Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/03/11

Si po e presin shqiptaret ëllaun e Ramës, sijamezin Aleksandër Vuçiç ?

 

Reportazh: Si po e presin shqiptaret Vucicin?








Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, do të shkelë prapë tokën shqiptare si lideri i parë serb në një vizitë zyrtare, vizitë që mund të konsiderohet sipas Edi sijamezit : historike nëse shohim marrëdhëniet e tensionuara të serbëve me shqiptarët përgjatë shekullit të fundit.

 

Qëllimi i shprehur i vizitës sipas tij është përmirësimi i marrëdhënieve rajonale të trazuara së fundmi nga ngjarjet në Kumanovë.

 

“E shoh vizitën e kryeministrit Vuçiç në Shqipëri si një hap pozitiv për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do na ndihmojë më tepër për të hyrë në Bashkimin Europian,” tha për BIRN Vasili, një taksist.

 

Por për disa të tjerë mbërritja e kryeministrit serb mund të mos jetë lajmi më i mirë i ditës.

 

“Vizita e kryeministrit serb sipas meje është e urdhëruar nga Europa dhe nuk besoj se do t’i sjellë ndonjë ndikim Shqipërisë,” tha për BIRN, Kisida me profesion përkthyese.

 

“Mendoj se Vuçiç mund të jetë duke na vizituar me një synim dytësor, atë të hakmarrjes për deklaratën provokuese të bërë nga kryeministri Rama në Beograd,” shtoi ajo.

 

Kryeministri Rama e vizitoi Beogradin më 10 nëntor nën frymën e tensionuar që solli incidenti i ndeshjes së futbollit për kualifikimin në Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë. Rama ishte gjithashtu lideri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë që nga vizita e diktatorit Hoxha në vitin 1946.

 

“Kryeministri serb po e viziton Shqipërinë për qëllimet e vendit të tij dhe për t’u dukur se Serbia po përpiqet për të përmbushur kushtet e aderimit në Bashkimin Europian,” tha për BIRN, Alda, një banore  në kryeqytet që është e vetëpunësuar.

 

Të dyja shtetet kanë synim të përbashkët anëtarësimin në familjen e madhe të Bashkimit Europian, megjithëse se BE-ja i ka ngrirë hyrjet e reja për pesë vitet e ardhshme.

 

“Nuk më pëlqen kjo vizitë. Për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur, mbajtja e marrëdhënieve në dukje të mira me të është një vrimë në ujë për interesat tona kombëtare,” tha për BIRN, Agimi, pronar i një biznesi të vogël në Tiranë.

 

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë kanë qenë të dobëta dhe u përkeqësuan edhe më shumë gjatë konfliktit të fundit të viteve 1990 në Kosovë.

 

“Sfidat e Shqipërisë me veten duhet të jenë prioritet i qeverisë në këto momente. Për sa kohë populli është i varfër dhe rinia e papunë nuk mendoj se duhet të merremi me ‘qoka’,” tha për BIRN, Monda, një pensioniste.

 

Vizitat e kryeministrit Vuçiç do të zgjasë dy ditë dhe do të shoqërohet nga masa të rrepta sigurie. Ai do të takohet me kryeministrin Rama, kreun e kuvendit Ilir Meta, presidentin Bujar Nishani dhe kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha. Vuçiç do të jetë gjithashtu pjesëmarrës në forumin ekonomik të rajonit që do të zhvillohet në Tiranë në 28 maj.

 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë apo Jugosllavisë kanë qenë gjithmonë të mbushura me mosbesim dhe armiqësi. Në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë marrëdhëniet qenë të tensionuara për shkak të dëshirës së Serbisë për të siguruar një dalje në Detin Adriatik, përmes Shëngjinit ose Durrësit. Burime të ndryshme historike aludojnë se Serbia dhe shteti pasardhës, Mbretëria e Serbëve Kroatëve dhe Sllovene, qe financuesi i disa kryengritjeve destabilizuese dhe përpjekjeve për të kontrolluar Shqipërinë  përmes kukullave të tyre. Përgjatë viteve 1930, Shqipëria u bë strehë e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh që u shpërngulën në valë të ndryshme për shkak të persekutimit nga zonat që sot janë Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore komunistët jugosllavë konsiderohen si një faktor kyç në krijimin dhe fuqizimin e Partisë Komuniste Shqiptare, gjë që solli edhe një periudhë të shkurtër marrëdhëniesh miqësore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, marrëdhënie që zgjatën deri në vitin 1948. Gjatë këtyre katër viteve, Shqipëria u konsiderua si një shtet satelit i Jugosllavisë, ndërkohë që Jugosllavia në shkëmbim shpenzoi shuma të mëdha parash dhe krijoi një numër kompanish të përbashkëta duke e shtyrë Shqipërinë efektivisht drejt rrugës së bashkimit me Jugosllavinë.

 

Qeveria komuniste shqiptare pati një luftë të brendshme në vitin 1948, e cila përfundoi me ekzekutimin e një pjese të madhe të byrosë politike, e cila u akuzua si pro-jugosllave.

 

Marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën të ngrira pas kësaj për shumë dekada dhe filluan të përmirësohen pas viteve 1970, kur Jugosllavia dha më shumë të drejta për shqiptarët e Kosovës dhe nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të siguruar tekste shkollore në Shqip për sistemin shkollor mes popullsisë shqiptare në këtë vend. Pedagogët e Universitetit të Tiranës u angazhuan në një program shkëmbimi me pedagogët e Universitetit të Prishtinës.

 

Marrëdhëniet u përkeqësuan sërish pas vitit 1978 pas protestave të shqiptarëve në Kosovë. Shqipëria dhe Serbia filluan të rindërtojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike pas rënies së Millosheviçit nga pushteti në fund të vitit 2000.

 

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd vitin e kaluar dhe vizita e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë shihen si pjesë e nxitjes diplomatike Europiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

 

Por për shkak të historisë së pasur me intriga, çdo lloj marrëdhënieje mes dy vendeve vijon të shihet me dyshim. 

Sllovenet te mahnitur nga Shqiperia dhe bunkeret

 

Sllovenet te mahnitur nga Shqiperia dhe bunkeret












Gazeta sllovene “Delo” e Lublanës, ka botuar një artikull për Shqipërinë ku shkruan se, vendi ynë tashmë  nuk është më një vend i varfër në Ballkan, ku njerëzit luftojnë për mbijetesën e tyre, por shumë shqiptarë janë kthyer nga jashtë, me arsim dhe të holla, duke u përpjekur për të realizuar në Shqipëri ëndrrat e tyre.

“Shqipëria nuk është më një vend i varfër në Ballkan, ku njerëzit luftojnë për mbijetesën e tyre. Në të kundërt, shumë shqiptarë janë kthyer nga jashtë, me arsim dhe të holla, duke u përpjekur për të realizuar në Shqipëri ëndrrat e tyre. E kaluara e vështirë dëshmohet vetëm nga bunkerë të shpërndarë nëpër fusha, të ndërtuar në paranojën e Luftës së Ftohtë por, që tashmë, një pjesë e tyre janë kthyer në atraksione turistike, që tërheqin masivisht turistët evropianë.

Në Bllok, zona qëndrore e kryeqytetit, duket mes hekurave shtëpia e vjetër e diktatorit komunist E.Hoxha, i cili gjatë sundimit, që nga viti 1945 e shëndroi Shqipërinë një vend krejtësisht të izoluar nga bota, në një nga vendet më të varfra, në atë periudhë. Duket sikur nuk ka njeri ndër mend që ta prishë këtë shtëpi, duke e lënë aty ashtu siç është, të pa-ndryshuar, thjesht të harruar që ti mbijë bari. Hoxha e la vendin në një recesion të thellë, dhe që filloi ta marrë vehten në mesin e viteve nëntëdhjetë, dhe veçanërisht, në vitet e fundit.

Shqipëria sot është larg nga imazhet stereotipe të një Ballkani të pa-zhvilluar. Fjala shqiptar, edhe pse tek ne, vjen me një tjetër konotacion, në fakt e ka burimin e shpjegimit tek shqiponja, vendi i shqiponjave dhe shqiptarët e quajnë vehten bij të shqiponjës.

Një tjetër çudi e braktisur arkitektonike frymëzuese në mes të Tiranës është pramida e ndërtuar nga familjarët e Hoxhës, pas vdekjes së tij, si muze, por që më vonë u ndryshua destinacioni. Sot, ndërtesa monumentale e mbushur me mbishkrime përdoret nga fëmijët për argëtim. Duke folur për arkitekturën, një ndërtesë moderne është Skytoëer nga ku duket Tirana dhe fshatrat përreth e që i lë vend imagjinatës dhe shijeve të individëve. Ky këtë sfond panoramik një ndërtesë bardhë e blu, duket mjaft tërheqëse e që me siguri ndonjë ditë do të përfundojë në Lonely Planet.

Largohemi nga Tirana, ku është pak e vështirë të ecësh mes turmave, duke u përpjekur të kapësh rritmin e lëvizjes, dhe me trafik të madh, drejt Rivierës Shqiptare, drejt Durrësit, Dhërmiut dhe Himarës, në një autostradë të re, me hapësira të mjaftueshme për të gjitha llojet e lëvizjeve.

Ajo që bie në sy në këtë zonë janë ndërtimet e reja, hotelet fantastike, ndërtimi i të cilave përfundon në një kohë rekord. Përgjatë bregdetit shqiptar vijojnë ndërtimet. Uji i Detin Jon është si kristali.

Ndërkohë, lexojmë një artikull të gazetarit italian dhe shkrimtarit Roberto Saviano, që shkruan në lidhje me mafian italiane dhe shqiptare, bumin ekonomik në shtetin e vogël ballkanik, në modernizimin. Por ne si turistë, nuk kemi ndonjë problem me sigurinë. Njerëzit këtu në Himarë tregojnë se kanë punuar për shumë vite në Greqi dhe tani janë kthyer në vendlindjen e tyre ku merren me bizneset e tyre private, kryesisht hoteleri. Prodhimet vendase janë ato që përdoren kryesisht. Turistët zbresin nga Kroacia drejt bregdetit shqiptar. Na thanë se ka shumë turistë, kryesisht gjermanë dhe çekë. Këtu asgjë nuk mungon nga Kroacia madje çmimet janë më të favorshme. Realisht këtu dallon dashamirësi dhe mikpritje nga ana e njerëzve. Pronari i një prej restoranteve më të mira të fshatit pasi na sjell porosinë na thotë me buzëqeshje “karkalecat dhe rakia janë dhuratë nga lokali”.

Gjuha shqipe është e mrekullueshme. Ajo është gjuhë e vjetër ilire që nuk ngjason me asnjë gjuhë tjetër. Ka disa fjalë që për ne tingëllojnë të njëjta si “plazh” e “autoshkollë”. Fjalët që i dëgjon shpesh janë faleminderit dhe mirupafshim.

Me sa duket pija tradicionale e shqiptarëve është rakia. Gjithashtu shqiptarët pijnë shumë kafe, të zezë, të shkurtër, cilësore, që kushton më pak se 50 cent. Kafenetë i gjen kudo.

Në brendësi të vendit ndodhet një tjetër qytet i veçantë, Gjirokastra, qytet i lashtë me arkitekturë tipike turke, që është në listën e UNESCO-s. Në Gjirokastër kalojmë një pjesë të mirë të ditës, në kështjellë, në rrugët e ngushta prej guri, mes njerëzve të shumtë. Banorët flasin me krenari për qytetin e tyre, traditat, artizanatin e trashëguar brez pas brezi që e ruajnë akoma si burim të ardhurash dhe që e përdorin kryesisht për edukimin e fëmijëve të tyre.

Kafenetë në Tiranë janë mjaft moderne të dekoruara sipas stileve të fundit, plot lule, me muzikë pop, koktejle, të rinj të veshur sipas modës së fundit. Mbrëmjen e fundit takohemi me një mik nga Gjermania i cili na tha se vjen shpesh në Shqipëri pasi ka miq vendas. Së bashku me të dhe gjermanë të tjerë shkojmë të zbulojmë klubet e natës. Ndërkohë që shohim se ka shumë galeri për ekspozita dhe filma. Pra, nga gjithëçka që pamë, për një moment, na u duk vetja si të ishim në Berlin ose në ndonjë tjetër kryeqytet evropian. Edhe pse pimë pije të këndshme dhe birrë Heineken, unë dëshiroja të gjeja diçka Ballkanike, psh. raki që të më rrëzonte përtokë dhe të më bënte që të këndoja me zë të lartë … Por, jo! Ky është një tjetër stereotip që mesa duket unë duhet ta fshi nga koka!

Si, çfarë dhe sa? Deri në Tiranë është më lehtë të fluturosh nga aeroporti i Lubjanës, Bernik, për shkak se një fluturim i mirë merr vetëm një orë dhe bileta kushton nga 98 €. Udhëtimi në Shqipëri me transportin publik mund të jetë pak i vështirë kështu që është më mirë të marrësh një makinë me qera me çmimin nga 20 € në ditë.

Në këtë vend gjen një racion ushqimi me qofte, salcë kosi, simite dhe birrë me çmimin 3 € për person. Ushqim tipik shqiptar janë byreku, qoftet, lloje të ndryshme të mishit, kryesisht qingji dhe viçi. Ndjehet ndikimi nga guzhina greke. Ndër ëmbëlsirat tipike është bakllavaja dhe akullorja shtëpiake. Dhomat dyshe në shtëpitë dhe hotelet kushtojnë rreth 25 € për natë, me mëngjes. Dhomat janë të pastra, organizimi i mirë, njerëzit janë shumë miqësorë dhe ndihmues”.

Rruga e Ballkanit reportazhi per mafian kosovare ne trafikun e emigranteve

 

'Rruga e Ballkanit', reportazhi per mafian kosovare ne trafikun e emigranteve

Me titullin “Rruga e Ballkanit”, mes kotrabandistëve që lëvizin murin e fundit”, e përditshmja italiane “Avvenire”, sell një reportazh i cili denoncon rolin e mafias kosovare në trafikun e emigrantëve klandestinë përmes tokës.

“Nëse një emigrant fsheh në çorape një numër telefoni që nis me 00383, nënkupton vetëm një gjë; Mafia Kosovare është në veprim,” e nis shkrimin gazetari Nello Scavo.

“Askush më mirë se xhelatët e tij i njeh rrugët e malit e “shkurtoret” doganore…asnjë telefonatë vetëm, sms për të komunikuar…”

Gazetari italian ka udhëtuar deri në Prishtinë për t’u njohur personalisht me trafikuesit kosovarë të qenieve humane, emigrantë që përmes Ballkanit udhëtojnë drejt Evropës.

“Të pashqetësuar prej vitesh trafikantët kosovarë tregtojnë drogë, armë, cigare, karburant, bizhuteri të çmuara, mijëra makina e bizhuteri të vjedhura. E kurrë nuk përfundojnë të ulur para një gjykatësi”, vijon gazetari.

Trafikanti që vepron për mafian kosovare e quajnë Ivan, Goran, Anatolij ose mund të ketë shumë emra të tjerë, por mund te jetë dhe rus o çeçen.

“Takimi me njeriun me shumë emra është në Prishtië, nën një diell që të pëllcet kokën, rrëfen gazetari, në mes të bulevardit pretendues “Nënë Tereza”, dedikuar të Lumes Nënë Tereza të Kalkutës e kolonizuar nga resotrantë e botikë të firmave të mëdha. Rruga e këmbësorëve përshkohet nga riprodhimi në bronz i dëshmorëve të UÇK, rënë gjatë Luftës të ish Jugosllavisë e që kujtojnë se “jemi një popull i vogël i një vendi të madh”, një frazë e “Gandit të Ballkanit”, të paharruarit presidentit poet Ibrahim Rrugova.”

“Deri një javë më parë, tregon trafikanti, një udhëtim me makinë nga Presheva në kufirin hungarez kushtonte 300 euro. Sot ky cmim është dyfishuar. Shuma para paguhet e nëse emigranti vdes gjatë rrugës, kasa e kontrabandës nuk “qan”. Kjo rritje çmimesh është shkak se për të evituar policinë e rrjetën metalike të ngritur në Budapest, trafikantët e Kosovës kanë gjetur rrugë të reja kalimi në kufirin hungarez-serb.”

Sipas rrëfimit të kontrabandistit tashmë rruga e Ballkanit për emigrantët që duan të kalojnë përmes tokës drejt Evropës, ndjek dy linja;

Linja e parë jo shumë e përdorur, parashikon kalimi përmes Serbisë, hyrjen në Rumani, më pas në Hungari përmes kufirit lindor. Kjo rrugë është pak e praktikueshme për shkak të terrenit shumë malor.

Linja e dytë shkon drejt Kroacisë, përmes Serbisë, duke hyrë në Hungari e duke vazhduar në drejtimin Austri e Sllovaki. Kjo është mënyra e vetme për të vepruar përreth rrethit 175 km kërkuar nga kryeministri hungarez.

“Lugina e Preshevës, shkruan gazetari është një tokë e humbur ku është më lehtë të gjesh një kontrabandist se sa një hidraulik. Pikërisht këtu dredhojnë shtigjet më të paarritshme.”

Cila është teza për flamurin që është ngritur në Vlorë më 1912 ?

 

Besafuese: Zanafilla e shqiponjes se flamurit kombetar eshte...

“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, lashtësia” është botimi më i ri i shtëpisë botuese “Saras” dhe një kontribut për simbolin kombëtar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Studiuesi Jaho Brahaj, pas një pune më se 10-vjeçare, duke hulumtuar në arkiva, në artefakte arkeologjike e objekte etnografike, sjell një këndvështrim interesant të zanafillës së shqiponjës dykrenare, simbol që e trashëgojmë edhe sot në flamurin kombëtar. Ky ribotim luksoz(vëllimi i parë i takon vitit 2007), redaktuar nga kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, Bajram Peçi, është pasuruar me fakte të reja interesante dhe me ilustrime të disa prej flamujve historikë që trashëgojmë sot e kësaj dite. Brahaj e çon zanafillën e shqiponjës dykrenare në shek e VI. p.e.s, duke hedhur poshtë pretendimet që e lidhnin këtë simbol me prejardhjen bizantine. Jaho Brahaj nuk e quan këtë një vëllim të përfunduar, megjithatë, ky është vëllimi i parë që hulumton në përmasa të tilla origjinën dhe lashtësinë e flamurit kombëtar.

“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, Lashtësia” vjen si një ribotim luksoz nga shtëpia botuese “Saras”. Cila ishte shtysa për të bërë këtë studim mbi flamurin tonë?

Në vitin 1997 unë kam botuar librin e parë që i kushtohej heraldikës së trashëguar, “Emblema shqiptare”. Atëkohë kisha dyshime për ta botuar, por profesor Dhimitër Shuteriqi më këshilloi se ishte momenti i duhur dhe kishte të drejtë. Libri u prit mirë, i vlerësuar edhe me një çmim nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave për librin historiko-shkencor. Pjesë e këtij libri ishte edhe një kapitull i shkurtër mbi historinë e flamurit shqiptar, ndaj edhe më lindi dëshira të gjurmoja në arkiva dhe materiale të ndryshme për të krijuar një studim më të plotë. Kërkimi vazhdoi përgjatë 10 vjetëve, deri më 2007 kur arrita të botoj variantin e parë. Ky ribotim që kemi në dorë, është i plotësuar me fakte të reja. Mjafton të përmend që botohet për herë të farë si fotografi harta “Portollane” e Paolo Rosellit e vitit 1459, ku duken portet e Mesdheut dhe në çdo qytet ka flamuj. Flamurin shqiptar e gjejmë në Krujë, duke na dhënë kështu dëshmi autentike se si ka qenë flamuri i Skënderbeut në kohën kur ishte gjallë, pavarësisht se sot nuk e kemi si objekt fizik.

Në fakt, për të prekur boshtin e librit, cila është sipas jush origjina e flamurit shqiptar?

Të flasësh për shqiponjën tonë dykrenare nuk është shumë e lehtë sepse ka pasur shkrime të ndryshme sidomos nga fillimi i shek. XX, por edhe në vazhdimësi që ia atribuonin shqiponjën dykrenare të flamurit tonë Bizantit. Është e vërtetë që Bizanti në shek. IX të erës sonë e këtej ka shqiponjën bizantine në simbolet heraldike, po ashtu e pati edhe kisha ortodokse. Kur u futa në pasurinë e madhe arkeologjike, kultike, gdhendjet artizanale të së shkuarës, na rezultoi që ne(ilirët) e kemi të paktën të dokumentuar saktësisht shqiponjën dykrenare që në shek VI para erës së re shqiponjën dykrenare. Kjo nuk do të thotë se e kishin vetëm ilirët, sepse e gjejmë edhe te hititët, një  perandori që e kanë pasur shtrirjen e tyre në Turqinë e sotme, e po ashtu e kanë pasur edhe iranianët.

Çfarë i dallonte këto shqiponja?

Ne si popull vazhduam ta ruajmë dhe ta mbajë në ornamente, objekte metalike, arkeologjike, ta kemi si kult. Bizanti e ka marrë si simbol nga ato popullsi mbi të cilat u shtri dhe u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase, e duke qenë se ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenare në shekullin VI, mund të thuhet se Bizanti e mori nga ne. Ajo ka qenë bashkudhëtare gjatë periudhës historike nga shekulli VI p.e.s deri në ditët e sotme, periudhë kjo e dokumentuar, por mund të ketë qenë edhe më parë tek ilirët. Fati e solli që ky objekt i dashur të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, paraardhësve të Gjergj Kastriotit, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë flamuri ishte edhe flamuri i të gjitha forcave administrative ushtarake të arbërve e prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të mbërritur në ditët e sotme.

Ju folët më lart për një ndryshim të formës grafike të shqiponjës ndër vite. Çfarë e ka kushtëzuar këtë gjë?

Rilindjes shqiptare i kanë rënë detyrat nga më të ndryshme kulturore, shtetformuese etj,. Një nga këto probleme ishte edhe forma grafike e shqiponjës së flamurit tonë, e trashëguar nga dera e Kastriotëve. Meqenëse në atë periudhë kur donin të afirmonin shtetit tonë, shqiponjën dykrenare e kishte Perandoria Austro-Hungareze, Rusia, Serbia, Mali i Zi, Kisha Ortodokse dhe e ashtuquajtura Lidhje e Shenjtë Romake, rilindësve u doli detyra ta zgjidhnin këtë çështje, ndaj ata e ndryshuan shqiponjën për ta bërë të dallueshme nga këto shenja të shteteve të tjera që ishin afirmuar zyrtarisht me flamujt e tyre në fundin e shek XIX dhe fillimin e shek. XX. Shqiponja e Faik Konicës arriti që të ngrihet më 28 Nëntor 1912. Faktorët dhe kushtet historike ishin shumë të vështira dhe na sollën vështirësi edhe në këtë drejtim. Fuqitë e Mëdha caktuan që princ në Shqipëri do të ishte Vidi dhe ai me të drejtën konstitucionale që kishte, ndryshoi edhe flamurin. Sapo filloi të afirmohej shqiponja e Princ Vidit plasi Lufta e Parë Botërore, e cila solli një ndryshim edhe më të madh, duke gjetur një balancë mes shqiponjës së vitit 1912 dhe asaj të Princ Vidit. Pati forma nga më të ndryshme të shqiponjave dykrenare, periudhë e cila vazhdoi deri më 1922 kur kemi për herë të parë nga administrata shtetërore e rikrijuar pas Ismail Qemalit që ka akt administrativ për formën grafike të shqiponjës sonë kombëtare.

Sot vazhdon të ketë një diskutim të hapur për flamurin që është ngritur në Vlorë më 1912. Cila është teza jote në këtë pikë?

Se cili është flamuri që u ngrit në aktin e kuvendit të pavarësisë, kjo vazhdon të mbetet një çështje e hapur. Unë kam dokumente që mbështesin njërën tezë, por duket se ky diskutim tashmë është kthyer në problem pasionesh se sa i bazuar në dokumentacion. Për sa i përket formës së shqiponjës dykrenare nuk ka dyshime, pasi kemi dokumentin zyrtar të qeverisë së Vlorës që e ka botuar në gazetën e saj, e ku bëhen edhe shpjegimet përkatëse, duke treguar se fotografia bardhezi paraqiste edhe disa vijëzime të cilat nuk ishin të vërteta në flamur. Ne e dimë saktësisht se cila është forma e flamurit dhe ajo që na intereson në këtë debat forma grafike e shqiponjës, pavarësisht se ende edhe në këtë rast nuk e trashëgojmë këtë flamur.

 



Amerika na ben krenare! Skenderbeu vendoset ne Micigan











Ambasada amerikane ka postuar në Facebook lajmin më të bukur për shqiptarët. Statuja e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut është vendosur në një prej vendeve amerikane ku ka shumë shqiptarë, Miçigani.

“Statuja e parë e Skënderbeut në Shtetet e Bashkuara, në kodrat Rochester në Miçigan.

Statuja qëndron pranë kishës katolike shqiptare të Shën Palit, e cila u themelua në 1981 nga emigrantë shqiptarë, shumë prej të cilëve ishin vendosur në kontenë Okland gjatë viteve ’70.”, shkruhet ne faqen zyrtare te ambasades amerikane.


Alfred Peza rikthehem ne media... por tashme si botues

 

Alfred Peza: Rikthehem ne media... por tashme si botues

I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Alfred Peza ka folur për romanin e tij të ri “Sarah”, por edhe për rikthimin në media. Lidhur me romanin, Peza ka thënë se ka qenë shumë impenjativ pasi periudha për të cilën flet është ndër më pak të ndriçuarat.

“Një ndër periudhat më të shtrembëruara, është pikërisht periudha e mbretërimit, pra periudha mes dy luftërave botërore. Bëhen të paktën dy-tre gabime në qasje, ku romanin tentojnë ta analizojnë si histori dhe kërkojnë të gjykojnë atë periudhë me informacionet dhe mentalitetin e kësaj kohe. Duhet të futesh në lëkurën e personazheve për ta kuptuar atë periudhë me dinamikën e asaj periudhe. Nuk është vetëm një histori dashurie, është një roman politik, një roman për emancipimin, për gratë e lira dhe burrat e vërtetë”, tha Alfred Peza.

Ai gjithashtu u shpreh se ky roman është një tentativë për të ç’mitizuar periudhën e mbretërisë dhe për të sjellë aspektet njerëzore të personave më me influencë të kohës.

“Jam përpjekur ta ç’mitizoj këtë pjesën mbretërore dhe hyjnore dhe ta shoh në përmasat njerëzore.”

Pyetjes së Enkel Demit lidhur me rikthimin në gazetari, Peza iu përgjigj se e ka tashmë një projekt, por jo më si gazetar por si botues.

“Kam një projekt, do të rikthehem në media jo si gazetar, por si botues. Kam një projekt të mediave elektronike, një ka filluar tashmë që është alpenews.al, kam një grup shumë të talentuar vajzash e djemsh. Në ndryshim nga ne që kishim vetëm pasionin e leximit, janë shumë të dhënë edhe pas botës dixhitale. Ky projekt ka tre elementë, ka word-press që e ka çdo media tjetër, ndërsa dy dimensionet e tjera janë që ka blogun e vet, ku janë të ftuar të japin opinionet e tyre të gjithë dhe dimensioni i tretë do të jetë televizioni në web”, u shpreh Peza.

“Ujku” shqiptar ,Vasil Koçi ( Lupu) shqiptari që sundoi Moldavinë

 

Lupu, 'ujku' shqiptar qe sundoi per 19 vjet Moldavine

Gazetari Marin Mema, ka publikuar një shkrim që ka të bëjë me “një nga figurat më pak të trajtuara nga historiografia shqiptare”, ajo e Vasil Koçit ose Vasil Lupu, siç njihet më gjerë, njeriu që për më se 19 vjet qëndroi mbi fron si princ i Moldavisë.

Por kush ishte Vasil shqiptari, siç i pëlqente shpesh të identifikohej apo “ujku”

“Ujku” shqiptar që sundoi Moldavinë

Për prejardhjen e familjes Koçi ka disa teza. Njëra prej tyre i identifikon paraardhësit me rrënjë nga Shqipëria Jugore, të emigruar në fshatin Arbanas në Bullgari, ku ende jeton një komunitet shqiptar.

Një tjetër i vendos, pas mbërritjes në Bullgari, në një zonë pranë qytetit Razgrad.

Duke qenë se studimet e mirëfillta për këtë figurë mungojnë, edhe vendi i origjinës së saktë të familjes është i vështirë të thuhet.

Elementi që bashkon të gjithë studiuesit dhe historianët është fakti se rrënjët e tij ishin qartësisht shqiptare, kjo edhe sepse ai identifikohej me origjinën e tij.

Vasili lindi në vitin 1595, duke qenë një nga 8 fëmijët e Nikollë Koçit. Ky i fundit u vendos në territoret rumune pas një kryengritjeje të dështuar, me ndihmën e një prej princërve të kohës, Radu Mihneas.

Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Moldavi, ku nisi rrugëtimin ”ujku” shqiptar.

Vasili pati pozicione të larta gjatë viteve 1626 – 1629 dhe 1633, kur në sundim të Moldavisë ishte Miron Barnovchi.

Në 1634-n, si kundërpërgjigje e fisnikëve vendas ndaj forcimit të konkurrentëve grekë dhe levantinë, ai u zgjodh princ i Moldavisë.

Ky vendim ishte rezultat i vendosmërisë dhe forcës që ai tregoi në revoltën ndaj princit Alexandru Ilias dhe njerëzve të tij.

Vasil Koçi u mbështet mjaft edhe nga një sundimtar tjetër, Matei Basarab, princ i Vllahisë, si dhe pashai turk i Silistrës, Mehmet Abza.

Hipja në fron e sundimtarit shqiptar konsiderohej si një sukses jo thjesht ushtarak, por edhe për vetë reformat modernizuese që ai ndërmori, ashtu si edhe investimet që ruhen ende sot.

Vasil Lupu njihet si sundimtari i parë që kodifikoi ligjet në Moldavi.

Ky dokument i veçantë u quajt Romanesca de Invitatura ose kodi i Vasil Luput dhe i dha prioritet jo thjesht anës juridike, por edhe elementeve të tjera, siç ishte gjuha rumune.

Kjo reformë shënoi kalimin nga ligjet e pashkruara e të bazuara më së shumti në zakonet e kohës tek ato zyrtare, të hartuara dhe publikuara sipas një stili romano – bizantin.

Jo më kot filozofi dhe historiani Dimitrie Cantemir, që jetoi gjatë viteve 1673 – 1723, e konsideronte periudhën e sundimit të Vasil Koçit si atë të rizgjimit dhe rikthimit në dritë nga errësira e barbarive që shtriheshin në vend.

Vasili ishte një drejtues i aftë jo thjesht në politikën e brendshme, por edhe në rrafshin diplomatik.

Ai mbajti marrëdhënie me të gjitha superfuqitë përreth, duke forcuar lidhjet me Vjenën, Varshavën, Moskën etj.

Pozita e tij u bë kaq e rëndësishme sa shpesh ai ndërhyri për të forcuar rolin dhe pushtetin e tij edhe në konflikte, siç është ai në Krime, në vitet 1635 – 1637 apo në krizën turko – ruse për qytetin e Azovit, në vitet 1637 – 1642.

Princi themeloi, në vitin 1640, shkollën e parë, që njihet si Akademia Vasiliane, duke u dhënë mundësi në këtë mënyrë të rinjve vendas të mësonin aty pa u dashur të largoheshin drejt Polonisë, siç kishte ndodhur deri në atë kohë për pinjollët e familjeve të mëdha.

Biblioteka e Universitetit të Lashit ishte gjithashtu vepër e tij, ndërsa shtypshkronja e parë ishte një tjetër investim që u ngrit me mbështetjen e fortë të sundimtarit dhe që shënoi nisjen e një tjetër epoke për publicistikën vendase.

Ai ndërtoi mjaft objekte kulti, ndër të cilat edhe kishën e “Tre Hierarkëve”, një monument i mbrojtur nga UNESCO.

Në fakt, princi Vasil u shndërrua në një mbrojtës të ortodoksisë jo vetëm në territoret e tij, por edhe shumë më gjerë.

Shuma të mëdha parash iu dhanë, me urdhrin e tij, Patriarkanës së Kostandinopojës dhe Jerusalemit, ashtu si manastirit të malit Athos në Greqi.

Më se 30 kisha dhe manastire në Moldavi u ngritën prej tij, ndërkohë që bamirësi të tjera bëri edhe në Poloni, Bullgari etj.

Paralelisht me investimet, Vasil Koçi kërkoi të forconte pushtetin duke u përpjekur të përfshinte nën sundim zotërime të reja.

Nëse me princin e Transilvanisë, Gheorghe Rakoczi I, mbajti marrëdhënie mjaft të mira të bazuara mbi dy traktate të nënshkruara në vitet 1638 dhe 1646, me një ish-aleatin e dikurshëm, princin e Vllahisë, Matei Basarab, që e mbështeti për të hipur në fron, gjërat shkuan ndryshe.

Etja për territore bëri që Vasil Koçi t’i shpallte luftë rivalit të tij. Për këtë qëllim, ai lidhi edhe krushqi me ushtarakun e lartë të kozakëve, Bohdan Chmelnyckij, i njohur ndryshe si Bogdani i Zi.

Princi shqiptar i dha vajzën e tij, Ruksandrën, djalit të Bohdanit.

Pozicionet kyçe nën sundimin e tij i mbanin jo thjesht njerëzit më besnikë, por mbi të gjitha të afërmit.

Mjafton të përmendet fakti se 10 nga 17 guvernatorë ishin familjarë të sundimtarit tregues i kujdesit që Vasil Koçi tregonte për të mos forcuar njerëz të jashtëm që mund t’i cenonin pushtetin, por ishte pikërisht kjo etje për rritje të pushtetit që e rrëzoi.

I forcuar edhe me koalicionin e ri pas martesës së të bijës, Vasili mendoi se do ta kishte më të lehtë të shkatërronte princin e Vllahisë.

Plot tri herë ushtritë u përplasën në 1639-n, në Ojogeni e më pas në Nenisori, e në fund në 1653-shin në Finta. Në të tria rastet, ushtritë e sundimtarit shqiptar u mposhtën. Beteja e fundit rezultoi më fatalja.

Pas kësaj beteje nisi një rebelim i menjëhershëm i fisnikëve moldavë, të cilët 19 vjet më parë e kishin mbështetur.

“Ujku” nuk mundi këtë herë të qetësonte gjërat me dredhitë e tij dhe përfundoi i zëvendësuar në fron nga princi Gheorge Stefan.
Vasili u largua drejt Stambollit, ku jetoi në ekzil për vite të tëra. Ka të dhëna se 5 vite ai i kaloi në një nga burgjet e perandorisë, i arrestuar nga autoritetet osmane.

Ndonëse nuk rreshti për asnjë moment në përpjekjet e tij për rikthimin në pushtet, kjo nuk ndodhi më kurrë.

E megjithatë, Vasili arriti të shihte nga larg, në vitin 1559, hipjen në fron të djalit të tij, Stefan Lupu.

Në vitin 1661, sundimtari i dikurshëm, që kaq shumë ndihmoi në zhvillimin e principatës së drejtuar prej tij, vdiq në ekzil në Stamboll, ndërsa vetëm pak kohë më pas djali i tij ra nga froni.

Stefani, mesa duket, nuk kishte trashëguar aftësitë e të atit për të qëndruar gjatë në pushtet përmes aleancave të ndryshme, duke e mbajtur atë vetëm dy vjet.

Trupi i sundimtarit shqiptar që udhëhoqi Moldavinë për 19 vite sot prehet në katedralen e “Tre Hierarkëve” në Lashi.

Vasil Lupu ishte i pari i një pushteti shqiptar, që më pas vijoi edhe me dinastinë e famshme të familjes Gjika, që drejtuan për breza Vllahinë e Moldavinë apo edhe familjet Duka, Shucu, Balsha etj.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...