Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/01/08

Irani në lot, Khamenei qan, pamjet tregojë rëndësinë e gjeneralit në vendin e tij

Gjenerali i vrarë Qasem Soleimani duket se ka pasur shumë rëndësi për shtetin e Iranit dhe madje atë e ka dashur edhe vetë lideri suprem i vendit Ali Khamenei. Ky i fundit, edhe pse zakonisht shfaqet si një plak i urtë dhe rrallë tregon emosionet, këtë herë ka qarë.
Siç shikohet në pëto pamje, Khameneit i kanë rrjedhur lot gjatë ceremonisë së varrimit të gjeneralit. Soleimani ishte ndër gjeneralët më të rëndësishëm në shtetin iranian dhe vlerësohej jashtëzakonisht edhe nga lideri suprem Khamenei.
“O Allah, ata kanë nevojë për mëshirën tënde,…”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Khamenei gjatë një lutje masive ndërsa qëndronte mbi një arkivol të mbuluar me flamur me trupin e Soleimani, i cili u vra nga një sulm me dron amerikan, të premten në Irak.
Zëri i Khamenei ishte pjesë e një procesi funerali, gjë që nuk ka ndodhur në historinë e fundit të Iranit. Autoritetet vendase thonë se të pranishëm në ceremoninë e varrimit kanë qenë miliona iranianë. Kjo madje mund të ndikojë gjithashtu në atë se si Khamenei do t’i përgjigjet Shteteve të Bashkuara.
SHBA vrau Soleimanin dhe anëtarë të tjerë të Gardës Revolucionare dhe një udhëheqës të lartë të milicisë irakiane në një sulm mahnitës ndaj kolonës së tyre, menjëherë pasi Soleimani kishte mbërritur në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.
Vrasja, e urdhëruar nga Presidenti Donald Trump, ka rritur në mënyrë dramatike rrezikun e luftës ndërsa figura të larta iraniane zotohen të sulmojnë objektivat ushtarake amerikane si përgjigje. Për udhëheqësin suprem të Iranit, Soleimani ishte një ndihmës besnik. Madje, lidhja e tyre ishte aq e ngushtë sa Khamenei u fotografua më shumë se një herë duke e përqafuar Soleimanin në mënyra që janë zakon në Iran për baballarët dhe djemtë e tyre të dashur. Ajo çfarë e karakterizonte Soleimanin është fakti se për dallim nga komandantët e tjerë ushtarakë në Trupat e Gardës Revolucionare, gjenerali 62-vjeçar i përgjigjej vetëm 80-vjeçarit Khamenei.

“Përkrahim sovranitetin e Irakut” – Gjenerali amerikan njofton tërheqjen e trupave nga vendi



Duke cituar votimin në parlamentin e Irakut, kreu i forcave amerikane në Irak ka informuar qeverinë në Bagdad se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja do largohet nga vendi, në një letër që bie ndesh me deklaratat e mëparshme të Presidentit Trump.
‘Në mbrojtje të duhur ndaj sovranitetit të Irakut, Task Force e kombinuar e Irakut do ripozicionohet gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme për t’u përgatitur për lëvizjen e mëtejshme’, shkroi Gjenerali William H. Seely III në një letër drejtuar Ministrisë Irakiane të Mbrojtjes të hënën, letër që është publikuar në internet.
‘Ne e respektojmë vendimin tuaj sovran për të urdhëruar largimin tonë,’ shkroi Seely, duke shpjeguar se procesi do të përfshijë rritjen e trafikut të helikopterëve brenda dhe jashtë ‘zonës së gjelbër’ të Bagdadit, kryesisht gjatë natës.
Fillimisht kishte një konfuzion në lidhje me origjinalitetin e letrës, meqë Pentagoni nuk pranoi të konfirmonte se ishte e vërtetë Megjithatë, oficeri i çështjeve publike të ushtrisë amerikane, Rick Dickson deklaroi menjëherë se letra ishte zyrtare.
Parlamenti irakian miratoi një rezolutë të dielën që kërkon të largimin e trupave të huaja në tokën Irakiene. Vendimi erdhi pas një sulmi me dron të SHBA-së të javës së kaluar, që vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani.

Irani e kthen në personale, pronat e Trump nën objektivin e sulmeve


Një këshilltar i presidentit iranian, Hassan Rouhani, ka aluduar mbrëmjen e kaluar për sulme ndaj perandorisë së pasurisë së Donald Trump në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e komandantit ushtarak Qassem Soleimani.
Hesameddin Ashena ka shpërndarë një artikull të Forbes ku renditin të gjitha pronat e Trumpit në New York, hotelet dhe vendpushimet e tij në të gjithë Amerikën dhe kurset e golfit në SHBA dhe Britani.
Lista përfshinte resortin e tij “Mar-a-Lago” në Florida, ku presidenti po qëndronte kur urdhërori goditjen në Soleimani, si dhe Hotelet Ndërkombëtare të Trump në Uashington dhe Las Vegas dhe kullën e tij të New York.
Irani tashmë ka kërcënuar Shtëpinë e Bardhë dhe këshilltari Rouhani deklaroi dje se problemi i vetëm i Teheranit është Trump, sesa populli amerikan, duke ngritur edhe dyshimet të një hakmarrjeje të drejtpërdrejtë ndaj tij.
Teherani është betuar për hakmarrje për vdekjen e Soleimani dhe dje njoftoi se po braktiste kufijtë e saj të mbetur bërthamorë nën marrëveshjen e 2015-ës.
Sot udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei qau mbi arkivolin e Soleimani ndërsa qindra mijëra iu bashkuan funeralit në Teheran.
Duke folur para turmave, vajza e komandantit ushtarak Zeinab deklaroi se ‘familjet e ushtarëve amerikanë në Lindjen e Mesme do të kalojnë ditët e tyre duke pritur për vdekjen e fëmijëve të tyre’.
Trump ka kërcënuar hakmarrjen e tij nëse Irani godet objektivat e SHBA, duke paralajmëruar një ‘përgjigje joproporcionale’.
Sot presidenti Trump u zotua në një tweet me shkronja të mëdha se “Irani nuk do ta ketë kurrë një luftë nukleare.
VIDEO bonus: Tërmeti në Shqipëri

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.
Në një postim në Twitter, Trump shkroi me shkronja të mëdha: “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.
Ky postim vjen një ditë pasi Teherani njoftoi se ka hequr dorë nga angazhimet e ndërmarra në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Me atë marrëveshje, Irani kufizonte aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
SHBA u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, duke thënë se kushtet e saj nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armëve bërthamore.
Nga ana tjetër tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm pas vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, në kryqytetin irakian, më 3 janar në një sulm ajror.

“Tre musketierët” e Evropës, thirrje për zbutjen e tensioneve mes Iranit dhe SHBA

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel, bënë sot thirrje që të gjitha palët të punojnë me urgjencë për një zbutje të tensioneve në Gjirin Persik.
Në një deklaratë, tre udhëheqësit dënuan sulmet e fundit kundër forcave të koalicionit në Irak dhe shprehën shqetësim të thellë për rolin “negativ” që Irani ka luajtur në rajon. Deklarata bën thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe përgjeshmëri maksimale.
Në deklaratë i bëhet gjithashtu thirrje Iranit të frenohet nga veprime të tjera të dhunshme ose nga zhvillimi i armëve, duke i kërkuar të heqë dorë nga masat që nuk përputhen me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Një tjetër krizë rrezikon të prishë përpjekjet shumëvjeçare për stabilizimin e Irakut,” thuhet në deklaratë. “Ne gjithashtu riafirmojmë angazhimin tonë për të vazhduar luftën kundër Shteti Islamik, që mbetet një përparësi e lartë,” thanë udhëheqësit.
Ndërkaq në Teheran, pjesmarrja në funeralin e Kasem Sulejmanit, kreut të gardës revolucionare iraniane të vrarë nga SHBA ishte e madhe. Sipas policisë iraniane, miliona njerëz morën pjesë. Njeriu që do të zëvendësojë Sulejmanin në këtë post deklaroi se Irani do të hakmerret.
Irani ka njoftuar se do të braktisë kufijtë e lejuar për pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet kërkimore të përcaktuara në marrëveshjen bërthamore, një akt që mund ta sillte atë më pranë ndërtimit të një bombe atomike.
Zhvillimet e fundit gjithashtu mund të lejojnë rikthimin e grupit Shteti Islamik në Irak dhe ta bëjnë Lindjen e Meme një rajon shumë më të rrezikshëm dhe të paqendrueshëm.

Plani i vërtetë i Amerikës, për të “rimarrë” Lindjen e Mesme

Irani si Vietnami: jo aq nga pikëpamja ushtarake, se sa nga ajo gjeopolitike. Krahasimi midis këtyre dy vendeve është i përsosur për të përvijuar atë që mund të jetë fati i Teheranit, aq i largët, por në të njëjtën kohë, nga pikëpamja strategjike, aq i ngjashëm me Hanoin. Sot tensioni mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë iraniane është në rritje, megjithatë, në një të ardhme jo shumë të largët, Yankee-t dhe pasdaran-ët mund të bëhen miq të ngushtë, ashtu si ndodhi midis vetë amerikanëve dhe trashëgimtarëve të Vietcong-ëve. Në sipërfaqe, një skenar i tillë është i paimagjinueshëm: megjithatë kjo është një ngjarje që vlen të merret në konsideratë. Nëse Uashingtoni hyn në luftë kundër Teheranit (ka të ngjarë) ose nëse zgjidhet rruga diplomatike e paqes (sot për sot e komplikuar), herët a vonë Shtetet e Bashkuara do të hyjnë gjithësesi në Iran.
Krahasimi me Vietnamin
Ideja e “hyrjes” është shpjeguar në mënyrë të përsosur nga sinologu Francesco Sisci gjatë një interviste të gjatë për Sussidiario.net. “Nëse do të kishte një paqe me Iranin, vendi do të afrohej me Uashingtonin, deri në një farë mase – nënvizon Sisci – Ne jemi shumë larg këtij eventualiteti, por një paqe, më në fund do të mund ta afronte Teheranin me Amerikën, dhe kjo mund të rifusë përsëri SHBA në lojë. Nuk është e pamundur”. Dhe kjo është pikërisht çështja: Uashingtoni është rikthyer në Lindjen e Mesme. Saktësisht siç ndodhi në Azinë Juglindore pas çtensionimit me Vietnamin, i cili nga një armik i Amerikës, është bërë partner, herë pas here i besueshëm, mbi të cilin mund të mbështeten për t’i dhënë fund ekspansionit të Kinës. “Sot SHBA ka zhvilluar një marrëdhënie gjithnjë e më të mirë me Vietnamin, një proces i ngjashëm mund të ndodhë me Iranin. Nuk është diçka që ndodh me sot e me nesër – përfundon Sisci – por mund të mos jetë e pamundur”.
Rikthimi në Lindjen e Mesme
Në çdo rast, rreziku më i madh është për Kinën. Siç thekson edhe vetë Sisci, Pekini pritet të firmosë një mini-marrëveshje tregtie me Shtetet e Bashkuara në ditët e ardhshme (në datën 15 janar). Sidoqoftë, “loja iraniane i ngatërron kartat. Nëse ka një luftë, ajo praktikisht arrin deri në kufirin kinez dhe ndërpret segmentin më të rëndësishëm të Rrugës së Mëndafshit. Nëse ka një marrëveshje, SHBA me të vërtetë hyn në Iran, kështu që një pjesë tjetër e Rrugës së Mëndafshit shkon nën kontrollin e Amerikës”. Duke marrë parasysh që Kina shpesh ka investuar miliona në Iran, përfshirë infrastrukturën dhe puset e naftës, perspektiva për të parë Teheranin të marrë rrugën drejt Uashingtonit nuk është aspak e pëlqyeshme nga drejtuesit e Partisë Komuniste Kineze, duke filluar nga presidenti Xi Jinping.
Kjo edhe sepse një nga objektivat e Pekinit është që të shtrijë tentakulat e veta në skenarin e Lindjes së Mesme, ku Amerikanët kanë lënë hapësira të mëdha për të “pushtuar”. Lëvizja e Trump (që nga ana e tij ka theksuar në mënyrë të përsëritur se është e kotë të dërgosh ushtarë të vdesin nëpër botë) mund të rikthejë Uashingtonin në mes të kaosit të Lindjes së Mesme. “Eshtë e mundur që pas një lufte me SHBA, Irani të bëhet një shtet i dështuar, siç është Iraku apo Libia, ose të copëtohet si Siria. Por Irani i sotëm politik nuk ka gjasa t’i mbijetojë një konfrontimi ushtarak me SHBA. Ajatollarët e dinë këtë. Këto konsiderata mund të shtyjnë Ajatollahët, të cilët mund të jenë armiqësorë, por nuk janë çmendur, drejt negociatave me SHBA”, përfundon Sisci.

Europianët në grackën e Donald Trump

Nga Barbara Wesel
Sërish evropianët vuajnë pasojat e politikës së Donald Trump-it, që vepron si ta ndiejë. Iluzionet se me qeverinë në Uashington mund të ketë bashkëpunim të arsyeshëm në politikën e jashtme janë zhdukur prej kohësh.
Nga Barbara Wesel
Ishte një fillim dramatik për një vit që kërcënon të bëhet një udhëtim i ashpër me zigzage. Evropianët, që u tronditën në paqen e tyre të pushimeve nga lajmi për vrasjen e papritur të njeriut të dytë më të fuqishëm të Iranit, tani duhet të paguajnë pasojat. Të painformuar dhe të pafuqishëm si zakonisht, ata përballen sërish me pasojat e vendimeve të njëanshme spontane të Presidentit të SHBA. Ata ndodhen të kapur në kurthin e Trumpit dhe nuk mund ta çlirojnë veten prej saj.
Asnjë iluzion
Të gjitha iluzionet se me qeverinë në Uashington mund të ketë një bashkëpunim të arsyeshëm racional në politikën e jashtme janë zhdukur prej kohësh. Thëniet cinike të ministrit të Jashtëm të SHBA Mike Pompeo, i cili i akuzon evropianët për mungesë mbështetjeje në Lindjen e Mesme, theksojnë pafuqinë e tyre. Mund të pyesësh veten se ku i vete mendja atij pas vdekjes së Soleimanit – për trupa për një luftë të udhëhequr nga SHBA në Lindjen e Mesme? Është porcioni i marrëzisë në deklaratat e tij dhe të Presidentit Trump që e bën situatën e rrezikshme edhe më shqetësuese.
Tani presidenti amerikan në të vërtetë kishte premtuar se do t’u jepte fund luftërave të pafundme në Lindjen e Mesme dhe do t’i sillte ushtarët amerikanë në shtëpi. Edhe vëzhgues me përvojë të politikës amerikane në Lindjen e Mesme nuk mund të shpjegojnë se si përshtatet kjo me goditjen kundër Soleimanit. Frika është se thjesht mungon një strategji e mëtejshme pas aksionit dhe sulmit me dron në Aeroportin e Bagdadit.
Kjo nuk ka të bëjë as me “America First”, me qëllimin e deklaruar të Trumpit, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ekonomike.
Përsa i përket politikës së jashtme, evropianët e gjejnë veten të bllokuar në një politikë amerikane të formuar nga turbullimet emocionale të një presidenti të paparashikueshëm dhe mbështetësve të tij neokonë të dehur nga pushteti, që janë rikthyer në pushtet në Uashington. Në thelb, shpjegimi i vetëm për vrasjen e Suleimanit në këtë pikë është: “Because we can – sepse jemi në gjëndje ta bëjmë”.
Evropës i mbetet vetëm diplomacia
Padyshim: evropianët duken të dobët dhe të pafuqishëm, kur kërkojnë në deklaratat e tyre të përbashkëta deeskalim, pasi partneri i tyre i dyshuar SHBA ka bërë gjithçka për të përkeqësuar situatën.
Por mund të ketë një dritare për përpjekjet diplomatike për të parandaluar të ndodhin gjëra më të këqija. E qartë është se Teherani po planifikon një kundërsulm; detajet do të vendosin, nëse do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm apo jo. Vendimi mund të jetë ende i hapur. Shefi i diplomacisë së BE-së Borell ishte i pari që kërkoi kontakt me ministrin e Jashtëm iranian dhe dëshiron të ndikojë ndaj tij në një takim krize të evropianëve.
Vërtet që Teherani ndërkohë ka njoftuar fundin e detyrimeve të tij për të ndaluar pasurimin e uraniumit sipas marrëveshjes bërthamore, të cilën Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania luftuan ta mbanin gjallë vitin e kaluar. Por, edhe kjo derë nuk është e mbyllur përgjithmonë, për sa kohë që inspektorët lejohen ende të qëndrojnë në vend. Ende ekzistojnë disa sinjale që qeveria iraniane mund të bisedojë me evropianët.
E qartë është se askush në Evropë nuk po derdh ndonjë lot për Ghassem Soleimanin. Ai ishte përgjegjës për qindra e mijëra vdekje, veçanërisht në Siri dhe Jemen, dhe ishte mbrojtësi i atyre luftërave me prokurë dhe i milicëve që synojnë të çimentojnë supremacinë e Iranit në rajon. Shtypja e përgjakshme e gjithë rezistencës ishte pjesë e programit. Megjithatë, vrasja e tij e papritur shkaktoi një valë shoku.
Në fillim të vitit vështrimi në humnerë
Evropianët tani duhet të përdorin kontaktet e tyre ekzistuese me qeverinë iraniane dhe t’i bëjnë thirrje vullnetit të regjimit për të mbijetuar. Teherani e di se do ta humbiste një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Shtetet e Bashkuara. Dhe situata ekonomike në vend është tashmë e tensionuar, siç tregon vala e fundit e protestave.
A ka akoma vend për një zgjidhje politike? Negociatorët evropianë nuk kanë asnjë shans, por duhet ta përdorin atë. Kërcënimi i luftës së hapur mund t’i intensifikojë përpjekjet diplomatike. Nga ana tjetër, viti i ri do të tregojë shpejt se sa e fortë është tendenca e vetëvrasjes te të gjithë ata që janë përfshirë. Ky vështrim në humnerën politike mund të na ishte kursyer edhe për disa muaj.

Me gjuhën e fakteve për kolonizimin e Kosovës nga serbo-malazezët si dhe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore

Shkruan : Akademik prof.dr. Flori Bruqi, PHD.   Në mesin e vargut të shkrimeve publicistiko-historike në Kosovë, është edhe vepra e publicis...