Agjencioni floripress.blogspot.com

2024/02/17

Evin KristaqRama- ERion Veliaj, ”vëllezërit” siamezë në Partinë Socialiste !

 



(Ky editorial shikohet më i plotë si video, ndaj kliko)

Dje ishte mbledhja e Asamblesë Kombetare të PS-së, ku Edi Rama foli pas takimit me tone autokritike për punën e PS-së, në raport me atë që duhet të arrijnë dhe jo që vihet në diskutim fitorja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Për shumë arësye opozita ose më saktë PD e ndarë në disa copa e ka shumë të vështirë ti fitojë zgjedhjet e ardhshme. Mbi të gjitha nuk ngjall akoma shpresë dhe besim në popull që të mund të rrëzojë kryeministrin Rama.

Ndaj edhe mbledhja e Asamblesë socialiste ishte analizë e ftohtë se si mund të jenë më afër një fitore historike prej 94 mandate deputeti.


Në një parti ka përherë debate, analiza, ndryshime dhe sugjerime se si mund të ngrihet më lart forca politike.

Nuk po flasim për partinë demokratike, pasi, fatkeqësisht, nuk po e merr veten sepse janë në gjueti shtrigash brenda shtëpisë së tyre politike. Por në PS, Edi Rama, duke qenë edhe kryeministër dhe njeri që nuk kënaqet me asgjë të arritur, por kërkon gjithnjë e me shumë, pra kishte analizë dhe jo lëvdata.

Pas mbledhjes pati lajme të pakonfirmuara, por të ekzagjeruara, se kryeminiëstri kishte kritikuar kryebashkiakun e Tiranës. E vërteta, sipas deputetëve të PS, është se kishte kërkesa se si mund të bëjmë më mirë punën organizative, sidomos në zonën e Kavajës. Të mos harrojmë se të fitosh në Kavajë mbetet pothuaj e pamundur, edhe sikur të kandidojë vetë Edi Rama apo Erion Veliaj. Ajo është zonë bastion i së djathtës dhe nuk ka shpresë për të konvertuar në të majtë. Bile e mira e do që PS-ja të mos kërkojë të kthejë krejt Shqipërinë në të kuqe, pasi më pas nuk do të kemi më pluralizëm e demokraci.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një intervistë, ka folur në lidhje me Asamblenë e PS të mbajtur ditën e djeshme.

Ai u shpreh se trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër , ndërkohë që 1/3 e deputetëve në Parlament janë nga qarku i Tiranës.

Ai shtoi se ka disa pjesë që duhen ndryshuar në mënyrë që të jenë gati për zgjedhjet e përgjithshme të 2025.

“Si partia më e madhe qeverisëse, kjo është një parti që kalitet. Kemi kaluar në sitë të gjithë organizatat e partisë. Në qarkun e  Tiranës voton 1/3 e popullsisë së vendit, 1/3 e Parlamentit të Shqipërisë do të jenë në qarkun e Tiranës, përgjegjësia jonë është më e madhe. Trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër.

Siç e parashtrova para asamblesë je, ka disa pika ku duhet të bëjmë disa korrigjime që të jemi gati për 2025” –shtoi Erion Veliaj.

Por për të qenë korrekt me të vertetën, të drejtosh punën politike në një qark ku është një e treta e popullsisë së vendit dhe ku në gjysmën e territorit të qarkut është një popullsi demokrate, realisht është një sforcë e madhe, duhet një punë titanike.

Të fitosh në Vlorë, Fier, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës etj, nuk është ndonjë sakrificë e madhe partiake, kurse në kryeqytet, apo në krejt qarkun e Tiranës, duhet përkushtim dhe stërmundim.

Por nëse shikon ftohtë marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, ato janë si dy vëllezër siamezë, të lidhur pazgjidhshmërisht me njeri tjetrin e ku fitorja e njërit forcon tjetrin, dhe anasjelltas.

Ndaj opozita e Berishës nuk duhet të shpresojë në ndonjë përcarje mes Ramës dhe Veliajt që të luten se kështu ju vjen pushteti. Opozita duhet të rritet dhe të jetë e besueshme, pasi bën mirë për demokracinë e vendit, por edhe që mban të karikuar për punë qeverisjen.

Opozita të merret me datën 20 shkurt që të shikojmë sa njerëz vijnë në këtë protestë!

Sa njerëz do të mbledh 20 shkurt 2024 në Tiranë?

 


(Ky editorial mund të shikohet më i plotë si video ndaj kliko)



Të gjithë në PD te Berishës dhe në partitë  në koalicion me ish-kryeministrin në arrest, i kanë drejtuar shpresat tek data 20 shkurt, ku kanë thirrur njerëz kundër kryeministrit Rama.

Të gjithë po shkojnë në çdo rreth duke i kërkuar të nisin një djalë për në përballje me Edi Ramën në Tiranë.

Të gjithë mendojnë se me 20 shkurt do të bëjnë namin në kryeqytet.


Të gjithë demokratët po marrin mesazhe në celular se duhet të jenë me 20 shkurt në Bulevardin kryesor të Tiranës.

Ka sms nga selia blu ku thuhet se “me 20 shkurt bie Edi Rama”, apo sms si kjo “merrni çka keni e me zetora hajdeni në Tiranë”.

Pra Berisha shpreson se me 20 shkurt e rrëzon kryeministrin.

Por pyetjet për këtë datë 20 shkurt janë një varg me pikëpyetje!

Si mund ta rrëzojnë Edi Ramën me 20 shkurt?

Çfarë do të bëjnë me 20 shkurt; protestë, revolucion, demonstratë apo do të tentojnë të hyjnë në kryeministri si në shtatorin e vitit 1998?

Apo do të shkojnë të flasin disa drejtues të PD dhe mëpas do ju thonë, siç thoshte dikur Lulzim Basha se “shkoni në shtëpi se tani e rrëzuam Edi Ramën”, e ku ndërkohë kryeministri pinte kafe me banorët e Surrelit apo si pra, zotërinjë të grupit Berisha, a do të qëndrojnë ditë natë protestuesit në sheshin para zyrës së kryeministrit?

Nëse me datë 20 shkurt mblidhen 100 mijë veta, qeveria e Edi Ramës merr goditje të fortë publike dhe politike.

Por a do të jenë 100 mijë veta? Zor se vijnë!

A do të mund të vijnë demokratët e zhgenjyer si përherë që i thërrasin dhe me pas i nisin në shtëpi?

A besojnë më demokratët se prapë nuk do ti përdorin siç kanë bërë tash sa vite?

A besojnë vertetë demokratët se deputetët dhe drejtuesit e PD-së së Berishës janë në një mendim apo ka prapë grupazhe që synojnë ti marrin PD-në për të dytën herë Berishës?

Ndaj 20 shkurti mbetet dilemë e madhe për këdo. Shumë veta mendojë se data 21 shkurt do të jetë dita kur bashkia e Tiranës do merret me pastrimin e asaj që do të prodhojë 20 shkurti!

Dhe vetëm kaq!

Vdekja e Navalnyt, reagon BE: Rusia përgjegjëse e vetme për këtë tragjedi

 


Bashkimi Europian ka reaguar ditën e sotme lidhur me vdekjen e ish-liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili ndërroi jetë papritur në ambientet e burgut në Siberi.

Teksa Kremlini ka njoftuar se nuk ka informacion lidhur me vdekjen e tij, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michelka akuzuar Rusinë si përgjegjëse, duke shkruar se luftëtarët vdesin, por lufta për liri nuk mbaron kurrë.

“Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij, ai bëri sakrificën e fundit. BE-ja e konsideron regjimin rus si përgjegjës të vetëm për këtë vdekje tragjike. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij. Dhe atyre që luftojnë për demokraci në mbarë botën në kushtet më të errëta. Luftëtarët vdesin. Por lufta për liri nuk mbaron kurrë”, shkroi në “X” Michel.

“Gjaku i tij është në duart e tua Vladimir”, plasin protestat në të gjithë Rusinë për vdekjen e Navalnyt!

 

Autoritetet ruse kanë arrestuar më shumë se 100 persona më 16 shkurt në 10 qytete ruse, sipas OVD-Info, përderisa qytetarët në mbarë vendin kujtuan politikanin opozitar, Aleksei Navalny.

OVD-Info tha se 56 persona u dërguan në mbajtje në disa qarqe të Shën Petersburgut, ku policia shpërndau njerëzit që ishin mbledhur. Një fotograf i Novaya Gazeta dhe një korrespondent i RusNews ishin në mesin e të arrestuar.

Edhe 15 të tjerë u arrestuan në Nizhni Novgorod dhe 11 në Moskë, shkroi në ueb-faqe OVD-Info, duke përmendur numrin dhe emrat e të gjithë të arrestuarve. Në shtatë qytete të tjera, po ashtu ka pasur të arrestuar, sipas OVD-Info. Në Moskë, policia doli në monumentin për viktimat e shtypjes politike që gjendet në sheshin Lubjanka.

Në Novosibirsk, një banore lokale mbajti në duar një poster ku shkruante “Kush e ka radhën”. Policia e mori në pyetje, por nuk e arrestoi. Por, ndryshe ngjau me një grua në Murmansk, e cila po ashtu mbajti një protestë me një person – protestë e lejuar nga autoritetet ruse – dhe mbajti një pankartë ku shkruhej: “Gjaku i tij është në duart tuaja, Vova”, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas News Beware, ajo u arrestua.

Policia bllokoi një memorial në Novosibirsk, sipas postimeve në Telegram. Në Uljanovsk, njerëz me rroba civile hoqën lulet e vendosura pranë një fotografie të Navalnyt.

Një person është arrestuar edhe në Minks të Bjellorusisë. SOTA raportoi se Dmitry Kuchuk, lider i partisë së ndaluar të Gjelbërve u arrestua teksa tentoi të vendoste lule në një memorial për Navalnyn para Ambasadës ruse.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj. Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit. Presidenti amerikan ka bërë përgjegjës Putinin për vdekjen e raportuar të Navalnyt.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë. Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

Gruaja e Navalnyt mbajti fjalimin, gjesti i Aleksandër Vuçiç-it “rrëmben” vëmendjen

 


Fjalimi i gruas së Alexei Navalni, Yulia Navalnaya, mbajti fjalimin e saj gjatë konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila u shoqërua me duartrokitje nga pjesëmarrësit.

Por ajo që tërhoqi edhe më shumë vëmendje ishte presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili nuk duartrokiti pasi ajo përfundoi fjalimin.

Pasi ajo përfundoi fjalën u largua nga skena dhe më pas të gjithë u ngritën në këmbë duke duartrokitur.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ishte ulur në rreshtin e parë, por ishte ndër të fundit që u ngrit në këmbë, por nuk iu bashkua duartrokitjeve.

Në vend të kësaj, ai rregulloi kufjet e tij dhe vazhdoi të qëndronte në këmbë duke vëzhguar rreth e qark.

Yulia Navalnaya mbajti fjalimin për vdekjen e bashkëshortit të saj opozitarit rus Alexei Navalny. Ajo tha se se ende nuk po mund t’u besonte raportimeve.

“Ju sigurisht e keni kuptuar lajmin e tmerrshëm. Nuk e di nëse ende duhet ta besoj këtë. Por, nëse raportimet janë të vërteta, atëherë dua që Putini dhe aleatët e tij ta dinë se do të jenë përgjegjës për gjithçka që i kanë bërë familjes time dhe vendit”, deklaroi.

Jeta dhe vepra e Çajupit, në një dokumentar të plotë! Njohja e shkrimtarit me Evgjeninë dhe vdekja e saj



 

13:58 - 30.10.23a.d

FIORELA KATROSHI/ Në ambientet e Akademisë së Shkencave u dha premiera e filmit dokumentar “Çajupi, Poeti i Atdheut, Poeti i Dashurisë”. Ky film me skenar dhe regji nga Eli Bici ishte mbështetur në kolanën e librave të Çajupit nga akademikët Jorgo Bulo dhe Rexhep Qosja.



“Vepra e Çajupit ngjan me një sënduk të madh që sa herë ta hapësh, nxjerr nga një xhevahir. Dhe nga ky sënduk realizuesit shkëputën një tufë poezi, të menduara si arritje përsosmërie artistike, por që përkojnë me periudhat e vështira të fund rilindjes dhe fillim realizmit të kombit shqiptar”, – u shpreh autorja e veprës.

Poezitë erdhën në formën e mikrofilmave me të gjithë komponentët, në videot, audiot, muzikën, montazhin, që mbajnë emrat e Shkëlzen Sinanit, Pranvera Katit dhe Endrit Xibrit. Filmi u prit me emocion dhe duartrokitje në sallën e mbushur plot. Andon Zako Çajupi lindi më 27 mars 1886 në Sheper të Zagorisë dhe u nda nga jeta më 11 korrik 1930 në Kajro, Egjipt, në moshën 64- vjeçare. Ai ishte atdhetar, rilindës, poet romantik dhe dramaturg. Çajupi ka shkruar “Baba Tomorri”, “Pas vdekjes”, “14 vjeç dhëndër” dhe disa vëllime me poezi lirike dhe patriotike. Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç’arsye ai përdori edhe formën Zako.

Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku kreu dhe një shkollë gjysmë të mesme greke. Po shkolla më e madhe e vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së jetës dhe të shpirtit të popullit, të gëzimeve dhe të brengave të bashkëfshatarëve të tij. Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë.

I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekur një kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës, Zoicës dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle, që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut.

Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studioi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendëse, Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur por edhe fatkeq, sepse vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronditi thellë poetin dhe i la vragë të thellë. Ajo u bë shkak që pas dhjetë vjetësh të shkruante elegjinë “Vaje”, një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë.

Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Por prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një procesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare.


 Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me “Shoqërinë e Stambollit”. Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit.

Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare. Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë “Duke kërkuar një alfabet”, në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar.

Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900-ën. Vjershat patriotike dhe luftarake të “Baba Tomorrit” frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet e mëdha që i sollën pavarësinë Shqipërisë më 1912-ën.

Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim, u duk se iu hap udha për t’u kthyer në mëmëdhe, por Lufta e Parë Botërore dhe trazirat e mëvonshme e shtynë larg këtë shpresë. Megjithatë, ai i ndiqte nga afër ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë në krah të forcave përparimtare e demokratike. Më 1919-ën, Çajupi ishte në ballë të përpjekjeve të shqiptarëve të Misirit për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes që mblidhej në Paris.

Ai dënoi qeverinë e Durrësit, që ishte vegël e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi përpjekjet e feudalëve tradhtarë për ta bërë Shqipërinë çiflig të tyre e për ta nxjerrë në ankand sipas interesit. Me këto qëndrime, ai thelloi demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në letërsinë shqiptare.

Parabola postmoderne, Instituti Albanologjik, Prishtinë

Proza e Rexhep Qosjes shënon një fazë të re në letërsinë shqipe, një fazë letrare që para prozës së tij mungonte në letrat shqipe. Fjala është për postmodernizmin, ky formacion letrar që dominon në letërsinë e pasluftës së Dytë Botërore, pavarësisht që burimin e përdorimit të tij si term e ka qysh në vitin 1870, ku paraqiste një fenomen që i kundërvihej modernizmit. Postmodernizmi shquhet për veçanti të ndryshme në tema, motive, rrëfim dhe aspekte të ndryshme, duke pasur në qendër kombinimin. Rexhep Qosja duke i vënë themelet e postmodernizmit në letërsinë shqipe shkruan tri vepra që ndërlidhen mes tyre, pra, një trilogji me titujt: "Vdekja më vjen prej syve të tillë", "Një dashuri dhe shtatë faje" dhe "Nata është dita jonë". Tek "Vdekja më vjen prej syve të tillë", tregimi i tretë në radhë është tregimi me titullin "Trilogjia". Qosja jo rastësisht e bën këtë gjë. Ky tregim është de facto një tregim referencial pasi përmes personazhit kuptohet tendenca e autorit për të shkruar një trilogji të veten që do të jetë vepër madhore në krijimtarinë e tij. Tregimi na e jep qartë këtë konstatim, ku Qosja me stilin e tij unik, përmes alegorisë, paraqet unin e tij të pasqyruar me figurën e Nderimit të Musës, i cili në tregim, nga ana e narratorit, paraqitet si një prozator i njohur, që është anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve që nga mosha njëzet e njëvjeçare. Për ta parë edhe më qartë referencën direkte që bart kjo me figurën e vetë autorit po citoj pjesën kur përshkruhet jeta, ambienti dhe qëllimi i personazhit. “Ishte rritur në një familje së cilës i kishin munguar edhe qylymi në dysheme, edhe hallva e buka e grurit natën e madhe, por atëherë nuk ishte ankuar se as të tjerët s’i kishin të gjitha. Në qoftë se atëherë mund të jetohej edhe ashtu, se kurrkush s’e tregonte me gisht, në këtë kohë nuk ishte e thënë të vuante edhe për gjërat për të cilat nuk vuanin disa prej kolegëve të tij, që e kishin kaluar lumin edhe qeshnin në breg. Ia merrte mendja se veprat e rëndësishme artistike nuk i kishin bërë ata që kishin jetuar për gazep dhe nuk ngurronte të pohonte se Mikelangjeloja, Bethoveni, Gëteja, Tolstoi dhe Pikasoja, kishin bërë ç’kishin bërë pse s’e kishin lodhur kokën për ato për të cilat detyrohej ta lodhte ai. E Nderimi donte të krijonte një vepër të rëndësishme, të madhe, një vepër për krijimin e së cilës i duheshin edhe koha, edhe gjatësia, edhe hapësira, edhe mirëkuptimi i të tjerëve. Këtë vepër madhore, monumentale, jetësore, ai e quante trilogji”. (Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rilindja, Prishtinë, 1980) Qosja në këtë tregim përveç alegorisë luan me simbolika, veçanërisht me simbolikën e numrit tre. Përveç trilogjisë në domenin e tri veprave të lidhura njëra me tjetrën, përmenden tri personazhet, pra, në qendër të tri librave të Qosjes janë tri personazhe kryesorë në secilin prej tyre. Qosja luan me numrin tre duke e bërë simbolikën kryesore të tregimit. Përmend shtëpinë e vjetër me tri kate, familjen me tri anëtarë, tri kate, tri dhoma, tri pikturat, tri skulpturat etj. Përmes alegorisë së trilogjisë Qosja paraqet synimin e tij për të ndërtuar një vepër trilogjike që do të pasqyrojnë dukuritë e ndryshme të natyrës filozofiko-etike, me strukturë moderne psikologjike, duke vënë në shënjestër virtytet dhe veset e shoqërisë së kohës në të cilën jeton. Gjithë ambienti dhe shoqëria kamuflohet përmes rrëfimit të një narratori të gjithëdijshëm dhe sillet përreth personazhit të Nderimit të Musës (alteregoja e Qosjes), ndërsa papagalli është simbol tjetër, përmes të cilit Qosja pasqyron idenë. Në planin ideor, dy papagajt e shtëpisë janë dy narratorët e dy romaneve të parë, që bartin idetë përfaqësuese të romanit, kurse papagalli i tretë është zëdhënës i autorit. Kështu, papagalli i katit të pare thotë: Vuajtja. Pra, ai e thotë idenë kryesore të romanit të pare: Vuajtja nga okupatori. Papagalli i dytë thotë: dashuria është smirë. Fjalët e këtij papagalli pajtohen me idenë e romanit të dytë, ku dashuria shihet si faj. Ndërsa papagalli i tretë thotë: Në ndenjëse krijohen trilogjia dhe emri. Pra, papagalli i tretë nxjerr në shesh autorin dhe bindjen e tij për përkushtimin ndaj letërsisë (trilogjisë). Autori për të krijuar trilogjinë dhe emrin ka ndenjur në ndenjëse plot tridhjetë e tri vjet. (Ag Apolloni, Parabola postmoderne, Instituti Albanologjik, Prishtinë) Këtë tregim e karakterizon figura e alegorisë, simboli, përsëritja si dhe enumeracioni që e shquan prozën e Qosjes në përgjithësi. Nuk mungojnë as figurat tjera përmes të cilave Qosja krijon një stil që e karakterizojnë rrëfimin për nga aspekti stilistik dhe narrative duke e bërë atë të jetë postmoderniste, ajo që theksova në fillim. Trilogjia e Nderimit të Musës është trilogjia reale e Qosjes. Ky tregim është vetëm një nga shembujt tipik, ku Qosja dëshmon për autenticitetin, kombinimin postmodern dhe vlerën e tij letrare. Meqë një nga parimet bazë të postmodernizmit është që gjërat e vogla t’i bëjë të mëdha, Qosja përmes një tregimi të shkurtër siç është Trilogjia pasqyron në formë alegorie një detaj të vogël nga jeta e tij, por që ka një vlerë madhore në jetën e tij si shkrimtar. Dhe jo rastësisht, shkrimtari i madh vërehet edhe në raste të tilla.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...