Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/20

SENTENCAT LIRIKE DHE IDIOLATRIA LETRARE



Sevdije Rexhepi: “Baladë mbi Balad”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica” Prishtinë 2010, faqe 150.
ISBN 978-9951-06-309-8.

Shkruan: Shefqet DIBRANI


Sevdije Rexhepi - Ballina1.jpgMe vëllimin poetik “Baladë mbi Balad”, Sevdije Rexhepi po del para lexuesit me librin e katërt, përkatësisht librin e tretë në gjuhën shqipe. Por, baladat janë krijime popullore e lirike në vargje të rregullta që flasin kryesisht për ngjarje reale e heroike, qoftë kjo historike a me përmasa legjendare. Poezitë që përfshihen në këtë vëllim poetik nuk janë balada të tipit klasik, por si tërësi, si koncept vëllimi poetik ngjason me një baladë të përjetuar nga autorja në një zonë lufte, në qytetin Irakian që quhet “BALAD” dhe që shtrihet diku 68 km në veri të Bagdadit.
Titulli i librit “Baladë mbi Balad” na duket si përzgjidhja më e mirë e kësaj poezie të përjetuar në qytetinBALAD, me ç’rast Sevdije Rexhepi i ka dhënë poezisë një kuptim jo vetëm lirik, por më shumë metaforik. Sepse metafora e “Baladës në qytetin Balad” është një koincidencë rasti për të sendërtuar konceptin e veprës si tërësi baladike, por duke iu shmangur, siç thamë, tipit klasik të baladave.
Askush, pra as unë s’kam pritur një dridhje kaq të lëkundshme nga koncepti i saj lirik që e kishte sendërtuar në dy librat paraprak. Në të vërtetë edhe në këtë libër kjo poete i çon edhe më tej prirjet e saja në poezinë lirike, por si të them idioma thelbësore e poezisë që jepte shenja të bollshme për elemente të theksuara të lirikës–erotike në këtë vëllim nuk do të ndeshën fare. Poetesha edhe më tej e ka kultivuar anën artistike të poezisë duke e bërë atë më të shkëlqyeshme, më brilante. Poezia lirike që përfshihet në këtë libër është edhe më e përpunuar, edhe më artistike, gjë që dëshmon se autorja ka punuar me një vokacion të shtuar, për ta avancuar vlerën e poezisë së saj, ku si shembull tipik po i sjellim tre vargje të një poezie më të gjatë.

Kam mësuar se
Yjet nuk treten kurrë
Por fshihen si dashuritë

(Poezia: “GJETHET I SJELL ERA”, f. 12)

Dihet se poezia është një mjet shprehës që komunikon me lexuesin. Në masë të madhe kjo autore këtë e ka arritur. Sidoqoftë, edhe kështu si është lexuesi do ta mbaj mend më mirë, madje kjo mbamendje do të shkoj përtej jetëgjatësisë së saj. Përmbledhja në fjalë do të mbetet një dokument i regjistruar në poezinë tonë ku sjell idiolatrinë letrare nga një botë e tretë, përkatësisht nga një front lufte.

Në luftën e dyfishtë
Jashtë dhe brenda nesh
............................
Mbetur veç shpresa
E nesërmja mesopotamiane
Lind sërish metaforën

(Poezia: “METAFORË”, f. 29)

Ose:

LOT I HESHTUR

Sot...
Një jetë e njomë
U këput si një lule
Thanë...
Ka ndodhur
Aksidentalisht
Por...
Në sytë e saj e pashë
Lotin e heshtur

(Faqe 45)

Poezia e Sevdijes ka preokupim vlerën artistike të fjalës së shkruar, një lloj idili specifik për poezinë e saj të cilën e strukturon si një vlerë poetike, pa të cilën koncepti i këtij libri do të mbetej më i zbehur, për vet faktin se këto poezi dëshmojnë për një vijimësi të poezisë lirike që e kemi ndeshur edhe në dy vëllimet e saj të më hershme. Për të mos pranuar këtë “akuzë?!” se iu ka shmangur poezisë lirike, ajo si me qëllim e hap librin e radhës pikërisht me një poezi të kësaj natyre, e cila është ndërtuar me vargje të thjeshta por që me sukses e materializojnë një botëkuptim të ri në poezinë e saj, si të themi: Një krijim idilik i natyrës së saj.

MOLLË E NDALUAR

Ecje nëpër rrugë të vjetra
Të vjetra sa bota vetë
Në kopshtin ku lulet qelën së pari
Ku së pari u takuan
Shpirtrat që flisnin pa fjalë
Nën hije të një molle të ndaluar
U këput molla
Që atëherë dhe sot
Fajësohet belholla

(Faqe 5)

Në një sërë poezish, përkatësisht në strofa dhe vargje të caktuara e hasim një idiomë e cila sikur mëton për të rregulluar më mirë mendimin e shprehur nëpër vargje që përdoren figurativisht dhe që përshkruajnë një moment të prekshëm a të përjetuar nga vet autorja: “mollë e ndaluar”, “petku i shpresëjetës”, “zgjidhim nyje”, të cilat bashkë me vargje të tjera plotësojnë sinonimin e koncepteve të theksuara, e që shërbejnë për t’i kuptuar më mirë nocionet që shkojnë më shumë kah idiomat se sa kah ndonjë përkufizim tjetër letrar.
Pa dyshim, te poezia e Sevdije Rexhepit ndeshim një sensualizëm specifik, si një lloj ndijimi që i janë bërë burim i vetëm shprehës, e si një lloj mënyre e mjaftueshme për të shprehur përfytyrimin e saj poetik e letrar. Gjithsesi sentenca poetike që ngërthen burimin e mendimit analitik, shprehur me pak fjalë përbën esencën artistike, si një vlerë poetike, për një të vërtetë, të përjetuar në fronte lufte, ku vlera morale e njeriut nuk vlen as për pesë pare. Këto përfytyrime, përkatësisht këto përjetime sentenciale e bëjnë poezinë e këtij libri edhe më përjetuese, edhe më të afërt me lexuesin që nuk ka rastisur ta përjetoj luftën, sidomos nëpër ato vende e shtete ku rrëzohen mbretërit për të hapur “Kutin e Pandorës”:

Mbreti u përmbys
Fundi i Kutisë Pandoriane
Më në fund...

(Poezia: “PËRMBYSJA”, f. 39)

Lexuesi shqiptar, sidomos ata që jetojnë në Kosovë nuk e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë do të thotë “erë e barotit”, “tym i shpërthimeve e eksplodimeve”, por çfarë do të thotë: “pluhur shkretëtire” dhe “tokë shkretëtirë” sigurisht do ta përjetojnë vetëm nëpër vargjet e këtij libri. Por këto skema rrëqethëse, atij do t’i rikujtojë shkatërrimin dhe pasojat që lë lufta, të cilat i ka përjetuar në lëkurën e tij, në një kohë jo edhe aq të largët sa të ketë harruar a t’i jetë fshirë nga memoria kujtuese. Prandaj, libri i kësaj poeteshe jo vetëm që do të përjetohet më mirë, por ai do t’i rikujtoj lexuesit një kohë katrahurë, nën prizmin e së cilës do të zbërthehen sentencat poetike deri në imtësi.

Në shkretëtirën e pa skaj
Gjendet oaza e mendimeve të mia
Që pi lotin e mallit tim
Duke bredhur kësaj shkretëtire

(Poezia: “DËSHIRË”, f. 83)

Ose:
Mëngjesi i zymtë
Frymëmarrje e rëndë
Ndjenjë e turbullt
Në këtë mëngjes
Qerpikët u rënduan
Bebëzat e syve mbyllen
Nga mjegullnajë pluhuri
...............
Eh, dikush lëshoi
Një alarm..........
Që përhapi ushtimë e frikë
7 sekonda në pritje
Të jetës a vdekjes

(Poezia: “7.”, f. 93)


Sevdije Rexhepi, në shumicën e poezive të këtij vëllimi është shprehur qartë dhe ka ditur të ndërtojë konceptin dhe mesazhin lirik të poezisë, ka përshkruar detaje lufte me një gjakftohtësi dhe madje ka ruajtur një ekuilibër edhe kur drithërima të zymta kanë mbuluar ndjenjën dhe shpirtin e saj latent, para momenteve të rënda, atëherë kur nuk ka ditur nëse do të rroj, (e nëse po?!), pse do të rrojë?! D.m.th. nëpër sekuenca të caktuara ajo ka shprehë një lloj revolte dhe njëkohësisht edhe një lloj përmbajtje për të shpjeguar esencën e asaj që i thuhet jetë, që i thuhet luftë dhe sidomos për vlerën e nocionit të tretë mjaftë thelbësor që quhet “lakmia”.

Në këtë qytet të improvizuar
Ku nuk vlen njeriu as 5 pare

E ku jetojnë bashkë
Mërgimi e Frika
Dhe Lakmia për çudi...

(Poezia: “TRESHE”, f. 96)

Ky lloj trekëndëshi, apo kjo lloj trioje e nocioneve shprehëse “Mërgimi-Frika-Lakmia”, e bëjnë të dallueshme dhe të pranueshme vlerën letrare që Sevdija për kohë të gjata i ka kultivuar e vjelë nëpër poezitë e saj. Si do qoftë në planin estetik zbulohet vlera e njeriut dhe shpjegohet konteksti i jetës që kryekëput është “lakmia”. Në një plan tjetër poetesha ka nxjerr në pah edhe arsyen e vënies së kokës nën gërshërët e rrezikut permanent. Sado që ky element është kamufluar me mënyrën artistike, fenomeni “lakmi”, e shpjegon më së miri të vërtetën mbi verbin estetik dhe letrar të fenomenit “lakmi” ku njeriu nuk vlen as 5 pare?!...
Gjithsesi poezia e këtij vëllimi do të sublimojë rrjedhshëm dhe do të shpjegojë qartas se autorja si individ i ka tejkaluar pengesat për të dal në shkretëtirat e pa shkelura, ashtu siç i kthen një varg idilesh lirike a idiomash përmes vargjeve që e ka përshkruar me përsosmëri atë që e ka përjetuar, ku mendimi poetik sjellë një atmosferë të përditshmërisë në zona dhe fronte lufte. Por, për fat të mirë Sevdije Rexhepin, poezia e kthen në vendin e saj, si një intelektuale të qetë, që ka fituar një eksperiencë praktike për të sfiduar kohëra dhe vështirësi prej më të ndryshmeve.
Këto nocione tregojnë atmosferën e zymtë të jetës në luftë, dhe natyrisht tejet shqetësuese për vlerat shkatërruese që i ka lufta, pavarësisht se rezultatet pozitive mund të korren vetëm dy-tre breza më vonë. Por, meditimet poetike të ndërtuara me një gjuhë simbolike, ku tërësia e subjektit letrar qetë në pah mënyrën e rrëfimit idiomatik e bëjnë Sevdijen si një zë që duhet të zgjojë jo vetëm kërshërinë e lexuesit, po më shumë të atyre që poezinë e lexojnë më me përkushtim dhe e vlerësojnë si një interpretim letrar.

TRETJA E ENKI-IT

Në shkretëtirën e pambarim
Oazat e pakta
Pinë ujë nga lumenjtë e vjetër
E pashuar ende mbetet Etja
Se Enki u tret
Nëpër plasaritje shekujsh
La tokën shterp
Shtjellat e rërës
Verbojnë sytë e kohës së re
Madhështi...
E shkruar nën tokë e mbi të
Nga lart...
Anu përcjell gjurmët
Kacavjerrë mban mendimet
Thërret Enlil-in - Perëndinë
T’i fryj larg dhimbjet
Dhe këtë shkretëtirë
Me bari ta mbijë

(Faqe 119)

Edhe nga poezia e cituar më lart shihet se vokacioni poetik është më i ngarkuar me figura nga mitologjia, shumë syresh që vijnë nga mitologjia e popujve të orientit (Enki, Anu, Enlil etj.), të cilët që moti kishin një zhvillim dhe emancipim të përparuar karshi vendeve dhe popujve të kohës. Pastaj do të ndeshim mjaft toponime të cilat i takojnë një kohe të shkuar si dhe toponime për vende, qytete të së tashmes të cilat kjo autore ka pasur rastin t’i prekë, t’i përjetojë dhe natyrisht t’i shijojë si vlera pozitive të zhvillimeve dhe emancipimeve qytetare.
Në aspektin invers do të thosha kjo poezi sikur merret me aspektin ekzistencial të shoqërisë në përgjithësi, vlerat e shoqërisë dhe pasojat e saj. Në planin letrar poezia e këtij vëllimi i zhvillon edhe më tej konceptet, idiomat dhe idiolatrizmin poetik të kësaj poeteshe. Dhe kjo është një vlerë më vete, një lloj detajizimi analitik si dhe fenomene të tjera që atë e kanë bërë të ndihet keq. Ky lloj diskursi substancial e bëjnë vëllimin poetik “Baladë mbi Balad” si një vepër që e nxjerr nga uni personal vlerën e njeriut, ekzistencën e tij, si një lloj arsyetimi jo vetëm etik, por si një arsyetim estetik që tejkalon vlerën letrare të poezisë, si nuancë estetike në përgjithësi, si efekt poetik që regjistrohet përmes metonimisë, që po e ilustrojmë me nuanca të shprehura në vargjet:

Se ti Flora. . .
Përherë mbushullon në mua
Që më mësove të ujis si duhet
rrënjët e jetës jeshile

(Poezia: “SHPIRT I TRËNDAFILTË”, f. 69-70)

Ndonëse poetja është rezervuar ta cilëson vetën si një “Faunë” që “ujit rrënjët e jetës jeshile”, i gjithë konfiguracioni poetik do të shpjerë në raportet e botës ujore e cila e bënë tokën “jeshile”, përkatësisht të gjelbëruar duke lënë për të nënkuptuar ambientin shkretëtirë siç e ka theksuar në një varg të saj “pa kodra të zotit”. Kështu siç është konceptuar kjo poezi, jo që ia rrit vlerat përkushtimit të saj për mësuesen me emrin e bukur Florë – botë e gjelbërimeve, por mesazhi i saj merr konotacione edhe më gjithëpërfshirëse.
Një element të ri në poezinë e Sevdijes e gjejmë te tipologjia artistike e nocioneve “patriotizëm” dhe “atdhedashuri” që sublimohet nëpër vargje e strofa të caktuara ta zëmë: “Në krahët e Atdheut/ Nga Edeni e gjer në Dardani”, “Do të ndiej aromën e Karadakut”, “Shqipëri e Tetovë/ Seç m’u rriten flatrat dhe më shumë/ Për ty Kosovë”, “Dardani - në kurorë mbuluar/ Liburna del mbi valë/ Nami Yt ringjallë - Kosovë.../ Unë larg teje Atdheu im/ Ti afër me zemër/ Do mbetesh ajo/ Kurrë më tjetër emër”, “Mbulohem me jorgan lashtësie/ Shtrij këmbët në Babiloni/ Se ëndrrat m’i përkund Iliria”, etj.
Kjo tipologji artistike që shprehë edhe mallin e saj për atdheun, shprehë edhe dashurinë për atë vend, hyjnë si nëntekste që plotësojnë nocionin e të parave duke na dëshmuar edhe një herë maksimën popullore se duhet të mërgosh për t’ia ditur vlerën atdheut, si një ekzistencializëm moral për secilin poet a poeteshë që dashurinë për atdheun e kundron nga larg. Sevdije Rexhepi po të mos kishte mërguar, përsëri do ta dëshmonte dashurinë e saj për atdheun, por kundrimi i dashurisë do të shihej nga një prizëm krejtësisht tjetër, më racional dhe më pak sentimental, e jo me nota melankolike që shprehin një mall të përgjëruar siç e kemi në rastin konkret.
Por, këto nocione që përkufizojnë një lloj sentence letrare hyjnë si risi pak më e theksuar te poezia e Sevdije Rexhepit e cila i ka dhënë një kuptim jetik mënyrës së tashme të jetës së saj, dhe nocioneve një kuptim më të qartë ku shpjegohet, pak a shumë përmes formave simbolike të cilat më shumë ua rrisin vlerën nocioneve “patriotizëm” dhe “atdhedashuri” duke i dhënë një ngjyrim sa specifik, po aq miklues poezisë së saj, si një ndjenjë, si një përjetim letrar e artistik me këtë fuqi kaq ledhatuese dhe kaq përjetues që duhet të pranohet si vlerë e re e poezisë së saj.
Sille kah do, poezia e Sevdije Rexhepit as më shumë dhe as më pak identifikohet me shpirtin e saj, qoftë ky shpirt lirik, qoftë mitik, a patriotik qoftë ai. Një poezi tipike e saj, që pasqyron unin e saj krijues dhe me nuanca të caktuara edhe individualitetin e saj krijues. Sevdije Rexhepi tashmë ka profilizuar mënyrën e saj poetike dhe ka gjetur tema dhe motive për të unifikuar motivin e saj krijues. Brumi krijues, janë vargjet që pasqyrojnë shpirtin e saj krijues, vlera këto autentike që plotësojnë dhe kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj si poete, një dimension i ri i poezisë, me shpresë se përvojën e saj jetësore do ta vë në shërbim të poezisë dhe artit në përgjithësi.
Poezia e Sevdije Rexhepit, hiç ndonjë rast, i shmanget tërësisht konceptit të poezisë hermetike, të figurave dhe koncepteve abstrakte. Ajo në këtë libër sjell më shumë tipin e poezisë lirike të avancuar si mendim dhe si përjetim, kurse figuracionet tjera i ilustron nga mitologjia, për të zbërthyer nocionin, kuptimin dhe mbarështimin që ka jeta nën predha artilerike, ku i ka dhënë kuptim lehtësues opusit të poezisë në njërën anë, dhe në anën tjetër ka bërë harmonizimin e emocioneve në varshmëri me situatat dhe ngjarjet si rrjedhim real i jetës së saj.
Vlerat dhe veçoritë e poezisë së Sevdije Rexhepit të përfshira në vëllimin poetik “Baladë mbi Balad”, funksionalizojnë edhe më tej muzën krijuese, cyt edhe më tej mendimin pozitiv letrar, me aspekte e veçori që e kompletojnë edhe më tej personalitetin e saj poetik e letrar, si një autore mjaft bashkëkohore në poezinë e sotme shqipe.

Zvicër, prill 2010.

*Ky shkrim është botuar si pasthënie e librit!





SHËNIME PËR AUTOREN:

Sevdije Rexhepi1Sevdije Rexhepi është lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Për dy vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services, në Kampin Amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes, ndërsa nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, në Irak me kompaninë amerikane (KBR). 
Sevdije Rexhepi, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht. Ajo, momentalisht punon në Kopshtin e Edenit në Irakun verior.
Baladë mbi Balad” është libri i katërt me poezi.


Është prezantuar në këto antologji: 
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006. 
3. “Nënës”, Tirane 2007. 
 
Veprat letrare:
 
1.  “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003. 
2.  “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004. 
3. 
“The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.
4.  “Baladë mbi Balad”, poezi, Prishtinë 2010.
5.  „Between Rivers of Babylon”, poezi, Prishtinë 2010.

2010/12/19

Ç'është letërsia sipas Shefki Hyses?

Shefki Hysa, Sekretar i LSHA të Shqipërisë

E DËNUAR ME VDEKJE NGA POLITIKA

Rekuiem për Letërsinë Shqiptare

1
Arsyeja nën thundrën e paarsyes
Politikat e të gjitha shteteve pa tru në të gjitha kohërat (që kur lindën shtetet e gjer sa të jetë jeta) e kanë dënuar me vdekje letërsinë dhe artin e vërtetë. Kështu, në dukje pa arsye, kanë vepruar edhe politikat shqiptare që nga fillimet e letërsisë dhe artit tonë e në vazhdim. Ec e merre vesh, arsyeja në jetë të jetëve nën thundrën e paarsyes…
E kotë shpresa se politikat postkomuniste do të ndryshonin mendim dhe do ta mbështesnin e do ta nxisnin zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqiptare (e veçojmë letërsinë jo paqëllim). Përkundrazi, kanë vepruar, veprojnë dhe do të veprojnë njëlloj si politikat simotra pa tru, të vjetra a të reja qofshin: "Letërsia e dënuar me vdekje!"
Dhe arsyeja e paarsyes dihet, letërsia e vërtetë me mesazhet që bart dhe përcjell nuk u ka shërbyer kurrë politikave (të mosndryshimit), por prirjeve të zhvillimit e përparimit njerëzor dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të mbetet një nga opozitat e përjetëshme më të pakorruptuara e të pa kompromentuara.
Ndryshe nga arti, gjuha konvecionale e të cilit ka qenë, është dhe do të jetë e vështirë për t’u kuptuar nga injoranca e politikës, letërsia flet me gjuhën e njerëzve dhe sado të përpiqet për ta fshehur me mjete të figurshme atë që dëshiron të thotë, përsëri kuptohet (qoftë e kuptuar edhe me vonesë si barcoletat prej mendjes së policit) dhe mbetet e zbuluar dhe e rrezikuar në mëshirën e të pamëshirshmit paarsye. Pra, letërsia me gjuhën e saj të drejtpërdrejtë është jo vetëm kundërshtare e përherëshme e politikës, por herë-herë edhe armike e saj. Pikërisht nga kjo armiqësi me politikën ka lindur edhe termi "Letërsi Disidente" e Shkrimtar Disident"…
Në këtë shkrim që është një thirrje për ndihmë, një "SOS" për dashamirët që kanë veshë, sy dhe mendje të kthjellët, do të përpiqem të arsyetoj e të argumentoj me një gjuhë sa më të thjeshtë (të pëlqyeshme edhe për politikanët) se ç’po ndodh me letërsinë shqiptare këtë të dënuar të përjetëshme prej paarsyes së politikës.
Ky shkrim (të më falin studiuesit për pasaktësitë e mundshme, nëse gabimisht ka mbetur ndonjëri gjallë) ka vlera unikale vetëm për opinionin shqiptar, ka vetëm pasaportë shqiptare dhe nuk dihet nëse do të arrijë të marrë ndonjëherë vizë për jashtë shtetit në ndonjërën prej ambasadave a konsullatave të huaja në territorin shqiptar, kështu siç e ka katandisur Shqipërinë politika e mosarsyes (Letërsia dihet se është e burgosur)…

2
Letërsia tekst i shkruar
Çdo krijim letrar që nga fjalët e urta, shprehjet e figurshme frazeologjike, proverbat, anekdotat, mitet, legjendat, gojëdhanat, përrallat, bejtet, vjershat, poezitë, tregimet, novelat, romanet, dramat, komeditë e më the e të thashë, janë vepra njerëzore ku përmblidhet me mençuri e art përvoja e një çasti, e një periudhe kohe apo e tërë jetës së një individi apo e një grupimi individësh. Nuk ka rëndësi nëse krijuesi është një individ anonim (populli) apo një individ i përveçëm, fjala vjen Homeri. Rëndësi ka fakti se krijuesi nëpërmjet krijimit ka shfaqur dëshirën për t’u përcjellë përvojën e vet atyre që e rrethojnë. E në këtë rast krijimtaria merr dashur padashur rolin e një testamenti. Dhe tanimë dihet (jo vetëm nga ligjvënësit e ligjzbatuesit) se një testament e ka vlerën e vet unikale e ligjore vetëm kur është i shkruar.
E si rrjedhojë, në mos gaboj, duhet të kenë qenë letrarët ata që kanë menduar të parët se duhej shpikur shkrimi për t’i shkruar tekstet e thënieve të tyre (artistët naivë e kishin më të thjeshtë: me bojën e gjakut të trupit sajonin nëpër faqe shpellash e shkëmbenjsh figurat e imagjinatës së vet dhe kështu u përcillnin mesazhet e shpirtit bashkëkohësve, pavarësisht sa kuptoheshin. Besoj janë kuptuar nga stërnipët e tyre arkeologë e studiues arti.) Dhe të gjitha gjasat të çojnë në përfundimin se ishin shkrimtarët ata që shpikën shkrimin.
Në mbështetje të kësaj hipoteze flasin edhe zbulimet e para të pllakave prej argjile me shkrimin e lashtë të sumerëve që dokumentojnë Epin e Gilgameshit, një ndër krijimet më të hershme e më mbresëlënëse të njerëzimit, nëpërmjet të cilit njihemi me historinë e zhvillimeve të jetës sa të qetë dhe konfliktuoze, dramatike e tragjike të atyre fiseve të lashtë parababilonas.
Pra, Eposi i Gilgameshit, ky krijim popullor, kjo letërsi e fëmijërisë së njerëzimit, që shpreh tërë spekrin e ndjenjava të harkut dashuri-urrjetje, është tashmë një tekst i shkruar, një testament i përvojës njerëzore sumere që pasqyron artistikisht jo vetëm botën shpirtërore të krijuesit dhe të bashkëkohësve të vet, por edhe portretin e politikës që sundonte atë kohë. Pra, vini re, historia e ekzistencës së një politike sunduesi na vjen e shkruar dhe e pasqyruar nëpërmjet individit të sunduar, krijuesit, shkrimtarit, letrarit…

3
Letërsia pasqyrë artistike e një realiteti kohor
Çuditërisht, shkrimtari, njeriu i nëpërkëmbur nga politika, shkruan tekstin e pasqyrës së një realiteti e në të vërtetë na del primari, në plan të parë, si forcë lëvizëse, zhvilluese, përparuese, edukuese, pra, në fakt, forcë vendimtare, ndryshe nga politika shtypëse që i pretendon tërë këto cilësi, i propogandon për demagogji dhe synon të kundërtën, prirjen për mosndryshim, statuskuo, stanjacion e më the e të thashë terma të tjera politike të kësaj natyre që i shërbejnë sunduesit për të bërë zap kundërshtarët, opozitën, "armiqtë" e përjetësisë së pushtetit të tij…
Kini parasysh: "Politika proletare në plan të parë!"… Kështu pretendonte deri dje diktatura komuniste shqiptare dhe dihet katastrofa që solli politika e saj e verbër e mosarsyes… Bëmat e Diktatorit dhe diktaturasve po harrohen dhe po lartësohen veprat e Kadaresë, Fishtës, Konicës, Xhaferrit e të tjerë shkrimtarëve të nëpërkëmbur… Diktatori dhe diktaturasit tashmë janë thjesht karaktere-demonë të përshkruar nëpër faqet e veprave të këtyre shkrimtarëve jetërrezikuar…
Ja si rrodhën ngjarjet dhe ndryshuan përgjithmonë raportet politikë-letërsi. Janë ndryshuar aq rrënjësisht e diametralisht në të kundërt saqë sikur të ishte e mundur e të ngjallej Diktatori nuk do të mund ta besonte kurrë se madhështia e tij e dikurshme një ditë u mpak e shndërrua në ca radhë të një teksti letrar. U bë fragment i asaj letërsie që politika e tij komuniste e dënoi me vdekje, siç dënoi edhe vetë autorët e saj, Bilal Xhaferrët… Pra, e mbisundoi gjatë paarsyeja arsyen, politika letërsinë. Mirëpo ja që vjen një ditë dhe rivendoset rregulli, mbizotëron arsyeja, mbizotërojnë ligjet e Zotit… Letërsia e shndërron politikën thjesht në lëndë të parë prodhimi, në material artistik… Dhe nëpër perandoritë artistike mbretër e perandorë të vërtetë janë shkrimtarët, politikanët janë thjesht plebej ashtu siç meritojnë të jenë në jetë të jetëve… Këtë e harrojnë tërë politikat në pushtet… Harrojnë se nuk janë jetëgjata perandoritë pushtuese… Këtë fakt e kanë harruar edhe politikat shqiptare konuniste dhe postkomuniste…
Po ju sjell një argument tjetër, veprën e Homerit. Ishte ky gjeni i Antikitetit që përshkroi në veprën e vet gjigande në mënyrën më të përsosur artistike historinë e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore në Greqinë e Lashtë dhe në shtetet përqark saj. Nëpërmjet veprës homeriane, kësaj pasqyre artistike të mrekullueshme, ne me imagjinatën tonë shohim si në një film realitetin e jetës së stërgjyshëve të njeriut modern dhe bindemi se psikologjia e jetesës në kohët e vjetra ishte pak a shumë ajo e sotmja, pavarësisht nga mjetet e veglat e punës dhe armët primitive të luftës. Shoqëria njerëzore e dikurshme, njëlloj si edhe sot, sundohej nga politika që luftonte me të gjitha mjetet e padrejtësisë për pasuri e pushtet në kurriz të varfërisë së shtetasve të vet dhe të popujve fqinjë. Dhe po të analizosh me kujdes veprën e Homerit, del në përfundimin se politikanët e sotëm nuk u lënë asgjë mangut Menelaut, mbreti spartan, Akilit, Patroklit apo cilitdo luftëtari zulmëmadh të testamenteve artistike të kohëve të shkuara… Homerët e të gjitha kohëve ishin të detyruar prej sunduesve që të merrnin rolin e të sunduarve, e të shtypurve, e të përbuzurve dhe jetërrezikuarve, megjithëse ishin mbretër e shkuar mbretërve me mendjen e artë që u kishte falur Zoti. Ndonjëherë përfundonin edhe në pozitën e skllavit, pa asnjë të drejtë mbi jetën e tyre, si Ezopi. Përfundonin edhe pa kokë si shkrimtarja çifute Ana Franku e masakruar prej nazistëve hitlerianë…
Mos vallë ka ndonjë ndryshim të madh midis Menelaut dhe Hitlerit?!… Nuk e besoj… Si njëri dhe tjetri janë dy heronj demonë të përshkruar mjeshtërisht nëpër veprat e Homerëve, të cilat i studiojnë nëpër shkolla dhe edukohen me aq dëshirë gjithë fëmijët e botës, si ata që do të bëhen politikanë të padrejtë dhe ata që udhëhiqen nga prirjet homeriane për t’u bërë shkrimtarë, letrarë të përbuzur e jetërrezikuar prej politikës…

4
Letërsia mision
Politika rrënon shoqërinë njerëzore me paarsyen e vet. Sillet barbarisht me çdo vlerë që buron prej arsyes së Zotit, dhunon elitat intelektuale, masakron tërë individët mendjendritur që u tregojnë udhën e së vërtetës njerëzve të thjeshtë, me qëllim që ata, të verbuar e të varfëruar, t’i kthejnë sytë vetëm nga politika e politikanët dhe të adhurojnë fuqinë e Pushtetit dhe të pasurive të familjeve të tyre… Nuk e besoni?!… Atëherë le t’u drejtohemi fakteve. Për gati pesëdhjetë vjet Diktatori shqiptar luftoi me të gjitha mjetet kultet e Zotit, varfëroi ekonomikisht dhe mendërisht shqiptarët, sajoi një çelës kopil, Njeriun e Ri, që mbyllte të gjitha dyert e dijes, dhe u mundua të rrënjosë në kujtesën e programuar të këtij përbindshi kultin e udhëheqësit komunist si çlirimtar i botës. Familja e Diktatorit lulëzonte në luks, ishte pronare e gjithë Shipërisë, ndërkohë që Njeriu i Ri punonte si skllav e nuk e mbushte kurrë barkun me bukë… Internoi, burgosi dhe pushkatoi tërë inteligjencën që nuk i bindej ideologjisë së tij. U hoqi të drejtën e botimit shkrimtarëve që mendonin ndryshe, censuroi dhe ndaloi botimin e veprave të tyre dhe të sa e sa shkrimtarëve përparimtarë botërorë që rrezikonin jetëgjatësinë e Pushtetit të tij me idetë e tyre demokratike antikomuniste.
Shkrimtari Ismail Kadare, intelektuali më i shquar i viteve të diktaturës, ndoshta shumë herë më i mençur edhe se vetë Diktartori, një ndër shqiptarët më të përkëdhelur dhe më të rrezikuar njëherësh, ishte dhe nuk ishte pronar i një apartamenti tre plus një në një kohë që sipas ligjeve të Zotit, për mençurinë dhe intelektin që zotëronte, mbase i takonte të ishte dhe qytetari i parë i Shqipërisë… Nuk ishte dje se e shtypte Hija e Diktatorit, por do apo nuk do politika, është sot. Skrimtari Ismail Kadare është Ambasadori i Vërtetë i Kulturës Shqiptare në Botë…
Shkrimtarët janë si profetët. Me fjalët, sjelljet, veprimet dhe veprën e tyre, në mënyrë të drejpërdrejtë apo të nënkuptuar, sado të nëpërkëmbur dhe të rrezikuar nga politikat, parathonë fatin e një shoqërie… Pra janë misionarë dhe vepra e tyre është një mision më vete. Homeri paratha fundin e Antikitetit të kapërthyer nga intrigat politike dhe ethet e luftërave për Pushtet e pasuri në kurriz të njerëzimit. Homerë të tjerë parathanë fundin e Romës dhe të perandorive të mëvonshme… Lexojmë veprat e tyre dhe përveç kënaqësisë estetike dhe interesit emocional që na zgjojnë, marrim dije e informacion mbi historinë dhe tentencat e zhvillimeve njerëzoje nëpër shekuj, mësojmë për kulturën e vendeve dhe të popujve të ndryshëm, për individë udhëheqës dhe heronj, për gjuhën, psikologjinë e konstruktin e tyre shpirtëror e sa e sa fakte e argumente mbi ekzistencën, dallimet dhe përafritë e racave njerëzore në botë…

5
Shkrimtari misionar
Pra, nga mënyra se si pasqyron realitetin shoqëror dhe tendencat e zhvillimit, letërsia shfaqet si një mision dhe shkrimtari si një misionar fisnik që me veprën e tij mundohet të emancipojë shoqërinë njerëzore. Po sa mund dhe sakrifica i duhen një misionari për të përballuar me sukses ngarkesën e një misioni?! Dihet se Krishti u kryqëzua nga politika bashkëkohëse, njëlloj jetërrezikuar kanë qenë edhe shumë profetë të tjerë para dhe pas Krishtit gjer te Muhameti, të cilit ia shpëtoi jetën sa e sa herë vetë i Madhi Zot. Misionet e misionarët e krishtetë kudo në vendet e pazhvilluara si në Afrikë e gjektë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të rrezikojnë të përdhunohen e të humbasin edhe jetën nën thundrën e politikave të paarsyes, njëlloj si gazetarët e shkrimtarët në vijën e parë të luftërave e konflikteve rajonale nëpër botë. Sakrifikohen profetë e shkrimtarë e askush prej tyre nuk tërhiqet nga misioni për të parathënë fundin e një politike të caktuar.
Krishti paratha fundin e Perandorisë Romake dhe gjithçka se çdo të ndodhte më vonë në botë, pavarësisht se qëndrimi i tij nuk u pëlqeu romakëve dhe e kryqëzuan.
Fishta, Konica, Xhaferrët, Blloshmët, Nelajt shqiptarë u rebeluan kundër politikës diktaturase komuniste dhe e paguan kush me syrgjyn e kush me jetë veprimin e tyre. Letërsia e tyre u burgos nëpër kasafortat e arkivave dhe një pjesë e mirë e saj ende nuk po e sheh dritën e botimit që fëmijët tanë të mësojnë prej të vërtetave të saj dhe jo prej mashtrimeve e zbukurimeve që serviri për pesëdhjetë vjet letërsia e oborrit komunist.
Përse u dashka që në tekset e letërsisë shqiptare të shohim ende vetëm sajesa letrare me "bëmat heroike dhe fitoret e lavdishme të komunizmit"?! Kujt i intereson që t’u servirë ende pasardhësve të Fishtës, Konicës e Xhaferrit bëmat e persekutorëve të tyre të përshkruara me aq delir nga grafomanët e epokës komuniste?!
Po letërsia postkomuniste?!… Përse nuk nxitet e financohet, por heshtet për të njëlloj si për letërsinë disidente?!… Dhe ç’është më e keqja pengohet (e kini parasysh se si u soll politika me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë)!
Nuk e di arsyen, por ndoshta kjo statuskuo i vjen për shtat edhe Ministrit të Kulturës, i cili del në ekranet e televizioneve dhe me poza prej Neroni, deklaron plot kompetencë se në Shqipëri nuk ka më shkrimtarë e letërsi, nuk ka krijimtari letrare postkomuniste dhe se "të fundmit e mohikanëve" na paskan qenë Kadareja e Agolli dhe mjaft! Dhe këtë "fakt" mundohen ta argumentojnë edhe oborrtarët e tij, ata që e ëndërrojnë letërsinë si lopë që mëkon me qumësht dëshirat e veta dhe të fëmijëve të tyre dhe e përfytyrojnë shkrimtarin si bari të tufës të emëruar e të paguar prej padronit. E njëjta psikologji dhe politikë diktaturase si e djeshmja dhe mjaft!…

6
Letërsia lopë qumështore që mëkon…
Në të vërtetë letërsia është edhe lopë me qumësht dietik që në mungesë të qumshtit të nënës përdoret për të mëkuar fëmijën. Dihet se nënave që u thahet gjiri përdorin qumështin e lopës për të mëkuar të vegjlit dhe jo qumësht dhie, gomarice e më the e të thashë… Pra, letërsia njëlloj si lopa ka veti ushqyese, ushqen shpirtërat njerëzorë, i rrit ata të shëndetshëm, i ushqen me të vërtetën e tendencave të zhvillimit shoqëror, pikërisht me atë ushqim që nuk i intereson politikës… Këtu kanë zanafillë dhe abuzimet e politikës…
S’dihet sesi (vetëkuptohet rastësisht!) Bilal Xhaferri në vitet ’60 mundi të botonte në gazetën "Zëri i Rinisë" vjershën "Baladë çame", një himn i vërtetë si "Marsejeza", kushtuar Çamërisë martire, çështjen e së cilës politika komuniste e varrosi, njëlloj edhe ajo e sotmja: trembet ta mbështesë. Xhaferri e pësoi, u syrgjynos prej politikës, por ushqeu e mbajti gjallë gjatë shpirtërat atdhetarë me atë baladë që edhe sot kushtron në mendjet e intelektualëve që mbështesin zhvillimet e çështjes kombëtare shqiptare. Politika edhe sot nuk ndihet rehat dhe nxihet në fytyrë kur dëgjon "Baladën çame", i intereson më shumë statuskuoja e vendosur dikur njëanshmërisht në marrëdhëniet me Greqinë, sesa ndonjë zhvillim i papritur i çështjes çame. Pra, arsyetoni, "Balada çame", ky qumësht i "letërsisë-lopë" kaq mëkues për atdhetarët, i tmerron politikanët, të cilët për të ruajtur politikën e mosndryshimit, ose do ta rrëmbejnë lopën dhe do ta mbarështojnë në stallat e tyre, duke ndërhyrë në gjenet e saj për ta përshtatur gjenetikisht sipas interesave (letërsia e oborrit komunist a socrealizmi), ose do ta ngordhin me lloj-lloj mënyrash atë dhe bariun e saj (të paemëruarin zyrtarisht!), siç ngordhën dikur Fishtën, Konicën, Xhaferrin, shkrimtarë të etnisë shqiptare.
Pra, politika me lloj-lloj mjetesh propagandistike demagogjike a të dhunës së Pushtetit të vet ndërhyn dhe e tjetërson gjenetikisht letërsinë, e metamorfozon në një OMGJ shterpë, pavarësisht se rrënon vlerat e vërteta letrare kombëtare dhe i degdis në thesin e antivlerave, mjafton që të përmbushë interesat e militantëve dhe të trashëgimtarëve të saj. Kështu mjetet, format, mënyrat dhe medodat nepotike të pushtetit politik dominojnë edhe procesin artistik, duke dëmtuar mekanizmat dhe ligjësitë reale të krijimit letrar, duke e shndërruar krijimtarinë në një kllounado-bufonadë dhe gjithçka përfundon në një farsë të shëmtuar që i serviret lexuesit të sunduar dhe fëmijëve të tij si një vlerë e rrallë, "shenjtëria" e së cilës buron nga maja e piramidës shtetërore.
Me shkrimtarët, duke qenë të varfër ekonomikisht, politika merret edhe më lehtë. I fton të lënë mënjanë misionin e tyre të vërtetë dhe t’u këndojnë bëmave e heroizmave të saj, ose në të kundërt, po nuk u bindën, i shpërfill, ua poshtëron dhe ua mohon vlerat dhe në vend të tyre emëron edhe pseudoletrarë të mirëpaguar prej saj (shikoni "Tirana Observer", datë 31.08.2007, "100 shkrimtarët më të mirë shqiptarë"). Ata dhe vetëm ata, të mirëpaguarit, e bëjnë përsosmërisht rolin e zagarit dhe të lopçarit, duke i shërbyer letërsisë-lopë sipas katalogut metodik të parapërgatitur nga këshilltarët militantë shtetërorë (të mirëpaguar edhe ata).
Në procesin e metamorfozimit të lopë-letërsisë, qumështi i së cilës destinohet vetëm për elitën zyrtare dhe trashëgimtarët, tekefundit kurorëzohet qëllimi i politikës: letërsia hyn në oborr dhe si një oborrtare e përulur u thur lavde e hosanara monarkëve e bijve, pavdekësisë së pushtetit të tyre komunist e neokomunist.
E kështu në rrjedhën e këtij procesi të sofistikuar bijtë monarkë dhe bijtë e politikanëve përgatiten për t’u dekretuar dhe dekretohen edhe vetë ata si letrarë e artistë (shembuj mund të gjeni sa të doni, po t’u drejtoheni mbiemrave që kanë uzurpuar mediat dhe institucionet zyrtare kulturore e letraro-artistike shqiptare që prej vitit 1945 e në vazhdim)…
E kështu letërsia shqiptare është tanimë përballë dy alternativave: një e dënuar me vdekje, ose një lopë e politikës…

LETËRSIA, PAS VDEKJES!

Faraonë e firaunë
Politika shqiptare ka zgjedhur modelin faraonik të qeverisjes të marrë nga Egjypti i Lashtë, me të vetmin ndryshim se dikur aty qeveriste një Faraon, kurse në Shqipëri qeverisin njëherësh shumë faraonë të drejtuar (formalisht) nga Kryefaraoni. Dhe ky model është zgjedhur me konsensusin e plotë të Pozitës dhe Opozitës (kujtoni konsensuset e famshme të politikës sonë në çastet e sa e sa krizave që ka kaluar vendi ynë në epokën e postkomunizmit, pas vitit 1990).
Kurrë mos harroni se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, Mazhoranca e Minoranca janë një, prej njëra-tjetrës dallojnë sa për sy e faqe nga ngjyra e nga ashpërsia e debatit se kështu e kërkon Evropa demokratike (më saktë kështu i do mushka drutë). Pra, po ta zbërthesh hollë-hollë, Pozita e Opozita shqiptare, që janë të lidhura fort kokëposhtë e kokëlartë si portreti i derrit maç, qeverisin njëherësh e njëkohësisht dhe meqë kanë zgjedhur modelin faraonik, si model bashkëqeverisjeje (me konsensus), patjetër duhet të kenë faraonët dhe kryefaraonët e tyre. Dhe i kanë. Dhe i paçin me shëndet! I paçim edhe ne me shëndet (duam s’duam i kemi)!
Po pse kjo farë politike ka rendur gjer në Egjyptin e Lashtë dhe ka zgjedhur këtë model të vjetër qeverisjeje, do të habitet ndonjëri nga ju?! Mos u çudisni se edhe po u çuditët, çudia më e madhe thonë se zgjat vetëm tri ditë. Ideja është vërtet e vjetër, por, e përpunuar sipas stilit të politikës shqiptare, shfaqet si një realizim artistik bashkëkohor i shkëlqyer e tejet mbresëlënës që në radhë të parë kënaq e shfryn tërë egot politike pozitë-opozitë dhe lë me gojë hapur tërë politikanët e huaj që janë caktuar të monitorojnë zhvillimet faraoniko-demokratike në Shqipëri.
Të huajt e gjorë shokohen njëlloj si dje prej politikës komuniste shqiptare, edhe sot prej faraono-demokracisë sonë dhe të shtangur para kësaj gjetjeje origjinale, duke mos ditur ç’të thonë, veç tundin kokën të ekzaltuar: "Gut, gut! Shqiptarët janë në rrugë të mbarë, si gjithmonë në shtigje të pashkelura më parë!"…
Dhe kështu politika shqiptare (Mazho e Mino) qeveris rehat duke ngritur minipiramida e makropiramida në kurriz të popullit të vet punëtor të palodhur e të pafjalë. Vetëkuptohet secili faraon ndërton piramidën e tij. Dhe të gjithë faraonët të marrë sëbashku (Mazho e Mino) që nga piramidat e veta i përulen paksa lehtësisht qesëndisës Kryefaraonit (të emëruar prej tyre) të ngujuar në Kryepiramidën e tij për t’ju shmangur sa më shumë dallgëve të lakmisë faraonike që sundon gjithandej në Faraoninë-Shqipëri.
Faraonët nuk mund të qeverisin vetëm, jo se nuk duan, por nuk kanë aq tru. Dhe detyrohen të mbajnë një stan oborrtarësh me vete (të mirëpaguar), të cilët quhen ose janë firaunë (shqip: këshilltarë e avokatë të qoftëlargut). Firaunët, megjithëse rrinë në hije në prapaskenën e oborreve, janë pushteti i vërtetë i Faraonisë. Faraonët përkulin kokën, zgjatin veshët, dëgjojnë çuçurimat e firaunëve dhe pastaj ngrefen si meshkujt e pallonjve dhe japin verdiktin e tyre për të tashmen dhe të ardhmen e Faraonisë-Shqipëri. Nuk e kanë të vështirë të ndryshojnë e të rishkruajnë edhe të kaluarën e saj sipas këndvështrimit të tyre (më saktë të firaunëve). Pra, për fat të keq a të mirë, quajeni si të doni, dua s’dua unë, doni s’doni ju, Shqipëria qeveriset nga firaunët që rrinë bodrumeve si kobrat helmuese (kobra simbol faraonik).

Verdikti faraonik
Dhe u mblodhën kokë më kokë firaunët dhe nxorrën përfundimin se ekzistenca e letërsisë është vdekjeprurëse për përjetësinë e sistemit faraonik, se shkrimtarët duke qenë misionarë priren nga idetë e zhvillimit shoqëror, nga utopitë për të parë popullin sovran dhe jo faraonët e pushtetin e tyre. Si e tillë, letërsia duhet të vdiste dhe të zëvendësohej me një formë tjetër, grafomaninë, të mirëpaguar, të ngjajshme me të në paraqitje, por të ndryshme në thelb, në zemër. E kush e sheh zemrën e ndokujt në kohë të turbullta? Shihet veç dukja. Dhe grafomania në pamje do të ngjante me letërsinë dhe në zemër do të kishte të vetmen ide: përjetësimin e pushtetit faraonik shqiptar.
Dhe firaunët u çucuritën në veshë faraonëve dhe faraonët kryefaraonëve dhe kryefaraonët Kryefaraonit se letërsia postkomuniste shqiptare nuk duhet përkrahur e nxitur, përkundrazi duhet goditur, mallkuar e shpërfillur si krijesë heretike. Mor po tekefundit duhet deklaruar e vdekur, se nuk ka pasur ndonjëherë letërsi postkomuniste se edhe nëse ka shpërthyer ndonjë shkëndijë e saj ka qenë thjesht një manierë naïve e disa krijuesve naivë që e lanë e vdiq nga naiviteti e pakujdesia si një foshnjë të paushqyer mirë (për letërsinë në Kosovë, Maqedoni, Çamëri e në trevat e tjera shqiptare as që bëhet fjalë se ka ekzistuar ndonjëherë).
Pra, letërsia vdiq! Kështu çuçuritën firaunët qesëndisës ndaj paditurisë së faraonëve, kështu përsëritën me kryet lartë edhe faraonë e kryefaraonë. Dhe Kryefaraoni deklaroi: Letërsia ka vdekur!
Dhe më vonë, pas këtij verdikti, në kohën e lirë të faraonëve, oborrtarët firaunë, ashtu si me lezet, arsyetojnë e u argumentojnë shefave të tyre se Shqipëria është ajo që është: një vend i varfër në ide, pa elita intelektuale, pa heronj, pa pasuri natyrale, i pazhvilluar ekonomikisht dhe që do të rritet e zhvillohet vetëm nën sundimin e ideve dritëdhënëse faraonike, se vetëm pushteti i faraonëve (i frymëzuar prej firaunëve) do të bëjë mrekulli në Faraoninë-Shqipëri. Qoftë i përjetshëm pushteti i tyre!
Dhe firaunët nuk lodhen së shtjelluari hipotezat e tyre, me dëshirën për t’i bërë sa më parë ligjësi të pushtetit faraonik. Dhe çuçurisin e çuçurisin e pretendojnë se edhe heronj si Skënderbeu kishin kusuret e tyre e nuk dihet nëse ishin a jo shqiptarë, po ashtu edhe rilindasit Naim Frashëri e compani, realistët Migjeni e compani…
Edhe ndonjë politikan si ai Ismail Qemali sikur e kishte të dyshimtë biografinë, Ahmet Zogu po e po, e shiti një copë Shqipërie, e kështu me radhë e me radhë.
E kështu nën arsyetimin e firaunëve zënë e zbehen të gjitha elitat dhe bien nga piedestalet e Panteonit të Kombit për t’u ngjitur lart ata: faraonë e firaunë, të vetmit shpëtimtarë të Shqipërisë. I përjetshëm qoftë pushteti i tyre!
Dhe firaunët pasi i shtrojnë, i shumëfishojnë e i publikojnë gjithandej hipotezat e tyre nëpër rrymat e padukshme të thashethemnajës për autenticitetin e dyshimtë të heronjve shqiptarë, nuk përtojnë të hidhen një vrap edhe te fqinjët tanë aq të dashur, grekë e serbë, të flirtojnë lumturisht me ta e t’u thonë se më në fund Shqipërinë e kanë katandisur në një shkretëtirë intelektuale, pa histori, pa të shkuar e të tashme origjinale. E ardhmja vetëkuptohet do t’u përkasë atyre, faraonëve e firaunëve, qoftë edhe nën hijen e Cezarit (shqip: grekëve e serbëve)!
Dhe grekët e serbët, të gjorët, të vënë në siklet prej firaunëve, për të mos ua prishur atyre (jo për gjë tjetër!), nëpërdhëmbin se nëse nuk i doni ju heronjtë tuaj, më saktë kur ju po i shpallni kopilë, le t’ua japim ne atësinë. Prishur mos qoftë!
Punë e madhe se po na vidhen heronjtë, historia. Jetojmë edhe pa histori, siç jetohet pa letërsi. Mjafton të jetë shëndoshë Faraonia! Dhe rroftë grafomania!…
Dhe kështu faraonë e firaunë e cezarë bëjnë e bëjnë pazare në kurriz të çështjes shqiptare me dëshirën e vetme të përjetësojnë pushtetin e tyre, qoftë edhe me mbështetjen e qoftëlargut.

Letërsi e vdekur a…
I nderuar lexues, me përulje të madhe po i thërras arsyes tënde që të mos e keqinterpretosh këndvështrimin tim për letërsinë shqiptare para se të lexosh edhe radhët e fundit të këtij shkrimi. E di se çdokush në pozitën e të painformuarit për gjendjen e vërtetë të letërsisë shqiptare, me të drejtë mund të ngrihet e të protestojë ndaj meje e të më turret e të më shfryjë e të ma përplasë në sy siç bëri edhe një miku im, i cili pa iu dridhur qerpiku më tha se ti, Shefki, po sillesh poshtërsisht, se po e viktimizon kaq shumë letërsinë shqiptare dhe se po merresh kaq gjatë me agoninë dhe me rekuiemin e saj, saqë nuk e meriton të jesh shkrimtar. Mor po bëri mirë shteti që ua mori ndërtesën e LSHA-së, një nga drejtuesit e së cilës ishe edhe ti, Shefki, që ke kurajën dhe thua se letërsia shqiptare ka vdekur…
Ç’të të them, i nderuar lexues, miku i keqkuptuar më bëri për ujë të ftohtë. Dhe një keqkuptim i tillë është rebelim ia paarsyeshëm e me pasoja. Mund të pranosh se çdokush i painformuar, njëlloj si ai miku im, mund të ngrihet e të mbrojë edhe hipotezën se letërsia shqiptare është shëndoshë e mirë dhe se deklarimi i saj si e vdekur është një paturpësi e padëgjuar ndonjëherë, një veprim aq i pamoralshëm e i çmendur, saqë nuk i lejohet as një hasmi. Mor po është veprim i hapur e i qëllimtë armiqësor, kështu m’u përvesh ai miku im, i nderuar lexues… Dhe zemrën ma bëri copë-copë… Dhe nuk i kisha asnjë faj…
Dhe ai, çdokushi, miku im e i juaji, i nderuar lexues, njëlloj si ai miku që përmenda, për kundër pikëpamjes sime mund të sjellë plot fakte sesi shteti ynë i dashur e do dhe e ka për zemër letërsinë, sponsorizon çeljen e panaireve të librit artistik atje te piramida e tij a QNK-ja (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës!), siç e quajnë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, promovon botimet e Kadaresë (mor po është hapur edhe një librari e madhe në mes të kryeqytetit me emrin "Kadare") dhe… dhe…
Mor po seç po promovohen edhe ca libra të tjerë të ca të tjerëve, më tha befas i hutuar miku im që nuk di se si e humbi papritur toruan dhe vrullin hakmarrës ndaj meje… Hë, pra të kujt tjetër se nuk po më kujtohet, o miku im, Shefki?!… Më kupto, i nderuar Shefki, se nuk po më kujtohen për momentin… Mor po seç janë ca emra, si të dëgjuar janë, por ja që nuk po më kujtohen për momentin, që thuhet nëpër televizione se kanë ca poste të larta dhe seç kanë shkruar dikur… Vërtet kanë shkruar dikur dhe vërtet që edhe unë diçka kam lexuar prej tyre, por ja që nuk më vjen asgjë ndërmend…
Të më falësh miku im, Shefki, se mbase s’u kam kushtuar edhe unë vëmendjen e duhur veprave të tyre a mbase janë vërtet aq të dobëta sa të mos më kujtohen?… Po pse t’i promovojë shteti atëherë të tilla krijime që nuk të ngulen në tru?… Të mos jenë letërsi e vërtetë?!… Po kjo është çmenduri e rrallë, mor Shefki?!… Pse të shkojnë paratë e shtetit, djersa jonë, djersa e taksapaguesve shqiptarë për të promovuar një letërsi që nuk është letërsi?… Përse djali im të mësojë vetëm broçkulla në shkollë për lloj lloj bylmezash që nuk janë shkrimtarë e që as vetë nuk e dinë se për çfarë shkruajnë dhe të mos mësojë ato që thonë veprat e Fishtës, Konicës, Xhaferrit?…
Përse djali im të mos mësojë se ç’thotë letërsia postkomuniste, siç e quan ti?!… Përse djali im dhe nipat e mbesat e mia të mos mësojnë se ç’është shkruar për Çamërinë pas vitit 1990 në ato librat e tu me tregime aq interesante, të cilat kur i kam lexuar kam qarë?!… Mor po për atë librin tënd me tregime "Aromë Çamërie" ka shkruar aq bukur edhe Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti e të tjerë që nuk më kujtohen për momentin se m’u ka bërë truri dhallë?!… Pse shteti ynë nuk financon të tilla botime, po merret me të paqenit?!… Përse ky fat kaq i keq për fëmijët tanë?…
Po këta politikanët nuk kanë fëmijë?… Nuk u dhimbsen fëmijët e tyre që i çojnë në shkolla dhe mësuesit ua mbushin trutë me atë farë kashte që kanë tekset e letërsisë shqiptare, në vend që të kishin kokrrat e grurit safi të vërtetë, siç ndodh me tekstet e letërsisë në botën e qytetëruar?…
Pyet shtetin e jo mua, i dashur mik që më paragjykove aq shumë sa desh më mbyte me pështymë, pyet Ministrinë e Arsimit, pyet burokratët që drejtojnë bordet e librit artistik, në vend që t’i drejtojnë shkrimtarët e vërtetë, ia preva fjalën mikut tim, i nderuar lexues, po ku dëgjonte ai?!…
Të jenë shkresurina burokratësh, grafomanësh, me një fjalë libra kufoma, siç shprehesh ti, miku im, Shefki, këmbëngulte ai?!… Si thua ti, Shefki, se m’u ka bërë mendja çorbë ca nga që jam i revoltuar nga qëndrimi yt pak ekstremist e ca nga që nuk po e shpjegoj dot se pse u bëkan tërë këto promovime për vepra që nuk janë letërsi?!… Përse shteti dashka më shumë kashtën se sa prodhimin e grurit?…
Sidoqoftë mbi ato kufoma ngrihet vepra e Kadaresë dhe kjo mjafton që letërsia shqiptare të mos deklarohet e vdekur… Të mos abuzohet… Të lutem edhe ty, Shefki, të mos e teprosh me atë xhenazen e sajuar të letërsisë… Megjithëse tani që po e vras pak mendjen dhe po e gjykoj me gjakftohtësi atë maskaradë promovimesh për ata farë autorësh e librash që mund të flasin edhe për alienët e jo për ne shqiptarët e sotëm dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, pa dashur, të jap të drejtë ty dhe shqetësohem me qëndrimin e shtetit… Sidoqoftë kemi Kadarenë… Letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë…

E gjallë a e vdekur?!…
Pra, letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë… Kështu u justifikua dhe e mbylli gojën miku im… Po a është i saktë ky "postulat" i mikut tim, i nderuar lexues?!… Le të arsyetojmë së bashku, por së pari të më falësh, i nderuar lexues, që ta lodha gjykimin me qëndrimin e mikut tim. Mbase e teprova ca, por jam nisur thjesht prej dëshirës që të të kem aleat pikëpamjesh dhe jo të më paragjykosh padrejtësisht…
Po e vazhdoj më tej arsyetimin, i nderuar lexues, me mendimin se po e shohim problemin nga i njëjti këndvështrim. Nuk jam unë ai që dëshiron dhe deklaron vdekjen e letërsisë shqiptare, por firaunët e faraonët e shtetit… Nuk jam unë ai që shprehet nëpër ekranet e televizioneve se nuk ekzistojnë shkrimtarët dhe krijimtaria letrare postkomuniste, por ata, firaunët, që mundohen të argumentojnë se letërsia shqiptare mund të mbahet gjallë ende me Kadarenë dhe me lloj-lloj kufoma të socrealizmit, të cilët vazhdojnë t’i mbajnë me kimet, t’i financojnë e t’i propagandojnë (për vepra që nuk i njohin as ata vetë e të tjera që nuk janë shkruar kurrë) si monumente kulture që mbrohen nga shteti…
Pse këmbëngulin ata se "i fundit i mohikanëve" për letërsinë shqiptare është Kadareja (nuk kam asgjë kundër Kadaresë, për mua sot për sot është shqiptari më i madh, Ambasadori i Kulturës Shqiptare!)?… Fare e thjeshtë. Janë ata që mundohen t’i mbushin mendjen botës se Kadareja ishte një "aksident", një rastësi në letërsinë shqiptare. Janë ata që pretendojnë se deshën dhe e sajuan për interesat e tyre mitin Kadare, se e financuan për të qenë simbol i socrealizmit dhe se kjo letërsi është e vertmja që ka lulëzuar denbabaden në këto treva. Lulëzoi se deshën ata dhe se edhe kjo rrymë letrare është e mbaruar, e vdekur pa Kadarenë (kupto: pa ata që e financuan). Letërsi tjetër nuk mund të ketë derisa të vendosin ata për ekzistencën e saj. Janë po ata që gjer dje çirreshin se Kadareja ishte spiun i francezëve, se e kanë blerë francezët, se… si rrjedhojë e këtij fakti nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë letërsi shqiptare (thonë ata). Shqiptarët nuk mund të bëjnë dot letërsi, po nuk deshën ata. Faraonë e firaunë.
Janë po ata faraonë e firaunë (të majtë e të djathtë) që me lloj-lloj shpifjesh janë munduar të zbehin vlerat e heronjve dhe elitave intelektuale shqiptare, për t’i thënë Cezarit të tyre (atij që i shesin interesat e Shqipërisë dhe që i mirëpaguan) se shqiptarët nuk meritojnë asnjë shans nga kjo botë, se janë një popull pa vlera, pa histori, pa kulturë, art e letërsi. pa të kaluar dhe të ardhme…
Ja pra pse sillen kështu politikanët tanë e mundohen të argumentojnë se letërsia e mirëfilltë ka vdekur, nuk ekziston… Mund të ekzistojë ajo që dëshirojnë ata…
Në këto kushte edhe mua askush nuk më ndalon të them: Është e drejta e politikës shqiptare t’i mbrojë ato farë "monumentesh", ato farë kufomash, madje nisur edhe nga përvoja e saj faraonike, i sugjeroj t’i mumifikojë dhe piramidën e saj "QNK" ta shndërrojë në mauzole me eksponatet e mumjeve të tyre. Le të mirëpaguajë edhe ciceronë e t’i stërvisë që t’u shpjegojnë gjithë art faraonëve e kryefaraonëve shqiptarë ato farë vlera që bartin ato farë monumento-mumje për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e Faraonisë së tyre.
Është një e drejtë me të cilën shteti justifikohet e motivohet se ia kemi dhënë vetë verbërisht! Është një e drejtë që i lind për faktin e thjeshtë se janë vetë shqiptarët ata që kontribuojnë për përjetësinë e kësaj farë politike faraonike. Atëherë le ta gëzojmë bashkërisht këtë farë politike që vendos sipas interesave të saj (jo tonave) se cila është e mira dhe e keqja për Shqipërinë…
Merruni me shtetin tuaj dhe timin, ju o miqtë e mi, mos u merrni me pikëpamjet e mia… Shteti ynë keqpërdor të ardhurat nga taksat e djersës sonë; unë, e shumta, mund të keqpërdor fjalën, një keqpërdorje që mund të sjellë vetëm keqkuptime pikëpamjesh e jo skllavëri, siç sjell keqpërdorimi i votave tona prej faraonëve e firaunëve të politikës…

Klinikisht e vdekur…
Terrori që ka ushtruar shteti faraonik ndaj shkrimtarëve dhe letërsisë më në fund e ka bërë punën e vet. Shkrimtarët e periudhës postkomuniste tashmë ndihen të anatemuar, të çorientuar, të lodhur, të shpërfillur, as të gjallë e as të varrosur. Dhe njeriu në agoni mendon më shumë për vdekjen se sa për jetën dhe veprën… Dhe firaunët kanë një lloj të drejte që përmendin vdekjen. Letërsia tashmë ka vërtet pamjen e një të vdekuri. Ka pësur një vdekje klinike. Firaunët e kanë fituar përkohësisht betejën me të. Dhe festojnë duke e trumbetuar vdekjen e letërsisë si dhuratë për shefat.
Megjithatë firaunët janë djallëzisht të zgjuar. Ndryshe nga shefat e vet, firaunët e dinë mirë se çdo të thotë e vdekur klinikisht. Vdekja klinike është një komë e gjatë, një errësirë shpirtërore dhe një rendje e shpirtit drejt një tuneli drite që të nxjerr në parajsë. Pra, letërsia në këtë periudhë është më pranë Zotit se kurrë (këtë e dinë mirë firaunët, por është një gjendje jashtë mundësive të tyre). Thonë se të vdekurit klinikë sodisin një copëherë parajsën dhe rikthehen në këtë botë me shpirt të pastruar dhe me dëshira më të mëdha për jetën, pasi kanë përjetuar ekzistencën e Zotit.
Edhe letërsia që po përjeton përvojën e Zotit dhe Parajsës, ndoshta do të rizgjohet shpejt. Do të rikthehet në jetë me ato forca e magji që zotëronte në zanafillën e saj. Mjerë faraonë e firaunë atëherë…

Aedët shqiptarë
Shkrimtarët shqiptarë do të rilindin, do të ringrihen e do të jenë të paepur si aedët, rapsodët e parë të njerëzimit. Aedët! A-E-dët! Aedët janë tingujt e parë të alfabetit, janë klithma e parë me tone muzikore e botës së njeriut, ehoja dhe jehona e saj. Janë britmë poetike, këngë dhe isoja e saj. Aedët janë ata që thurën eposin e Gilgameshit, kënduan të mrekullueshmet Nibelunget, sagat e para në kufi të legjendave për lindjen e fëmininë e njeriut dhe bashkëjetesën me perënditë e imagjinatës së tij, që rrëfyen e recituan bëmat e botës parahomerike dhe që me potencialet e tyre shpirtërore frymëzuan të madhërishmin Homer.
Aedët janë rebelët e parë ndaj naivitetit dhe monotonisë së jetës së njeriut primitiv. Janë jo vetëm artistë rapsodë, poetë e këngëtarë që thurnin, interpretonin e këndonin plot magji vargjet e tyre, por edhe dijetarët, filozofët, kronikanët, historianët dhe sociologët e parë të njerëzimit. Para talentit dhe pushtetit që u jepte zotërimi i magjisë së artit përuleshin prijës e mbretër, tërë të fuqishmit e botës paraantike. Para fuqisë së tyre u përul dhe u frymëzua edhe mbreti i mbretërve të botës njerëzore, i mrekullueshmi Homer!
Para aedëve të rinj shqiptarë të postkomunizmit dikur do të përulen se s’bën
faraonë e firaunë dhe e gjithë ajo politikë e mbrapshtë që e ka pjellë tiraninë dhe terrorin e pushtetit të tyre, që ka uzurpuar e skllavëruar Shqipërinë. Para magjisë së letërsisë së tyre do të shemben e zhbëhen ngrehinat prej rëre të grafomanëve që vazhdojnë të gjallojnë e të mirëpaguhen për pseudokrijimet e tyre, që u kushtohen bëmave të Faraonisë, kësaj shkretëtire të përkohshme letraro-artistike që ka pllakosur Shqipërinë

Shefki HYSA

AUTOPSI E "PARAJSËS SË MALLKUAR"

Nga Sokol Jakova



Autori i romanit me këtë titull sugjestionues, shkrimtari i njohur Shefki Hysa, tanimë në moshë të pjekur dhe me një përvojë të pasur artistike, për kërshëri të lexuesit, ka kaluar një kalvar të vështirë në krijimtarinë e tij gjatë sundimit komunist, derisa era e demokracisë ia nxori në dritë të diellit talentin dhe aftësitë, çka e vërtetojnë mirëfilli një aradhë librash në prozë si romane, ashtu dhe përmbledhje me tregime. Për këtë prozator pengu ishte "njolla" biografike, e cila, si për plot krijues apo njerëz të thjeshtë, bëhej si një digë e fuqishme dhe e pakapërcyeshme në atë kohë. Pra për cilindo krijues të vërtetë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, ishte e vështirë që të shpaloste pasurinë shpirtërore që i vlonte në shpirt, për të mos thënë pastaj krijues si Shefki Hysa me cene biografike, pavarësisht vlerave dhe talentit të veçantë që karakterizonin individualitetin dhe krijimtarinë e tij artistike.

Përpara se të lexojë romanin "Parajsa e mallkuar", çdo njeri duhet të marrë me mend se autori i veprës, ose më saktë një artist që gjatë jetës ka hequr mbi kurriz vuajtje dhe mundime të panumërta, për shkak të biografisë me "njollë", ka pasur jo vetëm përçmim dhe urrejtje të ashpër, por dhe një mllef të madh që i ziente në shpirt për atë periudhë të humbëtirës. Pikërisht këtë kompleks ndjenjash që i vorbullonin vetëdijen, autori i ka derdhur në përmasa të veçanta artistike në romanin e tij "Parajsa e mallkuar". Për ta bërë një gjë të tillë krijuesit Shefki Hysa i kanë shërbyer mirëfilli një sërë mjetesh artistike të gjetura, të cilat spikatin në roman si peizazhi, nënteksti, grotesku në paraqitjen e disa personazheve, ironia, sarkazma etj.

Vepra në dukje dallohet për një kompozicion të thjeshtë, që shtillet në mënyrë drejtvizore, me kapituj të shkurtër që gërshetohen me njëri-tjetrin dhe si një "mozaik" shpalosin subjektin, ngjarjet, mjedisin ku zhvillohen ato dhe personazhet e shumtë. Por në teknikën e rrëfimit, që të ngërthejë material sa më të bollshëm jetësor në strukturën kompozicionale, autori ka shfrytëzuar një gjetje të goditur, duke alternuar në vazhdën e kapitujve të shkurtër, herë rrëfimin në vetën e tretë, pra rrëfimin e autorit, e herë rrëfimin në vetën e parë, rrëfimin e heroit të romanit, Xheki Vilëzës. Kjo teknikë rrëfimi jo vetëm ia ka zgjeruar romanit hapësirat përshkruese, por ka forcuar përnjimend psikologjizmin në individualizimin e personazheve dhe në zbulimin e karaktereve që mishërohen në to.

Pa dashur t’ia shuajmë kureshtjen lexuesit, po përmendim shkurtimisht disa elemente të subjektit. Ngjarjet e veprës shtillen në një qytet të largët verior, më saktë në një qytezë minatorësh, ku për shkaqe biografike heroin e romanit shkrimtarin dhe gazetarin e talentuar Xheki Vilëza e kanë degëdisur si mësues. Atje ai njihet me lloj-lloj njerëzish, të mirë e të liq, që nga kamerieri Gjuran e deri te Babëloku, personazhi më negativ, më i urrejtur e i përçmuar i veprës. Djaloshi njihet edhe me femra dhe me njërën prej tyre, nxënësen e tij, Rozafën jetime bie në dashuri, por kjo ndjenjë e fuqishme në fund të romanit përfundon tragjikisht, çka përcjell njërin nga mesazhet kryesore të veprës që tragjedia në atë mjedis të "Parajsës së mallkuar" ishte shoqëruesja e vetme e jetës. Dhe vërtet me tragjedi nis romani, me varrimin e një minatori që është vrarë nëntokë e me tragjedi përfundon nën sfondin e një natyre të murrëtyer, shpesh herë me shi që ndjell vetëm zi. Ky peizazh i dhënë me mjeshtri nga autori përmes penelatash të goditura bëhet i prekshëm dhe tejet i ndjerë për lexuesin, që nga faqja e parë e deri te faqja e fundit e romanit.

Prej frymëzimit dhe njohjes së thellë të jetës, cilësi këto të romanit të Shefki Hysës, edhe një lexues i thjeshtë e kupton se autori në vepër ka shfrytëzuar mjaft elemente të biografisë dhe jetës së tij personale. Kjo është e vërtetë. Por, si në çdo vepër artistike, edhe Shefki Hysa në romanin e tij nuk ka mbetur rob i së vërtetës historike, por, duke i dhënë krahë imagjinatës së tij krijuese ia ka dalë mbanë me sukses të nxjerrë nga duart një prej librave të tij më të realizuar.

Niveli artistik i romanit spikat jo vetëm në pasqyrimin me realizëm dhe vërtetësi jetësore të realitetit të kohës, në analizën artistike të një problematike të pasur, të ngjeshur e të ndërlikuar të këtij realiteti, por sidomos në poetikën e formës së romanit: në vizatimin e personazheve, në paraqitjen e mjediseve ku ato veprojnë, në mjetet e larmishme e tropet e shumta që shfrytëzohen për zbulimin e tyre si të gjallë në sy të lexuesit e veçanërisht te e magjishmja që dominon hera-herës realen. Pra, nëpër realitetin artistik të veprës fryjnë jo rrallë erërat e një rryme që të sjell ndërmend elementet e një realizmi magjik si në veprat e Markesit. Me një stil lakonik, herë-herë si të një proze poetike, e herë-herë edhe me ngjyresë publicistike, karakteristikë e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Shefki Hysa arrin të na japë në roman plot figura artistike e një mjedis të gjallë e të zymtë të jetës dhe punës së vështirë në qytezën e minatorëve, që të mbeten ndër mend.

Peshën kryesore të problematikës dhe mesazhit të romanit lexuesi e gjen te heroi i tij Xheki Vilëza. Përfytyro, i nderuar lexues, një djalë të ri që ka nisur të bëjë emër me shkrimet e tij, me plot ëndrra për të ardhmen që t’i japë udhë karrierës në sajë të talentit dhe aftësive profesionale, të degëdiset në një skutë të largët e të humbur, ku njerëzit rropaten në mjerim e varfëri, për shkaqe që sot, veçanërisht për të rinjtë, tingëllojnë absurde, por për atë kohë të mykur ishin fort "të rëndësishme". Figurën e heroit të veprës që njësohet me vetë autorin, ky e ka vizatuar me realizëm e me nostalgji për rininë e humbur dhe ëndrrat e vrara. Vizat e kësaj figure janë të theksuara si në portretin e jashtëm, ashtu dhe në cilësitë shpirtërore. Një djalë fisnik tërheqës, i dashur dhe i sinqertë, me karakter të fortë, me adhurim të veçantë për jetën dhe njerëzit, me shpirt të ndjeshëm artisti, i ndershëm deri në verbëri, trim dhe i rebeluar prej realitetit të vendit të tij të dashur, këto janë pak a shumë kufijtë ku gjallon bota shpirtërore e heroit. Xheki Vilëza që vjen nga jugu ku fryjnë flladet e buta joniane, gjen në atë qytezë të largët veriore, me shumë dimër e acar, njerëz e miq të mrekullueshëm si Gjuranin, drejtorin e shkollës, Xhimin, dhe të shoqen, Najadën, njihet me të dashurën e tij, vajzë e shkëlqyer, Rozafën, me të cilën dëshironte të lidhte jetën, por që nuk e la "dora e hekurt" e përbindëshave të zinj të asaj kohe, të cilët ndienin kënaqësi për fatkeqësitë e të tjerëve. Nga ana tjetër, Xheki njihet edhe me monstra të tilla si Babëloku, që bënte ligjin mizor në krahinë, me injorantë si Dudumi, me femra të tilla të degjeneruara nga jeta e zvetënuar e vanitoze si Demona apo dhe si Diella, së cilës ia lëbyr sytë luksi përrallor e plot salltanete i bajraktarit Babëlok, prandaj bie në prehrin e tij.

Galeria e personazheve të romanit është e pasur. Autori ka mundur që përmes mjeteve të larmishme artistike të individualizojë secilin prej tyre. Tanimë, pas kaq vitesh, me një formim e përvojë të lakmueshme në mjeshtrinë artistike, e cila spikat edhe në veprat e tij të mëparshme, ai ka realizuar figura të tilla si Babëloku, ky përbindësh i vërtetë, që për mendimin tonë, nuk hasen shpesh në letërsinë e sotme shqiptare.

Jo më kot autori në vepër e vë në fokus të analizës artistike figurën e Babëlokut pas disa kapitujsh të romanit. Kjo gjetje të kujton dhe përqaset mirëfilli me Uriah Hipin e Dikensit, të cilin autori e përball me lexuesin pas kapitujve të parë të "David Koperfildit". Te "Parajsa e mallkuar", pasi shfaqet, Babëloku vihet në epiqendër të pjesës së mbetur të romanit.
Ja me ç’viza jepet portreti i këtij njeri-përbindësh:

"Habitej madje dhe me frymëmarrjen e pazakontë të Babëlokut. Shfrynte njëherësh prej hundës dhe të një valvole të montuar në fyt, ca dufe të thella: çuf-çuf e çuf-çuf si të imitonte një lokomotivë me avull. Thuhej se dikur i ishte shpifur në grykë një çist kanceroz, që i dëmtoi kordat e zërit dhe i vështirësonte frymëmarrjen. Pas operimit, poshtë kombit të gushës, dukshëm, i kishin montuar një valvol, si një hundë shtesë për të përmirësuar procesin e frymëmarrjes. Dhe valvola shfrynte ritmikisht dhe provokonte kureshtje.

Babëloku, në pamundësi për të folur lirisht me zërin e tij, shprehej me nojma. Mbante një suitë rrotull që i shërbenin dhe njëkohësisht deshifronin nojmat për bashkëbiseduesit. Mimika e fytyrës dhe lëvizjet e kokës dhe të duarve të tij ishin shndërruar tashmë në një libër kodesh që lexohej orë e çast prej shërbëtorëve. Babëloku sillej brutal me suitën e vet. I trajtonte si lolot edhe ndihmësit dhe këshilltarët më besnikë. Mospërfillës shtirej edhe ndaj trimave, gardës së tij mbretërore, siç i quante ata që i ruanin jetën. I pëlqente të sundonte përqark si mbret dhe në fakt ishte shndërruar në një lloj mbretuci.

Thoshin se nuk respektonte asnjë autoritet mbi veten. Madje sillej përbuzës edhe me ata lart, oborrtarët e të Parit fare. Nganjëherë nuk ia përtonte edhe të Parit me ndonjë të sharë ashtu përkëdheltaz..."

Dhënia me kaq vërtetësi përmes një përshkrimi sa tallës, aq dhe grotesk i kësaj figure të fëlliqur që simbolizon dhunën, fyerjen, mizoritë apo më saktë "kopanin a tokmakun e diktaturës" është bërë me një nëntekst dhe me një mllef të veçantë, i cili është mllefi i njerëzve të thjeshtë me shpirt fisnik të asaj kohe, që provuan mbi kurrizin e tyre të nëntëdhjetë e nëntat, provuan mizoritë e pashembullta, fatkeqësitë më çnjerëzore, plagët që kullojnë ende gjak të atij sistemi të llahtarshëm, i cili bënte të dridhej edhe foshnja në bark të nënës. Për këtë sistem dhe lakejtë e tij ishin mëse të rëndomta vrasjet e minatorëve në minierë, masakrimi i Albanit dhe i Rozafës, depersonalizimi i Zudiut, Demonës, Diellës etj. Pra i tillë ishte realiteti i asaj kohe të humbëtirës që autori me ironi e sarkazmë e ka quajtur "Parajsa e mallkuar".

Duke gjykuar nga vlerat artistike të këtij romani, mund të themi me plot gojën që shkrimtari i talentuar Shefki Hysa me këtë vepër i ka bërë një rekuiem të vërtetë kësaj "parajse", këtij "gulagu komunist", gjurmët e plagët e të cilit do të mbeten përjetësisht të pashlyera.

FUQIA PÊR TÊ RIKRIJUAR LIRINÊ

FUQIA PÊR TÊ RIKRIJUAR LIRINÊ

Shënime për romancën "Bukuroshja me hijen" e shkrimtarit Pjetër Arbnori


Duhet të jesh patjetër njeri me zemër tejet të ndjeshme, të jesh shkrirntar me të vërtetë i talentuar që të kesh njëherësh durim e fantazi për të endur mjeshtërisht me majën e penës velin farfuritës e idilik të një plazhi veror, i ndryrë përbrenda qelive të një burgu të llahtarshëm si ai i Burrelit. E pabesueshme, megjithatë realitet. Ish i burgosuri politik Pjetër Arbnori, në kushte terrori të egër, nëpër terrin e qelisë të ndriçuar vetëm me dritëzën e syve dhe zjarrin e kujtimeve të rinisë së hershme që s'arrin t'ia përlyejë dhuna fizike e psikike, që s'ia shuan dot uria, rreket jo thjesht për të mbijetuar, por edhe për të mprehur mendimin dhe ndjenjën e për t'i ngjizur pastaj në një art të veçantë. Kjo është romanca "Bukuroshja me hijen". Fati i saj është një pjesë e fatit të autorit, e atyre njerëzve që dolën së fundi në dritë, prej rrethimit të telave me gjemba, me shpirt ende të pacënuar, në sajë të shpërthimit të energjive të fjetura.
E lexon këtë romancë e nuk ke se si të mos drithërohesh jo vetëm nga gjendjet e përprushura lirike dhe mesazhet që përçon, por për faktin se si ajo është krijuar përbrenda skutave të ngrehinës së tmerrit të burgut famëkeq të Burrelit. Nuk do ta tepronim aspak, po të shprehemi në mënyrë figurative, se kjo vlerë artistike është ngjizur e rritur njëlloj si perlat përbrenda guaskës së molusqeve të nëndeteve të thella. Gjuetarët e perlave e dinë se ç'heqin për t'i zbuluar e nxjerrë prej thellësive detare e për t'i vënë në shërbim të njeriut të tilla thesare.
Pra, kjo romancë që s'ka asgjë të përbashkët me tmerret e burgjeve, përkundrazi është një përpjekje e suksesshme e autorit, sa dëshirë dhe trill, për t'i kënduar ndjenjës njerëzore të stërlashtë sa vetë njeriu, dashurisë. Megjithëse në një fushë ku kanë hyrë e kanë dështuar shumë shkrimtarë, Pjetër Arbnori, sipas mënyrës së vet, me ngjyrimet e botës së tij emocionale, më në fund, ia del mbanë t'i thurë një himn të ri dashurisë, veshur kësaj here me karakteristika nga më shqiptaret.
Ata që do ta lexojnë këtë romancë, do të binden se pas botimit të novelës "Kur dynden vikingët", shtëpia botuese "Bilal Xhaferri" paraqet një tjetër dëshmi artistike për talentin e pamohueshëm të këtij autori, tashmë jo të ri në moshë, por të ri në shpirt. "Bukuroshja me hijen" është një sfidë për skeptikët, për nihilistët, për mediokrët. Edhe pse brenda errësirës së burgjeve, ai në shpirtin e në veprën e tij ruajti pastërtinë e dritës, kur shumë shkrimtarë të tjerë, edhe pse jetuan në dritë, në jetën e tyre zuri vend errësira e diktaturës.
Pjetër Arbnori do ta zërë vendin që i takon në letërsinë tonë. Ai si një gjuetar i palodhur me siguri do të vazhdojë kërkimin e të tilla perlave në detet e mundimshme të krijimtarisë për kënaqësinë e atyre që e njohin vlerën e mrekullive. Dhe e ardhmja ka për ta shpërblyer, duke e skalitur emrin e tij në kujtesën e kohës.

Shënime për librin "Nata e qiparisave të huaj" e Artur Spanjollit

"Parajsa" e humbur

Shënime për librin "Nata e qiparisave të huaj" e Artur Spanjollit

"Nata e qiparisave të huaj" e krijuesit të ri Artur Spanjolli është një përmbledhje me poezi dhe esse që shpreh në thelb filozofinë e moshës së tij. Arturi njëzetëvjeçar çuditërisht i ngjan një plaku të mençur në krijimet e veta. Kjo vjen, ndoshta, ngaqë ka rendur aq shumë në kërkim të parajsës së ëndërruar, saqë edhe nëse do ta gjente atë (?!), do të ishte si diçka e pavlerë për shpirtin e tij të stërmunduar që tanimë ka humbur diçka prej asaj që quhet parajsë shpirtërore-ndjeshmërinë. Kjo vjen thjesht se për të arritur një sukses të moshës ai, si shumë të rinj shqiptarë, ka harxhuar tërë potencia1in shpirtëror, atë potencial që në kushte normale do ta ndihmonte për të ndërtuar "parajsën" e tërë jetës së tij.

Sidoqoftë, tjetër gjë peripecitë e jetës e tjetër gjë vlera e krijimtarisë; Arturi në "Nata e qiparisave të huaj" shprehet si një autor i pjekur, megjithëse ky është botimi i parë. Odiseja e jetës së tij nëpër Ita1i e veçanërisht në Firence, ku arrin të marrë pjesë në një konkurs letrar dhe fiton jo vetëm një çmim, po edhe një mundësi për t'u regjistruar në Universitetin e këtij qyteti të lashtë, për letërsi moderne, i ka dhënë përvojën e një emigranti të regjur. Përvoja në njërën anë si dhe përmbledhja e krijimeve të zgjedhura, nga tre vëllime të ndryshme, brenda një libri, e bëjnë botimin "Nata e qiparisave të huaj" një vepër të spikatur për autorin njëzetëvjeçar.

Botimet që do të dalin më vonë do ta prezantojnë edhe më denjësisht Artur Spanjollin, megjithatë le të kënaqemi si fillim me këtë libër, i nderuar lexues.

Si të mbetemi të kënaqur le t’i urojmë suksese të mëtejshme këtij poeti e prozatori të gatuar prej jetës në një mënyrë disi të veçantë...

Shefki Hysa

Kurva e pasur dhe shqiptarët

Sh.Hysa

Më në fund Europa i ka liberalizuar vizat për serbët dhe maqedonasit dhe ata që në muajin qershor të vitit 2009 shkojnë tërë qejf në mejhanet e hanet e saj, shpenzojnë gjithë ç’kanë, pijnë e dehen, duke i sharë dhe kërcënuar edhe më shumë shqiptarët dhe duke e bërë edhe më të pasur kurvën plakë të pasur. Pra, Serbia dhe Maqedonia, me sa duket, do të hyjnë edhe në BE para Shqipërisë, duan thonë gojët e liga. Flitet edhe se Europa justifikohet se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standartet, se opozita shqiptare me protestat dhe grevat e saj të pafundme po e varros liberalizimin e vizave, të vetmen mundësi që u është afruar shqiptarëve të varfër, pavarësisht se Kryeministri ynë, i nderuari Sali, u ça e u nda, duke këmbëngulur se në qershor të vitit 2010 do ndodhë çudia, se në mos ndodhi në qershor do ndodhë patjetër në... 36 gusht... Mor do ndodhë se s’bën se Shqipëria është vendi i bumit ekonomik, se është mrekullia e super zhvillimit energjitik, se shqiptarët që nuk dinë ç’është termi krizë ekonomike, janë më të pasurit në botë dhe e meritojnë të hyjnë në Evropë, se... se ka edhe shumë “se” të tjera si argumente bindëse për vendin e shqiponjave.
Po ç’thotë në të vërtetë kurva e pasur, Evropa?! Asgjë, vetëm qesh e qesh dhe u gëzohet sukseseve që u dedikon Kryeministri ynë i nderuar shqiptarëve. Qesh e ngjesh, siç thotë një fjalë e urtë e mençurisë popullore. Mos!... Këtë e thonë vetëm gojët e liga se Evropa na do shumë. Ju betohem! Ja si shprehet ajo:
- Good Albania!... Shqipëria është vërtet vendi i tërë mrekullive të botës, - thekson Evropa, - por le të ulen njëherë në tryezë Sala e Rama e të gjejnë gjuhën se si do t’i ndajnë mrekullitë që u kanë dhuruar shqiptarëve, se nuk e gjetën as në mes të Strasburgut tim, nën kërcënimin e tmerrshëm të dhëmbëve të tmerrshëm të Krokodilit të Tmerrshëm që ka kullufitur sa e sa diplomatë e diplomaci botërore. Vërtet trima ata!... Është për t’u pasur zili dhe për t’u bërë shembulli më i bukur në botë qëndresa dhe heroizmi i tyre përballë hungërimave të të Madhit Krokodilit të Tmerrshëm...
Ju betohem, kështu sugjeron Evropa, e cila gati sa nuk përjeton orgazma në distancë prej trimërisë së liderrave tanë!...
Eh, mund ta shikoni edhe me sytë tuaj se sa vuan e gjora plakë e pasur për shqiptarët, në krahasim me serbët e maqedonasit!...
Bukur. Na do Europa, nuk ke ç’i thua. Më besoni!... Madje flitet se është penduar edhe për tërë ato që na ka punuar para, gjatë vitit 1913 dhe më pas kur e bëri Shqipërinë copë-copë dhe copat më të mira të saj, Kosovë e Çamëri e plot troje të tjera, ua fali fqinjëve tanë lakmitarë; për atë që bëri edhe në vitin 1945, kur na la nën sundimin e diktaturës komuniste enveriane. Është penduar aq shumë e gjora plakë sa është gati edhe të flirtojë veças me secilin nga dy udhëheqësit tanë trima që ata të binden e të miqësohen e të kuptojnë më në fund se në 36 gusht të vitit 2036 Shqipëria do të jetë patjetër nusja e saj!...
Oh, ç’fat!... Prandaj Evropa është aq në hall dhe sa për sy e faqe i shpreh tërë ato simpati për serbët, maqedonët e grekët, që ata të preken e të lotojnë e të mos e kundërshtojnë vullnetin e Shqipërisë e të Kosovës (për Çamërinë është ende herët për të folur, mund të flitet në kalendat greke, ose më 36 gusht të vitit 3636) për të hyrë në mejhanet e saj...
Eh, ç’sakrifica bëka kodoshja plakë për ne, shqiptarët e Shqipërisë, si gjithmonë, plebejtë e saj (për shqiptarët e Kosovës sot për sot nuk mund të flitet kaq hapur se mos e kuptojnë serbët dashurinë e madhe europiane alla EULEX dhe vënë veton e tyre kundër! Mos, o Zot!)!...
Na do Europa, nuk ke ç’i thua! Jo më kot i kërcënoi me Krokodilin e Tmerrshëm liderrat tanë... Epo nuk ka ç’bën tjetër, do thotë ndonjëri. T’ia japim hakun!... Kështu na ka dashur dhe kështu është sjellë qëmoti kurva plakë Evropë (qysh kur u shpik kurvëria, zanati më i vjetër i botës) dhe kështu do të vazhdojë të sillet me ne shqiptarët. Kështu do të na dojë pa mbarim dhe nuk do të përtojë t’i kërcënojë me Krokodilin e Tmerrshëm apo t’i ndëshkojë për mosbindje Salitë e Ramat shqiptarë, duke u ofruar edhe p... e saj, vetëm e vetëm që ata t’i përkushtohen kauzës evropiane dhe ta udhëheqin Shqipërinë (përfytyro Shqipërinë etnike!) nga mrekullia në mrekulli çdo 36 gusht deri në vitin e shumëpritur 3636 kur do të jemi të adoptuarit e saj dhe do të trashëgojmë tërë pasuritë që ajo ka grumbulluar, grumbullon dhe do të grumbullojë në kurriz të atyre që nuk e meritojnë të jenë evropianë të vërtetë!...
Poshtë gojët e liga që duan të na prishin me Europën!... Rrofshin Berisha e Rama që do të pajtohen së shpejti e do ta rimorkiojnë Shqipërinë drejt Evropës deri më 36 gusht të vitit 3636, vit fatlumë për shqiptarët!...

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...