2017-04-10

Shkarazi : Kur clirohej Tirana 73 vite me pare

Kur clirohej Tirana 71 vite me pare
 Kjo foto tregon momentet e para të çlirimit. Ndërkohë, si çdo vit, sot janë bërë homazhe tek “Ushtari i Panjohur”, ku kanë qenë prezent edhe kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryebashkiaku Erion  Veliaj.

Në fjalën e tij,Ilir  Meta shprehu “nderimin më të madh” për partizanët dhe partizanet që çliruan Tiranën më 17 nëntor ’44.

“Mirënjohje edhe popullit të Tiranës për barrikadat dhe mbështetjen që u dha partizanëve. Kjo ditë përkon me kontributin që sot forcat tona të armatosura japin në luftën kundër terrorizmit. Jemi të bindur se në këtë betejë vendi i Shqipërisë është gjithnjë në krahë të forcave progresive dhe kontributi i saj nuk do të mungojë asnjëherë”, deklaroi Ilir Meta.

Në të njëjtat linja, Erion Veliaj shprehu vlerësimet më të larta për familjlarët e atyre njerëzve që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Erion Veliaj nënvizoi se, sikundër atëherë, kur u rreshtua kundër pushtuesve edhe sot Shqipëria rreshtohet përkrah aleatëve të saj në luftën kundër terrorizmit.

“Dje Tirana ishte pranë një civilizimi që nuk pranonte shtypjen dhe barbarinë. Sot, Tirana është me Parisin, në anën e duhur të historisë. Gjithmonë kemi qenë me civilizimin e duhur. Civilizimi goditet aty ku lulëzon më shumë e për rrjedhojë edhe Tirana është një qytet vulnerabël”, tha disa vjetë më parë zt. Erion  Veliaj.

Universalizmi dhe Nacionalizmi

Universalizmi dhe Nacionalizmi
Qysh prej shekujsh vazhdon lufta midis këtyre të dy botëkuptimeve. Kjo luftë filloi aty nga i XII shekull me Kartën e Madhe. Filloi në mënyrë të dukshme kur populli englez vendosi të shkëputet prej ndikimit së kishës universale. Lufta vazhdon e ashpër edhe sot nën forma të ndryshme. Nga ana e universalistave lufta bëhej dhe bëhet në bazën e një arsyeje shumë herë gjeniale, por gjithmonë arësye të ftohtë dhe spekulonjëse. Kurse nacionalistët i ka shtytur instikti, kishte me thanë vetë natyra. Natyra i do individet, do shumëllojshmërinë ndër njerëz, ndër kafshët dhe bimët. Për me i dalë zot këtij qëllimi, jo vetëm i ka krijuar racat, llojet e kafshëvet dhe të bimëvet, por iu ka dhanë armët dhe mjetet ma të rafinuara për t’u mbrojtur.

Universalistat nuk pranojne kufi nga jashtë, por aq më të ngushtë i venë kufijtë nga mbrenda. Flasin për njerëzin mbarë, për ide të përgjithshme, për njësi dhe vllazëri të përbotshme. Forma e universalizmit eshte imperializmi, qofte fetar ose shekullar. Siç thashë imperializmi përdor si parim të domosdoshëm shprehjen: “kufi të gjërë nga jashtë dhe të ngushtë nga brenda”. Që të kuptohemi ma mirë, po iu jap disa shembuj. Çdo fe e organizuar që ka prirje universale thotë: Më fal arsyen tënde, gjykimin tënd dhe unë të zbuloj të vërtetën absolute. Imperializmi shekullar romak ose englez etj., ka thënë ose thotë: falmë urinë tande si individ ose si komb dhe une do të ngreh një shtet i cili përfshin gjithë njerëzinë dhe gjithe dheun, ku do të sundojë rregulli dhe paqa. Komunizmi, një tjetër formë e universalizmit, thotë: Hiq dore nga vëllau tënd i gjakut dhe unë të bëj vëlla me të gjithë njerëzit e kësaj bote. Kjo bie erë diçka si ajo puna e shejtanit, i cili i paska thënë Krishtit: Bjer në gjunjë, falmu mua dhe unë të fal gjithë pasurinë e kësaj bote. Shkurt, çdo imperializëm, në emrin e një ideje universale, kërkon dhe ka kerkuar: Hiq dorë nga personaliteti tënd dhe nga lirija personale. Universalizmi ka patur gjithmonë një fuqi të madhe dhe tërheqëse në njerëzit e ligshtë. Mirëpo njeriu i fortë nuk e pranon. Ai gjen në kraharorin e tij, në familjen e tij, në popullin e tij një botë pa kufi, të cilin ai nuk e shkëmben me gjithë universin dhe me gjithë yjet e panumurt të tij. Nacionalisti i ka vënë vetes kufij nga jashtë, për të ruajtur personalitetin e vet dhe kërkon kufij të gjërë nga brenda, për me qenë i lirë në zhvillimin e natyrshëm të vlerave të tij, të prirjeve të tij, shkurt të karakterit të tij. Kurse universalisti thotë: bëju si unë; nacionalisti përkundrazi lyp: bëju siç je, me fjalë të tjera, qëndro besnik i vetvetes.

E vërtetë që nacionalisti pranon që njeriu ashtu edhe kombi nuk mund të qëndrojnë për vehte dhe të veçuar, se bëjnë pjesë në një tërësi, në të cilën secili është mbështetje dhe mbeshtetet. Por njerëzia, si një tërësi, është e interesueshme dhe mund të lartësohet vetëm atëhere kur individi ose kombi ka dhe di të ruajë karakterin e tij. Nacionalisti i jep një rëndësi të veçantë personalitetit dhe lirisë vetjake. E quan për detyrë të shenjtë të ruajë dhe zhvillojë vlerat e tij; e çmon vehten dhe kërkon që ta çmojnë dhe të tjerët; lyp që ta ketë fatin e vet vetë në dorën e tij; nuk duron të humbasë në turmën e popujve; nuk duron të bëjë pjesë si një numur i një shoqërie anonime; nuk do të fshihet prapa një pseudonimi, por del para botës me gjithë personin e tij përgjegjës, si ai burri i Tepelenes i cili çdo letër e mbaronte me këto fjale: “Unë, Aliu, shkruaj”.

Që ta presim shkurt në një mënyrë konkrete: Ne shqiptaret duam idenë tonë, virtytin tonë, të mirën ose vetveten tonë. Nuk e duam idenë e këtij, atij ose të gjithë botës. Siç thashë, nuk duam të jemi pjestarë në një shoqëri anonime. As duam të jemi dëkorative brenda suazës së një perandorije. Por në një çast fatzi ligështije dhe të krrupës së madhe na sulmoi armiku befas dhe na mashtroi. Hodhi fare të keqe midis nesh dhe organizoi anarkinë e shëmtuar. Ne, që si popull kemi dhënë burra shteti dhe ushtarë të mëdhenj, jetojmë sot turpin, të na heqin nga hunda të huajt! Por krenaria e jonë kombetare na ndalon të organizohemi nën priz të huaj. Vetëdija e jonë kombëtare dhe instikti i vetëmbrojtes na ndalojnë ndër këto kohe fort të rrezikshme të vrasim njeri tjetrin. Mbi te gjitha, nderi i jonë kombëtar na ndalon të gënjejmë, të intrigojmë dhe të shpifim! Jemi vëllezër. Duhet të bëhemi shokë!



Mihal Zallari
Gazeta Kombi 17.10.1943

Dosja e gruas D.D Ne hetuesi me ndalen jashteqitjen



Shkruar nga: V.Murati


Dosja e gruas D.D: Ne hetuesi me ndalen jashteqitjen

D.D rrëfen për herë të parë torturën nga akuzat e paqena prej hetuesve komunistë. Ky është një nga rastet që Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka regjistruar në arkivat e saj, si dëshmi e gjallë nga krimet e diktaturës

Dosja D.D është një nga rastet më flagrante sesi regjimi komunist i hiqte zvarrë njerëzit deri në degradim total. Familja e saj kurrë nuk arriti të ngulej në një vend, qoftë edhe buzë një gremine. E bija e saj, të paktën për 15 vitet e para të demokracisë, emigruar në Itali, nuk ka tentuar asnjëherë të vijë në Shqipëri, vetëm për faktin e tmerrit të komunizmit, duke ruajtur sindromën e frikës së asaj kohe kur degdiseshin orë e çast, ditë e natë. Ky është një nga rastet që Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit ka regjistruar në arkivat e saj, si dëshmi e gjallë nga krimet e diktaturës. Ish-të përndjekurit rrëfejnë torturat, inskenimet e akuzave politike dhe jetën e tyre pas rifitimit të lirisë, që tashmë përbëjnë dosjen e gjallë të regjistruar me kamera dhe diktofonë.

Emrat e persekutorëve të tyre thuhen hapur, pa drojë, por duke kujtuar gjithçka si ditën që ka ndodhur. Asgjë nga memoria e tyre nuk është fshirë. Janë të vërteta që asnjëherë nuk janë thënë dhe pohojnë se do të duheshin libra të tërë për të shkruar detajet nga më të llahtarshmet nëpër hetuesi dhe burgje.

Mbi këto dëshmi, Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë ka hartuar plot 200 dosje, me emra njerëzish që kanë sajuar vrasje e internime pa fund, për arsye nga më të ndryshmet. Në kuadrin e mbledhjes së këtyre dëshmive për evidentimin e torturës, për të hedhur sadopak dritë mbi pasojat e persekutimit gjatë viteve të diktaturës, si dhe për të mos lënë në harresë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë, u formuluan nga Qendra e Traumës dhe Rehabilitimit dhe u shpërndanë një numër pyetësorësh (500). Këta pyetësorë u shpërndanë me ndihmën e Institutit të ish të Përndjekurve Politikë në gjithë territorin e vendit. Pyetësorët e shpërndarë kishin për synim të evidentonin gjendjen socialo-ekonomike të ish-të përndjekurve politikë, të nxirrnin në pah pasojat psikologjike te viktimat e persekutimit politik.

Ish-të përndjekurit politikë sot shqetësohen më tepër për situatën e tyre ekonomike dhe marrëdhëniet familjare, sesa për vuajtjet që kanë përjetuar në të kaluarën. Persekutimi i gjatë politik nga njëra anë ka lënë pasoja në nivelet e izolimit dhe vetëvlerësimit, ndërsa nga ana tjetër ka ndikuar edhe në nivelin e besueshmërisë së tyre. Kjo lidhet ngushtë me mënyrën si ata përjetojnë të tashmen dhe si e shohin të ardhmen. A ekziston një lloj stereotipi paragjykues te të përndjekurit politikë, si grup i neglizhuar dhe i lënë në harresë? Ndërsa shkëpusim rastin e persekutimit të grave, përndjekjen e tyre si përgjigje të debatit të hapur së fundi në media për trajtimin e tyre nga hetuesia e diktaturës, nëse ka ekzistuar përdhunimi si fenomen. Nga këto dëshmi, ndonëse është konsideruar e vështirë për t’u denoncuar prej grave, të përndjekurat përmendim pa droje gjithë llojet e torturave që kanë hequr nga persekutorët e tyre.



E mban mend hetuesin?

Hetuesin? Vangjel, Vangjel …. nga Berati kishte ardhur…

Si ju trajtonte hetuesi ju?

Shumë keq. Unë shkoja e robtuar dhe qaja, dëgjoja zë fëmije. Ndërkohë që ai këndonte “përmbi portokalle moj të mora erë un ty” i thoshe, dhe e kërcënonte se ju më kini fol për të më marrë të dhëna mua. Këngën s’dua ta dëgjoj. Ajo është puna jonë, ajo është puna jonë, rri aty, trego D, trego D. Po unë nuk kisha…më ulnin poshtë, më ngrinin lart, …më ulnin poshtë… tortura.

Çfarë torturash mban mend në hetuesi?

Në hetuesi më ndalën jashtëqitjen. U trokëllija, s’kërkoja gjë tjetër, as rrahje asgjë.

U trokëllija, isha e ftohur. Me një gjysmë batanije mbulohesha dhe e vija dhe për shtroje. Ato birucat e Skraparit janë nën tokë, nuk janë në nivel, ishin shumë të ftohta. Të shkoja në banjë?! Bëje dhe fshije të mos ta gjejmë ne aty- më thoshin. Dhe në banjë dy herë në ditë arrija të shkoja. Në 6 të mëngjesit dhe në 6 në darkë. Kjo ishte më e rënda nga çdo gjë. Nuk ishte as buka, as goditja se sa mos kishe mundësi të…



Përdornin dhunë fizike?

Jo.

Dhunë psikologjike?

Po ja këto. Na vinin alarmin në orën 12-të të natës. Nënkryetari i degës Neshat Guri dhe hetuesi me emrin Vangjeli më kërcënonin, se nuk do mund t’i shihja fëmijët, se do të kisha shumë pasoja.

I ke takuar tani këta njerëz që përmendi?

I kam takuar.

Çfarë u ke thënë?

S’ia arritët qëllimit o zuzar! Çfarë mund t’u thuash më? Njëri ka vdekur, kryetari i degës së brendshme.

Por pas gjashtë muajsh hetuesi the se dole në gjyq, si shkoi ky proces?

Mbas 6 muajsh hetuesit çuan dosjen në gjykatë. Gjykata mbasi e analizon, dërgon përfaqësuesin në degë të brendshme dhe thotë: materiali që ju më dhatë, unë nuk e komentoj në këtë formë, pasi mund të marr pasoja për punën time, sepse nuk kam materiale për radiotransmetuese për këtë person. Nuk u dha asnjë informacion, nuk u pa asnjë gjë, e si mund ta akuzojmë? Është akuzë e kotë. Por ata nuk e morën parasysh këtë. Ndërkohë që iu përgjigjën gjykatës se mos të refuzonin akuzën që më kishin vënë, se ata nuk kishin ndër mend të më nxirrnin nga burgu. Pavarësisht nuk del nga burgu, por për këtë akuzë jo- tha gjykatësi. Atëherë ata këmbëngulën që akuza të tjetërsohej për shpërdorim posti. Kurse për prokurorin e Beratit, ai qe i gatshëm çfarëdo që të të vinin, thoshte se e kisha bërë. I kam parë unë – thoshte. Ai ishte shumë agresor edhe shumë i egër, shumë i vendosur për të shtypur padrejtësisht çdo njeri, mënyra e tij e punës. Dola në gjyq dhe m’u ngritën këto akuza…

Gjyqi ishte i hapur?

Gjyqi u bë dhe u lajmëruan që nga Tomorrica, me altoparlant thërrisnin: dëgjoni tradhtinë e një gruaje anti-pushtetit popullor. Dhe dritare të tëra u mbushën me njerëz. Dikush thoshte “varni”! Dale, dale- tha Refati gjykatësi, se ka ca rregulla, as neni përkatës jo, mënyra e veprimi të kësaj, nuk është kriminal. Ngadalë, ngadalë qe urdhri i tij. E më dënuan 4 vjet për shpërdorim edhe abuzim ndaj Partisë tonë… Kërcënimi i tyre ishte se meqë ti s’na mund dot ne…. ti munde veten. Më dënojnë kështu 4 vjet, pretenca e prokurorit dhe anëtarëve tjerë, meqë isha nënë e 6-të fëmijëve, pa arsim përkatës. Dhe më lanë tre vjet. Mbas dënimit më çuan në qytetin Stalin. Kalova atje rreth 2 vjet, ku më pas arrestojnë Barjamin.

Kur ishe ti në burg?

Po në të njëjtën kohë kur isha unë në burg, e arrestojnë edhe Barjamin. Ishte viti 1975, kur i japin urdhër nga lart për të shkuar në Prrenjas- Gur i Kuq. I thanë pas kësaj se kërkohet një specialist i mirë në Skrapar, dhe se ai duhet ta kishte kënaqësi që po e çonin. Im shoq e refuzon duke i thënë se kishte gjashtë fëmijë për t’i mbajtur. Atëherë i japin urdhër, për t’u paraqitur tek nënkryetari Reshat Bregu, me vendimin e prerë për të shkuar, do apo s’do. Një prokuror, nuk e di çfarë e quajnë, i ardhur nga Berati edhe nënkryetari e marrin me xhips Barjamin edhe (shpjegimet e Barjamit) edhe e çojnë deri në Poliçan. Në Poliçan i hodhën një batanije në kokë mos të shihet edhe e çojnë në birucat e Beratit, duke i thënë, shiko çfarë favori: të hodhëm batanije, që nesër kur të dalësh mos të thonë që u izolove.

E kërcënuan që të fliste se më kë bisedonte për pakënaqësitë që kishte kundër pushtetit. Ai u thoshte se nuk fliste me njeri, se e kishte mendjen tek ushqimi i fëmijëve, kur e hodhën nga malet e Tomorrit. E mbajtën nja 2-3 muaj aty, kur vëllezërit e mi interesoheshin aty për mua më thanë, që Bajrami nuk është në Prrenjas, u bë si një i humbur dhe s’po e gjenin. Ku nuk e kërkuan njerëzit e mi Bajramin. Ai humbi. Askush nuk e kishte parë. Kaluan kohë, kishin ardhur në shtëpi, kishin bërë kontroll gjeneral, kishin shqepur dhe jastëkët e kokës dhe jorganët edhe e nxorën në gjyq. E dënojnë 8 vjet. 8 vjet agjitacion e propagandë. Ai ishte shumë i specializuar për punën e tij, kishte talent edhe punonte jashtë orarit. Në gjyq i nxorën dy dëshmitarë që nuk i kish parë gjëkundi edhe i thanë që kishte folur me to kundër regjimit. Jo i tha- as kam folur se unë e dija frikën. Por ai thotë se nëse nuk do të kishte mendime kundër sistemit do të ishte gënjeshtar. Sepse ai ishte torturuar së bashku me gjashtë fëmijët e tij pa shtëpi, pa bukë, duke u degdisur herë pas here. Pastaj del një dëshmitar tjetër që thotë se im shoq ka folur për pakënaqësi ndaj sistemit dhe se ka dashur të zhduket. Hetuesi reagon duke thënë se nuk do ta vriste se do ishte kënaqësi e madhe, por do e ngarkonte me gurë në mal të Tomorrit dhe do të urdhëronte të zbriste me to në shpinë. Kjo është torturë. Siç kemi hequr neve. Në vitin 1976 unë dola nga burgu.

Në kohën që ti ishe në burg dhe Bajrami në burg…ku ishin fëmijët?

Barjami ishte në Spaç…Fëmijët qëndronin vetëm në shtëpi, dhe askush nuk futej brenda për t’i ndihmuar, pothuaj i zinte lebrosa.

Me çfarë jetonin?

Me çfarë jetonin? Ja i binin vëllezërit nga Tirana ndonjë gjë. Por edhe nga lagjja ka pasur disa komunistë të mirë si Kareman Ylli, Teki Malindi, që shkonin gjoja për shëtitje edhe hidhnin ndonjë paqetë se xhadeja ka qenë afër shtëpisë sonë. Këta kishin humanizëm sepse duke parë padrejtësitë u dhimbseshin fëmijët.

Vajzat e shikonin dhe u vinte zor, ku mbajnë mend se u bënë si kosh plehrash.

Sa keqardhje kishte dhe e merrte paketën ta hiqte po shumë e pezmatuar, kur shihte se kishte brenda 4-5 mijë lekë. Kjo ishte shumë herë e përsëritur edhe nga miqtë tanë. Nga Tirana vinte vëllai u linte sa mundesh se dhe këta ishin në shënjestër. Kështu e kaluan fëmijët e mi jetën.

Ju u liruat në ’76?

Në ’76. në 22 dhjetor, erdha në shtëpi. Gjeta fëmijët.

Nga Qyteti Stalin shkove drejt në shtëpi?

Po drejt në shtëpi.

Si e përjetove lirimin nga burgu?

Gjëja më e bukur, s’ka. Mora frymë edhe gjeta numrin tamam pa vuajtje. S’kisha nevojë të pyesja se unë e imagjinoja, të bësh një vizitë e të lësh 6 fëmijë edhe atë të gjirit ta plasësh duke qarë. Por është Zoti, fuqia absolute shumë e madhe që ka parë padrejtësitë të bëra mbi ne, mbi fëmijët tanë. Se s’kishte mundësi të jetohej. Ja të lësh 6 fëmijë njëri në sisë, e madhja 12 vjeçe, kjo është për të treguar me keqardhje dhe për të marrë të tërë informacion se ka një Zot. Zuzari punon edhe kërkon të godasë, e kërkon të shfarosë horri po fuqia absolute e atij i mbajti fëmijët e mi. Asnjë mendim tjetër s’ka.

Për sa orë e bëre rrugën nga Q. Stalin për në Çorovodë?

Nuk e di se ishte ajo gjendja e… a do arrij a s’do arrij.. e gjallë të shoh fëmijët, s’dua gjë tjetër.

Po, a shkove në shtëpi…??

Po. Shkova në shtëpi…I gjeta fëmijët. Ishte një gëzim që nuk mund të ta them. S’dija pastaj se ku është kjo, ku është ajo. Shumë komshinj që hynin dhe unë nuk dija asgjë për sendet e shtëpisë. Shtëpia ishte bosh, gjithçka na ishte marrë, madje edhe një radio “sonra” që e kisha blerë me paratë e barrës kur punoja në Fier. Edhe atë ma…morën. Po nuk i llogarit njeriu kuvertën e perdet e mullirin apo radion….Por ndihma e Zotit gjeta numrin e shtëpisë. Edhe nuk e ndjeja mungesën e Barjamit. Mendoja për fëmijët, torturat e tyre pa ne.

Vajte në shtëpi, fillove punë?

Jo. Jo nuk fillova punë por erdhën vëllezërit dhe i thanë sekretarit të parë: të lutem kjo me 6 fëmijë, ka nevojë për edukatën tonë, neve nuk duam t’i biem në Tiranë (se Tirana ju hoqi e Fieri e të tëra) por duam t’ japim një bukë. Një bukë ta ndajmë në mes se nga Tirana nuk e përballojmë dot. Teki Malindi na tha se do ta shtronte këtë si problem me Partinë dhe degën e Brendshme.. E shtroi. Ia refuzuan! Për një moment ja refuzuan. Do ta shikojmë prapë- i thotë vëllait. Kështu mbetëm në pritje. Në vitin ’81 a ’82 del im shoq nga burgu.

Nuk ju lejuan të iknit nga Skrapari në Tiranë?

Nuk na lejuan. Jo për në Tiranë, për në rrethe, tha vëllai. T’i kemi afër t’u shpiem nga një gjysmë buke, nuk diskutohej Tirana.

Edhe nuk të lejuan?

Jo.

Ti ku punoje?

Nuk punova.

Me se jetoje?

Na sillnin bukë vëllezërit nga Tirana.. Asnjë gjë nuk kishim. Ndërsa im shoq ishte në Spaç.

Kur u lirua nga burgu yt shoq?

Në ’82… duke llogaritur në ’75…… me një sjellje shembullore në Spaç, pa munguar një ditë, duke bërë normën përditë, shumë rigoroz në punë, në tunel e të tëra. Vjen në Skrapar dhe i flet një punonjës i degës së brendshme, i thotë: të ka ardhur një përmbajtje, një biografia e punës tuaj në Spaç që është shumë shembullore. Po pse këtu s’kam qenë shembullor. Ju kot më groposët, unë që kam qenë këtu isha dhe atje? – i tha im shoq. E liruan duke i siguruar dhe një vend pune, por im shoq nuk pranoi duke iu thënë se më mirë preferonte të rrinte pa punë se sa t’i bëheshin për së dyti ato intriga që iu bënë dhe ta degdisnin sërish në burg.

Domethënë, yt shoq nuk pranoi të punojë?

Nuk punoi…

A mund të na thoni si të gjeti pluralizmi?

Ne kishim ardhur në Tiranë përpara ’90-ës, nja 3-4 muaj me arsyen se kisha vajzën sëmurë, më dridhej natën. Pluralizmin? Kush ka gojë ta shpjegojë. Gëzim i madh, gjithë fëmijët e mi u lumturuan harruan çfarë iu bë. Ato janë thika përjetë, por për momentin gëzuam se zuzarët, u spostuan për 16 vjet jo pak na krojtën pasuri të tundshme, e të patundshme, na lanë pa shkollë 6 fëmijë, ishte një kohë plot krime,

A jeni e kënaqur me demokracinë?

Shumë e kënaqur. Ku ka komente…të flasësh.

Demokracia i shërbeu integrimit tuaj?

Nuk na ka shërbyer.

Jeni të zhgënjyer nga ana politike?

Shumë.

Liri Lubonja: Kur Shyqi, xhelati, zgjidhej deputet i PD ne Shkoder

Liri Lubonja: Kur Shyqi, xhelati, zgjidhej deputet i PD ne Shkoder
Prej ditësh, në frontin e përplasjeve mazhorancë-opozitë, është shtuar dhe një emër: Shyqyri Çoku, ish-hetuesi i të ndjerit At Zef Pllumi dhe i profesor Sami Repishtit. Ai u dekorua nga Ministria e Mbrojtjes si veteran i kategorisë së parë në kuadër të përvjetorit të Çlirimit, jo nominalisht por në grup, deri sa u zbulua si precedent nga media, e që më pas opozita e shndërroi në kauzë, në funksion të diskretitimin të qeverisë, që sipas saj po nderon xhelatët e diktaturës.

Dhe, pavarsisht versionit të kryeministrit Rama, ku rasti, më shumë se atë e qeverinë tij vinte nën akuzë Berishën si president në vitin 1994, njeriun që sipas tij ua sanksionoi me ligj, si nderimin e si shpërblimin financiar me një pension ekstra, zbulohet një tjetër rast ku po një person me emrin Shyqyri, jo Çoku por Çela, me statusin “xhelat i komunizmit”, jo thjesht është nderuar si adashi i tij Çoku, por madje është bërë dhe deputet. “I PS-së…”, do thoshte dikush. Jo, i PD-së.

Dhe ky fakt, vjen nga një pasazh rrëfyes i Liri Lubonjës në librin e saj memuaristik, “Larg dhe mes njerëzve”.

Komentet më pas janë të tepërta.

“….Një pasdite, Todi dhe unë, me një bidon plastik pesë litërsh, u nisëm për fat, por më kot. Duke menduar se ai mund të na buzëqeshte në Torovicë, lamë rrugën rurale dhe dolëm në asfalt, në nacionalen. As që na kishte shkuar nëpër mend ai caku, kufiri ku duhej të shkonim. Nuk arritëm të hidhnim asnjë hap. Si për dreq, një motor që po udhëtonte me shpejtësi drejt Shkodrës, ndaloi. Në të ishte Shyqi, zv/shefi. Me atë trupin e tij të bëshëm, hapin karakteristik që u jepte posti dhe pesha këtyre individëve, eci drejt nesh.

“Pse keni dalë këtu, a e dini se nuk u lejohet?” foli rëndë, ashtu siç ia kërkonte funksioni që kishte. I thamë se ishte errësirë, se…por atij nuk i duheshin hallet tona, ndaj po me ato tone lëshoi kërcënimin:

“A e dini se për këtë shkelje shkoni në burg?”

Todi, i zemëruar, ia ktheu:

“Nuk më tremb më burgu mua, sepse prej andej po vij”.

Disa çaste heshtje. Shyqi nuk e zgjati. I hipi motorit dhe u nis. Ne u kthyem në kamp me bidon bosh.

Ndoshta këtë episod nuk do ta shkruaja. Do të rradhitej më dhjetëra e dhjetëra të tjerë të të gjithë shefave, inspektorëve, operativëve të Degës së Brendshme me të cilët patëm të bënim ato shtatëmbëdhjetë vjet. Porse me Shyqin ndodhi ndryshe, një gjë e papritur, e habitshme për mua që vazhdoja me atë naivitetin tim të pashërrueshëm. Duke lexuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ndër ata të Shkodrës, lexova: Shyqyri Çela. I zgurdullova sytë, e rilexova.

“Nuk mund të jetë ai”, mendova. Dikush tjetër ka po atë emër, mbiemër. Por jo, ishte ai, Shqyi ynë që u bë deputet i parlamentit demokratik të Shqipërisë.”

Marrë nga: “Larg dhe mes njerëzve”, (fq.284-285).

Fjalimi brilant: Kur Fan Noli jepte doreheqjen

Fjalimi brilant: Kur Fan Noli jepte doreheqjen
Debatet e panjohura në Parlamentin e parë shqiptar, mes Fan Nolit dhe Ahmet Zogut. Nga debati parlamentar, kur Fan Noli jepte dorëheqjen si ministër i Jashtëm, duke mbajtur edhe fjalim brilant, si edhe debatet që pasuan pastaj në Parlament.

**

Është e vërtetë që ndodhesha në Tirane kur u votua ligji i intermimit të fëmijëve të dezertorëve, por nuk isha në Parlament, as mora pjesë në bisedime. Veç kësaj, nga njëra anë, Guverna jonë e zbatoi këtë ligj me një shtojcë, të dekretuar prej kabinetit pasi kisha dhënë dorëheqjen dhe, nga ana tjetër, unë nuk e atakova guvernën aq për interni­min e fëmijëve të dezertorëve se sa për internimet politike pa ndonjëe faj e pa ndonjë bazë në Toskëri, ku s’kishte asnjë shenjë për lëvizje kryengritëse. Ja disa shembuj midis të tjerash: Disa familje nga Bilishti, nga Hoçishti e nga Les­koviku u internuan me gra e me çiliminj e u munduan më kot e pa arsye larg vatrave të tyre për disa muaj. Sa për sigurinë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë dhe veçanërisht në malësi, më vjen keq t’i përsëris ministrit të Punëve të Brendshme që kam shumë dyshime. Shembulli i tregtarit të thëngjillit për të cilin fola më parë është tipik për mungesën e sigurisë nën këtë guvernë. Ky tregtar ka punuar në Gurëz e në Breg të Matit njëzet vjet me radhë, përpara Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës së Përgjithshme, në kohën e operacione­ve të ndryshme, dhe në kohën e të gjithë kabineteve tonë të mëparshëm. Po në kohën e këtij kabineti, pasi e pësoi atë që iu tregova më parë, dmth pasi u plagos prej një vrasësi ku udhëtonte i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë e prej një zyrtari të shtetit, tani ndodhet në kryeqytet e nuk guxon të kthehet në malësi për të shikuar punët e tij.

Ministri i Punëve të Brendshme na bëri dy shaka kur u qa se po e kritikojmë që ç’armatosi popullin e shtypi kry­engritjen. Nuk e atakova se ç’armatosi popullin; por i hoqa vërejtjen mbi faktin që ç’armatosja materiale nuk arrin për të prerë kryengritjet, pa ç’armatosjen morale. Që ta them më të shkoqur, nuk arrin t’i marrësh armët një njeriu e ta bësh mik e të sigurohesh nga pusitë e tij, para se të pajtohesh me të thellësisht. Nuk e atakova guvernën se shtypi kryengritjen, por se nuk e parashikoi, se nuk kishte marrë masa për të mbrojtur kryeqytetin, se mori në qafë me qindra njerëz krejt të pafajshëm e se armiqësoi popullin e Shqipërise së Mesme pa shpresë pajtimi kush e di për sa vjet. Ministrit të Luftës kam për t’i thënë se për veshjen e ushtarëve, nuk jemi të verbër, ne i shohim qysh janë të ve­shur ata ushtarë që ndodhen në kryeqytet, e që e marrim me mend sa më ligsht janë veshur ata që ndodhen në provincë. Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që rroga e oficerit tonë është e vogël e që s’u mbetka tjetër shpërblim përveç grad­imit. Përkundrazi, rrogat e oficerëve tanë janë më të mira se në Itali e më të mira se kudo në Ballkan e në Europën Qendrore…

Sa për çështjen e shqiptarëve të Izmirit, është e vër­tetë që isha ministër i Punëve të Jashtme kur bisedohej kjo çështje, po unë e lashë ndryshe dhe u mbarua fare ndry­she. Ja me pak fjalë historia e kësaj çështjeje: një nga para­ardhësit e mi i kishte kërkuar qeverisë italiane mbrojtjen e qytetarëve shqiptare, atje ku nuk kemi përfaqësues e as konsull dhe, veçanërisht në Izmir. Guverna italiane e pra­noi me gëzim këtë barrë dhe i kërkoi guvernës sonë hollësi mbi pasaportat dhe mbi taksat konsullore. Në një përgjigje të dhënë prej meje, e falenderonim qeverine italiane për këtë lehtësi…

Konflikti u rreptësua dhe kapërceu e marrëveshjes, kur u vendos të shkoja në konferencën e Gjenovës. Unë isha i mendjes që s’duhej bërë asnëe emërim pa pëlqimin tim nga njëra anë, dhe që, nga ana tjetër, duhej të pyetesha për çdo çështje të jashtme me rëndësi, para se të jepej një vendim. Kryeministri, i cili duhej të bëhej zëvëndës i punëve të jashtme ishte i mendjes që mund të bënte çdo veprim dhe emërim në degën e jashtme pa më pyetur fare, sa kohë ndodhesha jashtë Tiranës. Kur i tërhoqa vëretjen që unë do të shtrëngohesha të jepja dorëheqjen, sapo të behej ndonjë emërim apo veprim pa pëlqimin tim, Kryeministri më tha se mund ta jepja dorëheqjen. Duke parë se kolegët e mi, të gjithë pa përjashtim, pëlqenin pikëpamjen e Kryeministrit, e dhashë dorëheqjen time që atë minutë, i gëzuar që s’isha i nevojshëm për plotësimin e kabinetit…

Kur Këshilli i Lartë na e ktheu buxhetin me vërejtjen e arsyeshme se qysh kishte ndër mend guverna na mbulonte deficitin prej më shumë se dhjetë milion franga ar, atëhere e gjeta rastin t’u them kolegëve të mi që Këshilli i Lartë kishte të drejtë të mos aprovonte një buxhet të çale dhe shkela këmbë që buxheti të balancohej duke zbritur të pri­shurat sipas të ardhurave të shtetit. Asnjë nga kolegët e mi s’u bashkua me mendimin tim dhe kryeministri e shtrëngoi Këshillin e Lartë të aprovojë buxhetin me një deficit prej më tepër se dhjetë milion franga ar, pa ndonjë projekt se si do te mbulohej ky defiçit. Shkela këmbë që në krye të thirren me një herë or­ganizatorë të huaj për ministri të ndryshme. Vendimi u dha, por unë vura re që kolegët e mi s’kishin dëshirë dhe as nxi­tim që ky vendim të vihej në veprim. Provën e kini përpara sysh. Guverna jonë s’ka sjellë asnjë organizator veç organi­zatorit austriak të ushtriseë i cili rastisi të ndodhej këtu dhe të cilin guverna jonë s’e ka lënë të bëjë asnjë organizim…

Tani, zoti Kryetar, nemni leje të bëj disa vërejtje mbi aluzionet e bukura dhe të holla të zotit Sejfi Vllamasi për sëmundjen time misterioze e për gishtin e jashtëm si dhe për aluzionin e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili disa ditë më parë na cilësoi zotin Gurakuqi dhe mua si mbrojtës të Mustafa Krujës. Ju pyes ju, kujt u drejtohen insinuata dhe këto aluzione? Atyre që kanë vite e vite që punojnë për çështjen e Shqipërisë? A është nevoja të mbrohemi kundër këtyre insinuatave?

AHMET ZOGU: Davaja e Emzotit është më tepër si mbrojtje për veten e tij për dorëheqjen që ka dhënë, se sa një protestë kundër qeverisë. Sa për çështjen e buxhetit, për të cilën flet zotëria e tij nuk dua të jap përgjigje e këtë pikë ia lë zotit Kryeministër.

KRYEMINISTRI: Me gjithë që fjalët e Emzot Nolit nuk janë të drejta për shka kam edhe dëshmitarë, nuk dua të jap përgjigje. Nuk ishte nobël për zotërinë e tij të jepte dorëheqjen në një kohë aq kritike nëpër rrugë…

EMZOT FAN NOLI: Me sa e dinit ju se është kohë anormale, pse zoti ministër i Brendshëm na siguronte se nuk ka farë frike. Pra, për mua nuk ishte kohë anormale.

AHMET ZOGU: Sa për fjalët që kam thënë se çu­ditem se si zoti Gurakuqi dhe Emzot Fan Noli i dalin zot tradhëtarëve, kjo nuk do me thënë se ata janë tradhëtarë. Dhe i nderoj shumë si atdhetarë të mirë, por me gjithë këtë çuditem. Sa për fjalët që tha Emzoti se ne jemi çirakët e ustallarëve, dua t’i përgjigjem në një mënyre, duke kërkuar prej zotërisë së tij që mos t’i marrë për keq. Zotëria e tij është një orator shumë i mirë, por përdor pak fjalë hovarda, që në gjuhen gjermane dmth spitzbube. Vimë tani në çështjen e Gurzit. Në Gurëz është një pyll shumë i madh, në atë pyll u shti një pushkë dhe u plagos një njeri, siç tha zotëria e tij. Zotëri, ç’mundet të bëjë qeveria pse në pyll shtihet një pushke? Sot një jayë, kur erdhën disa deputetë për t’u ankuar për këtë çështje, qeveria dha urdhra të rrepta për këtë pune.

Bëhen dhjete minuta pushim, pas dhjetë minutash mbledhja mbështillet prapë.

STAVRO VINJAU: Mbi fjalët e zotit ministër të Dre­jtësisë, kemi për të thënë se nuk është e vërtetë ajo që thotë zotëria e tij, se gjykatësit kundërshtuan, të lëshojnë punën e tyre, edhe prandaj ajo ministri u detyrua t’i kërrente prej krahu me policë. E vërteta është se me tërë veprimet e saj, ashtu edhe me këtë vepër, ajo shkeli ligjin….

(Marrë nga libri “Debat parlamentar para një shekulli” me autor Filip Rrumbullakun).

Fjalimi historik: Si u tall Noli para Lidhjes se Kombeve, me lideret e kohes

Fjalimi historik: Si u tall Noli para Lidhjes se Kombeve, me lideret e kohes
Kryetari M. Motta: Para se të kërkoj leje t’i flas Asamblesë, Folësi i fundit Imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë, mar nderin ta përshëndosh si kryeministër dhe kryetar të qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Svicra, është një shtet i vogël, dhe përfitoj nga khjo rasje të shtoj se tërë shtetet anëtarë të Lidhjes së Kombeve janë të njëshmë para ligjit. (Duartrokitje).

Imzot Fan S. Noli (Shqipëria). Duke rishikuar punën që ka mbaruar Lidhja e Kombeve në këto pesë vjetët e jetës së sajë, kam frikë se edhe unë i nxehti paqedashës do t’i ngrehë duart përpjetë në dëshpërim dhe do të thresë: “Më mirë të kemi luftë se sa fjalë të mërzitshme për paqe”. Ç’kemi bërë për paqe? Ç’po bëjmë tani në këtë Asamble? Ajo që është bërë në të pesë vjetët Çlodhet në paqe, në paqe të përjetshme e kyçur në dosjet e vjetra të sekretariatit dhe ruhet me kujdes prej atijë të mirit gentleman, Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë se lidhja ka bërë disa shërbime të vogëla për paqën përgjithësisht, dhe veçanërisht e shpëtoi Shqipërinë prej copëtimit, duke shiguruar kështu paqe dhe urdhër në Ballkan.

Si e dini Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për të thyer dhe m’e rëndë për ta ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi të mbetet atje ku është të njomet lirisht në detin Adriatik. Po thuamëni zoti Sekretar i Përgjithshëm përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua me të cilën të mund të ngrihet në këmbë? Tuntni kokën? Shumë thoni?

Mirë do të zbres me elegancë në shumën e matur prej 200.000.000 frangash. Tundni kokën? Ahere jam gati të hyj në marëveshje për një shumë më të vogël, thuaj 100.000.000 franga. Kërkoj ndjesë. Doni të thuani që nuk më takuat kurrë në jetën tuaj dhe që nuk do të muntni të më huani një dhjetësh? Ahere merrni kërkesën t’ime për një hua dhe verreni në dosjet e vdekura të Sekretariatit dhe kyçeni mirë, po mbyteni sigurisht para se ta varosni në nekropolin t’uaj se munt të ngjallet prej të vdekunëve.

Nofta Sekretari i Përgjithshëm kish në mend të thotë që nuk kish dëshoron të hyjë në marveshje për hua me një guvernë kryengritëse, pa një parlament si atë që kryesohet prek të përunjurit prift. Po e dini se ç’është parlamenti? Pa fjalë e dini. Po do të kuptohet më mirë kur tju yjem, se çmendoj për të. Parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shport që bënë prova operate në trupin e gjallë të racës së vetë. Një sallë plotë me gaz të helmuar.

Gazi mbytës, gazi që sjell lot, qeshje tangoje dhe gjithë gazet e tjerë me të cilët u lëftua luft e fundit që t’u jepte fund tërë luftrave dhe të vendoste paqë, paqen për të cilën bëjmë fjalë.Po, e që shkelni këmbë, jemi gati të bëhmë zgjedhje të ra, dhe ta bthresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë superticje të mallkuar parlamentin pas dy ose tre vjetësh qeverimi atëror.

Do të kini mirësinë atëherë zoti Sekretar i Përgjithshëm, pas tre vjetësh të më jepni huan prej 400 000 000 frangash të cilën m’u zotuat disa minuta më parë? Thuani “jo”? Përse? E dinja. Ahere, mirë, le të flasim për paqe. Më duket se nuk lemi asgjë më të keqe se sa të bëjmë këtë. Thom “Më duket” se dua që të gjithë juve të dini që kam qenë shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet diku në Irrlandë plot me 0′ Connors dhe 0′ connelis dshe fitzgeralds. Të gjithë folës të mirë, folës fort të mirë, të cilët bashkë me Irrlandezë të tjerë prej qytetesh të tjerë të Irrlandës bëjnë të tërë të folurit në fushata elektorale t’Amerikës. Do të dëshironja që sivëllezërit e nderuar të Republikës Irrlandeze të kishin sjellë këtu ca nga këta folës trima të flisnin e të flisnin për vdekje për punën e paqes.Nuk është për të çuditur që Amerikanë, gjermanë dhe Rusë nuk janë të paduruar të hyjnë në Lidaje. Duket që nuk çmojnë fjalët tona. Donë më mirë për bemërin e Perëndisë zoti Kryetar. Pse nuk pushoni këtë të folur dhe të më jipni atë huan prej 500 000 000 frangash që mu zotuat para se të nis të flas.Tani që ju përgjigja në pyetjen e parë “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve në pesë vjetët e fundit?”.

Munt të vij në çështjen e dytë dhe të fundit: Ç’po bëjmë tani në këtë asamble? Përgjigja është fare e lehtë. Do ta gjeni te Shekspeare-i. “Fjalë, fjalë, fjalë” domethënë në inglishten popullore erë të nxehtë. Kjo është gjithë puna. O është një përrallë e thënë prej një idioti plot me bujë dhe tërbim pa kurrfarë kuptimi”.Ç’është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençme e të thella mi çarmatimin dhe traktate arbitrazhi? Çështjet ju referian një komisioni, o co; o ju referoj një nënkomisionit i cili do ta raportojë në komisjon. Dhe ky përfundimet do tja paraqitë ndonjë konference që do të mbahet ndo një herë në të pritmen. Kjo konferencë do tja raportojë këtë çështje përsëri një komisioni.

Ky do ta referojë në nënkomision. Ky përsëri në Komision Dhe ky me radhë e me radhë në Konferencën. Konferenca do ta pasojë me një votë të njëzëshme e cila do ti referohet Këshillës së Lidhjes së kombeve e cila do të shfaqë një lutje të përbashkët në i Madhi Perëndi në qiell.

Pasi të shkojnë çështjet përmes këtij rrotullimi poetik të konferencave dhe kundër-konferencave, të raporteve dhe kundër raporteve dhe këshillave, më në fund do ti referohet Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes i cili do t’i kyçë me kujdes në dosjet e pashpirt të Sekretariatit dhe do t’i mbajë këto për brezat e arthmë.Kështu e tërë puna do të mbarojë si mbarojnë gjithë flluskat prej sapuni. Dhe of! Fjalët e bukura dhe fjalët e gjëmuara dhe stërgjëmuara, të cilat do ti shoqërojnë këto rezoluta dhe ato lutje! I dua, i dua, “Si erën e pellgut dhe si të kërmave të të vdekurve të pambuluar që molepsin erën”.

Për këtë arsye po jap këtë fjalë sot.Nër kohë që po mendojmë për fuska le të më jipet leje të bëj disa vërejtje për mi fuskën më kolosale që prodhoj historinë moderrne: Kuptoj pallatin e Dwes-it. Po është pikërisht një fuskë? Jo është një lidhje fuskash, e mërzitur, e koklavitur, diabolike, dhe infernale. Është më tepër se një fuskë, është një superfuskë. Po nuk duhet të trembeni nga kjo.

Do të mbarojë si dhe fuskat e tjera që ngjallëm këtu. Është fort e koklavitur kjo punë. Mund ti shigurojë ndo një fron nënkryetari auktorit të shënuar po kam frikë se do të sjellë vetëm disa miliardë çpagime për Francën dhe për Belgjikën. Këta të dy shtete shpresojnë të nxierrin me anën e tij disa miliardë dhe miliardë. Unë uroj që të munden t’i marrin, po është një fatalitet. Ajo superfuska e gjeneralit Dawes s’ka veç të referohet Lidhja e Kombeve.

I dashuri im Sekretar i Përgjithshëm, Ju lutem gatuani një vënt të thatë, fort të thatë, në dosjet t’uaj të vdekura se si dini, mr Dawes është Amerikan dhe Amerika është një vend i thatë (pa të pira) qoftë se prej kohe në kohë, me mënyra të nëndheshme, njomet, njomet me të vërtet shumë, vetëm me shaka… .

Me përpjekjet mirëdashëse të çizme sjellësve (kontrabandistëve).Duke folur për fuska përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar 600 000 000 për të cilat kryetari i nderuar i kësaj Asambleje dhe Sekretari i Përgjithshëm i dashur m’u zotuan të më japin për Shqipërinë disa minuta më parë. Tani kjo hua është një fuskë paqeje, një fuskë paqeje fort e shëndoshë. Jo nuk është fuskë aspak. Atë që desha të thosha ish: Do të forcojë paqen në Ballkan. Mund të gatisë udhën për të realizuar Konfederatën Ballkanike, Po nuk ka një dobi të flasim për të.

Zoti Sekretar i Përgjithshëm, merre në dosjet e pashpirt të mekropolit t’uaj.Pasi u përgjigja të dy pyetjeve që më ishin bërë më mbetet tani të nxjerr përfundimin të cilin do ta bisedoj në formën e dy pyetjeve të reja. Pikësëpari, nga çkoqitjet që u dhanë më parë, a e vlen barra qeranë që të kemi një shoqëri të kombeve? E dyta, në rast që e vlen, cila do të jetë methoda për t’i arrirë qëllimit që është paq e përbotshme? Pyetjes së parë do ti përgjigjem: Po. Edhe Shoqëria e Kombeve të jetë një ëndër, një utopi që i bën skeptikët të buzëqeshin dhe të shtrembërojnë buzët, kjo (Shoqëria e Kombeve) duhet të qëndrojë atje si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Kjo duhet të qëndrojë atje si një vërtetim solemn i dëshirës së përbotshme për paqe. Kjo duhet të qëndrojë atje gjer sa bukuria e sajë, fisnikëria e sajë, shpirita njerëzore e sajë, nevoja e domosdoshme e qënies së sajë të kuptohen nga gjithë bota. Pse fundi i fundit me gjithë mungesat që ka sot për sot, kjo meriton të pritet me këto fjalë.

“Verreite Doch. Du bist so choen!” Oh! Qëndro, ti je kaq e bukur!Pse të jemi kaq pesimistë? Aspirata për paqe, janë kudo, kjo është e padyshimshme, ndryshe nuk do të kishim komedin e fuskave dhe superfuskave të paqes që na kanë mbuluar. Kjo vjen nga shkaku që popujt dëshirojnë paqen. Që burrat e shtetit, politikanët e servirin kohë pas kohe, fuska arbitrazhi, fuska çarmatimi, fuska sigurimi dhe superfuska shpërblimi.

“Po paqia nuk do të vijë prej traktateve, këto janë të destinuara të hidhen shpejt a von në shportë. Paia do vijë nga shkollat. Duhet t’u mësojmë fëmijve që vrasja toptan është po ashtu një gjë kriminale sa edhe vrasja e veçantë.

Duhet t’u mësojmë se perënditë t’ona të bajrakeve janë burimi i gjithë të këqijave, të cilat shekuj me radhë po e mundojnë njerëzinë. Duhet tu mësojmë se ka veç një perëndi të vërtetë, që duhet ti shërbejmë. Perëndia e njerëzisë, Perëndia e të gjitha tribuve.

Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të nderçmë të super-shtetit që duhet të përmbledhë të gjitha tributë. Të bëhen qytetarë fisnikë të federatës së përbotshme e cila është në realizim e sipër, e cila do të realizohet me doemos. Kur djemtë tanë do të kenë mësuar këto të vërteta, atëhere do të kemi vetëm çarmatosjen morale e cila duhet të bëhet më parë nga çarmatosja matëriale, po do të kemi bashkëpunimin e vërtetë e të gjithë fiseve të botës për paqen, përparimin dhe mbarë vajtjen ndërkombëtare, të cilat s’janë tjetër veç sende që vijnë rrotull subjektit.

“Po para se të vijnë atje, le ta njohim një herë se jemi që të gjithë bajrak të egër sa kohë që i bëjmë kurbane njerëzish Moloh-ut të tribusë. Oh! I vritni, i varni. Ndiqini në të katër anët e botës këto perëndira barbare dhe anthropofage që kanë mbushur historinë e njerëzisë me kaq vuaje, me kaq urrejtje, me kaq rrënime, me kaq tmerr, me kaq gjak me kaq frikë. Ah! Do ti kapim gjakatëratë e vjetër!

Vështroni sytë e njerëzisë që vuan pas rrënimeve të luftës së përbotshme. S’ka dhimbje mbi dhimbjen e sajë, asnjë theori nuk do të ishte tepër e madhe për të shpëtuar djemtë tanë nga luftra të reja dhe lot të reja.”Përpara o shokët e mij, bota është gati për ungjillin e ri. Flamuri i Shoqërisë së Kombeve është më fisniku që është ngritur gjer më sot! Ushtarët e sajë janë më trimat që ka nxjerrë bota gjer tani. Qëllimi i sajë është maja e përparimit të njerëzisë. Shpirti i Willsonit, ati dhe profeti i sajë na udhëhiq. Mundimet janë të mëdha, po shtrini kurajën t’uaj gjer në pikën e fundit dhe nuk do të venë mundimet kot”.



Gjeneve 1924

Zbardhet e verteta Turqit kane kokat e grekeve te Izmirit jo te shqiptareve

 Nga Arben Llalla


'Zbardhet' e verteta: Turqit kane kokat e grekeve te Izmirit, jo te shqiptareve

Kjo foto u botua me shumë bujë në mediat shqiptare se: “Ushtarët otomanë pozojnë me kokat e prera të shqiptarëve”. Më vjen keq që është e disata herë që mediat shqiptare bien në kurthin e keqinterpretimeve dashakeqëse të fotografive të vjetra.

Pas shumë kërkimesh mësova të vërtetën e kësaj foto se janë turqit me kokat e grekëve të Izmirit 1922. Fotografia kjo sipas autorit grek Haris Tsirkinidhis, në librin e tij “Eho Oplo Tin Aghoni”(Kam Trekëmbëshin Armë). Fotografia është bërë në nëntor 1922 nga gazetari francez Rene Pyo. Poshtë në greqishtë shkruan qartë se bëhet fjalë për kokat e grekëve të Izmirit dhe jo për koka shqiptarësh.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...