Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/06/09

E frikshme Traktati i fshehte i Lodres 1915 kishte hartuar zhdukjen e Shqiperise


E frikshme: Traktati i fshehte i Lodres 1915, kishte hartuar zhdukjen e Shqiperise

Biblioteka e Kongresit Amerikan, publikon hartën famëkeqe të Traktatit të fshehtë të Londrës, i cili kishte hartuar planin për të zhdukur shtetin shqiptar nga harta e Evropës.

Por si do të shkatërrohej Shqipëria sipas Traktat të fshehtë midis Fuqive të Antantës (Francës, Anglisë, Rusisë) dhe Italisë?

Pjesa veriore e Shqipërise që përfshinë Malësinë në veri, në lindje Dibrën, deri në qytetin e Lezhës në perendim, dhe në jug deri të qyteti i Krujeës, ky territor do t’i ipet Serbisë dhe Malit të Zi, transmeton zeri.info.

Pastaj Serbisë i ipet e drejta të projektoj dhe ndërtoj linjën hekurodhore Danum-Adriatik.

Traktati parashihte formimin e një Shteti Islamik Shqiptar, me një territor shumë të vogël i mbikqyrur nga Italia. Italia do të marrë territorin jug-perendimor që përfshin Vlorën, dhe i ishullin e Sazanit.

Greqia do të marrë pjesën jugore të Shqipërisë. Ky ishte një traktat gjenocidial kundër popullit me të vjetër në Evropë, që po të zbatohej do të kishte shuar përgjithmon egzistencën e popullit shqiptar.

Fjalimi brilant Kur Fan Noli jepte doreheqjen

 


Fjalimi brilant: Kur Fan Noli jepte doreheqjen

Debatet e panjohura në Parlamentin e parë shqiptar, mes Fan Nolit dhe Ahmet Zogut. Nga debati parlamentar, kur Fan Noli jepte dorëheqjen si ministër i Jashtëm, duke mbajtur edhe fjalim brilant, si edhe debatet që pasuan pastaj në Parlament.

**

Është e vërtetë që ndodhesha në Tirane kur u votua ligji i intermimit të fëmijëve të dezertorëve, por nuk isha në Parlament, as mora pjesë në bisedime. Veç kësaj, nga njëra anë, Guverna jonë e zbatoi këtë ligj me një shtojcë, të dekretuar prej kabinetit pasi kisha dhënë dorëheqjen dhe, nga ana tjetër, unë nuk e atakova guvernën aq për interni­min e fëmijëve të dezertorëve se sa për internimet politike pa ndonjëe faj e pa ndonjë bazë në Toskëri, ku s’kishte asnjë shenjë për lëvizje kryengritëse. Ja disa shembuj midis të tjerash: Disa familje nga Bilishti, nga Hoçishti e nga Les­koviku u internuan me gra e me çiliminj e u munduan më kot e pa arsye larg vatrave të tyre për disa muaj. Sa për sigurinë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë dhe veçanërisht në malësi, më vjen keq t’i përsëris ministrit të Punëve të Brendshme që kam shumë dyshime. Shembulli i tregtarit të thëngjillit për të cilin fola më parë është tipik për mungesën e sigurisë nën këtë guvernë. Ky tregtar ka punuar në Gurëz e në Breg të Matit njëzet vjet me radhë, përpara Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës Ballkanike, në kohën e Luftës së Përgjithshme, në kohën e operacione­ve të ndryshme, dhe në kohën e të gjithë kabineteve tonë të mëparshëm. Po në kohën e këtij kabineti, pasi e pësoi atë që iu tregova më parë, dmth pasi u plagos prej një vrasësi ku udhëtonte i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë e prej një zyrtari të shtetit, tani ndodhet në kryeqytet e nuk guxon të kthehet në malësi për të shikuar punët e tij.

Ministri i Punëve të Brendshme na bëri dy shaka kur u qa se po e kritikojmë që ç’armatosi popullin e shtypi kry­engritjen. Nuk e atakova se ç’armatosi popullin; por i hoqa vërejtjen mbi faktin që ç’armatosja materiale nuk arrin për të prerë kryengritjet, pa ç’armatosjen morale. Që ta them më të shkoqur, nuk arrin t’i marrësh armët një njeriu e ta bësh mik e të sigurohesh nga pusitë e tij, para se të pajtohesh me të thellësisht. Nuk e atakova guvernën se shtypi kryengritjen, por se nuk e parashikoi, se nuk kishte marrë masa për të mbrojtur kryeqytetin, se mori në qafë me qindra njerëz krejt të pafajshëm e se armiqësoi popullin e Shqipërise së Mesme pa shpresë pajtimi kush e di për sa vjet. Ministrit të Luftës kam për t’i thënë se për veshjen e ushtarëve, nuk jemi të verbër, ne i shohim qysh janë të ve­shur ata ushtarë që ndodhen në kryeqytet, e që e marrim me mend sa më ligsht janë veshur ata që ndodhen në provincë. Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që rroga e oficerit tonë është e vogël e që s’u mbetka tjetër shpërblim përveç grad­imit. Përkundrazi, rrogat e oficerëve tanë janë më të mira se në Itali e më të mira se kudo në Ballkan e në Europën Qendrore…

Sa për çështjen e shqiptarëve të Izmirit, është e vër­tetë që isha ministër i Punëve të Jashtme kur bisedohej kjo çështje, po unë e lashë ndryshe dhe u mbarua fare ndry­she. Ja me pak fjalë historia e kësaj çështjeje: një nga para­ardhësit e mi i kishte kërkuar qeverisë italiane mbrojtjen e qytetarëve shqiptare, atje ku nuk kemi përfaqësues e as konsull dhe, veçanërisht në Izmir. Guverna italiane e pra­noi me gëzim këtë barrë dhe i kërkoi guvernës sonë hollësi mbi pasaportat dhe mbi taksat konsullore. Në një përgjigje të dhënë prej meje, e falenderonim qeverine italiane për këtë lehtësi…

Konflikti u rreptësua dhe kapërceu e marrëveshjes, kur u vendos të shkoja në konferencën e Gjenovës. Unë isha i mendjes që s’duhej bërë asnëe emërim pa pëlqimin tim nga njëra anë, dhe që, nga ana tjetër, duhej të pyetesha për çdo çështje të jashtme me rëndësi, para se të jepej një vendim. Kryeministri, i cili duhej të bëhej zëvëndës i punëve të jashtme ishte i mendjes që mund të bënte çdo veprim dhe emërim në degën e jashtme pa më pyetur fare, sa kohë ndodhesha jashtë Tiranës. Kur i tërhoqa vëretjen që unë do të shtrëngohesha të jepja dorëheqjen, sapo të behej ndonjë emërim apo veprim pa pëlqimin tim, Kryeministri më tha se mund ta jepja dorëheqjen. Duke parë se kolegët e mi, të gjithë pa përjashtim, pëlqenin pikëpamjen e Kryeministrit, e dhashë dorëheqjen time që atë minutë, i gëzuar që s’isha i nevojshëm për plotësimin e kabinetit…

Kur Këshilli i Lartë na e ktheu buxhetin me vërejtjen e arsyeshme se qysh kishte ndër mend guverna na mbulonte deficitin prej më shumë se dhjetë milion franga ar, atëhere e gjeta rastin t’u them kolegëve të mi që Këshilli i Lartë kishte të drejtë të mos aprovonte një buxhet të çale dhe shkela këmbë që buxheti të balancohej duke zbritur të pri­shurat sipas të ardhurave të shtetit. Asnjë nga kolegët e mi s’u bashkua me mendimin tim dhe kryeministri e shtrëngoi Këshillin e Lartë të aprovojë buxhetin me një deficit prej më tepër se dhjetë milion franga ar, pa ndonjë projekt se si do te mbulohej ky defiçit. Shkela këmbë që në krye të thirren me një herë or­ganizatorë të huaj për ministri të ndryshme. Vendimi u dha, por unë vura re që kolegët e mi s’kishin dëshirë dhe as nxi­tim që ky vendim të vihej në veprim. Provën e kini përpara sysh. Guverna jonë s’ka sjellë asnjë organizator veç organi­zatorit austriak të ushtriseë i cili rastisi të ndodhej këtu dhe të cilin guverna jonë s’e ka lënë të bëjë asnjë organizim…

Tani, zoti Kryetar, nemni leje të bëj disa vërejtje mbi aluzionet e bukura dhe të holla të zotit Sejfi Vllamasi për sëmundjen time misterioze e për gishtin e jashtëm si dhe për aluzionin e ministrit të Punëve të Brendshme, i cili disa ditë më parë na cilësoi zotin Gurakuqi dhe mua si mbrojtës të Mustafa Krujës. Ju pyes ju, kujt u drejtohen insinuata dhe këto aluzione? Atyre që kanë vite e vite që punojnë për çështjen e Shqipërisë? A është nevoja të mbrohemi kundër këtyre insinuatave?

AHMET ZOGU: Davaja e Emzotit është më tepër si mbrojtje për veten e tij për dorëheqjen që ka dhënë, se sa një protestë kundër qeverisë. Sa për çështjen e buxhetit, për të cilën flet zotëria e tij nuk dua të jap përgjigje e këtë pikë ia lë zotit Kryeministër.

KRYEMINISTRI: Me gjithë që fjalët e Emzot Nolit nuk janë të drejta për shka kam edhe dëshmitarë, nuk dua të jap përgjigje. Nuk ishte nobël për zotërinë e tij të jepte dorëheqjen në një kohë aq kritike nëpër rrugë…

EMZOT FAN NOLI: Me sa e dinit ju se është kohë anormale, pse zoti ministër i Brendshëm na siguronte se nuk ka farë frike. Pra, për mua nuk ishte kohë anormale.

AHMET ZOGU: Sa për fjalët që kam thënë se çu­ditem se si zoti Gurakuqi dhe Emzot Fan Noli i dalin zot tradhëtarëve, kjo nuk do me thënë se ata janë tradhëtarë. Dhe i nderoj shumë si atdhetarë të mirë, por me gjithë këtë çuditem. Sa për fjalët që tha Emzoti se ne jemi çirakët e ustallarëve, dua t’i përgjigjem në një mënyre, duke kërkuar prej zotërisë së tij që mos t’i marrë për keq. Zotëria e tij është një orator shumë i mirë, por përdor pak fjalë hovarda, që në gjuhen gjermane dmth spitzbube. Vimë tani në çështjen e Gurzit. Në Gurëz është një pyll shumë i madh, në atë pyll u shti një pushkë dhe u plagos një njeri, siç tha zotëria e tij. Zotëri, ç’mundet të bëjë qeveria pse në pyll shtihet një pushke? Sot një jayë, kur erdhën disa deputetë për t’u ankuar për këtë çështje, qeveria dha urdhra të rrepta për këtë pune.

Bëhen dhjete minuta pushim, pas dhjetë minutash mbledhja mbështillet prapë.

STAVRO VINJAU: Mbi fjalët e zotit ministër të Dre­jtësisë, kemi për të thënë se nuk është e vërtetë ajo që thotë zotëria e tij, se gjykatësit kundërshtuan, të lëshojnë punën e tyre, edhe prandaj ajo ministri u detyrua t’i kërrente prej krahu me policë. E vërteta është se me tërë veprimet e saj, ashtu edhe me këtë vepër, ajo shkeli ligjin….

(Marrë nga libri “Debat parlamentar para një shekulli” me autor Filip Rrumbullakun).


Ish-Presidenti i Greqise Kam gjak shqiptari dhe jam krenar per kete


Ish-Presidenti i Greqise: Kam gjak shqiptari dhe jam krenar per kete

“Gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë, admiral Kundurioti, admiral Seqellariu, gjeneral Kunduli dhe shumë grekë të tjerë të zgjedhur janë të gjithë me origjinë shqiptare”

Nga Presidenti i Greqisë gjeneral Theodoros Pangallos

Për sa i përket fqinjit tonë Ballkanik, është më se e njohur dhe për këtë dëshmojnë arkivat e ministrisë së jashtme, se marrëdhëniet tona arritën gati-gati nivelin e një Konfederate, më 1925 dhe 1926.

Që nga koha e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë.

Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshalli i paharruar Gjergj Karaiskaqi.

Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, heroi i nëndetëses “L.Kconi” V.Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi amalgamën e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit.2

Më 1914, me fillimin e Luftës se parë Botërore, u ktheva në Greqi nga Franca ku kreva studimet dhe iu paraqita Eleftherios Venizellos, atëherë kryeministër dhe ministër i Ushtrisë, i cili më emëroi përgjegjës të shtabit në Divizionin e 8-të të Prevezës.

Venizellos më tha në mirëbesim se ka vendosur të pushtojë befasisht Epirin e Veriut (Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, Vlorën, shënim i A. Llalla). “Kam bindjen se do t’ia dalësh mbanë, pse flet edhe gjuhën e shqiptarëve”, shtoi. Atëherë isha major, shkova në Prevezë dhe pas pak ditësh mora një urdhër sekret, ku divizioni urdhërohej të pushtonte Epirin e Veriut, duke zbarkuar në portin e Sarandës. Politikani i madh, theksonte në veçanti nevojën e mbajtjes rreptësisht sekretet nga italianët.

Operacioni u krye me rregull të plotë dhe u pushtua vija e vjetër në veri të Gjirokastrës. Kur pas pak ditësh shkova në Athinë, kisha natyrisht një kuvend të gjatë me kryeministrin dhe mbeta i befasuar se ky politikan demonik, që kishte vetëm tre vjet në Greqi, kishte kuptuar plotësisht rëndësinë jetike që kishte për Greqinë Çështja e Shqipërisë. Mendimet dhe këndvështrimi i Venizellosit, qenë bazat kryesore, ku mbështeta politikën që zbatova më 1925, e cila veç të tjerash kishte si rezultat të dërgoheshin djelmosha shqiptarë në Athinë për të studiuar në shkollën e kadetëve dhe atë të marinës.

Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të Çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme, dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone (Çamërisë shënim A. Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm.

Shqyrtova dokumentat përkatëse dhe u binda që deklarimi i ministrisë së jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, e të tjerë. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i ministrisë së jashtme nuk qëndronte.

Thirra me një herë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur:

“Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mijë palo shqiptarë (“shqiptarë të këqinj” shënim i. A. Llalla) zoti Kryetar.”

Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shkelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre, ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do t’i shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre.

Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga froni, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip “Vëlla i madh”. Dhe unë atëhere nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqipe quhet “Besa”.

Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.

Kur u vendosën marrëdhëniet miqësore dërgova si ambasador të Greqisë në Tiranë gjeneralin Aleksandro Konduli, bashkëqytetar i imi që dinte shkëlqyeshëm jo vetëm shqipen tonë, atë të Shqipërisë së Jugut, por edhe idiomat e gegëve. Brenda një kohe të shkurtër Konduli arriti të fitojë miqësinë e mbretit shqiptar Ahmet Zogut.

Brenda vitit u nënshkruan katër marrëveshje ndërmjet të dy vendeve; ajo konsullore, nënshtetësisë, bashkëpunimi tregtar dhe detar, për dërgimin e kriminelëve e të tjera. Përveç këtyre marrëveshjeve, kishin përparuar shumë bisedimet e fshehta. Kufiri në mes të dy vendeve, në të vërtetë ishte hequr dhe djemtë shqiptarë siç e thashë dhe më sipër, u dërguan për studime në shkollën e kadetëve dhe atë detare. Në korrik 1926, pas bisedimesh të gjata, gjenerali Konduli arriti në marrëveshjen përfundimtare për çështjen e Bankës së Shqipërisë, Mbreti Zog pranoi si aksionere Bankën e Greqisë me 25% të aksioneve.

E kuptoni rëndësinë e madhe të këtij fakti. Nuk diskutohet fare se, po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, Shqipëria do të ishte jo armike, por do mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongolë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar se ata janë ilirë, pasardhës të pellazgëve.

Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët, bullgarët, por përkundrazi, gjaku, traditat dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grek.

Miauli, Kundurioti, Sahturi, Odiseas Andruços dhe mijëra grekë të tjerë me origjinë shqiptare luftuan me heroizëm për pavarësinë e Greqisë në kryengritjen e 1821.

Profesori i Universitetit të Mynihut, historiani Hertzbert, në librin e tij mbi historinë e kryengritjes, shkruan ndër të tjera: “Pak ditë pas ngritje së flamurit të kryengritjes, në prill 1821, 1.500 shqiptarë të krishterë, banorë të fshatrave të Dervenit, u mobilizuan nënkomandën e Haxhi Meletit në Korinth kundër Qamil Beut të tmerrshëm”. Nuk qenë shqiptarë ushtarët që përmend Hertzberti, por ishin shqipfolësit gjyshërit e stërgjyshërit tanë që banonin në Vila, Kindira, Mandra, Elefsina. Qenë gjyshërit e gjeneralëve Nikolaidhit, Kondulit, Roka, të autorit të këtyre rreshtave, të admiralit Sakelariut, të heroit kombëtar Laska, dhe kaq e kaq grekëve të zgjedhur, me origjinë shqiptare.

A nuk kisha të drejtë, kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të thoshte, “paloallvani” (“shqiptar i keq”, shënim i A. Llalla) të thoja dhe unë se ministria e jashtme ishte një çmendinë? Kur fliste kështu drejtori i përgjithshëm, e marrë me mend se si qenë vartësitë e tij të afërt. Askush nuk e di se çfarë të papriturash na ruan e ardhmja. E gjykova si detyrë të bëja përshkrimet e mësipërme, që të mësojë populli grek pamjen e përgjithshme të problemit. Nuk jam dakord me atë pjesë të shtypit, që shan dhe përbuz popullin shqiptar. Kam bindjen e patundur se shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për prirjen kundër greke të qeverisë komuniste. Jam i sigurt se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk i dinë as si emra Marksin, Leninin, Stalinin e të tjerët.

Botuar në gazetën “Akropolis”, gusht 1949
Përgatiti për 27.al Arben Llalla

Nexhmije Hoxha kerceu rreth kokes se prere te italianit. Shoqet i beri prostituta

 

Nexhmije Hoxha kerceu rreth kokes se prere te italianit. Shoqet i beri prostituta

Një dokument sekret, historik, shkruar në 1952 nga të huajt hedh dritë mbi krimet e komunizmit dhe konkretisht të bashkëshortes së diktatorit Enver Hoxha. Dokumenti që Opinion.al publikon sot është shkruar më 15 shtator 1952 dhe konsiderohet si një material sekret shkruar nga amerikanët për atë ç’ka po ndodhte në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore.

Objekti i këtij dokumenti është Nexhmije Xhuglini, gruaja e Enver Hoxhës. Nexhmija përshkruhet si njeri i paskrupullt dhe barbare. Ajo ka nxjerr shoqet adoleshente në mal për të kënaqur epshet e partizanëve, mes tyre dhe shoqet e ngushta, citohet në dokument.

Më tej, flitet për konferencen e Pezës, ku shkruhet se Nexhmija ka nxjerr armën dhe ka kërcënuar nacionalistët. Jo vetëm kaq, në dokument Nexhmije Hoxha përshkruhet si një vrasëse e pashpirt.

“Katër ditë pas takimit një makinë që lëvizte përgjatë rrugës Tiranë – Kavajë u ndalua nga një grup partizanësh komunistë, të udhëhequr nga shoqja Xhuglini me Kajo Karafilin, si laro të saj, dhëndrri i Myslim Pezës, personalitetit komunist dhe kriminel analfabet të përmendur më lart. Në mesin e udhëtarëve ishte një italian i cili punonte në ndërtimin e rrugës. Xhuglini urdhëroi Karafili t’i priste kokën italianit. Arsyeja për këtë vrasje të kobshme nuk është zbuluar kurrë”, shkruhet në dokument. Më pas me kokën e tij ka vallëzuar në mes të Pezës…

Të gjitha faktet tronditëse i lexoni në dokumentin që Opinion.al e publikon të plotë:

Partia Komuniste e Shqipërisë

Burimi Paris: Nuk ka informacion

Data e vëzhgimit: Lufta II Botërore

Nexhmije Xhuglini, gruaja e Enver Hoxhës

Shoqja Xhuglini-Hoxha, komuniste militante e kohëve të para, anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës, Presidente e Bashkimit të Gruas së Shqipërisë, është shqiptare me gjatësi mesatare. Ajo u bashkua me Partinë Komuniste në kohën kur ajo ishte ende e jashtëligjshme, ndërsa ishte ende adoloshente, dhe që nga fillimi ka shfaqur instikte tepër të paskrupujt dhe barbarë.

Gjatë pushtimit dhe luftës civile rekrutoi një numër të madh grash shqiptare dhe i dërgoi në male për të jetuar me partizanët komunistë, duke shpërfillur nderin dhe traditën. Mes tyre ishin dy mikeshat e Xhuglinit, Liri Gega, ish-President i Frontit të Gruas Antifashiste dhe anëtare e Byrosë Politike, të rënë në fatkeqësi politike dhe Malëshova (emri i panjohur).

Kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, këto vajza u braktisën nga shoqja e tyre Nexhmije, e cila nuk kishte për çfarë t’i përdorte tjetër, dhe të gjenduara të mohuara nga familjet e tyre, që kishin poshtëruar, ato nuk kishin zgjedhje tjetër, por të jetonin në rrugë. Qeveria Komuniste, megjithatë, nxorri një vendim për mbrojtjen e tyre. Familjet e tyre u urdhëruan për t’i marrë përsëri dhe askush nuk kishte të drejtë të refuzojë martesën me to për shkak të kaluarës së tyre të neveritshme. Ky aktivitet, i pamenduar dhe tepër tronditës nga ana e një vajze të re, është ndër veprat e saj më të padëmshme.

Më 16 shtator 1942, komunistët organizuan një takim të cilin e quajtën një “konferencë”, me qëllim formimin e një Fronti Kombëtar për Çlirimin nën urdhrat e Titos dhe Stalinit dhe për të grupuar elementët nacionalistë me komunistët. Kjo pjesë e dytë e programit ishte thjesht një përpjekje për t’u hedhur pluhur syve e “nacionalistëve”. Ideja e vërtetë ishte për t’i shtypur. Metoda të ngjashme janë aplikuar nga komunistët edhe në Rumani, Bullgari, Greqi, Jugosllavi dhe Çekosllovaki.

Konferenca u mbajt në Pezë dhe kishte 17 persona të pranishëm, komunistë dhe nacionalistë, por këta të fundit nuk kishin tagër zyrtar në takim. Në mesin e Nacionalistëve të pranishëm ishin:

Abaz Kupi, Ismail Petrela, Kamber Qafmolla, Ndoc Coba, Halim Begeja, Ramazan Jarani.

Enver Hoxha ishte përfaqësuesi zyrtar Komunist;
Nexhmije Xhuglini përfaqësonte gratë komuniste. Ajo ishte vetëm 19 vjeçe.

Ymer Dishnica, më vonë Ministër i Shëndetit Publik, President i plenumit, anëtar i Byrosë Politike, tani në fatkeqësi;
Nako Spiro, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes komuniste më pas i vrarë nga Xoxe, nënkryetar i Këshillit të Ministrave, Ministër i Brendshëm dhe Menaxher i Përgjithshëm i Sigurisë, i cili edhe vetë më vonë u ekzekutua;

Baba Mustafa;

Ramadan Çitaku, i likuiduar;

Myslim Peza, gjeneral major dhe zëvendës kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor;

Gago Tashko, ministër i pyjeve;

Muharem Butka;

Mustafa Gjinishi, sekretar i konferencës, pa të drejtë vote, më pas i ekzekutuar për devijim;

Mustafa Kakaci, raportuesi i konferencës, pa të drejtë vote, ishin komunistët pranishëm.

Gjatë takimit, shoqja Xhuglini, e zemëruar nga obstruksionizmi nacionalist, nxorri revolen e saj dhe u ngrit. Ajo u hodhi një sy të egër kundërshtarëve të saj dhe bërtiti: Kapitalistët dhe borgjezët duhet të fshihen nga faqja e dheut! Një numër i personave të pranishëm janë spiunët e kapitalistëve britanike dhe amerikanë!

Shokë Partizanë lufta vazhdon. Unë propozoj që të mos humbasim më kohë të mëtejshme me sabotues borgjezë dhe të marrim urdhra nga Stalini.

Kur “Konferenca” mbaroi Xhuglini mblodhi komunistët më të ashpër jashtë ndërtesës dhe iu drejtua si më poshtë.

“Ju e dëgjuat të gjithë atë që thonë nacionalistët. Tani e dini se ata janë reaksionarë. Prandaj ata duhet të vdesin, dhe kjo duhet bërë me duart tuaja, me duart e bijve të kombit ata duhet të goditen! Dhe me ta duhet të zhduken të gjithë ata që ngrihen kundër nesh në marshin tonë përpara me Stalinin çlirimtar!”

Katër ditë pas takimit një makinë që lëvizte përgjatë rrugës Tiranë – Kavajë u ndalua nga një grup partizanësh komunistë, të udhëhequr nga shoqja Xhuglini me Kajo Karafilin, si laro të saj, dhëndrri i Myslim Pezës, personalitetit komunist dhe kriminel analfabet të përmendur më lart. Në mesin e udhëtarëve ishte një italian i cili punonte në ndërtimin e rrugës. Xhuglini urdhëroi Karafili t’i priste kokën italianit. Arsyeja për këtë vrasje të kobshme nuk është zbuluar kurrë.

Me pas Xhuglini urdhëroi të mblidhen gratë e fshatit të Pezës dhe filloi të hidhte valle dhe këndonte, duke lozur me kokën e viktimës, ndërsa kërcente.

Gratë e fshatit, të terrorizuara nga kjo performancë makabre, u arratisën.

Një tjetër krim i kobshëm ka ndodhur menjëherë pas konferencës kur Ismail Petrela, një nacionalist i cili kishte marrë një qëndrim të vendosur kundër komunistëve në “konferencë” u vra nga djali i tij Xhevdeti përballë spitalit të Tiranës. Para se të godiste të atin, Xhevdeti tha: “Kjo është ajo që u ndodh atyre që kundërshtojnë Konferencën e Pezës”.

Koment vlerësues: Nuk ka informacion mbi ngjarjet e cituara që kanë ndodhur gjatë luftës.

Pritet dalja e dosjeve te fundit te papublikuara per vrasjen e Presidentit Kennedy

 


Pritet dalja e dosjeve te fundit te papublikuara per vrasjen e Presidentit Kennedy

Një valë e fundit dokumentash të lidhura me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, pritet të bëhen publike , duke hedhur ndoshta më shumë dritë mbi një ngjarje tragjike që ka magjepsur publikun dhe ekspertët e presidencës Kennedy për dekada me radhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Presidenti Kennedy u vra ndërsa limuzina e tij përshkonte Dallasin në Teksas, më 22 nëntor 1963. Ai ishte me gruan e tij, Jackie.

Agjenti i Shërbimit Sekret, Clint Hill shkoi me shpejtësi tek limuzina, disa sekonda pasi presidenti u qëllua.

“Ma mori mendja që plaga ishte vdekjeprurëse, por nuk isha plotësisht i sigurt. Por e vetmja gjë që tha zonja Kennedy ishte “Oh Jack, oh Jack, çfarë bënë kështu?’ dhe pastaj shtoi “Jack, të dua”, kujton ai.

Lee Harvey Oswald, që kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, u akuzua për vrasjen e Presidentit Kennedy.

I pyetur nëse kishte qëlluar presidentin, ai tha jo.

Oswald u vra dy ditë më pas nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar frikën se bëhej fjalë për një komplot.

Presidenti Donald Trump njoftoi përmes një mesazhi në Twitter, se do të lejonte publikimin e pjesës së fundit të dosjeve të Presidentit Kennedy, pasi ato të rishikoheshin.

Publikimi i plotë i dokumentave, mund të nxjerrë informacione të reja për vrasjen e presidentit, thotë eksperti Larry Sabato.

“Do të jetë një moment i rëndësishëm, sepse më në fund, pas afro 54 vjetësh, studiuesit do të kenë të gjithë informacionin që ka pasur qeveria dhe do të jenë në gjendje të bëjnë vlerësime të reja për vrasjen e Kennedy-t.”

Me interes të veçantë për profesorin Sabato dhe ekspertë të tjerë, është se çfarë dinin agjencitë qeveritare dhe me kë i ndanë informacionet lidhur me vizitat e Oswaldit në ambasadat sovjetike dhe kubaneze në Mexico City para vrasjes.

“Dua të mësoj më shumë se çfarë dinin që më parë dhe pse, nëse mund ta marrim vesh nga dokumentat, nuk kishin komunikuar më mirë me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Raporti zyrtar i Komisionit Warren, arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm, por publiku ka pasur dyshime për një kohë të gjatë, thotë profesor Sabato.

“Numri i amerikanëve që besojnë se vrasja ishte komplot ka variuar nga 60 deri në 75 për qind, prandaj është shumë e qartë se shumë amerikanë nuk besojnë se Lee Harvey Oswald veproi i vetëm.”

Pavarësisht nga mosbesimi, nuk ka pasur prova përfundimtare që të bëjnë të mendosh se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vrasje, përveç Oswaldit.

Shqiperia ne BE ne vitin 2050 e ardhmja nuk duket aspak premtuese

 


Shqiperia ne BE ne vitin 2050, e ardhmja nuk duket aspak premtuese

Vendi i fundit që iu shtua Bashkimit Europian ishte Kroacia në vitin 2013, por kur pritet të përmbushin kriteret e tyre kandiatët që duan të bëhen pjesë e BE-së?

 

Tina Freyburg dhe Tobias Böhmelt kanë prezantuar përfundimet e një studimi të kryer mbi mundësitë e vendeve kandidate për të përmbushur kriteret. Ata thonë se vetëm njëri nga vendet kandidate dhe pikërisht Maqedonia parashikohet të përmbushë kriteret rreth vitit 2023, ndërkohë që Serbia dhe Turqia parashikohen të jenë pjesë e Unionit rreth vitit 2030. Për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, studiuesit nuk japin rezultate shpresdhënëse. Ata mendojnë se këto dy vende nuk do të arrijnë t’i përmbushin kriteret para vitit 2050.

 

Studimi i tyre bazohet në mundësinë e secilit nga vendet për t’u përshtatur me ligjet, kapacitetet dhe kostot administrative të vende pjese e Bashkimit Europian.

 

Tina Freyburg  është profesoreshë e Politikabe Krahasuese në Shkollën e Shkencave Politike dhe ekonomike në Universitetin St Gallen, në Zvicër, ndërsa

Tobias Böhmelt është profesor në Departamentin e Qeverisjes në Universitetin e  Essex-it. 

Si po e presin shqiptaret e Shqipërisë presidentin serb ALksandër Vucicin?

 


Reportazh: Si po e presin shqiptaret Vucicin?

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka shkelë disa herë  tokën shqiptare si lideri i parë serb në një vizitë zyrtare, që u konsiderua   si vizitë historike nëse shohim marrëdhëniet e tensionuara të serbëve me shqiptarët përgjatë shekullit të fundit.

 

Qëllimi i shprehur i vizitës sipas tij është përmirësimi i marrëdhënieve rajonale të trazuara së fundmi nga ngjarjet në Kosovë e veçmas edhe në Kumanovë.

 

“E shoh vizitën e kryeministrit Aleksandër Vuçiç në Shqipëri si një hap pozitiv për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do na ndihmojë më tepër për të hyrë në Bashkimin Europian,” tha për BIRN Vasili, një taksist.

 

Por për disa të tjerë mbërritja e kryeministrit serb mund të mos jetë lajmi më i mirë i ditës.

 

“Vizita e kryeministrit serb sipas meje është e urdhëruar nga Europa dhe nuk besoj se do t’i sjellë ndonjë ndikim Shqipërisë,” tha për BIRN, Kisida me profesion përkthyese.

 

“Mendoj se Vuçiç mund të jetë duke na vizituar me një synim dytësor, atë të hakmarrjes për deklaratën provokuese të bërë nga kryeministri Edi Rama në Beograd,” shtoi ajo.

 

Kryeministri Edi Rama e vizitoi Beogradin më 10 nëntor 2016 nën frymën e tensionuar që solli incidenti i ndeshjes së futbollit për kualifikimin në Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë. 

Edi Rama ishte gjithashtu lideri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë që nga vizita e diktatorit Enver Hoxha në vitin 1946.

 

“Kryeministri serb po e viziton Shqipërinë për qëllimet e vendit të tij dhe për t’u dukur se Serbia po përpiqet për të përmbushur kushtet e aderimit në Bashkimin Europian,” tha për BIRN, Alda, një banore  në kryeqytet që është e vetëpunësuar.

 

Të dyja shtetet kanë synim të përbashkët anëtarësimin në familjen e madhe të Bashkimit Europian, megjithëse se BE-ja i ka ngrirë hyrjet e reja për pesë vitet e ardhshme.

 

“Nuk më pëlqen kjo vizitë. Për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur, mbajtja e marrëdhënieve në dukje të mira me të është një vrimë në ujë për interesat tona kombëtare,” tha për BIRN, Agimi, pronar i një biznesi të vogël në Tiranë.

 

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë të dobëta dhe u përkeqësuan edhe më shumë gjatë konfliktit të fundit të viteve 1990 në Kosovë.

 

“Sfidat e Shqipërisë me veten duhet të jenë prioritet i qeverisë në këto momente. Për sa kohë populli është i varfër dhe rinia e papunë nuk mendoj se duhet të merremi me ‘qoka’,” tha për BIRN, Monda, një pensioniste.

 

Vizitat e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç  zgjati dy ditë dhe u shoqërua  nga masa të rrepta sigurie. Ai u takue me kryeministrin  Edi Rama, ish presidentin  Ilir Meta, ish presidentin e ndjerë  Bujar Nishani dhe ish kryebashkiakun e Tiranës ,zt. Lulzim Basha. Aleksandër Vuçiç ishte  gjithashtu pjesëmarrës në forumin ekonomik të rajonit që u zhvillua  në Tiranë në 28 maj.

 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë apo Jugosllavisë kanë qenë gjithmonë të mbushura me mosbesim dhe armiqësi.


 Në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë marrëdhëniet qenë të tensionuara për shkak të dëshirës së Serbisë për të siguruar një dalje në Detin Adriatik, përmes Shëngjinit ose Durrësit. Burime të ndryshme historike aludojnë se Serbia dhe shteti pasardhës, Mbretëria e Serbëve Kroatëve dhe Sllovene, qe financuesi i disa kryengritjeve destabilizuese dhe përpjekjeve për të kontrolluar Shqipërinë  përmes kukullave të tyre. 


Përgjatë viteve 1930, Shqipëria u bë strehë e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh që u shpërngulën në valë të ndryshme për shkak të persekutimit nga zonat që sot janë Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore komunistët jugosllavë konsiderohen si një faktor kyç në krijimin dhe fuqizimin e Partisë Komuniste Shqiptare, gjë që solli edhe një periudhë të shkurtër marrëdhëniesh miqësore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, marrëdhënie që zgjatën deri në vitin 1948. Gjatë këtyre katër viteve, Shqipëria u konsiderua si një shtet satelit i Jugosllavisë, ndërkohë që Jugosllavia në shkëmbim shpenzoi shuma të mëdha parash dhe krijoi një numër kompanish të përbashkëta duke e shtyrë Shqipërinë efektivisht drejt rrugës së bashkimit me Jugosllavinë.

 

Qeveria komuniste shqiptare pati një luftë të brendshme në vitin 1948, e cila përfundoi me ekzekutimin e një pjese të madhe të byrosë politike, e cila u akuzua si pro-jugosllave.

 

Marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën të ngrira pas kësaj për shumë dekada dhe filluan të përmirësohen pas viteve 1970, kur Jugosllavia dha më shumë të drejta për shqiptarët e Kosovës dhe nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të siguruar tekste shkollore në Shqip për sistemin shkollor mes popullsisë shqiptare në këtë vend. Pedagogët e Universitetit të Tiranës u angazhuan në një program shkëmbimi me pedagogët e Universitetit të Prishtinës.

 

Marrëdhëniet u përkeqësuan sërish pas vitit 1978 pas protestave të shqiptarëve në Kosovë. Shqipëria dhe Serbia filluan të rindërtojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike pas rënies së Millosheviçit nga pushteti në fund të vitit 2000.

 

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd vitin e kaluar dhe vizita e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë shihen si pjesë e nxitjes diplomatike Europiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

 

Por për shkak të historisë së pasur me intriga, çdo lloj marrëdhënieje mes dy vendeve vijon të shihet me dyshim. 

Flori Bruqi

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...