Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/19

DNA – ja… TREGON !


Nga Fritz RADOVANI:


            Dikur përdorej një shprehje: “Të marrin (budallen) mos e pyet se të tregon vetë!”
Posa ndigjohej një emen fisi ose familje të vjetrit dinin me tregue edhe për squtsinë apo ma të përmendunit e në za të tyne...Kjo lidhej me numrin e vogel të popullsisë që kishin qytetet dhe fshatrat tona, mbasi mbiemnat ishin aq të njohtun sa shpesh njeriu nuk kishte nevojë me pyet për një fis se i cilës krahinë ishte po mënjëherë e përcaktonte fisi apo mbiemni i tij, kjoftë edhe i panjohtun. Mirditësit zakonisht njiheshin nga përdorimi i tre emnave bashkë, i përsonit, babës dhe i fisit nga vinte. Atypëraty, përcaktohej edhe idea që kishin njerzit për djelmët e squtë që kishin nxjerrë fiset e asaj krahinë...
            Edhe në zgjedhjet e para të dhjetorit 1945, u ruejt njëfarë tradite në caktimin e disa deputetëve tue ua përshtatë emnat e tyne krahinave ose disa familjeve të njohuna në qytete ku u caktuen si deputet. Ma vonë kandidatët e frontit ishin të njohun kryesisht nga shërbimi që ata i kryenin partisë komuniste dhe sigurimit të shtetit. Prejardhja proletare e varfer ose e ultë erdhi tue u sfokue, mbasi të gjithë ishin në përgjithsi si ka thanë At Gegë Luma, shtresë e “poshter ose e ultë”... Ai e bante këte përcaktim nga dokumenti i parë që ishte lëshue në janarin e vitit 1945, kur ishte arrestue nga forcat e ndjekjes në Berishë, ku ishte shenue edhe shtresa shoqnore e tij “shtresë e lartë”. Ai e pranonte këte “cilësi” se “jam me të vërtetë i naltë, si më ka përcaktue karakterin prokurori që ka lëshue fletën e arrestit tem se ai e ka ditë se për nga pasunia jam ndër ma të vorfnit e Dukagjinit, mbasi po t’ ishte fjala për pasuni, – u thonte komunistëve që kishin hy ndër burgje, – ju do të ua kishin shenue shtresë e naltë se, të gjithë jeni ma të pasun se unë...po, ua kanë shenue “e poshtër ose e ultë” se ju kanë njohtë si të tillë...” Ky mendim mbizotnoi mbi 45 vjet.
            Në vitin 1991 në Shqipni mendohej me u ba zgjedhjet e para mbas ramjes së komunizmit, ku deputeti i cilësdo “parti” duhet të ishte i pastër në “dosjen” që ruhej nga Ministria e Mbrendshme në Tiranë. Me datën 28 shtator 1991, kur po diskutohej se kush do të ishte në Kryesi të komitetit të Shkodres, besoj u kujtohet “shokëve” të pranishem të “partisë socialiste” fjala eme: “Se ju nuk e keni vendin ma në këte ndertesë as ndër këto tavolina, por ndër ferma dhe ndër rradha tue kërkue punë, ashtusi keni lanë mija vetë mbas dyerve të këtij komiteti për 46 vjet...” Pak kush i përkrahu mendimet e mija... pat edhe nga “ata” që më quejtën “ekstremist”...madje, edhe të përsekutuem nga diktatura!
            Sot mbas 20 vjetësh “pastertia e figurës” asht harrue... Janë harrue edhe emnat e shumë “fiseve” të njohuna që kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në sigurimin e shtetit me veprat e tyne kriminale. Janë harrue edhe vrasësit e torturuesit e vazhdueshem të popullit shqiptar, gja të cilën e vërteton edhe vetë Presidenti i Republikës me dekorimet e tija. Nuk do të hyj fare në analizat e krimit të organizuem, korrupsionit të turpshëm të vetë qeveritarëve që drejtojnë shtetin, as në kacafytjet e tyne për karriga e kulltukë të flliqun të Parlamentit Shqiptar, as në qendrimet e tyne ndër ato tribuna, mbasi kjo analizë duhet të bahet nga vetë “ata” që janë pranë atyne ngjarjeve dhe nën dhunën e tyne. Unë vetëm do të përsëris se: “Me çfarë surrati do të dalin para Popullit Shqiptar në fushaten e tyne të turpshme elektorale Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit Popullor, Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, kur  paturpësisht “heshtin” ndaj dekoratave të tradhëtarëve dhe të kriminelave të Popullit Shqiptar dhe Atdheut, që Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha dhe gjithë tarikati i tyne tiran, vrasës dhe terroristë vazhdojnë me pasë në gjoks dekoratat e krimeve të kryeme tash 65 vjet mbrenda e jashta kufijve të Shtetit Shqiptar?”
            Për tjerat vepra le të flasin vetë Populli në kurrizin e të cilit do të ndertohet godina e “re” e Shtetit Shqiptar, aty ku zhvillohet edhe “dueli” i “dy bajraktarëve” modern...
            Me siguri koha e “hapjes së dosjeve” tashti ka “kalue”...janë kenë disa shprehje që përdoren edhe sot: “Parja shpon detin!”... “jo ma një karton dosjesh...” “hajnit i ka boxh Mbreti” që tash asht zëvendsue me “Presidentin”.Edhe Presidenti i paguen borxhin!
“Njena dorë lanë tjetrën e të dyja lajnë faqet...e zeza të tyne...!” etj...
            Shqipnia asht edhe “pasqyrë” e Kosovës... Fillojnë e ngatrrohen “rejat” në Tiranë e u del tymi në Prishtinë... ministri i arësimit në Kosovë, nuk mundet me durue në zyret e asaj ministri Figuren e Nderueme të Atdhetarit Ibrahim Rrugova, dhe vendosë heqjen e Tij, bashkë me foton e Nanë Terezës. Heqja e Prof. Rrugovës edhe “justifikohet”, se po mos t’ ishte lufta që ka ba Rrugova për Lirinë e Kosovës, ajo do të vazhdonte me kenë edhe sot me etiketën e shovenistëve sllavoserb“një shtet islamik që nuk meriton me kenë jashta kontrollit serb!”, kështu thonte edhe i “mendshmi” Marksi në vitin 1878...
            Po heqja e Nanë Terezës pse bahet? Ajo pra, edhe kokën e ka të “mbulueme” me qarqaf! Sado fanatik dhe injorant me kenë ministri atje, ai këte e di ma mirë se unë!
            Edhe Kosova nuk besoj se ka nëvojë me hapë “dosjet”!!
            Rreth viteve 60 ishe mësues me një mirditas, të ndjerin Zef Preng –Jaku...burrë i moshuem në prag të pensionit, po edhe me cilësi të rralla qytetare. Një ditë e ngacmova për një mirditas jo inteligjent që drejtonte edhe organizatën e PPSh, së shkollës...sigurisht ashtu i duhej partisë sekretari i organizatës komunisti Marka Pjetri...
            Zefi më shpjegoi: “Kur ishte koha me le një djalë në Mirditë, mblidheshin të gjithë bajrakët...dhe caktonin që për sivjet “marrinë” e gjithë Mirditës po ua lamë atyne që lindin në X bajrak...Kështu, kur kam le unë, më pat mbetë mue!”....u qeshem...po, Ai vazhdoi: “Kur ka le Marku, ia lane marrinë bajrakut Markut, se e dinin se ky do të bahet edhe sekretar i partisë komuniste...e nuk i duhen ma shumë mend se kaq... n’ atë parti!”
            Ndoshta në Kosovë vazhdon edhe sot ajo traditë!...
            Ka mundësi që edhe kur ka “le” para tri vjetësh shteti i Kosovës, janë mbledhë...e ia kanë lanë turpin e faqen e zezë të krejt qeverisë...ministrit t’ arësimit!
            Të gjitha këtyne ngjarjeve u ka kalue koha...përveç “bajrakut të kuq” e, pranë tij edhe ai “blu”... Kështu do vetë Europa! As qeveritarët tonë s’ ua prishin “qejfin” atyne! Ata janë kenë e janë prap sot për sa ma shumë “flamurë” në duertë e... mos harroni kurrë kur flisni për këta padron të shtetit “xhepat” e tyne...që po i shkyhen nga ...
            Asht mirë që deputetëve apo ministrave që kerkojnë me zbatue sot ide të tilla si ministri i arësimit të Kosovës, përpara zgjedhjeve me ua ba DNA ...
            Me këte rasë edhe njëfarë Ramzi Hasanit në Ferizaj, asht mirë me ia ba analizat, se përderisa merret me homoseksualin Enver Hoxha...ka nevojë edhe ai për dishka...
            Ajo tregon çfarë “gjakut” trashigojnë qeveritarët tonë sot, përveç gjakut Shqiptarit që nuk e kanë asnjë pikë në farë as në fisin e tyne as në Shqipninë Nanë e as në Kosovë!
            DNA – ja tregon origjinen e vertetë të “gjakut” tyne!

Melbourne, Prill 2011

Pse është e pavërtetë e pavërteta e ardhjes së plehrave


Nga Saimir Lolja




Fillimi i këtij muaji, i cili fillon me ditën e të pavërtetës, solli edhe një grimcë lajmi për ardhjen e plehrave italianë nga porti i Valonës në Mirakë të Elbasanit. Ka njerëz që nuk e besojnë, sepse:
·         Një lajm i tillë nuk është paraqitur në TV-gazetat kryesore dhe ato partiake;
·         Kush njeri do donte të jetonte bashkë me familjen mes plehrave e tymrave të plehrave;
·         Është e pamundur që ministria e mbrotjes së ambjentit shqiptar, e kryesuar nga ministër Gërdeci, të sjellë plehra në Shqipëri;
·         Ndeshja e topit me këmbë ndërmjet skuadrave PD+ e PS+ ndonëse ka ngritur një furi të atillë pluhuri që do t’i mbulonte plehrat, prapëseprapë plehrave do iu kishte dalë era;
·         Është e pamundur që plehrat të vijnë në kohën e hutimit mbarëpopullor parazgjedhor, sepse shteti shqiptar vigjëlon për të mirën e shqiptarëve;
·         Është e pamundur që fyejve PD+ e PS+ t’iu dëgjohet vetëm fërshëllima e sharjeve ndaj kryetarit të partisë tjetër;
·         Është e pamundur që një maskaradë e tillë të bëhet me qëllim që njerëzve t'iu shijojnë më shumë thashethemet kur të thithin tymin e dukshëm e të padukshëm të plehrave;
·         Është e pamundur që shtetarët dhe politikanët nga Elbasani, ashtu si edhe ato nga rrethet e tjera, të pranojnë të marrin plehra për vendin e tyre;
·         Plehrat janë plehra që sillen me qëllim që pas 12 vjetësh të plasë kolera.

Pra, plehrat ngelshin andej nga duan t’i sjellin, sepse përndryshe:

Në emër të partisë, veten helmoni.
Në emër të partisë, mos mendoni por vetëm vegjetoni.
Në emër të partisë, vetëm për partinë vigjëloni e votoni.
Në emër të partisë, skllevër qëndroni se qytetarinë s'e meritoni.

Jo kështu.
            --- -- -

Shumëdimensioni kulturor i veprës së Neço Kristo Mukos


  
image          Neço K. Muko
Nga Fatmir Terziu

Abstrakt
Një nismë nga Saranda, me emrin dhe angazhimin e studiuesit, poetit dhe shkrimtarit Timo Mërkuri dhe një libër monografi nga Janko LL. Pali, (shkruar e sponsorizuar nga i biri, Petraq Pali, autor i disa librave) më angazhuan të rilexoj dhe të përqëndroj vëmendjen time mes krijimtarisë dhe emrit të veprës së Neço K. Mukos (Artist i Merituar). Është pikërisht monografia “Feniksi i Himarës: Neço K. Muko” që të lidh në këtë projekt madhor e tepër domethënës të inisiatorit Mërkuri. Janë disa hyrje në këtë monografi dhe dhjetëra e dhjetëra shkrime të përfshira e të papërfshira në këtë libër, që nisin me paraqitjen e Petraq J. Palit (6 shkurt 2004), me “Disa fjalë për Neço Mukon e këngën e tij, mikun e tij stoik Janko Palin dhe nënën time, Teftën” shkruar nga Eno Koço (Leeds, 7 shkurt 2004) dhe “Pak fjalë për Neçon” nga Janko Ll. Pali, bashkëkohës dhe mik i ngushtë i tij të shkëputura nga fletore 92, viti i shkrimit Prill 1976. Dhe mrekullisht vepra e Janko Ll. Palit na vjen me një vegim të qartë memoriesh dhe vlerash të plota ku diskursi historik mbetet një materie e shëndoshë edhe për diskursin ideologjik. Këtë mes penës së Koços e mësojmë disi më qetë: ‘Ky bagazh i akumuluar ndër vite e bënte J. Palin të ishte i matur në gjykime e vlerësime duke luajtur kështu rolin e një kronisti autentik, të kthjellët e pa pasione. Sigurisht, duke patur parasysh kohën kur i hodhi përfundimisht në letër kujtimet mbi Neçon (1976), në to ekziston edhe një fill përshkues i “prudencës” ideologjike apo i kujdesit “profilaktik” (Lenini, “sulltani matjan”) që “për çdo rast” punimi të ishte “korrekt” e në përputhje me kërkesat e kohës. Nuk ishin të paktë shkrimtarët e periudhës së pasluftës që mbruheshin me këtë lloj vetkontrolli apo vetcensurimi’ (ibid). Por ndërsa autorët e deritashëm nëpërmjet punëve të tyre të mrekullueshme kanë nxjerrë në pah vlerat e autorit të këngëve Neço Kristo Muko, këngët e tij të krijuara e të kënduara, natyrshëm edhe biografinë dhe karakterin e tij, një këndvështrim disi ndryshe rreth tipologjisë së veprës së autorit, anës kulturologjike dhe shkencore mes së cilës ajo si vepër arriti të mbetet e gjallë dhe domethënëse, eventualisht e kërkon këtë ndërrmarje. Në këtë studim unë do të argumentoj pikërisht nga ky kënd. Së pari do të nxjerr në pah tipologjinë e saj dhe së dyti do të forcojë bindjen se tekstura e Mukos ka një filozofi të veçantë të shumëdimensionit dhe shumëdrejtimit kulturor.
 Paraqitje
 Sipas Dr Eno Koços mësohet se “Monografia mbi N. Mukon (1976), ... është punimi më autentik e i vërtetë për ligjëruesin/këngëtar të Bregut. ... kjo është e para monografi e shkruajtur për Neço Mukon, edhe pse të tjerë artikuj e libra u botuan për të pas kësaj, të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga ky punim, të shfytëzuara me lejen apo pa lejen e J. Palit.” Dhe normalisht në një lidhje të tillë historike, pa emrin dhe vyrtualitetin human të Petraq Palit, autorit sponsorizues të momografisë, emrat e shquar të mbetura si një gdhendje e pavdekshme në ar, nuk do të kishin kuptim dhe jetëgjatësinë e fituar nga trashëgimia kulturore-letrare. Është një memorje që vjen nën një retushim fantastik të kujtesës së grumbulluar të Janko Palit dhe meritave të shkëlqyera të të birit krijues e dashamirës. Dr Eno Koço, shkruan “Janko Pali në kujtimet mbi Neçon nuk bazohej thjesht mbi kujtesën e tij, mbi ngjarje që kishin ndodhur kaq kohë më parë të cilat me kalimin e kohës edhe mund të zbeheshin apo të humbnin vërtetësinë. Të qënit e një njeriu me kulturë të vyer, J. Pali jo vetëm konsultohej me materiale të shkruara të Neços, të cilat ai kishte privilegjin t’i posedonte, por bazohej edhe në shënimet/ditar e tij që kishte mbajtur me dekada të tëra.” (Koço, 2004:5-11). Duke parë këtë arritje të ngulur tashmë për brezat dhe rrjedhën e saj paksa të njohur, gjejmë edhe emrin e Andrea Varfit, që në faqet e Nëntorit të vitit 1982 do të citonte emrin dhe veprën e të madhit Muko. Andrea Varfi i lindur në Qeparo të Vlorës më 21 shkurt 1914, njëri ndër shkrimtarët përparimtarë të viteve ‘30 dhe ndër nismëtarët për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vepra letrare e të cilit është përmbledhur në dy vëllime, nuk duket se ka një informacion të veçantë, por sipas shkrimit, e gjithë rrjedha në heshtje të shpie tek arkiva e Janko Palit. Kjo citohet disi edhe në disa shkrime të tjera, por si një dritë sqarohet nga analiza dhe kujtesa e Koços: “Ndërkaq, shprehu me pak sa zemërim faktin që shkrimin e tij për jetën e Neços ia kishte dhënë të nipit të këtij të fundit, Kiços, që jetonte në Tiranë dhe që kish dy muaj që kish vdekur, dhe që ai shkrim u botua në “Nëntori” nga Andra Varfi ku emri i Janko Palit nuk përmendej si autor” (2004: 7).
Kjo paraqitje dhe angazhimi i ndjeshëm i disa krijuesve të shfaqin interes për veprën e Mukos, na lehtëson idenë se vepra e tij ka tipologjinë e saj, ka veçori të tilla që duhet sqaruar nën dritën e teorive më të anvancuara të kohës sonë. Një nga këto teori është edhe teoria e Rothberg në lidhje me funksionin shumëdimensional të një krijimi me vlera kulturologjike. Rothberg tek teoria e tij e shumëdrejtimit kulturor na afron këndin e duhur t’i drejtohemi edhe veprës së Mukos nën një prizëm të gjerë dhe me mjaft kënde reflektimi (Rothberg, 2009: 25-34). Sipas Rothberg ‘memorja shumëdrejtimore’ na mundëson të shohim filozofinë e komunikimit të mesazhit me një sy më të hapur e më pak të kundërshtueshëm në funksion të historisë dhe rruajtjes së vlerave (ibid). Duke parë këngën e kënduar nga Koço Cakali, me piano e dy violina, mes tekstit të Neço Mukos, të shkruar në Paris në vitin 1923, vetë titulli “Shqipëria” komunikon nën këtë kënd. Më pas pasohet me funskionin vargor që na shpie tek multidimensioni i kujtesës që pasohet nga disku i gramofonit numër 44001. Kjo këngë e nxjerrë në dritë për publikun nga orrigjinali i të atit, mes dëshirës së zjarrtë të Petraq Palit, na krijon një ide më të qartë kur lexojmë pjesën e parë të saj: “Vend i bukur vend i lumtur/Plot kujtim e plot magji/Shqipëria/Je hyjnore qiellore/Paradis i dytë je TI”. Në këtë shumëdimension dhe shumë drejtim kulturor të memorjes kemi në ndihmë kombinacionin emër dhe mbiemër, duke na lartësuar vlerën e Shqipërisë, ‘vend i bukur’ dhe ‘vend i lumtur’, por kemi edhe plotësuesen ‘plot kujtim’ dhe ‘plot magji’ që forcojnë vargjet më poshtë ‘je hyjnore’ dhe ‘Paradis e dytë je Ti’. Le të ndalemi me radhë. Së pari tek e fundit me fjalët ‘paradis’ (parajsë) dhe përemrin me gërma të mëdha ‘Ti’ (Shqipëria-Atdheu). Studiuesja Katerina Clark tek libri i saj studimor “Novela sovjetike: Historia dhe rituali’ na sjell në vëmendje se përdorimi i fjalës së goditur hyjnore ‘parajsë’ në tërë krijimtarinë fikshën ka një lidhje të gjerë shumëdimensionale dhe me karakter shumëdrejtues të funksionit të saj. Së pari na fron një sfond tipologjik shqiptar të lidhur me një periudhë disi akorduese të vlerëpraqitjes nga jashtë, duke u ndikuar nga emigrimi dhe së dyti nga vetë natyra që fjala lidhet me përshkrimin shpirtëror të dashurisë së lidhur me hyjnoren dhe të bukurën e patjetërsueshme. A nuk lidhet kjo me tekstin e “Vajza e valëve”? Pikërisht aty ku tipologjia e kësaj perle paraqet qashtër: ‘Vajzë e valëve, zemra më stë mban/Dhe mbi gur nd’anë të detit qan, e zeza qan’. Kjo ka tipologjinë e saj, mallin, dëshirën, dashurinë, prestigjin, respektin, hyjnoren dhe tërë dimensionin e saj të qartë e të gjerë. Një ngjashmëri e tillë gjendet tek kapja e Spiro Gjikondit (New York, tetor, 2004) “Ne 80-të vitet e fundit, sidomos gjatë periudhes 14 vjeçare pas rënies së komunizmit në Shqipëri që u shoqërua me një ikje masive të shqiptarëve në rrugët e kurbetit, shumë poetë e artistë i janë kthyer këngës popullore himariote dhe motivit tragjik të “Vajzës së Valëve”… Gjatë po këtyre viteve, pra në 80 vjetëshin e fundit, nuk do të ketë mbetur njeri në Shqipëri, i ri a i moshuar, që të mos ketë kënduar apo, të paktën, të mos e ketë dëgjuar këngën e njohur qytetare “Korçarja e bukur” me vargjet e saj brilante; “ O moj Korçare sa e bukur je/ me ato naze porsi nuse e re…”.
Duhet theksuar në këtë pikë se thesari që na ka prurë në sëndukun e tij të artë i paharruari, Janko Ll. Pali, si dhe puna e madhe dhe e lavdërueshme e Petraq Palit, të birit të “Mësuesit të Merituar”, është përqafuar edhe nga studiuesi Timo Mërkuri që në temat e tij lidhur me këtë autor synon të shpërngulë shumëdimensionalitetin e tij kulturor në një organizëm më të institucionalizuar kulturor. Duke parë krijimin në vargje të Neços, “Leleja dhe Bambumi” me gjithë dimensionin e duhur shohim atë transparencë të duhur e të nevojshme që siglohet me një kriter mnemonik për të bërë retrostrukturën asimetrike të ‘realitetit’ duke organizuar faktet dhe gjeografinë e gjerë, duke udhëtuar në Paris e Londër e duke e lidhur pikërisht me atë nyje ku ‘ha njeriu me Xhaz-Bandë’ pra me një nivel të lartë, që sipas autorit “s’paguajnë kaq, ç’më thua!/Po këtu e thonë Sarandë”. Ky dimension që i mbetet kohërave ka një aspekt tepër domethënës, të kapshëm në çdo kohë, në çdo hapësirë e në çdo vend. Është Saranda në vëzhgimin e tij, është gjeografia e dy qyteteve me zë në fushën e kulturës dhe normal siç shihet e gjitha shumë lehtë mund të transmetohet edhe sot. Përpos kësaj, ne ndjehemi mirë në këtë ndërmarje studimore, në këtë pikë me një efekt shumëdimensional.
 1.1 Shumëdimensioni kulturor (memoristik)
 Shumëdimensioni memoristik dhe udhëtues i Neços, mbetet një tipar tjetër që vjen tek “Nga Lindja në Perëndim” (Himarë, Janar 1924, përkthyer dhe adaptuar më 1979 nga Janko Pali; ndodhet në faqet 104-105 të monografisë së Petraq Palit). Të sqarojmë pak termin memoristik që në gjuhën shqipe duket paksa larg. Është një term filozofik që përdoret në studimet me tematikë kulturore historike po edhe në atë me aspekte të fushës sociologjike. Ka kuptimin e ritransmetimit të fakteve kulturore dhe krijuese si një riprezantim nëpërmjet prozës dhe peozisë në funksion të kulturës dhe identitetit. Në këtë rast është “Nga Lindja në Perëndim” që funskionon si një e tillë, duke na dhënë mrekullisht një prurje të mrekullueshme të identitetit shqiptar edhe në fushën e tradicionales së lidhur me ‘kursimet’; përditësinë e jetikes dhe lidhjen me jetëdukurinë aspektative të njeriut në lëvizje. Dhe kjo lëvizje e afron këtë krijim të Neços me një aspekt më filozofik që u quajt "Lëvizja” dhe që ishte një term i përdorur nga JD Scott, redaktor letrar i “Spectator”, në vitin 1954 për të përshkruar krijimtarinë e një grupi të shkrimtarëve duke përfshirë Kingsley Amis, Philip Larkin, Donald Davie, DJ Enright, John Wine, Jennings Elizabeth, Gunn Thom, dhe Robert Conquest. Lëvizja kishte në thelb dhe në karakter, studimin dhe përfshirjen e poetëve në Skoci dhe Uells që nuk ishin studiuar dhe përfshirë në përgjithësi. Kjo lëvizje synonte me këtë lëvizje të zbulonte pikërisht prurjet e mrekullueshme të identitetit dhe kulturës në krijimtari dhe mes saj në lëminë e memorjes. Më tej duke parë krijimtarinë e autorit në aspektin e kohës, pikërisht në vitin 1924, ne forcojmë bindjen se autori i këtyre vargjeve, poezive dhe këngëve ka më shumë se një argument në fiksimin e shumëdimensionit kulturor memoristik.
Studiuesi shqiptar Jorgo Bulo rreth kësaj teme me përafërsi në vitin 1983 duke shkruar parathënien për “Studime dhe kritikë letrare: nga autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi” i rferohet traditave shkencore në fushën studimeve të letërsisë artistike duke theksuar se ‘krenaria e ligjshme për traditat historike dhe për vlerat kombëtare të kulturës’ është shprehëse e ndërgjegjes artistike dhe shkencore të kombit tonë (Bulo, 1983: 4-5). Në të njëjtën linjë e sheh edhe kritiku Anton Berisha tek “Mendimi kritik i rilindësve mbi letërsinë gojore’ duke vënë theksin tek trashëgimia si një vlerë e rrëndësishme në memoristikën kulturore (Berisha, 1983: 8). Ndërsa akademiku Rexhep Qosja e fuqizon këtë term duke e lidhur me ‘kultin e ardhmërisë’ (Qosja, 1983: 159).

Dhijamata libri që i solli ‘diell’ shkrimtares shqiptare


Kur lexon Shpresa Vreton



Nga Fatmir Terziu
Ndoshta rastësisht emrin e shkrimtares dhe skenaristes shqiptare Shpresa Vreto e gjejmë të lidhur me emrin e shkrimtares amerikane, të lindur nga prindër me origjinë nga Polonia, Anne Pellowski. Kjo e fundit në librin e saj Tërheqja e tregimeve nga bota dhe bërjen shembull mes tregimeve Europiane për shaminë (Drawing stories from around the world and a sampling of European handkerchief stories) i jep një vend të rrëndësishëm falenderimi shkrimtares shqiptare, duke e cilësuar si të rrëndësishëm një bashkëpunim të saj me të në fushën e letrave dhe të kulturave. Anne Pellowski ka udhëtuar në botë, duke mbledhur tregimet nga vende të ndryshme si Indonezia, Korea, Rumania, Gjermania, Suedia dhe Japonia. Dhe në lidhjet e treguara nga shkrimtarja shqiptare Vreto, ajo vetëm sa bën lidhjet kulturore mes vendeve, ku Shqipërinë e cilëson si një kulturë të veçantë.
Por, jo rastësisht e gjejmë emrin e shkrimtares Shpresa Vreto në mesin e letrave shqipe të përkthyera në gjuhë të huaj. Në gjuhën e huaj e gjejmë emrin e kësaj shkrimtareje që në vitin 1979, kur libri i saj “Ditë me diell” i botuar në vitin 1976 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” u përkthye në gjuhën greke me titullin DhijamataDhijamata në fakt më tej nga kritika vendase dhe e huaj u cilësua si libri që i solli ‘diell’ jo vetëm letërsisë për fëmijë mes dy kulturave, por edhe vetë shkrimtares shqiptare. Kështu emri i saj hyri ndjeshëm dhe rrjedhshëm në mesin e emrave të tjerë, madje u vu në rrjeshtin e madhe të krijuesve në shumë zhanre.
Shpresa Vreto autore e skenareve të filmit artistik, filmit të vizatuar si dhe autore e librave, është një nga emrat që meriton një vend të rrëndësishëm në letrat dhe kulturën shqiptare. Shpresa Vreto që iu përkushtua krijimtarisë letrare dhe artistike që herët, veprimtarinë e saj si skenariste e ka filluar në zhanrin e filmit vizatimor. Kështu dihet që ajo ndër të tjera, më 1978, ka pregatitur skenarin e filmit vizatimor “Mirela”. Më 1981, së bashku me Xhanfise Kekon bëjnë skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”, ndërsa më 1986 në filmin “Fillim i vështirë” na paraqitet si pregatitëse e vetme e skenarit të këtij filmi, për të vazhduar më tej në vitin 1990 me bashkëpunim, po ashtu si autore skenaresh me Petrit Rukën në filmin “Një djalë edhe një vajzë”.
Por s’duhet harruar se Shpresa Vreto është autore edhe e librave. Të njohura janë librat me titujt “Shokë shkolle” (Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", 1978) dhe “Vit i paharruar” (Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", 1983).
Diku për rrjeshtin e konsiderueshëm e të respektuar të autorëve me të cilët krenohet letërsia shqiptare thuhet fjalët më të goditura. Dhe këtu është një hartë e tërë vlerësimesh dhe vështrimesh me respektin edhe për Vreton. Miranda Haxhia tek shkrimi i saj në gazetën “Metropol” shprehet” “Duke u nisur nga kjo hartë vështrimesh në përgjithësi, dhe duke respektuar përvojën tonë të deritanishme në fushën e letërsisë për fëmijë, nuk mund të mos theksoj e rivlerësoj punën e madhe, vlerën e madhe që i kanë sjellë letërsisë së të vegjëlve emra të tillë si Mitrush Kuteli, Gaqo Bushaka, Bedri Dedja, Tahsim Gjokutaj, Shpresa Vreto, Xhavit Beqaraj, Ferit Lamaj, Nexhmije Muça, Viktor Canosinaj etj. etj.”
Shpresa Vreto njihet nga novela “Kështu është bukur” “Naim Frashëri”, 1978 me 104 faqe. Protagonistja kryesore e kësaj novele është Yllka e vogël. Nga përkëdheljet e prindërve, Yllka është bërë tekanjoze. Prindërit vendosin që Yllka, e cila deri atëherë ka qëndruar vazhdimisht me gjyshen në shtëpi, të shkojë patjetër në kopsht. Novela ka fituar çmim të dytë në konkursin e letërsisë për fëmijë të shpallur nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1977.
Kjo autore njihet edhe nga pjesa teatrale për pionierë “Shokë shkolle” “Naim Frashëri”, 1978. Përmbajtja e saj është në dy pjesë me “Kënga ime” dhe me pjesën tjetër “E vërteta”. Subjektet e këtyre pjesëve teatrale autorja i merr nga jeta e fëmijëve të asaj kohe. Në pjesën e parë teatrale, “Kënga ime”, tregohet për një vajzë, e cila këndon bukur. Asaj nuk i pëlqen puna e marangozit, sepse mendon që puna fizike do ta pengojë për t’u bërë këngëtare. Por këtë mendim të gabuar ia heq kolektivi dhe familja. Ajo bindet se puna, jo vetëm që nuk e pengon, por e frymëzon për t’u bërë një këngëtare e njohur. Në pjesën e dytë, “Krahu i thyer”, Agimin e vret ndërgjegjja për një gabim që ka bërë në kabinetin e biolohjisë dhe, pas një lufte shpirtërore, ai i trgon të vërtetën mësueses. Në “Shqetësimet e shoqes sonë” kemi një grup nxënësish të një klase të 7-të cilët bëjnë një aksion për të rregulluar fushën sportive. Meqenëse punën e mbarojnë shpejt, ata shkojnë në kinema duke bërë një gabim: të nesërmen sohet në mbrëmje për detyrat. E merr vesh gjyshi i saj. Kurse ditët e para të pushimeve verore të pionierëve. Ngjarjet zhvillohen në një fshat.
Libri i saj “Ditë me diell” i botuar në vitin 1976 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka një tematikë të larmishme...

NË SHQIPNI… ÇKA ASHT MA E VËSHTIRË


Nga Fritz RADOVANI:

  SHQIPNI…  ÇKA  ASHT  MA  E  VËSHTIRË:

ME KENË  KATOLIK  APO  SHQIPTAR  I  VERTETË ?

            Një pyetje për Shqiptarë në pragun e Festës së Madhe të Pashkëve!
            Shumë ngjarje të ndodhuna në periudhen e pushtimit komunist në Shqipni kanë marrë ngjyrën e barceletave, kur në të vertetë ato kanë ngja, e mjaft prej tyne edhe i kemi jetue.
            Një mik në Tiranë, Bedri S..., aty nga vitet ‘80 po më tregonte një ngjarje, për të cilen do të ketë edhe nga ata që ndoshta do të dyshojnë se si ka muejtë me ngja në kryeqytetin tonë një gja e tillë. Ishte lirue nga burgu mbas 15 vjetësh Nika, malësor nga Malet e Veriut. Nuk kishte ma asnjë njeri të familjes në fshatin e vet, ishin arratisë pothuej të gjithë. Një kushri në periferi të Tiranës, i martuem me një grue muslimane, e pranon me e strehue në shtëpinë e vet. Grueja e kushrinit pothuej nuk e njihte fare besimin, as të vetin, as të burrit të vet, se ishte e re dhe e rritun si të gjithë shqiptarët krejt afetarë; flas kryesisht për ata që u rriten mbas vitit 1967... Ajo kishte një shef kuadri të njohun në një ndërmarrje ndërtimi dhe bisedon me të, me mujtë dhe me i sigurue Nikës një punë në ndertim sa me nxjerrë bukën e gojës. Një ditë, bashkë me Nikën, shkojnë në ndërmarrjen e tij dhe Nika njihet me të, sigurisht edhe hapet biseda për me mujtë me xanë vend në atë ndermarrje. Shefi e pyet Nikën rreth biografisë së tij, tue u mundue me errësue problemet politike në maksimum... Nika për çdo gja përgjigjet kjartë dhe pa shtremnue asnjë fakt. Ai vazhdimisht e thrriste “Nik”, tue i dhanë theksin ortodoks për me i dhanë me kuptue se jam tue të kuptue, si besimtar nga ortodoksët e Jugut..Mbasi shefi pothuej i asht ba e kjartë biografia e “Nik-ut”, e pyet: “Më fal, po cilit besim i përket ti, Nik”? Nika, pa farë të keqjet i thotë: “Unë jam katolik!”...Shefi ban aaaaa, sa keq!...
            “Që ke qenë në burg e dija, se ishe i dënuar politik edhe këte e dija nga kunata jote, se ishe nga Shkodra apo rrethet e saj, e dija, se kishe familjen e arratisur e dija, dhe se në vitët 1946 të kanë pushkatuar xhaxhajn e dija, se nuk kanë hyrë në kooperativë po kanë tradhëtuar Atdheun edhe këte e dija, se flet ashtu nga qendrimi me femijët e bajraktarëve dhe priftërijtë e Shkodres atje ku ishe...po, dhe emrin “Nik” mund ta kujtonin nga ata fshatrat e  humbura të Korçës, po, po ti qenke edhe katolik o dërzi, jo, jo, më vjen keq, se sikur të marr unë ty në pune dhe të informohet partia se kam sjellur në kolektiv një katolik...gjëja më lehtë për mua do t’ishte të vija të shtyja karrocën me juve...e, shumë shpejt do më çonin edhe atje ku ishe ti deri tani...Këte, besoj, nuk e do as ti?!”...
            E kështu si Nikës u ka ngja shumë vetëve...që ndokush e kujton për me ba humor...
            Në librin e “Relacioneve të klerit...”, me datën 27 mars 1638, plot katër vjet mbas ardhjes së Misionarëve Françeskan (1634), fra Kerubini, misionarë shkruen: “Ata që bahen muslimanë janë shumë ma të këqijë se ata që lindin myslimanë....” Kjo asht një e vërtetë që koha e ka provue që në ditët e para të vitit 1944...Kultivimi i urrejtjes fetare dhe i përçamjes kombëtare filloi nga shovenistët sllavokomunistë që në vitin 1941 me formimin e partisë komuniste shqiptare, tue gjetë edhe drejtuesin e saj anadollak me gjak e vese “turkoshaku”, Enver Hoxhen, bashkë me pasuesin e vet Ramiz Alinë. Kjo parti, ashtu si u themelue nga komunistët jugosllavë, ashtu i ka shërbye bashkë me trashigimtarë tash 70 vjet të gjitha interesave antikombëtare të Shqiptarëve. Të gjithë ata felëshues nga besimtarët shqiptarë që u vune në shërbim të Titos dhe Stalinit, me masken “komuniste”, çka ishin të vendosun me shpartallue Shqipninë dhe Trojet Shqiptare, e kanë tregue veten si tradhëtarë të shitun porsa erdhën në pushtet, tue fillue nga drejtuesit e partisë, nga të gjithë komandantët e brigadave sulmuese, pra nga Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Shevqet Peçi, Haxhi Lleshi, Rahman Perdhaku, e deri tek shërbëtorët e tyne “katolikë” Tuk Jakova, Gjin Marku me shokë, të cilëve dy ortakët e çiflikut, Enver Hoxha e Ramiz Alia, ua kanë tregue “rrugën e shegertit”, ashtu si i kanë ba shërbimin e tyne antifetar e antiatdhetar! Të gjitha veprimet e tyne, që në fillim, me vrasjen e Qemal Stafës, Vasil Shantos e deri në një nga tradhëtitë ma të njohuna në Mukje, në Masakren e Kelmendit, në Masakren e Tivarit, dhe në luftën civile në të gjitha krahinat tona shqiptare, andej e këndej kufinit, janë fëtyra e vërtetë e “komunistit” shqiptar në të gjitha kohët deri në ditët tona. U vranë në Jug drejtues të “Ballit Kombëtar”, që nga Lepenicejt e Vlonës, u pushkatuen atdhetarët e Gjirokastres dhe të Sheperit, u zhdukën antikomunistët e Korçës e Permetit, u quajtën “shovenistë” himariotët e sarandiotët antigrekë, u vra Alush Lushanaku e Hamit Matjani se rrokën armët me djelmët e Markagjonit të Mirditës, nuk pranoi kompromis as Muharrem Bajraktari as Maliq Bajrami, as Hasan Isufi e as Llesh Marashi me sigurimin komunist, nuk dorëzoi armët as Dedë Coku...as Jup Kazazi me Dedë Jakupët...e u zhduken si Atdhetarë!
            Po Prekë Cali, me 118 Burra të Kelmendit, çka u bani komunistëve shqiptarë, që si burrat ia tha ndër sy kriminelit Mehmet Shehu: “Faji asht i juej, që u bashkuet me anmikun tonë shekullor, serbin”. Pra, ishin komunistët që vranë, i tretën trupat e tyne ndër prroje, dogjën kullat e kësollat, ua plaçkitën gjanë e gjallë, u vranë trashigimtarët pa lëshue shtat, tue i akuzue antikomunistë, vetem se ishin Atdhetarë dhe katolikë...antishovenistsllavë e antishkja!
            Kjo politikë komuniste u vazhdue për 46 vjet pa ndërpremje. Jo vetem asht luftue vetë elementi katolik, po u vranë edhe ata që guxuen me shprehë një paknaqësi për ata që po ngjanin nga fanatikët anadollakë, të mëshehun nën teserat e PPSh... nën drejtimin dhe zbatimin e politikës së saj me termin e mnershëm marksist-leninist “lufta e kllasave”.
            Me 18 korrik 1946 u pushkatue misionari Don Alfons Tracki. Ja relacioni që iu dergue “turkoshakut” E. Hoxha: “...Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë. Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.” (Dosja 1885 Arkivi Mmbrendshme. Tiranë)
            Enver Hoxha, shkruan: “...mëqenëse katoliçizmi shqiptar dhe në veçansi kleri, ishin pëngesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.”(Enver Hoxha: Selected Works, Vellimi i I-rë, fq.438, Tiranë 1974.)
Mbas dy javësh që ngordhi E. Hoxha, trashigimtari i tij në të gjitha poshtersitë, Ramiz Alia, deklaroi në komitetin e partisë komuniste të Shkodres: “… Shoku Enver na la... duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë do punojnë për të prishur unitetin tonë. Ata në këte kohe, si gjithënjë, do kërkojnë për të gjetur mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqia ndaj Partisë... Prandaj të jemi shumë vigjilentë, sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë ... por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni, por sinjalizoni Partinë, vini prangat dhe jepni plumbin ballit!... ” (Prill 1985).

Zotni Ajet Shahu shkruen:Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete përpunoi platforma politike e zbatoi metoda e mjete antikatolike tepër të sofistikuara.”
Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Partia komuniste shqiptare, me veglen tradhëtare të veten, sigurimin e shtetit, tue zbatue politikën e vet fanatike, terroriste e përçarëse në këta vite robnije të Popullit Shqiptar, i kanë sherbye një objektivi dhe punojnë prap edhe sot për atë qellim pa pushue: “Zhdukjen e intelektualëve dhe Atdhetarëve që kanë punue për zgjimin e pavarësisë së mendimit njerëzor, shoqnor e politik, që janë parime bazë të të drejtave të njeriut në shoqninë demokratike dhe aspirata  të Atyne Sshqiptarëve, që luftuen e punuen për to që në vitin 1912.” Nuk hyna në komente të citateve po në fund besoj ua bana të kjartë se cili ka kenë qellimi i vërtetë i të gjithë atyne që në një formë apo një tjetër luftuen për zhdukjen e elementit katolik.
            Mbas vitit 1991 Populli Shqiptar ka përkrahë të gjitha reformat, programet dhe mundësitë për realizimin e demokracisë në Shqipni. Hapat e para drejt rrugës demokratike janë ata që u ka parapri Don Simon Jubani dhe klerikët tjerë të besimeve të tjera të Popullit tonë. Liria e Fesë erdhi e imponueme nga forca e Popullit Shqiptar dhe aspak me dashje të komunistëve që ishin në pushtet. Asnjë grupim politik nuk kishte dalë në skenë kur me 11 Nandor 1990, ora 11.00 u tha Mesha e Parë, mbas vitit 1967 në Vorrezat e Rrëmajit të qytetit të Shkodres.
Po klasat politike cilat ishin...!? – Asnjë! Terrori dhe vrasjet e komunistëve kishin zhdukë çdo shpresë për ringjallje, jo ma me mendue kush për organizim...Kishte në 1991 nga ata që mendonin për një “parti demokristjane”...po Ramiz Alia vuni barrikadë kundër çdo mendimi politik jo në përputhje me komunistët “ministrinë e drejtësisë”, derisa i erdh fundi i gënjeshtrave të tija dhe shperndau komunistët e besueshëm në filjalet e PPSh, tue u mbështetë fort në spijunët “veteranë” të sigurimit të shtetit. Pamundsia me shpetue asnjë nga “nenet” vrasëse të “Kushtetutës RPSShqipnisë” dhe të Kodit Penal, solli ate që nuk priste as PPSh, as Ministria e Mbrendshme, as Kuvendi Popullor, ku shpresat nuk ishin të vogla, mbasi porsa Ramiz Alia e pa se i doli “tymi” në Komitetin qendror të PPSH, i dha të shtyme Haxhi Lleshit, e u vetshpall President i Shqipnisë. Tashma nuk kishte punë vetëm me një qendër reaksioni, që ishte Shkodra, po kishte punë me Kavajen, Vlonën e gjithë Shqipninë, që ishte çue në kambë e kërkonte pa u frikue nga askush ma: “Liri Demokraci...E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Deri në vitin 1993 Populli i besoi Sali Berishës, tue mendue se ruente karakterin e një Malësori Shqiptar, i ardhun nga Trojet e Bajram Currit. Kur nga anëtarët e kryesisë së PD filluen me deklarue: “Se e kemi për nder që kemi pasë baballarët komunista!”, aty asht kenë fundi i mashtrimit të Popullit, i cili edhe humbi drejtimin, po edhe optimizmin. Klasa e vuejtun, deri atëherë përkrahëse e PD-së, u çorientue, tue u coptue nga Pjeter Arbnori edhe vetë “Shoqata e të Përndjekunve Politikë Shqiptarë” në “antikomunistë” e ...ku, në drejtim të saj erdhën ishspijunët e burgjeve, që u banë ma të neveritshëm se oficerat e sigurimit, që aso kohe kishin hjekë edhe etiketat me emnat e vet nga dyert e apartamenteve. Partia, se cila “parti” kuptohet, nuk i braktisi ish agjentët e saj. U fol për shumë objektiva, po aktuale pat mbetë “vendosja e tyne” me kostumin demokrat të pardysyve uniforme...në zyrat shtetnore nga Bashkitë e deri në Prefektura...kishte “ndonjë” që arriti të drejtonte edhe PD si në Shkoder...
Nuk ndihej fare era e fanatizmit në asnjë qytet të Shqipnisë. Asht e vertetë që Ata Klerikë që kishin mbetë nga burgjet e diktaturës, kanë kenë model i Atdhetarizmit, tue ba një punë të palodhun për vllaznimin e dashninë në gjiun e Popullit Shqiptar, që asht kenë një model në krejt popujt e Europës dhe Azisë, pa zanë me gojë fare Ballkanin.
Loja tradhëtare e vitit 1997 nxori në shesh “fëtyren” e vërtetë të komunistëve shqiptarë të konvertuem në demokratë, që tradhëtuen Popullin dhe sakrificat e Tij të bame në 46 vjet diktaturë komuniste. Jo vetëm zbuluen surratin e vet, por edhe të trashigimtarëve të tyne, që morën stafeten e të gjitha poshtërsive të baballarëve tue fillue nga krimi i organizuem, vrasjet pa gjyqe mbas kaçubash, korrupsionin, trafiqet, vjedhjet e firmave piramidale, grabitje e plaçkitje pronash me dokumenta fallse, organizimin e mëshehtë të partisë komuniste dhe sigurimit të shtetit me veteranët dhe elementin e ri, tue mjellë frikë, ankth, terror, por edhe tue luftue çdo shfaqje Atdhetarizmi me parullën e njohun nga vetë rrethi i korruptuem i drejtuesve të Shtetit, nga Kuvendi Popullor, Qeveria e deri tek Presidenti i Republikës:
Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, na kemi të drejtë ta  bëjmë  prap!”.
            Po luftë fetare antikatolike a ka sot në Shqipni? Dikush thotë jo! Në fakt kleri sot asht, si thotë një fjalë e vjeter: “Në kater rrota...”. Gjokset u shndrisin nga “dekoratat” dhe janë frye si gjela detit nga “pasaportat” shqiptare, malazeze, serbe, italiane...shyqyr, ka dashtë Zoti edhe “pa viza” e pa veladona..!

            Lufta kundër katolikëve sot vazhdon vetem me të vdekun, kundër Gjergj Kastriotit, Nanë Terezës, At Gjergj Fishtës, Dedë Gjo’ Lulit, Don Nikoll Kaçorrit, At Anton Harapit, At Mati Prennushit etj. Atdhetarë, që as “formalisht” nuk kujtohen as nuk zihen me gojë...
            Pra sot, me të vertetë asht ma vështirë me kenë Atdhetar i vërtetë në Shqipni...
            Por asht shumë ma e vështirë me kenë “katolik i vdekun”! Mbetë edhe pa vorr!

            Melbourne, Prill 2011.

2011/04/16

URIM FLORI BRUQIT






Nga Keze (Kozeta) dhe Qemal Zylo


I nderuar Z.Bruqi,

Me emocionove pamase kur me shkruanit se se shpejti do te keni promovimin e librit “Guxim shqiptar”, aty ne Kosoven kreshnike, ne Kosoven qe mezi po pres per ta vizituar, per te puthur token, ate toke qe dhe pse pjese e gjakut te saj e kishim te ndaluar!
Por tashme se shpejti zogjte shtegtare do te kthehen aty, se folene nuk mund ta ndertojne ne vend tjeter, por vetem ne Kosove dhe Shqiperi, pikerisht nga trimat legjendare te Kosoves, qe aq bukur i ke pershkruar ne librin “Guxim Shqiptar”!
Me librin “Guximi shqiptar” ti guxon te thuash ate qe ndjen dhe mendon perpara publikut te shumte me rrenje Ilire!
Ti me penen tende ke shkruar kohen e trazuar, heronjte e shumte te Kosoves, qe me simbolin e herozmit shqiptar, burrin trim te Kosoves Adem Jasharin luftuan balle per balle me armikun perbindesh, Sllobodan Milloshevicin dhe makinen e tij shtypese.
Njekohesisht ke dhene dhe jeten e amullt qe venitej ne syte e zjarrte te rinise trime kosovare!
Ne keta legjendare une ndjej rrugetimin e perditshem, heroizmin se bashku me dimensionet e zemres njerezore!
Aty lexoj se nuk te ka levizur qerpiku edhe pse kalvari i vuajtjeve ashtu si i bashkekombasve nuk ka qene i pakte, gati-gati ne mos me keq se ne dramat e Shekspirit!
Nje lexim i vemendshem i librit, me beri qe te strehohem shpirterisht tek trimat e Kosoves, tek Legjendaret e Luftes, sepse vetem aty e shijova eren e Lirise dhe sigurine e plote ne kete bote te cakerdisur!

Prandaj ju lutem vellezer te nje gjaku,
Mos m’i fshini lotet e vargut,
Si katarakte le te rrjedhin kudo,
E Bota aty le te mbytet,
Per te lare mekatet e shekujve,
Dhe ndarjen e hartes s’dua ta shoh me!
Ne kufijte e Kosoves,
Dua te le shpirtin,
E si Zane Mali,
Te sperkatem me yjet e saj!
Yje Kosove, Yje te rralle!

Libri me ngjan me nje marathone, qe drejton shtegtaret udhehumbur dhe ne bebezen e syrit kane guximin shqiptar, guxim qe shkrimtari Flori Bruqi do t’jua transmetoje brezave qe do te vijne, amanete qe s’duhet te shuhen kurre, kurre!

Edhe njehere urime z.Shkrimtar!
Rrofte Kosova e lire dhe e pavarur!
Qofte i perjetshem kujtimi i te reneve per LIRI!

Keze (Kozeta) dhe Qemal Zylo
Sekretare per shtypin ne shoqaten e shkrimtareve shqiptaro-amerikane
Shkrimtare, New York, USA

2011/04/15

Shkrim me shkas: Aktori që po pushton botën e filmit shqiptar

 
Me aktorin tonë tashmë të mirënjohur, Avni Dalipin biseduam për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me kulturën në trojet shqiptare. lidhur më organizimet e aktiviteteve në prag të “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Maqedoni”, që do të mbahet nga 22-28 Nëntor, si dhe rreth shumë çështjeve me të cilat ballafaqohet sot kultura jonë, teatri si dhe filmi ynë kombëtar.

INA: Shkas i kësaj bisede mbetet Manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare”, të cilin, tre vjet radhazi po e organizoni ju me stafin tuaj të angazhuar në “Teatri Lirik Skupi & Friends”...



Avni Dalipi: Ishte një ide të cilën e kisha bluar shumë kohë më parë! Ajo hasi në përkrahje vetëm kur Ministrinë e Kulturës filluan ta menaxhojnë shqiptarët! Ky vit është viti i tretë me radhë në të cilin përjetohet Manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare”, që mbahen më 22-28 Nëntor, me rastin e festave kombëtare, Ditës së Alfabetit Shqip e që përmbyllen me ditën e Flamurit Kombëtar. Është një manifestim që i thenë klishetë, nuk organizohet në forma strikte akademike e të lodhshme, por, ka formën e një feste që zgjatë një javë e që mund ta përjetojnë të gjithë, të gjithë shqiptarët e vendit. Cdo vit kemi ndryshuar konceptin organizativ, dhe e kemi formësuar si arenë e shprehjes së formave te reja krijuese artistike.

INA: Do me thënë se, edhe sivjet pritet të kemi aktivitete të tjera nga ai i vitit të kaluar?

Avni Dalipi: Po, koncepti i sivjem përbëhet nga shfaqet teatrale, nga ekspozita e pikturave, pastaj të fotografive artistike, me ditën e filmit të shkurtër, me recitale poetike e muzikore etj. në të cilat janë të angazhuar emra të respektueshëm artistësh nga vendi, Kosova e Shqipëria. Risi e sivjemë do të jetë promovimi i CD me recital poetik. Do kemi nderin që në këtë mbrëmje të kemi mysafire edhe të madhen tonë, Tinka Kurtin! Një ditë e veçantë do të jetë edhe dita e shfaqjeve të filmave të shkurtër, ekspozita tematike e fotografisë e Greta Lamit nga Tirana si dhe recitali i Flamurit që do të mbahet më 27 nëntor për nder të ditës së flamurit përgaditur nga aktori ynë i madh Vasjan Lami !

INA: Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen vetëm në Shkup ?

Avni Dalipi: Fatkeqësisht, pjesa më e madhe, po! Buxheti aktual nuk na mundëson që këto aktivitete t’i shtrijmë nëpër të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët! Një shfaqje planifikojmë të mbajmë në Tetovë dhe, ekspozitën e shoqatës së piktorëve shqiptarë “Draudakum”, nga Shkupi ta bartim në Gostivar! Me rastin e 22 Nëntorit do të kemi një manifestim kombëtar të organizuar nga strukturat shqiptare në Qeverinë aktuale të Maqedonisë, ndërsa, festimit të 28 Nëntorit do t’i bashkangjiten edhe sërë asociacionesh shqiptare të vendit. Natyrisht, këto organizime do të jenë të vetësishme, ndërkohë që do t’ia shtojnë begatinë dhe laryshinë programit të ditëve të kulturës. Gjithësesi, do të ketë programe akademike të organizuara nga asociacionet e ndryshme shqiptare të vendit e të përkrahura nga strukturat shqiptare qeveritare e komunale.

INA: Të kalojmë në një temë tjetër, veçanërisht për profesionin të cilit i takoni! Ku gjendet momentalisht me aktivitete profesionale Avni Dalipi ?

Avni Dalipi: Artisti i mirëfilltë, në çdo pore të hapësirës e në çdo fraksion kohe ndien se është aktiv në fushën e vet profesionale. Edhe në gjumë ëndërron tek shkel dërrasat e skenës apo tek kaluron apo ik nëpër shiritin filmik. Artisti i mirëfilltë, edhe me veshje të përditshme, edhe me ecje, edhe me qëndrim, edhe me komunikim, edhe me shikim... pandashëm reflekton profesionin e vet. Pra, aktivitetet profesionale të një artisti janë permanente, janë si dhëmbët e mekanizmit që pandërprerë e mbajnë në jetë një makinë. Sa i përket asaj se si përmbusha këtë vit aktivitetet e mia aktoreske, po theksoj se, më aktiv isha në sferën e filmit, më konkretisht, në film të metrazhit të shkurtër. Luajta tashmë në filmat e përfunduar RRUGA dhe PROCESI, ndërsa këtë muaj do të përfundojë edhe filmi MARATONISTI ku luaj rolin kryesor. Pse ky angazhim për film të metrazhit të shkurtër? Për nga vlera filmi i shkurtër është po aq i rëndësishë sa edhe filmi me metrazh të plotë. Duke u nisur nga rrethanat dhe kushtet materiale në regjion, filmi i shkurtër realizohet më lehtë, më komod dhe më me pak buxhet, ndonëse si krijim është shumë më vështirë të shprehen të gjitha ato që duam t’i themi e të cilat shumë me më komoditet do t’i shprehnim në një film me metrazh të plotë, pra ky zhanër i filmit krijon mundësi më të mëdha për të ardhur në shprehje krijuesit filmic. Filmi i shkurtë më lehtë gjenë hapësirë të shprehjes duke u bazuar edhe në bashkëpunimet e mundshme me televizionet nacionale apo locale, në të cilat me lehtë do të gjendej hapësirë në skemat e tyre programore për shfaqje. Pra, filmi i shkurtër më lehtë depërton e me këtë, aktorët, regjisoret e skenaristët me lehtë realizohen.

INA: Çdo të thotë të jesh artist shqiptarë, sidomos në Kosovë e Maqedoni ?

Avni Dalipi: Të jesh artist në Kosovë, do të thotë që t’i ngjeshësh bërrylat dhe të futesh në luftë në të mirë të njërit nga shumë fraksionet, do të thotë, së pari të fraksionohesh e pastaj të ndjeshë dërrasat e skenës. Të jeshë aktor në Kosovë do të thotë të pranosh faktin që si “artist i pavarur” je më i suksesshëm dhe më i nderuar. Fare në fund, të jem korrekt, të jeshë aktor në Kosovë do të thotë të jeshë pjesëtar i një konkurrence të madhe profesionale. Në Kosovë, për momentin, nëse nuk je aktiv përhershëm, “shkelesh” nga gjeneratat që po vijnë pa pra. Kjo prurje aktorësh gjithnjë e më të mirë të detyron të jesh në pikun e gatishmërisë profesionale, paçka që me vite mund të mos gjesh vend në skena teatrale të Kosovës.
Të jesh artist në Maqedoni do të thotë të jesh pak entuziast, pak i politizuar, pak profesionist e shumë më tepër i përgatitur për të punuar. Dorën në zemër, të jesh aktor në Maqedoni do të thotë të jesh në raporte miqësore të përditshme me aktorë të kalibrit të lartë, të disiplinuar e të palodhshëm. Ndryshe, nuk mund të mbahet një repertoar me dymbëdhjetë premiera e me një festival ndërkombëtar (Skupi Festival) siç arriti ta mbajë këtë tempo Teatri i Shkupit në dy vitet e shkuara. Të jeshë aktor në Maqedoni, do të thotë që të jesh i gatshëm që më tepër të jetosh me entuziazëm se sa me duartrokitje nga publiku. Të jesh aktor këtu do të thotë që me publikun të ndeshesh vetëm në premierë. Këtu të bësh jetën e aktorit do të thotë që të “lëngosh” nga një sëmundje që e cila shkaktohet nga mungesa e publikut! Zoti e bëftë mirë!
Të jeshë aktor në Shqipëri, do të thotë të jeshë në luftë të përhershme me gjenerata, me shkolla e me drejtime teatrale. Të jeshë aty aktor do të thotë të mohosh çdo gjë në të mirë të materializimit të profesionit tënd. Aty shumë shtrenjtë shkon pasuli.
Krejt në fund, të jesh aktor shqiptar, do të thotë të jesh në maratonë të përjetshme drejt famës së Bekim Fehmiut, Sandër Prosit, Margarita Xhepës e Tinka Kurtit, Faruk Begollit, Xhon e Xhim Bellushit, Rexhep Mitrovicës etj. Pra, të jesh aktor shqiptar do të thotë të jesh personalitet botëror. Na ka rënë kjo hise – ikje nuk ka!

INA: Si do e vlerësoni një dilemë! A po i kthehen shqiptarët kultivimit të traditës kulturore, duke e ndërthurur ate në vepra artistike, në këtë rast kam parasysh teatrin apo filmin ?

Avni Dalipi: Jo vetëm teatrin dhe filmin. Unë do të thosha që të kemi parasysh edhe sfera të tjera kulturore! Shikoni se çka po bëjnë balerinët shqiptarë nëpër botë! Operistët, instrumentistët, shkrimtarët... Natyrisht, kemi edhe shumë shund e kiç, kemi “vepra” pseudovlerë por që, populli ynë di dhe të shoshisë, e ka këtë kapacitet e këtë forcë – shoshën në dorë dhe vlerat në tavolinën e bukës e bykun në pleh!
Drejt institucionalizimit të jetës kulturore si dhe të avansimit të traditave krijuese në Kosovë e në Shqipëri punët kanë ecur mirë e mbarë. Në Maqedoni deri para dy viteve, çdo gjë ka qenë në suaza të entuziazmit, të dëshirës për t’u dëshmuar se edhe shqiptarët e këtushëm kanë vlera e potencial kulturor. Dhe jo rastësisht shumë shpejt u arrit para dy viteve që të kemi i nstitucionete para kulturore shqiptare në Maqedoni. Teatri i Tetovës, Galeria e Arteve në Tetovë, Qendra për konzervim në Gostivar, Instituti për trashëgimi kulturore “Pjetër Bogdani” – janë i nstitucione nacionale shqiptare të cilat perceptohen si lopatat e para me beton në themelet e një jetë të pathyeshme kulturore shqiptare. Nuk ka kulturë pa institucione përkatëse. Mungesa e këtyre institucioneve prodhon vetëm vetëkënaqësi, antivlerë e kultura të diskutueshme!

INA: Në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri kemi pasur një plejadë të artistëve të njohur të ashtuquajtura si “legjenda” të teatrit apo filmit. Çfarë po ndodh me brezin e ri ?

Avni Dalipi: Pak më parë folëm për legjendat e filmit dhe të teatrit shqiptar. Ata emra meritojnë të flitet gjërë e gjatë. Janë emra që bënë shumë për ne, si komb, pavarësisht se kombi akoma nuk ua kthehu borxhin atyre. Nuk i studiuam sa duhet, nuk ngritëm asociacione me emër e mbiemër të tyre, nuk themeluam ndonjë shpërblim që do të mbante emrin e tyre, nuk botuam monografi e studime mbi personalitetin e tyre. Legjendave tona u kemi shumë borxh! Mbase ky mund të jetë ndonjë formë mallkimi i cili po na mban të mbërthyer dhe nuk po na lë të shpërthejmë e të prekim atë zenit ku bëjnë jetën këta personalitete tona legjenda të filmit e të artit.
Pa dyshim që kemi edhe aktorë të rinj shumë të mirë, madje me vlera ndërkombëtare, të cilët do të performonin nëpër filma! Problemi është se filmat janë komercializuar aq shumë sa që tashmë kemi të bëjmë me filmin jo vetëm si art por mbi të gjitha, me industri me një “fabrikë” që sjell miliarda dollarë! Për të ardhur deri te ky nivel filmi shqiptar nuk ka mundësira finansiare. Loja blihet por dhe shitet shumë shtrenjtë. Ne kemi artistë të rinjë loja e të cilëve mund të shitet shumë shtrenjt, por, ku ta gjejmë blerësin shqiptar!
Të merremi vesh, jemi në periudhën e tranzicionit politik, përgjithësisht si komb. Ky tranzicion po na zgjatë shumë dhe ka të ngjarë që të na zgjasë edhe ca dekada! Deri atëherë prodhimi i kuadrove të rinj do të jetë i pandalshëm ndërsa arritja e famës “legjendë” do të jetë i rëndë, sepse shoqëria shqiptare edhe më tej do të merret me politikë. Kulturën do ta ketë të dorës së dytë, tretë, katër...

INA: Cilat janë lidhjet e tuaja me botën e filmit ?

Avni Dalipi: E dua filmin. E dua edhe skenën e teatrit! Role kam interpretuar shumë më tepër nëpër filma se sa në teatër, ndonëse në teatër jam prezantuar shumë herë më tepër se në filma. Këtë e bazoj në reprizim të shfaqjeve! Shfaqja “KOMEMORATIVISHT” apo “KOSOVARS” ku interpretoj rol kryesor, pra, këto shfaqje kanë përjetuar dhjetra e dhjetra reprizime si në vend ashtu edhe në festivalet ndër më të mëdhatë në botën e teatrit.
Megjithatë, siç thashë, bota e filmit më ka aktivizuar shumë më tepër se sa bota e teatrit. Kam luajtur në filma të ndryshëm të të gjitha zhanreve, për ç’gjë opinioni ynë më nderon dhë respekton. Aktorët e mëdhenj kanë lindur në skenën e teatrit ndërsa përjetësinë e kanë arritur në botën e filmit.

INA: Si e komentoni faktin që auditoriumet e teatrit në Kosovë e Maqedoni gjithnjë po humbin artëdashësit. Ku qëndron defekti rreth kësaj ?

Avni Dalipi: Nuk di, mbase në keqmenaxhim! Në mungesë të i deve se si të ftohet publiku në shfaqje. Jeta është bërë shumë dinamike! Shtëpi punë, punë shtëpi! Në të tilla rrethana duhet të ngriten metodologji të veçanta për sjelljen e publikut në teatër! Teatri gjithnjë ka qenë art i aristokracisë, por aristokracia kurrë nuk e ka mbushur teatrin, aristokracia ka mbyshur lozhat e teatrit! Kështu ishte në teatrin anglez të viteve 1650-1700. Në lozhën përballë skenës gjithnjë uleshin beqaret, gratë e pamartuara apo të divorcuara! Në rreshtat e parë uleshin të rinjtë dhe beqarët, të cilët hynin në teatër pasi që të i shin ulur të gjithë. Në brendi Gruaja Portokalli shëtiste poshtë e lartë gjithnjë duke e mbajtur shikimin te beqarët, të cilët e paguanin një portokall dhe i thonin Gruajës që mbante shportën plotë me portokalla që t’ia dhuronte asaj beqareje të cilës i a kishte hedhur syrin me të hyrë në teatër! Në këtë periudhë pikërisht kjo Grua i shte më meritorja për mbushjen përplot me publik të teatrove angleze. Sot shkenca e marketingut e bën të veten. Marketingu dhe menaxhmenti sot po joshin dhe po drejtojnë botën. Të dyja këto janë shkencë më vete. Ndërsa ndër ne, me këto shkenca, sot merren entuziastët – jo profesionistët! Aktori, po as regjisori e dramaturgu, nuk janë të thirrur e as njerëz të duhur për të krijuar publikun, ata krijojnë veprën për publikun. Është një sistem i tërë që kujdeset jo vetëm për kultivim të vlerave por edhe për konsumues të atyre vlerave! Dikur publik patëm shumë, sot nuk kemi menaxherë as propagandë për ta bindur publikun se më tepër pushon në një shfaqje njëorëshe se sa në shtëpi. Ky edukim duhet t’i prekë të gjithë, nxënësit, studentët, mësuesit, profesorët, bartësit e jetës publike e shoqërore si dhe, pa dyshim, edhe prindërit.

INA: Në çfarë mase është përkujdesja i nstitucionale për filmin, teatrin në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup?

Avni Dalipi: Filmi më së miri është duke kaluar në Shkup! Qeveria e Maqedonisë çdo vit po e rrit buxhetin e filmit, kështu që, filmi maqedon jo vetëm që po kultivohet mirë e mbarë por edhe po gjen gjithnjë e më shumë hapësira ndërkombëtare. Në Shqipëri filmi shqiptar jo rallë po mbështetet në koproduksione, madje finansime ka përjetuar edhe nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë derisa ministrohej nga shqiptarët. Buxheti i filmit shqiptar është pak më i mirë se ai i Kosovës. Këtë vit ministri Arifikmet Xhemaili nënshkroi vendim për ta ndihmuar filmin e Gjergj Xhuvanit me 250 mij euro, ndërsa i tërë buxheti i filmit kosovar i shte 300 mijë euro!
Edhe në Teatër punët më së miri qëndrojnë në teatrot e Maqedonisë! Finansohen shumë teatro profesionale e amatore, shumë shfaqje, shumë manifestime kombëtare e ndërkombëtare! Nuk është keq as Kosova! Teatrot nëpër Kosovë, në këto kushte, janë aktive dhe funskionojnë varësisht nga buxheti që mund të krijojnë nga ministria përkatese, nga donatorë e sponsorë të ndryshëm, që nuk janë të paktë. Shqiptarët në Kosovë e duan artin, e çmojnë ndaj dhe, kur është në pyetje përkrahja finansiare, nuk mungon edhe vullneti për ta përkrahur materialisht qoftë një teatër, qoftë një shfaqje apo edhe një manifestim.
Në Shqipëri, sikur ka filluar të ndryshojë koncepti i menaxhimit të Teatrove. Qeveria e Berishës ka mundësuar që të gjithë aktorët të kenë të siguruar rrogën bazë, përafërsisht në vlerë prej 500 euro. Pastaj, aktorët, sa më tepër të angazhohen, sa më tepër të kapin role “të mëdha” aq më tepër edhe do të paguhen ekstra! Kjo metodë nxitë konkurrencën, nxitë aktivizimin e çdo aktori si dhe përkushtimin më të madh për t’u marrur me këtë profesion. Në Shqipër aktorët kanë filluar të jetojnë prej këtij profesioni.

INA: Bisedën po e përfundojmë me temën e fillimit: a keni hasur në përkrahjen e strukturave aktuale për ditët e sivjeme të kulturës shqiptare në Maqedoni?

Avni Dalipi: Pa dyshim! Sepse këto ditë nuk janë ditë ekzkluzivisht për mua apo për një grup të caktuar njerëzish. Këto ditë janë për të gjithë shqiptarët e vendit dhe më gjërë. Uroj që prej vitit të ardhshëm ky aktivitet të mos jetë vetëm projekt i një asociacioni apo i shoqërisë civile. Do të ishte mrekulli më vete që kjo të shëndrrohej në institucion, për të cilën gjë gjakoj që nga fillimi i këtij aktiviteti; të kalonte në drejtori të përhershme, në suaza të Ministrisë së Kulturës të përceptohet si manifestim nacional (si Vera e Ohrit, Netët e Operës së Majit, etj) pra, të shkëputej nga ojq-të dhe të kalonte në menaxhim të sektoreve përkatëse në këtë Ministri, dua që ky manifestim të mbetet i përhershëm me n jë drejtori profesionale. Kam bindjen e plotë se kjo do të bëhet! Shqiptarët e Maqedonisë meritojnë që, një herë në vit, shtatë ditë rresht të kenë Ditët e tyre të Kulturës. Dhe, në mënyrë më dinjitoze gjithësesi që do të festoheshin ditët nga 22-28 Nëntor, festa kombëtare këto që i dhanë kuptim shtetësisë dhe kombit shqiptar.





Shfaqjet në teatrot profesionale:


1. “The KosoWars” regjia Haqif Mulliqi- Teatri Alternativ Kosova
2. “ Ruleti Ballkanik” regjia Gëzim Kame- Teatri kombëtar i Kosovës
3. “Dredhëzat mbi varre” regjia Jeton Ahmetaj – Teatri kombëtar i Kosovës
4. Profesor …jam talent…(1) regjia Faruk Begolli
5. Ditë Vere – S. Mrozhek, regjia Melihate Qena
6. Borgjezi Fisnik – Molier, regjia Luan Daka
7. Karavani i bubrrecave – sipas filmit amerikan, “Fluturimi mbi folenë e qyqes” – Regjia Isa Qosja
8. Zhvarrimi I Pjetër Bogdanit – Teki Dervishi, regjia Fadil Hysaj etj.
9. “Komemorativisht”- Haqif Mulliqi,




Nga filmat:


1. “Djelmoshat e rrezikshëm” – Halil Budakova
2. Vallja e çmendur – Isa Qosja ( Ky film u prezentua në festivalin e Brukselit “Cinema Mediterraneen a Bruxelless” në nëntor të vitit 1998) etj..
3. Vesa – Isa Qosja
4. Rruga pa kthim – Ekrem Kryeziu
5. Te Pulat Tona – Sunaj Raça
6. “Palaço i pa kulturuar” – film per fëmijë.




Filmat e shkurtër:


1. “Procesi” – Robert Bacaj
2. “Rruga” – Osman Demiri
3. “ Jeta Ime” Agron Maliqi
4. “Visible Dream” – Hareza Basha
5. “Ruhani i IV”
6. “Piktura”
7. “Jeta Ime”
8. “ Njerëzit e humbur”- film në proces të realizimit.


Nga shfaqjet për fëmijë:

1. Princesha Zobeidë – teatri Dodona – regjia M. Qena
2. Pylli është I të gjithëve – Teatri Dodona – regjia M. Qena
3. Besimi I Humbur – Teatri Dodona – regjia Adem Zhitopotoku
4. Babadimri midis nesh – QDAKFR Qeshu – Smile – Regjia A. Dalipi etj..
5. Lojra Për Fëmijë – Lojra pa Kufinj në organizim të shoqatës italiane Ai.Bi., me koncept, përzgjedhje, regji dhe udhëheqje të A. Dalipit

(Intervistoi: Naser Pajaziti/Iliria News Agency)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...