2017-07-24

Kosova “e vetmuar” në luftën rajonale kundër terrorizmit


Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe mungesa e marrëdhënieve diplomatike me këto dy vende të rajonit, është pengesë kryesore për shkëmbim informatash dhe angazhimin më substancial të vendit në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në kontekstin rajonal.

“Me Serbinë dhe Bosnjën ka deficit pothuajse total të këmbimit të çfarëdo informacioni. Ndërkohë që me vendet tjera të rajonit ne kemi bashkëpunim të mirë, përgjithësisht. Diku më mirë e diku jo edhe aq kënaqshëm. Me Shqipërinë kemi bashkëpunim të ngushtë, ndërkohë që me vendet tjera, ende ka shumë punë për tu bërë”.

“Ka bashkëpunim me Malin e Zi, por me Maqedoninë ndonjëherë është pak sa më i ndërlikuar bashkëpunimi. Sido që të jetë, Kosova është shumë e hapur për bashkëpunim në këtë fushë. Natyrisht, për bashkëpunim në kanale strikte zyrtare dhe serioze”, ka theksuar ministri Hyseni.

Muajin e kaluar, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in, agjenci kjo e specializuar e Bashkimit Evropian për menaxhim të kufijve dhe luftimin e të gjitha krimeve tej kufitare, përfshirë edhe ekstremizmin.

Megjithatë, mospranimi i Kosovës, si shtet i pavarur, nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e ka lënë vendin jashtë organizmave ndërkombëtarë të sigurisë, sikurse Interpoli.

Ministri Hyseni, ka theksuar se mungesa e shkëmbimit të informatave me organizmat e tillë dhe me iniciativat rajonale të sigurisë, e hendikepon Kosovën në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Autoritetet serbe, me hyrjen në procesin e dialogut në Bruksel, kanë marrë mbi vete obligimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por, pavarësisht këtij fakti, kur bëhet fjalë për nisma të ndryshme rajonale, të cilat mund ta ndërlidhin edhe Kosovën, autoritetet serbe e kundërshtojnë ashpër një gjë të tillë.

Milovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, e ka quajtur vlerësimin e Departamentit Amerikan të Shtetit si një politizim të njëanshëm.

“Politikanët në Kosovë shumë shpesh janë të pranishëm në iniciativat dhe organizimet e ndryshme rajonale . Nuk e shoh arsyetimin e paaftësisë së tyre që të punojnë në mënyrë më aktive për pengimin e zgjerimit të islamit radikal dhe ekstremizmit. Mekanizmi ekziston, por nëse dikush dëshiron ta politizojë luftën kundër terrorizmit, ashtu sikurse po sugjerohet tash me faktin se ata nuk janë të njohur si shtet dhe që Serbia nuk do që t’i pranojë, atëherë ky më nuk është problem i yni”, ka theksuar Drecun.

Në anën tjetër, në Bosnjë e Hercegovinë, ka vlerësime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin rajonal kundër terrorizmit dhe pengesat që ka Kosova për tu ndërlidhur ne një bashkëpunim të tillë.

Shemsudin Mehmedoviq, anëtar i Komisionit për mbrojtje dhe siguri i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që është i vetëdijshëm që për shkak të rregullimit të brendshëm, Bosnjë e Hercegovina e pason politikën e Serbisë lidhur me pranimin e Kosovës. Por, sipas tij, kjo nuk duhet të nënkuptojë që duhet mbetu në situatën që të mos pranohen në formë të ndërsjellë, dokumentet themelore.

“Pengimi i lëvizjes së njerëzve është pengim edhe i luftës kundër terrorizmit, e të mos flasim për probleme ekonomike. Ata që merren me veprime të paligjshme, ata gjithmonë kanë qenë një hap para ligjit dhe atyre që e zbatojnë ligjin”, tha Mehmedoviq.

Por, Dushanka Majkiq nga klubi parlamentar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur në Kuvendin e Bosnjë e Hercegovinës, nuk e sheh këtë situatë si problematike.

“Se a e ndikon kjo në rrezikun ndaj sigurisë apo luftën kundër terrorizmit, agjencitë ndërkombëtare nuk e kanë thënë këtë në mënyrë eksplicite”, theksoi Majkiq.

Pengesa politike

Skender Perteshi, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pengesat më të mëdha ndaj Kosovës për tu bërë pjesë e iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare në luftë kundër terrorizmit, vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat nuk e kane njohur pavarësinë e vendit.

Pengesat e tilla, ai i vlerëson si politike.

Goran Bogdanoviq, ish ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Këshillit për Kosovën në mandatin e kaluar parlamentar, i ka thënë Radios evropa e Lirë se koha ka treguar se qasja e Serbisë është e gabuar.

“Kam frikë se ende nuk ka një vullnet politik që problemet e tilla të trajtohen në mënyrë adekuate. Po ju përkujtoj që partitë politike po luftojnë me retorikë për Bashkimin Evropian dhe për bashkëpunim, ndërkaq në anën tjetër, bëjnë gjithçka që është e mundur që një gjë e tillë të mos ndodhë. Nuk mjafton të thuhet ‘ Ne do të luftojmë kundër terrorizmit dhe do t’i ndihmojmë vendet e rajonit’ e në anën tjetër të bllokojnë çfarëdo procesi që qon në atë drejtim”, ka thënë Bogdanoviq.

Izabela Kisiq nga Këshilli i Helsinkut për të drejta të njeriut, vlerëson që nuk ka njohuri për ndonjë bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në drejtim të luftës kundër terrorizmit, në të cilën është i nevojshëm shkëmbi i in formacioneve.

“Serbia është ajo që po e pengon Kosovën të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së, të cilat kanë rol, të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Me bllokimin e Kosovës, ne absolutisht nuk mund të kemi sukses në aktivitetet kundër terrorizmit, gjegjësisht në parandalimin e terrorizmit e para së gjithash parandalimin e shkuarjes së njerëzve në vend-luftime”, theksoi Kisiq.

Denis Haxhoviq, drejtor i Qendrës për studime të sigurisë thotë se Bosnjë e Hercegovina, për shkak të mosmarrëveshjeve politike përbrenda, nuk ka ndonjë bashkëpunim institucional me Kosovën. Kjo sipas tij e vështirëson luftën kundër terrorizmit, i cili është kërcënim global.

“Përfaqësuesit e grupeve të krimit të organizuar dhe ekstremistëve nuk kanë problem që të bashkëpunojnë dhe t’i mbajnë marrëdhëniet e tyre, si dhe të përgatisin aktivitetet e tyre kundër qytetarëve të rajonit. Kjo lidhje, Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë është një gjë mjaft e rëndësishme nga aspekti i bashkëpunimit dhe grumbullimit të të dhënave informative dhe të sigurisë në luftë kundër terrorizmit, por edhe formave tjera të krimit të organizuar”.

“Mungesa e përfaqësuesve të Kosovës në takimet zyrtare ku diskutohet për politikat dhe planet që ndërlidhen me luftën kundër terrorizmit, gjithsesi që e shkaktojnë mangësinë në bashkëpunimin rajonal. Kjo paraqet problem”, tha Hoxhoviq.

Që nga viti 2012 rreth 300 shqiptarë të Kosovës i janë bashkuar organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri dhe Irak. Aktualisht vlerësohet se në konfliktet e huaja po marrin pjesë 70 shqiptarë nga Kosova, ndërkaq rreth 50 janë vrarë

Ballkani, midis mirazheve të ardhshëm dhe fantazmave të kaluara

Ballkani, midis mirazheve të ardhshëm dhe fantazmave të kaluara
Intervistë me Inoslav Beshker

Marrëveshja e Dejtonit e 1995 ia arriti në qëllimin e paracaktuar: të mbyllë plagët e përgjakshme e shkaktuara nga përleshjet vëllavrasëse në vitet e mëparshme dhe të paqëtojë territorin boshnjak, skenar spastrimesh etnikë dhe krimesh të tmerrshme të kryera ndaj popullsive që banon aty. Më shumë se 20 vjet nga përfundimi i luftërave në Jugosllavi, që i sanksionuan shkatërrimin e plotë, republikat ballkanike e shpallura të pavarura nuk kanë arritur asnjëherë që të integrohen plotësisht në realitetin europian, fajtorë edhe efektet e krizës ekonomike që ende sot po e pengojnë Kroacinë, Serbinë dhje Slloveninë që të avancojnë më ritëm të plotë në rrugën e mirëqenies sociale. Pikëpyetjet janë ende të shumta, po të kihen parasyqsh siguritë e pakta mbi të cilat mund të mbështeten këto vende të reja. Kroacia, Sllovenia dhe, para pak kohësh, Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, në kundërshtim nga Serbia e Aleksandër Vuçiçit, akoma e bindur në ndërmarrjen e rrugës së integrimit të plotë europian boll duke mos hequr dorë nga ruajtja e e pandryshuar e lidhjeve të qëndrueshme ekonomike, politike, strategjike e kulturore të mbajtura gjithmonë me Rusinë. Bosnje Hercegovina (komuniteti mysliman i së cilës rezulton që të jetë ende një fidanishte e rëndësishme e foreign fighters për Shtetin Islamik) vazhdon që të luajë rolin e buffer state të imponuar nga Dejtoni, duke mos dhënë as përshtypjen minimale se mund ta forcojë entitetin e vetë shtetëror në kuptimin autonom, ndërsa përplasjet e kohëve të fundit midis Beogradit dhe Prishtinës (lidhur me ndalimin e trenit Beograd – Mitrovicë), pse jo edhe situata politike ende e paqetësuar e Republikës së Maqedonisë, lënë që të duken perspektiva gjithnjë e më problematike: fantazmat e së kaluarës, bashkuar me mirazhet e së ardhmes, mund të degradojnë sërish situatën, me më shumë arsye në të cilën niveli i vigjilencës të ulej më tek si nga Europa, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare pikërisht në këtë periudhë historike, në të cilën ato që zenë vend të parë në kronika janë kryesisht vështirësitë strukturore të Bashkimit Europian, avancimi i Rusisë në një skakierë ndërkombëtare gjithnjë e më shumë multipolare dhe kriza siriane. Për këtë dhe shumë tjetër kemi biseduar me Inoslav Beshker, korrespondent i së përditshmes kroate “Jutarnji List”, si edhe pedagog pranë universiteteve të Bolonjës, Napolit, Zgrebit Splitit dhe Dubrovnikut.

Në Kroaci vazhdon të mbizotërojë afera “Agrokor”. Shtypi kroat thekson se dy kolosët bankarë rusë si Sberbank dhe VTB mund të jenë të interesuar të blejnë titujt e kësaj kompanie të madhe ushqimore…

Më shumë se çdo gjë tjetër, Sberbank duket se është i interesuar të “shtrydhë” Agrokor më shumë sesa t’i blejë titujt. Rasti Agrokor mund të sigurohet më shumë unik sesa i rrallë: bëhet fjalë për një kompani me përmasa të mëdha për standardet tona, që numëron gjithsesj rreth 60000 punonjës jo vetëm në Kroaci, por edhe në Serbi, Bosnje e Slloveni. Xhiroja e saj përfaqëson rreth 17% të PBB-së kroate. Kjo do të thotë se nëse Agrokor do të “sëmurej”, e gjithë ekonomia kroate do të vuante. Është në diskutim ideja e ruajtjes së një kompanie me një dekret të ngjashëm me ligjin “Prodi ter”, domethënë atë që mundësoi vite më parë shëptimin e kompanisë Parmalat me Enrico Bondi në cilësinë e komisarit qeveritar. Në këtë mënyrë, dëshirohet të shmanget falimentimi dhe bllokimi pasues i aktiviteteve të kompanisë, duke i dhënë 2 vjet kohë për rikualifikin e vetes dhe, ndërkohë, duke ruajtur vendet e punës e të gjithë “zinxhirin ushqimor”, si në kuptimin letrar, ashtu edhe në atë ekonomik.

Moska është akuzuar shpesh periudhën e fundit se dëshiron të ndërhyjë në mënyra të ndryshme në politikat dhe në ekonomitë e vendeve europiane. Prejardhja e blerësve të mundshëm të Agrokor (domethënë dy institute bankare fuqimisht të lidhur me Kremlinin) ka shkaktuar preokupime të veçanta pranë Zagrebit?

Do të thoja se ky problem nuk është paraqitur akoma. Nuk besoj se Sberbank ka synim që ta blejë Agrokor, edhe pse nuk bëhet fjalë për kreditorin e vetëm në valle. Ama besoj se qeveria ruse ka tentuar, në këtë kuptim, që t’i luajë letrat e saj, veçanërisht kur Anvar Azimov, ambasadori i Federatës Ruse në Kroaci, me një ton disi prej guvernatori ka deklaruar se shteti rus nuk do të ndërhyjë më në ndihmë të Agrokor nga momenti që presidenti i kompanisë kishte refuzuar ta vizitonte. Këto deklarata kanë shkaktuar si efekt uljen e mëtejshme e rating të kompanisë, për zhgënjimin e vetë Sberbank. Në cilësinë e gazetarit, e kam nënvizuar sesi kjo është një prej mënyrave me të cilat Rusia tenton të destabilizojë vendet e Bashkimit Europian, por ky mbetet vetëm një supozim i imi.

Çfarë mendoni për pozicionet tejet të “vagullta” të avancuara kohët e fundit nga Serbia? I referohem tentativës nga ana e Beogradit për të aderuar në Bashkimin Europian, megjithëse duke ruajtur të paprekura lidhjet e rëndësishme kulturore, ekonomike dhe ushtarake që mban gjithmonë me Rusinë, me arsye akoma më të madhe pas fitores dërrmuese elektorale të arritur nga Aleksandar Vuçiç në presidencialet e 2 prillit…

Të vagullta? Përkundrazi, besoj se ky është një qëndrim tejet koherent. Do të thoja se bëhet fjalë për një pozicion “ekuilibrist”. Jo rastësisht zgjedh ta përdor këtë term, nga momenti që Serbia është e krahasueshme me një ekuilibrist që tenton të ecë mbi një litar. Për të ruajtur ekuilibrin e sposton peshën nganjëherë djathtas, nganjëherë majtas. Praktikisht ky qëndrim mund të duket i “vagullt”, por nëqoftëse nuk operohet në këtë kuptim rrezikohet rëndshëm që të bihet nga litari. Është një qasje që të kujtoj atë të adoptuar në kohën e Jugosllavisë nga Marshalli Tito, i cili qe i aftë të krijojë një “rrugë të tretë” në kuptimin e vërtetë të fjalës me paangazhimin, alternativë ndaj dikotomisë Lindje – Perëndim, ndëtsa e njëjta gjë nuk mund të thuhet akoma për politikën aktuale serbe. Është interesante të vërehet sesi Vuçiç ka zgjedhur të heqë dorë nga posti i Kryeministrit për të mbuluar një rol përfaqësimi si ai i Presidentit të Republikës. Parasëgjithash, besoj se në rast se Nikoliçi nuk do të ishte konfirmuar President, Vuçiçi do të kishte pasur jo pak kokëçarje me një presidencë me ngjyrë të ndryshme nga ajo e tij. Në radhë të dytë, është e lehtë të shikohet sesi në këtë mënyrë ai mund të njihet edhe si President i Republikës, edhe si shef qeverie, sipas modelit që ka përdorur Milo Gjukanoviç në Malin e Zi dhe Vladimir Putin në Rusi. Në këtë mënyrë, Vuçiçi ka arritur që “me një goditje të vrasë dy zogj”: të kursejë kokëçarjet që do t’i vinin nga një President me një ngjyrë politike të ndryshme nga e tija dhe, njëkohësisht, të konfirmojë e forcojë forcën e vet politike personale, nga momenti që në zgjedhjet presidenciale nuk votohet për partinë, por për individin.

Krijimi i kohëve të fundit i datës së festimeve të përvjetorit të lindjes së Republikës Srpska nga ana e autoriteteve të Banja Lukës në Bosnje Hercegovinë ka ngjallur polemika të ashpra, duke kontribuar në daljen në sipërfaqe e konflikteve të vjetra asnjëherë të paqëtuara krejtësisht midis Beogradit e Zagrebit në territoret boshnjake, teatër krimesh të tmerrshme gjatë luftërave jugosllave të viteve Nëntëdhjetë. Çfarë rreziqesh ekzistojnë në rastin ku Europa ose, më në përgjithësi, bashkësia ndërkombëtare e ulin nivelin e vigjilencës lidhur me Ballkanin?

Ky nivel vigjilence tashmë është ulur. Sipas mendimit tim, do të kishte qenë më mirë të integrohej shumë më parë Bosnje Hercegovina në diskutimin politik ndërkombëtar që të mund të kushtëzoheshin politikat e saj, gjë që sot rezulton e vështirë. Duke folur për Bosnjen, problemi qëndron në faktin që nuk flasim vetëm për politikat e Serbisë e të Kroacisë. Përkundrazi, qysh nga 2000 Zagrebi është çinteresuar fuqimisht për kroatët e Bosnje Hercegovinës, edhe pse kjo nuk mund të pohohet përsa i përket HDZ-së, lëvizja me të njëjtin emër e kroatëve të Bosnjes nuk është për t’u konsideruar vetëm si një imitim i thjeshtë i origjinalit kroat, por si një parti në vetvete, deri e vendosshme pak më djathtas se HDZ-ja në pushtet në Zagreb. E njëjta gjë mund të thuhet për Republikën Srpska, ku autoktonët konsiderohen “më serbë” se serbët akoma sot banojnë në Serbi. Ideja e Republikës Srpska të Bosnjes ishte ajo e krijimit të një entiteti autonom që më pas duhej t’i bashkohej Beogradit në rastin ku Kosova do t’i aneksohej Shqipërisë. Më shumë se asaj të Kosovës, situata e Bosnje Hercegovinës ngjan me atë të Krimesë, për sa edhe Bosnja rezulton të jetë një territori “tri – etnik”. Megjithatë, problemet e 15 – 17 viteve të fundit të Bosnje Hercegovinës janë krijuar nga brenda, pavarësisht nga Serbia e nga Kroacia. Nga ana tjeët, Bosnja aktuale mund të krahasohet me një sistem enësh komunikuese: sapo ngrihet niveli i tensionit këtu, ngrihet automatikisht edhe midis ekstremistëve në Kroaci e në Serbi; e gjitha kjo çon në fërkime të pashmangshme. Në dhjetor të 1995 Bosnje Hercegovina është ndalur nga lufta, por nuk janë hedhur themelet për një formimin e një shteti në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në Bosnje, shteti ekziston vetëm si “shtet i imponuar”, duke mbajtur parasysh se si stema, ashtu edhe flamuri i Bosnje Hercegovinës janë importuar nga Bashkimi Europian. Në Bosnje nuk ekziston një identitet territorial shtetëror, pothuajse asnjeri nuk ndjehet “boshnjak” ose, në çdo rast, numri i atyre që deklarohen “boshnjakë” është bile më i ulët se ai i atyre që deklarohej “jugosllav” në kohën e ish Jugosllavisë. Në Bosnje, njerëz që ndjehen kroatë mendojnë për atdheun e tyre, që nuk i ka shpërblyer akoma. Kurse myslimanët e Bosnjes nuk kanë atdhe, Turqia nuk është atdheu i tyre… Marrëveshja e Dejtonit ka pasur meritën që ta ndalojë atë kasaphanë dhe si dëshmitar i atyre ngjarjeve nuk kam sesi të mos them “Falë Zotit!”. Ama më duhet të pranoj se Bashkimi Europian nuk ka bërë asgjë për ta tejkaluar kufirin e vënë nga amerikanët në Dejton, domethënë atë të njohjes së 49% të territorit boshnjak, me një situatë që të kujton shumë atë të dy Koreve. Perspektiva, duket qartë, nuk është rozë. Çfarë duhet bërë? Mund të organizohet konferenca e radhës ndërkombëtare, si ajo e Gjenevës apo e Berlinit, por edhe kjo zgjidhje ka rezultuar false. Nëse do të kisha një përgjigje të qartë, do të kisha të drejtën e Çmimit Nobel për Paqen, me më shumë arsye se Barack Obama…

Në një farë mënyre, Turqia aktuale mund të shërbejë si “atdhe ideologjik” për myslimanët e Bosnjes?

Në rastin e Turqisë apo të Emirateve të Bashkuara, nuk besoj se mund të flitet për “atdhe ideologjik” në kuptimin e vërtetë të fjalës. Është për t’u mbajtur parasysh se koncepti i islamit në realitet është shumë më universal sesa vetë koncepti i kristianizmit. Ne katolikët besojmë në një “Kishë të shenjtë katolike” (ku katholikos në greqisht është njëlloj me universalis në latinisht), domethënë në Kishën e njerëzve, jo të kombeve. Akoma më universal është islami, i lidhur me konceptin e Umma-së, domethënë komunitetin total të besimtarëve, të lidhur me detyrime solidare pavarësisht nga gjuha dhe nga etnia e tyre. Duke u bërë mysliman, bëhesh pjesë e Umma-së dhe nëse vërtet beson në sa përshkruhet nga Kurani je i detyruar që të ndihmosh materialisht të gjithë anëtarët e komunitetit. Këtu nuk bëhet fjalë për “ideologji” në kuptimin perëndimor të termit. Problemi qendron në faktin se kush beson vërtet në këto urdhërime, shpesh është edhe ekstremist …

Kroacia është anëtare e NATO-s nga 2009, Slovenia nga 2004, ndërsa para pak kohësh është bërë aderimi i Malit të Zi. Sa mund t’i vijë për mbarë e gjitha kjo stabilitetit të rajonit, duke pasur parasysh faktin se për momentin Serbia duket se nuk synon aspak të aderojë në Aleancën Atlantike?

Serbia, jam i sigurtë, nuk do të hyjë kurrë në NATO. Nuk besoj se problemet e vërteta mund të rrjedhin prej kësaj; këtu, ajo e NATO-s është një çështje anësore. Në të vërtetë besoj se pikat nevralgjike të zonës ballkanike në ditët e sotme janë Bosnja, Kosova dhe, akoma më shumë se më parë, Republika e Maqedonisë. Greqia dhe Turqia janë të dyja anëtarë të NATO-d, pot kjo nuk ka kontribuar që t’i riparojnë krejtësisht marrëdhëniet e tyre diplomatike. Është për t’u mbajtur parasysh se, formalisht, Aleanca Atlantike është krijuar për të mbrojtur kufijtë e vendeve anëtare, por edhe për të kuruar interesat e këtyre vendeve që paguajnë në mënyrë që kjo strukturë të mbetet operative. Në këtë optikë nuk besoj se interesat strategjike të Kroacisë e të Malit të Zi mund t’i interesojnë realisht atyre që komandojnë. Nga një prizëm ngushtësisht ushtarak e strategjik, mendoj se Mali i Zi është i rëndësishëm për Grykat e Kotorrit dhe jo aq për një përdorim potencial strategjik nga ana e NATO-s, por thjesht për t’ia penguar përdorimin nga ana e forcave të tjera, ashtu siç ndodhi në periudhën midis dy luftërave botërore për Ishullin e Sazanit, i pushtuar për të shmangur që portet shqiptare të Vlorës dhe Durrësit të përdoreshin në funksion antiitalian. Besoj fuqimisht se, për stabilitetin e të gjithë zonës ballkanike, është themlore të operohet në mënyrë të përbashkët për të shmangur formimin e një shteti – mafie në Mal të Zi, në kundërshtim me sa fatkeqësisht duket se ka ndodhur në Kosovë. E di mirë se rreziku nuk qëndron në mentalitetin e malazezëve: kam dhënë mësim për vite në Campania, në Napoli, dhe e di shumë mirë sesa pjesa më e madhe e njerëzve nuk ka të bëjë aspak me Kamorrën, bile është viktimë e saj. Bërja e Malit të Zi një oaz paqeje mund të kontribuojë jashtëzakonisht shumë në stabilitetin e rajonit.

Me 12 korrik është parashikuar që të mbahet në Trieste samiti vjetor i Ballkanit Perëndimor në kuadër të “procesit të Berlinit”, në të cilën parashikohet prania e Kancelares Angela Merkel. Italia, duke qenë se luan në shtëpi, do të konfrontohet me disa vende të zonës ballkanike perëndimore, duke u propozuar si ndërmjetësja kryesore për një “tranzicion europian” të plotë të pjesëve të territoreve të ish Jugosllavisë, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Gjermaninë. Sipas mendimit tuaj, cilar janë perspektivat reale italiane në rajon?

Gjermania është bërë zëdhënëse e një parimi të thjeshtë: është më mirë t’i integrojë këto vende në brendësi të BE-së sesa t’i mbajë jashtë, edhe prej një parimi “higjiene politike” të thjeshte, më lejoni që ta përdor këtë term paksa të pështirë. Italia nuk i është kundërënë kurrë kësaj linje politike. Përkundrazi, në fillimvitet Nëntëdhjetë ishte shumë e interesuar për integrimin europian të Ballkanit edhe pse as nuk mund të konkurronte me Gjermaninë, as me Britaninë e Madhe në fushë politike perëndimore. Në thelb, kishte krejtësisht interes që të bëhej partneri i parë tregtar në të gjithë zonën ballkanike. Por, fatkeqësisht, besoj se Italia nuk ka arritur t’i luajë siç duhet shanset e saj. E pranoj se Roma ka investuar shumë për të paqëtuar dhe sjellë në rrugën e shtetit të së drejtës si Shqipërinë, ashtu edhe Malin e Zi, edhe vetëm për të mbrojtur një interes të vetin, domethënë atë për zhdukjen e rrugëve të trafiqeve të paligjshme midis dy anëve të Adriatiku. Por iniciativa adriatiko – joniane nuk ka prodhuar efektet e shpresuara: janë shpenzuar shumë resurse, por prodhohet pak, nuk has asnjë lloj efekti pozitiv as ndaj PBB-së, as ndaj stabilitetit të territorit. Besoj se Italia ka marrë një qëndrim tepër “konservator”, do të duhej të punonte më shumë për t’i mirëpritur këto vende nëse jo drejtpërsëdrejti në BE, të paktën në një paradhomë. Por, nga ana tjetër, Italisë nuk i kanë ecur gjërat mirë edhe për sa i përket Libisë. Dhe kjo, me sa duket, nuk duket se është një problem i Ballkanit…/Geopolitica/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Institucionet nuk mund t'i drejtojnë ata që përdorin dhunë politike


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se njerëzit të cilët kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike, nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, ai tha se pret të takohet me partitë politike në fillim të javës duke u bërë thirrje atyre që, siç tha, të gjejnë formulën që Kosovës i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo që e izolon vendin.

Zëri i Amerikës: Zoti President, tashmë po bëhen dy javë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe ende nuk e keni thirrur seancën konstituive. Kur do ta bëni një gjë të tillë?

Presidenti Thaçi: Për arsye të krijimit të një konsensusi sa më veprues të skenës politike në Kosovë, unë për të hënën kam thirrur të gjithë spektrin politik të partive politike të përfaqësuara në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, që të zhvillojmë një konsultë formale dhe pastaj, unë si president i vendit duke marr parasysh vullnetin e tyre, të caktojë datën e konstituimit të parlamentit të Kosovës. Kjo risi nuk është ndonjë risi, ka qenë traditë edhe në të kaluarën, prandaj shpresoj që do të ndodh të hënën dhe menjëherë do të caktohet data e konstituimit të parlamentit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Disa nga partitë politike kanë paralajmëruar që nuk do të marrin pjesë në këtë takim?

Presidenti Thaçi: Besoj që është në interesin e të gjithëve që të jenë pjesë e takimit dhe konsultës, të japin opinionet e tyre, është përgjegjësi para elektoratit të tyre dhe qytetarëve të Kosovës. Gara elektorale tashmë ka përfunduar dhe duhet të punojmë të gjithë edhe si president por edhe parti politike, që në mënyra sa më efektive të arrijmë një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që të jemi sa më të organizuar dhe përgatitur dhe ky proces të fillojë dhe të përmbyllet në përputhshmëri me afatin kushtetues ligjor.

Zëri i Amerikës: Zoti President, disa nga përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile ju kanë akuzuar që me zvarritjen e seancës konstituive po i bëni favore koalicionit fitues, ku bën pjesë edhe ish partia juaj. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Presidenti Thaçi: Unë jam president i vendit dhe nuk i bëj favore asnjë partie apo koalicioni apo individi e as kundër favore asnjë partie, koalicioni apo individi. Unë nuk e kam përcaktuar afatin kushtetues dhe ligjor. Ai është i përcaktuar me kushtetutë dhe ligj, të gjithë deputetët kanë votuar më herët në parlamentin e Kosovës kështu që unë para se gjithash bazë për angazhim dhe veprim timin e kam afatin kushtetues dhe ligjor, nuk është ky vullneti im, është e drejta kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Zoti Presidenti ju pritet që të caktoni edhe mandatarin për formimin e qeverisë së ardhshme. A ka ndonjë kriter që duhet përmbushur që ju ta jepni mandatin për të formuar qeverinë?

Presidenti Thaçi: Të hënën do të kemi takim me partitë politike të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, do të shkojmë me konstituimin e parlamentit të Kosovës, pastaj do të mandatohet kandidati për formimin e qeverisë, që gjithashtu është afati i rregullt kushtetues dhe ligjor për çka edhe do të jemi shumë të saktë dhe shumë preciz. Pastaj do të shikojmë që në kuadër të tyre përgjegjësive, që thatë ju, dhe parimeve mbizotëruese, do të jetë parimi që të kemi qeveri të qëndrueshme, qeveri të drejtimit euro-atlantik, qeveri shumë etnike që promovon dhe mbron frymën kushtetuese dhe rendin kushtetues të Kosovës. Që të merret me përgjegjësi të lartë kombëtare, politikën demokratike dhe kushtetuese për përmbylljen e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi si parakusht për liberalizimin e vizave. Gjithashtu, do të jetë një qeveri që duhet marr përgjegjësinë dhe zotimin për themelimin e shpejtë të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendoj që ky duhet të jetë një përkushtim që duhet ta bashkoj spektrin politik në mënyrë që të lëvizim sa më shpejt drejt perspektivës evropiane. Gjithashtu, qeveria e ardhshme duhet të jetë e zotuar për vazhdimin e reformave demokratike qoftë në politikë, ekonomi apo drejtësi. Për të vazhduar pastaj edhe me reformat elektorale, sepse definitivisht në Kosovë duhet të ndodhin reformat elektorale, qoftë në zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë për sistemin e zgjedhjeve të përgjithshme, sepse nuk mund të kemi gjithmonë zgjedhje dhe pastaj të kemi fitues, të krijohen rrethana të paqartësisë apo të ngërçeve politike. Mendoj se duhet të dominojë urtësia e spektrit politik të një dialogu korrekt dhe konstruktiv që e nxjerrë një reformë të mirë që e lehtëson pastaj krijimin e institucioneve e jo që e vështirëson. Tjetër parim që do të jetë për qeverinë e ardhshme të Kosovës apo bartësit e institucioneve, është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, që do të çonte drejt një marrëveshjeje të madhe politike që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtimin e mundshëm gjithashtu edhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Objektiv tjetër dhe parim mbizotërues do të jetë angazhimi i gjithanshëm për themelimin sa më të shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës për t'u integruar në strukturat e NATO-s si parakusht për vazhdimin e partneritetit për paqe dhe pastaj edhe në NATO. Gjithashtu, parim do të jetë edhe mbështetja e fuqishme që do t'i jepet angazhimit për përmbylljen e procesit të termocentralit Kosova e Re, që është një investim shumë i fuqishëm për Kosovën dhe i nevojshëm. Gjithashtu edhe mbështetja për Gjykatën e Posaçme. Por, duhet ta potencoj se në kuadër të këtyre parimeve mbizotëruese, një prej parimeve kryesore do të jetë në kuadër të diskrecionit edhe timin, është se njerëzit që kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës. Pastaj, parim tjetër duhet të jetë përkushtimi i fuqishëm për luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, në betejën e ashpër që duhet ta zhvillojmë kundër çfarë do lloj ekstremizmi qoftë atij islamik apo terrorizmit i cili mund të paraqitet kur dihet që Kosova është cak prandaj ne duhet të jemi shumë të përkushtuar që në këtë drejtim të punojmë të gjithë bashkërisht.

Zëri i Amerikës: Zoti President me shumicën e parimeve që ju i theksuat, a po kërkoni qeveri gjithëpërfshirëse apo një koalicion më të gjerë?

Presidenti Thaçi: Ne e kemi këtë rezultat zgjedhor, tash është në vullnetin e partive politike se çfarë formule qeverisëse ndërtojnë. E mira e vendit do të ishte që të gjejnë formulën që vendit i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive, shumë etnike dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo qeveri që ngec apo e izolon vendin. Prandaj në këtë drejtim, unë dua të shpresoj në vullnetin e mirë të spektrit politik dhe i ftoj të gjithë që të dalin mbi interesat e pushtetit ditor dhe të mendojnë për interesin e shtetit dhe për një platformë të gjerë që i bashkon interesat e shtetit. Ndërsa, natyrisht që janë edhe angazhimet të cilat përballen ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, por disa nga përparësitë që i përmenda unë me të vërtetë duhet të ketë një konsensus të spektrit politik për të lëvizur përpara. Përndryshe, një parti e vetme nuk do të mund t’i lëvizë gjërat përpara, prandaj udhëheqësit e partive politike dhe partive parlamentare që janë të përfaqësuar në parlamentin e Kosovës, janë para një sfide të madhe që të mendojnë dhe vënë interesat e shtetit para se gjithash, pastaj interesat e individit, grupore apo të partive politike të jenë të dorës së dytë. Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në një nga parimet tuaja thuhet që ata që kanë kryer sulme ndaj institucioneve nuk mund ta marrin udhëheqjen e shtetit. A bëhet fjalë këtu për periudhën e gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Unë nuk jam paragjykues ndaj askujt si individ apo si formacion politik, por përdorimi i dhunës për qëllime politike bie ndesh me frymën kushtetuese, me rendin kushtetues, me ligjin dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë euro-atlantike por edhe si demokraci në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, po kalojmë me një temë tjetër e që ka të bëjë me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ju tashmë jeni përfshirë në këtë proces bashkë me presidentin e Serbisë. Si mendoni ta çoni përpara këtë proces?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që do të jetë një proces jo i lehtë, për çka do të punojmë edhe ne në Kosovë që të krijojmë një bazë sa më të gjerë të angazhimeve të spektrit politik, të shoqërisë civile, mediave dhe bartësve të institucioneve, të gjithë atyre njerëzve me ndikim në opinionin publik që do të mund të japin kontributin e tyre në mënyrë që të jemi të përgatitur dhe të kemi plotësisht një proces transparent, shumë të përgjegjshëm, duke respektuar gjithmonë sovranitetin tonë, rendin kushtetues dhe ligjor dhe që do të mund të arrihej një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtim në mes të dy vendeve tona. E di që nuk do të jetë një proces shumë i duartrokitur për ne që do të marrim pjesë në këtë angazhim por jam i vetëdijshëm që do të jetë në interesin e vendit. Prandaj unë shoh njerëz të vullnetit të mirë në Kosovë që duan të kontribuojnë dhe dëshiroj të potencoj se pa fqinjësi të mirë, Kosova dhe Serbia nuk do të mund të lëvizin, edhe ne si Kosovë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian por edhe Serbia drejt perspektivës evropiane. Mendoj se udhëheqësit e dy vendeve janë të vëmendshëm për këtë proces të ndjeshëm që do ta kalojmë, ndërsa është zotimi i plotë i zonjës Mogherini dhe BE-së që të udhëheq këtë proces por edhe kemi zotimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do ta mbështesin arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtimit.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë afat për përfundimin e këtyre bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?

Presidenti Thaçi: Ajo çfarë kemi diskutuar herën e fundit në Bruksel ka qenë ajo që duhet mendojmë për idetë e para fillestare dhe të parakohshme në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillimin e këtij procesi në pjesën e vonshme të verës apo fillimin e hershëm të vjeshtës.

Zëri i Amerikës: Përfshirja juaj në këto bisedime është kritikuar nga disa parti politike në vend, të cilët thonë se një gjë e tillë nuk ju takon për shkak të mungesës së kompetencave për të marrë vendime. Si ju përgjigjeni këtyre kundërshtimeve?

Presidenti Thaçi: Këtyre zërave ju përgjigjem me atë që ta lexojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë përfaqësoj politikën e jashtme të Kosovës si president dhe përfaqësoj, udhëheqë dhe bashkërendoj, ndërsa në anën tjetër, unë do të duhesha të kritikohesha nëse nuk do të marr pjesë dhe përgjegjësi. Unë kryej vetëm obligimet e mija kushtetuese dhe ligjore. Por, më vjen mirë që disa prej atyre kritikëve tashmë kanë shprehë zotimin që tashmë të jenë pjesë e këtij procesi.

Edhe Enver Hoxha nuk i dëgjonte më ndërkombëtarët

Carlo Bollino: Edhe Enveri nuk i dëgjonte më ndërkombëtarët
Nga Carlo Bollino

Prej shumë vitesh shqiptarët, të zhgënjyer nga klasa e tyre politike, i kanë mbajtur gjithnjë shpresat e fundit në zgjidhjen që do të vinte nga diplomatët e huaj. Sepse, përtej luftërave të brendshme, politikanët shqiptarë që nga 1992 e tutje kanë treguar se dëgjojnë me respekt dhe konsideratë opinionin e liderëve ndërkombëtarë.

Është sidomos ky respekt drejt opinionit ndërkombëtar që ka dalluar dhe dallon kulturën demokratike nga kultura e diktatorëve, sepse demokracia është pikërisht një proces kolektiv që kalon edhe përmes gjykimit të të tjerëve.

Por Sali Berisha dhe Lulzim Basha e prishën këtë traditë dhe sot, vetëm për të vazhduar të kultivojnë interesat e tyre personale, janë të gatshëm t’i mbyllin derën në fytyrë edhe liderëve ndërkombëtarë që po tentojnë të zgjidhin paaftësinë për dialog që ekziston mes shqiptarëve, me ndërmjetësimin e tyre.

Basha dhe Berisha po tentojnë të tërheqin vendin pas, drejt atij izolimi që shtyu Enver Hoxhën t’ua mbyllte dyert në fytyrë së pari angloamerikanëve, pastaj jugosllavëve, pastaj rusëve, dhe në fund kinezëve, duke pretenduar se asnjë lider i huaj nuk mund të njihte dhe të kishte për zemër problemet e shqiptarëve si ai.

Sot Basha përsërit të njëjtën gjë duke folur për komisarin europian Johannes Hahn të cilit fuqi si Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Hollanda, Austria et. etj. i kanë deleguar një aftësi analize dhe gjykimi që sot Basha, Berisha dhe të tjerë “të mençur të çadrës” ia mohojnë.

Kjo që po bën Basha dhe Berisha është një hap prapa pa precedent. Një zhytje në boshllëk që rrezikon të jetë pa kthim.

Moralisti i madh, Emmanuel Macron nuk është as Kennedy, as De Gaulle. I ngjan më shumë jakobinit Robespierre

Moralisti i madh, Emmanuel Macron nuk është as Kennedy, as De Gaulle. I ngjan më shumë jakobinit Robespierre
Krejt papritur këtë verë, një i ri francez krejt i panjohur në skenën globale deri tre vjet më parë, u shndërrua në shpresën e madhe liberale të botës perëndimore”, shkruan Robert Zaretsky, profesor i historisë në Universitetin e Houstonit, për “RealClear World. “Fitoret e njëpasnjëshme në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të Emmanuel Macronit dhe të “Republique En Marche!” kanë rritur shumë shpresat e një kombi të prekur për një kohë të gjatë nga “declinisme”, por edhe u kanë dhënë kurajë vëzhguesve evropianë e amerikanë, të cilët druheshin se Franca do të ishte guri i radhës i dominosë, që do të binte përballë marshimit të pandalshëm të populizmit dhe autoritarizmit. Pashmangshmërisht, komentatorët panë nga e kaluara për të shpjeguar të tashmen”, duke e krahasuar presidentin e ri të Francës me atë amerikan, John F. Kennedy, apo me bashkatdhetarin e tij, Charles de Gaulle. E megjithatë, për Zaretskyn, Macron i ngjan më shumë revolucionarit jakobin, Maximilien Robespierre.

“Kur erdhi momenti i sfidës elektorale, Macroni ishte pa përvojë dhe si pasojë, i pakontaminuar. Gjatë fushatës së tij, premtoi të pastrojë politikën, premtim që e përsëriti gjatë fjalimit të kthjellët të fitores. Me bindjen e atij që beson vërtetë, ai shpalli se “rigjallërimi i jetës publike do të fillojë që nesër”.

Që nga dita e tij e parë në detyrë, deklaroi Macron, ‘moralizimi’ i jetës publike do të bëhej ‘themeli’ i vendimeve të tij”.

Për këtë arsye duhet të ketë “më shumë se një gjurmë të pranisë së Të Pakorruptueshmit, tek Macroni. Natyrisht, ka përngjasime sipërfaqësore: të dy vijnë nga veriu i Francës dhe të dy u ngjitën, nga asgjëja tek fama, nga sot-nesër, të shtyrë prej forcave që ishin shumë më të mëdhaja se ata vetë. Megjithatë, më e rëndësishmi është fakti që të dy duken të bashkuar prej idealeve të virtytit dhe transparencës republikane. I mbështetur me tepri tek shkrimet e Jean-Jacques Rousseau-së, Robespierre premtoi rigjenerimin kolektiv përmes virtytit individual, një ide e ngjashme me premtimin e ringjalljes kombëtare, që ka bërë Macroni.

Pikërisht ashtu si Robespierre, qoftë për nga sinqeriteti, qoftë për nga hipokrizia, Macroni instrumentalizoi virtytin, për të marrë pushtetin. Për të zëvendësuar udhëheqësit e dorëhequr të MoDem (partia centriste aleate në qeveri, disa prej pjesëtarëve të të cilës janë nën hetim për përdorim të rimbursimeve në parlamentin europian), Macroni emëroi teknokratë. Pashmangshmërisht ata do të jenë shumë më të dobët nën këtë mbretërim të ri të virtytit, për faktin që nuk janë anëtarë të asnjë partie. Fundi i Republikës së Parë franceze (1804) na kujton se një përqëndrim i ngjashëm i pushtetit, ndoshta nuk është një paralajmërimi mirë. Sot nuk është më terrori që artikulon rendin publik, por mund të jetë gabimi”.

Nuk spiunohen miqtë… Përveçse kur ai që spiunon jam unë …


Spiunë gjermanë
“Spiunimi i miqve është një gjë e papranueshme, nuk mund të tolerohet”. Ishte e tërbuar Angela Merkel në 2013, kur revista “Der Spiegel” botoi dokumentat e Wikileaks, të cilat zbulonin sesi NSA-ja kishte spiunuar Kancelaren gjermane deri në celularin e saj dhe prej vitesh të tëra, dhe sesi ambasada amerikane në Berlin ishte njw “fole spiunwsh” në kuptimin e vërtetë të fjalës, brenda së cilës kishte një njësi speciale, të quajtur Service Special Collection (SCS), e dedikuar që të spiunonte gjithçka të spiunueshme. “Nuk jemi më në Luftën e Ftohtë dhe besimi reciprok duhet të jetë në themel të bashkëpunimit tonë”, sokëlliu zonja, përpara se t’i telefononte Presidentit Barack Obama për “t’i kërkuar shpjegime” dhe më pas të përzinte nga Berlini shefin e CIA-s në shenjë hakmarrjeje. Një vit më vonë, Edward Snowden e mori barrën përsipër dhe Wikileaks publikoi bisedat private të Merkelit të interceptuara dhe ato të funksionarëve më të lartë të saj: ish Shefit të Kabinetit të saj, Ronald Pofalla, Zëvendëssekretarit për Inteligjencën, von Andreas Geyr, Zëvendësshefit të Kancelarisë, Bernard Kotsch. Skandali qe aq i madh, sa që Merkel arriti që të vërë në diskutim bashkëpunimin e inteligjencës midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, pasi shumë “të largët lidhur me çështjen e etikës së raportit midis lirisë e sigurisë në përgjime nga ana e aparateve shtetërore”; sepse një gjë është spiunazhi “për të shmangur kërcënime terroriste”, një gjë tjetër është ta bësh “për të fituar një avantazh ndaj aleatëve në negociata, me rastin e samiteve të G20-ës apo në sesionet e Kombeve të Bashkuara”.
Nuk spiunohen miqtë… Përveçse kur ai që spiunon jam unë …
…Përveçse kur ai që spiunon jam unë …

por çfarë do të thotë zonja Merkel tani që “Der Spiegel” ka zbuluar se edhe Gjermania i ka spiunuar në mënyrë intensive amerikanët? Disa ditë më parë qe pikërisht revista gjermane ajo që ka njoftuar se është në posedim të dokumentave mbi të paktën 4000 “target” amerikanë, që nga viti 1998 deri më 2006, u survejuan ethshëm nga BND-ja (shërbimi gjerman i inteligjencës). Lista përfshin emra, numra telefonash e faksesh dhe adresa emailash të njerëzve që i përkasin disa qendrave të pushtetit e të kontrollit më të rëndësishme në Amerikë: funksionarë të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, të Thesarit dhe deri zyrtarë të lartë të Mbrojtjes, të Air Force, të Pentagonit e të DIA-s (Defense Intelligence Agency). Jo vetëm, por fjermanët duket se kanë spiunuar edhe kompani amerikane të rrethit të Mbrojtjes (duke filluar nga më e rëndësishmja e botës, kompania Lockheed Martin), institucione universitare dhe deri OJQ me lidhje me qeverinë amerikane si Human Rights Watch. Aktiviteti i survejimit gjerman duket se është zgjeruar deri në përfaqësitë diplomatike në uashington me dhjetëra ambasada e konsullata (nuk është e qartë nëse janë edhe të vendeve aleate me Gjermaninë) dhe të organizatave ndërkombëtare me zyra përfaqësie në Shtetet e Bashkuara, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Lidhja Arabe. Për hir të së vërtetës, periudha që preket nga spiunimi mikut ameirkan ka të bëjë kryesisht me vitet e qeverisjes Schroeder dhe, të paktën për momentin, nuk duket se e prek kancelariatin e zonjës Merkel. Por problemi mbetet: tani si t’ia bëjmë me historinë se “nuk spiunohen miqtë”?

Kush nuk spiunon në shoqëri…

Nuk është hera e parë që Angela Merkel duhet t’i përgjigjet botës për përdorimin e ekzagjeruar të spiunazhit nga ana e Berlinit. Gjithmonë në 2013, Wikileaks zbuloi një investigim sekret të BfDI-së (Autoritetit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave), që nxirrte në dritë një sistem përgjimi global të ngritur nga BND-ja dhe nga NSA-ja. Sistemi (që grumbulloi pa asnjë bazë ligjore miliona e miliona metadata në të gjithë Europën), përdorte Xkeyscore, isntrumentin informatik të NSA-së për të spiunuar emaila, analizuar trafik e kronologji, organizuar marrëdhënie dhe asociime kontaktesh midis subjektesh të ndryshme, ndjekjen e spostimeve, spiunimin e bisedave private (për shembull, ato në chat e forume apo gjithsesi jo të dukshëm për përdoruesin normal), trajtimin e të dhënave në kompleksitetin e tyre dhe posedimin e një identiteti të tërë dixhital të cilitdo dhe në të njëjtën kohë të kontrollojë të gjithë subjektet që shfaqeshin në këtë fluks (dërgues, marrës, llogari forumesh apo rrjetesh sociale). Aktivitetet e spiunazhit preknin edhe institucionet europiane dhe vendet aleate. Investigimi kishte të bënte edhe me aktivitetin e kryer në bazën e vetme ushtarake e Bad Aibling, ku nga vitet ’80 amerikanët vepronin në fshehtësi absolute falë një marrëveshjeje të nënshkruar me qeverinë socialdemokrate të Schroeder; por sigurisht ishte zhvilluar edhe në “baza dëgjimi” të tjera.

Aleatët spiunojnë aleatë që spiunojnë aleatë

Për ta thjeshtuar, kuadri që del nga këto episode është ky: amerikanët spiunojnë aleatët gjermanë; gjermanët spiunojnë aleatët amerikanë; gjermanë dhe amerikanë, aleatë midis tyre, spiunojnë pjesën tjetër të botës (përfshi aleatët e tyre). Mbetet një dyzim i vetëm. Lajmi që gjermanët kanë spiunuar sistematikisht aparate qeveritare dhe sektorë privatë amerikanë praktikisht është injoruar në Amerikë. Pse? Ndoshta për të mos i rënduar më tej marrëdhëniet midis të vendeve të përkeqësuara me zgjedhjen e Donald Trump dhe mosbesimin e tij kundrejt Merkel? Ndoshta sepse kjo histori mund të errësojë narrativën që mediat kryesore amerikane po bën prej muajsh lidhur me hakerat rusë? Apo ndoshta, më thjesht akoma, sepse nxjerra nga dollapi i skeleteve lidhur me mënurës sesi Perëndimi spiunon mund të sjellë në mendje shkeljet mbresëlënëse e kryera nga Shtetet e Bashkuara me sistemet e tyre të survejimit të masës globale; jo bukur për një demokraci që mburret se është model lirie për botën.

(nga blogu i Giampaolo Rossi)

Rrëfimi i rrallë i Spartak Ngjelës: Enver Hoxha kishte frikë vetëm nga Mehmet Shehu!

Video/ Rrëfimi i rrallë i Spartak Ngjelës: Enver Hoxha kishte frikë vetëm nga Mehmet Shehu!

Enver Hoxha është njeriu i cili në historinë e Shqipërisë ka marrë me vete shumë mistere, jo vetëm si drejtues i një sistemi i cili kishte në thelb të fshihte të vërtetën, por dhe si një diktator i famshëm në periudhën që drejtoi vendin.


Spartak Ngjela, i rritur në Bllokun komunist, më pas i burgosur nga diktatura, sot një avokat dhe politikan i njohur është shprehur se Enver Hoxha ka pasur frikë ndaj Mehmet Shehut, por ky i fundit nuk kishte dijeni se ai i frikësohej.

Ngjela tha sonte në një intervistë për emisionin “Opinion”, se për të dalluar frikën e Hoxhës ndaj Shehut, së pari, duhet nisur nga fakti i parë. Sipas tij, në vitin 1948, Mehmet Shehu po të ishte aktiv në politikë e rrëzonte Enver Hoxhën.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...