2011-03-09

Flori Bruqi: Fshehtësitë dhe sfidimet Kadariane...janë realitet kohe...



Ismail Kadare lindi në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai kaloi fëmijërinë dhe kjo la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin "Asim Zeneli". Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin "Gorki" të Letërsisë Botërore në Moskë. Këto studime iu ndërprenë për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Kadareja ka punuar në gazetën "Drita", pastaj drejtoi revistën "Les letres albanaises". Së fundi punonte në profesion të lirë. I.Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve '60. Në fund të vitit 1990, dy muaj pas rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje mjaft të shpeshta me Shqipërinë. Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë për të.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.


POEZIA E KADARESË


Poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve '60 për të realizzar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
Frymëzime dialoshare (1954), Ëndërrimet (1957), Endërr industriale (1960), Shekulli im (1961), Poemë e blinduar (1962), Përse mendoben këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Motive me diell (1968), Koha (1976), Shqipëria dhe tri Romat, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet '60 -'70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë:


Po s'ndërron ai kurrë
Art i skulpturës
Gënjeshtrën mbi mua ka ngrírë përgjithnjë.
I mbërthyer në dëshminë e saj të rremë
Të vërtetën kujtoj dhe qaj për të.
(Laokonti)


Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me "motin e madh", të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar:


Njëzet e katër luftra bëri,
Njëzet e katër vdekje theu.
çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.
(Portreti i Skënderbeut)


Përgjithësisht poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon, përmes poezisë së tij, ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj:


Dhe kur binin në prille a në vjeshtra
Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me zjarre të vegjël të pëtjetshëm
Era loste me xhufkat e kuqe.
(Nisja e shqiptarëve për në luftë)


Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si "Përse mendohen këto male" dhe "Shqiponjat fluturojnë lart", pastaj me "Shekulli i 20-të", "Poemë e blinduar", "Shqipëria dhe tri Romat" e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme.
Kadare në problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e "temës së madhe". dhe jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së tij.
Kadare i shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek Migieni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit. Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë:


Do shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do më ngelet
I ftohti medaljon i hënës.


Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij,për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.


RAPORTI NDËRMJET JETËS DHE VDEKJES


Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Ky roman i kushtohet misionit të një shtabi ushtarak të gjallë, i cili duhet t'i bëjë nderet e fundit një armate të tërë ushtarësh të mbuluar me dhè. Vlera e jetës, çmimi i vdekjes, taksa e gjakut, varrimi dhe zhvarrimi, muranat anonime dhe piramidat hijerënda, ringjallja dhe rivdekja (rivrasja), arka e hirit dhe dosja e zezë, kamarja e turpit dhe përmendorja e nderit, harrimi dhe përjetësia, vetëflijimi dhe kurbani, trupi dhe hija (fantazma, sozia, spiritus), janë nocione themelore artistike të shkrimtarit.
Në mënyrë të veçantë vdekja përbën një zgjedhje të dendur të autorit për të dhënë qëndrimin e tij ndaj jetës njerëzore. Ajo paraqitet në formë individuale dhe kolektive, natyrore dhe heroike, të mirëqenë dhe të sajuar. Ajo vjen nga fati, nga hakmarrja, nga lufta, nga gjyqi, nga sëmundja nga mplakja; në të gjitha pamjet e saj, si ndërprerje e zakonshme e jetës, si shpagim për vdekjen e tjetrit, si prurje e lëngatës, si varje apo pushkatim nga shteti, si zvarrisje apo linçim nga hakmarrja.
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", vepra që i dha njohjen ndërkombëtare Kadaresë, nuk është e para që trajton raportin midis jetës dhe vdekjes. Qysh tek "Balada e zhvarrimit", kushtuar fatit pas-vdekjes të prijësit arbër Gjergj Kastrioti, duket qartë prirja për të zbuluar, nëpërmjet qëndrimit ndaj varrit, kulturën nga barbaria, dhunimin nga shenjtërimi, sundimin e të vdekurve mbi të gjallët.
Në tregimin "E krehura", vdekja dhe varret, në heshtjen e tyre, marrin vlerë fisnikëruese. Njeriu që edhe me vdekjen dëshiron të tregojë dinjitet dhe fuqi shpirtërore ka një varr të thjeshtë, pa shenjë, në një kënd të padukshëm të varrezave verilindore të kryeqytetit, ndryshe nga shumë të tjerë, që, në përputhje me hierarkinë zyrtare mbitokësore, mbajnë mbi krye statuja, ornamente, lule dhe figura. Por ata nuk kanë bërë më shumë se Egla e vogël për Shqipërinë dhe s'kanë asnjë meritë për të qenë të diferencuar edhe përpara vdekjes e varrit. Nëpërmjet varreve Kadareja ka stratifikuar gjithë shoqërinë shqiptare, në kuadrin e së cilës veprojnë personazhet e tij.
Shtresëzimi i shoqërisë në veprën e Kadaresë fillon me varret pa emër, me muranat e thjeshta në gryka malesh e pusish, me varrezat e zakonshme shqiptare, pranë kishës, rrethuar me selvi; për të vazhduar më tej me përmendoret dhe lapidarët, me varret e shenjtëruar për motive patriotike, siç janë varret e dëshmorëve (le të kujtojmë, për shembull, varrin e veçantë të Alush Tabutgjatit; varrin e Skënderbeut ose edhe të pashait turk në Orikum) dhe për të përfunduar me piramidën e faraonit Keops ose arkën e hirit të trupit të djegur të Çu En Lait, që, sipas testamentit të tij, u derdh mbi hapësirën ndërkontinentale të Kinës, për ta pushtuar me frymën e vet.


Ismail Kadare është nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja) ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Kadareja që në vitet '60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t'i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse asktu e meriton, ndihet të pohojë autori.

1- Frymëzime djaloshare, Lirika; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1954
2- Ëndërrimet, lirika dhe poema; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1957
3- Princesha Argjiro, poemë; Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1958
4- Princesha Argjiro, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1967
5- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1970
6- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1972
7- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 197(?)
8- Princesha Argjiro, poemë; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1977
9- Princesha Argjiro, poemë; Rilindja, Prishtinë, 1983
10- Shekulli im, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1961
11- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1963
12- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1967
13- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1971
14- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1973
15- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i dytë; Rilindja, Prishtinë, 1976
16- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1978
17- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i tretë; Rilindja, Prishtinë, 197(?)
18- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman, botim i katërt; Rilindja, Prishtinë, 1980
19- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1980
20- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1990
21- Gjenerali i ushtrisë së vdekur, roman; Fayard, Paris, 1998
22- Përse mendohen këto male; Naim Frashëri, Tiranë, 1964
23- Vjersha dhe poema të zgjedhura; Naim Frashëri, Tiranë, 1966
24- Gurëgdhendësit, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1967
25- Motive me diell, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1968
26- Motive me diell; Rilindja, Prishtinë, 1978
27- Qyteti i Jugut, tregime dhe reportazhe; Naim Frashëri, Tiranë, 1967
28- Qyteti i Jugut, tregime; Rilindja, Prishtinë, 1971
29- Dasma, roman; Rilindja, Prishtinë, 1967
30- Dasma, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1968
31- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1970
32- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1973
33- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1976
34- Kështjella, roman; Rilindja, Prishtinë, 1976
35- Kështjella, roman; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1977
36- Kështjella dhe helmi, pjesë teatrore; Naim Frashëri, Tiranë, 1977
37- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1978
38- Kështjella, përshtatur për fëmijë; Naim Frashëri, Tiranë, 1979
39- Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1980
40- Kështjella, roman; Rilindja, Prishtinë, 1980
41- Kasnecët e shiut, roman motërzim përfundimtar; Fayard, Paris, 1994
42- Kasnecët e shiut, roman motërzim përfundimtar; Dukagjini Pejë 1997
43- Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1971
44- Kronikë në gur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1972
45- Kronikë në gur, roman; Rilindja, Prishtinë, 1976
46- Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1978
47- Kronikë në gur, roman: Rilindja, Prishtinë, 1980
48- Kronikë në gur, roman; Fayard, Paris, 1997
49- Kronikë në gur, roman; Onufri, Tiranë, 2000
50- Linja të Largëta, shënime udhëtimi; Naim Frashëri, Tiranë, 1971
51- Autobiografia e popullit në vargje, studim, shënime kritike; Naim Frashëri, Tiranë, 1971
52- Dimri i vetmisë së madhe, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1973
53- Dimri i madh, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1977
54- Dimri i vetmisë së madhe, roman; Fayard, Paris, 1999
55- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1975
56- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Rilindja, Prishtinë, 1980
57- Nëntori i një kryeqyteti, roman; Fayard, Paris, 1997
58- Përse mendohen këto male; Shqiponjat fluturojnë lart; Ëndërr industriale, poema; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1975
59- Poema të zgjedhura për fëmijë; Naim Frashëri, Tiranë, 1975
60- Koha, vjersha dhe poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1976
61- Poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1976
62- Emblema e dikurshme, tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1977
63- Emblema e dikurshme, tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
64- Kështjella dhe helmi, pjesë teatrore; Naim Frashëri, Tiranë, 1977
65- Ura me tri harqe, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1978
66- Ura me tri harqe, novela; Rilindja, Prishtinë, 1980
67- Në muzeun e armëve, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1978
68- Në muzeun e armëve, poemë; Naim Frashëri, Tiranë, 1989
69- Poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1979
70- Komisioni i festës; Rilindja, Prishtinë, Rilindja, Prishtinë, 1980
71- Gjakftohtësia, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1980
72- Gjakftohtësia, novela; Rilindja, Prishtinë, 1980
73- Autobiografia e popullit në vargje, studim; Naim Frashëri, Tiranë, 1980
74- Buzëqeshje mbi botë, poezi e zgjedhur; Rilindja, Prishtinë, 1980
75- Prilli i thyer; Rilindja, Prishtinë, 1980
76- Vepra letrare 1, poezi; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
77- Vepra letrare 2, poema; Naim Frashëri, Tiranë, 1982
78- Vepra letrare 3, Gjenerali i ushtrisë së vdekur; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
79- Vepra letrare 4, Kështjella, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
80- Vepra letrare 5, Kronikë në gur, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
81- Vepra letrare 6, Nëntori i një kryeqyteti; Naim Frashëri, Tiranë, 1983
82- Vepra letrare 7, Dimri i madh; Naim Frashëri, Tiranë, 1983
83- Vepra letrare 8, Kush e solli Doruntinën; Ura me tri harqe; Lëkura e daulles; 1981
84- Vepra letrare 9, Pashallëqet e mëdha; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
85- Vepra letrare 10, Prilli i thyer; Muzgu i perëndive të stepës; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
86- Vepra letrare 11, Tregime dhe novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
87- Vepra letrare 12, Publiçistikë, Autobiografi e popullit në vargje, reportazhe, shënime udhëtimi, intervista; Naim Frashëri, Tiranë, 1981
88- Poezi; Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, Tiranë, 1985
89- Koha e shkrimeve, tregime, novela, përshkrime; Naim Frashëri, Tiranë, 1986
90- Koncert në fund të dimrit, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1989
91- Koncert në fund të dimrit, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1990
92- Koncert në fund të stinës, roman; Fayard, Paris, 1999
93- Dosja H, roman; Naim Frashëri, Tiranë, 1990
94- Dosja H, roman; Fayard, Paris, 1996
95- Ftesë në studio; Naim Frashëri, Tiranë, 1990
96- Ftesë në studio; Rilindja, Prishtinë, 1990
97- Eskili, ky humbës i madh, studim; 8 Nëntori Tiranë, 1990
98- Viti i mbrapshtë; Rilindja, Prishtinë, 1990
99- Përbindëshi, roman; Vreber, Prizren, 1990
100- Përbindëshi, roman; Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë 1991
101-Përbindëshi, roman; Fayard, Paris, 1998
102-Ëndërra mashtruese, tregime, novela; Naim Frashëri, Tiranë, 1991
103-Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, studime; 8 Nëntori, Tiranë, 1991
104- Nga një dhjetor në tjetrin, kronikë, këmbim letrash, përsiatje; Fayard, Paris, 1991
105- Pesha e Kryqit; Fayard, Paris, 1991
106- Vepra, vëllimi i parë: Tregimet e tejkohshme: Prometheu, Ëndërra mashtruese, Përpara banjës, Nata e Sfinksit, Piramida, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe, Muri i madh; Fayard, Paris, 1993
107- Vepra vëllimi i dytë: Tregimet e ditës që po thyhej, Kisha e Shën Sofisë, Shënime nga Kapiteneria e Portit, Sjellësi i fatkeqësisë, Kamarja e turpit; Fayard, Paris, 1994
108- Vepra vëllimi i tretë: Komisioni i festës, Qorrfermani, Pallati i Ëndërrave, Vjedhja e gjumit mbretëror, Breznitë e Hankonatëve, Heqja e mjeshtërisë së munxadhënësve, Lamtumira e së keqes; Fayard, Paris, 1995
109- Vëllimi i katërt: Viti i mbrapshtë, Prilli i thyer, Dosja H, Kënga, Kalimet e nëndheshme, Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Nëmuna; 1996
110- Vëllimi i pestë, Kronikë në gur, Nëntori i një kryeqyteti, Rrëfim trikohësh, Triptik: Koha e shkrimeve, Koha e parasë, Koha e dashurisë; 1997
111- Vepra vëllimi i gjashtë: Qyteti pa reklama, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Muzgu i perëndive të stepës, Përbindëshi; Fayard, Paris, 1998
112- Vepra vëllimi i shtatë, Dimri i vetmisë së madhe, roman; Fayard, Paris, 1999
113- Vepra vëllimi i tetë: Koncert në fund të stinës, roman; Fayard, Paris, 1999
114- Piramida, roman, Vepra, vëllimi i parë; Fayard, Paris, 1993
115- Piramida, roman, Çabej, Tiranë, 1995
116- Shkaba, roman; Çabej, Tiranë, 1995
117- Shkaba, roman; Dukagjini, Pejë, 1996
118- Spiritus, roman; Onufri, Tiranë, 1996
119- Spiritus, roman; Onufri, Tiranë, 2000
120- Dialog me Alain Bosquet; Onufri, Tiranë, 1996
121- Dialog me Alain Bosquet; Onufri, Tiranë, 1996
122- Legjenda e legjendave, ese; Dukagjini, Pejë, 1996
123- Pallati i Ëndërrave, roman; Dukagjini, Pejë, 1996
124- Pallati i ëndërrave, roman; Onufri, Tiranë, 1999
125- Kush e solli Doruntinën; Flaka e Vllazërimit, Shkup, 1997
126- Kush e solli Doruntinën; Album, Tetovë, 1997
127- Kushëriri i ëngjëjve, ese; Onufri, Tiranë, 1997
128- Tri këngë zie për kosovën, tregime; Onufri, Tiranë, 1998
129- Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë, ese; Onufri, Tiranë, 1998
130- Ikja e shtërgut, tregim; 1999
131- Ra ky mort e u pamë; Onufri, Tiranë, 1999
132- Qorrfermani; Onufri, Tiranë, 1999
133- Vjedhja e gjumit mbretëror, tregime; Onufri, Tiranë, 1999
134- Ra ky mort e u pamë; Onufri, Tiranë, 2000
135- Kohë barbare, Nga Shqipëria në Kosovë, Biseda me Denis Fernandez Rècatala; Onufri, Tiranë, 2000
136- Breznitë e Hankonatëve, roman; Onufri, Tiranë, 2000
137- Bisedë përmes hekurash me Ushkin Hotin; Onufri, Tiranë, 2000
138- Lulet e ftohta të marsit, roman; Onufri, Tiranë, 2000.


Etj.




Lexuesi i Agjencionit "Floripress",ka mundësinë ti lexojë ca  vështrime për veprat e Kadaresë.




Tri kenge zie per Kosoven, Ismail Kadare


Fusha e Kosovës nën zhegun përvëlues kishte një dritë të tepërt që të trembte. Nën atë ndriçim të çmendur ndodhnin lëvizjet e trupave, që ata nuk i kuptonin mirë. Dëgjuan britmat e ngadhënjimit që erdhën nga shatorja e kryekomandantit, kur qendra e turqve nisi të epej si një hark nën trysninë e të krishterëve. Britmat u përsëritën disa herë, por ata e kishin të vështirë të kapnin atë që ndodhte. Me sytë e lodhur nga drita përpiqeshin të ndiqnin lëvizjen e flamurëve me kryq, që çanin si pykë midis atyre me gjysmë hënë. Kishte përherë një ankth në atë tepri drite. Ishte si pijet dehëse të një nate më parë. Po shtyhen si tepër! tha një rapsod i vjetër boshnjak. Ishte po ai që natën e mëparshme kishte thënë se askush s'duhet të pijë para betejës, madje as princat. Britmat nga shatorrja e princ Llazarit gjëmuan prapë, kur një grumbull kalorësish serbë parakaluan furishëm përpara tij. Kur ushtarët rendën përbri tyre, rapsodët e kuptuan arsyen e brohoritjes: këmbët e kuajve ishin plot mjaltë e oriz të ngjitur, çka dëshmonte se ushtria e krishterë e kishte çarë kaq keq ushtrinë turke, saqë kishte dalë gjer në prapavijën e saj, duke shembur fuçitë e ushqimeve. Aty-këtu dëgjoheshin britmat “fitore!”, por Gjorg Shkrelit nuk i ndahej një ndjenjë ankthi. Ishte gjithmonë ajo dritë e tepërt, dehëse, që nuk i linte të qetë.


"Kronikë në gur" është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deriatëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh - partizanë e pushtues - ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.
Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e "kronikës në gur", ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman I.Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me "pafajësinë" e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.
Duke qenë vështrimi prej fëmije një vështrim thelbësor në roman, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se ku fillon koncepti i arsyetuar i saj e ku mbaron të konceptuarit si lojë.
Në studimin "Subversion kundër konformizmit" një studiues ka këmbëngulur se romani "Kronikë në gur" është një vepër hyjnizuese e Luftës Antifashiste, një "roman komisarësh", dhe se përpjekja e autorit për të hyrë në lëkurën e fëmijërisë së vet nuk është gjë tjetër veçse një procedim letrar për të mbuluar konformizmin. Përkundër këtij mendimi, shumica e studiuesve bashkohen në vlerësimin se "Kronikë në gur" është një vepër atipike në pikëpamjen metodologjike, e shkruar me një liri që tejkalonte kufizimin ideologjk dhe vlerësimin e partishëm për luftën.
Sipas një pjese të studiuesve, "Kronikë në gur", duke pasur këtë vështrim, në fakt sjell tek lexuesi një përqasje psikanalitike frojdiste rreth luftës, ose jetës së qytetit në kohë lufte. "Kronikë në gur" është një prozë me subjekt të reduktuar, gjë jo fort e përshtatshme nga pikëpamja teorike për një letërsi të orientuar.
Me këtë vepër Kadare bëri përpjekjen e parë për t'i dhënë vlerë letrare së zakonshmes, së rëndomtës, madje së shëmtuarës dhe absurdes. "Kronikë në gur" është një vepër e përshkuar nga grotesku. Vështrimi i luftës me sytë e fëmijës i ka dhënë mundësi autorit që t'i shohë ngjarjet dhe personazhet e saj pa ndonjë partishmëri të dukshme.
"Kronikë në gur" përmban vlera të rëndësishme të një letërsie të mirëfilltë etnografike. Tradita e kësaj letërsie në qytetin e Gjirokastrës është më e hershme, ajo afirmohet mirë me botimet e Musine Kokalarit në vitet '40, sidomos me "Siç më thosh nënua plakë" dhe "Sa u tunt jeta". Etnografizmi në romanin e Kadaresë u jep edhe mjediseve një cilësi jotipike, ndryshe prej kërkesave të rrepta të metodës së realizmit socialist.





 Mosmarrëveshja


Mosmarreveshja, Ismail Kadare


Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare ka prezantuar para lexuesit dhe librin e tij të fundit “Mosmarrëveshja” (Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten), një libër të cilën ai e ka quajtur një sprovë letrare. “Ky libër nuk është as histori dhe as shkencë, por thjeshtë letërsi, dhe sprovë letrare”, tha Kadare. Sipas tij “ky libër u përket të gjithëve”. Libri nis me sprovën “Rreth himnit të vjetër të shtetit” për të vazhduar më tej me “Enigma”, “Mjegull,Prolog me djallin”, “Dialog me Djallin dhe Zotin”, “Pantomima e frikshme e Bronzit”, “Gjergj K kundër Arbrit”, “Intermexo me dy vrasje në sfond”, “Lëngatë në gadishull”, “Tri gjendje të Kastriotit”, “Epilog me Zotin”.


“Si veteran i gjymtuar pas prerjes , që u përmend në krye të kësaj sprove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve , me tagrin për t’i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë… Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes”, shkruan Kadare në një nga sprovat e këtij libri.
Në një pasdite kryeqytetase, personazhi i këtij romani i propozon gruas së hijshme të porsanjohur diçka që do të dukej e papërfytyrueshme disa vite më parë, gjatë kohë së komunizmit: një udhëtim fundjavor në një qytet të Europës.


Kështu ka filluar ngjarja e përshkruar në romanin “Aksidenti”, e para vepër e autorit që, përpara se të botohej në shqip, është përkthyer e botuar ndërkaq në disa vende të Europës.


“Në këtë vepër magjistrale, thuhet në paraqitjen e botimit francez, Kadare është përpjekur të tregojë të patregueshmen: një histori dashurie apo nj histori vrasjeje, apo ndoshta një tjetër histori, që i mbulon të dyja si një maskë? Pyetja, gjer në mbarim të librit, nuk i ndahet lexuesit.”


Aksidenti, Ismail Kadare
Ismail Kadare, pa dyshim, do t’i befasojë lexuesit e tij të zakonshëm. Periudha komuniste, edhe pse është përmendur, nuk është më në plan të parë dhe vetë Shqipëria nuk është më shprehimisht qendrore. Flitej me shaka se në tërë veprat e këtij shkrimtari, nuk kishte as hero, as dashuri. Ky pohim bie poshtë me “Aksidentin”, i cili ka të bëjë kryesisht me natyrën e marrëdhënieve dashurore. Një çift që jeton një dashuri të gjatë, edhe pse shumë të stuhishme, përfundon në një humnerë, pas gabimit të një shoferi taksie. Kryhet një hetim, në përpjekje për të rindërtuar ditët e fundit të viktimave.


Si gjithmonë, te Kadareja është e pamundur të vendosësh fakte. Realja të shpëton, përvidhet, tretet ose merr forma që sfidojnë logjikën. Nuk bëhet fjalë për subjektivitetin e thjeshtë njerëzor ose të mosrrjedhshmërisë së dëshirës ose të rindërtimeve. Realiteti ka të bëjë me tjetër gjë. Të gjallët nuk janë veçse përdorues të një universi, që i shohin veç dukjen.


Kadareja, atëherë kur jetonte nën diktaturën staliniste dhe të turpshme të Enver Hoxhës, nuk pati kurë mundësi të trajtonte temën e seksualitetit. Në këtë vepër, ai i kushton një vend të paparë më parë. Megjithatë, erotizmi merr aspektin shqetësues të shfaqjes, zotimeve arkaike dhe sekrete.


Ky roman ambicioz, kundër rrymës – e pakta që mund të themi për të – shkëlqen në një arsyetim të stërholluar, tepër tërheqës, që bëhet magjepsës me të gjitha pistat që hap. Raportet e çiftit kthehen në një antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si “rrëfimi i të vdekurve”. Kadareja gjykonte dikur se censura staliniste kishte vrarë para kohe në trurin e tij “qelizat pararojë, vetë ato që ripërtërijnë artin” (Bisedë me Eric Faye, Corti, Paris, 1991). Sidoqoftë, disa prej tyre duhet t’i kenë rezistuar goditjes... Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr. Ai harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh, sepse është i bindur se “pasqyrat, te të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin, ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndërmend të merrej me to”.




Ballkani i Jugut, Ismail Kadare e autore te tjere






Kohët e fundit, Ballkani i Jugut është bërë pikë fokusi për interesin evropian dhe amerikan në mbarë rajonin e Ballkanit, me një konflikt të intensitetit të ulët në Serbinë Jugore, një situatë me siguri të paqëndrueshme në Kosovë dhe rrezik të madh që ka përballuar sovraniteti i Maqedonisë në krejt ekzistencën e saj të shkurtër. Këto zhvillime meritojnë vëmendje serioze. Autorëve të këtij libri u është kërkuar të trajtojnë të njëjtën tufë çështjesh lidhur me vizionin e tyre për të ardhmen e Evropës Juglindore. Veçmas, ata janë lutur të shprehin mendimet e tyre, rolin e komunitetit ndërkombëtar dhe pengesat kyçe të stabilitetit në rajon. Ani pse qasjet e tyre gjatë përgjigjeve ndryshojnë shumë, secili syresh ka arritur të parashtrojë problemet, vështirësitë dhe mënyrat e zgjidhjeve të tyre.


Breznite e Hankonateve, Ismail Kadare


Kur u botua për herë të parë “Breznitë e Hankonatëve” në vitin 1977, bënte pjesë në një përmbledhje me tregime e novela nën titullin e përbashkët “Emblema e dikurshme”, që numëronte shtatëmbëdhjetë shkrime. Njëri prej tyre, në trajtë reportazhi, që synonte të jepte “historinë a kronikën e një uzine”, e quante këtë një punë tepër të vështirë, po të krahasohej me kronikën e një lufte.


Nëntitulli i parë i reportazhit ishte “Bërthamë për një libër”. Madje, duke e shtrirë më tej, përfundonte te mendimi se: “Çdo shkrim duhet konsideruar si bërthama e një libri të ardhshëm, dhe çdo libër si bërthama e librave të tjerë”. Për t’iu përmbajtur këtij detyrimi, që për shkrimtarin do të thoshte premtim për krijimtarinë e tij, kur u botua për së dyti përmbledhja “Emblema e dikurshme” në vitin 1981 kishte gjashtë shkrime më pak. Prej tyre tashmë kishte dalë një libër i ardhshëm, “Ura me tri harqe”, dhe ishte shtuar një novelë e re, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Titulli i kësaj novele, që më pas gjithashtu do të bëhej roman, kishte dalë që te “Breznitë e Hankonatëve” edhe turqisht si Tabir Saraj, edhe shqip si “Pallati i Ëndrrave”.


Tani, pas pothuaj një çerekshekulli nga radha e parë, “Breznitë e Hankonatëve” po botohet edhe një herë tjetër, si libër më vete.




Ca pika shiu rane mbi qelq, Ismail Kadare




Ca pika shiu ranë mbi qelq” është përmbledhje poetike e poezive më të zgjedhura të shkrimtarit Ismail Kadare. Tek lexon këto lirika me subjekt dashurie, bindesh më vonë se ke hapur një fletë tronditëse nga historia njerëzore, ashtu depërton në çështje më se qeniesore të ekzistencës së një populli. Kadarenë e tmerron kufizimi i lirisë. (Ri)lexojeni poezinë “Mall” dhe ndaluni te thënia e Heraklitit: “Të zgjuarit janë bashkë me botën/ Kurse të fjeturit janë veç”. Thënie kjo e njohur, e që Kadare ia gjen vendin diku në strofën e tretë të poezisë së lartpërmendur. Nuk ju zgjon kjo asociacione me mbylljen tonë një gjysmëshekulli, se vërtet tepër gjatë ishim në gjumë, as veten nuk e njihnim se na mungonte kuraja? Shikimi ynë thyhej aty te muri. Është e besueshme kur poeti u drejtohet brezave të ardhshëm: se shumë fjalë do t’i ketë zhdukur jeta… (Epilogu i brezave që vijnë), apo shfajësimit ndaj një qytetërimi që deri dje e kishim sharë: Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë… (Krishtlindjet në New York, 1997). E, ky udhëtim imagjinativ i Kadaresë me harkun kohor prej katërdhjetë vjetësh (1957-1997), me gjithsej 40 poezi, nxit të bësh pyetjen: dolëm nga ajo fushë e errët apo mbi “varrezë bubullimash” do të endemi si të përhëntë?





Ceshtje te marrezise, Ismail Kadare






Romani “Çështje të marrëzisë” është rikthim në pikën fillestare, rikthim në pikën e nisjes së aventurës kadareane, rikthim në fëmijëri, mu aty ku ka nisur aventurën për gjetjen e një çelësi për shpjegimin e botës. Dhe ashtu siç ndodh me fëmijët, që duke u kuturisur nëpër skuta, zbulojnë hyrjen e një bodrumi ku rri i fshehur një thesar i shumëkërkuar nga të tjerët, kështu ndodh edhe me Kadarenë: mu këtu, në fëmijëri ai gjen çelësin e shpjegimit të botës. “Bota është e marrë” - zbulon Kadare. Dhe e vetmja e vërtetë për shpjegimin e saj është marrëzia. Por kjo e vërtetë e thjeshtë nuk mund të zbulohet me asnjë nga instrumentet e njohjes që ka shpikur njerëzimi, me asnjë nga teoritë, ideologjitë, apo kuturisjet e marra nëpër botë. Ajo zbulohet vetëm me naivitetin e fëmijës. Vetëm syrit të pafajshëm fëmijëror i zbulohet e vërteta e madhe. Dhe e vërteta e madhe e botës është marrëzia.


Në këtë këndvështrim, romani “Çështje të marrëzisë” është njëherësh kthim nga një aventurë dhe rinisje drejt një aventure tjetër. Pasi na ka joshur me aventurën e tij nëpër botë, Kadare me këtë roman na fton në një aventurë tjetër. Madje, vetë romani duket sikur tallet me aventurat e mëparshme. Romani i ngjan në këtë kuptim “Don Kishotit” të Servantesit: një narracion që tallet me rrëfimet kalorësiake pararendëse. “Hani” i Kadaresë është fëmijëria e tij. Prej aty ai niset në eksplorimin e marrëzisë.


Dantja i pashmangshem, Ismail Kadare



Dante Aligieri nuk ishte lidhur vetëm me tmerrnajën tonë. “Komedia hyjnore” e tij ishte, me sa dukej, e vetmja në botë, që rrezatonte po aq fuqishëm edhe zinë edhe dritën.


Pyetjes që Eugenio Montale, në kremtimin e Dantes, ia drejtoi vetes dhe të tjerëve: “Ç’kuptim ka për poetët e sotëm vepra e Dantes?”, poetët e botës i janë përgjigjur e do t’i përgjigjen në mënyra të ndryshme, sipas “gjendjes” së tyre. Natyrisht që Dante Aligieri është gjithmonë Dante, por ka periudha kohe kur ai bëhet dyfish, trefish i tillë.


Kështu, në shekullin e 20-të, atëherë kur dukej se e kishte arritur majën më të lartë të lavdisë e se s’mund të rritej më, pikërisht atëherë në rrafshirën kolosale komuniste, nga Dante që ishte, ai u bë Dydantsh, Tridantsh.


Duke u rrëfyer rrugëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, ai u tregoi sivëllezërve të vet poetë, qofshin ata rusë, shqiptarë, baltikë a kinezë, se gjendja natyrale e shkrimtarit të madh është pikërisht ajo: të udhëtojë i gjallë midis vdekjes. Të pajeta shtrihen përpara tij mbretëritë, vrasësit, tiranët, orizoret, stuhitë, vetë ajri që i prodhon ato. Përbindëshat dhe rreziqet janë rrotull tij, por ai ka një përparësi: ai është i gjallë, ndërkohë që ata s’janë. Ndaj fjalët e Virgjilit “mos u tremb, është një stuhi e vdekur”, përbëjnë formulën e shpëtimit për shkrimtarin.






Darka e gabuar, Ismail Kadare



Ky roman. është shkruar mes Malit të Robit (Durrës), Luganos së Zvicrës dhe Parisit gjatë verës dhe dimrit 2007-2008.
Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mister midis, është subjekti i romanit më të ri të Kadaresë. Ndonëse e bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse e hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht. Ç’ka ndodhur në atë darkë? Ç’ka qenë e vërtetë nga ajo që është treguar më pas prej njërës palë, të zotëve të shtëpisë, dhe prej palës tjetër, të ftuarve? Së fundi, ç’ka qenë e fshehta që dyshohet se është mbuluar me kujdes? Për shkak të komplotit të famshëm të bluzave të bardha në Kremlin dhe të vdekjes së Stalinit, hetimi i darkës merr befas përmasa planetare. Kadare jep një version të tij të ngjarjes në një roman, që ta mban frymën pezull gjer në rreshtin e fundit.




Dialog me Alain Bosquet, Ismail Kadare




Alain Bosquet - Çdo dialog nuk është i plotë. Çdo rrëfim i një shkrimtari nuk do të kishte vlerë nëse nuk do të pyetej përfytyrimi i tij, pra, aftësia e tij për të fantazuar. Letërsia përbëhet prej hovesh, megjithëse të kontrolluara e të ruajtura, por jo prej bravash apo çelësash.


Libri juaj i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shkruar më 1960, kur ju ishit njëzet e katër vjeç, u botua në frëngjisht më 1970. Ai tregon shumë më tepër, sesa ajo që lexohet. U poq në mijëra ndërgjegje dhe është tërësia e vazhdimësive të tyre psikike, estetike e, ndoshta, sociale. Në këtë bisedë nuk kemi ndër mend që të gjejmë një të vërtetë të vetme, por të pohojmë se të vërtetat e tij janë të shumta, madje kontradiktore. Nuk besoj se biografia apo gjeografia do t’i mjaftonin atij për të dhënë një bazë shpjeguese. Në çdo parabolë një vend të rëndësishëm zë dykuptimshmëria. Ç’do të ishte, në fund të fundit një libër pa dykuptimshmëri? E hasim atë tek “Hamleti”, te “Berenisa” e Rasinit, te “Fausti” i Gëtes e më vonë te “Procesi” i Kafkës, apo në veprat e Bulgakovit...


Le të hidhemi, nëse dëshironi, në morinë e pyetjeve që do të marrin përgjigje, gjithë duke pranuar njëkohësisht që përgjigje të tjera janë ose të dëshiruara, ose po aq mashtru-ese. Në një anketë, tradita kërkon t’i drejtohemi fëmijërisë së atij për të cilin bëhet fjalë. Është
një metodë si të tjerat për të arritur një lloj objektivizmi...


Ismail Kadare - Kam folur gjerësisht për fëmijërinë time në librin “Kronikë në gur”. Megjithatë, diçka mund të shtoj. Jam nga një familje e vjetër e Gjirokastrës, dhe një nga gjërat e para që më ka habitur në fëmijëri ishte kundërtia midis shtëpisë sonë të madhe trekatëshe dhe jetës tepër modeste që bënim. Im atë ishte një nëpunës fare i thjeshtë, postier gjyqi (në vendin tonë kjo nuk kishte kuptimin e huissier), megjithatë, duke qenë djalë i vetëm i një dere të vjetër (tek ne, si kudo, i jepnin rëndësi kësaj), ai u martua me një vajzë të pasur. Nëna ime ishte vajza e një gjykatësi, që ishte njëkohësisht pronar tokash dhe i disa dyqaneve në qytet. Megjithatë, edhe pas martesës, im atë mbeti postier, madje me kalimin e viteve, jeta jonë keqësohej vazhdimisht. Në këtë kohë të turbullt (fillimi i viteve ’40), kur në Shqipëri frynin erëra fashiste e komuniste, ku ndihej se lufta civile do bënte kërdinë dhe ku ndihej fillimi i epokës komuniste, fjalët “i pasur” e “i varfër” merrnin një ngarkesë të rëndë, që shpesh përcaktonin në mënyrë fatale fatin e njeriut, skajimin e tij në jetë dhe, pa dyshim, karakterin e tij. Unë u rrita në një familje ku ishin thyer të gjitha klishetë e njohura. Kjo vinte sepse im atë, ndonëse i varfër, nuk e donte komunizmin, kurse familja e nënës, ndonëse e pasur, ishte e lidhur me të...






Dite kafenesh, Ismail Kadare






Sa herë që ka rënë fjala për fillesën e tregimit “Ditë kafenesh”, sidomos pas përkthimit dhe botimit të tij si libër më vete në Amerikë, ka ndodhur pikërisht ky shpjegim i thjeshtuar, madje aq fort, saqë mund të quhet pa frikë njëfarë dhunimi i së vërtetës.


Shpjegimi i dhënë prej meje dhe i përsëritur prej kritikës letrare amerikane ose shqiptare ka qenë ky: në pamundësi të plotë të botimit të romanit “Qyteti pa reklama”, shkruar në vitin 1959, kur ishte student në Moskë, autori nxori prej dorëshkrimit një copë të tekstit, që e botoi si tregim me titullin “Ditë kafenesh”.


“Ditë kafenesh” është pjellë e romanit të fshehur “Qyteti pa reklama”, u shkrua, u botua dhe u ndalua në vitet 1962-1963. E botuar në dy numra të gazetës “Zëri i rinisë”, ajo pati
vërtet mijëra lexues, por iluzioni i lirisë ishte fare i shkurtër. E huaj krejtësisht për kohën, ajo u ndalua fill pas daljes, për t’u rrëzuar kështu në harrim të thellë, aty ku dergjej vepra amë. Pas një kohe të gjatë në ndërgjegjen time, ajo ka gjakuar thjesht si një pikëllim. Pikëllim që shkaktohet prej së pamundurës.


Botimi në libër më vete, së pari në anglisht në SHBA dhe tani në Shqipëri, si dhe zbërthimi i novelës prej kritikës amerikane, përpara asaj vendase, bën pjesë në ato gjëra të pabesueshme që krahasohen me kapërcimin e ylberit.




E penguara, Requiem per Linda B. Ismail Kadare





Në pamje të parë, ky libër mund të duket si një roman, ku, veç të tjerash, flitet për nostalgjinë e Tiranës. "Kafe Flora", kryqëzimet e rrugëve rreth sheshit Skënderbe", kopshtet e Akademisë, në ish-pallatin mbretëror, gjethet e rëna parkun përballë hotel "Dajtit".


Kjo nostalgji epokash të përzjera për kryeqytetin e vendit, merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet. Kjo është "e penguara", vajza tetëmbëdhjetë vjeçare, e cila, ashtu si personazhet antike që ngrihen kundër fatit, përpiqet të kapërcejë pengesën e shtetit.


Në këtë roman të fundit, që përbën një nga kulmet e artit të Kadaresë, kthjelltësia dhe stili luksoz të kujtojnë bukurinë diamantine, që kontraston shpesh me tragjedinë.


Sipas Kadaresë, “Libri flet për një njeri të penguar. Zakonisht në traditën e letërsisë botërore pengesën e krijon fati, këtu është përshkruar një pengesë e një tipi të ri më të vonshëm se fati, pengesa e shtetit. I kushtohet të gjithë vajzave shqiptare që kanë pësuar internimin dhe jo një emri, apo një tjetri. Vajzat shqiptare kanë thithur brengën shqiptare”.




Eskili, ky humbes i madh, Ismail Kadare




Kur në një ditë tetori, në një nga ato ditë të tetorit që duket se janë krijuar enkas për të rilexuar diçka të rrallë, nga rafti i bibliotekës tërheq një libër të Eskilit, ti e kupton menjëherë nëse e ke gjetur ose jo ditën e përshtatshme për këtë gjë. Sepse Eskili është nga ata krijues që nuk i shkon secilës ditë. Ai kërkon një disponim të veçantë. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se ti e njeh atë qysh nga rinia e hershme, e ke bërë në shkollë, ke dëgjuar për të në emisionet e kulturës në TV, etj., shkurt, nuk ke asnjë kureshtje për të, kështu që leximi i tij ose, më saktë, rileximi i tij përbën vetvetiu një "akt të zgjedhur".


Në të vërtetë, fjalët "leximi" ose "rileximi" në këtë rast ngjajnë te pasakta. Shfletimi i librit të tij me tepër se lexim është një meditim, madje gjatë kohës se leximit do të ishte e natyrshme që më shumë se i hapur libri të qëndronte i mbyllur.


Por dihet se për një gjë të tillë duhet një gjendje e veçantë shpirtërore, e cila nuk krijohet kollaj dhe në çdo kohë. Dhe ne qoftes se ti e kupton se dita nuk është e përshtatshme, atëherë është mire ta vesh përsëri ne raft librin dhe te presësh një ditë tjetër. Këto janë disa shënime për Eskilin të hedhura në kohë të ndryshme. Prej interesit që zgjojnë, mund të gjykohet se sa të përshtatshme ose jo kanë qënë ditët kur ato janë shkruar.


Ftese ne studio, Ismail Kadare




Ftesë në studio” është botuar për herë të parë kur Shqipëria ishte ende komuniste. Libri u dorëzua për shtyp në pranverë të vitit 1990, në prag të ngjarjeve tronditëse, në zhvillimin e të cilave, ai ka luajtur, pa dyshim, një rol. Botuar me një tirazh prej 30.000 kopjesh, vetëm disa muaj para ikjes së autorit nga Shqipëria, kjo vepër nuk arriti të ndalohej veçse përgjysmë. “Ftesë në studio” është një pasqyrë e saktë se gjer ku kishte shkuar mendimi i përparuar shqiptar në fillim të vitit 1990. Për lexuesin e sotëm duket gati e pabesueshme se si një libër i tillë, ku nuk ka asnjë gjurmë robërie, mund të jetë shkruar e botuar në regjimin komunist. Gjatë leximit të veprës lexuesit i krijohet përshtypja se komunizmi ka rënë në Shqipëri. Ndonëse shumë faqe të këtij libri kanë qenë nxjerrë nga shënime të hershme, pjesa kryesore e tij u shkrua në fund të vitit 1989 e në fillim të vitit 1990. Në pranverë të atij viti, pas një letërkëmbimi zhgënjyes me presidentin Ramiz Alia, vendimi për ta lënë Shqipërinë ka qenë shtysa kryesore për ta mbaruar me ngut librin. Ky vendim ka kushtëzuar njëfarë fryme lamtumire dhe ndarjeje nga lexuesi shqiptar, ndarje, që ndonëse përpiqesha ta besoja si të përkohshme, kishte ditë kur më dukej se mund të ishte e gjatë.
Gjenerali i ushtrise se vdekur, Ismail Kadare


Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar. Rrethanat e zhdukjes të kolonelit e ndërlikojnë shumë situatën. Pas shumë mundimeve të kota, eshtrat a kolonelit nuk u gjetën. Si përfundim gjenerali është i mundur në detyrën e tij, dhe në një moment dobësie vendos të maskojë eshtrat e pagjetura të kolonelit me eshtrat e një të panjohuri.


Dhimitër Anagnosti e bazoi filmin e tij "Kthimi i ushtrisë së vdekur" mbi romanin e Kadaresë.

Hija, Ismail Kadare




Ndërsa diktatura mbahet ende në fuqi në vendin e tij të Lindjes europiane, personazhi kryesor, një kineast pak a shumë i dështuar, gëzon kohë pas kohe privilegjin që të dërgohet me shërbim në Paris. Sa herë që kthehet nga qyteti-dritë i Parisit, atij i duhet të japë llogari para miqve të tij të mbetur në rrathët e ferrit.


Kjo metaforë danteske nuk është pa vend, kur bëhet fjalë për brendinë e veprës, por pikësëpari edhe për fatin e saj: paraqitur në version gjysmë të koduar në vitet 1984-1986, dorëshkrimi u depozitua në një kuti bankare në Paris, sipas një urdhri dhënë botuesit për ta botuar menjëherë në rast “aksidenti” që mund t’i ndodhte shkrimtarit. Në njëfarë mënyre, vepra kishte kapërcyer kufirin e ferrit në vend të autorit të saj. Por romani nuk kufizohet në ndryshimet lidhur me këtë argument. Në Perëndim, tregimtari zbulon në mënyrë graduale se nuk i përket, në të vërtetë, botës së të gjallëve, se është “i ngrirë” nga vdekja, mbretëria e së cilës shtrihet në Lindje. Koha e shkurtër dhe kushtet e qëndrimit, ankthi i kthimit nuk i japin ngrohjen e shpresuar: atij i duhet të niset për t’u mbyllur në vendin e tij, për t'u futur në arkivolin e tij, si personazhet e baladave të lashta (kujtojmë Konstandinin dhe motrën e tij Doruntinën, rreth të cilëve kjo temë bëhet gjithnjë e më e pranishme gjatë gjithë faqeve të librit).



Identiteti Europian i Shqiptareve, Ismail Kadare


Debati Kadare - Qose, është një epitet për shkëmbimin e gjatë disamujor të akuzave dhe kundërakuzave në planin moral, intelektual dhe politik mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe akademikut Rexhep Qosja mbi "Identitetin Kombëtar të Shqiptarëve". Debati nisi nga një "sprovë", një libërth i Kadaresë që arsyetonte rreth Identitetit Kombëtar të Shqiptarëve. Ndonëse nuk pati ndonjë arsye konkrete dhe se gjuha e përdorur nga Kadare ishte shumë e butë, Qosja iu përgjigj me një seri shkrimesh në gazetën Shqip të Tiranës duke e akuzuar shkrimtarin për rracizëm ndaj muslimanëve shqiptarë dhe muslimanëve në tërësi. Pas kësaj vijuan akuzat për pandershmëri, për konformitet përballë rregjimeve etj.


Debati Kadare-Qose u shoqërua në të njejtën kohë nga rigjallërimi i diskutimit publik mbi rolin e Kadaresë në persekutimin e ish- të dashurit të vajzës së saj gjatë kohës së rregjimit politik, ku kryesisht për arsye tregtare, media e Tiranës u nda në mbështetëse të Kadaresë dhe sulmuese të saj. Për rrjedhim, TV Klan, gazetat Shekulli e Korrieri, mbështetën shkrimtarin. Pozicioni i TV Klan u kondicionua nga pragmatizmi komercial, pra Kadare dha intervistën ekskluzive të sqarimit në këtë televizion. Për rrjedhojë, Gazeta Shqip, Gazeta Shqiptare dhe Top Channel, zunë pjesën anti-kadare të tregut të medias.


Gjatë intervistave të mëvona, Kadare kërkoi falje në një farë mënyre për deklaratat e tij për "identitetin europiano-kristian të shqiptarëve", duke thënë se kur i pati propozuar Ramiz Alisë rihapjen e kishave, nuk e kishte menduar se Islami do të vazhdonte të ekzistonte në Shqipëri pas rënies së komunizmit.






Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit evropian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër dhjetë a dymbëdhjetë gjuhët bazë të kontinentit.


Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”.


Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trakoilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën.




Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut, Ismail Kadare



Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut,është një nga kryeveprat kadareane. Romani përshkohet nga tiparet më të mira të prozës së shkrimtarit: stili narrativ i tejdukshëm, lehtësia me të cilën jepet bota perceptuale dhe shqetësimet ekzistenciale të personazheve, duke bartur një poetizëm krejt specifik dhe të nginjur përplot metafizikë.


Me një zhargon që shpërfaqet natyrshëm dhe rregullisht gjatë gjithë romanit, ngjarjet janë vendosur pas një konceptimi dypërmasor. “Lëmi” i ngjarjeve vërtitet në një hapësirë kohore në më të shumtën e rasteve pas viteve ’80 dhe ka të bëjë pikërisht me valën e arratisjeve në kufi, çka përbën, qysh në krye të herës, një opozicion konfliktual të personazhit kryesor dhe realitetit që ofrohet në cilësinë e dramës për të mishëruar personazhin. Mes gjithë atij realiteti tmerrues që tani rron veç në kujtime, nuk mungojnë të vijnë batuta e fjalë plot humor, që nga shprehjet e rrugës e deri te bejtet e momentit, e më pastaj te këngët e dashnorëve të pikëlluar.




Keshtjella, Ismail Kadare



Në romanin “Kështjella” Ismail Kadare kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Në dukje i distancuar dhe i paanshëm, ai rrok veprimet për rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej shtatëdhjetë mijë vetash në formën e një romani historik. Rrëfimi bëhet nga perspektiva e rrethuesve osmanë, çadrat e bardha të të cilëve e kanë kthyer mjedisin përreth kështjellës në një peizazh dimëror. Më se një dUzinë grupesh etnike, që nga akinxhinjtë deri te batalionet e elitës së jeniçerëve apo të serdengjeshtlerëve, të renditur në mënyrë hierarkike, përbëjnë kontingjentin e trupave osmane. Në kampin e turqve gjendet gjithçka që i duhet ushtrisë dhe kryekomandantit të saj të përgjithshëm, Tursun Pashait, për fuqizimin e forcës së tyre luftarake - që nga fonderia e derdhjes së topave deri te hanëmet nazike të haremit.


Në fillim mënyra e tregimit të këtij romani është irrituese, sepse nuk pritet që një autor shqiptar të rrëfejë nga këndvështrimi i pushtuesve të mëvonshëm. Por shpejt kjo perspektivë bëhet bindëse, sepse ajo arrin të hedhë dritë mbi karakterin psikologjik të kundërshtarit. Tursun Pashai karakterizohet nga një pasion i çmendur për pushtet, i cili e kthen mënyrën e tij të të vepruarit në një refleks të ulët, të pamenduar. Nga ky rrethim varet tërë nderi i tij personal, asnjë përllogaritje politike nuk ka më rëndësi...




Romanin "Kështjella" (1968) Kadare e shkroi në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe me të fitoi çmimin e parë të konkursit. Por ngasja për kështjellën, në një kuptim më të gierë, në veprën e tij duket më herët dhe nuk mbaron me këtë libër. Figurativisht simboli i kështjellës është qysh tek "Poemë e blinduar". Njëfarë kështjelle ishte padyshim edhe kali i drunjtë i Gent Ruvinës dhe i miqve të tij të ngujuar të novelës "Përbindëshi". Një kështjellë gjigante është piramida në novelën "Ndërtimi i piramidës së Keopsit". Kulla e ngujimit e Gjorg Brezftoftit në "Prillin e thyer", bashkë me shumë kulla të tjera me një frëngji të vockël të vetë-mbrojtjes prej hakmarrjes, janë kështjella të vogla që sundonin malësitë shqiptare. Pallati i Ëndrrave, me seksionet e tij, është ndërtuar në formën e një kompleksi kullash të hekurta.
Vetë laboratori krijues i shkrimtarit, i përshkruar me hollësi në librin "Ftesë në studio", ka pjesët e rezervuara të saj, që mbrohen prej daljes në dritë si në një burg të heshtur. Hauret dhe steretë e shtëpive gjirokastrite në "Kronikë në gur", shtëpia etnografike e princit të Mirditës (Gjomark) tek "Prilli i thyer", vila e frikshme dhe e harruar e ish-ministrit në prag të gjyqit tek "Koncert në fund të dimrit", kampi i rreptë i të internuarve tek "Përçmimi", baza ushtarake e Vlorës (Pasha-Liman) tek "Dimri i madh", shtëpia me portë (detyrimisht) të hapur e dijetarit Martin Shkreli në Prishtinë tek "Krushqit janë të ngrirë", janë vetëm disa nga variantet e shumtë të simbolit të kështjellës në veprën e Kadaresë.
Prej botimit të parë (1968), deri tek botimi i fundit (1995); prej "Kështjellës" deri tek "Daullet e shiut", për të cilën shkrimtari është shprehur se nuk ka për të vënë dorë më, ekziston një ndryshim
i dukshëm jo vetëm artistik (si është shkruar), por edhe në përmbajtje (çfarë është shkruar). Nëse në botimin e parë romani është quajtur si një vepër e qëndresës historike shqiptare, si një përmendore e heroizmit kombëtar, me një aludim të qartë që mund ta quanim "anti-bllokadë", theksi i së cilës drejtohej kundër pushtuesve të huaj, që nuk lanë kërkim pa bërë për t'u ndërprerë zotërve të kështjellës "Al-Hisar" edhe ujësjellësin; në botimin e dytë, ndonëse nuk ndryshon asgjë në evokimin e trimërisë së arbërve të shekullit të 15-të, ndryshon pothuajse rrënjësisht ai që mund ta quanim "mbitekst" apo "lexim i super-pozuar": "Daullet e shiut" nuk është romani i anti-bllokadës së imponuar, por denoncim i vetëveçimit (izolimit) të zgjedhur vullnetarisht.
Sido që të jetë vetë simboli i kështjellës, në traditën letrare shqiptare, i ka bartur historikisht të dyja mbishtresat kuptimore: ajo është figurë qëndrese, rrethimi ose ngujimi (izolimi, në kuptimin modern).





Kohe barbare, Ismail Kadare




Bisedat e këtij libri( Kohë barbare)janë regjistruar gjatë një periudhe prej tre vjetësh. Çdo takim me Ismail Kadarenë fillonte dhe mbaronte me arsyetime politike që, siç do ta vini re, shfaqen herë pas here në bisedat tona. Objektivi ynë ishte të shpalosnim ekzistencën e përfolur të një shkrimtari që vjen nga një tjetër botë, nga një botë që tanimë i përket së kaluarës, e nga e cila kanë mbetur vetëm disa drithma të një bishe në agoni të zgjatur artificialisht.


Me fjalë të tjera, qëllimi ynë ishte të ndërtonim së brendshmi mozaikun e një totalitarizmi komunist. Për disa arsye të miat kam qenë, si të thuash, një kushëri i largët me totalitarizmin, por pa e praktikuar apo pësuar prej tij. Dhe në njëfarë mënyre, kjo karakteristikë e lehtësoi takimin tonë. Gjuha e përdorur nga Ismail Kadare nuk ishte e huaj për mua. Dëshmitë e Ismail Kadaresë janë tepër të rëndësishme: ato përshkojnë një zonë të panjohur, një despotizëm ballkanas, saktësojnë detajet e një diktature dhe hedhin dritë mbi mizorinë e një tiranie, parë me syrin e një njeriu që e ka vuajtur këtë tirani. Fillimisht u befasova nga distanca, përpikëria dhe hollësitë e tepërta me të cilat Ismail Kadare fliste duke e dënuar këtë tirani edhe pse, hera-herës, e rrëmbente zemërimi, që më pas ia linte vendin hidhërimit shkaktuar nga shpresa e tradhtuar e një populli të çliruar menjëherë pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës...


Kristal, Ismail Kadare



Botimi i librit poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq” të Kadaresë, zgjoi një interes të madh te lexuesi shqiptar. Në përgjigje të kërkesave të shumta të fansave të poezisë, shtëpia botuese “Onufri” po i jep lexuesit një tjetër përmbledhje të poetit, këtë herë me 60 poezi dhe poema të zgjedhura, asnjëra prej të cilave nuk përfshihet në librin e mëparshëm. Ansambli prej njëqind poezish që përmbajnë këto dy libra, përfaqëson pjesën më të mirë të krejt krijimtarisë poetike gati gjysmëshekullore të Kadaresë


Kronike ne gur, Ismail Kadare





Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij.


Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare”. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”. Pjerrësia marramendëse e rrugëve, prania kudo e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjellaburg, që zotëron mbi disa lagje, pamja spektakolare mbi fushën e Drinos dhe malet, e gjithë kjo do të formojë e stërhollojë pak nga pak vështrimin e shkrimtarit të ardhshëm.


Gjirokastra të fton në magji dhe, siç shkruan Kadare, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”. Ai e quan një fat të madh që e nisi jetën e tij në një mjedis të tillë: “Sa më shumë unë mësoja sekretet e artit të të shkruarit, aq më shumë bindesha që kisha patur fat të rritesha në këtë qytet më se të veçantë, që kisha dëgjuar shpjegimet e para për botën nga goja e këtyre plakave të vjetra e të mençura, veshur me të zeza, që mbanin kupën e kafesë në njërën dorë dhe tejqyrën në tjetrën”.


Kush e solli Doruntinen, Ismail Kadare



Konstandini është figura e të vetmit disident në galerinë e personazheve kadareane. Ai nuk është aspak kundërshtar politik i shpallur, por i përket botës së fantazmave dhe ashtu si shajnitë e të atit të Hamletit, ai rikthehet për të trazuar shpirtin e të gjallëve. Si ai që mbrohet pas një pusie, Ismail Kadareja është zatetur pas një legjende romantike, baladës së Konstandinit dhe Doruntinës për të shkruar librin e vet më të pafajshëm e njëherazi më politik. Meqë gjallojnë shumë motërzime të kësaj balade, shkrimtari ka zgjedhur atë që i është dukur më e pasur dhe më e fisme, domethënë, atë të arbëreshëve, shqiptarë të vendosur në Italinë e Jugut qysh në mesjetë. Ndoshta këta emigrantë, që janë larguar që me ardhjen e osmanëve, janë më të aftët për të ruajtur të gjallë një legjendë të tillë, duke ndier se kanë gjëra të përbashkëta me këtë Konstandinin që vete dhe vjen midis jetës dhe vdekjes.


Pak shkrimtarë shqiptarë e kanë shfrytëzuar këtë baladë, por Kadareja e ka përdorur herët, qysh më 1962, në kohën kur hidhte në letër belbëzimet e para të “Muzgut të perëndive të stepës”. Pasi ishte shfaqur fare shkurt te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, legjenda së cilës shkrimtari nuk ia kishte shterur mundësitë, mori përmasën e vet romaneske me “Kush e solli Doruntinën”.




Kusheriri i engjejve, Ismail Kadare





Ky libër është dëshmi e mrekullueshme e ndjenjës fisnike që kanë dhe duhet të kenë për njëri-tjetrin talentet e mëdhenj shqiptarë. Ai sfidon shembujt e shëmtuar të smirës dhe të përçarjes, që janë shfaqur vitet e fundit në jetën dhe në kulturën tonë. Nuk janë të paktë pseudointelektualët shqiptarë, që me një zell dhe servilizëm të neveritshëm, përpara të huajve, për ndonjë përfitim meskin, shajnë dhe hedhin baltë mbi vlerat e krijuara nga bashkëkombësit e vet.


Ky libër, i shkruar për publikun francez nga një shqiptar i shquar, për një tjetër shqiptar të shquar, është, veç të tjerash, një akt i lartë moral. Ismail Kadare, në çdo vepër të botuar, të habit sa i lidhur është me rrënjët e këtij vendi, të duket se portreti i tij shikon tërë historinë e këtij kombi dhe të duket se e gjen kudo: në çdo ngjarje e në çdo njeri. Pikërisht edhe në këtë libër gjejmë në përsosmëri forcën e madhe të kulturës të transmetuar nga barku i nënës shqiptare te djali i lindur në dhé të huaj e që ruan virtytet, shpirtin e gjenezën e të parëve të tij. Procesi krijues i koreografit është i ndryshëm nga ai i krijuesve të tjerë. Lënda e parë e tij është njeriu, me ndjenjën e trupin e tij dhe, kjo krijimtari, vlerën më të madhe e ka në kohën e ekzekutimit, kur transmeton emocionet drejtpërsëdrejti te shikuesi: pikërisht në forcën e këtij emocioni, që shpesh është e paharruar, qëndron madhështia e koreografit.

Leterkembim me presidentin, Ismail Kadare


Ky letërkëmbim midis presidentit Ramiz Alia dhe shkrimtarit Ismail Kadare, është botuar së pari në Francë, në fillim të vitit 1991, disa muaj pas vendosjes së shkrimtarit në këtë vend. Letërkëmbimi që i përket fillimit të vitit 1990, përbën pjesën e dytë të librit “Nga një dhjetor në tjetrin”, botuar njëherësh në shqip dhe në frëngjisht, nga shtëpia botuese “Fayard”, në Paris.


Katërmbëdhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, në kohën kur faktet historike zëvendësohen shpeshherë nga rrëfime fantaziste, që u mungon jo vetëm saktësia, por edhe thelbi i së vërtetës, botimi i dokumenteve të pakundërshtueshme, është më se i domosdoshëm.


Me këtë “Letërkëmbim me presidentin” shtëpia botuese “Onufri” hap serinë e botimeve dokumentare, që lidhen kryesisht me sferën e letërsisë e të artit.
Lulet e ftohta te marsit, Ismail Kadare




Lulet e ftohta të marsit” është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, është gati një requiem. Ngado të shoqëron një fjalor i zymtë. Është hera e parë që Kadareja del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditë, për një mars, që, në të vërtetë, nuk është mars, për ca lule të rreme, të ftohta. Vepra është thurur në një mënyrë të jashtëzakonshme, më me mjeshtëri se tërë romanet e tjera dhe ndofta nga kjo gjë lexuesi shqiptar, i pamësuar akoma me arkitekturën matematike të letërsisë moderne, nuk e ka të qartë idenë qendrore të romanit.


Figura qendrore është një piktor kryeqytetas, që, megjithëse Shqipëria doli nga diktatura “nuk di as nuk do të dijë përse nuk është aspak i gëzuar” dhe nuk ka dëshirë të kthehet në kryeqytet, por rri në qytetin e vogël alpin, ku e pati degdisur diktatura. Është krejt indiferent ndaj politikës dhe partive, ndaj aktiviteteve shoqërore.


Intelektuali tipik i kohës. Është i ndershëm, qytetar i rregullt, koshient për talentin e tij të zakonshëm. Pra, një portret krejt i ri në letërsinë shqiptare, vizatuar sipas mënyrës së Kadaresë, një dukuri e re dhe e suksesshme kjo në letërsinë botërore: diku pak velaturë, konture të ashpra që treten atje te sytë, ose të legjenda, ose thjesht tek ëndrra. Kadareja jep të veçantën e këtij karakteri, tepër kursyeshëm, por me linja të studiuara mirë dhe të vizatuara saktë.

Mosmarreveshja, Ismail Kadare




Si veteran i gjymtuar pas prerjes, që u përmend në krye të kësaj sprove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për t'i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë... Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes.


"Ky libër nuk është as histori dhe as shkencë, por thjeshtë letërsi, dhe sprovë letrare", sipas Kadaresë. Sipas tij "ky libër u përket të gjithëve". Libri nis me sprovën "Rreth himnit të vjetër të shtetit" për të vazhduar më tej me "Enigma", "Mjegull,Prolog me djallin", "Dialog me Djallin dhe Zotin", "Pantomima e frikshme e Bronzit", "Gjergj Kastrioti kundër Arbrit", "Intermexo me dy vrasje në sfond", "Lëngatë në gadishull", "Tri gjendje të Kastriotit", "Epilog me Zotin".

Muzgu i perendive te stepes, Ismail Kadare


Ndonëse midis Lindjes e Perëndimit marrëdhëniet janë disi të shtendosura, në Moskën e fundit të viteve ’50 atmosfera artistike mbetet mbytëse. Destalinizimi nuk është ndier ende në sferat letrare. Në një atmosferë të denjë për “Vdekje në Venetik”, ndërkohë që një epidemi përhapet nëpër rrugë, një furtunë e egër shpifjesh shpërthen kundër Boris Pasternakut, i cili në faqet e “Muzgut”, shfaqet si një hero pozitiv, sa kohë që vepra e poetit rus denonconte stalinizmin. Pasternaku është i vetëm përballë makinës sovjetike.


Kadare, duke pasur kartë të bardhë për të kritikuar BRSS-në, me të cilin Tirana ka prerë çdo lidhje, mund të denoncojë cenet e sistemit, pa ngjallur zemërimin e hapur të kritikës shqiptare.


Ja gjithë paradoksi i këtij romani, me të cilin shkrimtari i lejon vetes që, me një ton satirik, madje fort të hidhur, të kritikojë indirekt mekanizmin e qeverisjes së Shqipërisë, duke folur për Moskën. Por edhe pse “politikisht korrekt”, meqenëse ai kritikonte Bashkimin Sovjetik hrushovian, romani priti disa vite para se të kishte fatin të shihte dritën e botimit. Titulli i tij, nën një maskë vagneriane a nuk të kujton djegien e një Walkurie socialiste? Formula “muzgu i perëndive të stepës” nuk do të mund të shërbente në vitet 1990 apo 1991 për ndonjë studim mbi shembjen e bllokut komunist?
Nata me hene, Ismail Kadare


Kur Ismail Kadare shkroi “Nata me hënë” mendonte se kishte bërë një novelë lirike, intimiste dhe ja përsëri rojet besnike të regjimit çirreshin si në rastin e “Koncert në fund të stinës”, tre vjet më parë. Në këtë rast kishte qenë pak pas “vetëvrasjes” misterioze të kryeministrit. E vërteta është se “Nata me hënë” nuk është një roman i pafajshëm. Ai tingëllon si një mbrojtje për respektimin e individit përpara kësaj “neve” mbytëse, përgjuese, oruelliane. Shoqëria e gjurmon jetën private të heroinës, vajzës së re Mariana, dhe regjimi përzihet në çështjet morale të grigjës së vet, i kolektivizon fatet njerëzore. “Pasi kujtoi edhe një herë shqetësimin e Partisë për lumturinë e njerëzve”, lexojmë në kapitullin IX.


Mariana është viktimë e një hetimi të vërtetë të jetës së saj private, që është e sanksionuar me një superstrukturë, që jep diploma të sjelljes së mirë apo qorton, siç e kemi parë tashmë te “Dimri i vetmisë së madhe”, pas prishjes së fejesës së Besnikut me Zanën.


Në romanin në fjalë gjithçka nis nga një mistifikacion i vogël, i kurdisur prej armiqve të Marianës dhe pak nga pak merr përmasa të tilla, që gati prekin tragjedinë e që, nga disa aspekte, na kujton “Shakanë” e Milan Kunderës.


Pa forme eshte qielli, Ismail Kadare





Njëqind vjershat dhe poemat në këtë përmbledhje janë gjithë ç’është më e mira në pesëdhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Ismail Kadaresë. Shumë prej këtyre vjershave kanë qenë bërthama të veprave të tij të ardhshme në prozë. Poema “Rrugëve të Moskës” do të çojë te romani “Muzgu i perëndive të stepës”, vjersha “Piramida e Keopsit” do të sillte më pas romanin “Piramida” etj. Por tek ai ka ndodhur dhe procesi i kundërt. Meqë ky roman nuk u botua, ndalimi i tij pjell vjershën “Laokoonti”. Studiuesit mund të gjejnë edhe poezi të tjera që kanë parathënë vepra të ardhshme në prozë të autorit.


Titulli emblematik “Pa formë është qielli” na çon në fillimet e krijimtarisë së autorit. Të shkruaje kështu atëherë ishte e pazakonshme. Ky varg madhështor për atë qiell socialist, jo rastësisht është vënë prej tij në titull. I shpallur si program, dukej sikur poeti 21-vjeçar kërkonte një pamje tjetër të botës, një tjetër qiell, krejtësisht të pangjashëm nga ai rrafsh pa formë, si tru idioti. Sikurse dihet, letërsisë, çlirimi dhe risitë kryesore i vijnë prej gjuhës. Në letërsinë shqipe të atyre viteve ai erdhi si çlirues i fjalës. Brenda qartësisë që nuk e braktisi kurrë, arriti ta çojë fjalën poetike deri në jerm, duke prodhuar një liri që të trembte. Brenda strukturës, që mbetej gjithmonë e ashpër, ajri i poezisë mbetej i qartë si ajër mali. Ajër vjeshte e dimri që janë dhe stinët e tij të poezisë.


Pallati i Endrrave, Ismail Kadare


"Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia evropiane e quante të shteruar: me njëmbëdhjetë romane, - titujt kryesorë të të cilëve po përkthehen herë pas here, vepra e tij vazhdimisht ka qenë në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë së Shqipërisë. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë.


Mark-Alemi, protagonisti i tij, hyn për herë të parë në Tabir Saraj, organizëm i perandorisë otomane, që merret me gjumin dhe ëndrrat. Me kupolat e tij të zbehta dhe me korridoret e shkreta, në Pallatin e Ëndrrave nuk vlejnë rekomandimet, ndonëse, në mënyrë paradoksale, letra që ka ndër duar Mark-Alemi i shërben për të hyrë në departamentet më të mira - Seleksionim dhe Interpretim - dhe për të nisur një ngjitje që do ta çojë, përmes makinacionesh dhe komplotesh, në hierarkinë më të lartë, deri tek privilegji më i rrallë i të qenit ndër ata që merreshin me Ëndrrën e Madhe që i ofrohej Sovranit.

Libri "Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave" e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si "pallati i ëndrrave", nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij . Karakteri shumëkohësh i "Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave", përkundër karakterit shumëkuptimësh të një vargu veprash të tjera të Kadaresë, lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicjen të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.
Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrëdhënies pushtet/individ. Çdo përpjekje e individit për t'u matur me shtetin, për të depërtuar në brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë, është e dështuar. Individi në çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej tij. Fati i Ebu Qerimit, që e përjeton si shtegtim nëpër ferr kalimin nga një pjesë e "pallatit të ëndrrave" në tjetrën, ndonëse është i përkrahur nga një klan i fuqishëm që kontrollon e administron pushtetin, siç ishin Qyprillinjtë, është gjithnjë i kërcënuar dhe pikërisht për këtë arsye shërben si një paralajmërim për fatin e shtetasve në përgjithësi. Rruga e mbërrities tek thelbi i "Nëpunësit..." ka qenë e ngatërruar dhe plot keqkuptime, të shmangshme e të pashmangshme.
Mungesa për një kohë mjaft të gjatë e shtetit kombëtar krijoi tek shqiptarët nderimin ndaj tij; kjo ishte krejt e nënkuptueshme: në përgjithësi gjërat e munguara lindin respekt, lakmi, adhurim, deri hyjnizim. Për Shqipërinë e Pasluftës, të gjendur përballë detyrës së ngutshme për të çrrënjosur monarkinë e për të ndërtuar një shtet me bazë të gjerë popullore, siç u nis në krye, ky ishte një shans i madh. Por ky shans mbeti vetëm një ëndërr.
Në marrëdhëniet midis individit dhe shtetit, që pasqyrojnë shkallën e qytetërimit të një shoqërie, në vend e në emër të nderimit hyri përulja, në vend e në emër të respektit hyri lakmia dhe arrivizmi -Ky ka qenë një nga deformimet më të thella dhe një shkallmimi i vërtetë i vlerave dhe i karaktereve njerëzore. Për fat të keq u desh plot një gjysmë shekulli për ta kuptuar këtë. Shkrimtari e pati parathënë një gjë të tillë shumë kohë më përpara. Por edhe këtij shansi iu kalua përbri.
"Nëpunësi i Pallatit të Endrrave" u dha goditjen e parë këtyre marrëdhënieve krejtësisht të shtrembëruara midis të drejtës së njeriut dhe të drejtës së shtetit. Ai e ktheu përrnbys, kokëposhtë, piramidën shtetërore. Ishte hera e parë që nomenklatura e ndereve denoncohej si shkallëzim i fajit dhe i përgjegjësive; që hierarkia e lavdisë karakterizohej si hierarki e turpit; që vlerat e vërteta njerëzore kërkoheshin jashtë korpusit kryesor të piramidës së shtetit, jo brenda saj. Ndoshta kjo ishte arsyeja që kritikët nxituan të shmangnin çdo paralelizëm me kohën, duke zbuluar, madje, për çudi të çudirave, se "Tabir Saraj" paskësh qenë një institucion i vërtetë i administratës perandorake, kështu që "Nëpunësi..." nuk mund të ishte tjetër, përveçse një vepër historike, një kronikë e funksionimit të tij. Me qëllim historia dhe jeta bashkëkohëse, dita dhe tradita, ndryshe nga herët e tjera, u vështruan pa ndonjë lidhje midis tyre. Përfundimi do të ishte i rrezikshëm.
Kontestimi ishte hamletian. Duhej të ishe krenar për qenien në një nga zyrat e hierarkisë së lartë të shtetit apo, përkundrazi, duhej të ishe kokulur?
Një invers i tillë i përjetimit të statusit të nëpunësit s'ishte parë e dëgjuar ndonjëherë. Pyetja "karrierë apo kalvar", që paraqiti Kadare përmes fatit të Nëpunësit të Tabir Sarajit, qëndronte tashmë si një paralajmërim orakulli: "O ju që hyni në këtë shërbesë, a e dini fatin tuaj? Hiqni dorë nga iluzionet, ose, përndryshe, hiqni dorë nga vetja. Ajo që ju e quani rrugë e ngjitjes nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i madh. Nëse keni vendosur të mos ndaleni as pas këtij njoftimi, atëhere mos prisni famën, por çpersonalizimin, mos prisni lirinë por syrgjynin. Ju nuk i takoni më vetes!"
Me "Nëpunësin..." Kadareja nyjëtoi atë ide që ai vetë më pas do ta quante "faj kolektiv". Tabir Saraji funksionon pikërisht mbi bazën e shoqërizimit të përgjegjësive. Por, ndërkaq, ekziston edhe një shkallëzim krejt i qartë i tyre. Faji i shtetit të panënshtruar ndaj ligjit është kolektiv vetëm në kuptimin që bashkon në përgjegjësi të drejtpërdreitë e të tërthortë njerëz në pushtet e jashtë tij, ideatorë e ekzekutorë, aktivistë e jallan- shahitë, konformistë e servilë. Por më tej faji ndahet sipas një rregulli krejt të përcaktuar. Për të zezën e vet, administrata shtetërore krijoi e ligjëroi emërtesën e mburrjes e të karshillëkut, që do të shërbente më pas për një kallëzim të pagabueshëm të pjesëmarrjes në faj.
Gjyqësia e Kadaresë u vërtetua nga koha si një gjyqësi e mençur. Rreptësia ndaj atyre që shpërdoruan respektin e popullit ndaj pushtetit, mirëbesimin e tij, ishte më se e nevojshme dhe ndëshkimet krejt të merituara. Shkrimtari sulmoi bastionin më të rëndësishëm të shtetit, majën e piramidës së tij. Ai çmistifiloi enigmën e asaj që quhet "arsye shtetërore", në emër të së cilës mbulohen turpet dhe fëlliqësitë më të mëdha të kësaj bote. Ai shembi kultin e rangut, mitin e zyrës e të nëpunësit, idoltarinë e fryrë të "atyre që janë lart". Dhe aty ku fillon shembja e idhujve të rremë, aty ka nisur emancipimi.
Pasardhesi, Ismail Kadare


Çfarë ka ndodhur në natën e 13 dhjetorit në dhomën e gjumit të Pasardhësit, trupi i të cilit u gjend me një plumb në zemër?
Romani i fundit i Kadaresë sjell në kujtesë enigmën më të madhe të historisë së Shqipërisë: vdekjen misterioze të pasardhësit të diktatorit komunist shqiptar.nde sot, gati një çerek shekulli pas ngjarjes dhe dymbëdhjetë vjet pas rënies së rregjimit, pas hapjes së arkivave dhe pas anketave të pafundme, misteri ka mbetur krejtësisht i pazbuluar.


Duke nisur nga një ngjarje reale, të cilës i ka dhënë përmasa universale, Kadare nëpërmjet "Pasardhësit" ka shtuar një personazh të ri, në familjen e arketipeve të mëdhenj të letërsisë botërore, Judës, Agamemnonit, Brutit, Jozef K, etj.


"Pasardhësi" është pjesa e dytë e diptikut, i cili lidhet me të parin, "Vajza e Agamemnonit", nëpërmjet personazhit kryesor.

Perballe pasqyres se nje gruaje, Ismail Kadare


Prej kohësh Ismail Kadare ka shprehur mendimin se në letërsi shpesh qëllon që, pas një teksti jo fort të gjatë, të fshihet embrioni i një romani. Tri tekstet e mbledhura në këtë libër, janë të parët që janë cilësuar prej Kadaresë si “mikroromane”.


“Kalorësi me skifter” përshkruan rrugëtimin e një krimi nga një epokë te tjetra, nga fashizmi në komunizëm, në botën reale dhe në atë të vetëdijes, gjersa më në fund kryhet. Teksti i dytë, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë përballë pasqyrës së një gruaje”, sjell për herë të parë misterin ende të pandriçuar të një prej institucioneve më të zymtë të botës komuniste.


Romani i tretë është ai i një poeti të madh shqiptar që, pothuajse i harruar e i varrosur së gjalli gjatë diktaturës, arriti të sfidojë epokën, duke përjetuar në prag të vdekjes të vetmen gjë që s’mund t’ia ndalonin: një histori dashurie…


Perbindeshi, Ismail Kadare





Në laboratorin e tij të shkrimtarit, Kadare rimerr përvoja të provuara në të kaluarën nga tragjikët grekë, e më pas nga Dante e Shekspiri. Këto përvoja ai do t’i zgjerojë duke kërkuar formulën e një përmase, që të përmblidhte kohën dhe hapësirën. Kështu, hapësira e Trojës është zhvendosur në një qytet shqiptar dhe rrethinat e tij. Kurse koha, ajo bëhet e shumëfishtë. Ajo nuk rrjedh në të njëjtën mënyrë për ata që fërgëllojnë në barkun e kalit të madh, që ka ngecur përballë qytetit, dhe për ata që jetojnë brenda mureve të qytetit. E njëjta ngjarje ka njëkohësisht dy mosha. Herë koha është e ndaluar në një kamp, herë në tjetrin. Kështu, në këtë vrapim kali, në disa çaste, e lë pas “Ilionin” dhe në disa çaste i mbetet prapa, në mos qoftë e kundërta, ashtu si planetët që gjatë rrotullimit të tyre, kapërcejnë njëri-tjetrin dhe nuk lëvizin me të njëjtën shpejtësi, por sipas largësisë së tyre nga dielli. “Te ‘Përbindëshi’ gjendet ndoshta diçka nga imazhet që reflektojnë pasqyrat kohë pas kohe”, shkruan Kadare.


Pa vetëdije ai ilustron në këtë roman koncepsionin aristotelian të kohës. Në mjegullnajën romaneske të shkrimtarit, kjo punë përbën veçantinë e “Përbindëshit”, edhe pse me “Spiritusin” ai do ngjizë përsëri kohën në mënyrë krejt të ndryshme.

Piramida, Ismail Kadare


Pjesa e parë e romanit "Piramida" është shkruar në vitet 1988-1990, në Tiranë. Përpara ikjes në Paris në vjeshtë të vitit 1990, dorëshkrimin e pambaruar autori ia la miqve të tij në Shqipëri. Fill pas pluralizmit në fillim të vitit 1991, dorëshkrimi, me dëshirë të autorit, u botua në trajtën e një novele, në gazetën e parë shqiptare "Rilindja Demokratike".
Romani u mbarua më pas në Paris, në vitet 1991-1992, për t'u botuar në të njëjtën kohë në shqip dhe në frëngjisht, në Tiranë dhe në Paris.




Piramida, Ismail Kadare



Arkeolog i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit, që tiranët e të gjitha ngjyrave u kanë damkosur në trup viktimave të tyre. është më makiavelike se Makiaveli vetë. - Andre Clavel, L'Evenement du Jeudi.


Një libër me rëndësi të pamohueshme dhe ambicion superb.


Parabola si kjo, që bashkon të arsyeshmen dhe të tejarsyeshmen, ç'është e vërteta gjenden rrallë në këtë shekull.
Në këtë fazë të krijimtarisë suaj, keni ndjerë nevojën e përndritjes si te Rimbauld apo të përmasës faustiane si te Goethe? Sa kohë ju është dashur ta bluani në kokë këtë lëndë kaq të rëndë e solemne? A s'ju habiti dhe ju vetë suksesi i kësaj vepre në Francë, vend zakonisht moskuptues për të tilla fantazmagori sipërane?


Piramida është për mua një libër të cilit s'i luan dot një presje e s'e kundërshton dot kush. - Alain Bosquet, nga Libri i dialogëve.


Poshterimi ne Ballkan, Ismail Kadare





Në të gjitha acarimet ballkanike poshtërimi ka pjesën e vet. Ai lidhet me viktimizimin, një nga pasionet kryesore të ballkanasve. Zakonisht të gjithë hiqen si viktima, madje xhelatët më fort se të tjerët. Në rrethana të tilla, çështja e poshtërimit dhe bashkë me të ajo e viktimizimit, janë tepër delikate në këtë zonë të Europës.


Rrjedhimisht, rënia e këmbanës për poshtërim kërkon një përgjegjësi të lartë morale. Një kushtrim të rremë nuk e ndan veçse një hap nga thirrja ër krim kundër tjetrit.

Prilli i thyer, Ismail Kadare


Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. “Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë.”


Në rrafshnaltën ku udhëtojnë Besian Vorpsi dhe gruaja e tij kjo mundësi është një realitet shumëshekullor. Kadare e ka vendosur kuadrin e romanit të tij në krahinën e Mirditës, një rrafshnaltë e izoluar nga pjesa tjetër e vendit, pa rrugë të denja për këtë emër, dhe bastion katolik e tradicionalist. Këtu, në këtë atelie të tragjedisë shkrimtari ka përqendruar karakteristikat e kanunit (domethënë canon, e drejta zakonore) të shumë krahinave të veriut e të lindjes, të marra nga përshtypjet e mbledhura gjatë qëndrimit të tij në veri, në fund të viteve ’70. Kështu, personazhi i Ali Binakut është huajtur nga realiteti: Binak Aliu, që është emri i tij i vërtetë, ishte një nga figurat e shquara të Verilindjes së Shqipërisë në fund të shekullit XIX.


Meqenëse ne kemi të bëjmë me një kanun të ngjeshur, të pasuruar, tragjedia ka të gjitha mjetet e mundshme për t’u shprehur. Romani ilustron nenet më të shquara zakonore të këtij kanuni të tmerrshëm.

Princesha Argjiro, Ismail Kadare
Në bibliotekën “Kadare”, megjithëse të paktë në numër, renditen edhe disa libra për fëmijë, si: “Në muzeun e armëve”, “Kështjella dhe helmi”, “Princesha Argjiro” etj.


Këta libra trajtojnë kryesisht tema historike, të përshtatura bukur dhe me një gjuhë të qartë e të thjeshtë për botën e fëmijëve. E tillë është edhe poema “Princesha Argjiro”, që tregon për fatin tragjik të princeshës Argjiro, e cila për të mos rënë në duart e armikut hidhet nga kështjella së bashku me foshnjën e saj...


Qorrfermani, Ismail Kadare









Qorrfermani”, shkruar më 1984, u botua për herë të parë në përmbledhjen me tregime e novela “Ëndërr mashtruese”, më 1991, kur autori, ndërkaq, kishte lënë Shqipërinë dhe kishte kërkuar strehim politik në Francë.


Si vëllim më vete pa dritën në vitin 1999. Për të nuk është shkruar asnjë artikull. Thua se kemi të bëjmë me një fëmijë qorr, ndër shumë fëmijë të autorit. Si të thuash, me një roman qorr apo me një qorrroman (çka edhe si fjalëformim do të ishte i papranueshëm, se përmban tri “r” radhazi). Kurse, në të vërtetë, për nga vlerat ai rri denjësisht bri krijimeve më të mira të këtij autori.


Sado që titullohet “Qorrferman”, sado që në faqet e tij flitet për të verbuar, romani hedh një shkëlqim që të verbon sytë. Ai ka shumë dritë brenda atij mikrokozmosi të errët që përshkruhet aty. Pa u futur në histori e në politikë, në ideologji e në psikologji, të bësh temë krijimi “sytë”, “dritën”, “verbimin” do të thotë të prekësh një nga pjesët më të çmueshme të qenies njerëzore.


Jo rastësisht në popull betimet më të besueshme lidhen me sytë: “Për sytë e ballit!”, “Më plaçin sytë!”, “Për këta sy që kam në ballë!” etj., ashtu si dhe mallkimet më të nëmura lidhen me sytë: “I zëntë sytë buka!”, “Të plaçin sytë!” etj.

Qyteti pa reklama, Ismail Kadare


Ja një nga tekstet më të hershme në prozë të Ismail Kadaresë, shkruar më 1959, në moshën njëzet e tre vjeç. Deri atëherë shkrimtari kishte nxjerrë tregime të vogla, si “Kujtime të humbura”, shkruar në vitin 1955.


Me “Qytetin pa reklama” ai shkruan romanin e tij të parë, që bie në kundërshtim me idenë e përhapur se romani i tij i parë është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.


“Qyteti pa reklama” ka pasur një konceptim të veçantë. Student për letërsi në Moskë, Kadare është zhytur në mikrokozmosin e letërsisë sovjetike. Duke vërejtur nga afër atë që ishte realizmi socialist, në kurset e institutit “Gorki”, ai kalon një fazë mohimi për të shkruarit.


Autori i ri ka përshtypjen që pasioni i letërsisë po shuhet tek ai dhe “Qyteti pa reklama” merr atëherë pamjen e një sfide: ai lufton kundër një fataliteti, që e shtyn në indiferencë ndaj asaj që ai e quante deri atëherë fatin e tij...


Tre muaj iu deshën atij për të hartuar këtë roman, që e filloi duke e regjistruar në magnetofon, para se ta rikopjonte, pastaj shkruan pjesën më të madhe pa ndërhyrjen e zërit. Stili në të është i gjallë, tepër modern, dhe mendimi shumë i guximshëm për kriteret e gjykimit të botës komuniste.

Ra ky mort e u pame, Ismail Kadare
Ne kishim qenë prej kohësh brenda saj, por veç tani, spikama e tragjedisë u bë zotëruese. Të gjitha ngjarjet e përditshme, deklarimet e Këshillit të Sigurimit, ose të NATO-s, nisja e aeroplanmbajtëseve, bombardimet, masakrat, shpërnguljet, merrnin aty për aty një zi sipërane, dendësoheshin brenda një ngrehe, që ngjante e mbinatyrshme, si në teatrin antik, por që s’ishte veçse pjellë e jetës sonë. Kështu, përpara syve të gjithë botës, popullit shqiptar i ra për pjesë të përjetojë një nga zezonat e rralla që kanë tronditur këtë planet. Që nga lozhat e tyre, të tjerët e ndoqën me javë e me muaj krusmën e tij. Shumica, me dhembje e brengë, disa me shpërfillje e të tjerë, më të paktë, me cinizëm. Kështu, e panë si u godit me sëpatë, si u shkul nga themelet, si u rrëzua e si u ngrit prapë duke iu marrë këmbët nga ai tmerr.


Këto shënime japin ngjarje të përditshme e të veçuara, ashtu siç kanë ndodhur ditë pas dite, gjatë këtyre dhjetë muajve. Ato janë lënda e një drame të shpërbërë, ose më mirë gurët e saj. I përket lexuesit që, gjatë leximit, t’i bashkojë në mendjen e tij, për të ndërtuar ai vetë katedralen e një vuajtjeje.
Shkaba, Ismail Kadare


"Shkaba" u shkrua në verën e vitit 1995, në Deauville të Normandisë. Motivi i djaloshit që zbret në "botën e poshtme" është trajtuar për herë të parë te "Vajza e Agamemnonit", në vitin 1985. Duke shfrytëzuar mundësitë e ndryshme që jep zbërthimi i legjendës, në të dyja veprat, personazhi ndriçohet në mënyra krejtësisht të ndryshme.


Spiritus, Ismail Kadare
Si në një vepër të Shekspirit, anketuesit luajnë rolin e klounëve që bëjnë pyetje thelbësore. Pyetje të cilat kanë lidhje me një referencë tjetër të Kadaresë: traditën homerike.


Në këtë rast stafeta vjen nga “Dosja H.”, ku gjenden dy amerikanë në kërkim të mbijetesës së mitit: ata e zbulonin atë të gjallë, të rikrijuar përditë, përmes fjalës së bardëve shqiptarë, dhe, në fund, ata vetë shndërroheshin në një përbërës tjetër, njëherazi lëndë dhe përcjellës i kësaj ngjizjeje. “Spiritus” është zbulimi se, edhe në fazën e ngrirjes më të madhe të tij, miti nuk ka reshtur së rrjedhuri, nëntokësor dhe i fshehtë, por i paasgjësueshëm, madje as me teknikën policeske moderne. (...)


I acartë dhe i zymtë, vendi i shqiponjave i Ismail Kadaresë ngjan më shumë se kurrë me viset e Makbethit dhe të baladave gjermanike. Nën pushtetin e kësaj bote shtypëse, lexuesi endet mes kurtheve, mashtrimeve dhe maskave të shumëfishta. Gjestet e përditshme të çojnë drejt tragjedisë së lashtë, tiparet e njohura shndërrohen në ngërdheshje. Vepër e një magjistari, por dhe art i një shkrimtari, i cili thur duke përdorur fibra të zhveshura, me synimin për të krijuar një univers tërësor, nga ku nuk mund të shpëtosh veçse përmes fluturimit të pulëbardhës ose të atij të gojëdhënës në ngjizje e sipër: arratisja e fundit, liria e fundit që as diktatura më e rreptë nuk mund ta reduktojë.



Stine e merzitshme ne Olymp, Ismail Kadare



Zeusi ndihet i kërcënuar nga një komplot dhe “çështja Promethe”, para pajtimit mes atyre të dyve, është procesi i parë politik i historisë. Edhe pse e ka pushuar luftën me zotin madhor, Prometheu prapë nuk ndihet i qetë. Tashmë i liruar nga prangat, ai merr pjesë në një shpërthim nuklear dhe aty e kupton se ç’ka bërë qenia njerëzore me zjarrin që ai u fali. Që nga ai çast, mendja e tij fillon të torturohet nga dyshimi, që është po kaq i dhimbshëm, sa edhe çukitja e dikurshme e sqepit të shkabës.


Fati i Prometheut ka për të qenë gjithmonë brengosja e tij për njerëzit. Ky është dhe vazhdimi i mëtejshëm i mitit të shtjelluar në “Stinë e mërzitshme në Olymp”. Cilatdo qofshin krimet dhe fajet e kryera nga njerëzimi, titani s’do të heqë dorë nga roli i tij si avokat mbrojtës për ta: “…e ndiej se kurrë nga njerëzit unë s’do të ndahem. Mallkim për ta s’do të nxjerr, as klithmë pendimi”, thotë ai në monologun final. Në fund të fundit, ashtu si eseja për Eskilin është, pak a shumë, një pasqyrim i fatit të Kadaresë, këto mendime për Prometheun modern shkojnë drejt një refleksioni për rolin e artistit e të shkrimtarit, që, nëpërmjet veprës së vet, i jep një pasqyrë njeriut të përjetshëm dhe i ruan kujtesën përballë atyre që duan ta nënshtrojnë e ta fusin nëpër kallëpe.


Ura me tri harqe, Ismail Kadare

Në qendër të librit “Ura me tri harqe” gjendet një baladë, dhe ishte më e urtë të përqendrohej vëmendja mbi ndërtimin e ngrehinës e shfaqjen e njëkohshme të legjendës.


Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ismail Kadareja zgjedh tonin e kronikës dhe vë në punë një rrëfimtar të veçantë, murgun Gjon. Nën zhgunin e tij është fshehur një personazh i vërtetë, ekleziastiku Gjon Buzuku, që, në vitin 1555, shkroi librin e parë në gjuhën shqipe, “Mesharin”.


Ismail Kadare, murgun Gjon, që me këtë analogji bëhet simbol i “shqiptarisë”, e bën të jetojë dy shekuj para Buzukut. Jemi rreth vitit 1378. Perandoria osmane i shtrëngon në mengenenë e vet principatat shqiptare. Kadareja është frymëzuar nga procesverbalet e ndodhive ushtarake dhe të vrasjeve për t’i dhënë mbështetje historike tekstit të vet. Por atij i shërben si bazë veçanërisht legjenda e kështjellës së Rozafës, qerthulluar rreth idesë së flijimit të bërë me qëllim përfitimi. Që ura të qëndrojë më këmbë, del se është e domosdoshme që një njeri të murohet në këmbë të saj.


Në të vërtetë, një firmë, ajo e mjeshtërve të urës, e shfrytëzon besëtytninë e njerëzve dhe
besimin e tyre te legjenda për t’ia arritur synimeve të saj në luftën kundër shemrës së vet, “Lundra dhe trape”, armike e egër e idesë së urës. Kadareja, me anë të shtjellimit të fabulës, e ka vënë theksin mbi një nga themelet e sistemit stalinian: ftesa për flijim.
 "Ura me tri harqe" bën pjesë në një cikël romanesh e novelash, që Kadare i ka shkruar me një qëllim të qartë për të krijuar imazhin e një "Shqipërie tjetër", e cila ndryshon shumë nga ajo që shihet me sy, një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar, që gati ishin të përjashtuar nga letërsia si figura me misione pozitive. Autori, në pamundësi për të shprehur hapur mendimin e tij mbi zhvillimin e avancuar të qytetërimit perëndimor, përpiqet t'ua tregojë këtë lexuesve duke gjetur në traditën e "Shqipërisë tjetër" atë fazë të historisë kur vendi, edhe sipas dijetarëve, ecte në një hap me fqinjët e tij përtej Adriatikut.
Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij. Eshtë e vështirë që një popull vazhdimisht në rrudhje të vendosë pëlqimin e urës para kështjellës. Kjo, ndoshta, është një nga dilemat më tronditëse që kanë përjetuar shqiptarët. Ura është për ta edhe e dëshiruar, por njëkohësisht edhe e frikshme, sepse "në urë kalon i miri dhe i keqi, miku dhe anmiku". Rreziku i ekspansionit, që mund ta kthejë urën e Ujanës së Keqe në një kuçedër, ndihet në gjithë romanin, si një kontekst historik i domosdoshëm për të treguar se edhe në "Shqipërinë tjetër" marrja e vendimit ka qenë e vështirë.
Sikurse në rrjedhat e historisë, edhe në këngë, populli i ka ngritur urat, duke u kushtuar edhe flijimin njerëzor, sa herë që kanë fryrë erëra paqeje dhe miqësie. Por shumë shpesh është mbyllur në kështjella, madje me tri-katër rrethime, pikërisht për shkak të erërave të frikshme që i kanë zënë vendin paqes. Këto ndërrime lidhen jo me gjurmë vitesh, por me prurje kohërash historike. "Shtatqin vjet do t'i djeg kullat", i kërcënohet një prej heronjve kreshnikë të eposit shqiptar kundërshtarit të vet.
Në veprën e Kadaresë dilema midis urës dhe kështjellës është po aq tronditëse sa në vetë historinë e popullit. Në formën më të pjekur artistike kjo dilemë shprehet në romanet "Kështjella" dhe "Ura me tri harqe". Në një farë mënyre ato janë vazhdim i njëri--tjetrit.
Ai që krijoi kështjellën e qendresës në kushtet e darës së armiqësisë nuk mund t'i lejonte vetes të mbetej pa urë i ndarë dhe i vetmuar nga bota. Këtë ide Kadare e arriti duke krijuar "Urën me tri harqe", vështruar në shumicën e rasteve si një çmitizim i legjendës.





Vajza e Agamemnonit, Ismail Kadare







Në tribunën e festës së 1 Majit në Tiranë, njëri prej të ftuarve, ndërsa ndjek parakalimin e turmave, befas midis pankartave dhe portreteve të udhëheqësve komunistë vendas i duket se dallon portretin e shefit të dikurshëm grek, Agamemnonit. Një haluçinacion, apo rrjedhojë e lodhjes së një njeriu të trishtuar, që sapo është ndarë nga e dashura?


është më tepër se kaq. Shfaqja e portretit bën pjesë në thelbin e ngjarjeve që përshkruhen në këtë roman. është histori tronditëse e një dashurie që gjendet befas midis ingranazheve të makinës së ftohtë të shtetit. "Vajza e Agamemnonit" është pjesa e parë e diptikut, që pasohet nga "Pasardhësi".

Vepra 1, Ismail Kadare


Vepra 1
Në këtë vëllim të parë, me të cilin hapet korpusi i veprës së Kadaresë, përfshihen krijime në prozë të periudhës së hershme të krijimtarisë së tij. Ndërsa romani i parë i tij, “Qyteti pa reklama”, i shkruar në Moskë në vjeshtën e vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç, ka mbetur në sirtar, për të parë dritën e botimit pas rënies së komunizmit, novela “Ditë kafenesh”, një fragment i romanit të sipërpërmendur, i përpunuar në trajtë novele më 1962, u botua një vit më pas në dy numra të gazetës “Zëri i rinisë”. Vepra e tretë, “Përbindëshi”, shkruar më 1964 dhe botuar në revistën “Nëntori” më 1965, pas një ndalimi çerekshekullor, qarkulloi si libër një vit përpara rënies së komunizmit.


Përmban
1. Qyteti pa reklama
2. Ditë kafenesh
3. Përbindëshi





Vepra 2


“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me të cilin hapet vëllimi i dytë i veprës së Kadaresë, është kujtuar për një kohë të gjatë si romani i parë i tij. Ky roman, falë të cilit autori i ri fitoi njohje ndërkombëtare, u botua më 1963, duke njohur më pas ribotime të shumta. Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë njëmbëdhjetë tregime, të shkruara e të botuara gjatë dhjetëvjeçarit 1960-1970.


Përmbajtja
Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur (Roman)


Njëmbëdhjetë tregime të periudhës 1960-1970
1. Në periferi pranë aeroportit
2. Perandori
3. Nudo
4. Treni dimëror i linjës së largët
5. Kënga
6. Prometeu
7. I vetmuari
8. Fatkeqësi nga Suzana
9. Stina dimërore e kafe "Rivierës"
10. Që të mbetet dicka nga Ana
11. Provokacioni





Vepra 3
Titulli fillestar i romanit "Rrethimi" ka qenë "Daullet e shiut". Në botimin e parë, më 1970, me qëllim për të theksuar praninë shqiptare në vepër, u propozua titulli "Kështjella." Ndërkaq, në botimin francez, më 1971, doli me titullin origjinal "Daullet e Shiut", me të cilin u njoh në shumicën e përkthimeve të tjera. Pas rënies së komunizmit, autori i ka bërë veprës një ripunim të ndjeshëm artistik dhe gjuhësor.
Duke qenë se titulli "Daullet e Shiut është marrë shpesh si metaforë për shiun, i shkëputur nga konteksti i ngjarjes, në këtë botim autori e ka zëvendësuar me "Rrethimi", që përcaktohet si përfundimtar.




Viti i mbrapshte, Ismail Kadare




Ngjarjet e romanit “Viti i mbrapshtë” ndodhin në vitin 1914. Në këtë vit Shqipëria fiton pavarësinë. Kështu vendosën Gjemania, Anglia, Austro-Hungaria, Franca, Italia dhe Rusia. Secili prej këtyre shteteve përpiqet ta tërheqë pas vetes kombin e ri. Gjë që shpjegon serinë e aleancave me synime të caktuara, si dhe ushtritë e huaja që ngatërrohen në këmbët e njëra-tjetrës, por pa u ndeshur mes tyre. Rivaliteti mes serbëve dhe turqëve i ndërlikon edhe më tepër punët. Atëherë emërohet një mbret, një austriak, i cili nuk mund të pranohet nga myslimanët pa u bërë synet.


Jemi në zemër të një komedie të përforcuar nga një vodevil i luajtur nga diplomatët e akredituar në Shqipëri. Dhe Ismail Kadareja qesëndis historianët e ardhshëm, kur të tundohen për të vënë rregull në tërë këtë mishmash të pashpjegueshëm dhe të pakuptueshëm, për të mos thënë absurd. Jemi larg luftës së proletariatit kundër imperializmit. Përveç faktit se, nga gjithë kjo histori e ngatërruar, ngrihet zëri modest i fshatarëve të thjeshtë që ndërgjegjësohen për çështjen kombëtare. Të keqarmatosur, të keqkomanduar, ata enden kuturu andej-këndej, diku duke dalë fitimtarë, por duke humbur përfundimisht.


Sidoqoftë, nuk ka asnjë dyshim se këta këmbëzbathur shkruajnë, në syrin e Kadaresë, epopenë e vërtetë shqiptare.


Vjedhja e gjumit mbreteror, Ismail Kadare







Vjedhja e gjumit mbretëror” përfshin disa tregime, si: “Vdekja e gruas ruse”, që trajton temën e gruas ruse, që ka mbetur në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike; “Lamtumira e së keqes” shpall dhe përgatit tërheqjen e osmanëve jashtë kufijve të tokave shqiptare; “Muri i madh”, që është shkruar gjatë dimrit të vitit 1993, në kronologjinë e veprës vjen “Piramida”, një tjetër ngrehinë mitike në gur; “Kisha e Shën Sofisë” të kujton dysinë e atyre zonave të takimit midis kulturave. Ky tregim është shkruar në pranverën e vitit 1994 në Shqipëri, ku, meqë ateizmi zyrtar është braktisur, fetarët kërkojnë t’i dyfishojnë shpirtrat; “Vjedhja e gjumit mbretëror”, ka një pjesë të lidhur me “Pallatin e Ëndrrave”. Nëse ky tregim u shkrua në pranverë të vitit 1995, ideja zë fill para nja dhjetë vjetësh, në çastin kur pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia kishte hipur në fronin e Shqipërisë etj.


Në qoftëse "Dimri i madh " (në botimin e parë titullohej Dimri i vetmisë së madhe, 1973), i cilësuar nga kritika (pas përfundimit të fushatës sa cinike, aq dhe mediokre, të ndërmarrë kundër tij) si një roman-epope, kishte qenë dëshmi artistike e një tronditjeje dhe qëndrese heroike, "Koncert në fund të dimrit" (1988) do të jepte kryesisht dimensionin humoristik të një ngjarjeje krejt të ngjashme me të parën, veçse tashmë e njohur dhe e provuar nga protagonistët e saj, të mësuar në rrjedhat e historisë së tyre të lashtë, që rebelohen pa mundim ndaj supershteteve.
Në këtë roman serioziteti është po aq i pranishëm sa dhe e qeshura; drama dhe parodia, epopeja dhe farsa, tragjizmi dhe komizmi, aty shkrihen dhe aty alternohen, gjendjet emozionale janë nga më të befasishmet. Me të drejtë vetë autori, në një interviste dhënë gazetës franceze "Le Monde", e ka karakterizuar atë si një "roman me shumë registra, si një "vepër polifonike", si një libër artistik sa dhe shkencor, politik sa dhe filozofik, histori e luftërave ideologjike në shkallë të brendshme e globale, kronikë e një bote të trazuar në këtë fund shekulli novator. Kjo shkrirje e shumë planeve, emocioneve dhe ideve, flet për një vepër që gjykon kohën dhe botën, njeriun dhe shoqërinë, të sotmen, të shkuarën dhe të ardhmen. Ky roman është ndoshta vepra më e kompletuar e Kadaresë nga pikëpamja e mendimit. Spektri ideologjik i saj i përmban të gjitha ngjyrat, bashkë me nuancat e tyre.
Polifonia që përmend autori nuk është gjë tjetër veçse një eufemizëm për shumësinë e ideve ose pluralizmin, siç e themi sot me vend e pa vend. I prerë në dy boshte, diakronikisht dhe sinkronikisht, romani ka shtrirjen dhe thellësinë e një vepre të fuqishme, ku hyjnë e dalin shqiptarë e të huaj, nëpunës të thjeshtë e zyrtarë të lartë, ministra të rrëzuar nga pushteti dhe autoritete të reja në ngjitje, djem e vajza shkollarë dhe plaka të sklerotizuara, gjithë bota jonë e vëzhguar nga brenda e nga jashtë, me një përfaqësim enciklopedik; gjithë koha që jetojmë, me një pasqyrim kaleidoskopik. Ai është një libër i menduar me tërë fuqinë intelektuale të shkrimtarit të madh dhe i shkruar fund e krye me gjithë spontaneitetin e poetit shpërthyes. Një libër që lind libra të rinj.


Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...