Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/12/28

Bekim Bislimi-Kosova pa brez të ri të shkrimtarëve për fëmijë

Mundësia për të ofruar krijimtarinë letrare për moshat më të reja në Kosovë, sot kur interneti është bërë hapësirë ku fëmijët, jo vetëm gjejnë informacionet e caktuara, por edhe argëtimin, është bërë sfidë.

Por, kjo është vetëm një nga arsyet pse fëmijët sot më pak iu qasen librave me përmbajtje artistike, sepse në anën tjetër, është e dukshme që edhe shkrimtarët që shkruajnë për fëmijë, janë gjithnjë e më pak në numër.

Kështu vlerësojnë disa prej shkrimtarëve, të cilët pjesën më të madhe të krijimtarisë së tyre letrare ua kanë kushtuar shumë gjeneratave të fëmijëve.
Ilustrim
Shkrimtari Jonuz Fetahu, i cili sivjet ka marrë çmimin “Ymer Elshani”, për librin më të mirë brenda vitit, me tregime për fëmijë, vlerëson se letërsia për fëmijë, aktualisht po përjeton një krizë dhe se kanë mbetur pak shkrimtarë, të cilët vazhdojnë me përkushtim të shkruajnë për moshat më të reja.

Arsyet dhe shkaqet, sipas Fetahut, gjenden në shumë faktorë.
Letërsia për fëmijë është në krizën më të madhe të saj...

“Letërsia për fëmijë është në krizën më të madhe të saj. Në fazën e tranzicionit ne nuk mundëm të gjendemi aq sa dhe si duhet për fëmijët. Ata ecën një hap përpara shkrimtarëve, shpesh-herë. Këtë e bëri mediumi elektronik, përkatësisht interneti, i cili e zëvendësoi librin, për një periudhë dhjetëvjeçare. Fëmijët shumë u larguan nga leximi i librave, përkatësisht nga shkrimtarët e vet. Sot, shkrimtari për fëmijë, veçmas, është në një udhëkryq”, thotë Fetahu.

Që nga botimi i parë i librave në gjuhën shqipe në Kosovë, e deri më tash, janë mbushur 59 vjet. Gjatë këtyre viteve janë krijuar shumë vepra letrare për fëmijë, të cilat kanë zënë vend si trashëgimi letrare, si dhe në kulturë në përgjithësi.

Shkrimtari Xhevat Syla, i cili ka shkruar mjaft për fëmijët, thotë se shkrimtarët që kanë krijuar letërsinë për fëmijë në Kosovë, u takojnë tre brezave.
Vepra të Agim Devës...
Por, thotë Syla, mjaft shkrimtarë të brezit të dytë, të cilët, sipas tij, edhe e kanë bartur barrën kryesore të letërsisë për fëmijë dhe që konsiderohen si identitet i kësaj letërsie në vend, tashmë nuk janë në këtë botë.

Megjithatë, Syla thotë se letërsia për fëmijë sot po ecën paralel me zhvillimet e kohës, por edhe me zhvillimin e fëmijëve.
Sot edhe temat edhe motivet janë të tjera...

“Sot edhe temat edhe motivet janë të tjera. Sigurisht që janë edhe të kohës që jetojmë. E, koha, të cilën ne jetojmë, përsëri e ka natyrën, ka bukuritë e saj, ka ndjenjën për lirinë, ndjenjën për atdheun... janë disa tema të të gjitha kohërave. Por, janë edhe disa, të cilat korrespondojnë me kohë të caktuara, si vlera”, konsideron Syla.



Por, çfarë kërkojnë fëmijët sot nga shkrimtarët?

Shkrimtari Jonuz Fetahu vlerëson kështu:

“Lexuesi i vogël, mendoj, shkollari, ai dëshiron që librin ta lexojë për një ose dy ditë, e jo për një javë. Nuk ka kohë më ai që të lexojë libër të trashë. Andaj, duhet t’i ofrojmë dhe shërbejmë fëmijëve atë që është më e mira, më e kapshmja, pa rëndesë”.

Fetahu thotë se janë edhe një mori problemesh, të cilat i destimulojnë shkrimtarët që të punojnë për shtimin e vëllimit të veprave letrare për fëmijë. Siç thotë ai, aktualisht shkrimtarit, përveç krijimit të veprës letrare, i duhet që të merret edhe me përgatitjen teknike, botimin, si dhe shpërndarjen.

Në anën tjetër, thotë Fetahu, nuk ka ndonjë interesim apo organizim të mirëfilltë nga shkollat e Kosovës që librat për fëmijë të arrijnë deri te nxënësit apo edhe të organizohen punëtori me shkrimtarët për fëmijë.

Të gjitha këto, sipas tij, janë barrë e madhe për shkrimtarin dhe tashmë është e dukshme se një brez i ri i shkrimtarëve për fëmijë, siç thotë ai, nuk duket në horizont Megjithatë, sipas Fetahut, botimet ekzistuese, janë mjaft kualitative.
Vepra të Agim Devës...

“Shkrimtarët të cilët lexohen me ëndje, janë Agim Deva, Rifat Kukaj. Lexohet edhe sot ‘Zogu e kulla’ e Rrahman Dedës, pastaj Abdulla Thaçi, Gani Xhafolli, Xhevat Syla dhe shumë të  tjerë. Nuk kemi shkrimtarë të rinj dhe po përpiqemi me qiri e pishë që të gjejmë emra të rinj, por nuk janë kah lindin, sepse, unë kujtoj se pak punohet në shkolla”, thekson Fetahu.

Mendim të ngjashëm ka edhe shkrimtari Xhevat Syla:

“Tash, nuk kemi një brez, i cili identifikohet si i tillë, 
sikurse që ishte ai i brezit të dytë apo brezit të parë. Kemi shkrimtarë dhe unë shpresoj që me kohë do të vijë edhe brezi, për shkak se me botimin e veprave të reja të autorëve të rinj, të cilët dalin, siç kanë dalë gjithmonë shkrimtarët nga bankat e shkollave. Sigurisht që do të kemi edhe shkrimtarë që do ta bëjnë këtë brez, por të cilin tash për tash nuk e kemi të identifikuar si brez të ri të shkrimtarëve”.

Bekim Bislimi

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

ISUF KADRIU-Rënia e natalitetit, pasojë e standardit të dobët

Për rritjen e natalitetit apo shtimin e numrit të popullsisë nuk nevojiten apele nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski, por masa konkrete në zhvillimin e ekonomisë dhe ngritjen e standardit të qytetarëve, që janë edhe faktorët kryesorë për uljen e ndjeshme të natalitetit në vend, kështu vlerësojnë ekspertët duke komentuar alarmin e drejtuesve të institucioneve lidhur me plakjen e popullsisë në Maqedoni.

Ilija Acevski, profesor i sociologjisë, thotë se fushatat për lindjen e fëmijëve nuk do të kenë asnjë efekt, pasi në kushtet e tanishme të varfërisë së madhe është vështirë të binden të rinjtë që të krijojnë familje për shkak të drojës që mbretëron tek ata, nëse do të ketë mjete financiare për rritur fëmijë.
Foshnje e posalindur
“Duhet të krijohen kushtet elementare për të arritur një synim të tillë. Kjo nënkupton, punësim, mbështetje për gratë që kanë lindur fëmijë dhe shumë masa tjera në sferën e politikës sociale. Të gjitha mjetet që ndahen nga buxheti, duhet të përcaktohen qartë që të mos ketë interpretime të ndryshme  që do të ndikonin negativisht në politikën e rritjes së natalitetit”, thotë Acevski, duke shtuar se rënia e natalitetit është rezultat i politikave të gabuara demografike të Qeverisë.

Ngjashëm vlerëson edhe Jonuz Abdullahu, profesor i administratës publike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

“Është normale që të ketë një rënie të natalitetit për shkak të klimës, gjendjes në të cilën ndodhet popullata, ajo është në një gjendje të mjerueshme, është tepër e dëshpëruar nga jeta, nga standardi, në të cilin jeton. Të gjitha masat që ndërmerr Qeveria, janë kontraproduktive dhe ato ndikojnë negativisht te të rinjtë për të formuar familje. Qeveria së pari duhet të krijojë një klimë të mirë të sigurisë dhe më pas të ndikojë në përmirësimin e klimës ekonomike”, shprehet Abdullahu.

Sipas tij, nga një studim i realizuar është konstatuar se rënia e natalitetit më së shumti ka përfshirë popullatën maqedonase në radhë të parë, siç shprehet Abdullahu, për shkak të humbjes së privilegjeve që ka pasur nga ana e shtetit në të kaluarën.

Ndërkohë, edhe të dhënat e prezantuara nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, flasin se pjesët lindore dhe qendrore të vendit të banuara kryesisht me popullatë maqedonase përballen me rënie të madhe të natalitetit.

Ministri Spiro Ristovski thotë se në krahasim me vitin 1995 në këto zona numri i nxënësve të regjistruar në klasë të parë është ulur për 60 mijë. Sipas tij, në Maqedoni numri i lindjeve sillet në 1.4 fëmijë, ndërsa për të ruajtur nivelin e popullsisë mesatarja duhet të jetë 2.1 fëmijë që në rastin e Maqedonisë është për 35 për qind nën nivelin e duhur.

“Ne, si Qeveri, në periudhën e kaluar intensivisht kemi punuar në këtë çështje. Tani jemi duke shqyrtuar masa të reja që duhet të japin rezultate në drejtim të rritjes së natalitetit, apo të parandalimit të plakjes së popullatës pasi gjendja e tanishme është alarmante”, deklaron Ristovski.

Në këtë drejtim, ditë më parë kryeministri Nikolla Gruevski në një fjalim partiak, u kishte bërë thirrje të rinjve që të martohen dhe të lindin sa më shumë fëmijë.

Kosova me mungesë çerdhesh

Kosova ka gjithsej 42 institucione parashkollore. Por, ky numër është i pamjaftueshëm për t'i përmbushur kërkesat e fëmijëve që kanë nevojë për gjithëpërfshirje në këto institucione. Këtë e thotë Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja.
Aktivitetet e fëmijëve në një çerdhe në Kosovë.
"Edhe Prishtina, edhe Kosova nuk kanë numër të mjaftueshëm të institucioneve parashkollore, posaçërisht me lëvizjet e popullsisë në drejtim të kryeqytetit, çerdhet nuk e plotësojnë numrin e kërkesave”.

“Krahas kësaj, janë zhvilluar edhe institucionet private të arsimit parashkollor, por që gjithashtu edhe me këto institucione, edhe pse është rritur numri, nuk i përmbushin nevojat e fëmijëve për përfshirje në sistem. Gjithsej në Kosovë janë 42 institucione parashkollore. Për kopshte nevojat janë shumë të mëdha, e posaçërisht në Prishtinë",
 thotë Kadriu.

Ndërkaq, prindërit e fëmijëve parashkollorë mendojnë se, përpos vështirësive për t’i regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe, edhe kushtet që ofrohen në institucione parashkollore publike nuk janë në nivel të duhur.

Dafina Kastrati është nënë e një vajze 4 vjeçe, e cila flet për çerdhet.

“Çerdhet që ofrohen nga komuna, janë të pakta dhe nuk mjaftojnë për numrin e fëmijëve që janë në qytete. Është shumë e vështirë ta regjistrosh fëmijën aty dhe unë personalisht kam pasur shumë vështirësi, edhe pse më në fund kam arritur ta regjistroj vajzën time në çerdhen e lagjes. Sa i përket cilësisë, nuk janë kushedi sa mirë.  Edukimi i edukatoreve nuk është në nivelin e duhur. Dhe, mendoj se merren aq shumë sa për t’i përgatitur fëmijët për shkollë”.

Këshilltarja Drita Kadriu thotë se e kanë parasysh faktin se sa i përket edukimit të fëmijëve nuk është duke u bërë aq sa duhet. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se do të bëhet së shpejti një zgjidhje.

“Në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit është përgatitur programi që është akredituar për studime të larta për edukatorë të nivelit 0- 3 e që përveç kujdesit, do të ofrojnë edhe pjesën edukative për fëmijët e kësaj moshe”,shpjegon Kadriu për Radion Evropa e Lirë.

Për mungesë institucionesh parashkollore, kanë reaguar edhe zyrtarë të organizatave që merren me të drejtat e grave.

Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se është shtruar nevoja e ndryshimit të politikave nga institucionet, në mënyrë që të rritet numri i çerdheve në vend.

“Gratë nuk kanë mundësi t’i dërgojnë (fëmijët) në çerdhe, sepse numri është shumë i kufizuar. Andaj, pa u ndryshuar politika dhe pa mbështetje për gratë që kanë nevojë për çerdhe për fëmijët e tyre,  gratë do të duhet të zgjedhin mes punës apo familjes”, konsideron Vuniqi.

Sidoqoftë, Drita Kadriu thotë se sipas strategjisë së arsimit parauniversitar 2011-  2016, parashihet rritja e numrit të çerdheve. Por, nga ai vit, deri tash ende nuk është vënë ndonjë gurthemel. Ajo shton se janë në kërkim të donatorëve në mënyrë që ta zbusin situatën aktuale.

Ariana Kasapolli - Selani

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Kush flet për fëmijët?

Respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, thonë zyrtarë që merren me këtë problematikë. Sipas tyre, edhe pse është punuar në hartimin e ligjeve për të drejtat e fëmijëve, ato nuk po zbatohen në tërësi.

Në një konferencë të Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve KOMF, thuhet se mbrojtja e mirëqenies së fëmijëve është obligim i gjithë shoqërisë, por edhe institucioneve të Kosovës që luajnë një rol kyç për mbrojtjen e fëmijëve dhe në adresimin e shkeljeve të të drejtave të tyre.

Blerta Perolli - Shehu, drejtuese e KOMF-it, jep më shumë hollësi:

“Jemi duke implementuar projektin ‘Kush flet për mua’, që është një aksion i përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, që financohet nga UNICEF-i, Terres de Homes, Save the Children dhe përqendrohet në katër objektiva”.

“Objektivat janë kontributi në avancimin dhe monitorimin e kornizës ligjore, politikave , strategjive kombëtare dhe standardeve që lidhen me të drejtat e fëmijëve, fuqizimin e mekanizmave mbrojtës në Kosovë duke avokuar dhe lobuar në zhvillimin e formave më të qëndrueshme alternative për të drejtat e fëmijëve”.

“Gjithashtu, kontributi në promovimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë përmes komunikimit dhe ngritjes së vetëdijes së akterëve kyç dhe fuqizimin e vetë anëtarëve të koalicionit dhe vetë koalicionit drejt reagimit ndaj shkeljeve të drejtave të fëmijëve dhe promovimit të këtyre të drejtave”.

Ilustrim
Se respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, e thotë edhe Suzana Novobërdaliu, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në Parlamentin e Kosovës.

Sipas Novobërdaliut, edhe pse është punuar në hartimin e ligjeve për të drejtat e fëmijëve, ato nuk zbatohen në tërësi.

“Me të drejtat e fëmijëve, nuk jemi në një pikë të mirë, mund të them se Kosova ka punuar këto pesë vjetët e fundit, duke hartuar ligje, legjislacione, kode, por që nuk zbatohen tërësisht. Fëmijët shihen në rrugë duke shitur, gjithashtu dallimi është edhe te cilësia e arsimimit mes arsimit publik dhe atij privat, e që shihet si diskriminim, pasi që dhuna në shkollat publike është më madhe se në ato private, siç është edhe kualiteti më i mirë në shkollat private se në ato publike”.

“Pse të mos jetë një sistem i arsimimit i njëjtë për të gjithë?! Pastaj te fëmijët me aftësi të kufizuara ka diskriminim. Mendoj se duhet ende të punohet në këtë drejtim për të drejtat e fëmijëve”,
 thotë Novobërdaliu.

Numri i fëmijëve që kryejnë punë të ndryshme, e që janë në kundërshtim me Ligjin dhe Konventën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, është mjaft i madh. E gjithë kjo situatë e krijuar, bën që këta fëmijë të jenë të ekspozuar karshi elementeve të ndryshme të shfrytëzimit dhe trafikimit, kanë deklaruar  zyrtarë nga organizatat joqeveritare për të drejtat e fëmijëve.

Donjeta Kelmendi, zyrtare në KOMF, bën të ditur se gjendja në Kosovë sa i përket të drejtave të fëmijëve, nuk është e mirë dhe nuk është në nivelin e kënaqshëm.

“Situata nuk është e kënaqshme, sepse duke filluar nga institucionet që punojnë për mbrojtjen e  fëmijëve hyn edhe çështja e prioriteteve dhe mbrojtja e fëmijëve nuk është prioritet nga institucionet e vendit. Nuk mund të ofrojnë në mënyrë kualitative shërbime për mbrojtjen e fëmijëve”.

“Institucionet që punojnë në nivel lokal janë të mandatuara me ligj për mbrojtjen e fëmijëve dhe nëse përmendim Qendrën për punë sociale dhe ato janë të kufizuara, qoftë financiarisht, po ashtu edhe në aspektin e burimeve njerëzor
e”, thekson Kelmendi.

Ajo shton se nuk ka ndonjë grant specifik shtetëror që të shfrytëzohej për mbrojtjen e fëmijëve, e që ka qenë një kërkesë e organizatës KOMF, e bërë në vazhdimësi, drejtuar edhe Ministrisë së Financave, ndërsa, siç thotë ajo, derimë tani nuk ka rezultuar pozitivisht.

Ariana Kasapolli - Selani

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Kultura e sporti, më interesant se politika


Të rinjtë kosovarë, të cilët një pjesë të madhe të kohës së lirë e kalojnë në internet, tregojnë se janë të interesuar të dinë për zhvillimet politike në vend, por më shumë kanë interes për kulturën dhe sportin.

Kurse, sa i takon informimit për ngjarjet ndërkombëtare, ata thonë se herë pas here interesohen dhe për ngjarjet qq ndodhin në botë.

Arbenita Abazi nga qyteti i Ferizajt, e cila studion në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arkitekturës, thotë se dëshiron të dijë për politikën, por jo në atë masë sa t’i marrë shumë kohë politika.

“Më intereson politika, po më shumë në përgjithësi. Do të thotë i di gjërat të gjitha nga pak, përgjithësisht, jo diçka shumë në detaje. Dua të di për vendin tim, kush po udhëheq, çka po ndodh. Tash, së fundmi, kanë qenë zgjedhjet. Kurse nga bota, ne jemi studentë dhe duam të dimë me shumë për ndonjë universitet, për të dalë dhe studiuar jashtë vendi”, thotë Arbenita.

Kurse, Vjollca Berisha, e cila studion në Fakultetin Juridik, thotë se më shumë ka interes të informohet për kulturën në përgjithësi:

“Zakonisht, më interesojnë më shumë lajmet nga kultura, shou-bizi, art edhe pak a shumë edhe nga politika, meqë ka shumë zhvillime të hovshme. Megjithatë, nganjëherë është më mirë edhe më relaksuese të fokusohemi te lajmet jo shumë të rënda, siç është kultura etj. Edhe nga arena ndërkombëtare ka interesim për shembull politikat e Bashkimit Evropian për të tjerat jo shumë”.

Një mendim ndryshe ka Egzon Dragusha. Ai tregon se interesimin më të madh për t’u informuar e ka vetëm për çështjet që kanë të bëjnë me sportin.

“Unë më shumë kam interesim për sport, teknologji e ca gjëra të tjera, por kryesisht për sportin 90 për qind, pra edhe për sportin vendor dhe ndërkombëtar. Kur flas për sportin ndërkombëtar më shumë kam interes për italianët edhe për vendet e tjera, pa marrë parasysh. E përcjelli futbollin dhe jam futbollist”, tregon Egzoni.

Kurse, studenti i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Atdhe Sahiti, thotë se tash për tash interesin më të madh për t’u informuar e ka vetëm për gjërat që kanë të bëjnë me ekonominë.

“Unë kryesisht kam interesim për ekonomi dhe politikë, pasi që kam vendosur të studioj për ekonomi, më intereson çka po ndodh me ekonominë në botë dhe në Kosovë. Për shembull ndryshimet, kriza ekonomike, GDP-ja jonë, kur do të marrim donacione. Me shumë më intereson çka lidhet edhe me fakultetin tonë. Edhe për politikën - tash që ishin zgjedhjet kemi qenë pak a shumë më të fokusuar në ato zhvillime kush çka po premton, programet e tyre etj”, shprehet Atdheu.

Ndërsa, Zeneli një nxënësi i Shkollës së mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë, thotë:

“Më shumë për sport kam interesim, kah politika nuk hyj shumë. Pra, kam interes për gjëra të reja”.

Andi Dragusha, nxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” tregon se për dallim që nuk ka ndonjë interesim për politikë ndërkombëtare, politika dhe zhvillimet në vend, i interesojnë. Për zhvillimet thotë se informohet kryesisht nga portalet e ndryshme.

“Për dallim nga çështjet e tjera, lajmet më interesojnë, sepse ke nevojë të dish se çka po ndodh këtu brenda. Kurse sa i takon botës, më intereson më shumë çka thonë ata për Kosovën”, thekson Andi.

Kultura vendore dhe ndërkombëtare është ajo që i intereson studentit nga Ferizaj, Armend Sherifi:

“Unë për vete kam interesim për shou-biz, nga vendi dhe bota, politikë jo edhe shumë. Me intereson për artistët dhe projektet e tyre”.


Arton Konushevci
arton.konushevci@gmail.com
Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Të rinjtë "imunë" nga AIDS

Kosova numëron 90 persona të prekur me HIV/AIDS. Nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë në Kosovë, deri tash kanë vdekur 40 persona.

Sipas epidemiologëve, mosha më e përfshirë me HIV/AIDS është 25 -34 vjeç, derisa, sipas tyre, në aspektin gjinor, 69 për qind janë meshkuj.

Por, sa janë të informuar të rinjtë lidhur me virusin e HIV- it , dhe sëmundjen e AIDS-it, flasin ata vetë në rubrikën tonë të përjavshme VOX.

Sadet Rexhepi, student, thotë se sa i përket këtij virusi, nuk ka njohuri të gjerë:

“Nuk jam shumë i informuar për virusin HIV/AIDS. Por, me sa e di , kjo sëmundje përhapet përmes marrëdhënieve seksuale. Sa i përket testimit, asnjëherë nuk kam bërë testim”.
Ilustrim
Ndërsa, Bujar Shabani, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se e di çka është HIV/AIDS , derisa shton se sa i përket testimit për këtë infeksion, ai asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Përmes mjeteve të informimit jam informuar. Nuk e di aq mirë, por për aq sa di, përhapet përmes gjakut ose marrëdhënieve. Sa i përket testimit, kam dëgjuar që testimi bëhet falas, por unë personalisht asnjëherë nuk e kam bërë testimin edhe pse e di që është falas”, shprehet Bujari.

Agnesa Uka, nxënëse e klasës së 11 të , në shkollën ‘’Mehmet Akif" , thotë se është informuar në shkollë për këtë sëmundje:

“Veç në shkollë çka kemi mësuar, ose në internet. Kjo sëmundje bartet përmes marrëdhënieve, gjakut. Sa i përket testimit, nuk e kam bërë asnjëherë se konsideroj se nuk kam nevojë”.

Ndryshe, Java Evropiane e Testimit për HIV, në Kosovë këtë vit është bërë që nga data 22 deri më 29 nëntor.

Mbi 370 organizata dhe institucione në Evropë kanë pranuar këtë nismë, e cila ka për qëllim të ngrejë vetëdijen për dobitë që sjell testimi, për virusin vdekjeprurës HIV.

Motoja e Javës së parë Evropiane të Testimit për HIV është: Flisni për HIV-in, bëni testet për HIV-in.

Ndërkaq Alketa Syla, studente në Fakultetin e Aktrimit, pohon se ka lexuar shumë për këtë sëmundje dhe është mirë e informuar:

“E di që është dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së AIDS-it. Është sëmundje që bartet përmes marrëdhënieve seksuale, por edhe mënyrave tjera. Unë kurrë nuk kam bërë testim. Nuk më është dukur se kam mundur të infektohem. Kam lexuar për sëmundje të ndryshme si për kancerin, por edhe për HIV-in, por sipas asaj që kam lexuar për simptomat e sëmundjes, nuk kam pasur nevojë të bëj test”.

E Dhurata Hoti, studente në Fakultetin e Dramaturgjisë, nuk e di se sa është e përhapur si sëmundje në vendin tonë, por ajo thotë ka informata lidhur me HIV/AIDS-in.

“HIV/AIDS është sëmundje që bartet seksualisht, përmes gjakut. Nuk kam informacione sa është e përhapur në vendin tonë. Nuk kam bërë testim për vete, sepse mendoj se s’kam pasur nevojë”, thotë Dhurata.

Edhe Butrint Kelmendi, student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik, mendon se është mirë i informuar lidhur me HIV/AIDS-in, por që mendon se për vete nuk ka nevojë të bëjë testim.

“Mendoj se jemi të informuar dhe kemi masat mbrojtëse rreth saj. Kjo është sëmundje që merret përmes aktit seksual, pa masa mbrojtëse. Nuk kam bërë test, nuk kam nevojë”, shprehet Butrinti.

Sidoqoftë, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se që në vitin 2003 ka filluar puna në Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005 ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me HIV.

Këto qendra ofrojnë sot shërbime falas dhe deri tani në këtë qendër janë testuar dhe këshilluar më shumë se 3 mijë klientë.


Ariana Kasapolli - Selani
arianakasapolli@gmail.com
Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Varen nga familja dhe shpenzojnë shumë


Shumë prej të rinjve, financiarisht varen nga familja dhe shpenzojnë shumë, duke mos ditur se ku dhe si i shpenzojnë mjetet e tyre që familja ndan për ta.

Kështu thonë disa të rinj të anketuar për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë.

Ata flasin rreth shpenzimit të parave që kanë në dispozicion në ditë apo në muaj.

Më së shumti paratë i shpenzojnë në kafiteri dhe shumë pak për të blerë ndonjë libër që u duhet për studime. Disa prej tyre thonë se i huazojnë librat dhe paratë më shumë i shpenzojnë për t’u argëtuar me shokë.

Leonik Ahmetxhekaj është student i Fakultetet Ekonomik. Të gjitha mjetet financiare ia siguron familja, të cilët punojnë si shërbyes civilë në institucionet e Kosovës. Shpenzimet thotë se nuk i ka të shumta dhe që janë minimale për një student.

“Kam të caktuar për çdo ditë sa shpenzoj, ndoshta më shumë e ndoshta më pak për një ditë. I shpenzoj për bukë, kafe dhe cigare. Financohem nga prindërit, në ditë i shpenzoj deri në 5 euro dhe jo më shumë”, thotë Leoniku.
Ilustrim
Shumën e mjeteve që këta të rinj shpenzojnë brenda ditës e diktojnë edhe çmimet e produkteve të konsumit, të cilat në Kosovë vlerësohet të jenë të larta dhe që vazhdimisht nga muaji në muaj shënojnë ngritje.

Kjo ngritje e çmimeve, thonë të rinjtë, po u pamundëson atyre që të kenë shpenzime të vogla. Thonë se është e pamundur që t’ia dalësh të jetosh me pak para.

Antigona Nexhibi, njëzet vjeçe, të cilën e takuam derisa po dilte nga një dyqan rrobash, thotë se gati të gjitha paratë i shpenzon për veshmbathje derisa paratë për shpenzimet e saj ia sigurojnë prindërit. Prindërit e saj thotë se kanë një biznes.

“I kemi të caktuara shpenzimet, shpenzoj më shumë për veshmbathje, dalim me shoqëri në kafiteri, shpenzoj deri në 20 euro në ditë. Jam shpenzuese e madhe. Mjetet financiare për shpenzime i marr nga familja”, tregon Antigona.

Prindërit, të cilët financojnë fëmijët e tyre, nuk e kanë aspak të lehtë t’i sigurojnë paratë. Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë dhe ato mbi 30 për qind.

Ndërkaq, për ata që punojnë, të ardhurat mujore janë të ulëta. Paga neto te shumica e punonjësve kosovarë, sipas të dhënave zyrtare është 300 deri 400 euro në muaj.

Numri i të punësuarve në nivel vendi arrin mbi 300 mijë persona.

Rinor Hoxha, student në Fakultetin e Elektroteknikës, thotë se për shpenzimet e tij ditore, përkujdeset familja. Thotë se si student nuk mund t’iu ikë shpenzimeve, pasi që tërë ditën është në fakultete dhe në pauzat që ka ndërmjet ligjëratave, i duhet të ketë para që të dalë diku.

“Gjatë ditës i shpenzoj deri në 10 euro. Mbushje telefoni shpenzoj shumë, për ushqim shpenzoj deri në 5 euro, kafe me shoqëri dhe kështu”, thotë Rinori.

Ndryshe nga këta të rinj, Besa Ajvazi, studente, punon dhe paratë për shpenzimet e saj ditore, i mbulon vetë. Por, se paga që ajo merr, është e pamjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet, kështu që nganjëherë ndihmohet edhe nga prindërit:

“Unë punoj vetë dhe financohem edhe pak nga prindërit. Gjëra të përditshme të domosdoshme. Kam veturë dhe më bie të udhëtoj me të për të shkuar në punë, kjo bën që edhe të shpenzoj më shumë në ditë, deri në 30 euro”.

Derisa Naim Sogojeva, një i ri 21-vjeçar, punon dhe nuk studion. Ndryshe nga të rinjtë e anketuar, ky i ri mban familjen me paratë që ai i fiton nga puna e tij. Shpenzon pak për vete, e ndihmon më shumë familjen.

“Punoj në një parking në kryeqytet dhe jetoj me ato të ardhura, ndihmoj familjen me ato para dhe pak shpenzoj për veten”, shprehet Naimi.

Papunësia te të rinjtë, si në raportet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare së fundi, është konsideruar një problem mjaft i theksuar në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15 - 24 vjeç.

Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Granti Gjocaj është 19-vjeçar. Thotë se financohet më së shumti nga vëllai, i cili punon në Austri:

“Për kafe shpenzoj më së shumti. Vëllai nga Austria dhe babai më përkrahin financiarisht. 10 euro në ditë, blerje bëj më shumë”.

Edona, studente e Fakultetit të Mjekësisë, thotë se familja e saj qëndron mirë financiarisht dhe se ndihmohet nga familjarët.

“Unë jetoj në Prishtinë, nuk kam nevojë të paguaj qira, por gjithçka që shpenzojë gjatë ditës, është ushqimi, kafetë dhe ndonjë libër kur e blej”, thekson Edona.

Ndërkaq, Leotrimi, një i ri i ardhur nga Gjermania, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se as vetë nuk e di se si i shpenzon mjetet financiare që familja ndan për të:

“Nuk e di si më shkojnë paratë, nuk di as ku i shpenzoj, por e di që shpenzoj shumë, çdo ditë e më shumë”.



Luljeta Krasniqi - Veseli
krasniqiveseli@gmail.com
Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...