Pas shumë peripetive, më në fund votohet Qeveria e Ramush Haradinajt me 61 vota për.
Deputetet e LDK dhe Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
I mandatuari për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka prezantuar anëtarët e kabinetit të tij qeveritar.
Fillimisht është votuar për kandidatët për ministra që nuk janë deputetë.
Pas kësaj, është kërkuar të votohet për kabinetin qeveritar në tërësi, ku është parë se deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka abstenuar.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e ka quajtur votimin absolut, duke konstatuar se nuk ka asnjë votë kundër e asnjë abstenim, duke e legjitimuar Haradinajn kryeministër të Kosovës, për herë të dytë.
*****
Nis në Prishtinë festa me fishekzjarrë për Haradinajn, VV kërkon të festohet edhe në Beograd
Në Prishtinë, me t’u zyrtarizuar Ramush Haradinaj kryeministër i Kosovës, kanë nisur të festojnë duke hedhur fishekzjarrë.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që festa të zhvillohet edhe në Beograd.
“Fishekzjarrët le t'i lëshojnë edhe në Beograd”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
*****
Presidenti i Kosovës zt.Hashim Thaçi uron zt.Ramush Haradinajn për postin e kryeministrit
Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka uruar Ramush Haradinajn pas zgjedhjes kryeministër i vendit.
Urimi i Thaçit për Haradinajn, në Facebook:
Urime për Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kabinetit të ri qeveritar i uroj suksese në vazhdimin e reformave dhe në zhvillimin e vendit.
*****
Ramush Haradinaj: Nuk e di se me çfarë kushti më ka votuar Lista Serbe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në paraqitjen e tij të parë para mediave pas zgjedhjes, duke i falënderuar këto të fundit, i ka falënderuar edhe deputetët që e kanë votuar.
“Besoj se do t’u dalim në ballë problemeve që i ka vendi. Pres nga ju që të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që mund ta konsideroni se bie ndesh me të mirën e vendit”, theksoi Haradinaj.
Ai tha se do të ketë një gjendje të re qeverisjeje, dhe “jo vetëm se do t’i vijë era qeverisje, por do të shkojë te secili qytetar”.
“Shumicën e deputetëve i kam kolegë, por është zgjidhje e tyre. Pres edhe prej VV-së edhe prej LDK-së e Alternativës të janë ata kush janë në Parlament”.
“Nuk e di se me çfarë kushtesh më ka votuar Lista Serbe, nuk kam parë ndonjë kusht”, theksoi ai.
Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj, që kohë më parë ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka hedhur kritika në drejtim të Ramush Haradinajt.
“Nga Ramushi komandant i UÇK'së në Ramushin e Veselit dhe Veselinoviqit, Srpskas dhe Vuqiqit! Andaj sonte le të urohet vetëm Beogradi!”, ka shkruar në Facebook Donika Kadaj.
****
Lëvizja vetëvendosje LDK-ja dhe Alternativa kanë vendosur që ditën e hënë të mbledhin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme.
Pas lëshimit të sallës nga VV-LA kur Ramush Haradinaj doli para deputetëve që të propozojë përbërjen e Qeverisë, Avdullah Hoti nga LA, njoftoi se do të mbledhin nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme.
Ministrja e sapo zgjedhur e Mjedisit, Albena Reshitaj ka thënë se do të punojë me gjithë qenien dhe që dikasteri i saj të jetë shembull i suksesit.
Ajo ka folur edhe për vendimin e Behgjet Pacollit që t’i bashkohej PAN-it.
“U pa që nuk ishte e mundur një qeveri gjithëpërfshirëse dhe nuk kishte interes për bashkim të shumicës shqiptare, prandaj zotri Pacolli bëri hapin e duhur drejt zhbllokimit të gjendjes politike në vend”, ka shtuar ajo.
Ky është postimi i plotë i saj:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, po ju drejtohem me sinqeritetin më të madh.
Vendit i nevojitej një qeveri sepse po humbnim shumë në çdo sferë, çdo ditë e më teper.
Qytetaret nuk e meritonin që për inate individuale të dikuj, deputetët të merrnin paga, e në të njejtën kohë kuvendi të mbetej i bllokuar, që ministrat e kryeministri në ikje të merrnin paga e në të njejtën kohë të ishin pa fuqi vendimmarrëse…
U pa që nuk ishte e mundur një qeveri gjithëpërfshirëse dhe nuk kishte interes për bashkim të shumicës shqiptare, prandaj zotri Pacolli bëri hapin e duhur drejt çbllokimit të gjendjes politike në vend.
Ne, spektri shqiptar së bashku me komunitetet e të gjitha pakicave do të qeverisim vendin, gjithmon duke respektuar kushtetuten dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Në asnjë mënyrë nuk e lejojmë askënd që të shantazhoj institucionet e Republikës sonë.
Unë sot pranova një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme në qeverinë e Kosovës, atë të ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përulem para juve qytetarë të dashur dhe ju garantoj se do të punoj me gjithë qenien time që dikasteri që unë drejtoj të jetë shembull i suksesit.
Ju faleminderit.
Albena Reshitaj, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”
Urime Kosovë Qeveria e re!
https://www.rtvslo.si/svet/novi-kosovski-premier-bo-ramush-haradinaj/431761