Analizë mbi gjeopolitikën rajonale
Insistimi për ripërkufizim (razrgraničenje) me shqiptarët, flet se Beogradi nuk e njeh hartën politike të Europes Juglindore. Madje në Beograd ka koka aq të nxehta sa nuk hezitojnë të ringjallin aspiratën e shekullit XlX për shndërrimin e Serbisë në një Sardenje të Ballkanit, pra të krijojnë një supershtet të bashkuar në Ballkan nën zotërimin serb. Aleksander Vuciqi, presidenti serb, është njëri nga ata pinjollët e shovinizmit serb që e sheh Beogradin si kryeqytetin e këtij shteti, ndërkaq procesin e Berlinit në dobi indirekte të kësaj ideje!
Shqipëria dhe shqiptarët në njëren anë, dhe Serbija e serbët ne anën tjetër,kështu si janë
sot, te ndarë në dy e tri entitete shtetërore, ose nëser të bashkuar e strukturuar në
federata përkatëse, megjithatë, vazhdojnë të kenë fuqi balancuese për rajonin e Evropës Juglindore. Që të dy këta kombe, pjesa e parë e ketij shekulli, duket se do të jetë porta që do ti shpjerë ose drejt kurthit të Kutididit- Luftës vendimtare për hapësirë, ose drejt shtegut të paqes, që do t’u garantojë mireqenie dhe prosperitet për pjesën e dytë të shek.XXI e tutje, që do ta shndërronte rajonin në oazë të paqes dhe prosperimit të shtetit të së drejtës.
‘’New York Times’’ në një artikull të gjatë lidhur me perspektivën e raporteve mes Kinës dhe SHBA-ve, së fundmi godiste ne shenjë: ”Së bashku ato munden të farkoinë paqën botërore, por si kundërshtare mund ta shpiejne botën drejt greminës”. Modus Moriendi ose Modus Vivendi, luftë ose paqe – që të dyja mundësite janë në duart e tyre.
Duket se kjo vlenë, per këtë pjesë të Europës Juglindore, edhe për raportet mes dy kombeve me historinë më të pergjakur – mes shqiptarëve dhe serbëve.
FENIKSI SHQIPTAR PËRBALLË UJQËRVE TË STEPËS
Ne që kemi jetuar në të dy hapësirat jetësore [në atë shqiptare dhe serbe] që pas përfundimit të luftës [ 12 qershor 1999] dhe dhënies fund të kolonializmit njëshekullor të Kosovës, ka përpjekje për një lloj marrëveshje politike që do të mund t’i jep fund status- quosë, respektivisht gjendjës se ngrirë, duke krijuar kështu parakushtin e domosdoshëm, të afrmit e pajtimit mes dy kombeve, e më këtë edhe ecjes drejt të ardhmës prosperuese ndërfqinjesore e Evropiane, por, fatkeqësisht, duke i marrë më shumë në konsideratë interesat strategjike Serbe, në dëm të interesave jetike Shqiptare! Paralajmërimi për mundësinë e aderimit të Serbisë tok me Malin e Zi në BE për vitin 2025, duke intensifkuar edh emë tutje mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesëshja e BE-së [Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja] e me këtë edhe mbajtjen e saj [pra të Kosovës] tutje si geto të mbyllur, flet shumë për mungesën e një agjende gjeopolitike të BE-së për rajonin dhe trajtimin jo të dinjitetshëm të shqiptarëve.
Në Serbi, siq deshmojnë edhe protestat disajavore gjithandej në qytetet kryesore serbe, por edhe përbërja e parlamentit, dominojnë forcat e së djathtës ekstreme. Qendrimi i tyre ndaj Kosovës deshmon se sa janë ato të ngarkuara me energji negative. Ndërkaq shpërthimi i këtyre energjive negative u vu re botërisht sidomos pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndërlidhet me tarifat për produktet Serbe dhe intencën për t’i dhënë fund epokës së neokolonializmit, që dominoi këto dy dekada pas luftës.
Atë vendim parasëgjithash duhet kuptuar ashtu si ishte : Vullnet politik për çlirimin e dytë të Kosovës. Nëse UÇK-ja e mbështetur nga NATO, pra nga aleatët tanë Perendimorë, i kishte dhënë fund në qershor të 1999 pzitës koloniale të Kosoves, vendimi per tarifat po shenjonte fillimin e fundit të pozitës neokoloniale serbe, që asaj ia kishte garantuar UNMIK-u me politikat e tij ekonomike e fiskale, duke i hapur tash më rrugë rivalitetit gjeopolitik.
Shih për këtë duhet të kemi mirëkuptim pse sot bien kambanat e alarmit në Beograd, por nuk mund ta mirekuptojmë reagimin e Brukselit!
Sa herë që shqiptarët kanë hedhur hapa serioz të rizgjimit dhe fuqizimit të pozitave të tyre, duke u faktorizuar në rajon, siç po ndodhë në këto dy dekadat e fundit me Shqiperinë dhe Shqipetarët, tek pala tjeter, pra tek Serbia, si fuqi që ka dominuar ish Jugosllavinë, por që kishte rol dominant edhe në Evropën Juglindore, vetvetiu zgjohet ndjenja e shqetësimit dhe pasigurisë.
Zgjidhja e kësaj nyjeje historike do të mund të bëhej fare ngjajshëm si me rastin e Britanisë së Madhe dhe Amerikës në epokën postkoloniale, por situata mund lehtë të preciptojë drejt një lufte të re, siq ndodhi pas vitit 1900 mes Britanisë së Madhe dhe Raihut Gjerman ose siq shprehet Theo Somer për raportet mes Kinës dhe SHBA, diçka e ngjajshme “siq ndodhi 2500 vjet më parë mes Spartës dhe Athinës”. [th.Sommer, Cina FIRST ,Munchen 2019, f.353]
Historiani Grek Thukydides ka përshkruar në detaje se si që të dy qytetet – shtete Helen, në gjendje po thuajse të mpirë prej Somnabuli, kishin rënë në kurthin e shthurjes. Në veprën e tij të njohur me titull sugjestiv “Destined For War”, profesori i njohur nga Universiteti i Harvardit, politikologu Graham Allison, kthehet për 2400 vite prapa në histori dhe citon nga vepra e Thukydidit mbi luftën e Peloponezit këtë fjali: “Ishte ngritja e Athinës dhe brenga e shqetësimi që kjo ngritje shkaktoi tek Sparta, që e bëri luftën te pashmangshme”,
Duke e percjellë gjendjen e krijuar ndërkohë mes Serbisë dhe Kosovës, veçanrisht reagimet e krerëve të Serbië që nuk marrin mundin fare të fshehin muskujt kërcënues përmes pozicionimit të divizioneve të tëra të ushtrisë në kufi me Kosovën, dhe tash së fundmi edhe me paradën ushtarake që më tepër ishte një karshillëk, shtrohët logjikshëm pyetja:
Mos vallë, ngritja dhe prosperimi i Republikës së dytë shqiptare [Kosovës], e me këtë faktorizimi i kombit Shqiptar, ta ketë po të njejtin efekt në Serbi?
Në rastin e Athines dhe Spartes, Tukitidi potenconte dy faktorë që po e vinin qerren e luftës në lëvizje: Në njëren anë orekset në rritje të Athinës, që ishin produkt i një lloji ndjesie në ngritje e që shenojnë atë lloj vetëvlerësimi superior, ndërkaq në anën tjetër vihet re një lloj pasigurije, drojë, madje edhe nje lloji vendosmerie për ta ruajtur status QUO-në nga ana e fuqisë tashmë të etabluar të Spartës. Ne gjykimin e Tukitidit, qëndrimi i Athinës ishte i parevokueshëm. Në përmasat për aq sa fuqia e saj ishte në ngritje, rriteshin edhe ndjesitë se ajo po trajtohej jo mirë, duke sforcuar bindjen se fuqia e vjetër ta shmë do të duhet të përshtatej me realitetin e ri.
Historiani Grek gjithashtu kishte vënë re se Sparta i cilësonte sjelljet dhe qëndrimin e Athinës si të paarsyeshme, por edhe se i ishte rrezikuar roli dhe pozicioni i sai dominues që nga Casti kur filloi ngritja dhe mëkembja e Athinës. Modeli se si dy qytetet – shtetet hynë në luftën e gjatë 30 vjeqare, me te gjatën në antikë, e se si që të dyjat në fund përjetuan humbje të mëdha duke u dobësuar tej mase, sa nuk përballuan dot pastaj mësymjen e Persëve, na e ka dëshmuar mirë historia.
Ky lloi i dinamikës së nocionit historik, se mos vallë ndërkohë e ka vënë në lëvizje qerren e luftës së Serbisë (e me kete edhe të kombit serb) edhe të Kosovës (e me këtë edhe të kombit Shqipëtar), duke i paraprirë krejt kësaj përplasjeje një mësymje e furishme e Serbisë përë aneksimin e veriut të Kosovës, duke llogaritur me shumë në një ‘blic krig’?
Hulumtimi që ka bërë Allisoni në këtë rrafsh ka këtë rezultat: “Në njëmbëdhjetë nga gjashtëmbëdhjetë raste të trajtuara të 500 – vjetëshit të fundit, në të cilat raste kemi të bëjmë me zhvendosje të shpejtë te fuqisë mes një force në ngritje dhe kombit zaptues paraprak, lufta ishte si përfundim, rezultat.” [Th.S po aty, f. 355] në këtë lloj luftërash për hegjemoni, drejt luftës preventive, rrëshqiste fuqia e etabluar, nga fuqia në ngritje, ndërkaq, kishte kundërvënie, kur forcat de fakto ishin pak a shumë të njejta. Ne rastin konkret, natyrisht forca ushtarake e Kosovës eshtë embrionale, pakrahasimisht më e dobët se ajo e Serbisë , por pikërisht ky fakt mund të nxis Serbinë që, në emer të preventivës, të mësyej aksionin për aneksimin e veriut të Kosovës. Dy nga keto dymbëdhjetë rastet e trajtuara nga Alison-i kishin të bënin me rivalitetin mes Britanisë se Madhe dhe Gjermanisë para Luftës së Parë Botrore, si dhe sfida japoneze ndaj SHBA-ve, që erdhi deri LDB me përmasa të përgjakëshme për krejt rruzullin tokësor.
Sidoqoftë nuk do të thotë gjithësesi se lufta e sërishme mes Kosovës dhe Sërbisë është e pashmagëshme. Histora na dëshmon se feniksi Shqiptar u përball vetëm në vitet 1878-1999 me ujqërit e Stepës, jo më pak se shtatë herë radhazi. Fillimisht duke e humbur Toplicën [1878]; pastaj duke humbur Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe gjithë Kosovën e një pjesë të vilajetit të Manastirit [1912]. Tutje gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike [1912-1914]; Pastai gjatë Luftës së Parë Botërore e që do të vazhdonë me luftën e Kreshnikëve [Kaçakëve, siq njihet në popull lufta e viteve 1918-1924]; Tutje gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në epilogun e saj [1944-45] për t’i dhënë fund me luftën e UÇK-së [1998-99] kur edhe u çliruam në Kosovë, por pa Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe pa Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. Në katër prej gjashtëmëdhjetë rasteve të trajtuara nga Alison-i dhe ekipi i tij, rivaliteti mes fuqisë në ngritje dhe asaj të etabluar, nuk kishte përfunduar me luftë. Arsyeja ishte: Vetëpërmbajtja dhe venerimi i interesave strategjike të dyanshme që kishin shmangur luftën. Pse mos të jetë rasti i Kosovës dhe ai i Serbisë rasti i pestë në këtë vazhdë, që nuk rreshqet drejt luftës? Arsyet dhe interesat strategjike te dyanshme anojnë nga paqa dhe prosperiteti.
TAIVANI, “ZAJEDNICA“ SERBE DHE MITI MBI “DJEPIN E KOMBIT”
Në preambulen e kushtetutës së RP te Kinës theksohet taksativisht:” Tajvani është pjesë e territorit të shenjtë të Republikës Popullore të Kinës’’. Tutje vazhdn të potencohet obligimi shtetëror e kushtetues: ”Është detyrim i shenjtë i gjithë popullit kinez, përfshirë edhe qytetarët e vendit në Taivan, që ta përmbushin detyren madhore te ribashkimit të atdheut”.
Disi ngjashëm trajtohet edhe Kosova, natyrisht krejt në kundërshtim me realitetin historik, demografik e logjik në kushtetuten aktuale Serbe. Në preambulën e saj, po edhe në pjesët normative, potencohet taksativisht se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa monumentet kishtare, bashkë me hapësirat përreth tyre trajtohen si gjoja dëshmi e historisë, duke formuluar një pseudoargument se ajo paraqet “djepin e Serbisë”!
Edhe në tekstet shkollore të historisë tashmë është etabluar ky cilësim i Kosovës si “tokë Serbe”. Ja se çka ka shkruar në preambulën e kushtetutës Serbe: “bazuar ne traditën shtetërore të popullit Serb dhe barazisë …[f6]….qytetarëve dhe bashkësive etnike në Serbi; Bazuar në faktin qe Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë, pra se ka pozitën e sai si pjesë përbërse e shtetit sovran të Serbisë dhe se nga kjo pozitë Krahina Autonome e Kosovës, organet e saj si dhe të gjitha organet shtetërore kushtetuese kanë obligime dhe detyra të mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe Metohi në të gjitha mardhëniet politike të brendshme e të jashtme“, ndërkaq në kapitullin e shtatë të kushtetutës serbe, Kosova trajtohet si pjesë organike e saj në shtatë nene të veçantë.
Nëse potenciali ekonomik dhe ai ushtarak i Kinës, tok me vullnetin politik, flasin në dobi të ribashkimit të Tajvanit me Kinën në një perspektivë jo të larget, madje pavarësisht kundërshtimit të sforcuar të SHBA-ve, ky gjakim edhe mund të behet realitet.
Rasti i Krimesë, por edhe procedanët tjerë që po krijon agjenda e gjeopolitikës ruse, shkon gjithashtu në dobi të agjendes politike të Kinës. Nëse presioni ndaj Taipeh-ut (kryeqendra e Taivanit-S.R) nga ana e Kinës, po edhe nga qytetarët rritet cdo ditë, reagimi i të djathtës tradicionale Kineze (koumintang), qe e ka shënderru Taivanin në një bazë të fuqishme ushtarake nga më të rrezikshmet në planet, fare lehtë mund të dorëzohet, si do të jetë atëherë reagimi i SHBA-ve?
Dy partitë parlamentare të Taivanit janë aktive pro ribashkimit me Kinën. Propaganda kineze që garanton lehtësira ekonomike dhe mirëqenje për 137 milion qytetar të ishullit, është permanente. Shih për këtë, ky ishull fare leht mund të shndërrohet në flakadan të luftës së Tretë Botërore.
A mund të tërhiqen paralele mes këtij ishulli kinez dhe “Zajednices” Serbe nesër në Kosovë? Krahasimi gjithsesi çalon dhe duket tërësisht i shpifur. Por, kështu nuk gjykon Beogradi, meqë si “Zajednicë Serbe” de fakto e trajton gjithë Kosoven, si “djepi i Serbis, pra si “djep i kombit eerb” etj. Oligarkët pashiqian të Beogradit ende e mbajnë gjallë idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në kët terren strategik, gjykon Beogradi, ndryshimet e karakterit gjeopolitik të pritshme që të ndodhin në Ukrainë, në Taivan etj. mund të prodhojë ndonjë aksion spektakular të rikthimit të Ushtrisë Serbe në Kosovë, ose së paku në “Ishullin Verior’’ të Kosovës. Aktualisht, përmes dialogut në Bruksel dhe të takimeve të fshehta, po ushqehen këto iluzione të ëndrrës serbe tash më e ngritur në agjendë politike zyrtarë. Në ndihmë të kësaj agjende ishte edhe forumi i Alban-ut në Austri dhe shërbimet e një lagjeje diplomatike të Europes ne krye me znj. Mogerini, Përfaqsuese e lartë e Politikës së Pashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Para këtijë eshaloni të diplomacisë proserbe, duket se tashmë janë rreshtur individ e qarqe të politikës shqiptare nga Prishtina e Tirana! Përpjekja e Serbisë që, qoftë edhe me “Marrëveshje” ta aneksojnë veriun e Kosoves, dëshmon edhe një herë se sa e predisponuar po tregohet Serbia që të bie me të dy këmbët në kurthin e Tukinidit.
Nga çasti i hyrjes së Donald Trump-it në Shtëpin e Bardhë, por realisht edhe me shpëtu, nga momemti kur Zuo Jiping-u kishte promovuar të ashtuquajturën strategji mbi “raportet e rolit të superfuqive” [ 2012], pozicioni gjeopolitik edhe i Europës Juglindore kishte filluar të pësojë ndryshime të ndjeshme. Këtë ndryshim e shpërshfaqi këshilltari për qeshtje të siguris i Presidentit të SHBA-ve, J- Bollton në fjalimin e tijë në KIev [2018].
Ky pozicion i ri, automatikisht ndikoi në raport mes dy kombeve rivale në Ballkan (kombit shqiptar e atij serb). që të shënojë kuota të reja përplasjeje. Serbët, duke shfrytëzuar momentin politik, tentojnë t’i zgjerojnë sferat e tyre të interesit, madje edhe duke imponuar korigjimin e kufirit të Kosovës, që de fakto nënkupton aneksimin e veriut. Deklarata e presidentit serb A.Vuciq për rikufizimin (razgraničenje) me shqiptarët, flet qartë se Serbia tashmë ka rënë brenda perimetrit të kundërt të Tukididit. Në këtë rast do të mjaftonin ca ndeshtrasha (provokime) të rëndomta që di t’i improvizojnë shërbimet sebe të inteligjencës (të kujtojmë “Trenin Rus”, vrasjen e Oliver Ivanoviqit], që konflikti të bëhet i pashmangshëm, ndonëse skifterët e luftës tashti nuk mungojnë as në Prishtinë.
Presidenti serb në turnin e tij në qytetet afër kufirit me Kosovën, duke filluar me Vrajën, dikur njëri nga qytetet etnikisht më të pastër shqiptare (1877), e deri në Kurshumli e në Medikën (Medvegjen) time, dëshmon qart se është po ai që ishte gjatë luftërave në ish Jugosllavi [1991-1999], si zëdhënës i Millosheviqit, duke ushqyer tutje ,,shpirtin luftarak” të çetnikëve të tij që tashmë e dominojnë Parlamenti Serb.
EKSPANSIONI KINEZ DREJT BALLKANIT, AKT GJEOPOLITIK
Përse potencova në fillim të kësaj eseje rastin e Taivanit dhe më pas këmbënguljen e Sebisë për ta mbajtur kaq gjatë ,,rastin e ngrirë” të veriut të Kosovës, shëmbëllim i modeleve të ngjajshme në Qipron Turke, Krime, Ukrainën Lindore etj.?
Ka kohë që në qarqet akademike Serbe, por edhe në nivelet me te larta të politikës, krahas rolit në ngritje të Rusisë, i kushtohet vëmendje e veçantë edhe ngritjes së Kines. Në mediat më seroze nuk ka kaluar pa u komentuar deklarata e D.Trump-it pas takimit me presidentin Kinez që flet në dobi të tezës për një një rishikim të politikave reciproke që favorizojnë një lloj bashkëpunimi në dobi të raporteve Kinezo Amerikane të G2-shit.,,Unë mendojë se ne mund t’i zgjidhim pothuajse të gjitha problemet e Botës”, e shprehur në nje rast Trump-i.
Në këtë rirreshtim të ri të mundshëm, Beogradi tenton të zë hapin, duke hapur të gjitha portat për investitorët kinez. Banka htetrore kineze EXIM tashmë është prezente me investimet e saja në disa fusha. Ajo ka startuar me ndërtim autostradash në Maqedoni, në Mal të Zi dhe pretendon që këtë rrjet ta permbyllë me Serbinë. Në Beograd konsorciumi Kinez ‘CHINA ROAD AND BRIDGE CONSTRUKCTION’ ka ndërtuar një urë të gjatë mbi Danub qe kapë shifrën prej 170 milion eurosh, 85% e së cilës është kredi. Diku 700 milion euro janë duke u investuar në një termoelektranë dhe në ndërmarrjën më të madhetë vendit për përpunimin e çelikut në Smederevë, që pritet të kalojë në duart e Kinezve. [Th. Sommer:2019). Një projekt tjetër i rëndësisë së veçant që po investon Kina në interes të Serbisë, është edhe hekurudha e shpejtësisë së lartë mes Budapestit dhe Beogradit, që ka diku 350 km, e ku parashihen të investohen rreth 3.2 miliardë euro. Modernizimi i kësaj hekurudhe pritet të përfundojë në vitin 2023, me ç’rast do të shkurtohet koha e lidhjes së këtyre dy qendrave nga 8 orë, sa është tashti, në 3 orë. Krahas kesaj, është lënë e hapur mundësia e modernizimit e të gjitë shtegut hekurudhor nga Athina në Budapest.
Këto dhe projekte tjera që planifikojnë Kinezët t’i financojnë në rajon, me theks të veçantë në Serbi, vijnë si rezultat i hezitimit të investitorëve nga BE-ja dhe përgjithsisht Perendimi. Këtë hezitim dhe këtë hapësirë ndërkohë po e shfrytzon Kina, por gjithëmonë e rivalizuar nga Rusia dhe Turqia.
Në krejt këtë mësymje, Kosova mbetet jashtë vëmendjes kineze, meqë Kina nuk e njeh pavarësin e Kosovës, duke u arsyetuar se nuk tumirë politikat secisioniste që i ndërlidhë pastai me problemet e brendshme si ato me Ujgurët dhe Tibetian, por duke mos e lënë anash as edhe rastin e Tajvanit. Sidoqoft investimet kineze edhe në Shqipri janë të ndjeshme.
Në një shkrim të gjatë të publikuar në ,,DIE ZEIT” të Hamburg-ut, ULRICH LADURNERdhe STEFFEN RICHTER kanë goditur pikërisht në shenjë tek potencojnë se Kina përmes këtyre investimeve parasegjithash “ka për qëllim të rris ndikimin politik në Evropë. Kina dëshiron që në të ardhmen, qoftë edhe në rrugë indirekte, të ketë influencë në vendimmarrje në BE”
VERIU I KOSOVËS DHE SANGJAKU NË DRITËN E GJEOPOLITIKËS SERBE
Dialogu me Sebinë i ndërmjetsuar nga Brukseli, që startoi si teknik më 2011 dhe përfundoi si politikë me 2015-ën [sic] gradualisht, i është nënshtruar agjendës politike të Serbisë me BE-në dhe po shkon në dobi të gjeopolitikës serbe. Insistimi gjithnjë e më hapur për aneksimin e veriut të Kosovës, si dikur [1878] ai i Toplicës, duhet të shihet në funksion të prerjës, izolimit të Sanxhakut nga Kosova. Serbia e ka parasysh se me gjithë suksesin në politikat asimiluese, banorët autokton të Sanxhakut, që tutje mbesin shumicë, sado që deklarohen si Boshnjakë, me gjithë substratin Sllav dhe bjerrjen e gjuhës (sidomos nga brezi i ri), ata, megjithatë, veten e ndjejnë shqiptarë dhe rrjedhimisht lidhjen me Mitrivicën dhe Kosovën i konsiderojnë jetike. Në dritën e përmbushjes së agjendës politike që do të jetë në përputhje me interesat gjeopolitike dhe në dobi të gjeopolitikës serbe do parë edhe pushtimi i majës së Pançiqit nën hundët e KFORIT Francez, por edhe intencat për t’i shtënë në dorë majat e Shalës së Bajgorës, liqenin e Ujmanit dhe segmente të shfrytëzuara të Trepçes në veri.