“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur. Duhet të hapet, por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, tha Lajçak.

I pyetur nga gazetarët ai bëri të ditur se Serbia ka tërhequr letrën dërguar BE-së vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra është tërhequr”, theksoi ai.

Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiç, Dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët për shkak të mbylljes së strukturave paralele në veri nga Policia e Kosovës, Lajçak shpreson të mos ketë bllokime pasi sipas tij “nuk ka arsye”.