Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/05/21

FISI GASHI

 FISI GASHI

Gashi është një ndër fiset shqiptare më të përhapura në Shqipërinë veriore, Kosovë dhe në Maqedoni. Gashi është edhe ndër fiset që përmenden më së shpeshti në dokumenta duke nisur nga shekulli i 17. Territori i sotëm i Gashit shtrihet në pjesën veriore të Malësisë së Gjakovës, mbi lumin e Valbonës, kurse degë të ndryshme të fisit gjenden në të gjithë territorin e Kosovës, në Luginë të Preshevës e më gjerë. Më poshtë do të shqyrtohet zanafilla dhe përhapja e Gashit, së pari sipas dokumentacionit historik dhe gojëdhënave të trashëguara ndër breza, dhe së dyti duke krahasuar këto me rezultatet e Gashit në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” (https://www.facebook.com/Projekti-Rrenjet-101700961530810/ ).

Përmbajtja

1 Gashi dhe zanafilla historike e tij

1.1 Vëllazëritë e Gashit në Malësinë e Gjakovës

1.2 Gashi në treva të tjera shqiptare

2 Rezultatet gjenetike

3 Përfundime

3.1 Formimi dhe zhvillimi i Gashit në Malësi të Gjakovës

3.2 Gashi në Kosovë e në treva të tjera

Gashi dhe zanafilla historike e tij

Zanafilla e fisit të Gashit është e dokumentuar qartësisht nga një vizitë që Frang Bardhi i bëri fshatrave të Pultit në 1638. “Ky emën i Gashit, me të cilën fjalë quhen të gjitha ato shtëpi të sipër shënueme, asht edhe mbiemeni i një konaku 95 frymësh, të gjithë prej 3 vellaznive që ishin të tre gjallë dhe njihnin pasardhesit e vet deri në breznin e katërt.”[1] Pra në 1638, Gashi ishte tashmë në brezin e pestë duke nisur nga i ati i vëllezërve që përmend Bardhi, që do të thotë se ky i parë i fisit duhet të ketë lindur rreth viteve 1500-1550. Nga i njëjti relacion mbetet e hapur mundësia që fshati Gash të ketë qenë i populluar nga disa fise të ndryshme, me qenë se vetëm një pjesë kishin mbiemrin Gashi. Ky fshat ndodhej mes Drinit e Valbonës, në zonën ku sot është fshati Geghysen i Krasniqes.

Dokumentacioni mbi fisin e Gashit vijon të jetë i bollshëm përgjatë gjithë shekullit të 17, kur Gashi ishte qendër e Dioqezës së Pultit. Gashi e Krasniqja ishin në hasmëri të shpeshta mes tyre, siç tregojnë relacione deri në vitin 1680, kur Pjetër Bogdani arriti të pajtojë 24 gjaqe mes dy fiseve[2]. Në vitin 1689, krerët e Gashit iu drejtuan me një letër Vatikanit, duke kërkuar mbështetje më të madhe me klerikë e materiale [3]. Kjo letër është një ndër dokumentet më të vjetra në gjuhën shqipe. Gjatë luftës Austro-Turke 1683-1699, Gashi dhe fiset e tjera katolike të zonës mbështetën austriakët, dhe për këtë arsye u ndëshkuan nga pushtetarët osmanë pas humbjes së Austrisë[4]. Në vitet 1690-1693, fshati Gash u dogj nga Pashai i Pejës dhe popullsia e tij u dëbua drejt Llapit në Kosovë[5], por disa familje ose u kthyen në trevat e para ose i shpëtuan përndjekjes, pasi në 1693-1697 dalin në dokumenta fshatrat gashjanë Luzhë e Botushë[5][6]. Sidoqoftë gjatë kësaj periudhe trazirash e përndjekesh, fisi i Gashit u kthye nga një fis i përqendruar në një fshat në një grup vëllazërish të shpërndara në fshatra të ndryshme në Malësi të Gjakovës, Fushë-Kosovë, Llapt, etj.

Vëllazëritë e Gashit në Malësinë e Gjakovës

Në Malësi të Gjakovës, territori i Gashit përfshin gjithë fshatrat nga Lumi i Gashit deri në Qafë të Morinës, si dhe Luzhën e Botushën. Edhe pse gjithë këto fshatra (me përjashtim të Astës, Kojelit, Vuçidolit dhe pjesërisht Tropojës që banoheshin nga familje Berishë) quhen Gash, dokumentet dhe gojëdhënat përputhen në faktin se ato banohen nga tri fise me prejardhje të ndryshme: Bardhajt, Shipshani dhe Botusha me Luzhën. Secili prej këtyre tri fiseve, sipas gojëdhënave përkatëse, u formua nga rritja e një bërthame familjare pa lidhje me dy të tjerat.

– Bardhajt, që populluan pjesën mes lumit të Gashit dhe lumit të Tropojës mbahen si pasardhës të Brahim, Ali dhe Memi Bardhit. Siç mund të dallohet nga emrat, tre vëllezërit, që sipas llogaritjes së brezave mund të kenë jetuar rreth 400 vjet më parë, ishin myslimanë. Në një relacion të vitit 1698, Bardhajt përmenden si fis tashmë i formuar e i përhapur në disa vendbanime mbi lumin e Valbonës: “Fshati Bardhi me 68 shtëpi në katër katunde, ka shumë gra të krishtera; burra asnjë, por të gjithë turq e renegatë“[7]. Që këta ishin fis i ndryshëm nga fisi i atëhershëm i Gashit është e qartë si nga fakti që Bardhajt tashmë kishin 4 katunde për të cilat nuk përmendet lidhje me Gashin, edhe nga besimi i ndryshëm, pasi gashjanët ishin ende kryesisht katolikë. Për prejardhjen e të parit të Bardhajve, ka disa gojëdhëna të ndryshme, por ndër kryesoret janë ajo e mbledhur nga Rrok Zojzi, që thotë se Bardhët erdhën nga Kuçi i Malit të Zi, dhe një tjetër që thotë se Bardhi ishte nga Kosova. Kurse për vendin ku u vendos Bardhi me të bijtë, gojëdhëna përmend qartësisht zonën e Gosturanit, pra në zonën ku Bardhajt patën bajrakun e tyre dhe ku banojnë edhe sot[8].

– Shipshani është fisi që banon në zonën mes lumit të Tropojës dhe Qafës së Morinës. Sipas gojëdhënës, shipshjanët janë pasardhës të vëllezërve Gegë, Buçë dhe Papë Kalla, rreth 14-15 breza më parë[8]. Fillimisht Shipshani ishte pjesë e bajrakut të Bardhajve, po me rritjen e popullsisë Shipshani u bë bajrak i veçantë me qendër në Kasaj. Prejardhja e tre vëllezërve nuk është plotësisht e sigurtë as nga gojëdhënat as nga dokumentet, por dihet që Gegaj, Buçaj dhe Papaj janë vendbanime të Shipshanit me disa fshatra secili, pra duket se ndryshe na Bardhajt, dy brezat e parë të fisit ishin të besimit katolik. Nisur nga llogaria e brezave, mund të hamendësohet se edhe përhapja e Shipshanit në territorin e sotëm nisi rreth 400 vjet më parë.

– Luzha dhe Botusha, sipas gojëdhënës, janë dy fshatrat e Malësisë së Gjakovës ku banon popullsi vazhduese e fisit të Gashit të shek. 17. Siç thamë më lart, në atë periudhë Gashi gjendej në Geghysenin e sotëm. Si pasojë e kundërshtimit të vazhdueshëm ndaj sundimit osman, Gashi u ndëshkua disa herë përmes ekspeditave ushtarake, gjë që në vitet 1690-1743 solli largimin e popullsisë nga vendbanimi i parë dhe konvertimin gradual në Islam. Banorët e sotëm të Luzhës mbajnë mend paraardhësit e tyre deri në 15 breza, prej të cilëve 3-4 të parët kanë emra katolikë, kurse pjesa tjetër myslimanë[8]. Edhe në Botushë e në Deçan, mbahen mend rreth 10-11 breza me emra myslimanë, kurse brezat përpara me emra katolikë[9]. Këto llogari për kohën e konvertimit gjejnë edhe mbështetje historike pasi në 1693-1694 del se priftërinjtë katolikë vizitonin edhe disa fshatra përtej kufirit të Dioqezës së Pultit, ndër të cilët përmenden Luzha dhe Batusha[5][6]. Lidhja e Luzhës me Gashin del e qartë në relacionin e vitit 1697 ku thuhet: “Po ashtu Luzha, fshat me 12 shtëpi katolike, është farë e fis me Gashin, edhe pse është rreth 4 milje drejt maleve të Bytyçit“[5]. Edhe sipas etnografit Rrok Zojzi “fiset malësore Gash dhe Bytyç kapërcyen lumin e Tropojës, që formon kufinin e Alpeve të Veriut nga jugëlindja dhe zbritën deri në lumin e Skaticës dhe u vendosen me banim të përhershëm në këtë vend që i takonte Dukagjinit, tue e shtri kufinin e e Malësisë mbi këtë zone“[10]. Pra, me braktisjen graduale të fshatit Gash, një pjesë e madhe e banorëve u shpërngul drejt pjesëve të ndryshme të Kosovës, kurse një pjesë mundi të qëndrojë në Malësi të Gjakovës, në fshatrat Luzhë dhe Botushë. Sa i takon prejardhjes edhe më të hershme të fisit të Gashit, shumë gojëdhëna e lidhin me Toplanën e Shllakun[11][12], gjë që mbetet për t’u verifikuar.

Nga analiza e dokumenteve dhe gojëdhënave, del se vëllazëritë e sotme të Gashit janë banorë të hershëm të Malësisë së Gjakovës: Botusha e Luzha janë pasardhës të Gashit të Pultit me fillesë që në shek 16; Bardhajt ishin vendosur në territorin e sotëm të paktën nga fillimi i shek. 17; Shipshani sipas llogarive të brezave po ashtu banonte në zonën e sotshme nga fillimi i shek. 17. Sipas gojëdhënave të zonës, Gashi mori formën që njohim sot kur Aga i Gashit në Botushë, duke mos patur mundësi të mbrojë banorët e fisit të tij në Luzhë nga fise më të fuqishme përreth, e bashkoi këtë fshat me bajrakun e Bardhajve dhe me Shipshanin[8].

Gashi në treva të tjera shqiptare

Përveç Malësisë së Gjakovës, ku përmendet më së hershmi, vëllazëri e familje të fisit të Gashit gjenden anë e mbanë trevave shqiptare në Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe në Shqipërinë veriore. Në Kosovë fisi i Gashit është i pranishëm në çdo krahinë. Disa familje e quajnë veten Gash i Gurit, kurse disa vetëm Gash.

Shumë nga familjet e Gashit në Kosovë ruajnë kujtimin e prejardhjes nga Malësia e Gjakovës, si psh në fshatrat Carrabreg, Kryshec, Radishevë, Llaushë, Lubovec, etj. Në fakt, ndër të dhënat më të vjetra për praninë e Gashit në Kosovë është relacioni i lartpërmendur nga viti 1697, ku thuhet: “Fshati Gashi me 120 shtëpi, të cilat u dëbuan nga Pashai i Pejës, tani janë vendosur në fushën e Kosovës, në një vend të quajtur Llap, dhe kjo tash 8 vjet, të cilat janë pa priftërinj dhe kanë filluar të bëhen turq dhe skizmatikë nga mungesa e priftërinjve katolikë“[7]. Po kështu, etnografët serbë të shek. 20 që kanë shënuar përkatësinë fisnore të banorëve të fshatrave të Kosovës, kanë gjetur shpesh familje të hershme të Gashit në Kosovë, siç është rasti i vëllazërisë Geci në Llaushë, që autori serb Vukanoviç thotë se kanë ardhur aty nga Malësia prej fundit të shekullit të 16[13].

Por shumë familje të tjera gashjane në Kosovë nuk e kanë një traditë të prejardhjes nga Malësia e Gjakovës. Ka mundësi që një pjesë e vogël t’a ketë harruar prejardhjen me kalimin e shekujve, mirëpo në shumë raste mund të bëhet fjalë për banorë të vjetër të Kosovës që i janë bashkuar fisit Gash pas mbërritjes së vëllazërive të Gashit nga Malësia. Pra përkatësia fisnore Gash e familjeve shqiptare në Kosovë nuk lidhet detyrimisht me prejardhje nga Shqipëria e veriut. Etnografët serbë kanë spekuluar shpesh me raste të tilla, duke i cilësuar familjet e vjetra të Kosovës si serbë të shqiptarizuar. Këto teza gjejnë përgjigjet më bindëse në rezultatet e analizave gjenetike, që deri tani kundërshtojnë këto spekulime (lexo më poshtë). Mirëpo numri i të familjeve të testuara në Kosovë mbetet më i ulët se në trevat e tjera, prandaj u bëjmë shqiptarëve nga çdo trevë, por sidomos nga Kosova, të kryejnë nga një test gjenetik për zbulimin e prejardhjes së tyre familjare dhe përmirësimin e kampionit të përgjithshëm për shqiptarët e Kosovës.

Rezultatet gjenetike

Tabela e mëposhtme paraqet rezultatet e 31 anëtarëve të projektit Rrënjët nga fisi i Gashit (dhe një nga Gashajt e Trieshit). Me qenë se një pjesë e madhe e këtyre familjeve identifikohen vetëm si Gash, kurse disa edhe me një vëllazëri të veçantë, si psh Gashi i Gurit, Shipshani apo Bardhajt, prandaj janë shënuar sipas traditës përkatëse.

Fshati/Qyteti   Fisi/Vëllazëria  Rezultati

Vanofc, Podujevë  Gash i Gurit     E-V13>CTS9320>Y20805

Podujevë   Gash    E-V13>CTS9320>Y20805

Stubëll e Epërme, Gjilan   Gash    E-V13>CTS9320>Z17107

Budakovë, Suharekë   Gash    E-V13>FGC33625>Y93102

Skivjan, Gjakovë    Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Gegaj, Tropojë Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Kasaj, Tropojë Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Kamenicë, Tropojë      Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Tropojë      Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Kuçanë, Tropojë    Gash-Shipshan      E-V13>L241>PH2180

Babinë, Tropojë    Gash-Bardhaj  E-V13>L241>PH2180

Babinë, Tropojë    Gash-Bardhaj  E-V13>L241>PH2180

Myhejan, Tropojë Gash-Bardhaj  E-V13>L241>PH2180

Llokoshiq, Obiliq   Gash    E-V13>L241>PH2180

Rrezallë, Skënderaj     Gash    E-V13>L241>PH2180

Ceravik, Klinë  Gash    R1b-M269>PF7563>FGC40202

Zhur, Prizren    Gash    R1b-M269>BY611>Z2705

Bekaj, Tuz  Triesh-Gashaj  R1b-M269>BY611>Z2705>FT49932

Brezne, Dragash    Gash    J2b-L283>Z638>Y21045

Luzhë, Tropojë      Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Luzhë, Tropojë      Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Mitrovicë   Gash i Gurit     J2b-L283>Y21045>PH1751

Lismir, Fushë-Kosovë  Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Mramorë, Prishtinë    Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Llaushë, Skënderaj      Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Carrabreg i Poshtëm, Deçan   Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Lubovec, Skënderaj    Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Gjakovë      Gash    J2b-L283>Y21045>PH1751

Aqarevë, Mitrovicë     Gash    I2a-L460>P37>Y3120

Drenas Gash    I1-M253>Z63>Y60985

Suharekë   Gash    J1-M267>Y19093

Majac, Prishtinë    Gash    J2a-M410>Z6046>Y26651

Zhabar, Mitrovicë Gash    G2-P15>L1259>PF3147

Përfundime

Siç dallohet nga tabela, gashjanët u takojnë një numri të madh linjave atërore, por disa linja kryesore përmbledhin shumicën e familjeve. Rezultatet sqarojnë përfundimisht disa të vërteta rreth prejardhjes së Gashit në Shqipërinë veriore dhe në Kosovë, edhe pse nevojiten më shumë teste, sidomos në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni, për përfundime më gjithpërfshirëse.

Formimi dhe zhvillimi i Gashit në Malësi të Gjakovës

Siç theksuam më lart, Gashi ka rrënjë të paktën nga shek 16 në zonën ku sot ndodhet Gegëhyseni, por pas zhvendosjeve të fund-shekullit të 17, shumë familje nga fshati Gash u larguan për në Llap e Fushë-Kosovë.

Gashi, Nikaj dhe Krasniqja

J-Y126399: Gashi, Nikajt dhe Krasniqja në Malësi të Gjakovës

Nga fshati Luzhë, që përmendet si i fisit të Gashit që në shek 17, kemi dy rezultate që i takojnë të njëjtës linjë atërore: J2b-L283>PH1751>Y126399. Pra fshati i hershëm i Gashit duhet të ketë patur popullsi të kësaj linje. Prejardhja e tyre e largët lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, me prani prej të paktën 3500 vitesh në rajonin ku ndodhet edhe sot. Lidhja e supozuar me Toplanën dhe Shllakun, deri tani nuk gjen mbështetje në rezultatet gjenetike, pasi anëtarët e testuar të këtyre dy fiseve kanë lidhje gjaku mes tyre, por jo me Gashin. Në fakt, lidhjet më të afërta janë me fisin e Krasniqes dhe Nikajve, rreth 750-850 vjet largësi (~25-30 breza), prandaj me shumë gjasë të parët e këtyre fiseve kanë qenë banorë të zonës së Pultit që në Mesjetë, të paktën nga shekujt 13-14 (lidhja mes Gashit, Krasniqes dhe Nikajt:  

https://www.facebook.com/101700961530810/posts/301135728253998

Nga përkimet në shënuesit gjenetikë STR, në dy raste të verifikuara edhe me SNP, mund të thuhet se nga ky trung kanë prejardhje edhe shumë familje të Gashit nga Kosova dhe Sanxhaku i Nishit. Mund të dalim në përfundimin se dëbimi i gashjanëve nga fshati i tyre gjatë Luftës Austro-Turke 1683-1699 vërtetohet edhe gjenetikisht, por një pjesë e familjeve mundën të vendosen përsëri në Malësi të Gjakovës dhe përreth, si në fshatin Luzhë, në Botushë, Carrabreg, etj.

Pjesa tjetër e vëllazërive të Gashit në Malësi të Gjakovës, pra Bardhajt dhe Shipshani, janë banorë të vjetër të zonës së Alpeve Shqiptare por nuk kanë lidhje gjaku në vijë atërore Luzhën e Botushën. Të gjitha vëllazëritë e testuara të Bardhajve dhe Shipshanit i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180 e cila gjithashtu lidhet me popujt e lashtë të Ballkanit, me gjasë nga Epoka e Hekurit. Në trojet shqiptare, kjo vijë atërore gjendet në përqendrim shumë të lartë në Malësi dhe në Drenicë, kurse në jug të Pukës pothuajse mungon plotësisht, pra paraardhësit mesjetarë të Bardhajve dhe Shipshanit duhet të kenë qenë gjithashtu përreth zonës së Malësisë. Lidhur me gojëdhënën e prejardhjes nga Kuçi, edhe pse vetë fisi Kuç ka prejardhje tjetër, ka fise të tjera si Kiri, Berisha e Kuqe, etj, që gjithashtu ruajnë gojëdhëna për prejardhje nga pjesa juglindore e Malit të Zi dhe kanë lidhje me Bardhajt dhe Shipshanin. Lidhja mes Bardhajve, Shipshanit dhe këtyre fiseve e vëllazërive të tjera shqiptare nën E-V13>L241>PH2180 mbetet të përcaktohet më me saktësi pasi të përfundojë një test me rezolucion të lartë nga Bardhajt. Edhe nga Bardhajt e Shipshani ka familje të vendosura në Kosovë, por në numër më të vogël se nga trungu i vjetër i Gashit.

Nga çfarë thamë më sipër del se Gashi në Malësi të Gjakovës përbëhet nga tri fise kryesore: Gashi i vjetër me pasardhës në Luzhë e Botushë, Bardhajt, dhe Shipshani. Luzha dhe Botusha kanë të njëjtën prejardhje, por nuk lidhen me Bardhajt dhe Shipshanin. Pra, rezultatet gjenetike janë në përputhje me të dhënat historike dhe gojëdhënat e trashëguara në breza.

Gashi në Kosovë e në treva të tjera

Nga rezultatet e deritanishme, del qartë se fisi i Gashit në Kosovë ka disa burime kryesore:

– Familjet e ardhura nga Malësia e Gjakovës. Siç thamë më lart, ka pasur lëvizje të vazhdueshme nga Malësia drejt Llapit, Fushë-Kosovës, Drenicës, etj. Ndër familjet gashjanë të Kosovës që kanë prejardhje nga Malësia, shumica lidhen me Gashin e vjetër (linja J2b-Y126399), lidhje tashmë e verifikuar gjenetikisht për familje në Carrabregu të Poshtëm, Luboveci, Llausha, Mramora në Kosovë, dhe disa familje me prejardhje nga Sanxhaku i Nishit. Zhvendosja kryesore mund të lidhet me luftën Austro-Turke, mirëpo duhet të theksohet se familjet e këtij trungu në Kosovë nuk u zhvendosën të gjitha në të njëjtën kohë, pasi ka pasur lëvizje të vazhdueshme, sidomos nga zona e Junikut. Gashi në Lubovec të Drenicës, për shembull, sipas një gojëdhëne vjen nga Carrabregu[14], kurse Vukanoviç[13] thotë se kanë prejardhje serbe. Rezultati gjenetik mohon kategorikisht tezen e Vukanovicit por edhe na paraqet një rast të lëvizjeve që nuk lidhen me luftën Austro-Turke. Edhe pse më rrallë, në Kosovë ka edhe familje gashjane nga Shipshani dhe Bardhajt. Nga Shipshani kemi anëtarë në fshatin Skivjan të Gjakovës, kurse disa familje gashjane nga Rrezalla dhe Llokoshiqi që për shkak se i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180 mund të kenë prejardhje nga Bardhajt ose Shipshani, por kjo mbetet për t’u verifikuar me teste më të thella.

– Familjet e ardhura nga Buzhala dhe Komani. Një lëvizje tjetër ka ndodhur nga zona e Komanit në drejtim sidomos të Anadrinit deri në Klinë, por edhe në krahina të tjera të Kosovës. Familje gashjane nga këto treva përputhen në linjat atërore R1b-M269>PF7563>FGC40202 dhe I1-M253>Y60985 me familje nga Komani e Qerreti në Pukë. Përderisa nuk ka lidhje me vëllazëritë e lartpërmendura të Gashit të Malësisë, nuk është e qartë nëse këto familje ishin u bashkuan me Gashin pas vendosjes në Kosovë apo ishin Gash edhe më herët, në Koman.

– Familjet vendase (ose për të cilat nuk ka të dhëna për mbërritjen në Kosovë). Një pjesë e mirë familjeve të Gashit në Kosovë nuk kanë përputhje gjenetike as me fiset e Malësisë së Gjakovës, as me ato të Komanit. Deri tani, këto u takojnë linjave atërore E-V13>Y20805, E-V13>Z17107, E-V13>Y93102, R1b-Z2705, I2a-Y3120, J1-Y19093, J2a-Y19093, G2-PF3147. Për disa prej këtyre mund të bëhet fjalë gjithsesi për prejardhje nga treva të tjera dhe bashkim me fisin e Gashit në Kosovë. Për shembull, një familje gashjane nga Budakova që lidhet me Berishën dhe Sopin nën E-V13>Y93102 me siguri duhet të jetë bashkuar me fisin e Gashit të disa familjeve të tjera që jetonin në fshat. Po ashtu një familje I2a-Y3120 nga Aqareva thuhet se ka ardhur nga Mali i Zi. Por pjesa dërrmuese e këtij grupi nuk ka lidhje të ngushtë me ndonjë fis në Shqipërinë e veriut, prandaj shumica mund të jenë banorë më të vjetër të Kosovës që përkatësinë fisnore e kanë marrë nga banorë të ardhur më vonë.

Thamë më lart se autorët serbë kanë spekuluar shpesh rreth prejardhjes së këtyre familjeve, duke i quajtur serbë të shqiptarizuar ato familje që nuk i lidhnin dot me fiset në Malësi. Mund të përmendim këtu disa raste që lidhen me Gashin. Për gashjanët e Lubovecit, Vukanoviç thotë se ishin banorë të vjetër serbë ortodoksë të Istogut, që u vendosën në Lubovec në 1685 dhe u konvertuan në 1745, duke u shqiptarizuar gradualisht. Rezultati gjenetik J2b-Y126399 hedh poshtë këto pretendime, pasi vërteton jo vetëm që kjo vëllazëri i takon një linje atërore tipike shqiptare, por edhe vërteton gojëdhënën e ruajtur në Carrabreg për lidhjen e tyre me Gashin në Carrabreg, Botushë, Luzhë, etj. Po ashtu, për Gashin në Rezallë, Vukanoviç thotë se ishin banorë të vjetër serbë në Drenicë që u myslimanizuan rreth fillimit të shek. 17. Testi gjenetik i një prej familjeve gashjane në Rezallë vërtetoi se i takojnë vijës atërore E-V13>L241>PH2180, përsëri një linjë e shpeshtë ndër shqiptarë, sidomos në Malësi e Drenicë, me gjasë në Ballkan që në Epokën e Hekurit. Për Gashin në Zhur të Lumës në Prizren, autori Filipoviç thotë se janë banorët më të vjetër të fshatit, sipas tij edhe këta me prejardhje serbe[15]. Mirëpo linja atërore gjenetike e një prej familjeve të Gashit në Zhur është R1b-Z2705, edhe kjo një linjë e lashtë ballkanike që lidhet ngushtë me etnogjenezën shqiptare në Mesjetën e hershme. Përveç këtyre rasteve specifike, edhe rezultate të tjera që nuk lidhen me Gashin në Malësi, si E-V13>Y20805, J1-Y19093, etj., lidhen me popujt e lashtë që banonin në Ballkanin para-romak.

– Në Malësi të Madhe. Në Triesh gjendet vëllazëria anase Gashaj, e cila pavarësisht emrit nuk mbahet se ka lidhje me fisin Gash, por nisur nga gojëdhënat e Bardhajve dhe Shipshanit për zonën e Kuçit, ja vlen të përmendet. Kjo vëllazëri i takon vijës atërore R1b-Z2705>FT49932, që lidhet me Bekajt e Trieshit, një pjesë të Lulgjurajve, fisin Piper, disa rezultate nga Myzeqeja, etj. Pra edhe kjo vëllazëri nuk ka lidhje gjaku me familjet e Gashit në Malësi të Gjakovës dhe në Kosovë.

Ftojmë të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat të bëhen pjesë e Projektit Shqiptar të ADN-së “Rrënjët” duke kryer nga një test gjenetik që të zbulojë prejardhjen familjare të secilit dhe të ndihmojë në studimin e prejardhjes së gjithë popullit shqiptar. Me rritjen e kampionit, ky dhe artikujt e tjerë të projektit do të zgjerohen e përmirësohen vazhdimisht.

____________

Burime:

[1] Zamputi, I. (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII: teksti origjinal dhe përkthimi përgatitur nga Injac Zamputi. Tiranë: [Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë].

[2] Palnikaj, M. (2020). Klerikë atdhetarë, f.32. Tiranë.

[3] Bartl, P. & Camaj, M. (1967). Ein Brief in albanischer Sprache aus Gashi vom Jahre 1689, në: Zeitschrift für Balkanologie, Jg. 5, Heft 1, München 1967, f. 23-33.

[4] Akademia e Shkencave të Shqipërisë. (2002). Historia e popullit shqiptar. Toena, Tirana.

[5] Palnikaj, M. (2020). Relacione për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII-XVIII. Relacioni i Fra Egidio D’Armento, f.69, 1697.

[6] Palnikaj, M. (2022). Dioqeza e Pultit në dokumentat e arkivave të Vatikatit. Relacion i Misionit Françeskan në Pult, f.193, 1693/1694. Arte Graphic: Tiranë

[7] Palnikaj, M. (2020). Relacione për gjendjen e Shqipërisë në shek. XVII-XVIII. Relacioni i Filipit nga Shkodra, f.95r-95v, 1697. Fast Print: Tiranë.

[8] Malaj, I.K. (2004). Tropoja në breza, f.207-214, 255-257 & 265-270. Dardania: Tiranë.

[9] Qorraj, B. (2017) Fisi si lidhje sociale në zonën e Dukagjinit: Rasti i fisit Gash në të dy anët e kufirit shtetëror Kosovë-Shqipëri. Mikrotezë për mbrojtjes e gradës Master Shkencor (drejtues shkencor: Nebi Bardhoshi). Marrë nga https://prezi.com/hrgjhdqgwj9x/presentation/ me 16 maj 2022.

[10] Zojzi, Rr. (2018) [1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

[11] Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

[12] Durham, M. E. (1909). High Albania. Marrë me 16 maj 2022 nga https://digital.library.upenn.edu/women/durham/albania/albania.html

[13] Vukanoviç, T. (1998) [1934-1937]. Drenica. DD Grafika: Prizren.

[14] Loshi, A. (2020). Carrabregu, f.24. Agimi De: Deçan. Marrë me 16 maj 2022 nga https://fliphtml5.com/mabgu/hgek/basic.

[15] Filipoviç, M.S. (1967). Zhuri dhe fshatrat përreth. Beograd.

—————————————-

Fisi Kelmend

 Fisi Kelmend është një ndër fiset më të vjetra, por edhe më të mëdha shqiptare, si shtrirje dhe si popullsi. Gjatë shekujve të parë të periudhës osmane, fisi Kelmendit fitoi rëndësi të madhe ushtarake dhe politike, duke qenë shpeshherë në pozicion dominues në pjesën më të madhe të trevave rreth Alpeve Shqiptare1.

Përmbajtja

1 Fisi Kelmend në histori e gojëdhëna

2 Rezultatet gjenetike

3 Diskutim

3.1 Burime:

Shtrirja e këtij fisi përmbledh hapësira të gjera që sot gjenden në katër shtete. Baza historike e fisit gjendet në pjesën veriore të Malësisë së Madhe në Shqipëri, ku Kelmendi kishte tre bajrakët fillestarë – Selca, Vukli e Nikçi – dhe bajrakun e katërt – Bogën – që u bashkua me tre të parët gjatë shek 191. Nga ky rajon, Kelmendi u përhap në disa drejtime: në luginën e Gucisë, (Vuthaj, Martinaj, etj), e prej aty, në Çerem e Valbonë të Malësisë së Gjakovës; në bjeshkët e Rugovës dhe më tej në Llap e në treva të tjera të Kosovës e deri në Sanxhakun e Nishit2; në Peshter të Sanxhakut të Novi Pazarit3; në ultësirën bregdetare veri-perëndimore, kryesisht në afërsi të Lezhës, e në shumë treva të tjera shqiptare.

Fisi Kelmend në histori e gojëdhëna

Gojëdhënat e ndryshme, mbledhura nga Bogdani4, Hecquardi5 e deri te Nopcsa6 dhe Durham7 ne fillimet e shek. XX, i përmbahen një forme të përafërt: i pari i fisit, Kelmendi, kishte pasur disa djem, dhe secili prej tyre filloi një familje, e më vonë, vëllazëri të veçantë; këto vëllazëri u zhvilluan deri deri në formën e fshatrave që njohim sot. Në pikëpamje etnografike, Zojzi vlerëson se Kelmendi, ashtu si fiset e tjera malësore rreth Alpeve Shqiptare, kanë prejardhje nga treva më veriore8.

Përveç gojëdhënave dhe traditës, për Kelmendin ka edhe të dhëna të bollshme historike. Në regjistrin osman të 1497, përkthyer nga S. Pulaha, në nahijen e Kelmendit përmenden dy fshatra: Selçisha, me katundin Liçen, dhe Içpaja me katundet Gjonoviq, Leshoviq, Muriq dhe Kolemad9. Po aty, përmenden edhe disa individë që ndoshta mund të jenë themeluesit e trungut kryesor të fisit: Vukza, i biri i Kelmendit, Vladi i biri i Kelmendit, dhe Gjoni, i biri i Kelmendit (Klemendit), në Selçishë; Vuku, i biri i Kelmendit, në Içpajë-Gjonoviq; Deda, i biri i Kelmendit, dhe Stepani i biri i Kelmendit në Içpajë-Muriq9.

Kelmendi: harta e trojeve kelmendase nga Malësia e Madhe deri në Rugovë.

Vendbanime kelmendase rreth Alpeve shqiptare

Nisur nga analiza e regjistrit të 1497 dhe atij të 1582, Pulaha del në përfundimin se ngulitja e përhershme (sedentare), dhe formimi i fisit territorial ishte në zhvillim e sipër në 1497, dhe ishin plotësisht të përfunduara në fund të shek. XVI. Rënia e numrit të popullsisë gjatë këtij shekulli, sipas Pulahës, sugjeron se vëllazëri blegtorale të Kelmendit mund të jenë larguar nga katundet Muriq dhe Kolemad, drejt trevave që sot gjenden në Mal të Zi, si Muriqani apo Goljemadi10.

Rezultatet gjenetike

Deri sot (nëntor 2020), kemi 15 anëtarë kelmendas në Projektin Rrënjët. Sipas nojhurive të secilit, asnjë nuk ka lidhje më afër se tre breza me të testuarit e tjerë. Prej tyre, 9 janë nga pjesa e Malësisë së Madhe që përfshihej në katër bajrakët e lartpërmendur, kurse 6 janë nga zona të tjera, por që ruajnë në familje traditën e përkatësisë fisnore Kelmend. Brenda grupit të dytë, katër familje ruajnë edhe gojëdhënën e prejardhjes nga fshatrat e Kelmendit, kurse një familje mendohet që është bashkuar me vëllazëritë e fisit që u vendosën në ultësirën afër Lezhës. Po i paraqesim të gjitha rezultatet në tabelën e mëposhtme:

Qyteti/Fshati/Lagjia    Vllaznia/Bajraku    Rezultati

Selcë, Malësi e Madhe      Selcë    E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Lëpushë, Malësi e Madhe       Vukël   E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Vukël, Malësi e Madhe     Vukël   E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Muriq, Malësi e Madhe    Vukël   E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Shkodër     Vukël   E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Nikç, Malësi e Madhe Nikç      E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Nikç, Malësi e Madhe Nikç      E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Nikç, Malësi e Madhe Nikç      E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Bogë, Malësi e Madhe      Bogë    E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Okol, Bogë, Malësi e Madhe  Bogë    E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Bogë, Rugovë  Bogë    E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Valbonë, Tropojë         E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Tiranë         E-V13>Z5017>CTS9320>Z16988>BY62310

Shkodër            R1b-M269>Z2103>BY611>Z2705>Y32147

Lezhë          J1-M267>P58>Z643>Z2331>Y3081>Y179831

Diskutim

–     Siç dallohet lehtë nga tabela, fisi Kelmend është nje fis mjaft homogjen në prejardhjen e vijës atërore. Shumica dërrmuese e të testuarve i takojnë një linje të vetme: E-V13>CTS9320>BY62310. Vetëm dy nga 15 rezultate nuk i takojnë këtij trungu. Madje edhe vëllazëria Pepushaj, që thuhet se janë anas3, janë gjithashtu të kësaj linje. Në Projektin Boshnjak të ADN-së11 ka edhe kelmendas të tjerë të testuar, shumica po ashtu në degën E-V13>BY62310, dhe një numër i vogël rezultatesh nën J2b-L283>Y23094 dhe R1b-BY611>Z2705.

–     Kelmendasit kanë prejardhje nga popujt e lashtë të Ballkanit. E-V13>CTS9320>BY62310, si nëndegë e E-V13>CTS9320, lidhet me një numër të madh linjash të tjera që gjenden te shqiptarët, si E-V13>CTS9320>Z17107, E-V13>CTS9320>Y84585, E-V13>CTS9320>BY4526, E-V13>CTS9320>BY34282. Brenda E-V13>BY62310, lidhjet më të afërta të trungut të Kelmendit janë me një të testuar në Pukë dhe një tjetër nga zona e Kolonjës në Korçë (me prejardhje vllahe). Për vjetërsinë dhe prejardhjen e gjithë kësaj dege do të shkruajmë më hollësisht në të ardhmen, por ndërkohë mund të themi se është një linjë që duhet të lidhet me popujt e lashtë Ballkanikë, me gjasë të anëve veri-perëndimore të gadishullit.

—–Ndër linjat e tjera:

—–R1b-M269>BY611>Z2705>Y32147, rezultat i një personi nga Shkodra që sipas traditës ka prejardhje nga Nikçi. Kjo degë gjendet në dendësi relativisht të lartë në Malësi, sidomos në familjet anase, prandaj, edhe pa rezultate të ngjashme nga Kelmendi, ka mundësi që gojëdhëna të jetë e saktë. Në Projektin Boshnjak të ADN-së janë disa anëtarë të kësaj dege që mendohet se kanë prejardhje nga Kelmendi (Muriqi), në largësi rreth 1000-1100 vjet nga personi nga Shkodra. Edhe kjo linjë ka prejardhje nga popujt e lashtë paleo-Ballkanikë.

—–J2b-L283>Y23094, që përmendëm më lart, ka gjithashtu prejardhje nga popujt e vjetër të Ballkanit dhe ka dendësi e larmi të lartë në Malësi.

—–Dega J1-M267>P58>Y3081 ka gjasa të jetë përhapur në Mesdhe gjatë Epokës së Bronzit dhe ttë Hekurit. Duke qenë se nuk e gjejmë as në Malësi, as në treva të tjera të Kelmendit, duket se vërtetë të jetë bashkuar me fisin në ultësirat e Lezhës.

– Ka mundësi që pjesa më e madhe e fisit, vëllazëritë nën E-V13>CTS9320>BY62310, të kenë prejardhje të largët nga treva më veriore në Ballkan, por nuk ka prova që kjo lëvizje të ketë ndodhur 1000 vitet e fundit. Rezultatet më të afërta me kelmendasit E-V13>BY62310 vijnë nga trojet e sotshme shqiptare prandaj lëvizjet e këtij mijëvjeçari duhet të jenë përqendruar në pjesën veriore të trevave shqipfolëse.

– Pavarësisht disa rezultateve të ndryshme, gojëdhëna që tregon se vëllazëritë e ndryshme të fisit kanë prejardhje të përbashkët, duket përgjithësisht e saktë. Nuk mund të thuhet me siguri, pa rezultate edhe nga disa vëllazëri të pa-testuara, sa familje në Selcë, Nikç e Vukël, i takojnë degëve të tjera, mirëpo rezultatet e deritanishme tregojnë bindshëm që pjesa dërrmuese janë të të njëjtit trung gjenealogjik.

– Gojëdhëna e prejardhjes së fshatit Valbonë tregon se i pari i fshatit ishte një kelmendas që nguli nga Vuthajt në Valbonë. Rezultatet vërtetojnë lidhjen e gjakut mes Valbonës e kelmendasve në Malësi të Madhe. Edhe në vëllazëritë e fshatit Vuthaj që lidhen me Valbonën duhet të jenë të kësaj linje, megjithëse duhen rezultate edhe nga ky fshat për provën përfundimtare.

– Te kelmendasit jashtë Malësisë së Madhe, edhe pse E-V13>BY62310 mbetet mbizotëruese, vërehet larmi më e lartë. Kjo mund të vijë si pasojë e dy fenomeneve. Së pari, familje me prejardhje të ndryshme mund të jenë bashkuar me fisin në rajonet ku ky ka shtegtuar, si në rastin e rezultatit nga Lezha. Së dyti, siç sugjeron Pulaha, vetë fisi i Kelmendit mund të ketë qenë më heterogjen në periudhën e hershme të territorializimit të tij10, deri sa një vëllazëri dominoi pjesën tjetër të familjeve, duke i shpërngulur këto të fundit. Kjo dinamikë e homogjenizimit gradual deri në përputhje të territorit me përhapjen e bërthamës fisnore vërehet edhe te fise të tjera. Në rastin e Kelmendit, mbështetje për këtë skenar mund të japin rezultatet e linjës R1b-BY611>Z2705>Y32147. Fakti që në Projektin Boshnjak ka anëtarë të vëllazërisë Muriqi me rezultatin këtë rezultat, ndërsa një familje që banon sot në lagjen Muriq është testuar E-V13>BY62310 mund të jetë një rast i zëvendësimit të një vëllazërie më të vogël nga familje të trungut kryesor. Megjithatë, për të folur me më shumë siguri duhen të paktën rezultate nga lagjia Muriq.

– Boga, si bajrak i veçantë deri në shek. 19, ka ngjallur vazhdimisht interes e debate rreth lidhjes me Kelmendin. Disa gojëdhëna e paraqesin edhe Bogën si pasardhëse të një vëllai tjetër të të parëve të Selcës, Vulit e Nikçit, por si Nopcsa6 edhe Malcolmi1, kanë supozuar se gojëdhëna është tjetërsuar për të justifikuar bashkimin politik të Bogës me Kelmendin. Rezultatet tregojnë se, pavarësisht a është ndryshuar gojëdhëna apo jo, lidhje gjaku mes Kelmendit e Bogës ka. Gjithashtu, gojëdhëna e regjistruar nga Mark Krasniqi12 mbi prejardhjen së fshatit Bogë në Rugovë nga Boga në Malësi të Madhe mund të gjejë mbështetje gjenetike në afërsinë mes anëtarëve nga të dy fshatrat, gjë që do të verifikohet me përmirësimin e rezolucionit të testeve të tyre. Me dy rezultate nga ky fshat dhe një nga Boga e Rugovës, nuk mund të thuhet ende nëse gjithë popullsia e Bogës lidhet me pjesën tjetër të Kelmendit. Megjithatë, duke qenë se dy rezultatet nga Boga në Malësi të Madhe vijnë nga dy familje relativisht të mëdha dhe pa lidhje me njëra-tjetrën, madje nga lagje të ndryshme të fshatit, dhe rezultati nga Boga në Rugovë sigurisht nuk lidhet me ta për të paktën 8 breza, mund të themi që të paktën një pjesë e mirë e Bogës janë të një gjaku me Kelmendin.

Siç theksuam më lart, mbeten shumë të panjohura për t’u ndriçuar edhe më tej përmes zgjerimit dhe thellimit të kampionit. Dy anëtarë të projektit të linjës atërore E-V13>BY62310 janë në pritje të testeve me rezolucion të lartë. Ndërkohë, ftojmë gjithë kelmendasit që kanë kryer teste të kromozomit Y, të bashkohen me projektin Rrënjët, dhe ata që nuk janë testuar ende, të bëjnë një test e të anëtarësohen, që të mësojmë sa më shumë për prejardhjen e këtij fisi.

———–

Burime:

1. Malcolm, N. (2020). Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians. Oxford University Press, USA. H

2. Hahn, G.H. (1858). Travels in Dardanian Albania. Retrieved November 1st, 2020 from http://www.albanianhistory.net/1858_Hahn/index.html.

3. Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.

4. Malcolm, N. (2000). The Kelmendi: Notes on the Early History of a Catholic Albanian Clan. Südost-Forschungen, (59-60), 149-163.

5. Hecquard, H. (2016). Histoire et description de la Haute-Albanie-Ou Guégarie. Collection XIX.

6. Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

7. Durham, M. E. (2017). High Albania. Lulu.com.

8. Zojzi, Rr. (2018). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

9. Pulaha, S. (1974). Defteri i regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Historisë.

10. Pulaha, S. (1975). Kontribut për studimin e ngulitjes së katuneve dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e veriut shekujt XV-XVI. Studime Historike, I. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

11. Bosnjacki DNK Projekat. https://bosnjackidnk.com/baza-bez-markera/

12. Krasniqi, M. (1978). Vendbanimet e Rugovës.

BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI

 

KTHELLA

Kthella është një prej bajrakëve që tradicionalisht ishin pjesë e grupit të Mirditës. Bashkë me Selitën dhe Rranzën (Bushkashin), quhen edhe “tre bajrakët e Ohrit”, dhe u bashkuan me grupin e mëparshëm prej pesë bajrakësh që përbënin Mirditën në atë kohë (Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Gani, Dibrri). Vendbanimet e Kthellës përfshijnë qendrën urbane të Mirditës, Rrëshenin, si dhe fshatrat Prosek, Përlat, Shebë, Tarazh, Ujë-Shtrez, Lurth, Kodër-Rrëshen, Malaj.

Përmbajtja 

1 Hyrje

2 Rezultatet

3 Prejardhja e fiseve të Kthellës

3.1 Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

3.2 Vëllazëritë e Perlatit

3.3 Linja të tjera atërore

Hyrje

Tradicionalisht, disa prej fiseve të zonës ruajnë kujtesën e prejardhjës së përbashkët, mirëpo në përgjithësi, Kthella mbahet si bajrak me prejardhje heterogjene, pra me disa vëllazëri me prejardhje të ndryshme. Rezultatet e mëposhtme nga testet Y-DNA verifikojnë saktësinë e këtyre tradiatve dhe tregojnë edhe prejardhjen më të hershme të vellazërive kryesore të bajrakut.

Kthella

Rezultatet

Search:

Fshati  Rezultati

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Fushë-Lumth   E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Shebë  E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Shqalsh, Malaj E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Prosek E-V13>FGC11450>Y140828

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Shebë  R1a-M417

Rrëshen     J1-M267>FGC11

Showing 1 to 19 of 19 entries

Prejardhja e fiseve të Kthellës

Me 19 rezultate deri tani, Kthella është zona më e testuar në Mirditë, prandaj edhe të dhënat mbi prejardhjen e Kthellës janë relativisht më të plota. Me këto rezultate mund të nxjerrim disa përfundime të rëndësishme mbi formimin e Kthellës si një njësi etnografike.

Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

Nga rezultatet dallohet qartë që Kthella përfshin disa linja të ndryshme atërore, pra është një bajrak heterogjen si prejardhje. Nga ana tjetër, një numër i madh vëllazërish rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët nga i cili kanë trashëguar vijën atërore E-V13>CTS9320>Y84585. Këto vëllazëri përbëjnë rreth gjysmën e rezultateve të deritanishme, dhe vijnë nga fshatra të ndryshme të Kthellës. Ky trung gjenealogjik gjendet sot në Prosek, ku përbën pjesën dërrmuese të popullsisë, në Tarazh, në Fushë-Lumth, në Kodër-Rrëshen dhe po ashtu edhe në Kthellë të Epërme. Numri i madh i vëllazërive që rrjedhin nga ky trung si dhe shpërndarja e gjerë në fshatra të ndryshme sugjerojnë se përhapja e tyre mund të ketë lujatur rol kyç në përmbledhjen e Kthellës në një njësi të përbashkët etnografike, duke përfshirë edhe shumë vëllazëri të tjera pa lidhje gjaku me ta. Duket se kjo linjë arriti të përhapej e të mbizotëronte në luginën që përfshin zonën nga Rrësheni deri në Prosek, kurse në pjesën tjetër mbetet një prej disa linjave të ndryshme atërore.

Si pjesë e haplogrupit E-V13 dhe degës CTS9320, kjo linjë është pasardhëse e fiseve të lashta të Ballkanit, me gjasë të pjesës qendrore/perëndimore të tij (ndoshta dardanët). Nga mesjeta e hershme ishte pjesë e etnogjenezës arbërore/shqiptare diku në trevat veriore shqiptare dhe sot gjendet në Mirditë dhe në Tiranë.

Vëllazëritë e Perlatit

Fshati Përlat është një rast i veçantë në Kthellë pasi të gjitha vëllazëritë e fshatit i takojnë një vije të përbashkët atërore, pa lidhje me linjën kryesore që gjendet në disa fshatra të tjera në Kthellë. Dimë se kjo vijë atërore e Përlatit është R1b-CTS9219>Z2705, gjithashtu me prejardhje nga fiset e lashta të Ballkanit. Por ndërsa linja kryesore në Kthellë është e rrallë jashtë saj, linja atërore e Përlatit gjendet në rreth 14% të meshkujve shqiptarë nga të gjitha trojet, të gjithë pasardhës të një burri të vetëm nga Antikiteti i vonë. Vlen të përmendet se në fshatin Përlat përmenden që në 1402 vëllezërit Pal dhe Tanush Përlati të fisit Dukagjinëve, po ashtu mendohet që edhe Pjetër Duka (Përlati) mund të ketë qenë nga ky fshat. Nisur nga homogjeniteti i fisit të sotshëm, përfshirë edhe familjen e sotshme Duka, mund të hamendësohet se personazhet e lartpërmendura mund të kenë pasur të njëjtën vijë atërore. Megjithatë, asnjë nga rezultatet e deritanishme nuk ka rezolucionin maksimal, prandaj mbetet të presim rezultate më të hollësishme për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

Linja të tjera atërore

Mes linjave të tjera atërore në Kthellë, njëra, E-V13>Z38456 gjendet në Shebë dhe në lagjen Shqalsh të fshatit Malaj (familje me prejardhje të përbashkët në vijë atërore), po ashtu edhe në zona të tjera të Mirditës si në bajrakun e Dibrrit dhe atë të Fanit dhe duhet të jetë mes linjave me praninë më të hershme të vazhdueshme në Mirditë. Tri të tjerat janë gjetur në vetëm nga një familje deri tani, por nuk përjashtohet që mund të gjendet në të tjera në të ardhmen.

Ftojmë çdo të interesuar nga Kthella, dhe më gjerë nga Mirdita dhe të gjitha trojet e tjera shqiptare që të bëjnë nga një test Y-DNA dhe të anëtarësohen në projekt.

SELITA

Selita është një trevë historike e Mirditës. Tradicionalisht, Selita ishte një prej tre bajrakëve të Ohrit, bashkë me Rrazën dhe Kthellën. Bajrakët e Ohrit u bashkuan me grupin e Mirditës pasi në këtë të fundit bënin pjesë tashmë Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Dibrri dhe Fani. Ndër qendrat kryesore të Selitës janë vendbanimet Kurbnesh, Zajs, Bardhaj, Lëkundaj, Mërkurth, Trangë, Tharr, Lufaj, Kumbull, Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Lam i Madh, Dajç.

Përmbajtja

1 Tradita dhe burimet historike

2 Rezultatet gjenetike

3 Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

Prej shpalljes së pavarësisë, këto fshatra kanë qenë herë nën administrimin e Shkodrës ose Lezhës, e herë të Dibrës ose Matit, shpesh edhe të ndara në dy njësi administrative të ndryshme.

Tradita dhe burimet historike

Sipas traditës, Selita është bajrak heterogjen në prejardhje, pra jo të gjitha familjet vijnë nga një trung i vetëm mashkullor, dhe familje të ndryshme mund të martohen mes tyre. Mark Tirta tregon se ka gojëdhëna për ndonjë lëvizje të hershme nga zona e Ohrit apo e Hotit, por thekson se lidhja e këtyre bajrakëve me Ohrin ka të bëjë më shumë me të qenit nën varësinë adminsitrative të Ohrit se sa me ndonjë prejardhje të popullsisë nga ajo zonë. Rrok Zojzi paraqet gojëdhënën e përhapur të prejardhjes nga Murr Dedi, ashtu si gjendet edhe ndër fise të tjera të Dukagjinit. Mirëpo vetë Selita, ashtu si vendbanimet e saj, madje në disa raste edhe familjet e veçanta, dalin herët nëpër dokumente historike, duke shfaqur një vazhdimësi prej të paktën 400-500 vitesh. Për shembull, fshatrat Selitë e Madhe dhe Selitë e Vogël shfaqen në regjistrin e vitit 1467 si pjesë e zonës së Urakës, kurse në 1671 Selita del tashmë i veçantë që në 1672 në relacionin e S.Gasparit. Familja Lufi, ndër më të njohurat e zonës, shfaqet e dokumentuar të paktën nga vitet 1671 dhe 1733, kurse familja Skura edhe më herët, që në periudhën e Skënderbeut në 1467.

Rezultatet gjenetike

Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët”, kemi 10 anëtarë nga Selita. Rezultatet e tyre janë: J2b-L283>PH1751 (x6), I1-M253 (x2), E-V13>CTS9320>BY20093, R1a-M458>L1029>YP263>Y18892. Nga këto rezultate mund tëdalim në disa përfundime të rëndësishme.

Fshati  Rezultati

Kthellë e Epërme  E-V13>CTS9320>BY20093

Kthëlle e Epërme  R1a-M458>L1029>YP263>Y18892

Mërkurth   I1-M253

Lekundë     I1-M253

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Zajs      J2b-L283>PH1751

Bardhaj      J2b-L283>PH1751

Lufaj     J2b-L283>PH1751

Trangë e Epërme  J2b-L283>PH1751

Showing 1 to 10 of 10 entriesPreviousNext

Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

– Është e vërtetë që Selita është bajrak që përmban fise me prejardhje të ndryshme, gjë që dallohet lehtësisht nga fakti që të paktën katër vija të ndryshme atërore gjenden në territorin e saj, dhe të tjera mund të zbulohen me teste te reja në të ardhmen (psh dimë nga teste në 23andme që edhe linja R1b-CTS9219 është e pranishme në Selitë). Pra tradita është e saktë në këtë pikë.

– Edhe pse përgjithësisht Selita është fis heterogjen, trungu fisnor që rrjedh nga vija atërore J2b-L283>PH1751 është pa dyshim më i përhapuri dhe përmban një pjesë të mirë, ndoshta edhe shumicën e familjeve. Një prej këtyre familjeve, pasi ka kryer testin me rezolucion maksimal, ka përcaktuar edhe nëndegën J2b-PH1751>Y67581. Nga kjo linjë atërore kanë prejardhje familjet: Buraku nga fshati Zajs, Lufi nga Tranga e Epërme, Nikolli nga Bardhaj, Kaçorri nga Lufaj, Skura dhe Gjokola nga Lami i Madh. Siç shihet qartë, kjo vijë atërore është shtrirë pak a shumë në gjithë hapërisën e Selitës. Gjithashtu, duke qenë se familjet Skura dhe Lufi përmenden në Selitë që prej 400-500 vitesh, dimë që ky trung ka prani të vjetër në këtë zonë, por tashmë kemi të qartë edhe që këto familje të vjetra kanë prejardhje të përbashkët. Gjithashtu, nën J2b-PH1751>Y67581 një familje që prej të paktën disa shekujsh gjendet në Kërçovë ka afërsi më të madhe se të tjerat me linjën e Selitës, pra me gjasë të parët tyre janë shpërngulur nga Selita në një periudhë edhe më të hershme, gjë që përsëri flet për vjetërsinë e kësaj linje në Selitë. Nisur nga këto të dhëna mund të hamendësojmë se përhapja e këtij trungu fisnor gjatë shekujve 15-17 në fshatra të ndryshme ka qenë faktor i rëndësishëm në unifikimin krahinor të tyre, deri sa dalin në 1672 si një rajon i vetëm nën emrin Selitë.

Përveç linjës J2b-PH1751, mund të ketë edhe të tjera që janë përhapur në disa fshatra e që mund të kenë pasur rol përbashkues në procesin e formimit të trevës së Selitës. Linja I1-M253 është gjetur deri tani në anëtarë nga Mërkurthi dhe Lëkunda. Po ashtu, rezultate të ngjashme ka edhe në Bushkash të bajrakut të Rrazës, ku ruhet gojëdhëna e prejardhjes nga një zonë më veriore e Mirditës. Pra, ka të dhëna që edhe kjo linjë të jetë e vjetër dhe e përhapur në Selitë, mirëpo duhen rezultate më të thelluara nga kjo dhe linja të tjera atërore në Selitë për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

– Gojëdhënat që lidhin Selitën me prejardhje nga Hoti, Ohri apo nga Murr Dedi nuk gjejnë mbështetje në rezultate gjenetike. Në fakt rezultatet e deritanishme nuk kanë zbuluar asnjë lidhje gjenetike as me Hotin dhe fiset e tjera rreth tij, as me grupin e fiseve të tjera që besojnë se vijnë nga Murr Dedi si Berisha, Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, etj. Gjithashtu, mund të përjashtojmë lëvizje të rëndësishme të popullsisë nga zona e Ohrit, pasi rezultatet janë më të afërta me trevat e tjera veriore, se me juglindjen. Nuk mund të përjashtojmë me siguri mundësinë që me testimin më të dendur të zonës, të zbulohen lidhje të ndonje familjeje të veçantë me fiset e lartpërmendura, por nëse flasim për Selitën në përgjithësi, pjesa dërrmuese e popullsisë duhet të jetë në të njëjtën treve të tre bajrakëve të Ohrit që në Mesjetë e vonë dhe më herët.

– Lidhur me prejardhjen më të largët të banorëve të Selitës, mund të thuhet pa dyshim se gjenetikisht janë të një profili karakteristik shqiptar. Shumica e linjave atërore lidhen me fiset e lashta të Ballkanit, me shumë gjasë me ilirët, si grupi i linjës J2b-PH1751. Mbi linjën atërore J2b-PH1751 mund të lexoni më shumë këtu: https://rrenjet.com/j-y21045/#J-PH1751_J-Z38299. Po ashtu edhe rezultati E-V13>CTS9320>BY20093 ka prejardhje nga shtresa ballkanike para-romake që u zgjerua përsëri duke nisur nga Mesjeta, nga pjesa veriore e trojeve shqiptare. Rezultatet më të afërta të kësaj linje, në rreth 1200 vjet largësi, vijnë nga zona e Pezës në Tiranë, nga një grup vëllazërish mes të cilave ekziston një gojëdhënë për prejardhje nga verilindja. Kurse një pjesë më e vogël e linjave atërore, si I1-M253 dhe R1a-L1029>Y18892 kanë prejardhje nga popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s. Rezultatet I1-M253, siç theksuam më lart, duhen thelluar për të kuptuar më shumë mbi vendosjen dhe përhapjen e tyre, por në pjesën dërrmuese të rasteve lidhen me lëvizje nga Europa veriore, kryesisht me fiset gjermanike; kurse degët e R1a-L1029 lidhen më shpesh me lëvizjet e fiseve sllave, por duhet theksuar se dega R1a-L1029>Y18892 përfshin edhe një rezultat nga Çekia që sipas vlerësimit arkeologjik (jo me radiokarbon) i takon Epokës së Hekurit.

Kthella, Selita dhe Rraza, ashtu si gjithë Mirdita, paraqesin një trevë tepër interesante për studime gjenetike, jo vetëm për shkak të vazhdimësisë së dokumentuar onomastike, por edhe sepse popullsia e zonës është paraqet shtresëzime të njëpasnjëshme që përmbajnë si degë fisesh të përhapura shekujt e fundit, ashtu edhe familje të vjetra (anase) që banojnë këtë zonë që nga Mesjeta. Nisur nga larmia e lartë e linjave atërore, potenticali për zbulime të reja është shumë premtues. U bëjmë thirrje gjithë të interesuarve në zonë, por edhe nga gjithë trojet shqiptare, të na kontaktojnë që t’i udhëzojmë për kryerjen e një testi gjenetik.

_________

Burime:

Zojzi, Rr. (2018) [1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

Tirta, M. Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj. Marrë me 28 shtator 2021 nga https://mirdita.com/threads/mirdita-e-mo%C3%A7me-e-migrime-t%C3%AB-popullsis%C3%AB-s%C3%AB-saj.755/.

Faqja “Mirdita: Histori dhe Aktualitet” në Facebook: https://www.facebook.com/MIRDITAHistori-dhe-aktualitet-379148285430852.

SHKRELI

Shkreli është ndër fiset kryesore të Malësisë së Madhe. Territori i Shkrelit shtrihet përgjatë luginës së Lumit të Thatë, duke u kufizuar me Kastratin, Kelmendin, Bogën, Shalën, Planin, Rrjollin, Reçin, Lohjen. Fshatrat e Shkrelit janë Vrithi, Bzhetë, Zagora, Dedaj, Ducaj, Xhaj, Makaj, Grishaj.

Shkreli në histori dhe gojëdhëna

Shkreli nis të përmendet në dokumenta historike nga shekulli i 15, kur del si vendbanim në trevën ku gjendet edhe sot, dhe mbiemër i banorëve të disa fshatrave të ndryshme në zonën mbi Shkodër (Zamputi, 1977). Sipas një gojëdhëne thuhet se Lekë Shkreli ishte i pari i fisit, dhe djemtë e tij Vrith, Dedë, Buzhetë dhe Zog formuar fshatrat kryesore të fisit: Vrith, Dedaj, Bzhetë dhe Zagore (Ukgjini). Ka hipoteza të ndryshme për vendin nga erdhi Leka me të bijtë: një version i mbledhur nga në 1858 thotë se i pari i fisit erdhi nga Peja (Hecquard, 1858), Rrok Zojzi përmend Fushën e Kosovës (1944), kurse një version tjetër më i njohur thotë se Leka mbërriti nga Bosnja (Durham, 1908; Nopsca 1912; Ukgjini), por duhet thënë se në shekujt e kaluar edhe territore të afërta që sot janë pjesë e Malit të Zi thirreshin Bosnje.

Kujtesa e trashëguar thekson se të parët e këtij trungu gjeneaologjik gjetën në Shkrel një popullsi më të vjetër, nga të cilët mbetën vetëm pak familje, kurse të tjerat u larguan. Nga këta banorë të vjetër, sipas të gjitha gojëdhënave, rrjedhin banorët e fshatit Xhaj, dhe sipas Ukgjinit edhe Vukajt, Kolajt, Kapllajt, Luizi dhe Tuçajt. Rrok Zojzi tregon:

“Kur fisi i Shkrelit u dynd prej fushës së Dardhanis (Kosovës), kaloi bjeshkët dhe i ra në shpinë Xhanit qi banojshin në tokën ku sot banon Shkreli. Xhajt luftuen sa mujten e në fund u dbuen dhe u ndoqën prej Shkrelit gjatë luginës së Prronit të That. Xhani i lodhun, nji pjesë i briti Shkrelit “në dorë t’ande, mos më çart”, e nji pjesë tjetër u kap mbi qafë të Shtogut e duel në Pult ku përtrini Xhanin edhe atje.”

Që në fillim të shekullit të 17 Shkreli del si njësi e veçantë, pasi përmendet nga Bolizza me 65 shtëpi dhe 43 burra të armatosur nën udhëheqjen e Gjon Parubës. Pas kësaj periudhe Shkreli vijon të zjgerohet deri sa mbërrin në rreth 600 shtëpi në 1900. Përveç Shkrelit në Malësi të Madhe, shumë shkrelas u zhvendosën edhe në treva të tjera, si në Sanxhak, në Rugovë e më tej në Kosovë, në Shestan, në trevat fushore bregdetare mes Shkodrës e Lezhës, etj. Ka edhe fise të tjera që kujtojnë prejardhjen e tyre nga Shkreli, edhe pse tashmë nuk e mbajnë veten pjesë të këtij fisi, si psh Bytyçi (Rrok Zojzi thotë në 1962 se Shkreli e Bytyçi ishin një Mal që u nda në dy fise), Markajt e Margegajt në Tropojë, Vrithi e Dedajt në Pukë, Shëngjini në Mirditë, etj. Kurse Boga thuhet se ka qenë pjesë e Shkrelit përpara bashkimit me Kelmendin, por nuk ka gojëdhëna konkrete për lidhje gjaku.

Rezultatet gjenetike

Në databazën e projektit kemi, deri tani, 14 anëtarë të fisit Shkrel. Prej këtyre, 10 janë nga Shkreli në Malësi të Madhe, kurse 4 nga zonat e tjera të banuara nga anëtarë të fisit.

Fshati  Vëllazëria   Rezultati

Grykë Lugje            J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Ducaj   Bzheta J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Poicë   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Zagorë Zagora J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Fushë Kosovë, Prishtinë          J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Lezhë          E-V13>Z5018>S2979>L241>PH2180

Klinë, Pejë        I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Vogovë, Gjakovë          I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Showing 1 to 14 of 14 entries

Nga këto rezultate, disa përfundime rreth prejardhjes së shkrelasve janë tashmë të qarta.

Përfundime

– Trungu kryesor gjenealogjik në Shkrel i takon vijës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533. Kjo linjë është gjetur në të gjithë fshatrat e Shkrelit, përveç fshatit Xhaj. Pra Shkreli është fis mjaft homogjen dhe gojëdhëna që tregon se Vrithi, Zagora, Dedajt dhe Bzheta kanë prejardhje të përbashkët është e saktë. Prejardhja e largët e kësaj linje lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, gati me siguri me ato ilire (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Lidhur me kohën e vendosjes në Shkrelin e sotshëm, vjetërsia e nëndegës sugjeron së paku periudhën e Mesjetës së vonë, ndoshta edhe më herët. Ka mundësi që në vend të zëvendësimit të një fisi të vjetër me një fis të ardhur rishtaz, gojëdhënat kujtojnë përplasjet që lindën si pasojë e fuqizimit dhe zgjerimit të njërit prej fiseve të zonës kundrejt fiseve të tjera.

– Duke parë shpërndarjen dhe larminë e linjës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533, mund të thuhet me siguri se të parët e Shkrelit nuk kanë prejardhje nga Bosnja, por nga pjesa veriore e trojeve shqiptare, të paktën nga Antikiteti i vonë deri sot, kurse prania në Ballkan është të paktën 4200 vjeçare.

– Familjet anase të Shkrelit kanë vazhdimësi sot në fshatin Xhaj, ku familjet e testuara nuk i takojnë trungut kryesor gjenealogjik, por një linjës atërore R1b-Z2705>BY105603. Edhe kjo është linjë e vjetër në Ballkan por pa lidhje me linjën e mësipërme (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Përveç gojëdhënave, edhe rezultati mbështet vjetërsinë e Xhajit në këtë zonë, pasi kjo linjë është gjetur edhe ndër fise të tjera anase të Malësisë e përreth. Kurse ndër familjet e tjera që përmenden si anase, deri tani, rezultatet thonë se kanë prejardhje të njëjtë me trungun kryesor të fisit.

– Ndër familjet shkrelase që banojnë jashtë territorit të fisit në Malësi të Madhe, vetëm disa kanë përputhje me trungun kryesor të fisit. Për familjet nga Peja dhe Fushë-Kosova, përputhja gjenetike me fisin në Malësi tregon për prejardhjen e tyre nga kjo zonë. Po ashtu, në projektin boshnjak të ADN-së ka anëtarë nga zona e Sanxhakut të cilët gjithashtu përputhen me linjën atërore të Shkrelit në Malësi. Një pjesë e këtyre kanë ende ose mbiemrin Shkreli ose ruajnë kujtimin e prejardhjes nga ky fis. Edhe një familje nga zona e Muriqanit, e cili tashmë e ka humbur lidhjen me fisin, lidhet në rreth 300 vjet (10 breza) me shkrelasit në Malësi. Në rastin e rezultatit nga Lezha me haplogrup E-V13>PH2180, nuk ka përputhje me anëtarët nga Shkreli, mirëpo rezultati është tipik për Malësinë, prandaj ka mundësi që bëhet fjalë për ndonjë familje anase të larguar. Kurse familjet nga zona e Gjakovës, të linjës atërore I1-M253>Y60985, kanë prejardhje nga Puka (Kçira dhe Komani). Nuk është e qartë nëse identifikimin si shkrelas e kanë trashëguar gjithashtu si të larguar nga Shkreli, apo e kanë përvetësuar diku mes Pukës dhe Gjakovës, por nisur nga mungesa e plotë e haplogrupit I1 në Malësi, gjasat anojnë nga mundësia e dytë.

– Fiset e tjera që tregojnë prejardhje nga Shkreli, si Bytyçi, Markajt e Margegajt në Tropojë dhe Shëngjini në Mirditë, u takojnë linjave të ndryshme atërore, pa lidhje gjaku me fisin e Shkrelit. Nga Dedajt dhe Vrithi i Pukës nuk kemi rezultate, mirëpo nisur nga rezultatet e fshatrave përreth me të cilat kanë afri, ka më shumë gjasë që edhe këto fshatra mos të lidhen me Shkrelin. Po ashtu, nëse Boga ka qenë pjesë e Shkrelit, lidhje gjaku nuk ka pasur pasi familjet e Bogës janë kryesisht të linjës atërore E-V13>CTS9320>Z16988>BY62310.

Mbeten disa familje të Shkrelit në Malësi të Madhe që ende nuk janë testuar. Po ashtu mbeten për t’u testuar shumë shkrelas nga treva të tjera, si nga Shestani, nga disa zona të Kosovës dhe nga zonat fushore rreth Lezhës. Ka mundësi që testimi i këtyre familjeve të zbulojë edhe ndonjë linjë tjetër atërore që tashmë nuk gjendet në trojet e fisit në Malësi.

———–

Burime

Durham, M. E. (1928). Some tribal origins, laws and customs of the Balkans (p. 301). London: Allen & Unwin.

Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.

Hecquard, H. (1871). Histoire et description de la Haute-Albanie ou Guégarie, Paris 1857.

Nopcsa, F. (1912). Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens. Holzhausen.

Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

Ukgjini, N. Shkreli: Një vështrim i shkurtër historik. Marrë nga http://kulturserver-hamburg.de/home/shkodra/shkodra/shkreli.html, 23 mars 2022.

Zamputi, I. (1977). Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Akad. e Shkencave, Inst. i Historisë.

Zojzi, Rr. (1944). Fisi si njisi politike: Fisi-Shtet. Hylli i Dritës, 1944 (5), f. 63.

Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...