Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022. Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Brdo-Brijuni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.
Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit. Përveç Pahorit, nikoqir i ngjarjes, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.
Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.
Osmani: Askush në BE nuk është kundër liberalizimit të vizave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrja për liberalizimin e vizave për Kosovën, është miratuar njëzëri në Procesin e Bërdo-Brionit. Ajo tha se gjatë këtij viti, pret që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje, teksa shtoi se ka përkrahje në mesin e bllokut.
“Aktualisht, nuk ka vend në BE që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra, momentumi është i shkëlqyeshëm, kemi mbështetjen e vendit që është nikoqir i këtij takimi [të Këshillit të BE-së që mbahet në Republikën Çeke] dhe takimet ministrore. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza për ta shtyrë çështjen përpara. Dhe pastaj në samitin e ri BE-Ballkan Perëndimor, që pritet të mbahet më vonë, pas tetorit. Ajo që është me rëndësi është që ky vendim të merret gjatë Presidencës çeke, pra gjatë këtij viti”, tha Osmani.
Ndërkaq, në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor. Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.
“I bëjmë thirrje BE-së që të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialog – si mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve”, thuhet, po ashtu, në konkluzione.
Vuçiq: BE-ja nuk është popullore në Serbi
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk është popullor në mesin e qytetarëve të Serbisë, por tha se shpreson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.
“Unë vij prej një vendi i cili ndodhet në rrugën evropiane, nuk do që të heqë dorë prej saj, por në të cilin BE-ja është më së paku popullore. Nëse sot do të kishit një referendum në Serbi, në pyetjen: A doni të hyni në BE ose jo, qytetarët e Serbisë do të thoshin jo”, tha Vuçiq pas samitit të Procesit Bërdo Brioni.
Ai po ashtu tha se shpreson se kjo do të ndryshojë “në muajt apo vitet e ardhshme”. Ai shtoi se një nga arsyet kryesore për këtë është çështja e integritetit territorial të Serbisë. Serbia konsideron se me pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, është shkelur integriteti i saj territorial. Por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar më 2010 se pavarësia e Kosovës nuk bien ndesh me ligjin ndërkombëtar. Në anën tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takimin e Procesit të Bërdo Brionit nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.
“Unë e mbështes njohjen e Kosovës. Të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, por në këtë [samit] nuk ishte rasti për të”, tha Millanoviq.
Ai, po ashtu, tha se do të bëjë gjithçka të mundur që Procesi Bërdo-Brioni të vazhdojë, pasi Pahor përfundon mandatin e dytë presidencial këtë vit. Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë. Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.
Ku qëndrojnë vendet e Ballkanit në rrugën drejt BE-së?
Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.
Që atëherë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013. Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Kosova, po ashtu, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në. Edhe pse Komisioni Evropian ka konfirmuar se ajo i ka plotësuar kushtet, disa vende, si Franca dhe Holanda, shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve
Zahije Shala, një grua në të 50-tat nga Malisheva, thotë se i është dashur të presë tre vjet për të kryer një operacion në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Vetëm tash, pas gjithë asaj pritjeje, kam arritur ta kryej operacionin në këmbë”, thotë Zarifja.
Ajo kishte probleme me venat e gjakut dhe është gati të përfundojë rikuperimin në spital. Thotë se pritja e gjatë për operacion ia ka rënduar si sëmundjen, ashtu edhe gjendjen psikologjike.
Si Zarifja janë edhe qindra pacientë të tjerë në klinika të ndryshme të QKUK-së, që presin me muaj apo vite për t’iu nënshtruar operacioneve. Disa nuk arrijnë, sepse vdesin ndërkohë. Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, thotë se pritjet kanë qenë edhe më të gjata deri para dy vjetësh, kur klinika që udhëheq ai, nuk ka pasur sallë operacioni dhe shërbimi është kryer në klinika të tjera.
Pritja ka zgjatur “katër deri në pesë vjet”, thotë ai.
“Tani kemi sallë operacioni, por kemi mungesë të anesteziologëve”, thotë Rudari për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, pacientët e sëmurë rëndë trajtohen me prioritet – të tjerët presin.
“Çështja e operimit të venave është patologji që edhe nëse pret, pacienti nuk rrezikon asgjë”, thotë Rudari.
Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është e vetmja në Kosovë që merret me patologjinë e venave, të arterieve, të shputës diabetike e të tjera. Në gjashtë muajt e fundit, aty janë kryer rreth 200 operacione – përfshirë raste urgjente dhe nga lista e pritjes. Klinika funksionon me 13 kirurgë dhe ka 24 shtretër për pacientët nga gjithë Kosova.
“Kur nuk ke para të shkosh në privat, duhet të presësh”
Situatë e ngjashme me pritje është edhe në Klinikën e Radiologjisë të QKUK-së. Pajazit Ademi thotë se mjekët i kanë rekomanduar t’i bëjë rrezatim krahut në muajin shkurt. Terminin për këtë shërbim, që njihet edhe si CT, e ka më 16 shtator.
“Prej muajit shkurt jam duke pritur. Kam pasur ta bëj në muajin e 11-të, por më kanë thirrur dhe ma kanë caktuar një datë për këtë muaj. Pritja është e mundimshme, por kur nuk ke para të shkosh në [institucion] privat, duhet të presësh”, thotë ky pensionist nga Prishtina, duke u ankuar për përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, pranon se rastet ambulantore presin 10 deri në 11 muaj për shërbime, ndërsa të hospitalizuarit, sipas saj, kanë prioritet.
“[Pritjet ndodhin] sepse në disa komuna të Kosovës, nuk po kryhen rrezatime, edhe pse ato i kanë aparaturat”, thotë Nuza për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar ndonjë komunë.
Ka raste kur pacientë nga lista e pritjes vdesin. Në Klinikën e Radiologjisë punojnë rreth 30 radiologë dhe brenda ditës kryhen mbi 20 rrezatime.REL ka arritur të shohë listën e pacientëve që presin për CT në këtë klinikë dhe për emrin e fundit në listë figuron data 1 gusht 2023.
“Lista, herë pas here, pëson ndryshime, pasi që ka pacientë që kryejnë punë edhe në spitale private. Ka raste edhe kur pacientët më në moshë vdesin”, thotë një infermiere e Kardiologjisë, e cila nuk dëshiron të identifikohet.
Antigona është një tjetër grua – në të 30-tat, nga Komuna e Lipjanit – që ka pritur tre muaj për t’iu nënshtruar një operacioni në gji në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së. Ajo ka hyrë në sallë paraditen e 8 shtatorit.
“Pritja ka qenë goxha e rëndë, sepse kisha mundim”, tha ajo shkurtimisht për REL-in, derisa bëhej gati për operacion.
Një paciente pas ndërhyrjes kirurgjike në Klinikën Torakale, QKUK, Prishtinë, shtator 2022. Në këtë klinikë, ku kirurgjikisht trajtohen sëmundje të gjirit dhe të kafazit të kraharorit, në listë pritjeje për shërbime janë më shumë se 500 pacientë. Drejtori Nazmi Kolgeci thotë se ka raste kur pacienti nga lista thirret nga stafi mjekësor, por familjarët njoftojnë se ai ka vdekur.
“E kemi vetëm një sallë të operacionit. Nuk mund ta përballojmë gjithë këtë fluks të madh të pacientëve që kemi këtu. Ne kemi prioritet mushkëritë dhe gjirin”, thotë Kolgeci për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, listën e pritjes e ka zgjatur edhe pandemia COVID-19 – sëmundje që, me raste, prek mushkëritë e pacientëve.
Cila është zgjidhja?
Pas interesimit të REL-it për listat e pritjes është marrë vesh se Pranvera Zejnullahu – Raçi, ushtruese e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ka mbajtur një takim, javën e kaluar, me udhëheqësit e klinikave, ku ka lista të gjata të pritjeve për pacientë. Në takim mësohet se është kërkuar që të gjendet një zgjidhje për t’u zvogëluar numri i pacientëve që presin. Përveç tri klinikave që ka vizituar REL, mësohet se pacientët presin gjatë edhe për disa shërbime që ofrojnë klinikat e tjera.
REL, për këtë çështje, i është drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë(MSH), e cila zotohet se do të bëjë “transformim të sistemit shëndetësor”.
“Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është i paraparë të bëhet përmes decentralizimit të sistemit spitalor dhe riorganizimit të QKUK-së, si dhe fuqizimit të spitaleve rajonale dhe të sistemit shëndetësor lokal”, thuhet në një deklaratë me shkrim, dërguar REL-it.
Nga MSH-ja, po ashtu thonë se, përmes zhvillimit të qendrave të avancuara dhe programeve të reja të specializimeve dhe subspecializimeve, “mund të përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe njëkohësisht të shkurtohet koha e marrjes së shërbimeve”.
“Anesteziologjia do të jetë lëmi me prioritet në ndarjen e specializimeve të reja që janë duke u përgatitur”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë, duke komentuar mungesën e anesteziologëve si njërën prej pengesave kryesore për kryerjen e operacioneve.
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë, prej vitesh, përballen me mungesë të anesteziologëve. Radio Evropa e Lirë ka raportuar për disa raste të këtyre mjekëve specialistë që e kanë lëshuar punën. Si arsye, ata kanë përmendur kushtet jo të mira në punë dhe pagën, sipas tyre, të ulët. Paga bruto, apo e pataksuar, e mjekëve në Kosovë është 630 euro.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se Projektligji i ri për paga, që parasheh rritje, pritet të dalë në votim së shpejti. Deri atëherë do të vazhdojnë pritjet e punonjësve shëndetësorë për paga më të larta, por edhe pritjet e pacientëve për shërbime, të cilat nuk duket se mund të zvogëlohen shpejt
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po përballet me shumë probleme në vendin e tij. Problemi i shpërblimeve të mësuesve dhe qëndrimi me sindikatat, problemi me energjinë e të tjerat, jo më pak, ja kanë kërrusur shumë supet. Edi Rama nuk është më larg. Protestat e lodhshme që mëton opozita në shtator më shumë do mbledhin mllefin dhe pasigurinë, që ka krijuar qeverisja e tij sesa frymëzimi i dyshes Meta-Berisha. Ndërsa Aleksandar Vuçiç e ka marrë udhën e tij. E ka njohur de facto Kosovën dhe marrëveshja e fundit, e realizuar qysh me 2011 dhe e rivitalizuar së fundmi është një konfirmim gati de jure. Derisa ka reciprocitet për “ish-krahinën jugore” serbe tashmë ai është një kartë e mbaruar morale për politikën e vendit të tij. I habitshëm qëndrimi i kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, shqiptarit Abazoviç dhe akoma më e pakuptueshme ajo mbështetje indirekte që ka marrë jo pak herë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Por sa i përket Kosovës, tashmë askush nuk është i zoti që të dalë mbi realitetin. Kurti duket më i avantazhuar për vazhdimësinë e qëndrimit ndaj reciprocitetit. Sepse në fakt, siç thuhet nga një kolege serbe e Danas për Vuçiç:”Pavarësia e Kosovës nuk varet nga njohja apo tradhtia e tij – term i përdorur nga partitë ekstremiste dhe të djathta (Lexo serbe)”.
Dhe, ajo që pritet nga të gjithë popujt tanë, për të thënë të vërtetën është që të informohemi si duhet por edhe të kuptojmë se ku po shkon kjo marrëdhënie edhe sesa do të bëjë atë që bënë mes tyre Gjermanët me Francezët. Dhe, a ja vlen mbështetja ndaj Vuçiç, një personazh me aq probleme në vendin e vet dhe jo vetëm.
Për fat të keq, ka një pikë që i bashkon krerët e Ballkanit, ata e konsiderojnë këtë marrëdhënie si domen të protagonizmit të tyre dhe më shumë se çdo gjë ka pak akordancë me realitet e reja pas flegmatizmit të Ballkan Open.
Në vendin e tij, Vuçiç pas marrëveshjeve që bën me Kosovën i informon dhe “i qetëson” bashkëkombasit e vet duke u munduar ta fusë kokën si struci në moçalin e politikës së vet. Në Kosovë opozita as nuk përfillet dhe asnjë hap i tyre në dialog, kurse sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me të dy vendet ka vend vetëm për protagonizmin e madh të Ramës. Në të njëjtën mënyrë, ky qëndrim, ka bërë që Kurti të jetë i plotfuqishën në Kosovë. Votat e njerëzve dhe reciprociteti, plus presioni i Fuqive të Mëdha deri tani po i ndih shumë Kosovës dhe politikës së tij, që duhet thënë se ka fituar jo pak. Vuçiç, nga ana tjetër, e ka përdorur Kosovën për t’i çoroditur qytetarët e Serbisë dhe jo thjesht për të qëndruar sa më gjatë në pushtet por edhe për të konsoliduar një pozicion të tillë, siç shprehet media vendase, për të taposur të gjitha abuzimet që kreu i shtetit dhe kreu i partisë më të madhe ka ndërmarrë.
Nga ana tjetër, jeta në Kosovë zhvillohet normalisht dhe Republika e re është një realitet i madh dhe krejt e pavarur nga Serbia. Kjo është ajo që e bën disi nul protagonizmin e tre liderave autokratë.
3 minuta bisedë, madje në telefon, tre çerek shekulli më parë dhe larg në një tjetër vend, ka zgjedhur shkrimtari Kadare për të shtjelluar në veprën e tij më të fundit, “Kur sunduesit grinden”, që s’është thjesht roman, as memuaristikë, as sprovë, as kritikë, as…, por të gjitha këto së bashku, një vepër e veçantë marramëndëse, e tij dhe e pangjashme, me një sharm shqetësues.
3 minuta bisedë mes dy sunduesve, Stalinit dhe Pasternakut, i pari mbi një vend të madh dhe ndër më gjakatarët e historisë njerëzore, kurse i dyti, sipas Kadaresë, sundues i shpirtrave njerëzorë të atij vendi, të së njëjtës kohë, pra shkrimtar i madh.
Çfarë u bisedua në ato 3 minuta të famshme, që përthithën aq shumë vëmendje e vazhdojnë të përthithin? Stalini merr në telefon Pasternakun dhe e pyet për një shokun e tij të arrestuar, poet dhe ai sa ai, Mandelshtami, dhe Pasternaku i hutuar pak a shumë i përgjigjet se ne/ata jemi/janë të ndryshëm, gati s’njiheshin, dukej sikur donte të thoshte a e tha dhe diktatori si i zemëruar ia kthen se nuk mbrohen shokët kështu dhe ia mbylli telefonin, duke u hapur pas kësaj komentime të pafundme gjithandej, variante të bisedës së pakët, që gati s’mund të quhet e tillë, e pa përfundurar, me hamendësime që do të vazhdonin dhe sot e kësaj dite, siç na siguron Kadare duke u futur dhe vetë, si atij që i takon, në ato përsiatje tani.
Vërtet Stalini donte të mbronte Mandelshtamin nga Stalini? A mundej dot Pasternaku? 3 minuta dhe treshja infernale: diktatori & shkrimtari i njohur & i pa pranishmi – shkaktari i bisedës. Po ç’ishte ky? Poet i porsa arrestuar që do të përfundonte burgjeve dhe harrimeve, do e vrisnin a do të vriste veten, e njëjta gjë, por që a do të mund të rikthehej fantazmë.
Dhe tek të tre këta, autori i këtij libri, sovranshëm, që kërkon të shtjellojë, të ribëjë tufanin. Gati një shekull sundim i perandorisë komuniste, pothuaj gjithë shekulli XX në një hapësirë të pa masë dy kontinentëshe, Europë dhe Azi, por dhe përtej oqeanit, në Amerikë, me 100 milionë viktima në të gjithë botën, sipas statistikave, me pushkatime e burgje e çmendje lemerisëse, baltë internimesh e zhdukje mizore, terror dhe frikë dhe uri, ankth, punë rraskapitëse e luftë, fitore të mëdha që janë ndërkohë dhe humbejet më të mëdha, entuziazëm që duket si një marrëzi kolektive, monumente dhe fabrika të zymta, klasë punëtore dhe artistë të trallisur, që duhet të jenë shërbëtore të tyre, konflikte dhe letërsi të detyruar të Realizmit Socialist, lumturi dhunuese e paqenë kurrë lumturi, etj, etj, dhe midis miliarda rënkimeve e britmave të gojëve të çaplyera dhe plagëve, fyteve të prera, mallkimeve, pëshpërimave, përbetimeve, të folurit nën zë, me vete, të gulçeve me dheun përsipër, grindjeve me gardianë, policë, redaktorë e sekretarë e mes vetë të persekutuarve, mes vëllezërve Abelë e Kainë, atit dhe birit dhe vetes, etj, etj, etj, që po t’i mblidhje nëpër burgje e kampe internimesh si kohë, mund të bënin shekuj, mijëvjeçarë dhe befas Kadareja, si trillan fantast që është, në këtë zallamahi botërore, zgjedh sfidueshëm vetëm tre minuta bisedë, as të vendit të tij e as të gjuhës së tij.
Aty jo vetëm që ndihet, por sipas tij, është shumëçkaja, nuklea, një mister kundër mistereve. Si shkrimtar i pa shoq, i intereson qendra, të cilën e fikson vetë, nga aty ku zanafillojnë ato që do të ndodhnin gjithandej, mes shteteve dhe njerëzve, fikshën dhe jo fikshën, sepse kemi të bëjmë dhe me realitetin tjetër, atë të shkrimtarëve, deri dhe të vetmitarëve të tyre e më tej, përfshi adulterët, more dhe shtratin bashkëshortor a arkëmortet e jo llogoret e kanalet e dënimeve në ferr, prangat dhe plagët e pushkatimeve.
Kadare zgjodhi si vend të veprës më të fundit duke iu rikthyer sërisht, Moskën, kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik, ku dhe ka qenë student, në fakt dëshmitar.
Po kështu Kadaresë duket se i ka interesuar gjithmonë e larta, lartësitë, pa shkuar te qielli, aq sa mund të mbikqyrësh zotërueshëm shumëçka dhe zgjodhi tani kështjellën, Kremlinin me Stalinin brenda si një murg të rrezikshëm dhe pak më tej një apartament të Moskës, me Pasternakun brenda, “inxhinierin e shpirtrave”.
Nga gjithë ajo truallnajë trallisëse euro-aziatike e perandorisë komuniste, Kadaresë i mjafton tani fare, fare pak, aq sa ç’është afëria mes dy banesave të tyre, që, të para nga sateliti lart, do të përbënin, jo vetëm ato, por e gjithë Moska, veçse një pikël të vetme mbi zhguall të globit. Dhe mes miliarda e miliarda bisedave njerëzore të pafund, qoftë dhe të një dite, thashethemeve dhe intrigave globale, ofshamave të popujve që duket sikur ato i kanë krijuar retë përsipër tyre, Kadare, sipas llogjikës noprane të shkrimtarisë, siç e pamë, zgjedh vetëm tre minuta bisedë, një kampion të ajërt, ato pak fjalë të sikletshme që shkëmbyen mes tyre Stalini e Pasternaku, me telefon tre çerek shekulli më parë. I mjaftjon kjo. Një marrëzi gjeniale për një shkrimtar, e prapshtë ndërkaq, ndërsa për lexuesin habitëse në mënjanësinë e saj, ankthëruese gjithsesi gjatë leximit, por që kanë përftuar një vepër letrare çudane, të papërsëritshme, e karuseltë, torturuese në rrotullimin e saj, me personazhë realë, që takohen, duan, ndahen, përloten, vdesin, harrohen.
Nxitoj të them atë që do të duhej të thuhej e para, vepra i shërben copërlueshëm kujtesës njerëzore, më të paktës – asaj elitare, në fund të fundit gjithë atij mekanizmi sa të ngadaltë e të përpiktë, po aq dhe ndëshkues, qoftë dhe në ndërgjegje, ndërkohë paqtues duke ngulmuar t’i vërë gjërat e kësaj bote në vendet e tyre, ato që do t’i duheshin, teksa harresa është djallëzisht katastrofike.
Me takt acarues nën një qetësi të kadifenjtë, sa ç’ia kërkon estetika e veprës, Kadare tek e vogla ndrydh të madhen, vetë hatanë nga drama e përbotshme. Te minimumi vë maksimunin, pra është autor i minimakseve, do të thosha duke huazuar një kompozitë të huaj. Vepra i ngjan një hetimi lodhës, ku lodhja këtu është e pa lodhshme, ku nga e rëndomta shkohet te sublimja, me atë magjinë kadareane, herë herë me seriozitet të zymtë e më pas me ironi groteske. E qeshura është plagosëse.
Një libër i vështirë-rrokshëm, i ngjan shakujve të erës te poemat homerike, te “Odisea”, që kanë të ndrydhur erë brenda, më të pa përfshirshmen, më të pa përshkrueshmen dhe çmitikisht i është dale, shakulli është hapur duke përplasur erë fytyrave, me qëllim, që duket sikur ky është dhe qëllimi artistik, se prandaj është krijimi dhe e më pastajmja… Paralelizmat janë kuptimplote, autori diku nga fillimi kujton dhe vetë telefonatën e diktatorit Hoxha me vetë Kadarenë, të cilin do ta përgëzonte për një poemë të tij dhe unë, nga emocioni i leximit e jo vetëm, marr të drejtën ta vazhdoj ose ta ribëj bisedën.
Edhe Enver Hoxha e mori në telefon Kadarenë në fakt për ta pyetur se ç’mendim kishte, jo për kolegët shkrimtarë, që i çuan burgjet, as për poetët që do të pushkatonin, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, as për Havzi Nelën, që e varën etj, ai s’donte mendim për ta, por, më djallëzisht akoma, se ç’mendim kishte Kadare për Kadarenë që do të shkruante “Ura me tre harqe”, “Pallati i ëndrrave”, Koncerti…”, etj. Dhe Kadareja do të jetë hutuar, por që të mbronte veten e ardhshme, duhej të hutonte disi diktatorin, më djallëzisht akoma, me lëvdatën e mynxyrshme. Dhe Hoxha ka vazhduar: që të të mbroj, më mbështet… pa ia thënë kaq troç, duke e lënë të nënkuptuar si goditjet pas buzëqeshjeve tiranike.
Të thoshte “jo” Kadareja, ishte tmerrësisht e rrezikshme, ishte fundi, por dhe “po”-ja, kishte po aq rrezikun e mëvonshëm, post-hoxhist. Të ketë guxuar ta ketë mbyllur telefonin Kadareja, gjoja nga tronditja apo që nuk ka parë mirë, dhe pa dashje… dhe…
Përgjigjen e dha koha dhe vepra kadareane. Enver Hoxha u kundërshtua… dhe vepra më e fundit e Kadaresë vazhdon dhe pasi e mbaron së lexuari, me atë shtysën misterioze e të brendshme të saj. Nën ndikimin e asosacionit të ideve po më nëpërmendej një version shtesë i krerëve të veprës, kjo është magjia e saj, që vazhdon te lexuesi, i katërmbedhjeti, p.sh., me një grua sërisht, jo në Moskë, por në Tiranë, një nënë, imja, që ndal Kadarenë dhe i lutet për djalin që ia kanë arrestuar ngaqë donte të shkruante poezi dhe përgjigjja e Kadaresë dhe letra prekëse e Tij nga Parisi më pas dhe falenderimi im edhe tani, pas 27 vitesh.
Autori përmend burgun e Petro Markos, unë shtoj dhe burgosjen e djalit të atij, poet dhe ai dhe sakrificat e përçudnuara të nënës, Safos për ta liruar me doemos si version të pesëmbëdhjetë.
I kthehem dhe një herë librit që kemi. Diktatori gjakatar Stalini i telefonoi shkrimtarit më të njohur të vendit, Pasternakut, dhe e pyet nëse dëshiron ta ndihmojë një kolegun e tij, mik, që po e dënonte vetë Stalini dhe Pasternaku i hutuar nuk e mbron dot nga ai që po ia ofron ndihmën vrastare. Paradoks tragjik. Çelës për të hapur e gjykuar gjithë marrëdhënien, realen, të dukshmen mes diktaturës e shkrimtarit të saj. U zbut kështu sundimtari gjakatar apo kërkon bashkëpunëtor, sundimtarin tjetër, të ndryshëm nga vetja, atë të shpirtrave që ai nuk e beson, shkrimtarin?
Kurse i treti, nuklea e asaj bisede të mallkuar, Mandelshtami, është i pa qenë, ashtu duan ta bëjnë me mjete sa më barbare, e kanë arrestuar dhe po e nxjerrin nga realiteti, po e çojnë në tjetër kundër-realitet, në atë jo për të gjithë, por për një pakicë të shenjuarish, të përzgjedhurish që një djall e di se për ç’arsye, po e mbyllin në burg, në vdekje më pas, që ishte fare afër me burgun, mjafton të kaloje telat me gjëmba e nuk dilje i lirë në realitetin e lënë, por rrëzoheshe përfundimisht në humnerat e Hadit.
Mandelshtamët donin t’i zhbënin. Ata nxirreshin nga beteja ashtu si dhe nga jeta prej sundimtarit të parë, Stalinit, pa u mbrojtur dot nga sundimtari tjetër, Paternaku. Që më pas të ktheheshin si fantazmë, por më të fortë se më parë, kur të përmbyesej, më saktë kur përmbysja t’ia linte vendin një gjendjeje normale, afërsisht, a që tentohej drejt saj deri sa dhe ajo vetë të bëhej për t’u përmbysur.
Kufoma e Stalinit do të nxirrej nga mauzoleu e do të digjej, por dhe kufoma prej bronzi e Enver Hoxhës do të shkulej nga piedestali e do të copërlohej. Ata s’duhej të ishin lejuar të bënin aq sa bënë, gjëmën e përgjithshme… Po Pasternaku? Që s’e mbrojti dot shokun, gjysmën e vetes? Apo duke qenë si njëlloj tjetër sundimtari, gjysmën tjetër e kishte peng te Stalini? Që të mbronte veten që s’ishte as Stalin e as Mandelshtam, por një nevojë urgjente e kohës. Dhe mbase duhet ta mësojmë veten që të mos t’i kërkojmë tjetrit më shumë, por aq, të bënte më mirë atë që mund të bëhej. Se heshtja nuk është letërsi.
E Kadareja? Ai është me Mandelshtamin në mungesë në këtë libër-apologji. Në fund të fundit gjithkushi do të mund ta dëshmojë veten e vet, nuk e bën askush tjetër. Dhe vetja është te tjetri dhe tjetri te vetja.
Stalini prijëtar me krimet e veta, Pasternaku me librat e tij, me poezinë, që mbetet dhe Mandelshtami me zhdukjen po aq shumë se sa me veprën që mundi të shkruajë, me poezinë që mbetet dhe te ky, por dhe me atë që nuk mundi të shkruajë, që s’e lane e që s’dihet nën ç’shakull homerik është futur. Dhe vazhdoj me fjalët përmbyllëse të Kadaresë, “Osip Mandelshtami as ka qenë, as do të jetë ndonjëherë i vetuar në largësinë e vet. Dhe këtu qëndron, me sa duket, ajo që, për të shmangur fjalën e bujshme ‘pavdekësi’, do ta kishim më lehtë dhe më natyrshëm për Mandelshtamin dhe për të gjithë të ngjashmit e tij, fjalën ‘pafundësi’”.
Fundi është pafundësia. Edhe ky libër sikur do të na mësojë dhe me këtë. Por, që para se të jetë e parrokshme dhe universale, le të bëhet dhe ngushëllim i shenjtë, drejtësi patjetër, pse jo e shenjtë dhe kjo.
Kërkesa e autorit, bërë botuesit për mundesinë e një botimi tjetër të plotësuar të këtij libri, edhe pse ndokujt i ka krijuar gjendje keqardhjeje, madje dhe mërzie, unë e gjej si një shenjëz letrare të gjetur, së pari autori është i sinqertë me lexuesin, por dhe një lloj “ftese në studio”-n e Tij, ndërkaq mendoj se libri mjafton si i tillë, e ka dhënë veten, me një lloj pengu, që e bën të pa shtershëm merakun e bukur, se tek e fundit prandaj bëhet dhe një libër tjetër, vetë letërsia deri në “pafundësi”.
456 vjet më parë, në vitin 1566, pasi arriti të ngadalësojë pushtimin osman të Hungarisë, kroati Nikolla IV Zrinski udhëhoqi 600 evropianë në betejën e fundit për t’i dhënë fund rrethimit të Szigetvarit./Konica.al
Që prej themelimit të saj, për 300 vjet Perandoria Osmane ka qenë në luftë kundër të krishterëve të Mesdheut dhe Evropës Lindore. Perandoria kishte fuqinë punëtore dhe teknologjinë për të qenë një nga ushtritë më të frikshme në planet. Sulejmani I u bë Sulltani i 10- të i Perandorisë Osmane në vitin 1520, duke u shndërruar në një nga monarkët më të fuqishëm dhe më të shquar në botë gjatë jetës së tij. Gjatë mbretërimit të tij, Perandoria Osmane arriti kulmin me fuqi ekonomike, ushtarake dhe politike. Sulejmani do të drejtonte vetë ushtrinë për të pushtuar bastionet persiane dhe të krishtera në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Mesdheun. Ai do të pushtonte Evropën Juglindore dhe do të zaptonte pjesën më të madhe të Hungarisë. Donte të hakmerrej medoemos për disfatën që pësoi në pushtimin e Vjenës, në vitin 1529.
Asokohe, Vjena ishte e papërgatitur për një rrethim, por, fatmirësisht, koha dhe sëmundja e dobësuan fuqinë osmane. Ishte më e largëta që kishin pasur ndonjëherë osmanët në Evropë, madje qyteti u lebetit kur mbërriti lajmi për fushatën e re të Sulejmanit.
Në moshën 72-vjeçare, Sulejmani e dinte se ditët i kishte të numëruara, ndaj donte të vazhdonte atë që nuk realizoi 37-vjet më parë. Më 1 maj 1566, ai u largua nga Kostandinopoja me një nga ushtritë më të mëdha që kishte komanduar ndonjëherë, me synimin për të pushtuar Hungarinë e të arrinte në Vjenë. E vetmja forcë që mund t’i kundërvihej kësaj ushtrie të madhe myslimane, udhëhiqej nga konti Nikolla Zrinski, një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në Mbretërinë e Kroacisë. Konti Zrinski u bë një veteran i famshëm gjatë Rrethimit të Vjenës në 1529. Donte t’i jepte kohë qytetit për t’u përgatitur, ndaj vendosi t’i vononte osmanët duke i joshur ata pranë kufirit kroato-hungarez. Zrinski zgjodhi një nga kështjellat më të mira në rajon, qytetin Szigetvar. Kështu, pasi Zrinski sulmoi dhe shkatërroi një kamp osman, Sulejmani u mashtrua duke e shpënë ushtrinë e tij prej mbi 100 000 burrash në qytet. Zrinski qe në gjendje të grumbullonte një forcë prej vetëm 2,000-3,000 trupash kroate dhe hungareze, për të mbrojtur fortesën. Uji e ndante Szigetvarin në 3 seksione: qyteti i vjetër, qyteti i ri dhe kështjella – këto lidheshin në vijimësi përmes urave dhe me tokën me ura. Për sulmuesit kështjella ishte e pamundur të arrihej pa marrë më parë dy pjesët e tjera, që do t’i jepnin garnizonit me më pak ushtarë një avantazh të madh mbrojtës. Pararoja e osmanëve mbërriti në qytet më 2 gusht, pa hasur në kundërshtim. Ndërkohë që ata ndodheshin mbi kalldrëme dhe ura, të krishterët filluan të tërhiqeshin, duke vrarë shumë prej tyre të detyruar në tërheqje. Sulltani me ushtrinë e tij kryesore mbërriti tri ditë më vonë, më 5 gusht, duke filluar kështu rrethimin zyrtar. Për më shumë se një muaj, osmanët gjuajtën me topa të rëndë dhe humbën mijëra ushtarë duke sulmuar qytetin./Konica.al
Osmanët ishin objektiv i lehtë, ndërsa grumbulloheshin për të kaluar urat në pozicionet e ardhshme mbrojtëse. Mbrojtësit, përfundimisht u reduktuan në rreth 600 burra dhe u rikthyen në kështjellë, për rezistencën e tyre përfundimtare. I irrituar nga vonesa, Sulltani i bëri kontit Zrinski një ofertë bujare, një ofertë që ai e kishte përdorur shpeshherë në të kaluarën, për t’u dhënë fund rrethimeve. Sulltani do t’i kursente jetën Zrinskit dhe gjithë njerëzve të tij, madje Zrinski do të lejohej të sundonte Kroacinë, nën ndikimin e butë osman. Konti Zrinski e refuzoi ofertën dhe përgatiti betejën e tij të fundit.
Më 6 shtator do të ndodhte një ngjarje monumentale, që nuk do të njoftohej as për sulmuesit dhe as për mbrojtësit e qytetit, Sulltan Sulejmani vdiq në çadrën e tij.
Vdekja e tij u mbajt e fshehtë, ndërsa ushtria përgatitej të bënte sulmin përfundimtar, më 7 shtator.
Zrinski zhvilloi një takim me përkrahësit, pasi nuk donte të vdiste i bllokuar brenda kështjellës, ndaj do të sulmonte për të ngadalësuar sulmin e tyre final. Shumica e përkrahësve, të cilët gjithashtu manipuluan kurthe të fuqishme, u pajtuan me të. Mëngjesin e 7 shtatorit, kalaja u përfshi nga flakët e zjarrit grek dhe osmanët marshuan nëpër urën e fundit drejt kullës. Një shpërthim i fuqishëm nga një mortajë e improvizuar hapërdau copëza nëpër urë duke rrëzuar me qindra turq. Më pas, konti Zrinski dhe njerëzit e tij, shpatëzhveshur, u larguan nga fortesa e djegur, duke vrarë gjithë turqit e plagosur në urë. Mandej, duke u përballur me sulmin osman, shumica e tyre luftuan deri në grahmën e fundit. Konti Zrinski mori dy plumba dhe vazhdoi të luftonte derisa u qëllua me shigjetë. Ndërkohë që osmanët i dhanë fund me vdekjen e Zrinskit, përkrahësit e fundit i tërhoqën më thellë në kala. Një kurth prej 3000 kuintal barut i zi plasi, duke i vrarë të gjithë brenda kështjellës, si dhe shumë të tjerë jashtë. Garnizoni i vogël evropian i shkaktoi mbi 20 000 viktima forcave pushtuese. Rrethimi njëmujor që ngadalësoi ushtrinë osmane, çka ishte e dëmshme për shëndetin e sulltanit të moshuar, bëri që ai të vdiste. Pas rrethimit, osmanët u kthyen në shtëpi, duke mos u orvatur të pushtonin Vjenën, deri në vitin 1683. Për këtë arsye, Rrethimi i Szigetvarit konsiderohet një nga betejat më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor.
Në rrjedhën e shekujve, beteja do të festohej në poezi, shfaqje dhe vepra arti. Konti Zrinski, mbetet një hero kombëtar në Kroaci edhe sot e kësaj dite./
Ne shqiptaret qe ende nuk dimë se kah e kemi b..ën e kah kryet, çdo ditë e më shumë po e humbim simpatinë në botë.
Sa debati që 10 vjet është zhvilluar, ndermjet nesh se a është Skënderbeu shqiptar? Në biseda merrnin pjesë edhe akademikët shqiptar, profesorët e ndryshëm , politikanët dhe më së shumti hoxhallarë; dhe të gjithë si një zëri: Skërbeu nuk është i yni por është serb.
Të përmendi emrat e historianëve dhe politikanëve eminent të Shqiperisë dhe Kosovës e Maqedonisë Veriore më duket e tepert, sepse ata misionin e kryen dhe serbët e kuptuan të vërteten tonë prej turkoshaku dha Skënderbeun e morrën kallyp të tyre.
Sa libra për Skenderbeun u botuan nga akademitë tona në këto 10 vjetët e fundit? – Asnjë! Kemi vetem botime individuale të cilët me shpenzimet e veta kanë bër punë të madhe. Po e përmendi vetëm një më të frytshshmin, mikun tim Gjon Keka.
Miku tjetër MD mi dërgoi këto foto të katër botimeve serbe të cilët përfundimisht Skënderbeu e bëjnë serb.
Emmanuel Macron i ka hapur derën Rusisë në Ballkanin Perëndimor.”
Kështu ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vendimit për të mos hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ursula von der Leyen u kërkoi liderëve të Unionit që të fillojnë menjëherë bisedimet e pranimit.
Ajo pretendoi se Rusia ose Kina mund të plotësojnë boshllëkun nëse BE nuk është e pranishme në këtë rajon.
Gjatë fjalës së saj në 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, von der Leyen tha se Evropa “kishte kërkuar shumë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, dhe ata i kanë përmbushur të gjitha”.
“Tani ne duhet të jemi të vërtetë me fjalën tonë dhe të fillojnë bisedimet e pranimit.”
Ajo tha se, liderët e BE kanë vonuar mundësinë e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor që prej 2003.
Ajo paralajmëroi nëse Brukseli nuk ofron një perspektivë evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor “të tjerët do të mbushin boshllëkun – Kina, Rusia, Turqia ose Arabia Saudite”