Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/09/04

Këshilli i Prindërve takohet me Osmanin, kërkon ndërprerjen e grevës

 

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi tha se kanë kërkuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani që të ndalohet greva dhe të fillojë mësimi prej së hënës.

Ai pas takimit me presidenten Osmani së bashku me Këshillin e Nxënësve si dhe koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, tha se kanë gjetur mbështetje të plotë nga Presidenca me të gjitha kërkesat.

“Kërkuam që mësimi të fillojë sa më parë, qysh të hënën…Ne vazhdojmë të besojmë që e drejta kushtetuese e fëmijëve tanë për të shkuar në shkollë nuk mund të cenohet me asnjë të drejtë, qoftë edhe për arsye materiale apo të tjera. Duhet të gjendet një zgjidhje tjetër nga pala për të mbrojtur të drejtat e tyre, sepse kjo dëmton kryekëput dhe vetëm prindërit dhe fëmijët”, tha ai sipas Kosovapress.

Ndërsa tha se nuk është detyrë e tyre të gjejnë zgjidhje mes palëve, por ka shtuar se bllokimi i plotë i sistemit arsimor është i papranueshëm.

“Nuk është roli ynë që të gjejmë një zgjidhje mes palëve. Ne kemi shprehur vlerësimin e prindërve dhe gjithë organizimeve tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që bllokimi i plotë i sistemit arsimor dhe i pa afat është i pa pranueshëm për ne. Si i tillë shkel rëndë të drejtën e fëmijëve”, theksoi Demi.

Ai tha se ia kanë shprehur SBASHK-ut këtë qëndrim, mirëpo tha se edhe ata kanë argumentet e tyre.

Top Channel

​Kosovë, SBASHK-u: Greva ndalet kur të plotësohen kërkesat tona

 

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se greva në sektorin e arsimit ka ardhur si rezultat i mungesë së dialogut me qeverinë Kurti, ndërsa ka quajtur edhe një herë legjitime kërkesat e grevistëve duke theksuar se ata nuk do të heqin dorë nga greva pavarësisht pakos prej 50 eurosh.

Këto komente i bëri pas takimit sot me presidenten Vjosa Osmani me të cilën ka biseduar mbi kërkesat e grevistëve në sektorin e arsimit.

“Ne lutëm presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj që të ndikojë që sot ose nesër të ulemi me përfaqësues të qeverisë, sepse siç i thamë edhe asaj (presidentes) kjo pakoja, le ta quajnë si të donë, 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona. Ne kemi qenë të qartë. Qeveria mund të jep pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme që i jep kujto do qoftë në Republikën e Kosovës, por qeveria duhet të ulet me ne dhe të fillojmë realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj derisa të bëhet ligji i pagave, të formohen grupet e përbashkëta qeveri-sindikatë dhe të punojmë ligjin e pagave bashkërisht”, ka thënë Jasharaj, sipas Kosovapress.

Ai tha se gjatë takimit nga presidentja Osmani ka marrë zotimin që do të ndryshohet kriteri për 15 vjet për skemat pensionale për punonjësit kontributdhënës që kanë punuar gjatë viteve ’90 në mënyrë që ata të mund ta arrijnë më lehtë  pensionin e punës.

“Është moment i ri që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri dhe ministrat që sot ose nesër të ulemi që të bëjmë zgjidhje. Unë ia bëra me dije presidentes se në situatën në të cilën ndodhemi, edhe pas këtij takimi, fatkeqësisht që në situatën që jemi greva do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Jasharaj u është përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Albin Kurti se mësimdhënësit po nxjerrin analfabetë dhe se kërkesat e grevistëve janë të tepërta.

“Të bëhet një vlerësim i tillë të cilin nuk e ka bërë askush. Nëse prodhohen 67 për qind analfabetë duhet të mbyllen shkollat. Kjo shifër nuk është e saktë, nuk e di nga e kanë marrë. Por edhe nëse kemi një cilësi të tillë, SBASHK-u nuk është fajtor, sepse as nuk bën plan-programe, as nuk merr kuadro në shkollë”, ka thënë Jasharaj.

SBASHK-u ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave.

Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës.

“Ballkani i hapur një grup jo formal shtetesh”/ Hoxhaj: Kosova të sillet në mënyrë konstruktive

 

Nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj është i mendimit se Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur” dhe në këtë mënyrë të rrisë bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Në një intervistë për “Top Story”, Hoxhaj u shpreh se Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat apo nismat rajonale.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizatë, në çdo nismë rajonale. Ballkani i Hapur nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Europës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtet të ndryshme që të të mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”.

“Open Balkan” u krijua me nismën e Edi Ramës, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, që e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzon që Kosova të bëhet pjesë e nismës, për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovës si shtet të pavarur.

Studimi i fundit zbulon misterin se si u ndërtuan piramidat në Egjipt


Një teori e re është bërë publike së fundi duke treguar se si egjiptianët e lashtë mund të kenë ndërtuar piramidën e madhe të Gizës mijëra vjet më parë.

Studiues, të udhëhequr nga gjeografi Hader Sheisha, në Universitetin Aix-Marseille në Francë përdorën të dhëna paleoekologjike për të rindërtuar një pamje të rrjedhës që mund të ketë pasur lumi Nil në Egjipt gjatë 8 mijë viteve të fundit.

Ata dolën në përfundimin se ndërtuesit e piramidave mund të kenë shfrytëzuar një degë të lumit Nil, tashmë të tharë, për të lëvizur materialet e ndërtimit.

Piramida ka një lartësi rreth 138 metra dhe u ndërtua në shekullin e 26 para Krishtit. Top Albania Radio shkruan se inxhinierët e lashtë mendohet se kanë përdorur si ashensorë hidraulikë përmbytjet.

Sipas teorisë së fundit, egjiptianët e lashtë kanë shfrytëzuar degën e Nilit për të lëvizur tonelata të gurit gëlqerorë dhe granitit të nevojshëm për të ndërtuar strukturat gjigante.

Këto piramida të famshme simbolizonin fuqinë dhe pasurinë e faraonëve, si dhe promovuan besimet e tyre fetar. Por pse egjiptianët e lashtë ndaluan ndërtimin e piramidave menjëherë pasi filloi e ashtuquajtura epokë e Mbretërisë së Re?

Në Egjiptin e lashtë, ndërtimi i piramidave nisi të zbehet pas mbretërimit të faraonit Ahmos, teksa mbretërit nisën të varrosen në Luginën e Mbretërve në afërsi të kryeqytetit të lashtë egjiptian të Tebës, që ndodhej në Luksorin e sotëm.

 Projekti “Theban Mapping” thekson në faqen e saj të internetit se varri më i hershëm mbretëror i konfirmuar në luginë u ndërtua nga Tutmosi I (1504-1492 Para Krishtit). Edhe paraardhësi i tij Amenhotep I (1525-1504 Para Krishtit), mund të ketë ndërtuar varrin e tij në Luginën e Mbretërve, megjithëse kjo është një çështje e debatueshme midis egjiptologëve.

BE: Jemi të përgatitur nëse Moska ndërpret tërësisht furnizimin me gaz

 

Evropa është “e përgatitur mirë”, falë kapaciteteve të magazinimit dhe masave për ruajtjen e energjisë, nëse Rusia vendos të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz, tha një udhëheqës i lartë i BE-së të shtunën mes të një beteje energjetike të intensifikuar midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ne jemi të përgatitur mirë për t’i rezistuar përdorimit në nivel ekstrem si armë të gazit nga Rusia”, u tha gazetarëve Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni gjatë një forumi ekonomik në Itali. “Ne nuk kemi frikë nga vendimet e presidentit rus Vladimir Putin, ne po kërkojmë nga rusët të respektojnë kontratat, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne jemi të gatshëm të reagojmë.”

Komentet e zotit Gentiloni pasojnë vendimin e Moskës të premten për të shtyrë rihapjen e tubacionit të saj kryesor të gazit që e lidh Rusinë me Gjermaninë. Rusia, përmes këtij vendimit, po reagon ndaj marrëveshjes së grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse me synim për të pakësuar fitimet e Moskës.

Zoti Gentiloni tha se qendrat e magazinimit të gazit në Bashkimin Evropian “aktualisht janë të mbushura në një nivel rreth 80%, falë politikave të zgjerimit të burimeve energjetike “, megjithëse situata dallon nga vendi në vend.

Gjigandi rus i energjisë Gazprom tha se nuk mund të rifillonte furnizimin me gaz natyror në Gjermani, vetëm disa orë para se të rifillonte furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Rusia tha se arsyeja e ndërprerjes ishte një defekt teknik në tubacion, i cili ka të ngjarë të përkeqësojë krizën energjetike në Evropë.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer shkruante të premten në Twitter se vendimi i kompanisë Gazprom për të mbyllur gazsjellësin ishte i bazuar në “supozime të pavërteta”.

Prodhuesi i turbinave, Siemens Energy tha të premten se nuk kishte asnjë arsye teknike për të ndalur transportin e gazit natyror.

Moska ka fajësuar sanksionet perëndimore të vendosura pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës për pengim të përpjekjeve për të mirëmbajtur tubacionin e gazit. Evropa akuzon Rusinë se po përdor furnizimin me gaz si një metodë hakmarrjeje ndaj sanksioneve evropiane.

Të premten, ministrat e financave të vendeve të grupit G-7 thanë se do të punonin me shpejtësi për t’i vendosur një tavan çmimit të eksporteve ruse të naftës. Ministrat e financave nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara thanë se kjo gjë do të “bazohet në një sërë të dhënash teknike”.

“Ky kufi i çmimit për eksportet ruse të naftës synon reduktimin e të ardhurave të Putinit, duke mbyllur një burim të rëndësishëm financimi për agresionin (në Ukrainë)”, tha ministri gjerman i financave, Christian Lindner.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin e ministrave të financave të vendeve të grupit G-7.

“Kur ky mekanizëm të zbatohet, ai do të bëhet një element i rëndësishëm i mbrojtjes së vendeve të civilizuara dhe tregjeve të energjisë nga agresioni hibrid rus”, tha të premten presidenti Zelenskyy.

Përplasja lidhur me furnizimin me energji ndodh në një kohë kur forcat ruse dhe ukrainase po sulmojnë njëra-tjetrën pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, ku inspektorët e OKB-së po përpiqen të shmangin një katastrofë të mundshme bërthamore./ Voice Of America

“Rrëfyesi më i mirë”, Barack Obama fiton çmimin Emmy për dokumentarin në Netflix

 

Ish-presidenti amerikan Barack Obama fitoi çmimin Emmy të shtunën si rrëfyesi më i mirë për serinë e dokumentareve ‘Parqet tona të mëdha kombëtare’, në Netflix. 

Është kompania e produksionit të Obamas, Higher Ground, e cila ka realizuar serinë e dokumentareve .

Përveç çmimit Emmy, Obama ka marrë më herët edhe dy çmime Grammy, duke e sjell atë një hap më pranë për t’u bërë një Egot, status që merret kur dikush ka një çmim Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

Vetëm 17 persona kanë fituar statusin Egot deri më sot, duke përfshirë Mel Brooks,  Audrey Hepburn dhe Jenifer Hudson.

Obama  bëhet kështu presidenti i dytë amerikan në histori që fiton një Emmy, pas Dwight Eisenhower.

Pas largimit nga detyra në vitin 2017, ish-presidenti dhe gruaja e tij Michelle krijuan Higher Ground, duke arritur një marrëveshje me Netflix që thuhet se vlente dhjetëra milionë dollarë.

Obama fitoi çmimet Grammy për versionet audio të kujtimeve të tij “The Audacity of Hope” dhe “Dreams from My Father”.

“BE nuk ka nxjerrë mësim nga lufta”/ Enver Hoxhaj: Në Shqipëri nuk po dimë të përfitojmë nga situata gjeo-politike

 

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka diskutuar sot për situatën gjeo-politike në Europë të diktuar nga lufta.

Në studion e Top Story me Sokol Ballën, ai tha se solidariteti i BE për Ukrainën do duhej të reflektohej edhe në zgjerimin e bllokut, pavarësisht se u shpreh i zhgënjyer nga samiti i fundit i unionit. Hoxhaj tha se priste përshpejtim të proceseve, si për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ashtu edhe për liberalizimin e vizave në Kosovë.

Kjo sipas Hoxhajt, tregon që BE nuk ka nxjerrë një mësim nga lufta që po përjeton Ukraina.

Ne në Ballkan nuk po dimë ta shfrytëzojmë situatën gjeo-politike, që të përfitojmë prej luftës në Ukrainë. Solidariteti me Ukrainën është i domosdoshëm por një regjim gjeopolitik i Europës dhe i Perëndimit do duhej të përcillej edhe në politik të zgjerimit, edhe në zgjerim të NATO-s.

Samiti i fundit i BE, ishte një samit dështimi. Unë kam pritur që pas 24 shkurtit do ketë shpejtësi të re dhe qasje të re. Vendimet nuk u morën, edhe më Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut, apo sa i takon mos-liberalizimit të vizave. Kjo tregon që BE nuk ka nxjerrë mësim prej asaj që po ndodh në Ukrainë. Nëse atje është fronti i parë i luftës tradicionale, ajo çka bën Rusia në Ballkan është lufta hibride, përdorimi i tensioneve apo destabilizimeve. Nëse para 6 muajsh kam pasur një shpresë, BE udhëhiqet nga liderit e status quo , e cila është recetë shkatërrimi për rajonin dhe Europën”, tha Hoxhaj në Top Story.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...