Qeveria përgënjeshtron “The Guardianin”
Në të përditshmen “ The Guardian “ u publikua kohë më parë një artikull i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj.
Pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për më tepër, është e papranueshme që shpifjet e nje anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshilit të Europës të paraqiten si opinione të vet institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar.
Është e qartë se dikush dëshiron të pengoj Kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë.
Veprimet e tilla të ulta dhe bizare, nga njerëz pa asnjë kredibilitet moral, mund të jenë në shërbim vetëm të qarqeve të caktura që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Opinioni i gjërë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dik Marti që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë.
Por, publikimi i qëndrimeve të tilla paragjykuese dhe denoncuese, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, nuk përkon me etikën profesionale që do të duhej ta kishte gazeta “The Guardian”.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike.
As qytetarët e Republikës së Kosovës dhe as opinioni i gjërë ndërkombëtar, nuk do të bijnë pre e shpifjeve qëllimkëqija të kundërshtarëve të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që matrapazët e porositur të njollosin luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që të kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës. /KI/
Raport i pabazë
Draft raporti nga raporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty që pretendon se kryeministri në largim Hashim Thaçi dikur ka drejtuar një rrjet të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë dhe se kjo tregti ka filluar kur ai ishte udhëheqës politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve 1990 vlerësohet si e pabazë edhe nga kundërshtarët politik të Thaçit.
Përveç Qeverisë së Kosovës që e ka vlerësuar si të pabazë draft raportin evropian, edhe zyrtarë të partive politike e denoncuan atë si një goditje kundër përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës, e cila ka një popullsi kryesisht shqiptare.
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani ka vlerësuar se sa i përket luftës së UÇK-së, akuzat janë të papranueshme.
“Shqiptarët në Kosovë luftuan për liri dhe të mos përfitojnë nga unaza kriminale”, ka thënë ai.
Kreu i Social Demokratëve, Agim Çeku, njëherësh komandant i UÇK gjatë luftës 1998-1999, fajësoi Beogradin për këto akuza.
“Çdo akuzë kundër UÇK-së vjen nga Serbia apo ndihmues të saj”, tha Çeku për Reuters duke shtuar se raporti “është vetëm një përpjekje për të njollos luftën dhe fitoren e kosovarëve”.
Ndryshe, akuzat e tilla bëhen në një raport nga reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty. Thaçi akuzohet se dikur ka drejtuar një rrjet të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë. Raporti pretendon se kjo tregti ka filluar kur zoti Thaçi ishte udhëheqës politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve 1990.
Raporti i Dick Marty-t, që e quan Thaçin si kreun e një grupi shqiptarësh “në formë mafie” përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nëpër Evropën Lindore. Thaçi është identifikuar si “bosi” i një rrjeti që ka filluar të vërë në veprim reketet e tij kriminale në prag të luftës së vitit 1999 në Kosovë, dhe i cili ka ruajtur ndikimin e tij të fuqishëm mbi qeverinë e vendit që nga atëherë”.
Ky raport pritet të diskutohet në Komitetin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut në Paris ditën e enjte. (Telegrafi)
Krasniqi reagon ndaj projekt-raportit të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Mart
Ish Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka lëshuar sot një deklaratë lidhur me një projekt-raport të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Në deklaratë thuhet:
Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, pos vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte. Këto shpifje janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, sipas së cilës hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për të vërtetuar këto akuza, si dhe nga ish-zëdhënësja e kryeprokurores del Ponte, e cila i quan deklaratat e saj si të papërgjegjshme, si një inkurajim të ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë.
Shpreh indinjatën time të thellë me faktin që raportuesi i Këshillit të Evropës guxon të zëvendësojë Prokurorinë e cila është shumë më e specializuar dhe ka shumë më tepër mjete ligjore për të vlerësuar rëndësinë e provave të mbledhura.
Ky projekt-raport është qartësisht i njëanshëm dhe përmban edhe deklarata raciste, kur flet për “strukturën klanore” të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për “mungesën e një shoqërie civile të vërtetë”.
Ky projekt-raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviqit. Tentativat për të ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës.
Së fundi, përshëndesim të gjithë nismat ligjore dhe politike të ndërmarra si brenda dhe jashtë Kosovës për të dënuar këto shpifje absurde dhe të padenja, të cilat nuk i kontribuojnë shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie. /KI/
Raporti i Martyt amniston kriminelët e vërtetë
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përmes raportuesit Dick Marty riaktualizon çështjen e “shtëpisë së verdhë” duke kërkuar hetime, ndonëse hetimet paraprake nuk kanë dhënë prova që do të mbështetnin akuzat e Karla del Pontes të bëra publike në librin aurobiografik të saj “Lufta ime”! Qëllimi prandaj është politik! KMDLNJ mendon se ky raportues i autorizuar nga Asambleja Parlamentare i Këshillit të Evropës po përpiqet që përmes këtij dokumenti në formë të raportit të atakojë në shumë adresa politike brenda dhe jashtë Kosovës duke i komprometuar ato
Në një komunikatë të KMDLNJ-së thuhet se “raporti është i mbushur me konstatime ofenduese, denigruese, linçuese dhe raciste për politikën e Kosovës dhe politikanët e saj”. “Raporti është i drejtuar kryesisht kundër ish UÇK së dhe drejtuesve të saj, politik dhe ushtarak! Raporti në fjalë nuk amniston asnjë politikan kosovar, nuk amniston asnjë forcë politike dhe nuk amniston qytetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Raporti i amniston kriminelët e vërtetë”.
KMDLNJ mendon se drejtësia ndërkombëtare dhe sidomos sistemi kontinental Europian është vënë në lajthitje. Ky zyrtar, prokuror me profesion (nëse ka fakte) duhet të ofrojë prova para Prokurorisë Speciale të Kosovës. Gjithashtu, nëse provat e tij kundër ish UÇK së dhe drejtuesve të saj tregohen të qëndrueshme atëherë duhet të paditet edhe ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, znj. Karla del Ponte për shkak të mëshehjes së veprave kriminale.
KMDLNJ ka kërkuar dhe kërkon që të hetohen të gjithë ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër civilëve si dhe ata që janë përgjegjës për zhdukjen e civilëve. Aktualisht llogariten si të pagjetur 1823 persona të të gjitha nacionaliteteve ndërsa pjesa dërmuese e tyre janë shqiptarë.
Zbardhja e fatit për personat e pagjetur nuk duhet të politizohet apo të ngjyroset me përkatësi etnike por duhet të trajtohet ekskluzivisht nga pozitat e të drejtave të njeriut, thuhet në komunikatë. (Rtv 21)
Reagim i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin indinjatën e thellë për raportin absurd, të trilluar e me deklarata raciste, nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti-antishqiptar i përbetuar. Ky raport, është vazhdimësi e deklaratave antishqiptare të ish Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte e cila po ashtu me shpifje ordinere u mundua që ta paraqes Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminale. Këto shpifje i ka kundërshtuar edhe ish zëdhënësja e saj si dhe zëdhënësja e tribunalit për krime lufte në ish Jugosllavi, me arsyetimin se hetuesit nuk gjetën asnjë provë të bazuar për vërtetësinë e këtyre akuzave.Të gjitha këto shpifje, bëhen nga qarqe të caktuara e që kanë për qëllim ta barazojnë krimin e gjenocidin e ushtrisë jugosllave me luftën e lavdishme për liri të popullit e cila udhëhiqej nga UÇK-ja. E tërë kjo luftë e tmerrshme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në bashkërendim me politikën Serbo-Ruse e cila po përdoret në dëm të Kosovës, procesit shtetndërtues dhe popullit shqiptar në përgjithësi.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ‘Raportuesit të Këshillit të Evropës’ dhe të gjithë atyre që merren me shpifje të ndryshme, ia bëjnë të ditur se:
- UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare dhe nuk do të lejojmë kurrë që të shkelet dhe nëpërkëmbet;
- Serbia si shtet okupues ka bërë krime, masakra dhe gjenocid ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës;
- Vendi ynë ka qenë i robëruar dhe për këtë qëllim është bërë luftë çlirimtare ku nga radhët e saj kanë rënë mijëra dëshmorë, kanë mbetur mijëra invalidë dhe janë vrarë mijëra civilë ndërsa nga radhët e pushtuesit janë vrarë me mijëra policë, ushtarë dhe mercenarë;
- UÇK, si ushtri çlirimtare është njohur nga bota demokratike që nga 28 qershori 1998;
- OVL të UÇK-së, si përfaqësuese e luftëtarëve, është anëtare në Konfederatën Evropiane të Veteranëve të Luftës dhe në Federatën Botërore të Veteranëve.
Ne kërkojmë që, të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kriminal i cili sponsorohet nga Serbia, për shpifjet e tyre të ndjekjen penalisht nga drejtësia ndërkombëtare si dhe t’iu ndalohet përjetë hyrja në territorin e Republikës së Kosovës. Shpresojmë në reagime sa më konkrete të organeve përgjegjëse në të kundërtën Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të iniciojnë procese që këta kriminelë të gjinden në bankën e të akuzuarve ashtu siç edhe e meritojnë, thuhet ne reagimin organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. /KI/
UÇK-ja nuk mund të njolloset me bëmat e Hashim Thaçit
Ish Raportuesi zviceran i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Dick Marty ka paraqitur raportin e tij lidhur me pretendimet se pjesëtarët e UÇK-së paskan keqtrajtuar njerëz dhe paskan trafikuar organe njerëzore. Këto pretendime po shpalosen në vazhdën e dyshimeve dhe përbaltjeve të ngritura nga ish kryeprokurorja e Gjyqit të Hagës, Carla del Ponte. Në mesin e atyre që apostrofohen si protagonistë të veprimeve të tilla çnjerëzore dhe të lidhur me krimin e organizuar përmendet edhe ish kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se pretendimi për ta njollosur UÇK-në, kësaj radhe nëpërmjet Hashim Thaçit, është tendencë e turpshme dhe e papranueshme, që synon ta degradojë në aktivitet të ulët e kriminal luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. UÇK-në nuk mund ta njollosë kush përmes Hashim Thaçit, apo cilitdo individ. Pavarësisht faktit që persona të caktuar mund ta kenë keqpërdor luftën fisnike çlirimtare me qëllime të pastra për përfitime personale, kjo nuk mund të përzihet me përpjekjen e popullit tonë për liri, një përpjekje fisnike për të dalë nga prangat e dhunës e për t’i shpëtuar shtypjes e spastrimit etnik.
UÇK-ja i përket sublimimit të luftës dhe sakrificës historike të shqiptarëve për çlirim, 2,500 dëshmorëve të luftës së fundit, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës. Kushdo që mund ta ketë keqpërdorur UÇK-në, nuk mund të fshihet pas UÇK-së.
Në anën tjetër, nëse KE-ja dhe BE-ja dyshojnë në Hashim Thaçin, le të mos e shfrytëzojnë atë vetëm sa për ta njollosur UÇK-në. Dhe në vend që ta trajtojnë atë si partnerin e tyre kryesor strategjik në mbajtjen e stabilitetit në kurriz të popullit të Kosovës, le ta vendosin para drejtësisë. Ne druhemi se këto pretendime të Këshillit të Evropës nuk janë në funksion të drejtësisë, por gjithnjë drejt rritjes së trysnisë ndaj Hashim Thaçit për negociata dhe koncesione të reja me Serbinë për hyrjen e saj sa më të përshpejtuar në BE. Populli i Kosovës nuk ka pse ta paguajë çmimin e makinacioneve të stabilitetit rajonal nëpërmjet figurave politike të lidhura me krimin e organizuar ballkanik. Edhe bastisjet e EULEX-it nëpër ministri dhe shtëpitë luksoze të politikanëve, kurrë nuk u pasuan me drejtësi, por vetëm me presion politik në shkëmbim të dëgjueshmërisë.
Të gjitha këto akuza, të cilat po mbesin vetëm akuza, po bëhen vetëm tash para negociatave me Serbinë. Boris Tadiqi tha se do të bisedojë me Thaçin përderisa nuk janë vërtetuar akuzat e KE-së. Gjithçka po tregon se Tadiqi po ia kthen Hashim Thaçit dashurinë, thuhet në komunikatën për medie të Lëvizjes “Vetëvendosje”. /KI/
Thaçi: Akuzat e Martit kundër Kosovës
Hashim Thaçi, deklaroi se akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti janë të drejtuara kundër Kosovës, kundër luftës së UÇK-së dhe kundër tij personalisht.
Thaçi kërkoi që populli i Kosovës t’i marrë me qetësi këto raporte, ndërsa u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar për zbardhjen e së vërtetës.
Thaçi tha se do t’i ndjekë mjetet legale dhe politike për të hedhur poshtë përmbajtjen e raportit, duke përfunduar se në fund do të triumfojnë drejtësia dhe e vërteta
Xhavit Haliti: Mohojmë akuzat, mbështesim hetimin
Hetuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty ka lëshuar sot një raport që është jashtëzakonisht kritikues ndaj lidershipit të Republikës së Kosovës dhe përfshinë akuza për veprimtari kriminale të llojit më të tmerrshëm.Në vitet e fundit, ka pasur disa raporte të llojit të këtillë nëpër media lidhur me akuza për aktivitete të tilla. Opinioni publik dhe liderët politikë në Kosovë kanë qëndruar pothuajse njëzëshëm mbi kritikat e këtyre raporteve dhe kanë mohuar të ketë pasur aktivitete të tilla”, thuhet në një letër Komisionit për të drejtat e njeriut të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila edhe është lexuar, njofton me një komunikatë zyrtari i lartë i PDK-së, Xhavit Haliti. Raporti i Këshillit Evropian, megjithatë, është një çështje plotësisht e ndryshme.
Ka qenë një investigim i plotë nga institute kompetente evropiane, shkruan Haliti dhe shton se PDK-ja e merr shumë seriozisht raportin e z. Marty. “Ne mohojmë akuzat dhe pretendimet e paraqitura në raport.
Megjithatë, ne mbështesim Kosovën si shtet evropian dhe e shohim të ardhmen e Kosovës, askund tjetër përveç si anëtare e BE-së. Kjo nënkupton që Kosova duhet të jetë e rrënjosur në sundimin e ligjit. Duhet të jetë një shtet me agjenci kompetente ligjore dhe penale. Për këtë arsye, ne në PDK i bashkohemi Dick Martyt në thirrjen për një hetim kompetent ndërkombëtar mbi pretendimet dhe akuzat e bëra në raportin e Këshillit të Evropës. Ne kërkojmë bashkëpunim të plotë të autoriteteve kosovare në një hetim të tillë. Ne kërkojmë mbështetjen nga BE-ja, SHBA-ja dhe shtetet tjera në këtë përpjekje.
Kërkojmë që, në këtë kohë kritike të zhvillimit të Kosovës si shtet i pavarur, bota të mbajë dhe ndalojë paragjykimin dhe vlerësimin mbi Kosovën dhe udhëheqësit e saj, përderisa një hetim i plotë, i besueshëm dhe i mbështetur ndërkombëtarisht të përfundojë”, thuhet në deklaratën e Xhavit Halitit.
Askush nuk mundët të njollos luftën fisnike të UÇK-
Partia Shqiptare Demokristiane dhe ish kryetari i saj Marjan Dema shprehin indinjatë të thellë lidhur më raportin kontrovers dhe qëllimkeq nga i dërguari i Asamblesë së Përgjithshme të këshillit të Evropës, Dick Marty.
Raporti i cili u publikua këto ditë me akuza dhe shpifje të rënda kundër UÇK-së dhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaqit , është i pa vërtet dhe pa baza faktike. Në këtë raport Dick Marty tregon qartë antipatinë e tij kosovare dhe keqdashjen për popullin shqiptarë në përgjithësi dhe atë kosovarë në veçanti.Ky raport sipas PSHDK-së është vazhdimësi e “pjellës” së deklaratave skandaloze të ish Kryeprokurores së Hagës, mikës së ngushtë të Dick Martyt, zonjës Carla Del Ponte e cila ndonëse për vite të tëra u mundua që të paraqes Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminelë, megjithatë nuk ia arriti.
PSHDK pohon se UÇK-ja dhe prijësit e saj kanë bërë luftë të drejtë, të lavdishme dhe të pastër ku bashkë me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, kanë çliruar popullin e Kosovës nga robëria, maltretimet, burgosjet, vrasjet dhe masakrimet e pushtuesit serbë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, doli në mbrojtje të popullit të saj, në kohën kur makineria serbe tentonte të shfaroste popullin e Kosovës. Askush nuk mundët të njollos luftën fisnike të UÇK-së dhe as të nëpërkëmbë gjakun e shumë të rinjve e të rejave, pleq e fëmijëve të pafajshëm që u vranë për lirinë e këtij vendi”, thuhet në reagimin e PSHDK-së.
Partia Shqiptare Demokristiane si mike aleate e shumë shteteve ndërkombëtare kërkon që të ndaloj shpifjet dhe trillimet e pa argumentuara nga persona të cilët nuk ia dëshirojnë të mirën Kosovës dhe popullit të saj. /KI/
Raporti i Martit pamflet i konstruktuar dhe tendencioze
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me vëmendje ka shqyrtuar Projekt-Rezolutën e Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përgatitur nga raportuesi, Dik Marti. Pas shqyrtimit të gjithanshëm, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës del me këtë:
DEKLARATË
Raportin e përgatitur nga raportuesi Dik Marti, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e konsideron pamflet të konstruktuar dhe tendencioz me qëllime të qarta anti-shqiptare ku në fokus është përbaltja, degradimi e kriminalizimi i luftës çlirimtare të popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Dik Marti që prej kohësh njihet për qëndrimet e tija kundër pavarësisë së Kosovës dhe me paraqitjet e deklarimet e tij të shprehura në raport me Kosovën, ka qenë një zë i artikuluar i regjimit të Milloshevqit në perëndim.
Dik Marti, në raportin e tij të gatuar me thashetheme, me insinuata, me trillime e të pavërteta, i ka dhënë për detyrë vetes që para opinionit ndërkombëtar, ish- udhëheqësit e UÇK-së t’i paraqes edhe si tregtarë të organeve njerëzore.
Të gjitha këto akuza për ne nuk janë ta pa njohura, ngase që herët i ka lansuar politika zyrtare e Beogradit që nga koha e regjimit kriminal të Millosheviqit, që qe munduar ta njolloste luftën tonë për liri.
Mirëpo, për ne është e habitshme që një qytetar i një vendi të lirë e demokratik të bie pre e qarqeve shoviniste serbe, të cilat siç dihet, bën gjenocid të organizuar në Bosnjë e Hercegovinë, në Kroaci e në Kosovë.
Dik Marti me raportin e tij në mënyrë të paskrupull mundohet që të barazoj xhelatin me viktimën, mirëpo një gjë të tillë jemi më së të bindur që nuk do e arrij, ngase dihet se populli shqiptar, UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj bënë luftë çlirimtare përse gjeten edhe përkrahjen e faktorin relevant ndërkombëtarë.
Për akuzuat e Dik Martit, për të ashtuquajturën shtëpia e verdh, janë bërë hetime nga hetuesit e UNMIK-ut dhe të Tribunalit të Hagës, dhe në të dy rastet, në mungesë provash, ato janë ndërpre. Andaj, kokëfortësinë e Dik Martit për të vazhduar misionin e tij antishqiptar, duhet kuptuar si një qëllim të keq ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj, ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kombit Shqiptar në tërësi. Një raport i mbushur me shpifje e gënjeshtra, të cilat janë riciklim i propagandës së vazhdueshme të qarqeve të caktuara që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe që tenton të njollos të gjithë shqiptarët në rajon, nuk mund të jetë tjetër veçse edhe një dështim i radhës. Mirëpo, si të tillë, institucionet tona duhet ti qasen me plot seriozitet e përgjegjësi, ngase, përpos efektit propagandistik, s’ka dyshim se tenton të dëmtoj kredibilitetin e Kosovës dhe të lidershpit të saj në arenën ndërkombëtar. Andaj, Kryesia e BIK kërkon nga të gjitha institucione e vendit që në bashkëpunim me ekspert të fushave përkatëse, sa më parë në mënyrë profesionale e të argumentuar para opinionit kombëtarë e ndërkombëtar të hidhen poshtë akuzat e Dik Martit, dhe në asnjë mënyrë mos të lejojnë tentativat të tilla me qëllim degradimin e luftës çlirimtare të popullit tonë.
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava
Bartësit e aktiviteteve kriminale enden lirshëm në Serbi
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur i Republikës së Kosovës, ka reaguar ndaj raportit të Dik Martit dhe shprehet se është tej mase i indinjuar me këtë raport, i cili u paraqit dhe u aprovua në Komitetin për Çështje Ligjore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Paris më 16 dhjetor. Ky komision raportin e vlerëson si tendencioz dhe denigrues si dhe të nxitur nga qarqe të caktuara dhe me ndikime nga propaganda nacionaliste serbe dhe më gjerë.
“E kuptojmë së çdo individ mund të ketë mendime të pavarura, por kur përfaqëson institucione me karakter vlerësues çdo kush duhet të lirohet nga konceptet dhe mendimet individuale që mund të ndikojnë në përmbajtjen e vlerësimit që ai vlerësim të jetë i paanshëm dhe i drejt”, thuhet në reagimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur.Më tutje, ky komision thotë se Marti si moto dhe mbështetje kryesore ka pas librin-pamflet të ish kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish- Jugosllavi, Karla del Ponte.
“Në librin e Del Pontes bëhet një përshkrim i pabazuar pa asnjë argument për luftën e UÇK-së me etiketime për trafikim të organeve njerëzore, ku citohet ’shtëpia e verdhë’ në Shqipëri. Ato përshkrime të pabazuara kanë për qëllim denigrimin, etiketimin për gjëja “keqpërdorimin e UÇK-së, luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, si dhe inkriminim e një shteti të pavarur – Shqipërisë”, i cili shtet i hapi dyert për të shpëtuar popullin shqiptar nga terrori dhe ndjekjen që bëri policia dhe ushtria serbe”.
Në këtë kontekst, Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur i Republikës së Kosovës ka shtruar pyetjen se ku ishte zonja Del Ponte kur kishte detyrën e kryeprokurores dhe pse nuk ndërmori ndonjë hap për të ndriçuar këto ndryshime, por gjeti formën përmes një libri anal të denigrojë, të etiketojë një popull, një ushtri çlirimtare që iu imponua dhe u detyrua të mbrojë qenien e vet.
“Në librin e Del Pontes, përmenden masakrat, përmenden të zhdukurit, por harrohet se kush mban përgjegjësi për masakra dhe për zhdukjet që bënë ushtria dhe policia serbe, si dhe forcat paramilitare serbe që vepronin me bekimin e institucioneve serbe”.
Më tutje, sqarohet se edhe pse në raport përmenden personat e zhdukur, të cilët janë 1823 persona, që aktualisht nuk dihet së paku për eshtrat e tyre, nuk kërkohen rrugët që zgjedhin çështjen e ndriçimit të fatit të tyre.
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur i Republikës së Kosovës thotë se nuk pretendon që krimet të fshihen, por kërkon që të ndriçohen masakrat si Reçaku, Meja, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël, Kralani, Qyshku, Rrezalla, Shavarinat e Qirezit, Studime, Lubeniqi, e të tjera, ku me dhjetëra e qindra civilë të pambrojtur janë masakruar dhe trupat e tyre janë bartur në varrezat masive anekënd Serbisë, për t’u fshehur dhe për t’u zhdukur gjurmët e krimeve.
“Bartësit e aktiviteteve kriminale kanë qenë strukturat institucionale të organizuara në pushtet, ushtri dhe polici. Shumë kriminel lirshëm enden në Serbi, mbase edhe ushtrojnë funksione ne hierarkinë shtetërore dhe çmohen si heronj të popullit. Z. Marti ka pasur mundësinë që të pyes, se a kemi shënime për bartësit e aktiviteteve kriminale, se a kemi dosje, ku janë dëshmitarët të cilët i kanë para me sytë e vet duke u masakruar civilë të paarmatosur, duke iu masakruar të afërmit e tyre”, ka theksuar Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur-Zhdukur.
Ky institucion thotë se Marti gjen kohë të etiketojë, të akuzojë, luftëtarët që u detyruan t’i rrokin armët për ta mbrojtur popullin e vet, për të mbrojtur shtëpitë e veta, për ta mbrojtur Kosovën që u gjakos nga nacionalfashizmi serb, ndërsa nuk pyet se kush e mban dhe ku gjendet krimineli Mladiç, i cili para syve të ndërkombëtarëve urdhëroi masakrimin e mbi 7 mijë personave në Srebenicë, me kriterin e vetëm që të jenë meshkuj.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, me mbështetjen edhe të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur, kërkon dhe pret nga faktori ndërkombëtar dhe nga individë që përfaqësojnë institucionet ndërkombëtare që të bëhet trysni në Beogradin zyrtar që të tregojë se ku gjenden trupat e të masakruarve në Kosovë. Madje t’i kushtëzohet Serbisë çdo hapje për integrim me hapjen e arkivave ushtarake dhe policore, dhe të nxjerrë para organeve të drejtësisë përgjegjësit e krimeve dhe ata të dënohen në vendin ku kanë kryer krimet, që do të ishte një satisfaksion për ata që pësuan dhe pasardhësit e tyre.
Atë që se bëjmë ne shqiptarët e bëjnë serbët!
Përderisa ne shqiptarët, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, nuk ngritëm padi kundër Serbisë për gjenocid dhe krime lufte në Kosovë, tani një gjë të tillë e bëjnë serbët kundër ne shqiptarëve, edhe përmes lobit të tyre shumë të fuqishëm në Zvicër, fillimisht përmes librit të ish Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Zonjës Karla Del Ponte, dhe tani edhe përmes Raportit të Zotit Dik Marti në Këshillin e Evropës.
Publikisht kemi deklaruar se, Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) ka arritur që të fusë në dorë një hartë origjinale të një varreze masive me shqiptarë të vrarë gjatë luftës së Kosovës dhe se në këtë varrezë, vendndodhjen e së cilës edhe e kemi zbuluar, janë të varrosur mbi 150 shqiptarë të Kosovës.
Gjithashtu kemi deklaruar se FDBK e ka mundësinë që, përmes atyre djemve e vashave shqiptare të ish Sigurimit Kombëtar Shqiptar (SKSH) të ish FBKSH-së, të cilët na e kanë dhënë këtë hartë origjinale, të sigurojë edhe 9 (nëntë) harta të tjera origjinale. Përmes kësaj deklarate publike, të publikuar në korrik 2010, kemi pritur edhe përkrahjen financiare të Qeverisë së Prishtinës dhe pse jo edhe të Qeverisë së Tiranës, si dhe edhe të biznesmenëve shqiptarë, gjë kjo që jo vetëm që nuk ndodhi por përkundrazi…
Konsiderojmë se, edhe tani nuk jemi vonë që ta realizojmë këtë projekt kombëtar dhe botë demokratike t’i tregojmë se kush ka qenë xhelati dhe kush ka qenë viktima, si dhe të kërkojmë që të mos barazohet xhelati me viktimën.
Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) konsideron që, përderisa kundër Zotit Hashim Thaçi dhe grupit të tij shumë shpejt do të fillojnë hetimet nga ndërkombëtarët, jo vetëm që nuk duhet të jetë Kryeministër i Republikës së Kosovës, por do të duhet që ai dhe të tjerët si ai, që akuzohen, të mos jenë as deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në situatat e krijuara në Republikën e Kosovës, FDBK gjithashtu konsideron që, në Republikën e Kosovës duhet të krijohet vetëm një Qeveri Teknike, e cila do të duhej të përgatisë gjithë infrastrukturën ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike, zgjedhje këto që do të duhej të mbaheshin më së voni gjatë nëntorit të vitit të ardhshëm. /KI/
Dëshmitari:Më ofruan para që të deklarohem rrejshëm
Radio Televizioni i Kosovës sjell rrëfimin ekskluziv të dëshmitarit të cilit i ishin ofruar shuma të mëdha parash në këmbim të deklaratës për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. E dëgjuar vetëm në prokurori, dëshmia e tij sjell detaje të takimeve me Igor Jucinacin, i dyshuar dhe i arrestuar në qershor të 2009-tës, dhe i liruar në shkurt të këtij viti nga një gjyqtar ndërkombëtar.
Një dëshmitar ka thënë për RTK se Igor Juçinac, i ka ofruar shuma të mëdha të parave që të deklarojë rrejshëm ndaj rastit “shtëpia e verdhë”, të cilën ofertë nuk e ka pranuar dhe se e ka paraqitur në polici. Dëshmitari ka thënë se dëshmia e tij kurrë nuk është marrë parasysh nga prokuroria.
Policia e Kosovës kishte arrestuar vitin e kaluar Igor Juçinac dhe dy serbë tjerë, nën dyshimin se kanë kryer vepra kriminale, duke ofruar shuma të mëdha parash, më shumë se 100 mijë euro për të gjithë ata që bëhen dëshmitarë të aferës rreth marrjes dhe trafikimit të organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Por të arrestuarit, janë liruar gjatë vitit 2010 nga një gjykatës ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme në akuzën ndaj të dyshuarve.
Dëshmitari i RTK-së deklaroi se në takim Igori i ka thënë se ”kanë të bëjnë me një biznes që do të përfitojnë shumë, dhe e ka pyetur se për çfarë biznesi bëhet fjalë, Igori i është përgjigjur se vinë disa persona nga Beogradi, që të kërkojnë një deklaratë nga ai, dhe duhet të thotë atë që të thonë ata, pamarre parasysh nëse di diçka apo nuk di, dhe i ka përmendur “shtëpinë e verdhë”, të cilën fjalë thotë se e ka dëgjua për herë të parë nga ai” .
Dëshmitari pohoi se së pari i ka ofruar 30 mijë euro për deklaratën e rrejshme, herën e dytë 70 mijë dhe herën e tretë 100 mijë euro, të cilat para nuk i ka pranuar.
Dëshmitari i RTK-së dhe disa dëshmitarë të tjerë, nga të cilët u munduan të blejnë deklarata të rrejshme, nuk u morën kurrë parasysh nga prokurorët dhe gjykatësit që u morën më lëndën e serbëve të akuzuar për këtë krim. (RTK).
OJQ-të kosovare kundër Dick Marty
Edhe organizatat joqeveritare në vend kanë reaguar ndaj raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, duke pohuar se është i ndërtuar në hamendje, paragjykime dhe në të pavërteta, që kanë për qëllim degradimin e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare, si dhe të ndikojnë në rrjedhat politike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Përmes një deklarate për media 200 organizata joqeveritare, me rreth 2000 anëtar të bashkuara në ‘koalicionin për demokraci’ i kanë bërë thirrje çdo instance vendore dhe ndërkombëtare që ndaj rastit në fjalë të zhvillohen hetime të menjëhershme dhe të pavarura.Shoqëria civile thuhet se mbetet e përkushtuar në mbrojtje të se vërtetës, pavarësisht cila është ajo.
Kjo deklaratë u tha se do t’i dërgohet edhe Këshillit të Evropës.
Raporti i Martyt me përmbajtje raciste dhe antishqiptare
Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar të martën se akuzat për trafikim të organeve njerëzore, me trafikim të drogës dhe me kontrabandim të armëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë të pabaza dhe të padëshmuara, kurse vetë raporti është politikisht i njëanshëm, tendencioz, qëllimkeq dhe me përmbajtje tmerrësisht raciste dhe antishqiptare.
Në një shkrim të publikuar të martën Krasniqi thotë se ky raport është vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, zonjës Del Ponte, në librin e saj, për të cilat hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për t’i vërtetuar këto akuza, njofton Zyra e presidencës.
Ai thotë se ky raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara antishqiptare për ta barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviçit. Sipas tij, tentativat për t’i ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës.
”Populli i Kosovës dhe luftëtarët e tij janë ndier tepër të fyer dhe të indinjuar nga spektaklet e ulëta, të luajtura turpshëm, kësaj radhe jo në librushka të zonjës Ponte, por në foltoren e një institucioni të lartë dhe shumë të nderuar evropian, në Këshillin e Evropës. Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zoti Dick Marty, një njeri me ndjenja të pakontrolluara urrejtjeje ndaj Kosovës së lirë dhe pavarësisë së saj, që na asocionon në disa qarqe të pakta antikosovare në botë, po luan një dramë të rrezikshme dhe të pandershme mbi kurrizin e një populli liridashës, paqësor dhe të shumëvuajtur. Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka bërë luftëra pushtuese, asnjëherë nuk i ka rënë në qafë kujt. Popullsia serbe, gjithmonë ka qenë komunitet pakicë në Kosovë, por kurrë nuk është dëmtuar nga shumica shqiptare dhe aq më pak nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka kontrolluar gjatë luftës territore të tëra me popullsi serbe, por civilët nuk kanë pësuar asnjë dëm të vetëm. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do t’i bënte kurrë veprimet që i përshkruhen në raport, sepse ishte betuar në pastërtinë e luftës së saj çlirimtare, sepse lufta e saj kishte për qëllim idealet e popullit që e lindi, çlirimin e Kosovës, vendosjen e paqes, ndërtimin e rendit demokratik dhe jo ambiciet profitere, sepse ajo respektonte ligjet humane të luftës, sepse mishëronte traditën dhe kulturën e popullit të vet që nga antika, sepse ashtu do ta dënonte veten e saj dhe aspiratat që i përfaqësonte. Së fundi duhet thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës as mund t’i kishte kushtet teknike për ta realizuar një veprim të tillë të shëmtuar. Në emër të drejtësisë së luftës së shenjtë të Kosovës, të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të institucioneve dhe të qytetarëve që përfaqësoj, në emër të së drejtës dhe të së vërtetës, them me bindje dhe përgjegjësi se pandehmat e zotit Dick Marty, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Raportin e tij të fabrikuar pa asnjë fakt, kurrë nuk do të mund të argumentohen, sepse nuk janë të vërteta. Njerëzit që apostrofohen në raportin famoz dhe denigrues, të zotit Dick Marty, janë në krye të shtetit modern dhe demokratik të Kosovës, i cili komuniteteve pakicë, duke e përfshirë në radhë të parë komunitetin serb, u ka siguruar me Kushtetutë, me ligj dhe në praktikë mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive civile dhe njerëzore, demokratike e kombëtare, përtej standardeve më të avancuara ndërkombëtare”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Kosova, deri në qershorin e vitit 1999, ka kërkuar nga vendet e Demokracisë Perëndimore ta shpëtonin nga politika shfarosëse serbe e Milosheviçit, e cila asnjëherë nuk u dënua nga Dick Marty, përkundrazi u mbështet, kurse tani është e detyruar të kërkojë ta mbrojnë nga njeriu i veshur me petkun e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Duhen fakte për të dhënat në raportin e Martit
Ish Ministri i Integrimit Europian, Besim Beqaj në deklaratë për Televizionit e Zvicrës, TSR ka deklaruar se akuzat e raportuesit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dik Marti janë akuza të pavërteta dhe se janë të orkestruara nga Serbia.“Është shume e pikëllueshme te dëgjosh se një diplomat i larte si Z. Marty lanson ne emër të një institucioni zyrtare këso lloj akuzash te pavërteta. Ne jemi shume te vetëdijshëm se këto thashetheme janë te orkestruara nga Serbia. Nuk janë fakte nëse dikush pohon se ka dëgjuar diçka. Faktet duhen të përmbajnë elemente konkrete. Nganjëherë në politikë zgjedhja e momentit për të lansuar një atak është shume e rëndësishme, kurse për neve ky moment është krucial për shkak se Kosova është në proces të krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve të porsa përfunduara. Ky raport është planifikuar pikërisht ne kohen e zgjedhjeve për ta prishur imazhin e Kosovës. Në mirëpresim çfarëdo lloj hetimesh me një kusht që ato të jene të mbështetura në fakte, kurse ata qe ofrojnë pretendime te rrejshme duhet të përgjigjen përpara ligjit “, ka thënë ministri Beqaj. /KI/
AKB-ja do të dërgojë një notë proteste në Ambasadën zvicerane
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, gjatë një konference të mërkurën, ka thënë se akuzat e Martit janë një mesazh të keq për investitorët, duke i frikuar ata që mos të vijnë të investojnë në Kosovë.
Ai ka theksuar se raporti i Martit, ka fyer gjithë kombin shqiptar, NATO-n dhe botën demokratike që ishin në mbështetje të luftës sonë çlirimtare dhe pavarësisë së Kosovës.
I pyetur nga mediat se AKB-ja a ka pas kontakte me organizatat biznesore nëpër vende të ndryshme për të sqaruar këtë situatë, Shahini ka thënë se janë zhvilluar biseda me disa vende për të sqaruar këtë situatë.
Shahini ka theksuar se AKB-ja do të dërgojë edhe një notë proteste në Ambasadën zvicerane.
Krasniqi, letër institucioneve evropiane për raportin e Martit
Ish Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi u është drejtuar me një letër vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, udhëheqësve të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera evropiane, si dhe udhëheqësve të shteteve dhe të parlamenteve të shteteve të tjera, pas publikimit ditë më parë të raportit të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Në letër thuhet:Kam konstatuar me shqetësim të veçantë raportin e Raportuesit të Këshillit të Evropës në lidhje me të ashtuquajturin trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikimin ilegal të organeve në Kosovë. Menjëherë kam shprehur indinjatën e thellë për këtë raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare.
Siç jeni në dijeni, akuza të tilla janë hetuar nga prokuroria e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cila më pas i ka mbyllur këto hetime për shkak të mungesës së provave të bazuara. Ky raport bazohet tek deklaratat e papërgjegjshme të ish-Kryeprokurores Carla Del Ponte, të cilat nuk janë gjë tjetër veç një inkurajim i ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për të revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë, si dhe për të justifikuar dështimin e saj si prokurore, duke mos vënë para drejtësisë kriminelët e njohur të luftërave në ish-Jugosllavi.
Ky raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të ngatërruar viktimat me fajtorin dhe për të relativizuar persekutimin dhe vuajtjet e popullit të Kosovës nën regjimin e Sllobodan Miloshevicit. Nga ana tjetër, ky raport është një përpjekje për të hedhur baltë mbi mbështetjen që forcat demokratike perëndimore i dhanë popullit të Kosovës duke mënjanuar pasojat e gjenocidit dhe pastrimit etnik. Akuzat makabre të këtij raporti kanë për qëllim të pengojë njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, si dhe të dobësojnë pozitat e qeverisë së Republikës së Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë. Ky raport qëllimisht trillon fakte dhe ngatërron periudha të ndryshme kohore vetëm e vetëm për të satanizuar luftën e drejtë të popullit tim për liri dhe të drejta njerëzore.
Me përgjegjësi të plotë, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Ushtrues i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ju garantoj për pastërtinë e luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga fillimi i luftimeve dhe deri në mbarim të tyre, me hyrjen në Kosovë të forcave të NATO-s. Në këtë kuadër, garantoj se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në dispozicion të plotë të çdo hetimi vendor apo ndërkombëtar, në mënyrë që akuza të tilla të mbyllen njëherë e përgjithmonë.
Kam bindjen e plotë se denoncimi dhe përgënjeshtrimi i këtyre shpifjeve absurde dhe të padenja do t’i kontribuojë pajtimit midis popujve të rajonit tonë dhe shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie.
Duke ju shprehur edhe njëherë mirënjohjen time dhe të popullit të Republikës së Kosovës për ndihmën tuaj të çmuar dhe të gjithanshme, mirëpres mbështetjen tuaj për të mos lejuar adoptimin e këtij raporti si dokument zyrtar të Këshillit të Evropës, me qëllim të mbrojtjes së kauzave tona të përbashkëta për liri, të drejta njerëzore, paqe dhe stabilitet.
Analistët: Raporti i z. Marti nuk do të ndikojë në bisedime
Analisti Shkelzen Maliqi dhe drejtori i KIPRED Krenar Gashi pohuan se raporti i z. Marti nuk do të ndikojë në bisedime pasi ai është spekulativ, ndërsa analisti serb Nenad Radosavleviç, u shpreh skeptik nëse bisedimet e paralajmëruara do të mund të sjellin diçka të mirë për serbët e Kosovës. Këto komente ata i bënë, të premten, në një debat publik me titullin ”Deri në cilën masë do të ndikojë raporti i Dik Martit në dialogun e ardhshëm të Beogradit dhe Prishtinës”, në Qendrën Mediale në Çagllavic.Analisti Maliqi, tha se krejt kjo është propagandë serbe që ka për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së.
Ndërsa, Krenar Gashi drejtor i KIPRED, tha se raporti i Dik Martit nuk e dëmton pozicionin e Kosovës në bisedat me Beogradin, pasi ato janë përmbledhje akuzash që po dëgjohen tash e dhjetë vite. Megjithatë, Gashi tha se raporti e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, sidomos te miqtë e Kosovës në BE.
Në anën tjetër, analisti serb Nenad Radosavleviç, u shpreh skeptik nëse bisedimet e paralajmëruara do të mund të sjellin diçka të mirë për serbët e Kosovës. Ish këshilltari i PSSP-së, kritikoi deklarimet e zv-amabsadorit amerikan në Kosovë, Majk Marfi se raporti i Martit nuk do të ndikojë në raportet Kosovë-SHBA.
“Nuk pajtohem me pohimet e Majkell Marfit se ky raport nuk i dëmton marëdhëniet Kosovë SHBA. Dik Marti nuk është njeri i thjeshtë, ai megjithatë është raportues special i KE-së”, ka thënë Radosavleviç.
Ndërkaq, Zhivojin Rakoçeviq, gazetar dhe analist politik u shpreh i dëshpëruar pse analistët shqiptarë dhe mediat po e mbrojnë, apriori, Kryeministrin Thaçi nga akuzat. /KI/
Hoxha demanton Thaçin, nuk e ftuam Dick Martyn
Ylli Hoxha, ish drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, ka thënë se është e paqëndrueshme deklarata e kryeministrit në largim, HashimThaçi, se Dick Marty është i ftuar nga ky klub për ta prezantuar raportin e tij në Kosovë.“Absolutisht është e pavërtetë. Ne jemi të befasuar me këtë deklaratë të kryeministrit, e cila nuk qëndron” ka thënë Hoxha. “Klubi nuk i ka bërë ndonjë ftesë Martyt që të vijë në Kosovë”.
Prokuroria e shtetit për rastin Dick Marty
Prokuroria e Shtetit ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese dhe ligjore ndjekjen e kryesve të veprave penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare. Në kuadër të saj është themeluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kompetente për të ndjekur edhe kryesit e veprave penale të krimeve të luftës. Kjo prokurori udhëhiqet nga një prokuror i Eulex-it, ndërsa përbëhet nga prokuror vendës dhe prokuror ndërkombëtar, kryesisht nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokurorët e kësaj prokurorie janë të përzgjedhur nga vendet me sistemet më të mira dhe më kredibile prokuroriale dhe të dyshohet në paanshmërinë, kapacitet dhe profesionalizmin e tyre për të zgjidhur edhe rastet e krimeve të luftës, duke përfshirë edhe rastin lidhur me pohimet në Raportin e Dik Martit është në radhë të parë fyerje për prokuroritë e atyre shteteve.
Prokuroria e Shtetit shpreh kundërshtimin kundër krijimit të opinionit publik për të prezumuar fajësinë e kujtdoqoftë dhe vlerëson se ky është ndikim në organet e drejtësisë dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Mund dhe duhet të prezumohet vetëm pafajësia.Tribunali Hagës, i themeluar për të gjykuar krimet e luftës në ish Jugosllavi, në praktikën e deritashme, ka liruar persona të akuzuar për këto krime dhe asnjë prokuror dhe as ish prokurorët që kanë vepruar pranë këtij tribunali nuk kanë të drejtë që mossukseset e tyre për t’i dëshmuar akuzat e ngritura, t`ia atribuojnë vendimeve të gjykatave. Aq më parë ata nuk kanë të drejtë të prejudikojnë se sistemet gjyqësore vendëse nuk kanë gatishmëri, kompetencë, profesionalizëm dhe se nuk janë të paanshme për të gjykuar krimet e luftës. Pohimet e këtilla të ish Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës janë në kundërshtim me çdo etikë prokuroriale.
Prokuroria e Shtetit përkujton se, prokurorët e Tribunalit të Hagës në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, me ekspertët e tribunalit dhe me ata shqiptarë, kanë zhvilluar një hetim që ka rezultuar me mosgjetjen e provave për pohimet lidhur me trafikimin me organe njerëzore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Prokuroria e Shtetit, gjithashtu përkujton se vetëm prokuroritë, si organe kompetente të një shteti apo ato të themeluara për të vepruar pran tribunaleve apo gjykatave janë kompetente për të akuzuar një person për kryerjen e një shkeljeje penale dhe se këtë kompetencë nuk e ka askush tjetër. Hetimet e raportuesve të parlamenteve, Prokuroria e Shtetit i vlerëson si informata që duhet dërguar organeve kompetente për ndjekje penale.
Prokuroria e Shtetit kërkon nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që të gjitha materialet e siguruara nga deputeti i saj Dik Marti t`ia dërgojë në kompetencë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria e Shtetit siguron Asamblenë se pohimet nga Raporti i raportuesit të saj, do të vlerësohen si informata shumë serioze, të mbledhura nga një parlamentar i saj dhe se do të bashkëpunoj ngushtë me të gjithë faktorët relevant për hetimin e drejtë dhe të paanshëm të informatave dhe të të gjitha pohimeve të prezantuara në raport. /KI/
Hashim Thaqi: Do ta padis Dik Martit.
BE, e hapur të hetojë Thaçin
Hashim Thaqi
BE është shprehur e hapur të hetojë akuzat e Dik Marti ndaj Hashim Thaçit, duke votuar në mënyrë unanime draftrezolutën mbi raportin që vë në qendër të akuzave kryeministrin kosovar.
Diskutimet mbi raportin u mbajtën në Paris dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura.
Zëdhënësja e BE-së tha se blloku është në dijeni të raportit që akuzon kryeministrin kosovar për trafik organesh.
Sipas Kocijancic, nëse Marti ka akuza konkrete duhet t’i dorëzojë në autoritetet përkatëse.
Raporti pretendon se të burgosur serbë janë vrarë nga UÇK dhe heqja e organeve është bërë në një zonë pranë Fushë Krujës. TCH.KI
Thaçi përgatit padi ndaj Martyt për shpifje
Ish Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi është duke planifikuar ta padis të dërguarin e posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili në raportin e tij ka shkruar se të burgosur civilë janë vrarë pasi u janë marrë veshkat e tyre nga ish-UÇK-së.
Lajmin për përgatitjen e padisë e ka konfirmuar për agjencinë e Associated Press një zyrtar i lartë i Kosovës, të enjten, duke dashur të mbetet të mos identifikohet për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Sipas këtij zyrtari, Thaçi ka kontaktuar avokatët për të ndjekur me padi për shpifje Martyn.
Raporti i Marty tronditi Kosovën sipas të cilit të paraburgosurve civilë të UÇK-së u janë shitur organet e tyre në tregun e zi dhe dokumenti sugjeron se Thaçi ishte dikur “boss”-i një i krimit dhe qëndronte pas tregtisë së frikshme.
Thaçi ishte kreu politik i UÇK-së e cila luftoi në vitet 1998-1999 për pavarësi nga Serbia. Partia e tij fitoi zgjedhjet në Kosovë, të parat që nga koha kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Thaçi deri më tash nuk është paraqitur në publik, për ta komentuar raportin.
Hetuesi i BE-së pretendon se organet u hoqën të zënëve rob në Shqipërinë e veriut. Por, misioni i BE-së në Kosovë, EULEX bëri thirrje të mërkurën që të dilet me prova konkrete për këtë rast. (Telegrafi)
Akuzat e Martit, motive politike
Ish Kryeministri i Kosovës ne doreheqje, Hashim Thaci ka reaguar sërish ndaj akuzave të raportuesit Dick Marty, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Thaci është shprehur se akuzat në fjalë kanë si qëllim dëmtimin e procesit të shtetformimit të Kosovës.
“Qëllimet e këtij raporti janë dëmtimi i imazhit të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, ngadalësimi i njohjeve të pavarësisë, pengimi i rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe dëmtimi i procesit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit”, ka deklaruar Thaci.
Ai ka paralajmëruar raportuesin e KiE se do ta padisë për shpifjet që ka publikuar në dëm të tij dhe gjithë Kosovës.
“Marty të përgatitet të gjejë avokatë të mirë për t’i shpëtuar poshtërsive të tij”, ka shtuar Thaci, i cili ka kujtuar se akuza të tilla janë hetuar edhe më parë nga OKB.
Akuzat kundër meja – “propagandë naziste”
Ish Kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi ka thënë se akuzat se është mafioz dhe trafikant me organe njerëzore janë “propagandë naziste”.
Në një intervistë për gazetën londineze The Times, Thaçi ka thënë se në jetën e tij ka pasur tri dëshira. “Dy të parat – çlirimi dhe pavarësia e Kosovës më janë plotësuar. Dëshira e tretë është që shteti të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, dëshirë të cilën njerëzit si Dick Marty, autori i raportit në Këshillin e Evropës, nuk mund të ma ndalojnë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, zvicerani Marty është një “apologjet i rëndom serb”, i cili patjetër do të ballafaqohet me drejtësinë për atë që ka bërë.
“Ndoshta Marty është shtetas i një vendi neutral, por nuk besoj se drejtësia do të jetë neutrale ndaj tij”, ka thënë Thaçi në intervistën për The Times.(The Times)
Situatë e komplikuar për Thaçin
Ish Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Ulrike Lunacek ka thënë të martën se situata është bërë më e komplikuar për kryeministrin Hashim Thaçi, tash pas publikimit të raportit të Dick Martyt, por, sipas saj, i mbetet vetë Thaçit të merr vendime.
Në një deklaratë për Radio Dukagjinin ajo ka thënë se Dick Marty duhet që ato fakte, të cilat i përmend, t’ia dërgojë EULEX-it. Ajo pranon se ky raport ka gjasa të ndikojë në imazhin e Kosovës.
Luancek ka bërë thirrje që ky raport mos të ketë ndikim tek procesi i liberalizimit të vizave, duke pohuar se ky proces është teknik dhe do të angazhohet që të mbetet i tillë.
“Do të ishte shumë gabim nëse që në çfarëdo mënyre të ndëshkohej populli i Kosovës vetëm e vetëm për dyshime të supozuara për veprime të politikanëve. Dhe po e potencoj që janë vetëm dyshime dhe të tilla do të mbesin derisa të mos vërtetohen”, ka thënë Lunacek për Radio Dukagjinin.
Eurodeputetja austriake po ashtu ka bërë ftesë që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm i votës gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
Thaçi kërkon hetim të pavarur mbi akuzat e Martit
Hashim Thaqi
Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ai dëshiron një hetim të pavarur për “të larguar mjegullën” rreth akuzave se ai ka udhëhequr një bandë që ka vrarë të burgosurit dhe ka shitur veshkat e tyre.
“Është një mjegull dhe unë duhet dhe unë do të punoj ta largoj atë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se akuzat kanë për qëllim që të minojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.
Thaçi ka dosje të bashkëpunëtorëve të Martit
Ish Kryeministri në largim Hashim Thaçi tha se ka dëshmitarë dhe fakte që tregojnë për mënyrën se si është hartuar raporti i Dick Martyt, e të cilat janë të përmbledhura në një shtojcë të tij.
Ai paralajmëroi se dosja do të publikohet se shpejti dhe do të jenë më shokues se raporti i zviceranit. Edhe pse nuk tha se kur do ta bëjë publik këtë dokument, ai tha kur kjo të ndodhë, në të do të figurojnë emrat e njerëzve nga disa subjekte politike kosovare që kanë bashkëpunuar më të.Pa lakuar asnjë emër, Thaçi tha se këta individ do të skuqen nga ky publikim, ndërsa theksoi se janë po ata që ndihmuan përpilimin e raportit të David Philips.
Në një intervistë për emisionin “Opinion“ në TV Klan, të enjten mbrëma, Thaçi tha se zvicerani Marty, vazhdimisht ka qenë një anti-shqiptar dhe pretendimet e tij janë hetuar tre herë nga Tribunali i Hagës, UNIMK-u dhe e EULEX-i, por që nuk është gjetur gjë. Ai tha se për këto raporte, është takuar me hetues të të Tribunalit të Hagës në vitin 2004, nga të cilët është intervistuar, por se nuk është pyetur për trafikimin e organeve.
Nëse, Marty, mendon se duke pas imunitet mund t’i ikë dënimit nga padia, Thaçi ka thënë se do ta pres raportuesin zviceran, derisa ai nuk do të ketë mundësi të fshihet pas imunitetit që ia jep fakti i të qenurit anëtar i Këshillit të Evropës.
Kryeministri në largim tha se raporti kishte për qellim ta godiste gjatë fushatës zgjedhore, por gazeta The Gardian nuk e publikoi atë.
Misionët ndë rkombëtare në Kosovë reagojnë për raportin e Dik Martit
EULEX-i kërkon ‘prova të forta’ për trafikimin e organeve
Policia e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se kërkon “fakte të forta” për pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit, civilët e burgosur nga UÇK-ja janë vrarë në Shqipëri, ndërsa veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi.
Marti gjithashtu ka sugjeruar se Thaçi një kohë ka qenë ‘bosi’ i nëntokës kriminale në Kosovë.Zëdhënësja e policisë së EULEX-it, Karim Limdal, tha se “prokuroria i bazon hetimet dhe aktakuzën mbi fakte dhe prova të forta”.
Limdal ka thënë se hetimet e Bashkimit Evropian mbi pretendimet se është bërë trafikim i organeve në veri të Shqipërisë, nuk kanë rezultuar me asnjë provë, transmetoi AP.
Po sot, Maja Kocijançiq zëdhënëse e kryediplomates së BE-së, Ketrin Eshton, tha se Brukseli i merr akuzat seriozisht, por e ftoi z. Marti që të dalë me prova.
EULEX-i s’ka gjetur dëshmi për “Shtëpinë e Verdhë”
Hetuesit e EULEX-it nuk kanë gjetur të dhëna se në atë lokacion (Shtëpia e Verdhë) ka pasur operime me organe njerëzore, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e misionit të BE-së në Kosovë, Kristina Herodes
RADIO EVROPA E LIRË
Raporti i fundit i raportuesit për Këshillin e Evropës, Dik Marti, i cili u prezantua sot në Paris, akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, për udhëheqjen e një mafie që, sipas raportit, është e përfshirë në trafikimin e drogës, organeve njerëzore dhe armëve. A ka EULEX-i informata që mund t’i mbështesin këto akuza?
KRISTINA HERODES
Ne jemi duke shikuar raportin në hollësi dhe nuk duam të bëjmë ndonjë ndërlidhje me askënd. Nëse dikush ka dëshmi konkrete që do t’i mbështesnin akuzat e përmendura në raport, duhet t’iu drejtohet autoriteteve adekuate.
RADIO EVROPA E LIRË
Raporti përmend edhe rastin e Medicus-it. A ka ndonjë ndërlidhje të akuzave ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rastin Medicus?
KRISTINA HERODES
Seanca e konfirmimit për rastin e ashtuquajtur “Medicus” nisi të martën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Gjatë seancës, prokuroria lexoi akuzat dhe faktet e padisë. Pesë nga të pandehurit u deklaruan të pafajshëm; dy të tjerët heshtën, që, sipas ligjit, nënkupton deklarim i pafajësisë.
Seanca e konfirmimit do të vazhdojë më 6 janar të 2011-ës, për shkak të disa mosmarrëveshjeve ligjore që duhet të zgjidhen brenda kësaj kohe.
Janë shtatë të pandehur, të cilët akuzohen për përfshirjen në një rrjet të trafikimit me njerëz, duke rekrutuar, transportuar dhe shfrytëzuar njerëz për zhvendosjen dhe transportimin e pjesëve të trupit; pastaj për keqpërdorim të detyrës nga zyrtarë të lartë, veprime të paligjshme mjekësore dhe procedura të tjera mjekësore, përfshirë zhvendosjen e organeve njerëzore dhe transportimin e tyre.
Ky rast filloi në vitin 2008 dhe në fillim hetohej nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Herodes, EULEX-i ka shqyrtuar çështjen e krimeve të luftës me të ashtuquajturën “Shtëpinë e Verdhë”, që përmendet gjithashtu në raport. A ka dëshmi që flasin për krime të bëra në atë kohë në këtë lokacion?
KRISTINA HERODES
Duhet t’i ndajmë dy hetime: njëri ishte kryer nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës dhe nuk ka ndërlidhje me padinë lidhur me rastin ‘Medicus’. Këto raste janë të ndara.
Hetuesit dhe prokurorët për krime të luftës në EULEX kanë hetuar rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë”, por nuk kanë gjetur dëshmi apo të dhëna që do të na bënin të besojmë se në atë lokacion ka pasur transplantim dhe operime me organe njerëzore. Por, nëse kanë ndodhur lloje të tjera të aktiviteteve kriminale në atë shtëpi, nuk kemi të dhëna për momentin.
RADIO EVROPA E LIRË
Raporti flet gjithashtu për trafikimin me drogë dhe armë. Zyrtarë të lartë të EULEX-it kanë theksuar, ditë më parë, se hetimet lidhur me këtë janë duke vazhduar dhe së shpejti do të ketë rezultate. Kur mund të priten rezultatet?
KRISTINA HERODES
Ka shumë raste lidhur me krimet e luftës që janë duke vazhduar. Është për shembull një rast që ndërlidhet me Shqipërinë e veriut dhe objektet e UÇK-së atje. Është në pritje të gjykimit kryesor dhe ndërlidhet me dy persona që akuzohen të jenë të përfshirë në dy incidente, të cilat kanë ndodhur në objektet e Kuksit dhe të Koha-s në Shqipëri.
Rasti ndërlidhet me keqtrajtimet eventuale të personave që janë mbajtur në objektet e UÇK-së në veri të Shqipërisë, gjatë konfliktit të 1999-ës. Mirëpo, as ky rast, deri më sot, nuk ka treguar ndonjë ndërlidhje me rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.(Radio Evropa e Lir)
Raporti i Martit, imazh i keq për Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler ka thënë se raporti i Dik Martit, i cili akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në “trafikim me drogë dhe me organet njerëzore”, i ka shkaktuar imazh të keq Kosovës.“Përderisa nuk ka dëshmi mbi tavolinë, për ne është gjithsecili i pafajshëm. Kështu që, në bashkëpunimin tonë nuk ka ndryshuar asgjë. Më vjen keq për dëmet që u janë bërë njerëzve nga ai raport, pasi nga perceptimi që kemi përfituar nga shtypi ndërkombëtar, raporti nuk i kontribuon imazhit të Kosovës”, ka theksuar Byhler.
Byhler, gjatë një vizite në Skënderaj, ka thënë se të thënat në raportin e Martit janë thashetheme që dihen vite me radhë.
“Dua të them një gjë, se ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, dhe nëse do të kemi dëshmi, ne do t’ua dorëzojmë policisë ato. Mirëpo, derisa nuk ka dëshmi, atëherë vlen pafajshmëria”, theksoi Buhler, duke sqaruar se raporti ose është i vërtetë, ose nuk është, dhe “nëse është i vërtetë, atëherë duhet të ketë dëshmi”.
EULEX-i: Marti t’ia dërgojë provat prokurorëve tanë
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka kërkuar nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti që t’ia dërgojë të gjitha të dhënat prokurorëve të BE-së në Prishtinë.Marti ka hartuar një raport, ku akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në „trafikimin e drogës dhe të organeve njerëzore“, akuza këto të hedhura poshtë nga Thaçi.
“EULEX-i i ka dërguar një letër Martit ku e inkurajon që t’ia ofrojë autoriteteve prokuroriale brenda EULEX-it informacionet ose të dhënat që mund të vënë dritë mbi dyshimet e bëra në raport”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Duhet të paraqitën dëshmi për akuzat në raportin e Martyt
Ish Komandanti i KFOR-it, gjermani Erhad Buhler, ka thënë se Dick Marty, raportuesi i Këshillit të Evropës, duhet të paraqet dëshmi rreth raportit të tij skandaloz për Kosovën, ose në të kundërtëai ka thënë se ato janë shpifje, dhe se individët që akuzohen janë të pa fajshëm.
“Ky raport nuk ka kurrfarë ndikimi në gjendjen në Kosovë, jo vetëm pjesërisht, por mund të them për gjithë territorin e Kosovës. Kosova është e qetë pas zgjedhjeve si kurrë më parë. Sa i përket raportit të Dick Martit unë kam qëndrim dhe kam thënë edhe më herët se duhet të paraqiten dëshmi. Përderisa nuk kemi dëshmi, atëherë të gjitha ato janë shpifje dhe individët të cilët akuzohen janë të pafajshëm deri në atë moment kur nuk kemi dëshmi”, ka theksuar Buhler të martën në një vizitë që i ka bërë Gjimnazit “Loyola” në Prizren.
Por komandanti i KFOR ka përsëritur se ky raport i ka bërë dëm imazhit të Kosovës. “Sigurisht që i ka shkaktuar dëm imazhit të Kosovës, por edhe ne sot këtu e pamë se Kosova është ndryshe. Vërtet duhet të punojmë edhe më tepër që të përmirësojmë imazhin e Kosovës se Kosova nuk është vend i kriminelëve dhe i krimit. Nëse janë bërë krime për këtë duhet të merren institucionet përkatëse. Unë kam besim të plotë se kjo do të ndodh dhe në atë rast duhet të merren vendime të prera dhe të shpejta”, ka theksuar Buhler. Për më tepër Buhler ka thënë se ky raport nuk do të ndikoj në raportet mes Gjermanisë dhe Kosovës.
“Nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në raportin e Gjermanisë dhe Kosovës. Ajo çfarë duhet të pranojmë është se vërtet po dëmtohet imazhi i Kosovës, para së gjithash tek ata që lexojnë gazeta dhe nuk e njohin Kosovën. Mirëpo në aspektin afatgjatë nuk do të thotë asgjë, sepse Kosova ka përjetuar shumëçka tjetër, shumë gjëra më të këqija, pra kjo është e tejkaluar”, ka spikatur Buhler.
Ai ka thënë se gjendje në Kosovë në sferën e sigurisë është stabile dhe se për këtë KFOR po bënë reduktimin e trupave. “Mund të thuhet se vërtet gjendja është stabile dhe për këtë arsye kjo gjendje na mundëson reduktimin e trupave të KFOR-it që jemi duke bërë.
Mirëpo edhe pse gjendja është stabile nuk do të thotë që kjo gjendje është e pakthyeshme dhe për këtë arsye qëndrojmë edhe më tej të gatshëm edhe me forcat mobile. Sinjali është i qartë se situata është e qetë, mund t’i reduktojmë forcat dhe kjo na bënë të jemi të lumtur”, ka shtuar ai.
Reagimet e Institucioneve të Shqipërisë
Topi dënon ashpër raportin e Martit
Ish Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj Projekt-Rezolutës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të përpirluar nga deputeti Dik Marti.
Në një komunikatë për media, Topi ka “dënuar ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete”.
Ai i ka quajtur ato “pandehma të endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.
“Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Topi për të shtua se “akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë”.
Në deklaratën e presidentit Topi thuhet se institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në Projekt-Rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, “i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës”.
“Rruga më e mirë për të mbyllur përfundimisht një kapitull të mbushur me akuza të pabazuara, shpifje dhe dashakeqësi, është që të bashkëpunojmë sërish me organet e specializuara të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës, UNMIKU-u, EULEX-i si dhe prokuroritë e vendeve të ndryshme, sado që kanë hetuar me imtësi në të kaluarën, nuk kanë arritur të gjejnë prova bindëse e të mjaftueshme për të vënë ndokënd para drejtësisë”, ka thënë Topi.
“Duhet patjetër që e vërteta e kulluar të dalë e tëra në dritë ashtu siç ka ndodhur në Kosovën e martirizuar, ku shqiptarët Kosovës kanë ditur të falin, por jo të harrojnë. Kjo në mënyrë që mbi askënd të mos rishfaqen më hijet e dyshimit, si makthe që na rikujtonë periudhën e trazuar të konflikteve dhe genocideve etnike dhe fetare – të cilat rajoni ynë, i projektuar i gjithi drejt botës euro-atlantike, i ka lënë pas një herë e mire”, thuhet në deklaratën e presidentit Topi.
Raporti i Martit, abuziv dhe i pabazuar në fakte
Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, ndaj kryeministrit të Kosovës dhe UÇK-së, janë të pabazuar në fakte.
“Është një raport tërësisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë një abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha.
Deklarata e Berishës është reagim i parë i qeverisë shqiptare në lidhje me raportin e anëtarit të Këshillit të Europës, Dick Marty ku kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi identifikohet si bosi i drogës si dhe trafikant armësh dhe organesh.
E pamundur të silleshin robër lufte dhe të bëheshin transplantime
Fatos Klosi
Fatos Klosi, ish shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, gjatë kohës së cilës i referohet reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se “Shërbimi është i paingranuar në gjëra të tilla”.
“Këtë e them me përgjegjësi të plotë, duke njohur dhe aktivitetin e UÇK-së, duke pasur kontakte të përditshme dhe të përnatshme me atë ushtri, jam pothuaj i bindur se këto akuza janë absurde. Praktikisht ishte e pamundur në konditat në të cilat ishin ata, e pamundur që të sillnin robër lufte në Shqipëri, për vetë faktin se kufiri ynë me Kosovën ka qenë i minuar dhe i pamundur të kalohej. Nisur nga teknologjia që duhet për të bërë transplant organesh dhe kushtet në të cilat kjo bëhet, unë mund të them se Shqipëria edhe sot e ka të pamundur një gjë të tillë dhe jo atëherë në kondita lufte”, ka thënë Klosi në një intervistë për të përditshmen “Panorama”. Klosi ka thënë gjithashtu se asnjëherë nuk ka dëgjuar nga shërbimet e huaja të zbulimit më te cilat është bashkëpunuar për akuza të kësaj natyre, “qoftë dhe elementë fare ordinerë, për ndonjë trafik e jo më akuza kaq të rënda”.
“Kështu që më duket se më shumë kërkohet të inskenohet një situatë për t’i bërë presion Hashim Thaçit, ish-luftëtarëve të UÇK-së, sesa kemi një pasqyrim të së vërtetës në këto informacione”, ka thënë Klosi.
Duke i quajtur qesharake akuzat, Klosi ka theksuar se i pari transplant i veshkave që është bërë në Shqipëri, me ndihmën e disa profesorëve të njohur italianë, u bë para pak javësh në Tiranë dhe u trumbetua si një hap i jashtëzakonshëm i mjekësisë shqiptare.
“Vërtet nuk flitet për transplant organesh, por ai nëse ka qenë i vërtetë, është bërë diku jashtë Shqipërisë. Por edhe nëse është e vërtetë, marrja e organit, siç thuhet në raport, kërkon të bëhet në kushte tepër specifike të specializuara dhe me mjete moderne, gjë që ka munguar dhe mungon në Shqipëri. Ata që akuzojnë le të na thonë një emër specialisti, profesori që ka marrë pjesë në këto operacione kaq të ndërlikuara. Në Shqipëri nuk ka të tillë, UÇK nuk ka pasur mjekë të tillë”, ka thënë ai duke theksuar se kjo tymnajë ka synim politik.
Trafiku? Basha: S’kam qenë asnjëherë në “Shtëpinë e verdhë”
Lulzim Basha
Ministri i brendshëm, Lulzim Basha, ka sqaruar akuzat e Dik Marti për trafik organesh në Shqipëri, duk i vlerësuar si pretendime që nuk janë vërtetuar kurrë dhe nuk ka prova për to. Basha ka thënë se Raporti i Dik Martin bën një riciklim të pretendimeve të pabazuara të Karla Del Pontes.
Lidhur me pretendimet se Basha ka qenë përkthyes gjatë hetimeve në “Shtëpinë e Verdhë” në Burrel ku dyshohet se janë trafikuar organe, ministri i Brendshëm ka sqaruar se ai nuk kishte qenë asnjëherë në atë shtëpi.
“Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në asnjë shtëpi të verdhë siç pretendohet e aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë. Në vitin 2004 unë nuk kam punuar për Tribunalin. Kam qenë në UNMIK përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe transferimin e kompetencave të UNMIK kësaj ministrie. Mbaj mend që zotëria është marrë në punë për të ndihmuar procesin e identifikimit dhe ekzaminimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe se fatkeqësisht në këtë kontekst akoma figurojnë 1800 qytetarë shqiptarë të cilëve nuk u janë gjetur akoma trupat”, ka thënë ai.
Basha ka sqaruar edhe pozicionin e tij në vitin 2004 në Kosovë, duke deklaruar se në atë vit përgjegjësia e tij ka qenë përgatitja e tranzicionit të Departamentit të Drejtësisë tek sistemi kosovar i drejtësisë. Më tej, Lulzim Basha shprehet se eksperti mjeko-ligjor i OKB-së, i cili ka hedhur akuza, ka patur për detyrë të gjejë dhe analizojë 1800 trupave ende të pa gjetur nga Kosova.
“Zotëria në fjalë ka patur një detyrë krejt tjetër ku rezulton se ka 1800 trupa ende të pagjetur, dhe ky është problemi kryesor dhe kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën ngrihen këto akuza. Heqjen e mendjes nga një çështje kaq e ligjshme, siç është asnjë e dhënë për fatin e 1800 viktimave të luftës me gjasë në territor serb dhe zhvendosja e vëmendjes në akuza, pretendime false të pavërtetuara asnjëherë dhe pa u shënuar nga asnjë fakt apo provë e vetme”, thotë ai.
Në fund të intervistës, ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, ka thanë se këto akuza dëmtojnë kredibilitetin e Këshillit të Evropës i cili nuk mund të tolerojë që të hartohen raporte të tilla absurde të pabazuara në fakte dhe prova dhe të heshtë mbi fatin e 1800 të zhdukurve.
Ruçi kërkon rezolutë parlamentare ndaj Dick Martyt
Gramps Ruqi
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi deklaroi para pak minutash se Parlamenti shqiptar duhet të miratojë një rezolutë kundër akuzave të anëtarit të Këshillit të Evropës Dick Marty. Sipas tij, Rezoluta duhet të dënojë ashpër akuzat.
Më tej, ai foli edhe për ngritjen e komisionit hetimor, duke vlerësuar se mazhoranca nuk ka më arsye për ta shtyrë atë.
Prokuroria s’pengoi hetimet
Parokuroria në Tiranë
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka reaguar për raportin e Dikk Martit, në lidhje me trafikun e organeve të kryera sipas tij në një shtëpi në rrethin e Matit, që Karla Del Ponte në librin e saj e etiketon si “shtëpia e verdhë”.
Sipas këshilltarit për Mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Plator Nesturi, për këto akuza të vjetra është hetuar që në vitin 2004 pa gjetur asnjë provë, prandaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale.
“Deklarimeve të ish prokurores Karla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim”.
“Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale”, ka theksuar Nesturi.
“Pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar”.
“Prokuroria e Shqipërisë e deklaron të pabazë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje. Njëkohësisht, Prokuroria e Përgjithshme, në respekt të legjislacionit dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, shpreh gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e specializuara nderkombetare”, theksohet në deklaratën e Prokurorisë.
Komisioni i Sigurisë thërret Bashën për dosjet e UÇK-së
Lulzim Basha
Akuzat e Marti, Berisha fton EULEX-in
Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë ftesë EULEX-it që të fillojë hetimin në lidhje me akuzat e Dik Marti dhe i garantoi institucionit evropian në Kosovë, se nuk do të ketë asnjë pengesë nga autoritetet në Shqipëri.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se Shqipëria mbështet hetimin, edhe pse të gjitha akuzat e ngritura janë të pabazuara në fakte.
“Pavarësisht se raporti i Dik Marti flet për akte makabre duke mosparaqitur as edhe një fakt të vetëm… ne ftojmë EULEX-in të ndërmarrë hetimin dhe garantojmë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare. Pavarësisht se EULEX-i ka një mandat për shtetin e pavarur të Kosovës, ne mbështesim hetimin e tij”, theksoi Berisha.
“Ministri i Drejtësisë do i drejtohet kryetarit të Gjykatës së Hagës që në Shqipëri nuk do të ketë asnjë pengim të vogël për çdo lloj hetimi”, theksoi kreu i qeverisë.
Duke folur për mendimin e tij personal për Dik Marti, kryeministri Berisha e cilësoi atë si një avokat të papërmbajtur të krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët.
“Kam pasur rastin që kam qenë anëtar i delegacionit të KE-së. Marti ka qenë një avokat i papërmbajtur i krimeve të shëmtuara mbi shqiptarët. Teza e tij kryesore ka qenë kjo: në Kosovë nuk ka ekzekutorë dhe viktima, nuk mund të pranohet që serbët të jenë ekzekutorët dhe shqiptarët viktima”, është shprehur Berisha.
Organziata Ndërkombëtare kërkojn hetime dhe prova
Të hetohen pretendimet për tregti organesh
Amnesty International i ka bërë thirrje misionit të EULEX-it që të hapë hetime lidhur me pretendimet për përzierjen e kryeministrit Hashim Thaçi në rrëmbimin e shqiptarëve dhe serbëve pas luftës në Kosovë.
Thirrja nga organizata për të drejtat e njeriut i pasoi pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit, Thaçi një kohë ka qenë ‘bosi’ i bandës kriminale, e cila ka shitur organe të trupit, ka kryer vrasje dhe është marrë me drogë gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.
Amnesty International i mbështet thirrjet e Martit që BE t’i japë EULEX-it të gjitha resurset e nevojshme për të kryer hetime të plota dhe të paanshme mbi këto pretendime, përfshirë programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Familjet e serbëve, shqiptarëve dhe romëve të rrëmbyer pas luftës, kanë pritur tepër gjatë për drejtësinë. Ato meritojnë t’a dinë fatin e të afërmve të vet”, thuhet në njoftim.
HRW kërkon të hetohen akuzat e Dik Martit
Hetimet në Shqipëri duhet t’i zhvillojnë organet e drejtësisë, ndërsa në Kosovë misioni i Bashkimit Evropian, thotë HRW.
Njoftimi i organizatës për të drejtat e njeriut pasoi pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili ka ngritur akuza për rrjete kriminale në periudhën e pas luftës në Kosovë.
Dobësitë e raportit mbi trafikimin e organeve
« Madje edhe zëdhënsja e saj e dikurshme, Florence Hartmann, e kishte akuzuar se po bën akuza « pa ofrruar as një grimë prove ». I pyetur lidhur me këtë çështje, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Bernard Kouchner, i dërguari special i OKB-së, nuk e kishte fshehur skepticizmin e vet karshi tezës për njëfarë « shtëpie të verdhë ».
(…) Mirëpo, raporti i Dick Martyt, ndonëse i autorizuar që të orvatet të nxjerr prova, është pikërisht pa prova. Këtë madje nuk e fsheh vet deputeti zviceran : ai është mbështetur kryesisht mbi dëshmitë dhe raportet e shërbimeve sekrete perëndimore. Në mungesë të mjeteve , ai nuk ka patur mundësi të vizitojë gjashtë vendet të cilat ai i ka identifikuar si burgje të UÇK-së në Shqipëri. Për shkaqe të sigurisë, ai nuk jap emrin e asnjë dëshmitari, disa prej të cilëve nuk kanë qenë të intervistuar nga ai por nga” përfaqësuese të shërbimeve policore të vendeve të ndryshme, nga hulumtues dhe universitarë e gazetarë hulumtues të një reputacioni dhe të një besueshmërie të pranuar”.
“Ka dëshmitarë të këtyre ngjarjeve që kanë qenë të eliminuar, të tjerë të frikësuar nga vet fakti pse i kanë pyetur lidhur me këto ngjarje”, arsyetohet ai. Rrjetet shqiptare të krimit të organizuar duket se është më vështirë të infiltrohen se sa Mafia italiane”. Një lajtmotiv që përsëritet rregullisht . Kështu UÇK-ja është përshkruar kështu si një organizatë kriminale që përdorë “një imazh të bukur (…) të një armate guerile” për t’i maskuar aktivitetet e veta ilegale.”
(…) Me 2004, një mision i Gjyqit penal Ndërkombëtar të Hagës si dhe të UNMIKUT, i dërguar për të hetuar lidhur me këtë “shtëpi të verdhë”, kishte gjetur inxheksione, disa gjurmë të gjakut dhe epruveta të zbrazëta, por këto nuk kishin mjaftuar për të sajuar prova.
(…) Sipas senatorit zviceran, gjithsesi, vrasjet me plumb në kokë – e menjëherë pastaj është bërë nxjerrja e organeve – nuk janë bërë në “shtëpinë e verdhë ». Ky vend ishte shumë larg nga aeroporti i Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë, për të lejuar dërgimin e shpejt të organeve kah klinikat private perëndimore. Dick Marty pohon se heqja e organeve është bërë në Fushë Krujë, një qytet shumë më afër Tiranës dhe i pajisur me një klinikë.
Përveç akuzave, është kalendari i publikimt të këtij raporti që zgjon dyshimin. Paraqitja e akuzave të tilla kundër Hashim Thaçit, të nesërmen e fitores në zgjedhjet legjislative e çuditë Jacques Rupnick-un : “Me një raport të tillë, bëhet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në lojën politike të Kosovës, duke e delegjitimuar atë që ka dalë i pari dhe që tani duhet të organizojë negociata për koalicionin. »
Profesori Rupnik mendon pokështu se me këto akuza është goditur edhe dialogu midis Kosovës dhe Sërbisë, ngase s’mund të merret me mend një politikan serb i cili do të paranonte të hap me bisedimet me një lider të cilin Këshilli i Evropës do ta cilësonte si « kriminel ».
Marty të hetojë krimet serbe
Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane me seli në Maqedoni reagon ashpër ndaj raportit të Dick Marty.
Sipas tyre, propozim raporti për Kosovën i përgatitur nga raportuesi i Këshillit të Evropës, deputeti zviceran, Dick Marty është skandaloz, i njëanshëm dhe i pabazë.
“Ky raport dëmton rëndë marrëdhëniet dhe raportet mes vendeve të Ballkanit duke rrezikuar kështu paqen dhe stabilitetin në këtë rajon”, thuhet në reagimin e OBRIE.
Kjo organizatë sugjeron Martyn që të hetoj krimet serbe, afër 300 mijë të vrarë e masakruar në Bosnjë Hercegovinë, afër 15 mijë të vrarë mizorisht në Kosovë, 800 mijë të dëbuar dhe terrorizuar dhunshëm nga trojet e tyre, shtëpi të djegura etj.
OBRIE, gjithashtu sugjeron Martyn të hetoj varret masive të shkaktuara nga Serbia, gjatë luftërave të përgjakshme të viteve të 90-ta, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe vende tjera të rajonit.
“Është turp për Evropën dhe institucionet e saj të heshtë për krimet monstruoze serbe, ndërsa të akuzoj viktimat e luftës, njerëzit të cilët luftuat për lirinë e popullit të vetë. Raportet si ky i Marty rrezikojnë të humbin kredibilitetin e institucioneve më relevante të Evropës, si dhe të shkelin parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë”, thuhet në reagim.
Sipas OBRIE, shqiptarët aktualisht, në kushte normale e kanë të vështirë të kryejnë operacione të tilla për transplantim organesh, e lërë më në vitet e 90-ta, në gjendje lufte e të jashtëzakonshme.
Independent: Dëshmi, ju lutem!
“Independent”
Shkruan: Denis Mekshejn, anëtar i Parlamentit në Britani dhe ish-ministër për Evropën. Në vitet 2004-2010 ka qenë përfaqësues i Briatnisë së Madhe në Këshillin e Evropës.Në mes të periudhës së ËikiLeaks-it, një tregim tjetër eksplodoi në faqet e para në mbarë botën, e që pretendon se kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte krimineli kryesor i involvuar në vrasjen e njerëzve, për nxjerrjen e organeve të tyre për shitje.
Prej kohës së Pol Potit nuk janë bërë deklarata të tilla për një lider aktual në detyrë në vendin e tij. Thaçi ishte zgjedhur në dhjetor me vetëm 34% të votuesve kosovarë që e mbështetën atë, që është pak më pak se Dejvid Kameruni dhe shumë më tepër se Xhorxh Bushi në vitin 2000.
Asnjë zgjedhje në Ballkan nuk është pa akuza për parregullsi në votime. Partitë politike në Kosovë janë klanore, të lidhura me interesa të dyshimta biznesi dhe të financuara pjesërisht nga diaspora kosovare.
Liderët politikë kosovarë, sikur ata kroatë, malazezë, shqiptarë dhe maqedonas, rregullisht janë të akuzuar (shpeshherë edhe me drejtësi) për shmangien e parave për vete ose për nevoja të partisë politike.
Prandaj, prejse “biznesi” në Ballkanin Perëndimor është më tepër i bazuar në kontrabandë të cigareve dhe trafikimin seksual skllav, sesa në aktivitetin legal ekonomik, politikani që nuk mund të akuzohet se e mban një kompani të keqe, me të vërtetë është një “shtazë e rrallë”.
Thaçi nuk dallon. Por Thaçi, i cili ishte në dhe jashtë pushtetit për një dekadë, operon si politikan që për së afërmi është i mbikëqyrur nga një asortiment i trupave të Kombeve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, si dhe nga vëzhguesit e jashtëm dhe vizitorët.
Raporti që ka shkaktuar tronditje, ende nuk është miratuar nga Këshilli i Evropës, me përjashtim të një nënkomiteti të panumërt të tij.
Është shkruar nga politikani i fortë dhe avokati prokuror zvicerano-italian, i quajtur Dik Marti. Ai është i afërt me bashkëvendësen e tij italiane, avokate politike, Karla Del Ponte – libri i së cilës në Itali kishte bërë akuza identike me raportin e Martit.
Raporti i zotit Marti nuk është dokument preciz juridik. Ai përmban teori të trazuara të politikës perëndimore, derisa ajo shpalosej në krizën e Kosovës në fund të viteve ‘90.
Në këtë, zoti Marti reflekton politizimin e Këshillit të Evropës, i cili prejse e pranoi Rusinë si anëtare në vitin 1995, ishte përdorur me mjeshtri nga Kremlini për t’i avancuar interesat diplomatike të Rusisë.
Atje Rusia kishte kultivuar aleatë në blloqe të ndryshme politike. Në Britani, anëtari liberal – demokrat i Parlamentit dhe anëtar i Këshillit të Evropës, Majk Hankok, ishte akuzuar nga kryesuesi i Grupit të të gjitha partive britanike parlamentare për Rusinë, se në mënyrë flagrante ishte pro Rusisë në debatet në Këshillin e Evropës.
Anëtarët konservatorë britanikë të Parlamentit në Këshillin e Evropës ulen në të njëjtin grup me delegacionin e zgjedhur nga Vlladimir Putini.
Rusët, me mbështetjen e anëtarëve britanikë konservatorë të Parlamentit, kishin synuar ta vendosnin ish-anëtarin e stafit të KGB-së si president të Këshillit të Evropës, në vitin 2008.
Shkurtimisht, Këshilli i Evropës nuk është ndonjë tubim pa interes i parlamentarëve të Amnesty International ose të Human Rights Ëatch, por është thellësisht trup i politizuar konfliktuoz, ku shtetet mobilizohen për promovimin e mbështetjes për çështjet e tyre aktuale.
Prioritet i lartë për Kremlinin ishte që ta maksimalizojë mbështetjen për qëndrimin anti-SHBA dhe anti-NATO në Këshillin e Evropës. Rusia ka synuar kultivimin e aleatëve për ta mbrojtur Serbinë dhe shtetet e tjera sllave ose ortodokse nga kritikat.
Përpjekjet nga demokratët socialë të qendrës nga Suedia për promovimin e pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë kundërshtuar.
Gjëra të tmerrshme ishin bërë nga ushtarët serbë dhe paramilitarët në Kosovë, pasi diplomacia e fuqishme e Riçard Hollbrukut në Dejton, para 15 vjetësh, i ndali pasionet nacionaliste serbe të Millosheviqit për më tutje në veri.
Fshatrat e vizituara të Kosovës dhe varrezat myslimane kanë shumë gurrë varresh me njerëzit e lindur në data të ndryshme, por të gjithë të vrarë në të njëjtën ditë, kur skuadrat serbe të ekzekutimit ishin tërbuar.
Njëjtë, gjëra të tmerrshme ishin bërë derisa disa kosovarë kaluan nga rezistenca paqësore dhe pasive e gjatë dy dekada nën Ibrahim Rugovën, në një rezistencë të armatosur, të shkurtër por intensive, 15-18-muajshe, përfshirë edhe vrasje dhe trajtim brutal të bashkëpunëtorëve të regjimit, në stilin e rezistencës franceze në vitin 1944.
Në vend që të synohet paqe dhe pajtim, kanë ekzistuar përpjekje të vazhdueshme nga akset serbo- ruse në Këshillin e Evropës për të pretenduar se Kosova është provincë kriminale separatiste e Beogradit, që një ditë do të kthehet nën pushtetin serb.
Diskreditimi i liderëve të ndryshëm kosovarë, të cilët, pothuajse të gjithë, në një ose mënyrë tjetër, morën pjesë në betejën rezistuese kundër Millosheviqit, që përfundoi me intervenimin Bler-Klinton të NATO-s, në verë të vitit 1999, ishte prioritet i lartë për serbët dhe rusët.
Zoti Marti, së bashku me të tjerët me qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Evropës, asnjëherë nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai i ka kundërshtuar thirrjet që Kosovës t’i jepet status i anëtarit ose i vëzhguesit në Këshillin e Evropës.
Senatori Marti është njeri në vete dhe sinqeriteti i tij nuk vjen në pikëpyetje. Ai beson në atë që beson. Por, duke e lexuar raportin e tij me 19 mijë fjalë, paraqitet një problem. Atje nuk ekziston as një emër i vetëm ose një dëshmitar i vetëm i akuzave se Thaçi ishte i involvuar në trafikim të organeve njerëzore nga viktimat e vrara.
Senatori Marti i bën të gjitha për ta nxirë emrin e Thaçit, duke e akuzuar atë se është pak më tepër se kriminel, i cili e ka shfrytëzuar krizën në Kosovë për krijimin e operacionit të stilit mafioz.
Se këto praktika të padëshiruara kanë ndodhur dhe do të ndodhin çdo kund në botë, nuk ka dyshim. Por, zoti Marti ka dështuar ta lidhë Thaçin direkt me trafikun e organeve, megjithëse titulli shokues: “Trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, ishte paraparë për t’i maksimalizuar titujt. (The Independent)
Hashim Thaçi, “bosi i mafies”
Kryeministri i Kosovës, është shef i një grupi “mafioz” shqiptarësh përgjegjës për kontrabandë me armë, drogë dhe organe të njerëzve përmes Evropës lindore, thuhet në një raport hetues të Këshillit të Evropës mbi krimin e organizuar.
Hashim Thaçi është identifikuar si “bosi” i një rrjeti që ka filluar të merret me shantazhe kriminale pas luftës së Kosovës në vitin 1999, dhe ka mbajtur ndikim të fuqishëm në qeverisjen e vendit që nga ajo kohë.
Raporti i një hetimi dy-vjeçar, i cili citon burime të FBI-së dhe të shëbimeve tjera të inteligjencës, është marrë nga gazeta britanike, “The Guardian”. Në të Thaçi përmendet si ushtrues i “kontrollit të dhunshëm” në tregtinë me heroinë.
Figura nga rrethi i ngushtë i akuzohen se kanë mbajtur në mënyrë të fshehtë robër përgjatë kufirit në Shqipëri pas luftës, ku thuhet se disa serbë janë vrarë për veshkët e tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi.
Dick Marty, hetues për të drejtat e njeriut prapa këtij hetimi, do ta paraqes raportin e tij para diplomatëve evropianë nga të gjitha 47 shtetet anëtare gjatë një takimi në Paris ditën enjte.
Raporti i tij thekson se lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar datojnë qysh një dekadë më parë, kur besnikët e Grupit të tij të Drenicës, siç raporton “The Guardian”, u bënë fraksion dominues përbrenda UÇK-së.
Thuhet se supremacia e grupit ndaj grupeve të vogla në lëvizjen guerila u ka mundësuar atyre, nga viti 1998, të marrin nën kontroll “shumicën e ndërmarrjeve të paligjshme kriminale” në të cilat kosovarët ishin përfshirë në jug të kufirit, në Shqipëri.
Gjatë konfliktit të Kosovës, trupat e armatosura të Slobodan Milosheviqit reaguan ndaj sulmeve të bërë nga UÇK-ja duke orkestruar një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik kundër shqiptarëve në Kosovë. Rreth 10,000 vlerësohet se kanë vdekur në duart e trupave të armatosura serbe.
Qeveri botërore mbrojnë Kosovën, kërkojnë hetime
KE-ja nuk prononcohet për raportin e Martit
Strasburg
Këshilli i Evropës nuk ka konfirmuar e as ka hedhur poshtë shkrimin në gazetën britanike Guardian, i cili bazohet ne raportin e Dik Martit, raportuesit te KE-së.
Zëdhënësi i këtij institucioni Francesko Ferrer saktësoi për Radion Evropa e Lirë se raportit i Dik Martit do të diskutohet dhe pritet të miratohet në Komitetin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut paraditen e së enjtes.
Pas miratimit nga ky Komitet raporti do të bëhet publik derisa do të diskutohet në Asamblenë e Parlamentare të KE-së më 25 janar.
SHBA: E marrim seriozisht raportin, të paraqiten provat
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me kujdes ndaj raportit të Dik Martit nga Këshilli i Evropës, që kryeministrin e Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçin, e ndërlidhë me grupin e trafikimit të organeve njerëzore, dhe kërkojnë që të paraqiten provat lidhur me këtë rast.
“Ky është propozim raport dhe ne jemi të vetëdijshëm për të”, u tha reporterëve zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Philip Croëley, mbrëmë vonë në Uashington.
Mëtutje ai theksoi se “i marrim të gjitha akuzat kredibile për aktivitet kriminal shumë seriozisht, dhe çfarëdo dëshmie dhe burime të cituara në këtë raport, duhet të ndahen me autoritetet kompetente, për udhëheqjen e hetimit përkatës dhe të plotë”.
Zëdhënësi Crowly tha se “sundimi i ligjit është çështja kryesore për stabilitet dhe progres në Ballkan”.
Komiteti i Ligjeve kërkon hetim mbi provat për trafik organesh
Komiteti për Çështje Ligjore i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për një seri hetimesh në nivel kombëtar e ndërkombëtar lidhur me provat për zhdukje, trafikim, korrupsion dhe për lidhje mes grupeve të krimit të organizuar dhe rretheve politike, të paraqitura në raportin e Dik Martit.
Në një rezolutë të miratuar njëzëri nga Komiteti thuhet se “ka indikacione të numërta dhe që përputhen”, të cilat konfirmojnë se shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë mbajtur në mënyrë të fshehtë si të burgosur nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta kanë qenë objekt i trajtimit jo njerëzor dhe fyes, përpara zhdukjes.
Komiteti ka kërkuar nga EULEX-i të hetojë këto krime dhe kërkon nga vendet e BE-së që t’i japin misionit burimet dhe mbështetjen e nevojshme politike.
Asambleja Parlamentare do ta diskutojë raportin në 25 janar.
Zvicra kërkon të hetohen pohimet për trafikim organesh
Zvicra
Zvicra i ka bërë thirrje Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimit Evropian, që të ndërmarrin hetime mbi pretendimet për trafikim të organeve, njofton AFP.
“Ministria e Jashtme e Zvicrës u bën thirrje vendeve të apostrofuara dhe veçanërisht Kosovës për t’i qartësuar akuzat e këtilla. Autoritetet e duhura ndërkombëtare duhet t’u prijnë hapave ligjorë për t’i grumbulluar provat e mundshme”, thuhet në njoftim.
Ministria gjithashtu i bën thirrje EULEX-it, që t’i drejtojë hetimet.
Raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti e implikoi kryeministrin në largim Hashim Thaçi në trafikimin e organeve.
Ministria tha se raporti i Martit përmban “akuza të rënda të bëra mbi bazë të dëshmive dhe provave të shumta”.
Ndërkohë, ministria tha se presidentja Doris Leuthard dhe ministreja e Jashtme, Mishel Kalmi-Rej, të cilët duhej të merrnin javën e ardhshme një çmim nga diaspora kosovare në Zvicër, kanë vendosur që për momentin të mos e marrin çmimin.
“Nisur nga publikimi i raportit të Martit, nuk është koha e duhur për ta pranuar çmimin”, njoftoi ministria.
SHBA-ja: Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Thaçin
Philip Crowley
– SHBA-ja do ta vazhdojë bashkëpunimin me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, megjithë konstatimet e raportuesit të Këshillit të Evropës që atë e lidhin me krimet, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley, dhe vlerësoi se këto pohime nuk do t’i ndryshojnë fundamentalisht marrëdhëniet amerikane me Kosovën, transmeton gazeta serbe Blic.
“Në këtë moment dhe duke marrë parasysh parimin se çdokush është i pafajshëm derisa të mos dëshmohet e kundërta, ai është kryeministër aktualt dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të”, ka deklaruar Crowley në konferencë me gazetarë.
“Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë në mënyrë fundamentale marrëdhëniet amerikano-kosovare. Ato janë të bazuara në interesin e dyanshëm, e jo në ndonjë personalitet për veçantë”, ka shtuar Crowley.
Ai ka përsëritur se administrata në Washington mbështet çdo hetim të “organeve kompetente” lidhur me akuzat e paraqitura në raport.
Crowley tha se disa akuza janë hetuar më herët, por për aq sa ky raport hedh dritë të re, hetimi duhet të vazhdohet. Sipas tij, nëse ekziston informatë përkatëse e zbuluar në raport atëherë ajo duhet plotësisht të hetohet. (Gazeta serbe “Blic”)
SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës
Zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi, ka thënë sot se marrëdhëniet dhe partneriteti i SHBA-ve me Kosovën nuk janë dëmtuar nga raporti i Dik Martit, i cili akuzon disa ish-udhëheqës të UÇK-së dhe kryeministrin Thaçi për veprimtari kriminale. “Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan, duke kërkuar nga Dik Marti që nëse ka prova, t’i paraqesë ato.
Raporti i Dik Martit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e mira dhe partneritetin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tashmë me Kosovën, ka deklaruar zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi.
Këto komente, ai i ka bërë gjatë një vizite në Graçanicë, në ceremoninë e diplomimit të Ekipit për Veprim në Mbrojtje të Komuniteteve.
Mërfi ka thënë se Departamenti i Shtetit tashmë e ka bërë të njohur qëndrimin amerikan në lidhje me raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili akuzon disa nga ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe vetë kryeministrin Hashim Thaçi për aktivitete kriminale dhe trafik organesh në Kosovë.
“Departamenti amerikan i shtetit e ka bërë shumë të qartë kur ka thënë se nuk ka ndikime në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. SHBA-të janë partnere të fuqishme të Kosovës”, ka thënë zëvendësambasadori Majkëll Mërfi.
“Gjithashtu mendoj se e kemi bërë të qartë se, nëse ka ndonjë provë kredibile, ashtu siç ka thënë edhe EULEX-i dhe të tjerët, zoti Marti duhet t’ua paraqesë ato prova autoriteteve përgjegjëse për hetime të mëtutjeshme”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan.
“Unë kam qenë shumë i kënaqur kur kam dëgjuar kryeministrin të thotë se qeveria e tij dhe populli i Kosovës do të bashkëpunojnë me hetimet e këtilla”, ka thënë ai.
Zëvendësambasadori amerikan e ka përjashtuar mundësinë që raporti i Martit të ndikojë në imazhin dhe raportet e Kosovës e të popullit të saj me Shtetet e Bashkuara.
“Marrëdhëniet tona me qeverinë dhe popullin e Kosovës janë po aq të fuqishme sa kanë qenë gjithmonë dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë fuqishëm në ecjen përpara. Kemi synimet e njëjta për Kosovën, sikur që kanë edhe populli dhe Qeveria e Kosovës – e ato janë të shohim një Kosovë prosperuese, demokratike dhe shumëkombëshe, të integruar në familjen euroatlantike. Dhe, kjo nuk ka ndryshuar”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi.
Raporti i Dik Martit vazhdon të kritikohet ashpër nga lidershipi kosovar dhe shoqëria civile. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, përmes një editoriali të botuar në media, ka vlerësuar se raporti i Martit dhe akuzat për trafikim të organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë të pabaza dhe të padëshmuara.
Vetë raporti, sipas Krasniqit, është politikisht i njëanshëm, tendencioz, qëllimkeq dhe me përmbajtje tmerrësisht raciste dhe antishqiptare.
Ndërkaq, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka thënë se akuzat se është mafioz dhe trafikant me organe njerëzore, janë “propagandë naziste”.
Ndaj raportit të Martit ka reaguar koalicioni i 200 organizatave joqeveritare “Demokracia e Bashkuar”.
Sejdi Demiri, drejtori këtij koalicioni, ka thënë se raportet e tilla pa fakte, por që mbështeten në paragjykime, nuk mund të njollosin luftën e drejtë të UÇK-së dhe Kosovës për liri e pavarësi.
“UÇK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet personifikim qytetar i luftës për liri, dinjitet dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Andaj, konsiderojmë se raporti i mbështetur në paragjykime, hamendje dhe i motivuar politikisht, është fyerje për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë miqtë e saj”, është shprehur Demiri.
Shoqëria civile thuhet se mbetet e përkushtuar në mbrojtje të së vërtetës, pavarësisht se cila është ajo. Këto organizata joqeveritare kanë aprovuar edhe një deklaratë, të cilën kanë thënë se do t’ia dërgojnë edhe Këshillit të Evropës.
Komisioni Evropian nuk komenton raportin e Martit
Sesilja Martinez
Komisioni Evropian ka refuzuar të komentojë akuzat në llogari të kryeministrit Hashim Thaçit se ka qenë i përfshirë në tregtinë me organe njerëzore në Kosoëv, të cilat janë bërë nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti.
“Është fjala për një raport të Këshillit të Evropës. Nuk di asgjë më tepër. Nuk kam biseduar me qeverinë kosovare dhe nuk dëshiroj të komentoj”, u ka thënë gazetarëve eurokomisionerja për punët e brendshme, Sesilja Mastrom.
Zvicra: Njohja e Kosovës ishte një veprim i matur
Micheline Calmy - Rey
Ministrja e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, mbron vendimin e vendit të saj për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke e quajtur atë një veprim të matur mirë. Gjatë një interviste për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, Calmy-Rey kërkon që akuzat e Dik Martit ndaj Hashim Thaçit të hetohen urgjentisht. Kryediplomatja zvicerane shton se udhëheqja e Republikës së Kosovës është zgjedhur nga vetë populli i saj.
Më tej, Micheline Calmy-Rey thekson se duhet pasur parasysh, se për propozimin për pavarësinë e Kosovës, ndërmjetësi i OKB-së Marti Ahtisari është shpërblyer edhe me Çmimin Nobel për Paqe.
“Zvicra nuk ka qenë shteti i parë, por i 30-ti ose i 31-ti që e njohu Kosovën. Para nesh ka qenë Austria, nëse kjo ju qetëson juve. Ne s’kemi vepruar me ngut. Por, sigurisht ne kemi qenë të parët që atëbotë që në OKB kemi thënë se duhet të flitet për pavarësinë e Kosovës. Atëherë qëllimi ishte të stabilizohet rajoni”, deklaroi Calmy-Rey.
Sipas saj, autoritetet përgjegjëse, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, duhet të nisin hapat juridikë. “Edhe vendet përkatëse, dhe sidomos Kosova, duhet të ndihmojnë në sqarimin e këtyre akuzave. Në Kosovë duhet të ndërtohet një shtet i sundimit të ligjit, dhe kjo nënkupton edhe ballafaqimin me të kaluarën”.
“Demagog, sensacionlist dhe akuzat “Made in Serbi” - shprehen njerz të politikës dhe shtypit Botëror.
Kocijançiq: Marti të dalë me prova
Maja Koncijaqnqiq
Brukseli ka reaguar ndaj pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas të cilit kryeministri Hashim Thaçi identifikohet si ‘bosi’ i mafias në Kosovë.
“Ne i marrim akuzat seriozisht, por e ftojmë z. Marti që të dalë me prova”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kryediplomates së BE-së, Ketrin Eshton.
Ndërkohë, misioni i EULEX-it tha se do t’i shqyrtojë raportin me kujdes.
“Nëse ka përmbajtje të këtij lloji, do të donim të dëgjojmë prej tyre më formalisht”, tha zëvendës shefi i EULEX-it, Endrju Sparks për agjencinë Reuters. (Reuters)
Ahmeti: Raporti i Dik Martit, i ndikuar politikisht
Ali Ahmeti
“Raporti bart në vete tendencën e rrezikshme për të barazuar viktimat me përdhunuesit në njërin nga konfliktet më të ashpra në territorin e Evropës, i cili ka përfshirë vrasje të organizuara, pastrim etnik sistematik të vendbanimeve dhe fushata gjenocidale të sponsorizuara nga zyrtarët e regjimit famëkeq të Sllobodan Millosheviqit”, thuhet në reagimin e Ahmetit. Sipas tij, raporti është plotësisht i njëanshëm dhe aspak i balancuar.
“ Për fat të keq, ky propozim- raport, në vend të fakteve, portretizon një të vërtetë të ndikuar politikisht. Si i tillë, ky dokument nuk e meriton miratimin nga ana e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, vlerëson kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Jagland: Hetimi të konfirmojë ose hedh poshtë akuzat
Tjobjorn Jagland
Komiteti për Çështje Ligjore i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për nje seri hetimesh në nivel kombëtar e ndërkombëtar lidhur me provat për zhdukje, trafikim, korrupsion dhe për lidhje mes grupeve të krimit të organizuar dhe rretheve politike, të paraqitura në raportin e Dik Martit. Këshilli i Evropës njofton se në një rezolutë të miratuar njëzëri nga Komiteti thuhet se “ka indikacione të numërta dhe që përputhen”, të cilat konfirmojnë se shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë mbajtur në mënyrë të fshehtë si të burgosur nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta kanë qenë objekt i trajtimit jo njerëzor dhe fyes, përpara zhdukjes. Komiteti ka kërkuar nga EULEX-i të hetojë këto krime dhe kërkon nga vendet e BE-së që t’i japin misionit burimet dhe mbështetjen e nevojshme politike.
Autori i raportit, zvicerani Dik Marti, gjatë një konference të mbajtur në Paris tha se ka bazë të mjaftueshme për një hetim të pavarur.
“Mendoj se kam ofruar materiale të mjaftueshme për të justifikuar ndërmarrjen më në fund të një hetimi të pavarur, të thellë e serioz. Mbi të gjitha duhet të krijojmë kushtet që t’i lejojmë dëshmitarët të flasin hapur. Ky është problemi. Në kushtet aktuale dëshmitarët nuk do të flasin pasi jetët e tyre nuk janë të mbrojtura”, tha Marti.
Ai shtoi se organet kompetente duhet të bëjnë detyrën.
“Tani varet nga autoritetet që janë në pushtet të vazhdojnë punën drejt së vërtetës. Ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë një kahëshe. Nuk besojmë se ka një drejtësi për fituesit dhe një tjetër për të mundurit. Ka një drejtësi për të gjithë”, tha Marti para mediave në Paris.
Kreu i Këshillit të Evropës, Tjobjorn Jagland ka kërkuar që akuzat e bëra në raport të mos mbeten pa përgjigje. “Ato duhet ose të konfirmohen apo hidhen poshtë përmes një hetimi kriminal”, tha Jagland. Ai ka kërkuar në veçanti nga autoritetet ndërkombëtare të bëjnë çfarë munden për të vendosur të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur.
Në debatin e sotëm morri pjesë dhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës në përbërje të të cilit ishin Xhavit Haliti nga PDK-ja dhe Ibrahim Gashi nga AKR-ja.
Në fjalën e tij Haliti ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e raportit, duke theksuar se raqportin e marrin shumë seriozisht. “Ne në PDK i bashkohemi Dik martit në thirrjen për një hetim kompetent ndërkombëtar mbi pretendimet dhe akuzat e bëra në raportin e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Haliti në Komitetin e Çështjeve Ligjore.
Raporti i Martyt, Kouchner: Jam skeptik
Bernard Kouchner
“Jam shumë skeptik në lidhje me realitetin e akuzave për trafikim të organeve”. Kështu është shprehur ish-shefi i misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Bernard Kouchner, në një intervistë për BBC-në.
Ai ka theksuar se misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, kishte mjetet dhe mandatin për të hetuar provat që mund të ekzistonin në lidhje me këtë çështje.
“Reagimi im i parë dhe unë e lexova atë me shumë kujdes, është se jam shumë skeptik në lidhje me realitetin e këtyre akuzave për trafikim të organeve, por reagimi im i dytë është le t’i hetojnë ato”, tha Kouchner.
“Krim i organizuar, trafik, sigurisht, makina dhe drogë, sigurisht që ishim të vetëdijshëm, por për trafik organesh, ne nuk ishim aspak në dijeni, dhe duket se është e vështirë të besohet, prandaj jam skeptik”, shtoi ai.
Kouchner, i cili ka qenë shef i UNMIK-ut menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, ka hedhur poshtë pretendimet në raportin e Marty ku thuhet se zyrtarët perëndimorë “kanë bërë një sy qorr” në lidhje to.
Posselt: Marty është një demagog!
Bernd Posselt
Deputeti evropian, Bernd Posselt ka reaguar pas projekt-rezolutës të së enjtes të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në një intervistë dhënë programit shqip të Deutsche Welles, deputeti i Partisë Popullore në Parlamentin Evropian, Bernd Posselt e quajti Dick Martyn një demagog, që keqpërdor pozitën e tij.
“Natyrisht që unë jam për atë që këto akuza të hetohen në mënyrë faktike, si në aspektin e së drejtës penale ashtu dhe në aspektin moral. Por jo ashtu thjesht si zotëri Marty, i cili është i njohur për tendencën e tij për sensacione, për të ngritur diçka nëse nuk ka prova.
Për aq kohë sa nuk dëshmohet fajësia, Marty nuk mund të veprojë kështu. Prandaj unë e konsideroj Martyn absolutisht një demagog, i cili keqpërdor funksionin e tij”, përfundoi eurodeputeti Posselt.
Serwer: Raporti i KE nuk sjell argumente për akuzat e bëra
Daniel Server
Një analist i çështjeve të Ballkanit thotë se raporti i Këshillit të Evropës me akuza kundër UÇK-së dhe kryeministrit Hashim Thaçi, nuk sjell argumenta për të mbështetur këto akuza. Daniel Serëer, studiues në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, e kritikon tonin e raportit, por ai shton se një komision hetimesh penale duhet të qartësojë se çfarë ndodhi në të vërtetë. Serwer thotë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një komplikim të tillë tani që duhet qartësuar situata pas zgjedhjeve. Serwer thotë se raporti e bën të qartë që nuk është kryer ndonjë hetim që të mund të përcaktojë fajësinë ose pafajësinë. Ai nuk sheh argumenta që të mbështesin akuzat, për të cilat thotë se kanë qarkulluar që prej 10 vjetësh.
“Ajo që unë nuk di, është a janë gjetur të dhëna të reja nga ato të para 10 vjetësh që të mbështesin këto akuza, pasi raporti nuk i përmend burimet e veta, i radhit përpjekjet e veta, por nuk është një hetim serioz penal. Me duket se kjo është ajo që nevojitet. Ne duhet të qartësojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe kjo do të kërkojë bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës, të Shqipërisë, do të kërkojë angazhimin e EULEX-it dhe besoj se është diçka që duhet bërë, duhet të gjejmë a ka ndonjë gjë të vërtetë në këto akuza”.
Analisti Serwer,, siç raporton Radio Zëri i Amerikës, thotë se në një shoqëri të hapur publikimi i raporteve të tilla, është normal por ai ka rezerva për mënyrën e prezantimit të tyre.
“Mendoj se është për të ardhur keq që ato janë botuar sikur të jenë prova dhe jo akuza. Mendoj se toni i raportit është i gabuar. Por kjo nuk e ndryshon faktin që dikush duhet t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe të zbulojë se çfarë ndodhi, nëse kanë ndodhur gjëra të tilla dhe se cilët ishin përgjegjësit”.
Serwer, i cili është marrë me çështjet e Ballkanit, edhe si zyrtar i Departamentit të Shtetit, edhe në role të tjera në organizata amerikane, thotë se ai vetë kishte dëgjuar për akuza për trafikimin e organeve njerëzore para shumë vjetësh nga një gazetar i cili i pati thënë që nuk kishte qenë në gjendje të gjente prova.
“Unë akoma nuk shoh prova mbështetëse, të qarta. Shumë nga ato që thuhen në raport, janë fjalë që kanë qarkulluar. Veçanërisht për akuzat se zyrtarë të lartë qeveritarë kanë qenë të përfshirë, nuk paraqiten prova në raport. Për këtë arsye duhet një hetim serioz penal”.
Serëer thotë se akuzat kundër kryeministrit Thaçi e vështirësojnë edhe më shumë situatën paszgjedhore në Kosovë, mes ndërlikimeve dhe akuzave për mashtrime me votat që duhen sqaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Bordi i Apeleve. Ai thotë se këto vonesa dhe akuzat që shtrohen në raportin e hartuar nga anëtarët e KE-së nën kryesinë e Dick Martyt, e bëjnë të vështirë për zotin Thaçi që të gjejë partnerë koalicioni për qeverisje.
“Edhe për Kosovën do të jetë e vështirë në përgjithësi. Mund ta merrni me mend se si mund të ndjehen vendet që nuk e njohin Kosovën lidhur me këto akuza. Ata nuk dinë çfarë të mendojnë dhe do të shkaktojë probleme të vërteta për Kosovën”.
Dhe për më tepër, thotë zoti Serwer, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një gjë të tillë.
“Ata votuan, votat e tyre duhet të numërohen saktë dhe qeveria duhet të formohet dhe këto akuza për fat të keq e komplikojnë më shumë atë process.
Sallivan: Akuzat për trafikim organesh nga UÇK-ja janë shokuese
Stacy Sullivan
Një gazetare amerikane që ka mbuluar periudhën e luftës dhe pas luftës në Kosovë, thotë se akuzat e raportit të Këshillit të Evropës për UÇK-në dhe Hashim Thaçin janë shokuese. Stacy Sullivan, autore e librit “Nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se UÇK-ja ishte një organizatë shumë hermetike dhe kishte elementë kriminalë. Kur sheh pas ajo mendon që disa shenja në Burrel ishin shqetësuese. Por megjithëse zonja Sullivan kishte qenë në gjendje të konfirmonte vrasjen e serbëve nga UÇK-ja, ajo nuk kishte dëgjuar as nga serbët dhe as nga kontaktet e saj brenda UÇK-së, që organet e tyre të ishin trafikuar. Stacy Sullivan iu përgjigj pyetjeve të koleges Keida Kostreci nga Jeruzalemi ku jeton aktualisht. Zëri i Amerikës: Stacy, si gazetare juve mbuluat luftën në Kosovë në fund të viteve 1990. Cili është mendimi juaj mbi akuzat e përfshira në raportin e anëtarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti?
Stacy Sullivan: Këto akuza janë shokuese. Nuk ka diskutim që situata ishte jashtëzakonisht kaotike në Kosovë, që nuk kishte një kufi real mes Shqipërisë dhe Kosovës, që UÇK-ja kishte elementë kriminalë, por nga çfarëdo standardi, ideja e vrasjes së njerëzve, dhe marrjes së organeve për t’i shitur është shokuese.
Zëri i Amerikës: Ju mbuluat luftën dhe shkruat edhe një libër më pas për UÇK-në. Gjatë udhëtimeve tuaja atje, a mendoni se po të kishte ndodhur një gjë e tillë, do të kishit qenë në gjendje të vinit re, të shihnit diçka?
Stacy Sullivan: Do të më pëlqente të mendoja se do ta kisha vënë re, por UÇK-ja ishte një organizatë shumë hermetike. Unë kisha mbuluar luftën në Bosnje para luftës së Kosovës dhe atje ushtria boshnjake thoshte: “hajde me ne, shiko se çfarë po ndodh, ne po masakrohemi nga forcat serbe” dhe na ftonte të shihnim se çfarë po ndodhte. Me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte krejt ndryshe. Të gjithë ne gazetarët që mbulonim luftën në Kosovë, i shihnim shqiptarët si viktima dhe unë ende besoj se ata ishin viktimat. Ne përpiqeshim t’i thoshim UÇK-së se ne donim të njoftonim për atë që po ndodhte, të tregonim mizoritë që po kryheshin, por ata e bënë pothuajse të pamundur për ne. Ata ishin krejtësisht të mbyllur, rrallë na linin që të intervistonim ushtarë, ishin shumë dyshues ndaj anëtarëve të huaj të medias, pra ishte shumë e vështirë. Prandaj nuk më befason. Dukej sikur gjithmonë po fshihnin diçka. Ne nuk kishim gjithmonë mundësinë që t’u afroheshim dhe nuk do më habiste që ata të ishin të përfshirë në aktivitete kriminale. Por nuk do më kishte shkuar mendja kurrë që mund të ishin duke bërë heqje dhe trafikim organesh.
Zëri i Amerikës: A mendoni se ndoshta fakti që media perëndimore vinte me një ide të formuar se cilët ishin viktimat dhe cilët shkaktarët, mund t’i pengonte ata që të kishin një qëndrim më dyshues?
Stacy Sullivan: Unë edhe sot besoj se shqiptarët ishin viktimat. Ata ishin nën pushtimin serb për vite me radhë, iu ishin mohuar të drejtat civile dhe njerëzore. Ata trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe unë akoma mendoj se në thelb lufta e UÇK-së për pavarësi nga Serbia ishte fisnike. Vetëm se mendoj që nuk mund të mohohet që kishte elementë kriminalë në UÇK. Nuk besoj që ata anëtarë të UÇK-së për të cilët unë shkrova librin ishin të përfshirë në gjëra të tilla. Unë mendoj që ata ishin imigrantë që kishin punuar për të ndërtuar një jetë në Shtetet e Bashkuara, por besoj se është dokumentuar që prapa UÇK-së kishte elementë kriminalë, që kishte kontrabandë armësh dhe drogoe, dhe trafikim grash, por nuk do ta kisha menduar se bëhej fjalë edhe për trafik organesh.
Zëri i Amerikës: A kishit në atë kohë kontakte me Hashim Thaçin, apo me njerëz të tjerë që akuzohen se kanë qenë të përfshirë në këtë lloj aktiviteti?
Stacy Sullivan: Jo. Dhe në fakt isha përpjekur vazhdimisht që të kisha kontakt me Hashim Thaçin dhe grupin e Drenicës dhe çdo herë që isha përpjekur, nuk isha lejuar. Në Nju Jork isha takuar me Florin Krasniqin që ishte një nga personat kryesorë që mblidhte fonde dhe ai ishte i lidhur me grupin e Pejës, që nuk është akuzuar. Unë nuk pata kontakte me Hashim Thaçin deri pas luftës, kur ishte kryeministër dhe unë e intervistova. Ishte një bisedë formale por unë nuk pata asnjë shenjë se mund të kishte qenë i përfshirë në ndonjë gjë.
Zëri i Amerikës: A kishit parë, apo dëgjuar gjëra në atë kohë që tani mund t’ju bëjnë tani të mendoni se diçka po ndodhte?
Zëri i Amerikës: Dhe gjatë asaj periudhe a patët kontakte me serbë që mund të kishin shprehur shqetësimet për një gjë të tillë?
Stacy Sullivan: Unë pata kontakte me serbë, anëtarë të familjes së të cilëve ishin zhdukur. Ata ishin të dëshpëruar të merrnin vesh se ç’kishte ndodhur me ta. Unë isha në gjendje të konfirmoja që UÇK-ja ishte e përfshirë në zhdukjen dhe vrasjen e tyre, por asnjëherë ndonjë nga serbët nuk shprehu akuza për heqje organesh. Nga ana tjetër unë kisha kontakte të brendshme në UÇK që më ndihmonin të zbuloja se ç’kishte ndodhur, por askush kurrë nuk me la të kuptoja që këta njerëz u vranë për t’iu marrë organet. (Zëri i Amerikës).
Tim Judah: Raporti i Martyt, goditje fatale për Kosovën
Tim Judah
Nëse ndonjëherë dëshmohet se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e ka përkrahur ish-kryeministri britanik, Tony Blair, se është bos mafioz, vrasës dhe tregtar me organe njerëzore, historia e luftës për pavarësinë e Kosovës duhet të shkruhet sërish, ndërsa shkëlqimi, të cilin në atë luftë e ka vendosur Blair duhet të shlyhet, shkruan gazetari dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah, shkruajnë mediet serbe.Judah në një shkrim autorial për botimin e së dielës të “Daily Telegraph”, vlerëson se raporti i raportuesit special të KE-së, Dick Marty, në të cilin kundër Thaçit bëhen këto akuza, paraqet “dokumentin, i cili i ka dhënë goditje fatale shtetit më të ri të Evropës”.
Akuzat nga ky raport “minojnë kredibilitetin” e Kosovës, “dhe rrëzojnë akuzat se partia e Thaçit është e përfshirë në manipulimet flagrante të zgjedhjeve”, thotë autori, duke përkujtuar se Kosova ishte një nga intervenimet e para të planifikuara ushtarake të Blairit, dhe pas intervenimit të NATO-s “situata ka ndryshuar”.
Judah thekson se refugjatët e përndjekur shqiptarë, të cilët janë kthyer në shtëpi u janë hakmarrë serbëve që kanë mbetur në Kosovë, ndërsa rolin kryesor në këtë e ka pasur UÇK-ja, derisa “forcat e NATO-s kanë mbyllur sytë në atë që ka ndodhur”.
Akuzat nga raporti i Martyt “flasin se në Ballkanin e dhunshëm, qeveritë perëndimore kanë vendosur se paqja dhe stabiliteti në Kosovë është me rëndësi parësore dhe për këtë shkak ka mbyllur sytë në krimet e liderëve të ri të Kosovës, dhe kanë toleruar pjesëmarrjen e tyre në krimin e organizuar”, shkruan Judah.
Ai thekson se në Kosovë edhe më tutje janë prezente varfëria, papunësia dhe veçmas korrupsioni në përmasa të mëdha, i cili është pengesë për prosperitetin e saj dhe ajo është “i vetmi vend në Ballkan, i cili në asnjë mënyrë nuk po prosperon, por stagnon krahasuar me të tjerët në rajon”.
“Rreziku për Kosovën fshihet në atë se ajo ende nuk ka realizuar të gjitha elementet e shtetësisë e plotë, që nga koha kur është ndarë nga Serbia… Problemi është në atë se këtu, sipas të gjitha gjasave, asnjëherë asgjë nuk mund të dëshmohet, dhe për këtë shkak populli i Kosovës do të jetë i dënuar me varfëri dhe izolim”, vlerëson Judah në “Daily Telegraph”. (www.kosovanews.com).
Kacin: Të hetohen thëniet nga raporti i Dik Martit
Jelko Kacin
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, deklaroi sot se thëniet nga raporti i Dik Martit, për tregti me organe në Kosovë, janë akuzë e rëndë për të cilën duhet të zhvillohen hetime.
Zoti Kacin u tha gazetarëve në Beograd, se hetimi për raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, DikMarti, është sfidë e madhe për drejtësinë në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se atyre u duhet ndihma ndërkombëtare.
“Duhet të aktivizohen edhe institucionet ndërkombëtare dhe kjo duhet sa më parë të hetohet. Nëse aty ka faktografi, atëherë kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë, ndërsa nëse nuk ka, atëherë kjo duhet të spastrohet, sepse po e helmon atmosferën politike në Kosovë, Shqipëri, Sërbi dhe rajon”, tha zoti Kacin.
Kacin ka theksuar se ai raport ende nuk është miratuar, por është në formë të propozimit dhe se ajo që është publikuar deri tash, nuk jep të dhëna konkrete të mjaftueshme, në të cilat hetimi do të mund të koncentrohej.
Di Lelio: Raporti i Marty, i pabazë
Ana Di Lelio
Sociologia Ana di Lelio ka komentuar për rrjetin informativ shqiptar Top Media raportin e Dick Marty, duke e vlerësuar atë si një dokument të pabazë.Sipas Di Lelio, raporti që flet për trafik droge, armësh dhe organesh njerëzore nuk përmban asnjë provë.
“Raporti nuk paraqet prova, por bazohet thjesht në gojëdhëna. Është e sigurt që asnjë akuzë nga raporti i Dick Marty nuk ka për t’u vërtetuar”, ka deklaruar Di Lelio.
Ajo më tej ka komentuar edhe librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, që përmban akuza të tilla, duke u shprehur se ai libër synon vetëm diskriminimin e UCK-së dhe luftës së saj.
Martonji: Rasti i Martit të mos ndikojë në dialog
Janosh Martoni
Duke paraqitur programin hungarez për kryesimin e radhës së presidencës së BE-së, Martonji ka thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd duhet të fillojnë me çështjet neutrale dhe teknike.
Ai ka theksuar se akuzat e Këshillit të Evropës për përfshirje të kryeministrit Thaçi në krime lufte janë shqetësusese.
“Është çështje e drejtësisë që të sjellë provat, e vetëm atëherë mund të nxjerrim përfundimet politike”, ka thënë Martonji.
Nëse ka prova, t’i përcillen EULEX-it
SHBA-të e kanë marr seriozisht raportin e raportuesit të posaçëm të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim me organe në Kosovë dhe pretendimet se në të ka gisht edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
“EULEX-i tashmë ka hetuar akuzat e mëparshme. Nëse ekzistojnë prova të reja në këtë raport apo dëshmitarë të rinj, kjo duhet t’i përcillet EULEX-it dhe autoriteteve kompetente për hetime”, ka thënë zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, i lutur që të komentojë raportin e Martyt.
Countryman ka thënë se SHBA-të presin dhe do të përshëndesnin njoftimet e qeverive në Prishtinë dhe Tiranë se do të bashkëpunojnë me çdo hetim eventual.
“Disa herë kemi theksuar se asgjë nuk është më e rëndësishme se sa vendosja e sundimit të ligjit në tërë Evropën Juglindore. Mjerisht edhe sot ka krim të tepërt të organizuar jo vetëm në Kosovë, në jug dhe në veri të Kosovës, por në çdo vend të rajonit”.
Countryman ka porositur qeveritë e vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase me autoritetet lokale lidhur me këtë çështje.
“Në rastin konkret nuk kam parë raportin e zotit Martyt dhe prandaj nuk mund ta komentoj, por përgjithësisht tërë qëllimi i hetimit të tillë është që të vendoset përgjegjësia individuale për krime të individuale, sepse nuk mund të kemi përgjegjësi kolektive dhe të themi se të gjithë serbët ose të gjithë shqiptarët apo kroatët janë fajtorë për aksionet e disa individëve. Prandaj mbështesim provat e reja dhe presim që të gjitha shtetet dhe individët në rajon të bashkëpunojnë me hetimet”, ka thënë Countryman në një intervistë për Zërin e Amerikën.
Kacin: Raporti i Martit s’mund të pengojë dialogun
Jelko Kacin
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin konsideron se raporti i Dik Marti për tregtinë me organet njerëzore në Kosovë, nuk mund të jetë justifikim për të mos filluar dialogun Prishtinë-Beograd.
Kacin u ka thënë mediave serbe se ai dialog nuk do të nisë në nivel të presidentëve, as të kryeministrave apo ministrave, por në nivele më të ulta.
“Për këtë arsye, kjo nuk mund të jetë argument, apo justifikim që dialogu të mos fillojë, sepse ai do të meret me përmirësimin e kualitetit të jetës se njërëzve të rëndomtë, dhe kërkimin e zgjidhjeve të cilat do të ishin në interes të të dy palëve”, ka thënë Kacin.
Ai ka theksuar se për të ka qenë shokuese jo vetëm përmbajtja e raportit të Dik Martit, por edhe fakti se “aty nuk ka elemente konkrete të provave”.
Kacin ka thënë se pret nga njeriu që ka qenë prokuror që të ofrojë diçka më shumë, ndonjë provë shtesë.
Petriç: Akuzat, “Made in Serbia”
Ambasadori austriak Volfgang Petriç, e cilësoi raportin e Dick Marty të pabazuar në fakte. Ai ka thënë se e ka pritur me skepticizëm raportin, pasi të tilla akuza ishin ngritur edhe më parë nga Beogradi apo Moska.
Sipas tij këto akuza prej 10 vjetësh qarkullojnë lart e poshtë, në Beograd e Moskë e për çudi edhe nga një senator zviceran. Ai ka shtuar se akuzat mbeten shumë misterioze, aç më tepër që këto vitet e fundit në rajon vepron NATO, EULEX-i dhe Kombet e Bashkuara.
Petriç tha se vendet e BE-së janë përgjegjëse për këtë raport dhe duhet të merren seriozisht me këto akuza për të zbardhur se ku qëndron e vërteta dhe kush mund të fshihet pas akuzave ndaj qeverisë së një shteti të pavarur.
Wiesner: Akuza të çmendura të Dik Martit
Frank Wisner
Ambasadori Frank Wisner, përfaqësuesi amerikan i treshes, e cila i ndërmjetësoi bisedimet Prishtinë- Beograd para pavarësisë së Kosovës, i ka quajtur të çmendura akuzat e Dik Martit për kryeministrin e Kosovës dhe UÇK-në.
“Unë jam thellësisht skeptik ndaj këtij raporti. Ajo që është thënë duhet të argumentohet, dhe po që se ka fakte dhe argumente, ato t’i dorëzohen autoriteteve në Kosovë. Kosova është vend i rendit dhe ligjit, ka sistemin juridik, ka prokurorinë dhe jam i sigurt se po qe se është kryer vepër apo krim, autoritetet në Kosovë do ta hetojnë në tërësi”, ka thënë Wisner për RTV 21.
Në pyetjen nëse kjo do ta dobësojë pozitën e Kosovës në procesin e bisedimeve me Beogradin, Wisner vlerësoi se kjo nuk do ta dobësojë pozitën e Prishtinës. (RTV21)
Gelbard: Dik Marti është i prirur për senzacionalizëm
Robert Gelbard
Ish-emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Robert Gelbard, duke folur rreth fillimit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, pas raportit të Dik Martit për trafikim me organe njerëzore, tha se akuzat ndaj Hashim Thaçit “janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe po aq serioze sa që për to duhet patjetër zbatuar hetime”.
Ndërkaq për Dik Martin, Gelbard tha se “është i prirur për senzacionalizëm, por ai ka paraqitur akuza serioze të cilat duhet të hetohen”. “Mirëpo akuzat në lidhje me Thaçin nuk kanë ndikim në çështjet e pavarësisë së Kosovës”, theksoi Gelbard.
Ai i shpreh mirënjohje qeverisë së Thaçit, për të cilën tha se ka vënë në dukje se ekzistojnë çështje praktike midis dy vendeve fqinje që duhet zgjidhur. “Rasti i Thaçit nuk duhet të jetë pengesë në rrugën drejt zgjidhjes së çështjeve të tilla të cilat janë në interes të ndërsjellë të Beogradit dhe Prishtinës”, tha Gelbard në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në serbisht.
Ndërkaq, duke folur për rreth marrëdhënieve të mëtejshme të SHBA-ve me Beogradin, Gelbard raportet mes SHBA-ve dhe Serbisë i vlerëson të mira, ndonëse siç tha, mund të jenë më të mira. Ai tha se vizita e nënpresidentit Bajden dhe e sekretares së Shtetit Klinton kanë shënuar përparim në marrëdhënie dhe bashkëpunim. “Tani gjithashtu kemi edhe ndihmës sekretarin e shtetit shumë të aftë, Tom Kantrimen, i cili është i martuar me një serbe”. “Në Beograd kemi një ambasadore të jashtëzakonshme – Meri Uorlik”, tha Gelbard, dhe shtoi se administrata e Obamës është e angazhuar dhe po punon, megjithëse “ekzistojnë disa komplikime, para së gjithash preokupimet e Beogradit me Kosovën”.
Serbia shikon ndryshe Kosovën
Në “Shtëpinë e verdhë” nuk mund të bëheshin transplantime
Shtepia e Verdhë
Duke folur për trafikimin me organe njerëzore, Prof. Dr. Zoran Stankoviq, specialist i mjekësisë ligjore nga Beogradi, thotë se në këtë punë duhet të marrin pjesë kirurgë të mirë, një ekip multidisiplinar me të paktën 50 njerëz. “Shtëpia e verdhë, (Shqipëri) sa kam parë, nuk ka pasur mundësi që në të dikush të bëjë transplantime, por është shumë e mundshme që ky objekt të jetë shfrytëzuar si burg në të cilin janë mbajtur të zënit robë”, ka thënë Stankoviq për shtypin serb.
“Që transplantimi i organeve të jetë i suksesshëm, nevojiten kushte sterile për punë, pajisje dhe mjekë të stërvitur mirë. Para vetë ndërhyrjes duhet bërë tipizimi i organit”. Sipas Dr. Stankoviqit kur të nxirren të gjitha organet që mund të transplantohen, nevojitet një kohë për transportin e tyre. Kjo me siguri është kryer me avion, sepse tranpslantimi i organeve duhet të bëhe për disa orë. “Që organi të merret, trupi duhet të jetë në gjendje pa vetëdije duke dhënë sedativ, apo anestetikë’, thekson ai. “Janë iluzione se ata se pari janë vrarë, dhe të vdekur i kanë dërguar deri në vendin ku u janë marrë organet. Madje edhe kur bëhet fjalë për transplantime kadaverike, personi i tillë është në aparate. Ata me gjasë i kanë lënë njezëzit të vdesin”. Sipas Stankoviqit, nëse i gjejnë varret, me obduksion mund të shihet vetëm nëse është nxjerrë zemra apo disa eshtra të ekstremiteteve. “Për shkak të procesit të kalbjes nuk ka inde të buta dhe është e pamundur të verifikohet se a janë nxjerrë veshkat, mëlqia”. thotë Stankoviq për gazeten “V.novosti”.
Kemi qenë një nga burimet kryesore për Martin
Vladimir Vukçeviq
Prokurori i Serbisë për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, ka thënë se pa bashkëpunimin e Shqipërisë, Serbisë dhe EULEX-it, nuk do të ketë përparime në hetimet “mbi trafikimin e organeve”, për të cilat ka raportuar anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti.Duke pohuar se ka qenë në mesin e burimeve kryesore për Dik Martin, në Prokurorinë e Serbisë pohojnë se gjërat kanë ndryshuar thelbësisht, pas ardhjes së EULEX-it në Kosovë.
Serbia nuk do ta akuzoj Thaçin
Bruno Vekariq
Serbia nuk do ta akuzoj kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me akuzat kundër tij të paraqitura nga raportin e Dik Martit.
“Nëse dikush nuk është i arritshëm për policinë tonë dhe autoritetet gjyqësore, nuk është e përshtatshme t’i fillojmë proceset e tilla, sepse duken shumë më tepër si procese politike”, i tha gazetës beogradase Blic, zëvendës prokurori i Serbisë, Bruno Vekariq.
Mëtutje ai theksoi se “meqë ne nuk dëshirojmë të jemi të involvuar në sferën politike, roli ynë më i rëndësishëm është ta ndihmojmë EULEKS-in dhe Prokurorinë në Shqipëri, në zhvillimin e hetimeve”. (Blic)
Zyrtarët serbë takojnë Martin, kërkojnë hetim ndërkombëtar
Rasim Lajiq
Zyrtarët serbë thanë se dëshirojnë një hetim ndërkombëtar në lidhje me raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Martit.
Një zyrtar serb ka udhëtuar sot në Strasburg, në selinë e Këshillit të Evropës, për t’u takuar me senatorin Dick Martin, i cili javën e kaluar publikoi raportin mbi trafikimin ilegal të organeve, që siç pretendon raporti, është kryer nga disa pjsëtarë të UÇK-së.
Rasim Lajiq tha se “Serbia nuk po kërkon asgjë, përveçse të vërtetën në lidhje më këto akuza”.
Kryeministri Thaçi ka hedhur poshtë akzuat duke i quajtur shpifje dhe gënjeshtra.
Tash do të shikohet ndryshe problemi i Kosovës
Boris Tadiq
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq vlerësoi se, pavarësisht të ekzistimit të supozimeve për pafajësi, pas publikimit të raportit të Dik Martit, në të ardhmen në komunitetin ndërkombëtar problemi i Kosovës do të shihet nga një prizm tjetër.
“Serbia ka pritur me vite para institucioneve ndërkombëtare për një raport të tillë. Kemi apeluar që të gjitha krimet të zbardhen, por këto apele në dekadën e kaluar nuk janë marrë seriozoisht. Tash, është një pamje tjetër dhe për këtë i falenderohem Dik Martit”, u ka thënë Tadiq gazetarëve në bazën e Njësive Speciale Anti-Terroristë në Batajnicë.
Tadiqi ka vlerësuar se populli serb në vitet e kaluara në opinionin ndërkombëtar është paraqitur si fajtori i vetëm për të gjitha ngjarjet në ish RSFJ-në, por se pas raportit të Martit, një qëndrim i tillë “bie në ujë”.
Ai ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës dhe të gjerë, që nënkupton konfirmimin e saktë nëse ka pasur krime të tilla në Kosovë dhe konfirmimi se kush është fajtor.
Ai ka shfaqur shpresën hetimi i gjerë i këtij rasti do të ndriçojë dhe procesin e krijimit sic e ka quajtur të “të ashtuquajturit shtetit të Kosovës”.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse pas raporti ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, Tadiq ka thënë se ai përfaqëson interesat publike të Serbisë dhe nuk sillet në publik sipas simpative personale.
“Shumë herë jam takuar me njerëz me të cilët nuk kemi asgjë të përbashkët. Kjo është puna ime. Edhe mjekët shërojnë njerëz me të cilët nuk i lidh sistemi i njëjtë i vlerave”, ka thënë Tadiq.
Baribar: Dëshmitarët e Shtëpisë së verdhë zhdukeshin
Jose Pablo Baraybar
Ish-shefi i Zyrës së UNMIK-ut për persona të zhdukur dhe forenzikë, Jose Pablo Baraybar, ka deklaruar se dëshmitarët që jepnin informata rreth tregtisë me organe njerëzore në Kosovë, në kohën e tij, zhdukeshin.
Ai tha se informatat e para për tregti me organe njerëzore në Kosovë i kishte marrë nga 8 dëshmitarë, të cilët në ndërkohë thjesht ishin zhdukur.
E përditshmja e Beogradit, e njohur për pikëpamjet nacionaliste serbe, “Veçernje Novosti”, citon Baraybarin se informatat e para mbi tregtinë me organe njerëzish në Kosovë i kishte në fund të vitit 2002 dhe në fillim të vitit 2003. Baraybari sipas kësaj gazete më 2004 kishte marrë mostrat rreth Shtëpisë së verdhë famëkeqe dhe para dy vjetësh kishte paralajmëruar se hetimet e Dick Martyt do të jenë mënyra më e mirë se të zbulohet se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.
Ai ka pohuar se disa nga dëshmitarët kishin thënë se kanë qenë në “Shtëpinë e verdhë në veri të Shqipërisë, të tjerë kishin folur se kanë parë që nga kjo shtëpi nxirreshin trupat njerëzish dhe varroseshin në varrezën lokale, kurse disa të tjerë kishin thënë se kishin transportuar njerëz në Shqipëri”.
“Nuk kemi biseduar me askënd që ka thënë se ka marrë pjesë në atë që gjoja ka ndodhur në Shtëpinë e verdhë ose, të themi, të ketë qenë i rrëmbyer”, ka thënë Baraybar.
Baraybar ka theksuar se edhe gjatë vizitës së vendit potencial të krimit “ka pasur gjurmë që duhej të ndiqeshin”, siç janë shishe ilaçesh ose kontejnerë kirurgjikë, duke vlerësuar se kishte mjaft informacione që hetimi të vazhdojë.
Po sipas fjalëve të tij, hetimi rreth krimeve ishte mbyllur pas shkuarjes së ekipit të UNMIK-ut në Burrel, nga shumë arsye, një nga to ishte se kishin filluar hetimet kundër Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt.
“Kur ndodhi kjo, të gjitha burimet të cilat do të mund të na çonin deri në varreza dhe të na tregonin se ku ishin varrosur saktësisht trupat, thjesht u zhdukën”, i ka thënë kësaj gazeta Barebarin, dhe ka shtuar se dëshmitarët nisën të fshihen, nuk dëshironin të flisnin ose ikën.
“Raporti i UNMIK-ut që e ka nënshkruar Baraybar, dhe që është kompletuar kohë më parë dhe për të cilin ishte heshtur 4 vjet, zbulon se hetuesit dhe forenzikët më 4 shkurt të vitit 2004 gjurmët e krimit i kanë ndeshur 15 km në veri nga Burreli.
Në një mbeturinë është gjetur një kontejner i zbrazët plastik, përmbajtjen e pajisjeve për terapi intervenoze, shiringa, shishe të zbrazëta trankseni, që përdoret edhe për qetësim edhe për anestezion intravenoz, si dhe antibiotikë, ambalazh për hapa, copa materiali nga kombinezone kirurgjike, shishe hapash të ndryshëm, dhe këllëf për revole.
Të gjitha dëshmitë sipas Baraybarit i janë dorëzuar oficerit të Sigurimit të Tribunalit të Hagës, Han Koksi, dhe ato janë shkatërruar në vitin tjetër.
Serbia, Rusia reagojnë ndaj raportit për trafikim të organeve
Vuk Jeremiç dhe Sergei Lavrov
Serbia dhe aleati i saj, Rusia kanë reaguar ndaj raportit, i cili e implikon kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në trafikimin e organeve të serbëve të burgosur.
Ministri i Jashtëm serb. Vuk Jeremiç, i bëri komentet e tij pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov në Moskë.
“Ky raport është sinjal se ka ardhur koha që tërë bota e qytetëruar të pushojë së mbylluri sytë para realiteteve të tmerrshme në Kosovë. Ky raport tregon se si është Kosova sot, dhe kush janë liderët e saj. Ne të gjithë duhet të bëhemi bashkë që të kërkojmë zgjidhje për çështjen” e Kosovës, tha Jeremiç.
Raporti i raportuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti thotë se civilët e burgosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë vrarë në Shqipëri, dhe veshkat e tyre janë shitur në tregun e zi pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.
Raporti gjithashtu sugjeron se kryeministri Hashim Thaçi ka qenë një kohë “bosi” i nëntokës kriminale, e cila ka bërë tregtinë me organet.
Lavrov tha se informatat për trafikimin e organeve kanë dalë në sipërfaqe shumë kohë më parë, dhe se Moska është “shumë e alarmuar” nga raporti i ri.
Qeveria e Kosovës tha se raporti është përpjekje për ta njollosur imazhin e UÇK-së.
Del Ponte pro serbe në raportine Dik Martit
Carla del Ponte e mirëpret raportin e Martyt
Carla Del Ponte
Projekt-raporti i Dick Martyt në Këshillin e Evropës, i cili përfshin kryeministrin në largim Hashim Thaçi në trafikimin e organeve, është mirëpritur nga ana e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte.
Në një intervistë për agjencinë zvicerane Suissinfo, Del Ponte, autore e librit të diskutueshëm “Gjahu”, aktualisht ambasadore në Argjentinë, ka thënë se ishte ndërmjet shqetësimit dhe kënaqësisë se këto “akte të urryera” së shpejti do të nxirren para drejtësisë.
“Informacionet e publikuara në librin ‘Gjahu’, çoi në këtë hetim. Jam e tronditur dhe thellësisht në gjendje të vështirë, nga gjetjet se kishte vrasje të të burgosurve me qëllim të heqjes së organeve të tyre dhe shitjen për fitim është kryer nga anëtarë të lartë të UÇK-së, duke përfshirë disa individë që mbajnë pozita të lartë në qeverinë aktuale të vendit”, ka thënë Del Ponte në këtë intervistë, raporton Telegrafi.
Ajo tha se pretendimet në librin e saj mbështetën nga “prova të besueshme dhe të verifikueshme fizike” të marra nga studiuesit nga Tribunalit të Hagës dhe të UNMIK-it, gjatë një misioni në Shqipëri dhe në prani të një prokurori të qeverisë shqiptare.
“Unë e di që citimet nga libri im ‘Gjuetia’ kanë çuar në një hetim nga ana e Këshillit të Evropës, një draft i të cilit u botua në faqen e internetit në mars”, ka thënë ajo.
Tribunali i Hagës pati njoftuar, derisa ajo ishte kryeprokurore, se nuk kishte gjetur prova për të vërtetuar pretendimet e saj, dhe si Thaçi ashtu edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha, hodhën poshtë ato publikisht.
Kishim prova, por Shqipëria pengoi hetimet për Thaçin
Karla Del Ponte
Ish-kryeprokurorja për Krime Lufte në Hagë, Karla Del Ponte pasi ka mbështetur akuzat e Dick Marty, në një deklaratë ditën e sotme ka akuzuar Shqipërinë për pengesa në hetimet që janë zhvilluar ndaj Hashim Thaçit.
“Shqipëria, pengoi hetimet fillestare”, i tha Del Ponte agjensise gjermane te lajmeve DPA. “Hetimet për këto çështje penale duhet te zhvillohen medoemos,- kembengul del Ponte, duke shtuar se – nuk duhet te kryhen nga autoritetet e Kosovës apo ato te Shqipërisë”.
“Ata që tani thanë se të gjithë janë të pafajshëm”, tha ish kryeprokurorja, aktualisht ambasadore e Zvicres ne Argjentinë. Sipas saj, vetem EULEX-i, mund te marre pjesë ne hetime, por edhe ai duhet pergatitur per kete pune.
“Pas perfundimit te punes ne krye te Gjykates se Krimeve te Luftes, mesova e tronditur se ishin zhdukur dëshmi për heqjen eventuale të organeve. Ka pasur prova gjaku, shami, fotografi dhe gjëra të tilla të ngjashme nga shtëpia e verdhë në Rribe në veri te Shqiperise”, thotë Del Ponte.
“Për ne ishte atëherë e qartë se në ate shtëpi kishte ndodhur diçka. Hetimet fillestare te gjykates mbeten ne vendnumero, per shkak se Shqipëria nderpreu bashkëpunimin. Veç kësaj dëshmitarë nuk kishin pranuar të dëshmonin. Ata kishin frikë”, vazhdon Del Ponte.
Akuzat në fjalë ajo i ka publikuar për herë të parë në një libër të botuar në vitin 2008.
NATO-ja ishte aleate e UÇK-së
Carla Del Ponte
Ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte ka thënë se NATO ishte aleate e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa është shprehur mirënjohëse Këshillit të Evropës dhe Dick Martyt që kanë çuar më tej dyshimet rreth tregtisë me organe dhe kanë publikuar informacione për këtë çështje, për të cilën thotë se misioni i EULEX-it ka baza të shkojë përpara.
Në një intervistë për të përditshmen zvicerane Le Temps, ajo ka se Tribunali “kishte tregimin e personave që kanë transportuar të burgosurit nga një vend i mbajtjes rob në vendin tjetër dhe deri në një spital” dhe “se ato ishin dëshmi shumë të rënda”. “Po ashtu e dinim se ka pasur gropa të përbashkëta të Shqipëri, ku ndoshta do të mund të gjenim trupa, të cilave iu mungonin organet”.
Carla del Ponte ka thënë se Tribunali i Hagës ka hetuar rastet e 400 të të zhdukurve dhe se kanë pasur shenja, sipas të cilave, një grup i vogël i atyre personave, nja 10 sish, të ketë qenë viktima të tregtisë me organe.
“Por, dëshmitarët kanë qenë të frikësuar dhe kanë refuzuar të përsërisin rrëfimet e tyre para Tribunalit të Hagës. Shenjat e krimit ndodheshin në Shqipëri dhe autoritetet shqiptare kanë refuzuar të bëhen hetime, duke thënë se këtë tashmë e kishin bërë, por pa sukses. Ato ngjarje kanë ndodhur gjatë verës së vitit 1999, pas luftës. Në këtë kohë, dyshohej në ekspertizën e Tribunalit të Hagës. UNMIK-u mund të merrej me hetime, por këtë nuk e bëri”, ka thënë ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës.
Carla Del Ponte në librin e saj “Gjuetia” jep të dhëna mbi tregtinë me organe të civilëve serbë të vrarë pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999. /KI/
Anti-shqiptari Dick Marty
Kam prova për raportin
Dik Marti
Raportuesi i KE-së Dick Marty tha sot se ka prova dhe fakte për implikimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi në trafikun e organeve, ndërsa ky i fundit mësohet se po shikon mundësinë për të çuar para drejtësisë Martyn dhe britaniken “The Guardian”.
Menjëherë pas rezolutës së miratuar sot nga Komiteti ku behet thirrje për një seri hetimesh në nivel kombëtar, mbi raportin e Dick Marty, ka reaguar ky i fundit. Gjatë një konference për shtyp raportuesi i KE-së Dick Marty e quajti veten zëdhënës të viktimave dhe e cilësoi raportin si shumë serioz.
“Të gjithë e dinin por askush nuk fliste”, tha Marty, ndërsa shtoi se nuk janë bërë publike të gjitha detajet. Ai tha se ka prova dhe fakte nga persona të përfshirë në çështje.
Ai ka bërë thirrje që raporti i tij, i cili përfshin një periudhë dy vjeçare hetimesh të lexohet në mënyrë korrekte.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës planifikon të hedhë në gjyq raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Agjencia e lajmeve Associated Press citon një zyrtar të lartë të Kosovës të ketë thënë se kryeministri Thaçi ka kontaktuar me një zyrë avokatie për tu këshilluar rreth çuarjes para drejtësisë të Dick Martyt. Zyrtari, të cilin AP-ja e citon në kushte anonimiteti, ka theksuar se Thaçi po shikon mundësinë edhe të hedhjes në gjyq gazetën britanike “The Guardian”.
Anti-shqiptari Dick Marti
Kush është Dick Marty? Reporteri i Këshillit të Europës edhe pse mbron të drejtat e njeriut, njihet si një person që ka pak simpati për shqiptarët, duke dalë kundër të drejtës së tyre për të patur një shtet të pavarur në Kosovë.Marty, një person lunatik, kundërshtoi fort pavarësinë në 2008, duke lëshuar që atëherë akuza ndaj UCK-së. Pak ditë nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ai tha se vendimi për shpalljen e saj nuk është marrë në Prishtinë.
Ai foli për “kutinë e pandorës” dhe pasojët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Po shumëkush mund të thotë, pse ky raport erdhi pikërisht pas zgjedhjeve në Kosovë, ku PDK, forca politike e drejtuar nga Hashim Thaci, që është edhe i akuzuari i Marty-t, u quajt fituesja e zgjedhjeve?
Në intervistën e dy viteve më parë Dick Marty thotë shprehimisht kështu.
“Konstatoj se Kosova e administruar nga komuniteti ndërkombëtar pas 10 vjetësh ka një ekonomi që nuk ekziston, është kthyer në një qendër të krimit të organizuar e të trafikut të drogës, armëve dhe qënieve njerëzore. Konstatoj se nuk ka një shoqëri të vërtetë civile e cila të ngrejë themelet e një demokracie të vërtetë…”.
Dick Marty: Unë kam mbledhur fakte, ato tani duhet të hetohen
Dik Marti
“Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Me këtë raport unë veproj jo kundër Kosovës, por për Kosovën – dhe, mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik”, u shpreh anëtari i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Zvicrës, Dick Marty, në një intervistë dhënë gazetës zvicerane „NZZ am Sonntag“, të cilën e transmeton sot “Koha Ditore”, duke iu përgjigjur kritikave ndaj raportit të tij mbi krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur fillimisht nëse mund të lëvizte i lirë pas prezantimit të raportit mbi krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa po udhëtonte në kantonin e Tiçinos, Dick Marty u përgjigj: “Marty: Mendoj se po”. Ai as e pohoi, as e demantoi se udhëton i pashoqëruar nga policia.”Ju siguroj se tani jam duke udhëtuar vetëm me një koleg të Parlamentit”, tha ai.
Marty shtoi se nuk e priste një jehonë të tillë të raportit të tij “Jo në këtë përmasë. Carla del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Krimeve të Luftës në Hagë, por edhe gazetarët më herët kanë tërhequr vëmendjen te këto krime. Por, raporti im ndoshta është më gjithëpërfshirës dhe më i detajuar”. Ndërkaq rreth akuzave ndaj ish-komandantit të UÇK-së dhe kryeministrit të tanishëm Hashim Thaçi për këto krime, tha se emri i tij përmendet në aq shumë raporte të shërbimeve sekrete dhe policore, prandaj ka qenë e pamundshme që ai të injorohet. Por, ka mohuar që emri i tij apostrofohet si pjesëmarrës në krime. “Unë askund nuk shkruaj se ai personalisht ka qenë pjesëmarrës.”
Në pyetjen se pse e publikoi raportin tek pas zgjedhjeve, u përgjigj gjoja pse “ Nuk kemi dashur të ndikonim (në zgjedhje, v.j.)”. Sipas tij ndërkaq “në strukturat hierarkike të krimit të organizuar nuk bëhet gjë pa e ditur shefi”.
Marty në intervistën dhënë kësaj gazete zvicerane përpiqet të duket i paanshëm, parimor; “Unë s’e gjykoj askënd, por as nuk e amnistoj. Unë kam mbledhur fakte dhe kam konstatuar se kurrë nuk ka pasur një hetim të mirëfilltë. Por, unë nuk e paragjykoj epilogun e një hetimi të tillë”.
Reagimin e qeverisë ndaj akuzave të tij ai e konsideron gjë normale. ” Por, ne jemi konsultuar me ekspertë të tregtisë me organe. Kjo nuk është aq e komplikuar”, shpreht. Po ashtu shton se “E gjithë kjo s’ka ndodhur në Kosovë, por në një lokalitet në Shqipëri, afër Tiranës dhe aeroportit. Të transportosh atje një veshkë dhe ta futësh në një frigorifer është më pak e komplikuar se ç’po thuhet.”
Në vërejtjen se mungojnë dëshmitë për akuzat që bën, ai përgjigjet se kështu është thënë edhe kur e ka publikuar raportin për burgjet sekrete të CIA-s. “ Nuk më takon mua të them a është diçka dëshmi apo jo. Unë kam pasur mandat nga Këshilli i Evropës t’i hetoja ato që i ka thënë Del Ponte. Në bazë të shumë burimeve – mes tjerash raporte të shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme dhe deklarata të dëshmitarëve, kryesisht kosovarë – unë kam mbledhur fakte. Unë përmendi vende, data, emra. Tani kjo duhet të hetohet nga një instancë juridike”.
Sipas tij një problem fondamental ka qenë që NATO-ja atëbotë luftën në tokë ia kishte lënë UÇK-së, e cila më parë ishte klasifikuar si grup terrorist. NATO-ja, dhe veçanërisht SHBA-ja, pastaj vendosën të mbështeten te Thaçi për të formësuar të ardhmen e Kosovës. Marty nuk ngurron ta konsiderojë përgjegjëse për ato që kanë ndodhur në Kosovë. Përgjegjëse është “Gjithë bashkësia ndërkombëtare. Do të kishte mjaftuar sikur Evropa të kishte thënë jo”, thotë ai. “Ajo ka pasur alternativë mes oportunizmit shkurtpamës politik dhe zbatimit të ligjit. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja e Kosovës pa u ballafaquar me të kaluarën. Me këtë raport unë veproj jo kundër Kosovës, por për Kosovën – dhe, mbi të gjitha, për ata kosovarë, të cilët, më në fund, duan të jetojnë në një shtet juridik.”
Marty pohon se gjatë një kohe të caktuar Zvicra me sa duket kishte vendosur një ndalimhyrje për Thaçin – dhe kjo nuk bëhet nëse kemi të bëjmë me njerëz absolutisht të ndershëm. Tani për tani nuk kam informata të tjera. Por, emri i Thaçit me siguri mund të gjendet në aktet policore.
Pohimin në gazetën „Le Temps“në vitin 2008 se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra ka qenë e hershme, Marty nuk e vë në dyshim. “Po. Por, është tërësisht e padobishme dhe absurde, që sot të vihet në dyshim kjo njohje”, shton.
Ndërkaq në pyetjen nëse është rastësi që pikërisht ai dhe Del Ponte – dy prokurorë të Tiçinos –eksponoheni në këtë çështje, Marty u përgjigj: Besoj se ne ndajmë një kulturë të ngjashme, vlera të njëjta. („NZZ am Sonntag“).
Marty në Moskë takohet me Lavrovin
Dik Marti
Raportuesi i posaçëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KE), Dick Marty, raporti i të cilit për trafikim ilegal me organe njerëzore në Kosovë është miratuar në Komitetin për çështje juridike dhe të drejta të njeriut, do të qëndrojë të hënën në Moskë, ku do të bisedojë me zyrtarët rusë rreth këtij raporti.
Siç mëson gazeta moskovite Komersant, nga zëvendësshefi i delegacionit rusë në Asamblenë Parlamentare të KE, Leonid Slutzky, temë kryesore e bisedimeve të Martyt në Moskë do të jenë marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane.
Por, Slutzky ka thënë se gjatë qëndrimit të Martyt në Moskë, anëtarët e delegacionit rus do të marrin qëndrim rreth raportit të tij, ku akuzon kryeministrin e Kosovës në largim Hashim Thaçi për përfshirje në tregtinë me armë, drogë dhe organe njerëzore.
Sipas medieve serbe, pritet që Marty në Moskë të takohet me shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, i cili javën e kaluar, pas takimit me shefin e diplomacisë serbe Vuk Jeremic, ka thënë se Rusia është e shqetësuar për informacionet rreth mundësisë së përfshirjes së udhëheqësve aktualë të Kosovës në krime kundër njerëzimit.
Marti: Raporti në interes të vetë Thaçit
Dik Marti
“Është në interes të vetë kryeministrit Hashim Thaçi që të konfirmohet e vërteta”, i ka thënë radios Eho Moska Dik Marti, i cili në kuadër të përgatitjes së raportit mbi konfliktin ruso-gjeorgjian ka biseduar me zyrtarët rusë.
Marti i pyetur se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen, ka thënë se “është vështirë të flitet për këtë”.
Ai ka shpejguar se obligimi i tij ka qenë që të përgatisë një raport, ndërsa qeveritë sipas tij duhet të nxjerrin “përfundime të përshtatshme”. Marti megjithatë, ka vlerësuar se nuk mund të ndërtohet e ardhmja pa hetimin e të gjitha rrethanave të së kaluarës dhe pa u konfirmuar e vërteta.
“Thaçi është lider i rëndësishëm i kriminalitetit kosovar, për të cilin ka pasur shumë informacione dhe ato gjenden në raporte të shumta ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë Marti. I pyetur nëse ekzistojnë prova materiale për transplantimin e organeve, ai ka thënë se ekzistojnë prova për “vendet dhe rrethanat”.
Kam imunitet, paditë ndaj meje s’prodhojnë asgjë
Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti ka thënë se padia e paralajmëruar ndaj tij nga ana e kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi nuk do të prodhojë asgjë.
“Thaci e di mirë që raportuesit e Këshillit të Evropës kanë imunitet dhe ngritja e padisë në këtë rast nuk do të thotë asgjë”, ka thënë Marti në një intervistë për gazetën Veçernje Novosti.
“Është lehtë të padisësh dikë, është e domosdoshme para se gjitash, që të ndërmerren të gjitha hapat, për të parë se çka do të ndodhë”, ka thënë raportuesi i Këshillit i të Evropës, i cili javën e kaluar publikoi një raport në të cilëin akuzoi kryeministrin Thaçi se është “bos i mafias” dhe se ka qenë i përfshirë në një “rrjet të tregtimit të organeve njerëzore”.
Ai ka thënë se këtë çështje duhet ta ndjekin organet përgjegjëse në Kosovë, Serbi si dhe ato ndërkombëtare.
“Drejtësia në Kosovë, instancat ndërkombëtare të drejtësisë, por edhe drejtësia serbe është kompetente”, ka thënë Marti, meqë sipas tij, ka pasur edhe viktima serbe. “Problemi është se dëshmitarët nuk janë të mbrojtur, për të cilën gjë, fatkeqësisht tashmë jemi vërtetuar. Ka pasur dëshmitarë që janë vrarë”, ka thënë Dik Marti.
Kosova dhe Shqipëria, e cila po ashtu është apostrofuar në raport, kanë kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, që të fillojë hetimet në të dy vendet, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë pretendimet se në territoret e tyre është zhvilluar tregti me organe njerëzore.
Marti: Kam imunitet, paditë ndaj meje s’prodhojnë asgjë
Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti ka thënë se padia e paralajmëruar ndaj tij nga ana e kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçi nuk do të prodhojë asgjë.“Thaci e di mirë që raportuesit e Këshillit të Evropës kanë imunitet dhe ngritja e padisë në këtë rast nuk do të thotë asgjë”, ka thënë Marti në një intervistë për gazetën Veçernje Novosti.
“Është lehtë të padisësh dikë, është e domosdoshme para se gjitash, që të ndërmerren të gjitha hapat, për të parë se çka do të ndodhë”, ka thënë raportuesi i Këshillit i të Evropës, i cili javën e kaluar publikoi një raport në të cilëin akuzoi kryeministrin Thaçi se është “bos i mafias” dhe se ka qenë i përfshirë në një “rrjet të tregtimit të organeve njerëzore”.
Ai ka thënë se këtë çështje duhet ta ndjekin organet përgjegjëse në Kosovë, Serbi si dhe ato ndërkombëtare.
“Drejtësia në Kosovë, instancat ndërkombëtare të drejtësisë, por edhe drejtësia serbe është kompetente”, ka thënë Marti, meqë sipas tij, ka pasur edhe viktima serbe.
“Problemi është se dëshmitarët nuk janë të mbrojtur, për të cilën gjë, fatkeqësisht tashmë jemi vërtetuar. Ka pasur dëshmitarë që janë vrarë”, ka thënë Dik Marti.
Kosova dhe Shqipëria, e cila po ashtu është apostrofuar në raport, kanë kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, që të fillojë hetimet në të dy vendet, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë pretendimet se në territoret e tyre është zhvilluar tregti me organe njerëzore.
LITERATURA:
1. BBC
2. The Guardian
3. Zëri i Amerikës
4. The Times
5. Reuters
6.Veqerni Novosni
7.Blic
8.www.telegrafi.com
9. www.kosova.info
10. RTK
11. RTV21
12. NZZ am Sonntag (gazet zvicrane)
13. Indipendent