Agjencioni floripress.blogspot.com

2017/06/05

Me Hashim Thaçin dhe Bujar Nishanin, dy bisedat më të vështira që kam pasur ndonjëherë

Vuçiq: Me Thaçin dhe Nishanin, dy bisedat më të vështira që kam pasur ndonjëherë
Pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, atë të Shqipërisë Bujar Nishani dhe Gjorgje Ivanov të Maqedonisë, tashmë presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë që kishte realizuar dy nga bisedat më të vështira që kishte pasur ndonjëherë.


“Diskutimi ishte i vështirë. Mendoj që kemi treguar qartë se cila është e vërteta në lidhje me sjelljen e njerëzve nga Prishtina, nën përkrahjen e madhe të Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Tutje ai ka thënë se janë paraqitur dallime të mëdha, se problemi duhet të zgjidhet me dialog.

Ndërsa për dialogun me Prishtinën, Vuçiq ka thënë që Beogradi ka përmbushur detyrimet e veta.

“Ne kemi përmbushur gjithçka nga marrëveshjet e Brukselit, ndërsa ata nuk kanë bërë asgjë për Asociacionin e Komunave serbe për katër vjet”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq, Thaçi, Ivanov dhe Nishani u takuan në kuadër të samitit të Brdo-Brionit, i cili u mbajt në Slloveni.

Gjermania garantuese e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian

Thaçi: Gjermania garantuese e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Samitin Brdo-Brione të vendeve të Ballkanit, gjat një takimi me presidentin gjerman ka vlerësuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.


Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka komentuar takimin e tij me presidentin gjerman, duke thënë se “Gjermania mbështeti popullin e Kosovës në të gjitha periudhat”.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Gjermania mbështeti popullin e Kosovës në të gjitha periudhat. Sot, ajo është garantuese e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, biseduam se si ky proces mund të pëshpejtohet, meqë vonesa e BE-së për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovën, është kërcënim për sigurinë. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Rikthimi i BE-së në Ballkanin perëndimor


Ngjarjet që kanë ndodhur në vendet e Ballkanit perëndimor që nga fillimi i këtij viti, kanë bërë që Bashkimi Evropian, në muajt e fundit, ta kthejë vëmendjen në këtë rajon, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare.


Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se takimi i së mërkurës i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, me kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, është një nga sinjalet se Bashkimi Evropian po e kthen vëmendjen kah Ballkani perëndimor.

Sipas tij, në kohën e trazirave të mëdha për shkak të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Bashkimi Evropian orientimin e tij strategjik do të duhej ta ketë kah Ballkani perëndimor, vendet e të cilit po e kalojnë një periudhë shumë të trazuar politike.

Ndërkaq, Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë se jo vetëm takimi i Federica Mogherinit me liderët e Ballkanit perëndimorë shënon një kthim të vëmendjes së BE-së drejt rajonit. Sipas tij, muajt e fundit është diskutuar në shumë qarqe diplomatike, si dhe në debatet brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për nevojën kthimit të vëmendjes në Ballkanin perëndimor.

“Ballkani perëndimor, në njëfarë forme, është bërë si urë lidhëse, qoftë për kalimin e migrantëve, qoftë për kalimin e grupeve të ndryshme që emërtohen si grupe terroriste. Pastaj është edhe influenca jo pak e vogël ruse në disa prej vendeve të Ballkanit perëndimor. Kështu që, të gjitha këto, janë rrethana që mendoj se BE-në përfundimisht e kanë bërë të mendojë ndryshe në raport me Ballkanin perëndimor dhe që ta ngrejë pak vëmendjen në raport me këto vende”, thotë ai.

Ujkani ka shtuar se retorika është ajo që i paraprin gjendjes konflikuoze ose konflikteve të mundshme, ndërkaq që muajt e fundit në Ballkanin perëndimor, një retorikë e tillë është parë si e shtuar. Sipas tij, një qëndrim tendencioz është parë në Beograd ndaj Kosovës dhe, siç thotë ai, në mënyrë të heshtur edhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ka pasur përkeqësim raportesh ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Pastaj, ngjarjet në Mal të Zi, deklaratat e lidershipit në Shqipëri dhe situata jo stabile në Maqedoni, janë shkëndija që i paraprijnë një situate të re konfliktuoze.

Mendim të ngjashëm ka edhe Qorolli, i cili thekson se të gjitha këto sinjale kanë ndezur alarmin në Bashkimin Evropian për Ballkanin perëndimor.


“Sigurisht që alarmet janë ndezur. Tashmë kur retorikat nacionaliste po rriten gjithandej në BE, shtetet e Ballkanit perëndimor kërkojnë një vëmendje më të thellë të Bashkimit Evropian, për t’i trasuar reformat, të cilat ato duhet t’i ndërmarrin”, thotë ai, duke shtuar se Bashkimi Evropian është duke u përpjekur që ta kuptojë drejtë situatën në Ballkanin perëndimor. “Tash, natyrisht që BE-ja, pas zgjedhjeve në Francë, është në një pozicion më të favorshëm dhe do të jetë, besoj, në një pozitë edhe më të mirë pas zgjedhjeve në Gjermani, në shtatorin e këtij viti, që t’i japë një shtytje më të madhe proceseve integruese në Ballkanin perëndimor, gjë që nuk është e thënë që integrimi të ndodhë me automatizëm. Por, në fakt, këto vende do ta shohin që vërtetë një proces i tillë mund të ndodhë dhe do të ndodhë”.

Njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane, kanë shprehur mendimin se elitat politike në Ballkanin perëndimor duhet të fillojnë të mendojnë, siç thonë ata, në mënyrë evropiane, që nënkupton zero tolerancë ndaj korrupsionit, si dhe gjyqësi të pavarur dhe të depolitizuar.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier,kërkon mbështetje të BE-së për Ballkanin


Presidenti gjerman kërkon mbështetje të BE-së për Ballkanin

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka kërkuar që Evropa të mbetet e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, megjithë problmet e shumta që e prekin këtë rajon.


Mëtutje zoti Steinmeier, mbrëmë në fund të takimit në Brione të Sllovenisë, tha se “ajo që ndodhë në këtë rajon dhe po ashtu ajo që nuk ndodhë, do të na shqetësojë ne dhe do të ketë ndikim në ne”.

Ky takim i liderëve të vendeve të Ballkanit, që sponzorizohet nga Bashkimi Evropian, synon gjetjen e mënyrave për rritjen e bashkëpunimit në rajon.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, është kërkuar integrim i mëtejshëm në BE, forcim i dialogut dhe përmbajtje nga “retorika nacionaliste dhe provokuese”.

Në samit morën pjesë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

“Paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në rajon, duhet të jetë lartë në agjendën tonë”, ka thënë presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Derisa Brukseli ka propozuar anëtarësim të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian në të ardhmen, Rusia e ka kundërshtuar një lëvizje të tillë dhe ka bërë përpjekje për ta rritur ndikimin e saj në rajon.

Presidenti amerikan zt.Donald Trump nuk e ka ndryshuar politikën e SHBA në Ballkan


Ndërsa shumë prisnin që politika e jashtme e ShBA-së të përmbysej nën drejtimin e  Donald Trump, mospërfshirja e tij në çështjet ndërkombëtare, me disa përjashtime, duket se nënkupton vazhdimësi të rolit të kahershëm të ShBA-së në Ballkan.
Donald Trump nuk e ka ndryshuar politikën e SHBA në Ballkan

Që nga zgjedhja e presidentit amerikan Donald Trump, politika e jashtme e vendit ka qenë e çrregullt. Me deklaratat e tij të çoroditura, sjelljen shpërfillëse ndaj NATO-s dhe aleatëve të tjerë tradicionalë, përçmimin haptazi të BE-së dhe preferencës për autokratë, niveli i pasigurisë gjeopolitike ka qenë më i larti në këto dekada presidentësh amerikanë.
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka bërë ende emërime të rëndësishme, përfshirë Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, një post të cilin e mbajti Victoria Nuland gjatë Administratës Obama.

Në këtë mungesë të politikës së qartë në Ballkan nga administrata Trump kanë fituar më shumë peshë deklaratat kontraverse të kongresmenëve, siç është një kërkesë e Dana Rohrabacher nga Dhoma e Përfaqësuesve që nuk e konsideronte Maqedoninë shtet apo Rand Paul në Senat që kundërshton anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Së fundmi, janë shkruar dy letra nga kongresmenët konservatorë të cilët dyshojnë se ndihma e ShBA-së po përdoret nga projektet e rrjetit të Shoqërisë së Hapur.

Maqedonia ngriti pyetjen e rëndësishme nëse këto deklarata reflektonin politikat aktuale të administratës apo kanë qenë produkt i lobimit.

Disa artikuj gjithashtu u publikuan nga njerëzit që e konsiderojnë veten ekspertë të Ballkanit, që argumentuan për një rishqyrtim të kufijve, si Timothy Less për Foreign Affairs dhe John Schindler që shkroi për gazetën e vjetër të Jared Kushner, The Observer.

Javët e fundit duket se i kanë larguar këto shqetësime.

Në fillim, Senati mbështeti anëtarësimin e Malit të Zi në NATO me 97 me 2 vota, një shumicë dërrmuese dhe e qartë, pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme të Rusisë për të penguar procesin.


Menjëherë më pas, Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Yee vizitoi Ballkanin dhe bëri progres të shpejtë.

Vizita e tij ishte thelbësore në “bindjen” e presidentit maqedonas Ivanov t’i jepte liderit të opozitës dhe përfaqësuesit të shumicës në Parlament një mandat për formimin e Qeverisë së re pas muajsh ngërçi.

Për më tepër, ai ndihmoi në arritjen e një marrëveshje në Shqipëri ku PD e opozitës kishte kërcënuar me bojkot zgjedhor.

Pavarësisht se me një president që nuk i ka të qarta angazhimet ndaj NATO-s, Aleancës Euro-Atlantike edhe pas vizitës së tij në Bruksel, ShBA-ja ka qenë më efektive se BE-ja.

Pavarësisht një serish vizitash të nivelit të lartë në Maqedoni, përfshirë Donald Tusk, Federica Mogherinin dhe Johannes Hahn, asnjë prej këtyre përpjekjeve nuk rezultuan në zgjidhje të krizës dhe presidenti Ivanov madje refuzoi ta takonte komisionerin Hahn.

Pra, e ka rifituar SHBA-ja drejtimin e saj?

Sukseset e fundit sugjerojnë se politika amerikane në Ballkan do të vazhdojë ashtu siç ka qenë nën administratën e Obamës, e përshkruar gjerësisht si “udhëheqje nga mbrapa”, që nënkupton mbështetje në politikën e BE-së në rajon dhe parandalim i krizave dhe mbështetje në përpjekjet për reforma.

Shpresa e disave në rajon që administrata Trump të ndryshonte politikën nuk ishte kurrë më shumë se një ëndërr.

Trump qartazi nuk është i interesuar për politikën e jashtme dhe në rastet që është ato janë çështje të mëdha me rëndësi të drejtpërdrejtë për SHBA-në.

Mosinteresimi mbështet status quo-në dhe punën e profesionistëve. Caktimi i personave të munguar në Departamentin e Shtetit dhe Sekretarit të Shtetit, si dhe i diplomatëve profesionistë nuk ka gjasa të çojë në një ndryshim strategjik të politikës në Ballkan.

Roli i Rusisë në rajon si një fuqi që mbështet erozionin e integrimit euroatlantik në rajon ka qenë thelbësor në nxitjen e angazhimit të fundit të SHBA-së.

Ndërsa presidenti ka një rol të paqartë me Rusinë, për ta thënë sa më butë, Kongresi dhe Departamenti i Shtetit i kanë parë qartazi ndërhyrjet ruse si kërcënime.

Në veçanti përfshirja ruse në Malin e Zi, aq e paqartë sa është, ka tërhequr vëmendjen e ShBA-së, ashtu si mbështetja e Rusisë për qeverinë maqedonase në largim të Nikola Gruevskit.

Sigurisht, status quo-ja gjithashtu nuk nënkupton që administrata e ShBA-së do të gjejë energjinë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të regjimeve gjysmë-autokratike të Ballkanit dhe ngritjen në pushtet të të fortëve.

Administratës aktuale i mungon interesi dhe durimi për të ndjekur ndonjë politikë të re, por duket se e ka të pamundur të braktisë politikën e mëparshme.

Gjithashtu, gatishmëria për të qenë më e ashpër sesa homologët e saj europianë dhe për të përdorur forcën aty ku BE-ja e ka të kufizuar, siç për shembull me Milorad Dodik, mund të jetë një ndihmë.

Kryesisht, efekti i ndërmjetësimit dhe presionit të ShBA-së në Shqipëri dhe Maqedoni zbulon dobësinë e BE-së.

Duke marrë parasysh rolin e rëndësishëm të BE-së në rajon, vizitat e nivelit të lartë në Shqipëri dhe Maqedoni, duhet të kishin qenë nga BE-ja dhe jo nga një diplomat profesional, që vinte nga Amerika e largët për të zgjidhur krizën.

Ndërsa është e lehtë të tallesh me Trump dhe ShBA-në dhe të pozicionohesh në aspektin e kritikës morale, veçanërisht pas zgjedhjeve presidenciale franceze, mekanizmat komandues të BE-së kanë arritur një pikë të ulët në Ballkanin Perëndimor.

Kështu, mësimi i vërtetë i politikës amerikane të kohëve të fundit në Ballkan i shkon BE-së: Si të rifitosh rëndësinë dhe të bësh arritjet e fundit të qëndrueshme?

Pa një përtëritje të perspektivës së BE-së, qeveria e re e Maqedonisë do të ketë të vështirë të vazhdojë rrugën dhe pa përfshirje të mëtejshme të BE-së në Shqipëri, marrëveshja do të shpërbëhet herët a vonë.

Rivënia në lëvizje e reformave dhe lëvizja drejt një dinamike pozitive do të kërkojë një angazhim të përtërirë të ShBA-së dhe BE-së, si dhe një koordinim më të madh mes dy superfuqive, pavarësisht presidentit  Donald Trump.

“The Guardian” zbulon planet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit


“Agjentët dhe diplomatët rusë janë përpjekur prej gati një dekade të përhapin propagandën e Moskës e të shkaktojnë destabilizim në Ballkan, e sidomos në Maqedoni”, shkruan “The Guardian”, duke cituar për këtë pohim të sajin, dokumente sekrete të shërbimit rus të inteligjencës, të cilat kanë rënë në duart e gazetës prestigjioze.


Dokumentet u zbuluan fillimisht nga Organizata Botërore për Raportimin e Korrupsionit (OCCRP), që e ka ndarë më pas informacionin me “The Guardian”.

Gazeta shkuan se këto dosje dokumentojnë faktin që shërbimi sekret rus, në bashkëpunim me serbët, ka punuar në mënyrë aktive për destabilizimin e rajonit.
“The Guardian” zbulon planet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit (Video)

Fokusi shumëvjeçar i tyre ka qenë në mënyrë të veçantë Shkupi, ku sipas transkripteve të botuara nga e përditshmja britanike, prej vitesh po punohet me metoda të ulëta që të krijohet konflikt etnik dhe politik, me qëllimin të vonohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Dokumentet tregojnë se Moska i ka shtuar tentativat për ndikim në shtetet e ish-Jugosllavisë. Qëllimi kryesor i Kremlinit është të ndalohet bashkimi i këtyre vendeve me aleancën atlantiko-veriore dhe të mbahen sa më larg ndikimit të Perëndimit.

Aty tregohen edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët prorusë dhe antiperëndimorë në Maqedoni. Operacionet për rritjen e ndikimit rus nisën në vitin 2008, kur Greqia bllokoi përpjekjet e Shkupit për anëtarësim në NATO, pas mosmarrëveshjeve të emrit.

“Kremlini, – thuhet në njërin prej dokumenteve të zbuluara nga shërbimet maqedonase të inteligjencës, – synon të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me shtetet e Ballkanit dhe kërkon po kështu ta kthejë Maqedoninë në varësinë e tij”.




Dosjet tregojnë edhe sesi funksionon rrjeti i agjenturës. Tri agjentë të shërbimit të jashtëm sekret rus “SVR” janë të vendosur në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni i këtij shërbimi në Beograd. Ambasada e Rusisë në Maqedoni ka në radhët e saj 4 agjentë të “GRU”-së, agjencia ushtarake ruse e inteligjencës. Veprimet e tyre koordinohen nga baza e “GRU”-së në Sofje.(TCH)

“Huffington Post”: Është momenti për angazhimin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

“Huffington Post”: Është momenti për angazhimin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor
\
Shtetet e Bashkuara kanë ndikim të jashtëzakonshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor (Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë). Angazhimi rrit stabilitetin, si dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik, shkruan “Huffington Post”.


Angazhimi gjithashtu përparon qëllimet e sigurisë së SHBA-së, duke vepruar si një parakalim kundër islamikëve që kërkojnë të radikalizojnë muslimanët dhe t’i rekrutojnë ata që të bashkohen me ISIS-in.

Maqedonia, me diversitetin e saj etnik dhe fetar, është veçanërisht e paqëndrueshme.

Dhuna shpërtheu më 27 prill, pas gati dy vjet të krizës së brendshme politike.

Ultranacionalistët me partinë qeverisëse të Maqedonisë, VMRO, sulmuan parlamentin duke përgjakur Zoran Zaev-in, figurën kryesore të opozitës dhe Ziadin Selën, një politikan etnik shqiptar.

Incidenti rrezikoi një spirale të dhunës vdekjeprurëse që mund të përfshinte vendin dhe të prekte fragmentimin e saj, përcjell “Zeri.info” shkrimin e shkruan “Huffington Post”.

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, u përpoq të ndërmjetësonte gjatë krizës. Por, kur nevojitej hapi vendimtar, diplomacia e SHBA-së ishte kritike.


Administrata Trump ende nuk ka emëruar zyrtarë të lartë për çështjet evropiane në Departamentin e Shtetit. Megjithatë, ambasadori i SHBA në Maqedoni, Jess Baily dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee, bënë punën e shërbëtorëve, duke farkëtuar një marrëveshje midis politikanëve maqedonas për një tranzicion paqësor të pushtetit. Baily dhe Yee meritojnë lavdërime për shërbim të shquar.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në Shqipëri. Partia Demokratike (PD) kërcënoi të bojkotojë zgjedhjet më 18 qershor, duke cituar korrupsionin dhe shitjen e drogës nga qeveria aktuale.

Diplomacia amerikane ndihmoi ndërmjetësimin e një premtimi nga PD-ja për të marrë pjesë në zgjedhje në këmbim të një marrëveshjeje pas zgjedhjeve për ndarjen e pushtetit midis PD-së dhe Partisë Socialiste në pushtet. Një bojkot do të kishte qenë katastrofike për Shqipërinë, duke ngritur mosfunksionim politik dhe një qasje zero të shumës ndaj qeverisjes.

Kosova është gjithashtu një pirun kritik në rrugë. Tre blloqe të mëdha po garojnë për ulëse në parlament në zgjedhjet kombëtare më 11 qershor.

Është shumë e vështirë që ndonjë bllok të fitojë vende të mjaftueshme në parlament për të formuar qeverinë.

Angazhimi i SHBA-së do të jetë jetik për t’i ndihmuar kosovarët të bashkohen dhe të formojnë një qeveri koalicioni. Pavarësisht rritjes së islamizmit në Kosovë, asnjë komb nuk është më proamerikan.

SHBA-ja udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke parandaluar gjenocidin. Ajo udhëhoqi njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ndikimi i Uashingtonit është i pashembullt.

Administrata e Trump nuk duhet të injorojë rajonin, duke lejuar që zhvillimet të ecin në rrugën e tyre. Qeveria e qëndrueshme, transparente dhe demokratike është thelbësore për Kosovën që të fitojë njohje më të madhe globale.

Administrata Obama la pas dore Ballkanin Perëndimor. Mosangazhimi krijoi një hendek të mbushur me forca të neveritshme – ndërhyrja e Serbisë, militarizmi i Rusisë dhe islamizmi i Turqisë. Qindra kosovarë shkuan në Siri dhe luftuan me ISIS-in. Myslimanët maqedonas u rekrutuan nga Shteti Islamik. Islami në Shqipëri u bë një problem.

SHBA ka nevojë për një strategji koherente për Ballkanin Perëndimor, që synon nxitjen e moderimit dhe minimin e apelit të islamit radikal. Strategjia duhet të bazohet në forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Mekanizmat e llogaridhënies janë të nevojshme për të goditur kriminalitetin, korrupsionin dhe nepotizmin.

Vendet në Ballkanin Perëndimor aspirojnë për integrim më të madh në institucionet euroatlantike. Për këtë qëllim, administrata Trump duhet të punojë me aleatët evropianë në përshpejtimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, liberalizimin e vizave për Kosovarët dhe forcimin e bashkëpunimit të sigurisë me Shqipërinë, përcjell “Zeri.info”.

Samiti i fundit i NATO-s dhe takimet e G-7 nuk nxitën besimin. Administrata Trump me sa duket nuk vendos shumë aksione në bashkëpunimin transatlantik. Sidoqoftë, në Ballkan, integrimi në institucionet euroatlantike është kritike për reformën dhe stabilitetin.

Diplomatët amerikanë bënë një punë të shquar duke shmangur disavantazhet në Maqedoni dhe Shqipëri. Por tymi dhe pasqyrat shkojnë vetëm aq larg.

Administrata e Trumpit ka nevojë për një politikë drejt Ballkanit Perëndimor.

Uashingtoni duhet të përballet me kundërshtarët, të zhvillojë një narrativë alternative që anulon apelin e ISIS dhe të mbështesë qeveritë pro-perëndimore në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

Natyrisht, asnjë politikë nuk funksionon pa personelin për ta menaxhuar atë.

Vendet në Ballkanin Perëndimor duan angazhimin e SHBA-së. Nëse Uashingtoni i neglizhon, radikalizimi do të rezultojë. Dhuna dhe fragmentimi mund të ndodhin.

David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia.

Ai shërbeu si këshilltar i lartë dhe ekspert i politikës së jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave të presidentëve Clinton, Bush dhe Obama. Ai është autor i librit “Çlirimi i Kosovës”: Diplomacia Shtrënguese dhe Ndërhyrja e SHBA-së.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...