak më e ëmbël se vdekja

Pak më e hidhur se burgimi i përjetshëm”

Magneti i lektisjeve lirike

Të gjitha lektisjet lirike, metaforat dhe epitetet metaforike, kontrastet shpirtërore, në vëllimin poetik “Ditët që nuk më njohin më”, i tërheq e i mban pezull një magnet i padukshëm, që shtrihet mes të ndodhurës, mungesës e pritjes...

Kumti refuzues dhe kuptimi lëndues kanë një lidhje paradoksale të pakëputur. Ngase, ende asgjë nuk ka përfunduar. Drama e përsiatjeve lirike për kthimin e mungesës së dashurisë vazhdon!

Në këtë diskurs lirik, mungesa e dashurisë është e njëanshme. Për poetin nuk kanë pushuar dhimbjet e ëndjet e bukura, edhe pse të përdhosura. Kësaj rrjedhe logjike të ndodhive poetike, mos është duke u përplasur poeti me vetveten? Intuita e tij e dashurisë nuk njeh, as përfillë parime tjera për dashurinë, pos zërit të pashmangshëm të natyrës saj! Kjo lirikë dashurie e ngërthen dhimbjen. Dhimbja është prodhimtare ndjesish, përfytyrimesh të pa rezistuara, pamjesh e kujtimesh drithëruese, etjesh të pashuara për të këndshmen përballë të pakëndshmes, të cilat i ngërthen jeta... Ndërsa mëton t`i zbërthejë, për aq sa e kanë forcën zbërthyese akëcili poet, akëcila nga penat e artit të vargut poetik. Gjithsesi, këtu shpalohet dhe mënyra e zbërthimit lirik të Shefqet Bylykbashit.

Kush humbi nga shmangia e objektivit të dashurisë: dashnori, e dashura a poeti?

Nga kjo mungesë përmbushjeje mes objektit dhe subjektit lirik, do të ketë trazira të dhimbshme, sepse ndjenjat e jonizuara do të ziejnë deri në vlimin e tyre; por do të përfitojnë variacionet e pa prajshme të gjakimit për përmbushje të shumëçkaje, që lidhet me mungesën si kategori jetësore, dhe i jepet estetikës së shkrimit për t`i pleksur kategoritë e së bukurës.

Poezia e këtij poeti nuk shmanget nga objektivi parësor i saj: rikthimi i objektit të humbur të një dashurie të pa baraspeshuar, me gjithë huqet e lajthitjet e saja. Pra, le të nënvizojmë këtu pa epshmërinë a konsistencën e vijueshme (po)etike, për rikthimin e diçkaje thelbësore, për t`ua dhënë jetës e artit përmbajtjen e lumturisë.

Këtu shfaqet lirika e cila mëton realizim të natyrës njerëzore, diçka e qenë, shije-ëmbël, më tej e athtësuar nga prerja e lëndimi shpirtëror, tashmë e ikur, e munguar, e mërguar për ndjenjat, për shpirtin thellësisht të zhytur në dashurinë e Saj. Mësymja lirike, për mos ndalje të ecejakeve rrafshit e kodrave të antonimeve të shpirtit të trazuar nga lajthitja, nuk ka prajtur:

“As dimër që fle nuk je

As akull që shkrihet”

Me gjithë atë, magneti i dashurisë për poetin e lexuesin është çudibërës, madje deri në shkallë të skajshme ngarendjesh, duke u sjellë orbitës së prekshme të saj:

“Ti, vazhdimisht

ikën e vjen

Si kënaqësi bushtre

( as pa këso kënaqësie tënden

nuk mund të rri)”

Diskursi dhe lektisjet poetike për t`u përmbushur tërësisht, si duket, pos pashmangshmërisë, ndjejnë dhe pasiguri e luhatje, deri në atë pikë të gufimit, të derdhjes e shkrumbit të tëmblit të dashurisë. Por, kjo lloj lirike, assesi nuk mund të heq dorë nga diçka e thadruar thellë në brendinë e poetit:

“Lexoje edhe këtë letër

Se jam duke i shqyer thasët e vjetër në zemër

Të mbushur me pritje”

* * *

Si e këtillë, kjo poezi mund të përkufizohet si një lirikë e paepur dhe konsistence për dashurinë.

Historia e shkurtër e një harrese të madhe


NGA: LEONORA LAÇI 



Libri “Italianë të Shqipërisë” i shkrimtarit italian Uilliam Buonapace të cilin e lexova me një frymë vjen për lexuesit dhe në gjuhën shqipe.

Autori i librit të cilin pata fatin ta njoh para ca ditësh në promovimin që ju bë këtij libri në Durrës dhe të shkëmbej mendime të frytshme për kulturën, historinë, fatet e dy popujve të cilët janë ndeshur shpesh herë, për dy popuj që kanë qenë miq po aq sa dhe “armiq”. Kjo miqësi dhe armiqësi e supozuar ka ardhur për shkak të pozicionimit ideologjik të tyre përgjatë periudhës komuniste apo dhe më heret të interesave politike dhe ekonomike të qeverive të ndryshme.

Në këtë libër përplasen fuqishëm fate si dallgët e furishme por që kur tërhiqen lënë pasoja, përgjysmohen ëndrra, thyhen shpresa të vetushqyera, kryqëzohen fate, rrëfehen dhimbje. Libri në sintezë të tij ka dy popuj që ishin sa afër dhe larg, dy popuj që politika i ndau por dashuria njerëzore i bashkoi. Përshkruhet hollësishëm fati i lidhur me vendin e shqiponjave dhe sakrificën njerëzore për hirë të familjes.

Studimi i Buonapaces na jep një mësim të qartë, na tregon shtigjet dhe i shkel i pari ato, ku me kujdesin që tregon ndaj detajeve, i qartë në lidhëshmërin e mendimit, thellësinë e mendimit, bën përshkrimin e proceseve historike, me ftohtësinë në gjykim. Ç’gjykim them? Ai nuk gjykon në fakt, ai parashtron faktet dhe na e lë neve në dorë ti interpretojmë. Ngacmon të kaluarën, që të nxisë historianët shqiptarë e ata italianë të punojnë më tej në shtegun që ai hap për të zbardhur se çfarë ndodhi me italianët e ngelur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fashiste e deri në vitet ’90. Nuk janë pak i thonë gjysmë shekulli.

Dokumentet e literaturën e shfrytëzuar e përdor me mjeshtëri duke qenë skeptik por dhe duke e vënë vehtën në realitetin e kohës kur ndodhin ngjarjet, nuk paragjykon ideologjitë, pasi ata janë pjellë e njerëzve, nuk vijnë rastësisht. Megjithëse qellimi i tij nuk është përshkrimi historik i ngjarjeve, por ky është i pashmangshëm.

E fillon me harresen si prolog, atë harresë institucionale të Italisë kundrejt bashkëatdhetarëve të saj të mbetur në Shqipëri.

Dhe e vazhdon duke sjell shembuj të italianëve që ngelen në Shqipëri. Përshkruan marrëdhëniet midis dy vendeve përgjatë viteve 1904-1939, për tu ndalur tek ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore dhe pasojat e pushtimit italian të Shqipërisë, më tej, kapitullimi Italisë e ardhja e gjermanëve për të vazhduar me përfundimin e luftës. Më pas fillimi dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe e mbyll me dramen e një populli që do të iki nga e shkuara, nga vetvetja, vetëm e vetëm të harroj, endet në rrugët e botës pa asnjë synim përveç ikjes nga bunkieri, burgu, Shqipëria.

Unë do ndalem tek qëllimi i këtij studimi, italianët të cilët mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë Musoliniane (që disa u riatdhesuan përgjatë viteve 1945-1950), dhe ndarjen në disa kategori që i bën autori duke shfaqur hapur përdorimin e dy standardeve të qeverisë së Enver Hoxhës (fq 15-16):

Kategoria e parë ushtarakët që kishin marrë pjesë në rezistencën kundër nazistëve. Këta fituan të drejtën e riatdhesimit pa asnjë kufizimqë në vitin 1945 dhe u kthyen në Itali të veshur me uniformat e tyre duke pasë privilegjin të marrin me vete armët e tyre. Ishte një akt që tregonte vlerësimin e tyre ushtarak dhe politik.
Kategoria tjetër ushtarakët që ndodheshin akoma në vend, por që nuk kishin marrë pjesë në luftën kundër gjermanëve. Këta kishin qëndruar të fshehur ose ishin zenë robër dhe konsideroheshin se i përkisnin një ushtrie të mundur. Edhe këta u kthyen në një pjesë të madhe në të njëjtin vit me të parët natyrisht, pa armë, shpesh herë me njëmijë vështirësi dhe pasi u keqtrajtuan dhe u poshtëruan nga ana e autoriteteve shqiptare.
Kategoria e tretë përbëhej nga civilët dhe përgjithësisht nga italianët që nuk kishin qenë në ushtri. Këta ai i ndanë në dy nënkategori: a) Funksionarët e shtetit, karabinierët ose njerëz të efektivave të tjera të ruajtjes së rendit, që shpesh pësuan persekutime, arrestime dhe dënime shumë të rënda që në disa raste qenë dënime me vdekje. b) Punonjësit që kishin kompetenca teknike, të cilët Tirana i përcaktoi si “specialistë”, të detyruar të mbeten, shpesh në kushtet e një gjysmëburgimi për disa vjet pas mbarimit të luftës me qellim që të kontribuonin në rindërtimin e vendit të shkatërruar.
Kategoria e katërt kleri katolik, që u persekutua rëndë dhe u akuzua se ishte një përbërës i spiunazhit fashist dhe u konsiderua si një nga armiqtë kryesorë të regjimit të ri.
Në fund mbeteshin pjesëtarët e familjeve të përziera: italianë ose italiane të martuar me shqiptarë. Këta u detyruan të qëndrojnë në Shqipëri edhe pas vitit 1950, disa dhe përjetësisht, të braktisur me kuptimin e mirëfilltë të fjalës nga ana e autoriteteve italiane, pra të përfshirë forcërisht brenda regjimit totalitar.

Autori na lë të kuptohet se ka në fokus qendresën heroike të femrave, nënat, grave italiane që u martuan me shqiptar, heroizmin e tyre që e treguan në forma të tjera, citoj (fq 16)-“Ata ishin të ndërgjegjshme se përzgjedhja e tyre do të kishte si pasojë që të mos shihnin, me gjasë edhe për gjithnjë, njerëzit e tyre të dashur përtej detit dhe do të duhet të përballnin, fillikat, një regjim armiqësor, vështirësi, diskriminime dhe ndoshta burgun. Dhe megjithatë vendosën të qëndrojnë, me një akt guximi të pabesueshëm".

Duke përshkruar ngjarjet historike që lidhnin fatet e dy vendeve, ndërfuten në rreshta dhe jetë njerëzish të thjeshtë, peripecitë e tyre në kampe internimi apo burgje, duke bërë llojë-llojë punësh për të mbajtur frymën gjallë.

Përmend shumë familje italiane ndër ta përmendim këtu: Maria Moretta, Maria Kiezën, Elena Gjiken, Xhuzepe Terruzi, Ugo Beluci, Armando Batisti, Mario Grosi, Xhovani Kanteli, inxhiniere Simonçini, dr.Venancio Loçi, dr. De Markis, dr.Rumo, inxhi.Galo,inxhi.Agostinone, dr.Franko Benani, Rubolini etj.

Autori flet dhe me shifra e nëpërmjet dëshmive tronditëse, të familjarëve, po sjelli këtu një fragment nga libri, citoj (nga faqja 71-72): “Arnaldo Kançiano në dëshmin e tij thotë- Më 22 tetor 1947 vendimi u ekzekutua: 16 dënime me vdekje nga 25 të pandehur. Tre dënime me varje, 13 me pushkatim: ndër ta ishte dhe Saxhoti. Dy të pandehur të tjerë, Monaldi dhe Andena u dënuan me 15 vjet privim lirie. Nuk e dija me saktësi se ku ishin ngritur trekëmbshat për tre të dënuarit me varje. Atë ditë, rastësisht, duke kaluar nga Fusha e Druve me mbesën time Nina, m’u shfaq papritmas një skenë e llahtarshme! Tre trupa që vareshin, një grup fëmijësh që i zinin nga këmbët, i rrotullonin, litari mblidhej dhe pastaj e linin që të shpërdridhej për të parë ata të mjerë që silleshin rreth vetes. Ika, duke e tërhequr për dore vajzën, në një rrugicë aty afër”.

Ai vë theksin tek harresa që ju bë nga autoritetet italiane, ku italianët dhe italianet pranuan nënshtrimin duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në një vend që në thelb i konsideronte si një mish i huaj që duhej mbajtur nën mbikëqyrje të fortë dhe në një pozitë sociale të dorës së dytë. Ku u vranë shpirtërisht dyfish nga atdheu i tyre (Italia) por dhe nga Shqipëria komuniste që tashmë kishin lidhur të ardhmen e tyre duke zgjedhur me apo pa dëshirë të jetonin për hirë të familjes këtu. Autori nuk e justifikon heshtjen e autoriteteve italiane për ta, ku në faqen 121 konkludon se:” Mungesa e impenjimit nga ana e autoriteteve italiane ndaj qytetarëve të vendit tonë në Shqipëri do të mund të justifikohej vetëm në se do të kishin ekzistuar dy kushte të veçanta: mungesa e marrëdhënieve normale diplomatike midis të dy vendeve dhe pamundësia për të pasë lajme të tyre dhe për të njohur numrin e tyre të saktë, identitetin dhe vendbanimet e tyre. Mirëpo asnjë nga këto kushte nuk ishte i pranishëm dhe historikisht asnjë justifikim s’mund të qendrojë. Shteti italian kishte dijeni dhe kishte mundësi të vepronte. Ekzistonin mundësitë diplomatike dhe politike. Natyrisht është e pamundur të dish se cili do të kishte qenë rezultati i një ndërhyrjeje, por kjo nuk justifikon heshtjen dhe mosinteresimin nga ana e tij. Ajo që ka munguar ishte vullneti politik”.

Libri mbyllet me çështjen “Riatdhesimi” ndërkohë komunizmi po lëngonte në shtratin e vdekjes, dhe këtu fillon mbarimi i harresës për disa dekada të italianëve që mbetën në Shqipëri. Si dhe shkruan për operacionin C.O.R.A për riatdhesimin e plotë të iniciuar nga qeveria italiane. Tashmë fillonte një dramë tjetër ajo e përshtatjes me atdheun Italinë, takimi me familjarët. Siç e përshkruan autori në fq 131-132: “ Të riatdhesuarit e kuptuan shpejt se problemet e tyre nuk kishin marrë fund. Kthimi në Itali, largimi nga një vend në tatëpjetë, një e kaluar mundimesh dhe vuajtjesh, nuk mjaftonin. Atdheu i ri e i vjetër që e kishin ëndërruar dhe fantazuar, nuk doli ashtu si e prisnin, por si ishte në realitet: një vend i çorganizuar, me ligje të komplikuara dhe në një fazë krize dhe konfuzioni ku ksenofobia dhe racizmi i hapur dhe i fshehtë po nxirrte kryet kërcenueshëm pikërisht ndaj atyre që vinin nga bregu i tjetër i kanalit të Otrantos. Të gjithë këta faktorë sigurisht nuk e lehtësuan integrimin në realitetin e ri”.

Duke përgezuar autorin Buonapace dhe bashkëpunëtorët e tij. Besoj se ky libër do jetë vetëm fillimi i zbardhjes së një prej episodeve më të dhimbshme të persekutimit komunist, i cili e filloi me armiqtë e partisë, shqiptarë e të huaj dhe e mbylli dukë ngrënë kokën e vet.

Studiuesit e rinj shqiptarë në Forumin e Dytë Ndërkombëtar Filologjik për Studentë dhe Doktorantë




Më 17-20 nëntor në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski” u mbajt Forumi i Dytë Ndërkombëtar Filologjik për Studentë dhe Doktorantë. Organizuar nga Fakulteti Filologjik ai u jep mundësi sfiduesve të rinj nga vende dhe universitete të ndryshme të paraqesin hulumtimet e tyre shkencore, të cilat të komentohen nga një juri eksperte. Në kuadrin e tij morën pjesë 220 studiues të rinj nga 20 shtete të Evropës, Kina dhe India, të cilët u shkëmbyen përvojë me shkencëtarë të shquar bullgarë. Ndër pjesëmarrësit ishin edhe Ylberta Halili, Vjosa Osmani dhe Afërdita Abdullahi. Dëgjoni mendimet e tyre për forumin dhe kumtesat që i mbajtën në mes të sesioneve shkencore të së shtunës.

Afërdita Abdullahi, Ylberta Halili dhe Vjosa Osmani në Degën e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes
http://82.119.84.123/storage/RadioBulgaria/Albanska/Obshtestvo/Audio01_alb_21_11_16.mp3

Afërdita Abdullahi, Ylberta Halili dhe Vjosa Osmani në Degën e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes


Si të mbijetosh, po të jesh me HIV



Miglena Ivanova

Ivanço dhe Marijka janë protagonistë të historive të grumbulluara në një “Manual për mbijetesë (apo jo) për njerëzit me HIV”, krijuar nga Asociacioni bullgar për planifikimin familjar dhe shëndetin seksual. Autorët e tij janë “Grumbulluesi i shpirtrave të rëna” – Milen Çavrov, aktivist prej shumë kohe, i cili punon mbi problemet e lidhura me HIV-in/SIDA-n dhe të drejtat e pacientëve dhe “Zana e së drejtës” – Ivana Murxheva, këshilltare juridike e fondacionit “Shpresa kundër SIDA-s”.

“Ideja ishte të shkruheshin këshilla të thata për mënyrën në të cilën jetojnë dhe mbijetojnë njerëzit e infektuar me virusin e SIDA-s. Mirëpo, unë pasi mendoja shumë kohë, vendosa se shkrimi i këshillave të thata, të cilat nuk janë gjithmonë të aplikueshme, nuk është ideja më e mirë”, thotë Milen.

Kështu në faqet fillojnë të jetojnë një jetë të re historitë e Ivanços dhe Marijkës, të cilët mund të jenë edhe të varfër, edhe të pasur, edhe persona VIP, edhe të panjohur, edhe të arsimuar, edhe analfabetë, edhe nga ndonjë qytet i vogël në provincë, edhe nga qyteti më i madh në shtet. Por të gjithë ata janë të damkosur. I quajnë “Njerëzit, të cilët jetojnë me HIV”, ose me ironi “pacientët pozitivë”. Historitë e tyre mund ta shndërronin librin në një vepër shumë zbavitëse, në qoftë se ajo nuk na mbushte edhe me zemërim, edhe me trishtim. Ato janë grumbulluar në vazhdim të 20 viteve dhe janë publikuar , që të na rrëfejnë historitë E TË TJERËVE, të atyre, të cilët dërgohen në spitale më të ndryshme, por gjithmonë ka ndonjë rast më urgjent. Këto histori na tregojnë jetën e njerëzve me HIV, e cila është plotë vështirësi, por kjo mund të jetë jeta e çdo një prej nesh. Këto janë gjithashtu histori për guximin dhe dëshpërimin, për luftën me paragjykimet, të cilat nuk kanë ndryshuar gjatë dekadave të fundit.


Manuali për mbijetesë (apo jo) për njerëzit me HIV

Manuali për mbijetesë (apo jo) për njerëzit me HIV


“U lodhëm të shohim nënat, të cilat nuk i çojnë fëmijët e tyre në kopshtin e fëmijëve, sepse “atje ka një fëmijë, që ka nënë me HIV”. Kemi parë mjekë, të cilët nuk duan të operojnë, sepse kanë dëgjuar se ky pacient ndoshta është infektuar me virusin e SIDA-s, madje po të bëhet fjalë për operacion të ngutshëm. Kemi parë se si një njeri me HIV e viziton mjekun, ose dentistin dhe thotë “Kini parasysh se unë jam me HIV” dhe pas kësaj njeriu me përparësen e bardhë i përgjigjet: “Ja dera!” Kjo do të thotë se sa shumë janë njerëzit në bashkësinë tonë mjekësore, të cilët e dinë për se bëhet fjalë, e dinë se si njeriu infektohet dhe çfarë duhet të bëjnë, por megjithatë nuk i përkrahin këta njerëz” – deklaroi në prezantim prof. Radka Argirova, kryetare e Shoqatës Bullgare të Virusologjisë Mjekësore, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare për SIDA-n (International AIDS SOCIETY) dhe nënvizoi:

“Të gjithë e dini se ka një shkencë – epidemiologji dhe më konkretisht epidemiologji infektive. Në librat mësimore edhe sot e kësaj dite është shënuar se parimet kryesore të luftimit të sëmundjeve ngjitëse janë: së pari të zbulojmë atë që i shkakton, së dyti të izolojmë atë që i provokon dhe së treti të izolojmë njeriun e infektuar, që të mos përhapet sëmundja përkatëse. Me se luftojmë në fakt? Me njeriun, apo me virusin? Në tërë përvojën tonë 30 vjeçare ne vazhdimisht sikurse luftojmë me njerëzit me HIV dhe kjo nuk duhet të vazhdojë më shumë.”

Këtë vit mbushen 30 vjet nga diagnostikimi i mbajtësit të parë të HIV-it në Bullgari. Sot në plan botëror në çdo një sekondë të gjashtë një njeri infektohet me virusin HIV.

Çfarë është situata në Bullgari?

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 25 nëntor 2016 88 për qind e të regjistruarve të fundit me infeksionin HIV në vend janë infektuar në mënyrë seksuale. Që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar akoma 194 njerëz me HIV dhe kështu numri zyrtar i të infektuarve me HIV në Bullgari është 2 460 veta. Po ruhet tendenca që numri i burrave të regjistruar kohët e fundit të jetë mbi 5 herë më i madh nga numri i grave. Më i prekur është grupmosha nga 30 deri në 39 vjeç.

Kultura e lirisë dhe doktrina e robërisë



Presidenti që vjen nga kultura e lirisë


Presidenti që vjen nga kultura e lirisë

NGA ISMAIL SYLA

Hashim Thaçi, tashmë president, me një integritet të lart si lider, udhëhiqet nga ëndrra përtej një posti, sado i lartë që të jetë. Dy ëndrrat e tij i ka realizuar, atë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në radhë është ëndrra e tretë: integrimi në BE, NATO dhe OKB

Kultura e lirisë dhe doktrina e robërisë

Hashim Thaçi, president i Kosovës që nga 7 prilli 2016, pas një karriere të ngjeshur politike, është njeriu i parë i shtetit të Kosovës. Bazamenti dhe prejardhja e tij themelore politike është lufta çlirimtare e Kosovës. Për dallim nga politikanët e Ballkanit, që në skenë qëndruan mbi programe e doktrina të ndryshme, Hashim Thaçi i përket brezit të politikanëve që u brumosën dhe u kultivuan në vlerat e krijimit të lirisë për vendin e tyre. Në kuadër të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, ai është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko ushtarake më të suksesshme shqiptare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gueriles më të suksesshme të shekullit njëzet (Tim Judah).

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u zhvillua brenda territorit të Kosovës, në mbrojtje të popullatës autoktone, kundër një shteti me polici, ushtri dhe administratë robëruese për një shekull, kundër sundimit të Beogradit. Prandaj, shlirë mund të thuhet se Hashim Thaçi është politikan dhe burrështetas që vjen nga kultura e lirisë. Në Ballkan, e sidomos në shtetin që sundoi për një shekull Kosovën, në Serbi u ngritën figura politike, ushtarake, akademike që bazë themelore kishin shkollën për shfarosjen, shpërnguljen, vrasjen, burgosjen, dëbimin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe ndaj popujve tjerë të ish Jugosllavisë, ku në këtë linjë u bënë bashkë edhe institucione si akademia, kisha, ushtria, policia etj.

Pra, kemi dy modele, dy profile rrënjësisht të kundërta. Kultura e lirisë përballë doktrinës së robërisë (pushtimit të tjetrit), sepse kjo e fundit nuk meriton të tipologjizohet me fjalën “kulturë”.

Më poshtë do të skicohen disa nga pikat më kulmore të biografisë politike të Presidentit Hashim Thaçi, në kohën kur ziejnë jo pak qëndrime kundër tij, njollosje dhe etiketime të pabaza, qoftë në shtypin elektronik vendor, qoftë në Serbi, qoftë edhe në disa media ndërkombëtare. Personalisht, konsideroj se janë të padrejta. Në planin ndërkombëtar këto sulme kanë motive dhe objektiva të ndryshme, ndërkaq, në rrafshin e brendshëm shoqërohen dhe bazohen në urrejtje patologjike, raciste, kundërnjerëzore, me elemente xhelozie dhe inati personal kundër tij.



Koha e rezistencës

1.

Kur u varros studenti Sami Ramë Babaj nga Llausha e Skenderajt më 30 maj 1992, i vrarë nga policia serbe, Hashim Thaçi si prorektor student mbajti një fjalim frymëzues dhe qortues njëkohësisht. Ai fliste në emër të rinisë studentore, dhe u bënte apel “subjekteve politike, shoqatave, sindikatave që t’i hapin sytë dhe të punojmë më shumë për çlirim, se përndryshe të gjithë do të përgjigjemi para historisë”. Ai, në fund të fjalimit do t’i përmblidhte tri modele të rezistencës, që përfaqësohen me tri simbole: grushti, dy gishtërinjtë dhe një gisht, ai këmbëzës së pushkës: “Përndryshe populli di edhe vetë të organizohet siç diti çdo herë, pas Luftës së Dytë Botërore të vazhdojë me grushtin e bashkimit lart, të vazhdojë me dy gishtërinjtë dhe di ta përfundojë me një gisht si rrugë dhe mundësi e vetme për komunikim dhe çlirim të Kosovës nga Serbia.”

2.

Në fshatin Kollar të Kërçovë, 24 mars 1993, mbahet një Mbledhje konsultative e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK-së së ardhshme). Në këtë mbledhje ishin të pranishëm veprimtarë me një të kaluar të pasur politike klandestine brenda kësaj organizate. Hashim Thaçi (25 vjeç) në këtë mbledhje do të tregojë qartë se kjo organizatë kishte arritur maksimumin e aktivitetit politik joproduktiv. Përmes një diskutimi kërkon ndërrim të kursit. “Qëndrimi im ka qenë i qartë dhe shumë i prerë: Ose duhet vazhduar luftën e armatosur, ose LPRK-ja duhet të shpërbëhet.” Pas kësaj fjale, dy veprimtarë seriozë të LPRK-së do t’i thonë Thaçit: “Ke të drejtë, nëse mund të qëndrosh, vazhdo!”

Kjo kërkesë e vendosur për të shënuar kthesë nuk lejonte rrugë të mesit. “Shumë delegatë përkrahën konceptin tim, por pati edhe të tillë që u zemëruan me qëndrime të tilla. Nuk e çaja kokën fort, sepse organizata kishte nevojë për veprimtarë që të ishin të gatshëm për veprime konkrete, e jo për njerëz që thirreshin në organizimin e rezistencës së armatosur, ndërsa i mbytnin që në embrion idetë dhe iniciativat për veprime kundër Serbisë. Ky ishte momenti i kthesës për organizimin e LPRK-së, vazhdimit dhe zgjerimit të aksioneve në Kosovë, por edhe i rritjes së përgjegjësive shtesë për mua.”, kujton Thaçi momentin kthesë, nga i cili nis formimi i sektorit ë veçantë, i bërthamës, i gjenezës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

3.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998 -1999) është kapitull i njohur i historisë së re të Kosovës. Në një intervistë ambasadori Wolfgang Petrisch në pyetjen se pse pikërisht Hashim Thaçi u zgjodh si person i duhur për të bashkëpunuar me të gjatë luftës, ai përgjigjet se pas kontakteve me përfaqësuesit politikë të UÇK-së, e sidomos me rastin e këmbimit të tetë ushtarëve serbë të zënë rob në ZO të Shalës, kemi parë se atë që e thotë Thaçi ajo realizohet.

Besueshmëria është një element i rëndësishëm që tregon për shkallën e lartë të integritetit tek një personalitet. Kjo cilësi e Hashim Thaçit, e shfaqur së bashku me vendosmërinë maksimale në Konferencën e Rambujesë, është pranuar nga të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës, qofshin vendorët, qofshin ndërkombëtarët. Si rezultat i qëndrimit të drejtë politik të palës shqiptare, Konferenca e Rambujesë dhe nënshkrimi i marrëveshjes në Paris ka hapur rrugën e fillimit të bombardimeve të caqeve ushtarake dhe policore serbe nga aleanca më e fuqishme e globit, NATO.

Koha e çlirimit, kostumi blu i mbyllët

Tregimi i sekretarit personal të Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci për “armët” personale të Hashim Thaçit, dy bombat e dorës, në aeroportin e Vjenës më 1999, për të mos rënë i gjallë në duar të sigurimit serbë, si dhe ai për dorëzimin e tyre me të arritur në Paris, për një gazetar të gazetës “The Times” është simbolikisht fillimi i demilitarizimt të UÇK-së, gjegjësisht të Thaçit dhe transformimit të tij në lider të mirëfilltë politik. Që në Rambuje sekretarja amerikane Albriht i kishte sugjeruar Ibrahim Rugovës që të t’i pranojë si partner përfaqësuesit e krahut të luftës duke i thënë se më nuk ishte si më parë: “Tani ke një opozitë” (A. M. Pa Protokoll).

Procesi i transformimit të UÇK-së në Trupë Mbrojtëse të Kosovës kishte qenë një zhvillim politik dramatik. Këtë ngjarje e shënoi edhe gazetari i revistës “Time” Rob Asher, tetor 1999. “Thaçi kërkoi që 600 pjesëtarëve të forcës së re t’u lejohet të mbartin armë, duke e trefishuar numrin e marrëveshjes së arritur... Thaçi, 31-vjeçar, ka ndryshuar me të shpejtë gjatë rrjedhës së konflikt të Kosovë nga një luftëtar i gjallë i papërvojë në artin e politikës në një negociator jashtëzakonisht luftarak: “Ai u hodh në sulm si një dem”, thotë një zyrtar perëndimor i përfshirë në negociata. “Ishte e qartë se ne do të pësonim debakël”, tha ai. Një shtyrje e afatit u arrit, dhe shefi ushtarak i NATO-s, gjenerali Ueslli Kllark, fluturoi për në Kosovë dhe mblodhi të gjithë komandantët kryesorë të UÇK-së.” (Rilindja, tetor 1999)

Më 10 tetor 1999, themelohet Partia e Progresit Demokratik të Kosovës, e cila më 22 maj 2000 mban konventën parë dhe merr emrin aktual Partia Demokratike e Kosovës. Zgjedhjet e para lokale të vitit 2000 treguan se shoqëria kosovare është e dalë nga lufta, nga një robëri e gjatë, nga një prapambeturi e kushtëzuar prej traumave historike. Rezultatet e zgjedhjeve krijuan një pasqyrë të caktuar. PDK doli forcë e dytë politike. Kaosi dhe anarkia e pasluftës iu atribuuan njerëzve të dalë nga lufta dhe kështu PDK pagoi një tagër të caktuar.

Gazetari Mattias Rub i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” të 15 janar 2002 shkruan një shkrim me titull “Thaçi është një faktor pushteti”, ku ka të njëjtën frekuencë me mendimin e Albright në Rambuje: “Thaçi që i përket burrave të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare dhe që për realizimin e pretendimeve të tij udhëheqëse nuk veproi me naze, ishte zgjedhur në bisedimet ndërkombëtare paqësore të shkurtit të 1999, në kështjellën e Rambouillet, pranë Parisit, për udhëheqës të delegacionit 17-anëtarësh të shqiptarëve të Kosovës. Para së gjithash, sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Albright, i besoi shpejt atij dhe investoi në të si njeriun e së ardhmes - një „poshtërim“ ky nga i cili Rugova deri më tani duhet të mos ta ketë marrë veten... Pas fundit të luftës ajrore të NATO-s dhe marshimit të trupave ndërkombëtare paqësore në qershor 1999, ai e zhveshi shpejt - fizikisht dhe intelektualisht – uniformën dhe e këmbeu atë kundrejt kostumit të parapëlqyer blu të mbylltë.”

Në periudhën 2002 -2004 PDK-ja ishte pjesë e institucioneve me bazë të gjerë proporcionale, në nivel qendror, ndërkaq në opozitë në pushtetin lokal. Prej viti 2004 deri më 17 nëntor 2007 ishte në opozitë të pastër. Në këtë periudhë, e sidomos në atë të viteve 2006 – 2007 në saje të vizionit politik të kryetarit Hashim Thaçi dhe projekteve të premtuara dhe të ekspozuara me një intensitet bindës para elektoratit, u përpunua ideja dhe mekanizmi i fitores. PDK-ja doli fituese e zgjedhjeve lokale dhe qendrore, duke fituar të drejtën që të themelojë qeverinë dhe të drejtojë edhe Kuvendin e Kosovës.



Koha e institucionalizimit, opozitë – pozitë

Ndër të arriturat më të mëdha politike të liderit të PDK-së Hashim Thaçi është fitorja e zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007. Kjo fitore i hapi rrugë që si lideri politik më i votuar në vend të drejtojë qeverinë e parë dhe të dytë si kryeministër i fuqishëm. Derisa kryeministri i parë, Bajram Rexhepi e realizoi mandatin e plotë në saje të formulës së marrëveshjes politike të tri partive themelore parlamentare shqiptare (LDK, PDK, AAK), qeveria 2004-2007 pati kryeministra të brishtë.

Në periudhën e funksionimit të demokracisë në Kosovë, me aq traditë dhe kulturë sa kishte, Hashim Thaçi që në fillim hyri në politikë si një lojtar maratonist, i përgatitur për shtigje afatgjata. Ai që në tetor e vitit 2000 instaloi kulturën e njohjes së rezultatit zgjedhor. Po ashtu, ai u tërhoq një hap prapa, për t’i lënë udhë z. Rexhepi për t’u bërë kryeministër. Me krijimi e kabinetit hije, ai arriti të zhveshë pushtetin përmes paraqitjeve mediale. Në periudhën e të qenit në opozitë përdori vetëm instrumentet demokratike kundër qeverisjes së dështuar. Për të treguar se Kosova ka nevojë të ketë konsensus për çështjet e rëndësisë nacionale, ai merr pjesë aktive në bisedimet e Vjenës lidhur me statusin politik të Kosovës, bisedime që prodhuan dokumentin politik të presidentit Ahtisaari, në bazë të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Si kryeministër i pavarësisë, Hashim Thaçi është njeriu më meritor i krijimit të identitetit shtetëror të Kosovës. I modernizimit të infrastrukturës rrugore (autostradat, shkollat, heqja e baltës nga vendbanimet) i ngritjes së mirëqenies sociale, përmes rritjes së rrogave për të gjitha kategoritë shoqërore, i mbrojtjes ligjore të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve dhe veteranëve, i shpagimit material për ish të burgosurit, si veprim human, sepse ata janë mbajtur në burg nga administrata e Beogradit. Në periudhën e mandatit të tij si kryeministër Kosova themeloi ministrinë e jashtme, atë të FSK-së, ndërsa u njoh nga 111 vende të botës si dhe u bë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare. Në mandatin e u krijuan kushtet që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen në tërë territorin e Kosovës.

Një vlerë e veçantë institucionale e liderit Hashim Thaçi është kultura e krijimit të koalicioneve me subjektet tjera politike. Krijimi i koalicionit me “rivalin” kryesor, siç po thuhet, me LDK-në është dëshmuar si hap i pjekurisë politike: për interes të stabilitetit institucional të Kosovës, për hir unitetit qytetar, të krijimit të klimës së mirëkuptimit dhe tejkalimit të animoziteteve dhe paragjykimeve negative për njëri – tjetrin.

Një e arritur tjetër që tregon për vizion, pjekuri dhe perspektivë afatgjate të shoqërisë sonë dhe të shtetit tonë të ri është edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori Wolfgang Petrisch (20 janar 2015, Vjenë) arritjen e marrëveshjes së 19 prillit 2013 e vlerëson si kontribut në historinë e re të Evropës. Marrëveshje që përçon mesazhin e paqes, pajtimit dhe krijimit të miqësisë ndërmjet popujve me histori lufte e urrejtje qindravjeçare.



Koha e Presidentit – identiteti shtetëror

Zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës është një arritur normale për një figure politike, e cila vjen nga një e kaluar dhe e tashme e pasur historike. Hashim Thaçi është njeriu që ka pasur ndikim real në të gjitha proceset politike të Kosovës prej vitit 1998 e deri tani. Afër dy dekada (18 vjet) ai ka qenë njeri që ka bartur barrën më të madhe të historisë moderne të Kosovës. Pos barrës, ai i ka dhënë trajtë identitetit shtetëror të Kosovës. Ky identitet është institucionalizim i ekzistencës së Kosovës. Kosova ka qenësinë shtetërore, që është shkalla më e lartë e organizimit shoqëror. Kjo qenësi njihet nga shtetet e botës perëndimore, nga bota me kualitetet më të larta dhe më e përparuara në shkallë botërore, si kulturë, emancipim, liri dhe demokraci.



Pse, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit, përpos tjerash pa dyshim, do të luaj rolin bashkues qytetar?

Dëshmia më e mirë është fakti që ai hiqi dorë nga mekanizmi më i fuqishëm politik aktualisht në Kosovë, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në çdo sondazh del subjekti i parë politik. Nga partia e cila ka prodhuar politikisht dy kryeministra (B. Rexhepi, Hashim Thaçi) me tri mandate dhe dy kryetarë kuvendi (Jakup Krasniqi dy mandate dhe Kadri Veseli, kryetar aktual). Pra nga partia që jep kryministra, kryeparlamentarë dhe tashmë edhe president.

Vizioni i paraqitur në ditën e inaugurimit president, tregon më së miri se Hashim Thaçi do të punojë në forcimin e identitetit shtetëror të Kosovës. Kosova ka tashmë ngjyrat e saj shtetërore, ka himnin, flamurin, ka institucionet. Respekti për to është respekt për vetveten. Kosova është shteti ynë. Kosova është vetëdija, ndërgjegjja jonë. Pranë dhe prapa këtij momenti duhet të qëndrojë vetëdija jonë shtetformuese, vetëdija e forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Përballë kësaj vetëdije bie dhe shpartallohet mendësia jonë fisnore, krahinore, rajonale, e mëhallës dhe e “familjes së madhe” e patriarkalizmit primitiv. Para kësaj vetëdije shpartallohet mentaliteti se shteti duhet t’i dorëzohet odës, shtëpisë dhe familjeve të mëdha. Përkundrazi Kosova do të mbrohet dhe përfaqësohet nga instrumentet shtetërore.

Prandaj, shprehje e edukatës qytetare e kombëtare është kultivimi i dashurisë dhe ngjallja e emocioneve të krenarisë kur valon flamuri i Kosovës në ambasada jashtë vendit, në paraqitjet ndërkombëtare, kur ekzekutohen himni në manifestime sepse ai flamur dhe ai himni, është identiteti ynë, përmes të cilit na njeh bota. Identiteti shtetëror.

Deklarata Kushtetuese, një tekst me një ngarkesë të madhe shpjeguese, ka një fjali të artë, fillimin e paragrafit ku thuhet: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.” Përmes kësaj fjalie kalohet nga koha para pavarësi në kohën e pavarësisë. Ky është ai moment hyjnor i përjetësisë së shtetit të Kosovës.

Këtë moment më së miri e ndjen z. Hashim Thaçi. Tashmë president. Me një integritet të lart si lider, ai udhëhiqet nga ëndrra përtej një posti, sado i lartë që të jetë. Dy ëndrrat e tij i ka realizuar, atë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në radhë është ëndrra e tretë: integrimi në BE, NATO dhe OKB.

Ilir Deda: Kosova të përgatitet për goditjen që do të marrë nga Gjykata Speciale

Image result for ilir deda
Skenës politikë në Kosovë, së shpejti do t'i shtohetedhe një subjekt politik, me emrin Alternativa. Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila, janë dy nga emrat që tash për tash dihen si pjesë e këtij subjekti. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda flet në lidhje me fazën e themelimit të Alternativës, si dhe komenton zhvillimet aktuale në lidhje me demarkacionin, liberalizimin e vizave, zgjedhjet e lira si dhe efektet e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila do të nisë punën nga viti 2017.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Deda, që kur lëshuat Lëvizjen Vetëvendosje, ju patët paralajmëruar formimin e një subjekti të ri politik. Ku qëndrojnë, aktualisht, punët rreth themelimit të këtij subjekti apo partie politike?

Ilir Deda: Kur e kam lëshuar Lëvizjen Vetëvendosje, pata thënë se do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik, i cili do të nënkupton ri-rreshtim të njerëzve të politike dhe të atyre që nuk kanë qenë në politikë, me të cilët e ndajmë vizionin e njëjtë për shtet-ndërtim. Subjekti është në proces të themelimit. Emri është Alternativa. Tash jemi në fazën e krijimit të këshillave iniciues në nivel komunal.

Do të dalim në publik në atë moment, të cilin ne e konsiderojmë se është më i përshtatshëm për ne.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të flasim për emrat. Kush e përbën këtë Alternative të re politike?

Ilir Deda: Politika e emrave në Kosovë na ka sjellë në situatën, në të cilën jemi. Kjo është një temë e imponuar. Mendoj që neve na duhet një ndryshim rrënjësor politik, ku do të ketë njerëz me kredibilitet gjithandej dhe të dëshmuar në fushat e tyre. Këta njerëz janë duke ardhur apo janë duke u bërë pjesë e ndërtimit të subjektit të ri politik. Në fund të fundit do të jetë vizioni se si e shohim ne Kosovën. Kjo çështja e emrave pak është e tejkaluar, sepse shiheni edhe 17 vjet pas luftës ne kemi përfunduar në një kornizë të njëjtë të debatit me probleme, të cilat po thellohen.

Me një izolim të Kosovës, me humbje të shumë mundësive që i ka ofruar viti 2016 dhe koncepti i ri politik, mendësi të re politike dhe qasje tjetër në politikë dhe politikë-bërje. Kjo çështja e emrave është një kornizë, e cila është imponuar në Kosovë që prej pas luftës, sepse në fund të fundit, partitë politike nuk mund të jenë klub i njerëzve medial, por duhet të jetë besimi në vizionin e përbashkët, e sidomos në zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova dhe kjo është ajo që do të na bashkojë të gjithëve në këtë fazë dhe fazat e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilit spektër politik i takon Alternativa?

Ilir Deda: Kjo do të definohet e gjitha në konventën kur do të prezantohet Alternativa. Është pjesë e konsultimit dhe vendimmarrja do të jetë e përbashkët. Nuk do të jetë qëndrim i imi apo i Mimoza Kusarit, apo dikujt tjetër. Do të jetë vendim i përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe në disa çështje aktuale... Si e shihni ju tani problemin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i cili po ndikon drejtpërdrejt në vendimin për mosliberalizimin e vizave. Si e shihni zgjidhjen?

Ilir Deda: Gati një vit e gjysmë merremi me demarkacionin dhe Qeveria e Kosovës nuk ka sens politik dhe bllokimi i jetës politike në Kosovë me çështjen e demarkacionit është edhe bankroto i politikës aktuale, sepse humbja e liberalizimit të vizave sivjet, do të thotë që ne me vite nuk do ta kemi mundësinë për lëvizje të lirë. Kjo, kryekëput për shkak të paaftësisë së politikës së Kosovës që ta zgjidhë një problem çfarë është demarkacioni. Tash po del që kontestuese janë 2 mijë hektarë.

Unë nuk mund të besoj se si një qeveri nuk është e aftë që të ndërtojë konsensus për zgjidhjen e një kontesti, i cili i ka 2 mijë hektarë që të përfitojmë, sepse kjo është mundësia e fundit, faktikisht, për qytetarët e Kosovës që të marrin dhe gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në kontinentin ku jetojnë.

Humbja e kësaj mundësie do të jetë bankroto i politikës së Kosovës dhe do të na fusë në një situatë ku ne nuk do ta dimë se kur do të kemi mundësi që të jemi afër liberalizimit të vizave. Në Evropë po ndodhin ndryshime të thella, të cilat nuk janë domosdo pozitive për Kosovën. Shkurtpamësia e qeverisë së sotme po na e humb mundësinë, për të cilën shumë e shumë njerëz kanë punuar që të jemi afër të drejtës që e gëzojnë qytetarët e tjerë në Evropë.

Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni zgjidhjen, te konsensusi politik mes pozitës dhe opozitës?

Ilir Deda: Çdo problem ka zgjidhje. Edhe çështja e demarkacionit ka mundur të zgjidhet në konsensus ndërmjet qeverisë dhe partive opozitare. Nuk ekziston vullneti në anën e qeverisë që të vijë deri te një konsensus i tillë dhe ata, ose kryeministri në vend që ta kërkoj fajtorin tek opozita, ai duhet që fajin dhe përgjegjësinë ta marrë vetë.Ai nuk është i gatshëm që t’ia shtrijë dorën e pajtimit një pjese të popullit të vet që përfaqësohet nëpërmjet opozitës parlamentare që të zgjidhet ky problem, pra çështjen e demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Sa herë që shtrohet çështja e mungesës së konsensuseve politike dhe pamundësia e marrjes së vendimeve për çështje të mëdha, ngrihen edhe dilemat nëse vendi ka nevojë për zgjedhje. Sa e shihni ju si zgjidhje opsionin e zgjedhjeve nëse nuk tejkalohen këto pengesa?

Ilir Deda: Çështja më brengosëse për ne, si shtet, dhe si popull në Republikën e Kosovës ka të bëjë me izolimin e shtetit të Kosovës, humbjen e kredibilitetit, me bankrotimin e politikës dhe me mundësinë e humbjes së popullit. Nëse e shohim se çka na pret vitin e ardhshëm, ne duhet të jemi shumë më shumë të mobilizuar si politikë për atë se si do të sillemi me procesin e Gjykatës Speciale. Ndërsa, një qeveri, e cila nuk është e aftë që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve, duhet të dorëhiqet.

Nuk mund të ketë imponime të vullnetit politik në Kosovë. Edhe data e zgjedhjeve duhet të jetë rezultat i konsensusit politik.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Gjykatën Speciale dhe efektet. Si duhet të sillet politika e Kosovës në raport me këtë Gjykatë, sipas jush?

Ilir Deda: Tash, këtu në opinion diskuton një lloj debati se kush do të jetë i akuzuar. Mendoj se nuk është me rëndësi se kush do të jetë. Ajo do të jetë një goditje e fortë në proces të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse ne nuk e kemi përfunduar shtetësinë në nivelin ndërkombëtar. Imagjinojeni se çfarë do të bëjë Rusia me disa vende tjera, me Serbinë, në momentin që të vijnë aktakuzat.

Për këtë është me rëndësi që të ekzistojë konsensusi politik se si do të sillemi si politikë gjatë aktakuzave që do të ngrihen vitin e ardhshëm. Si do ta menaxhojmë politikisht atë fazë dhe cili do të jetë mesazhi ynë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës?! Por, kjo do të jetë konsensuale. Nuk mund të jetë mesazh i parcializuar. Këtë po e them unë se është shumë sfiduese, sepse luftërat dhe krimet në ish-Jugosllavi janë duke u harruar për vendet e tjera, kurse po hapet një kapitull kur një Gjykatë gjysmë ndërkombëtare do të merret kryekëput me Kosovën dhe vetëm me shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë dhe është një etnike, çka është jo pozitive.

Në këtë gjysmë izolimi, në të cilin jemi dhe me shtetësi të papërfunduar. Me politikë jo kredibile, unë nuk po them se do të goditet shtetësia e Kosovës, por do të jetë në nivel ndërkombëtar një goditje për ne dhe ne duhet ta kemi përgjigjen për këtë.

Për këtë arsye na nevojitet menaxhimi politik, sjellja e brendshme dhe jashtë Kosovës dhe mesazhi që dërgojmë janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Por, duke e parë nivelin e njerëzve, të cilët e udhëheqin Kosovën, nuk e shoh vullnetin tek ata që të ndërtojnë një konsensus të tillë.

(Radio Evropa e Lirë-REL)

Sekreti i madh që fshehu ishulli më i largët në botë


Një nga ishujt më të largët të botës, pothuajse 2,000 kilometra nga toka më e afërt, është i mbuluar me akull pothuaj gjatë gjithë vitit. Nuk ka pemë apo kafshë dhe për këtë arsye për disa dekada të tëra ka qenë në gjendje që të fshehë një sekret të madh.
Ishulli e ka një histori interesante. Edhe pse është pothuaj në jug të planetit, i takon Norvegjisë, por Afrika e Jugut, e cila është më afër, ka dashur të bëjë ngritjen e një stacion meteorologjik në ishull, shkruan portali kroat, express.hr.

Ekuipazhi i ngarkuar me këtë mision u përball me kushte të vështira të motit dhe pas disa përpjekjeve, në vitin 1955, u tërhoq nga vendosja e instrumenteve, ndër të tjera për shkak të mungesës së hapësirës.

Tri vite më vonë, akullthyesi amerikan vizitoi ishullin dhe ekuipazhi i tij zbuloi se ndërkohë kishte ndodhur një shpërthim vullkanik dhe se ishulli ishte rritur për disa qindra metra.

Vetëm në vitin 1964 ishin afrikanët e Jugut që vendosën të provojnë fatin e tyre përsëri dhe në vizitën e re, në një lagune të vogël, ata gjetën një varkë shpëtimi.

“Pyetëm veten se çfarë lloj i dramës fshihet pas këtij zbulimi misterioz”, shkroi në atë kohë një anëtar i misionit të Afrikës së Jugut, Alan Crawford.

Që gjërat të jenë edhe më keq, në barkë nuk kishte shenja të vendit të origjinës ose prodhuesit. Njëqind metra larg nga bregdetin ishin lopatat dhe një fuçi.

“Ne ishim të bindur se ato i kishin lënë të mbijetuarit e një anije të mbytur por pas një kërkimi të shkurtë nuk gjetëm askënd”, thotë Crawford.

Ai ishte i bindur se barka i përkiste një anije të madhe, ndoshta gjuetarëve të balenave. Megjithatë, lundrimi standard kalonte mijëra kilometra larg nga ishulli dhe askush nuk e kishte të qartë se si anija përfundoi aq larg.

Përveç kësaj, nuk kishte asnjë gjurmë të direkut, velave ose motorit, dhe lopatat e gjetura nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar edhe disa qindra metra prej anijes së ankoruar të Crawford, e lëre më mijëra kilometra në rrugët më të afërta tregtare apo bregdetit më të afërt.

Deri në këtë ishull vijnë vetëm ata që e dinë se ku shkojnë. Ndoshta më e tmerrshmja në gjithë këtë tregim është ajo që ndodhi me ekuipazhin e anijes.

Thellë në arkivat sovjetike ishte varrosur zgjidhja e këtij misteri, transmeton bota.al.

Me fjalë të tjera, në vitin 1958, qeveria sovjetike dërgoi një flotë të gjuetarëve të balenave dhe në mesin e tyre ishte një anije kërkimore, Slava-9. Në fund të nëntorit 1958, një pjesë e marinarëve zbarkoi në ishull por moti i përkeqësuar me shpejtësi e pengoi largimin e tyre.

Për tri ditë ata mbetën në ishull pa kurrfarë ushqimi derisa ata u shpëtuan nga një helikopter i flotës së gjuetarëve të balenave.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...