Agjencioni floripress.blogspot.com

2022/09/13

"SA TË JEM UNË NUK DO NJOHIM PAVARËSINË E KOSOVËS!:" Fjalimi i Vuçiç në Kuvendin serb


“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiç i bëri komentet në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite është procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është raporti i Qeverisë serbe për negociatat e mbajtura me Kosovën përgjatë një viti, përkatësisht nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Procesi duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Vuçiq tha se “histeria e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të konfliktit në Evropë, reflekton edhe në Serbi”.

“Kjo e vë Serbinë “në një situatë edhe më të vështirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Vuçiç.

Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Duke folur para Kuvendit të Serbisë, Vuçiç tha se “politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazi”.

Sipas tij, duhet bërë dallimi mes “realitetit dhe mundësisë” për të luftuar si shtet dhe si komb “për atë që themi se është më e rëndësishme për ne”.

Ai tha se detyrë është që në hapësirat ku ka serbë dhe shqiptarë, të sigurohet një jetesë më e mirë për ta.

“Kjo detyrë e vështirë duhet të kryhet, në mënyrë që serbët të mbijetojnë si shtet dhe si popull”, tha ai.

“Hapësira në të cilën ne punojmë, është e tillë që mundësitë për përparim dhe përmirësim janë të pakta, ndërsa shanset për të shkuar në humnerë janë mjaft të lehta dhe, nëse përdorim politikën e gabuar, pothuajse të sigurta”, tha presidenti i Serbisë.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Vuçiç tha se “jemi ballafaquar me sfida të mëdha të sigurisë”, dhe se është vënë re “prani në rritje e forcave të sigurisë të Prishtinës në veri të Kosovës”.

Në pjesën veriore të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, funksionojnë edhe organe paralele të Serbisë.

Seanca e Kuvendit të Serbisë po ndiqet edhe nga anëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Seancën për Kosovën e kërkuan grupet e caktuara opozitare në Kuvendin e Serbisë – Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa (Nada).

Më 6 shtator, Partia Popullore paraqiti në Kuvend propozimin e saj për rezolutën për Kosovën dhe tri ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe lëvizja e djathtë, Dveri.

Në dokumentin e Partisë Popullore, lider i së cilës është ish-shefi i diplomacisë, Vuk Jeremiq, thuhet se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, propozohet që në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë të paraqitet një propozim për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit.

Parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sipas Partisë Popullore, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit.

Rezoluta e propozuar nga Dveri thotë se askush që mban poste publike, nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument obligues për pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, kërkohet që Qeveria e Serbisë të marrë përsipër ndërprerjen e komunikimit dhe negociatave me Prishtinën, si dhe anulimin e marrëveshjeve të arritura. Propozohet kalimi i negociatave nga Brukseli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Dveri sugjeron që Qeveria e Serbisë të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë dhe Kinës – dy vende aleate të Serbisë, që nuk e njohin Kosovën

Aleksandër Vuçiç: Perëndimi po propozon “kornizë të re” për dialog

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Ai i ka bërë këto deklarata të shtunën, pas takimit që ka pasur me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Një ditë më herët, Vuçiç ka pritur në Beograd të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

“Sipas tyre diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Vuçiç më 10 shtator.

Ai ka shtuar se diplomatët evropianë kanë theksuar se e kanë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për diçka të tillë.

“Marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuçiq .

Sipas tij, përfaqësuesit evropianë kanë treguar se pozicion i Perëndimit është se Evropa nuk ka nevojë për konflikte të reja, andaj është shumë e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur.

Vuçiç ka thënë se në takim me diplomatët evropianë ka përsëritur se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se është e gatshme për zgjidhje kompromisi. Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë nënkupton me zgjidhje kompromisi.

Tre diplomatët evropianë kanë qëndruar më 9 shtator edhe në Kosovë, ku kanë takuar kryeministrin Albin Kurti.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kanë emëruar këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit po atë ditë, Macron dhe Scholz kanë thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata, po ashtu, u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kundërshton.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

“NDALNI KËTË ÇMENDURI, PARA SE TË BËHET VONË” Haradinaj: Armatosja e Serbisë, kërcënim për Kosovën!

 

Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë një thirrje të fortë Serbisë, duke i kërkuar të ndalë armatosjen me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Haradinaj shkruan se armatosja e Serbisë është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën Euro-Atlantike.

“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina (Pancirë, Sisteme të Mbrojtjes Ajrore, Dronë etj) është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën Euro-Atlantike. Serbia duhet ta ndalë këtë çmenduri para se të bëhet vonë!”, shkruan Haradinaj.

“Kosova të pajiset me armatim modern”

 


Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemit kundërajror të sofistikuar kinez. Kjo dërgesë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa rekomandojnë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të armatoset.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka thënë se ka një kohë të gjatë që Serbia është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit dhe kjo është sinjal i keq për regjionin.

Tutje, ish-drejtori i Policisë tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë të pajiset me armatim modern, duke përmendur mosreagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Ka një kohë të gjatë që Serbia po furnizohet me lloje të ndryshme të armatimit. Fillimisht është furnizuar me armatim nga shteti rus. Shpesh herë duke marrë falas këto pjesë të armatimit por edhe duke i blerë. Realisht kemi parë një dërgesë që ka ardhur gjysmë sekret nga Kina me sistem të mbrojtjes kundër ajrore. Mirëpo Serbia ka paralajmëruar edhe blerjen e aeroplanëve të ndryshëm edhe nga disa shtete Franca dhe Britania”.

“Dhe unë mendoj që armatosja e Serbisë është një sinjal mjaft i keq për regjionin. Këto nuk janë armë mbrojtje, por sulmi. Bashkësia ndërkombëtar nuk është duke reaguar fare në raport me Serbinë. Unë mendoj që Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të pajiset me armatim modern. Me sisteme mbrojtje meqenëse ne kemi nevojë që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë sa më e armatosur dhe e përgatitur dhe duhet të kërkojmë ndihmë nga partner tanë strategjik për t’u armatosur Kosova”, tha Qalaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha theksoi se Kosova nuk ka nevojë të frikësohet, por të armatoset edhe pse thotë se funksionojnë të gjitha institucionet e sigurisë në vend, raporton EO.

“Ka kohë që Serbia fuqizohet ushtarakisht. Kjo është pjesë e një plani të mëhershëm e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por duhet të armatosemi dhe nuk ka rrezik rajoni nga Serbia, por Kosova sepse dihet qysh e kemi pasur historinë”.

“Ne mbetet vetëm të armatosemi dhe me pas prioritet punës e veriut. KFOR-i është këtu, ne kemi ushtrinë e Kosovës, Policinë dhe të gjitha institucionet funksionojnë. Por kur armiku armatoset ajo i bie që duhet të armatosemi edhe ne”, tha Berisha./

KFOR shton prezencën ushtarake në Kosovë

 

KFOR ka njoftuar se do të ketë një rritje të përkohshme të prezencës ushtarake në Kosovë për shkak të një stërvitjeje që do të organizohet nga data 27 shtator deri më 2 nëntor të këtij viti.

Si rezultat i kësaj, një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuara do të mbërrijë në Kosovë më 11 shtator për t’u familjarizuar fillimisht me asetet dhe personelin e KFOR-it para fillimit të stërvitjes, raporton Express.

Pas përfundimit të stërvitjeve, siç bën të ditur KFOR, kontingjenti i trupave të ardhura do të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar.

“Njësitë do të kryejnë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e tyre të lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Në përfundim gjatë stërvitjes, kontingjenti ushtarak do të largohet nga Kosova dhe do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në komunikatë.

Emrin e Kosovës e shkruan ‘Kosovo’/ Vetëvendosje sulmon Majlinda Bregun


Vetevendosje ka sulmuar Majlinda Bregun me një status të gazetares Arbana Xharra.

Shkak është bërë një event i organizatës ndërkombëtare që drejton Majlinda Bregu, në të cilin emri Kosovë është shkruajtur Kosovo dhe me fusnote.

Vetë Bregu ka reaguar duke thënë se e ka shkruajtur ashtu emrin e Kosovës, për shkak se ajo drejton një organizatë ndërkombëtare dhe emri i Kosovës ashtu shkruhet nga ndërkombëtarët.

SAMITI NË BEOGRAD Abazoviç: Mali i Zi, sa më shpejt pjesë e “Ballkanit të hapur”

 


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka shprehur dëshirën që vendi i tij të bëhet pjesë sa më shpejt e nismës Ballkani i Hapur, punimet e së cilës po mbahen sot në Beograd të Serbisë.

“Nisma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ne nuk jemi anëtarë të plotë të Ballkanit të Hapur, por dua që Mali i Zi të bëhet sa më shpejt pjesë e tij. Organizimi i eventeve të tilla mund të jetë diçka që Mali i Zi mund të jetë i interesuar. Ne mbështetemi tek njëri-tjetri. Nëse dikush do të shkojë në Mal të Zi, nuk duhet të presë në kufi, por duhet të ketë vetëm një tabelë administrative “mirë se erdhe në Mal të Zi”, si në Europë. Qytetarët duan të kenë sa më pak pengesa administrative”.

Kryeministri Abazoviç përgëzoi edhe arritjen e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës për kalimin e qytetarëve në kufi.

“A duhet të zgjedhim konfliktin? A duhet të dërgojmë ushtrinë në kufi? Apo duhet të zgjedhim të njohim dokumentet e njëri-tjetrit. Ky rajon po përçon mesazhin që pavarësisht se të tjerët nuk ulen dot në tryezë, ne mundemi. Kjo nismë është një nismë që funksionon. Kryeministrat dhe Presidenti ja dolën me sukses që të nënshkruajnë dokumente që e bëjnë jetën e qytetarëve në rajon më të lehtë. Kjo është diçka për t’u përgëzuar. Mendon dikush që duhet t’i kthehemi të vjetrës? Është politika e gabuar. Është 2022, na duhet të krijojmë një vlerë të re në politikë dhe kjo është të përqëndrohemi te progresi”, theksoi Abazoviç.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...